2013-10-12

OPERACIONI MË I MADH ANTITRAFIK

Vlera në treg e këtij “thesari” nuk dihet, por Shqipëria ka rifituar një thesar vlerash të paçmueshme. Policia ka sekuestruar më shumë se 1 mijë vepra arti dhe objekte kulti të shekullit XV deri në mesin e shekulli XX. Dy grabitësit synonin t’i shisnin ato jashtë vendit.1 077 ikonat, afresket dhe pjesë të tjera janë marrë nga kishat dhe qendrat kulturore në juglindje të Shqipërisë dhe Maqedoni. “Janë dashur tre furgonë për të trasportuar veprat e artit të vjedhura” - bëjnë të ditur burimet për A1 Report. Burimet saktësojnë se shumica e veprave murale janë të dëmtuara. Vjedhje janë kryer gjatë disa viteve në Korçë, Voskopojë e Maqedoni. Pritet të ngrihet një grup ekspertësh për të analizuar një nga një të gjithë veprat për të zbuluar origjinën. Policia arrestoi Arben Spaho nga Pogradeci dhe Gjergji Thimo nga Korça, i cili ishte dhe restaurator i veprave të artit.

 Veprat e artit të sekuestruara mbrëmjen e djeshme gjatë operacionit për shkatërrimin e një kupole të trafikantëve të veprave të artit u ekspozuan sot në mesditë në ambjentetet e Galerisë së Artit.

Vetë kryeministri Edi Rama shkoi në Galeri për të inspektuar veprat e vjedhura, por dhe për të falenderuar policinë për operacionin e përkufizuar "të jashtëzakonshëm", si nga kryeministri, por dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

EDI RAMA: OPERACIONI MË I MADH ANTITRAFIK

"Jemi këtu për t'i dhënë rëndësinë që ka ky operacion i jashtëzakonshëm. Operacioni më i madh atintrafik në këtë fushë i zhvilluar në gjithë këto vite batërdie, rrënimi dhe shkatërrimi. Faleminderit për ata që e mundësuan kapjen e kësaj bande apo e kësaj bërthame banditësh të veprave të artit.
Është e domodoshme të thuhet se kjo betejë sapo ka nisur, sepse trashëgimnia jonë kultore është në rrezik si askund tjetër", tha Rama pasi pa nga afër ikonat e sekuestruara.

“Fakti që një thesar i këtyre përmasave i barabartë me një muze deri mbrëmë ishte në duar të keqbërësve dhe rrezikonte fatin e shumë thesareve të tjera që tanimë kanë dalë nga kufijtë e Shqipërisë flet vetë për gjëndjen alarmante, skandaloze dhe të papranueshme për jetën e njerëzve dhe sigurisë jo vetëm për pronën e qytetarëve por për këtë pasuri të pamuar që nuk zëvendësohet dot me asgjë. Jam sinqerisht mirënjohës të gjithë atyre që morën pjesë në operacion. Pavarësisht se marrin një rrogë shumë modeste e punojnë në kushtet të vështira nuk janë tunduar përpara këtyre veprave marramëndese monetare, por i kanë shërbyer misionit të tyre."- nënvizoi më tej kryeministri.

EDI  RAMA: NA NDIHMONI TE MOS ZHDUKET TRASHEGIMIA

Rama premton se do të vazhdojë intensivisht lufta për të mbrojtur thesarin e trashëgimisë kulturore si dhe bëri apel qytetarëve të ndihmojnë për të luftuar këtë krim.
“Në vijim do të vazhdojmë intensivisht luftën për ta mbrojtur. Është rrënqethëse si janë shkulur muret e kishave dhe të kesh këtu dëshmi nga këto shkulje.
Tregojnë nga njëra anë çfarë barbarie përjeton tarshëgimia kulturore dhe thika e krimit ka vajtur në kockë. Tashmë edhe muret po zhduken sepse shumëçka tjetër është zhdukur. Jemi këtu për të përcjellë një mesazh shumë të fortë që prek të dyja skajet, atë të kulturës dhe të rendit e sigurisë për tju kërkuar qytetarëve solidaritetin maksimal në kushtet e kësaj lëngate të madhe të trashëgimisë kultorore dhe të kësaj shoqërie që thuaje ka harruar prej kohësh që Shqipëria është vendbanimi ynë i përkohshëm, por është i përjetshëm për fëmijët e brezat që vijnë të cilët ne u detyrohemi atdheun që na kanë lënë të parët tanë. Atdheun e këtyre thesareve që duhet me patjetër të mbrohen. Çdo qytetar është i lutur të sinjalizojë policinë e shtetit për cdo rast e cdo dyshim lidhur me veprimtarinë kriminale në dëm të kësaj vepre. Jemi shumë të vegjël e shumë të varfër në krahasim me të tjerët, por nëse ne lejojmë që ky thesari i madh të shkojë duke u tretur dhe të shuhet fare, ne do të jemi askushi në mes të Europës”

MINISTRI SAIMIR TAHIRI: AKSION I SHKELQYER

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e quajti “aksion të shkëlqyer .” ”Shumë sinqerisht para jush zoti kryeministër të falenderoj të gjithë oficerët për këtë operacion spektakolar”

MIRELA KUMBARO: RREZIKU I MADH

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se një operacion i tillë tregon sesa i madh është rreziku dhe se do të vazhdojë bashkëpunimin me policinë për të ndalur këtë trafik të veprave të trashëgimisë kulturore.

“Ky operacion i jashtëzakonshëm tregoi bashkëpunimin e menjëhershëm të forcave të policisë dhe strukturave të tjera. Ky është një nga operacionet e para për të ndërtuar ura bashkëpunimi të sektorit të trashëgimisë kulturore, dhe për të ndalur luftën kundër trafikut të trashëgimisë kulturore. Janë një sërë veprash të tjera që vazhdojne të jenë të rrezikuara dhe ministria e Kulturës ka nisur një fushatë sensibilizimi."

Jam në një mendje me zotin Rama për shqetësimet që ngriti në spitalin “Nënë Tereza”, por…




Prof.Dr.Eshref Ymeri

Në fjalimin që mbajti para mjekëve dhe infermierëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Kryeministri Rama deklaroi:
“Transformimi rrënjësor i Spitalit Nënë Tereza është në themelin e rrugës së rilindjes së sistemit shëndetësor.”
Një shqetësim shumë i drejtë ky. Spitali është pasqyra ku dalin në pah vlerat e kulturës dhe të edukatës së një vendi. Duhet pranuar se spitalet tona, në tërësi, kanë mungesa të shumta në infrastrukturën e tyre. Por spitalet tona nuk mund të kthehen dot në vatra të lakmueshme të kurimit dhe të edukimit shëndetësor me investime nga buxheti i shtetit, me një përqindje vetëm njëshifrore. Kjo është e pamundur.
Çdo qytetari shqiptar ia do zemra që spitalet tona të modernizohen, si infrastrukturë, dhe të pajisen me aparatura mjekësore të fjalës së fundit, duke e ndjekur teknologjinë e re hap pas hapi. Le të shpresojmë se ky objektiv një ditë do të arrihet dhe spitalet tona do të ndrijnë nga bukuria e nga pastërtia dhe do të rrethohen nga një mjedis që noton në mes të gjelbërimit. Dhe paga e personelit mjekësor do të jetë në një nivel mjaft të kënaqshëm. Por… kjo përsëri është e pamjaftueshme.
Spitalet tona kanë nevojë edhe për më shumë bukuri dhe pastërti të shpirtit të personelit mjekësor. Por halli është se një bukuri dhe një pastërti e tillë nuk mund të sigurohet me kurrfarë investimesh nga buxheti i shtetit. Një bukuri dhe një pastërti e tillë duhet edukuar që në zanafillë të veprimtarisë së gjithë atyre individëve që kanë ndër mend t’i hyjnë karrierës mjekësore dhe t’u ringjallet në shpirt atyre që u mungon në formimin e tyre psikologjik gjatë ushtrimit të karrierës në fjalë.
Pra, edhe studentët e mjekësisë, edhe personeli i ri, edhe personeli më i moshuar i spitaleve tona, duhet të bëjnë betimin e Hipokratit, një betim solemn ky për besnikëri ndaj detyrës së mjekut. Në këtë betim shprehen parimet themelore etikomorale të qëndrimit të mjekut. Në këtë mes kemi të bëjmë me emërtimin e një betimi me përdorim të gjerë nga ana e gjithkujt që ka ndër mend të punojë si mjek. Betimet, në të cilat qenë formuluar normat morale të qëndrimit të mjekut, kanë qenë të njohura edhe në lashtësinë egjiptiane. Lindja e këtij betimi është shumë më e hershme sesa periudha kur ka jetuar Hipokrati (460 - 377p.e.r.). Sipas një gojëdhëne, betimi lidhet me pasardhësit e drejtpërdrejtë të Eskulapit, i cili, sipas mitologjisë së lashtë greke, ishte perëndia e mjekësisë dhe e kurimit. Ky betim, i regjistruar prej Hipokratit, qe përcjellë gojë më gojë brez pas brezi, si traditë familjare, dhe është hasur për herë të parë në Aleksandrinë helenistike, në kohën e mjekëve të lashtë grek Herofilit (Herophilos - 325-280 p.e.r.) dhe Erasistratit (304-250 p.e.r.). Ai pati shërbyer si dokument që prej shek. III. Sipas njoftimeve të shtypit, në vitin 2006, në Amerikën e Veriut dhe në Evropë, teksti i betimit qe zëvendësuar me një “kod profesional”.
Vetëm me vënien në jetë të betimit të Hipokratit, të quajtur tashmë kod profesional”, mjekët e spitaleve shtetërore do t’i shndërrojnë këto të fundit jo vetëm në qendra të specializuara për kurimin profesional të sëmundjeve, por edhe në vatra shembullore të shfaqjes së humanizmit të njeriut ndaj njeriut. Në të kundërt, në spitalet tona shtetërore do vijnë duke u thelluar shfaqjet e antihumanizmit, që fshehin brenda vetes hijet e kriminalitetit, dhe ato do të na kujtojnë gjykatat e kohës së Balzakut (1799-1850), për cilat, në librin “Shkëlqimi dhe rënia e kujtizaneve” ai thotë:
“Kurrfarë gjykatash nuk janë në gjendje ta parandalojnë kriminalitetin. Se gjykatat prandaj edhe janë shpikur, për ta pranuar krimin si një të keqe të pashmangshme”.

Santa Barbara, Kaliforni
10 tetor 2013


Babagjyshi i Vititi të Ri(Tregim)


Hasan Gremi 


Ditët e fundit të dhjetorit në Tiranë janë të shkurtëra dhe shpesh të mbushura me re që nxitojnë në drejtime të ndryshme e, herë- herë mbështjellin majën e Dajtit me një kapuç të hirtë, pastaj vrapojnë në horizont mbi kryeqytet, duke e ngjyrosur atë herë në gri të çelët, e herë në gri të errët. Nga ky sfond me perzierje ngjyrash nuk vonojnë shumë pikat e shiut që përplasen furishëm mbi çatitë e shtëpive, xhamat e dyqaneve dhe në rrugë. Dikush nga kalimtarët struket nën ndonjë strehë, e dikush ecën i mbrojtur nën çadër. Herë pas here, kjo cohë e ngjyrosur e hapësirës qiellore griset nga një dorë e padukshme e shigjetave gjigante të diellit që ndriçojnë qytetin e lagur...
Në këtë kohë mbrëmjeve qyteti vesh rroben shumëngjyrëshe të festave të fundvitit. Kudo nëpër rrugë vërshojnë lumë njerëzish që vizitojnë supermarketet apo butiqet për të kënaqur njerëzit e tyre të dashur me dhurata për Krishtlindje apo për festën e fundvitit, Vitin e Ri. Ata që e ndiejnë më tepër këtë atmosferë kaq festive janë fëmijët. Atyre u rrëshqet një ngazëllim i lehtë nëpër fytyrë, teksa mbajnë nëpër duar dhuratat e zgjedhura. Këtë gëzim e ndjen edhe Aldriti nëntëvjeçar që ka dalë me mamin e vet, Erëmirën, për t’i blerë babit dhuratë për ditëlindje, të cilin e pret me padurim t’i vijë këto ditë të festave nga emigracioni. E djeg malli shumë për të atin, se ka një vit pa e parë. Ecën me mamin prej dore përpara vitrinave verbuese, kalojnë në sheshin “Skënderbej” që llamburit nga dritat shumëngjyrëshe, vendosur nëpër fasadat e ndërtesave që e rrethojnë. Aty mbajnë këmbët të dy dhe i hedhin një sy pemës së Vitit të Ri, që ngrihet shtatëlartë në qendër, mbuluar nga mijëra xixëllimash të larmishme dritash dhe më pas vazhdojnë rrugën për nga qendra e re tregtare, që sapo është hapur. Mban të ëmën prej dore dhe mendon për dhuratën, që do të blejë. Do që ta kënaqë sa më shumë të atin, prandaj i bën së ëmës pyetje të shumta:
- Mami, dhuratën do t’ia zgjedh vetë babit. Do të marrë më të bukurën, - dhe nëpër fytyrë i kalon një nënqeshje e lehtë e sytë i shkëlqejnë nga një ngazëllim i brendshëm.
- Mirë shpirt, mirë! - përgjigjej e heshtur e ëma.
Hyjnë në qendrën e re tregtare ku hapësirat e mëdha të saj janë mbushur me gjithfarë mallrash. Vështrojnë nga çdo anë, po sytë e vogëlushit mbetën te një këmishë bashkë me gravatën që shkëlqenin nën ndriçimim verbues.
- Këtë mami, këtë, - tregoi ai me gisht.
E ëma nuk ia prishi djalit, po i tha shitëses që t’ia paketonte. Kur shitësja po e paketonte, atij nuk iu durua pa i thënë:
- Teta, ma paketo bukur, se e dua për babin!
- Ta paketon teta bukur, që ta kënaqësh babin!- ia ktheu ajo me një buzëqeshje të lehtë përkëdhelëse dhe, duke i dhënë pakon, e uroi:
- Ta gëzojë babai!
Ecte me pakon në dorë dhe ngazëllimi i tij vërshonte nëpër pyetjet e shumta:
- Mami! Mbushe tavolinën me gjellë e ëmbëlsira që i pëlqejnë babit!. Dhuratës do t’i vë edhe një kartolinë urimi. Do ta shkruaj bukur. Më pas do t’i vendos në tavolinë.
- Patjetër, zogu i mamit. Do ta rregullojmë sa më bukur tavolinën dhe, bashkë me dhuratën, do t’i japim edhe buqetën me lule, - dhe në çast asaj i rrëshqitën dy pika loti nëpër faqe, nga gëzimi që vinte i shoqi, apo se i biri ndjente shumë mungesën e tij, ose të dyja bashkë, por vazhdimi i pyetjeve të vogëlushit, e shkëputën nga ai përjetim jo i këndshëm:
- Po ne, kur do të shkojmë atje ku punon babi?- pyeti vogëlushi duke mehur zërin, kur pa të ëmën pak të brengosur. Heshti deri sa arritën në shtëpi. Tani fantazia i fluturonte në vizitat e shumta që do të bënte me të atin. Pas pak u ulën për të ngrënë darkë, po atij s’i rrihej pa folur. Kështu bashkëbisedimi sa vinte e shtohej. Në çast, zilja e telefonit i ndërpreu të folurat. Ai fluturoi menjëherë te receptori dhe, sa dëgjoi zërin e largët, thirri:
- Babi, babi! Si je ? Hajde, më ka marrë malli shumë! Po të presim! E kemi rregulluar shtëpinë bukur, - dhe kështu nëpër tel vërshonin pyetje pas pyetjesh.
Pastaj telefonin ia kaloi të ëmës, e cila e pyeti për shëndetin dhe i tha se djali dhe ajo ishin mirë, po për të kishin merak. Ai i dha lajmin e gëzuar se të premten do të vinte me avionin “Alitalia” që mbrrinte në Rinas në orën 1445. Ky ishte një lajm që e bëri vogëlushin të hidhej përpjetë duke thirrur me të madhe : “Pasnesër vjen babi! Babi im! Do rri me babin! Babi do më sjellë gjëra të bukura!”. Kështu ai nuk pushonte së thirruri e duke u hedhur si ketër nëpër kuzhinë. E ëma e shikonte dhe nëpër buzë i endej një nënqeshje e lehtë. Pastaj i tha së ëmës::
- Mami! Do të shkojmë bashkë ta presim në aeroport. Është i lodhur nga rruga, vjen nga larg.ai.
- Patjetër!- iu përgjigj ajo me zë të tingullt, - se vjen me dy avionë.
-Pse me dy mami?
-Udhëton nga Brukseli në Milano dhe nga Milano në Rinas.
…Mbrëmja e së nesërmes që do të nisej, erdhi shpejt dhe Dritani, atje larg, në dhe të huaj, pasi bëri shoping, u kthye në dhomën e vet, ku rrinte me qera. Filloi të sistemonte pakot e shumta nëpër valixhe, të cilat mezi po i mbyllte. Kurse, për Aldritin, kishte marrë një Babonatalia të madh, gati sa vetë ai, me bateri që ecte dhe fliste. “Me këtë do të kënaqet duke luajtur”, - mendoi. E vendosi atë me kujdes në një valixhe të veçantë dhe e mbylli. Çelësat i futi në xhepin e vogël të xhaketës. Kontrolloi edhe një herë, se mos kishte harruar ndonjë gjë pa marrë dhe, pasi u sigurua se të gjitha i kishte vënë nëpër valixhe, u shtri të merrte një sy gjumë, se nesër do të nisej herët me taksi në aeroport. Në mugëtirën e mëngjesit të akullt, të aeroportit të Brukselit, hipi në avion dhe u nis drejt Milanos.. Hapësira gri, që shikonte nga dritarja e avionit, i fuste drithma në shpirt. Nuk e kishte ngrohtësinë e vendit të vet. Por mendimet shpesh i fluturonin te djali e gruaja dhe një vale e ngrohtë ia përshkonte trupin. Donte t’i shikonte sa më shpejt.
. Kur dielli po ngjitej në horizont, avioni u ul në aeroportin e zhurmshëm të Milanos. Dukej rrëmujë, por secili gjente drejtimin e duhur. Sa zbriti, Dritani u drejtua nga monitorët e shumtë për të parë orarin e linjës së Tiranës. Gjeti emrin e qytetit të tij të dashur, diçka drithëruese ndjeu në trup. Por…avioni nisej pas dy orësh. I duhej të priste ca. U ul në ndenjëset e ambjentit. Koha i dukej sikur s’ecte. Piu një kafe, po prapë koha s’po afrohej. Bëri si bëri, u ul prapë dhe mendja i fluturonte në qytetin e lindjes. Zëri i megafonëve, që lajmëronin udhëtarët e Tiranës të përgatiteshin, se "Alitalia“ do të nisej, e shkundi nga mendimet. Rrëmbeu bagazhet dhe u drejtua nga kontrolli... Kur avioni u shkëput nga toka dhe mori kursin drejt Tiranës, shikonte nga dritarja hapësiren e pafund dhe i dukej sikur krahët e avionit i lëvizte ai për të arritur sa më shpejt në qytetin e lindjes, ku me të e lidhnin shumë kujtime...
…Aldriti me mamin prisnin në Rinas dhe shpesh dilnin jashtë ambjentëve të pritjes të të parë tej në largësi horizontin, se mos dallonin ndonjë avion. Asgjë s’ dukej. Ora po afronte, vogëlushit po i shtoheshin ankthet. S’ rrinin dot në një vend. Aldriti, duke parë me vëmendje në largësi të hapësirës, dalloi një si shpend të vogël që po afrohej. Nuk u përmbaj, thirri menjëherë: “Shikoje mami, shikoje! Po vjen!”. Dhe trupi i shpendit metalik po bëhej gjithnjë e më i madh, i shoqëruar nga bubullima e një zhurme që po bëhej shurdhuese. Avioni mori kursin, u ul dhe vrapin e ndali në drejtimin e duhur. U grumbulluan njerëz në dalje, që prisnin të afërmit e tyre. Pas pak filluan u hapën dyert dhe një varg njerëzish po dilnin nga kontrolli, Aldriti dalloi të atin që tërhiqte një grumbull valixhesh. Nuk iu durua, thirri: “Babi, babi!”, dhe vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë dhe me këmbët e vogla e shtërngoi fort pas trupit të vet. Nuk pushonin së puthuri njeri-tjetrin. Pastaj Dritani, e lëshoi të birin dhe përqafoi të shoqen. Ngarkuan bagazhet në një taksi dhe u nisën drejt shtëpisë… Në shtëpi biseda rridhte e ngrohtë e plot mall. Pyetjet nuk i linin radhë njera – tjetrës. Pasi u çmallën, i ati afroi valixhet dhe i hapi me radhë. Në fillim nxori gjërat që kishte blerë për të birin, dhe ia vinte përpara. Ato ishin aq shumë, sa vogëlushi s’po i dallone se çfarë ishin, se gëzimin më të madh e kishte për të atin, se sa për to. Vazhdoi me ato që kishte sjellë për të shoqen e për shtëpinë. Më pas me dhuratat që kishte marrë për të afërmit. Njera nga valixhet nuk u hap. Kurreshtja nuk e la vogëlushin të mos pyeste:
- Po këtë, këtë babi?- prekte ai valixhen e pahapur..
- Një ditë tjetë, të keqen babi!- dhe e ledhatoi të birin në kokë.
Në korridor, diçka me zë të ulët, bisedoi me të shoqen dhe ajo e mori atë valixhe dhe e vendosi në një cep të dhomës së gjumit.
Të tre ishin tepër të gëzuar se ishin bashkë pas një viti. Ditën tjetër shkuan për vizitë te gjyshërit. Çuan edhe dhuratat. Një ditë më pas shkuan te tezja, po Aldriti nuk shkoi, se e kishte lënë me shokët të luanin. Mbeti vetëm në shtëpi. Kërshëria për valixhen e pahapur e brente. Mendonte: "Pse nuk e hapi babi“? E mori dhe u mundua ta hapte, po dryni ishte i pabindur. Nuk hapej. Kontrolloi nëpër sirtarë, asgjë s’ pa. Në letrën e bardhë te njeri sirtar që kishte shtruar e ëma për të mbajtur sendet pastër, dalloi diçka poshtë që ia prishte rrafshinën asaj. Ngriti cepin e letrës dhe një palë çelësa të vegjël shkëlqyen. I mori dhe provoi të hapte valixhen. Ajo u hap. Rrufe hapi pakon dhe u mahnit. Në të qendronte shtrirë një goxha plak i Vititi të Ri. E rrëmbeu dhe e vuri në këmbë. Lëvizi një çelës që ishte prapa dhe Babonatalia filloi të ecte duke folur. Aldriti u ngazëllye nga kjo dhuratë e rrallë që i kishte sjellë i ati. Mendoi një çast se ç’ duhej të bënte. Shpejt e gjeti zgjidhjen. Mori pakon bosh e mbylli mirë me ngjitëse, ashtu siç ishte dhe e futi në valixhe. E mbylli dhe çelësat i vuri në vendin që ishin, në sirtar dhe valixhen atje ku e mori. Kurse plakun e Vitit të Ri e shtriu prapa palltove të mëdha që vareshin në garderobë dhe visheshin rrallë. E fshehu mirë e mirë, që të mos dukej. “Këtu nuk e gjejnë dot“, tha me vete dhe doli të luante me shokët.
… Natën tjetër, të tre nuk i zinte vendi nga gëzimi që, sa vinte po shtohej, se erdhi festa e madhe, e ditëlindjes së të atit bashkë me atë të Vitit të Ri. Për ta bërë atmosferën familjare, sa më festive, Aldriti ndezi dritat e pemës së Vitit të Ri, Xixëllima të shumta flakëruan pemën dhe zbukuruan hollin. Pastaj filloi të ndihmonte të ëmën për të shtruar tavolinën. Kur gjithçka ishte vendosur në tavolinë,sipas gustos së tyre, të tre u ulën përrreth tavolinës dhe festa filloi me trokitjen e gotave për Dritanin, duke e uruan njeri pas tjetrit: “U bëfsh edhe njeqind e të jesh bashkë me ne!”, Atij s’iu mbajtën lotët. I përqafoi të dy bashkë. Vogëlushi u ngrit me mamin. Ajo mori lulet, kurse ai dhuratën me kartolinën. Ia dhanë Dritanit, e përqafuan dhe e uruan edhe njëherë nga malli. Atij lotë të nxehtë vazhdonin t’i rrëshqisnin nëpër faqe. Trupi i dridhej. Kurrë s’ kishte ndjerë gëzim e dashuri kaq të ngrohtë. Pasi mblodhi pak veten, u ngrit nga tavolina dhe shkoi te sirtari, mori çelësat dhe hapi valixhen që kishin lënë mënjëanë. U shtang, kur pa pakon bosh. Tinas thirri të shoqen. Ajo, sa e pa, hapi gojën përgjysëm, nxori një “uaaa!” pa zë të fortë, që të mos dëgjonte i biri dhe i tha me zë të ulët:
- Mos e ke harruar në dhomë, ku rrije?
- Jo!- u përgjigj i sigurt ai. Përplasi lehtë duart dhe mendja i shkoi te ajo dhomë e errët, në , në atë vend të ftohtë, se mos e kishte harruar në ndonjë cep të saj, atë Babagjysh, që e kishte blerë me aq qejf për të birin, tashmë, ndoshta ai qendronte i vetëm në atë errësirë të akullt. Heshti, pastaj vazhdoi i sigurtë,- jo, e vendosa me këto duar në valixhe.
- Mos janë ngatërruar valixhet në avion?, - vazhdoi e shoqja gati me lotë në sy.
Ai mohoi me një levizje të lehtë kokës. Pasiguria qendronte pezull, e pazgjidhshme përpara tyre.Të brengosur u ulën prapë në tavolinë, po gëzimi i festës u pre në mes. Hareja u fashit, gjithçka përrreth tavolinës sikur ngriu. Nuk flisnin. Atëherë vogëlushi nuk duroi më. U ngrit dhe, pa folur, shkoi atje, ku kishte fshehur Babagjyshin. E mori, takoi butonin dhe, duke e mbajtur prej dore të dy po hynin në kuzhinë duke folur, po zëri i Aldritit ishte më i forte se ai i Babonatalies: “Erdhi Babagjyshi i Vitit të Ri! Ja, po hynë në shtëpinë tonë!”
Nga kjo e papritur prindërve u shpërtheu një gaz i paparë. Dritanit nuk iu durua më, u çua në këmbë, kapi të birin, e ngriti në krah duke thënë: “Ah kolopuçi babit, kolopuç! Në vend të të bënim ne surprizë, na bëre ti!”
Puthi të birin dhe festa u bë më e hareshme.

2013-10-09

“AMAZONA E MYZEQESE” GJUNJEZON LOTIN

Psherëtima të gjunjëzuara” të Brunilda S. Bocovës

Mendim rreth vëllimin poetik

“AMAZONA E MYZEQESE” GJUNJEZON LOTIN

Pas botimit të dymbëdhjetë librave poetja e njohur Brunilda S. Bo/ova meriton vëmendjen e kritikës letrare. Amazona e Myzeqesë gjunjëzon lotin me lirikën e saj të dhembjes e shqetësimit dhe shfaq në vjershërim një harmoni të thellësisë dhe muzikalitetit, me një ngarkesë sa shoqërore, aq filozofike e psikologjike. Me një epitet të goditur metaforik “Psherëtima të gjunjëzuara”, autorja pagëzon vëllimin e ri poetik si një brengë e një deti me stuhi dhe nëpërmjet fjalës së re, me figura gramatikore e sintaksore, me figura stilistike dhe artistike, vendos dhe ajo gurin e saj në murin e qëndrueshëm të Ndërtesës Letrare Shqipe. Me një shprehje të shkurtër e të qartë, duke i përdorur me kursim mjetet artistike, pena e mendjes së shpirti të Bocovës buron krijim.Vërej se ajo e zotëron lakonizmin e po sjell ndërmend thënien e Heraklitit : “]do gjë rrjedh”. Duke shfaqur botën e saj: “Nga sytë e shpirtit u /ua një qiell i ri”, poetja vijon: “U fërkua dielli në kurriz të malit/me shigjeta rrezesh ia /au trupin vesës./U shtrua horizontit, hapësirës së blertë,/hidhte mesazhet e para të ditës fytyrë-/jerrë” dielli. Me figuracion të ngjeshur, shfaq dëshirën dhe /iltwrsinë emocionale që Zoti i hapësirës jep mesazhet e jetës, por dhemb marrësi i mesazhit, dita, akoma dhe sot e plagosur. Tjetër poezi e shkurtër, e bukur: “U var mjegulla mbrëmjes, në fytyrë të qiellit,/Yjet u strukën në furrikun e natës,/endur si varfanjake, nisi të bridhte mjegulla,/Zbardhi hapësirën, deri në agim…,…, U shkri prej rrezeve”. Mendimi artistik lëviz, vepron figurazioni i shëndetëshëm. Libri ka dhe disa lirika të serta, por të këndëshme në befasinë e gjetjeve të guximshme dhe arritjen e një vargu, si të thuash autoritar në këtë pllajë letrare me gurë e borë. Mund të vecoj poezitë : “Manastiri i vesës”, “Heshtja”, “Loti i mallit”, “Mahive të catisë”, “Nata kërkon”, “Shtyp gjethe të pafajëshme me lotin e gurtë”, “Rrjedhës së marsit”, “Luante deti”, “Të mbetesh njeri”, “Gjelbërimet e ndukura” e “Forcë në dritë të lotit”. Shqetësimin e ndërgjegjshëm krijues, si mundësi të materies ekzistencialiste, poetja e ashpër e lirikës moderne ka ditur ta japë në vargje me gjuhën e vendlindjes, të trevës së begatë të Myzeqesë: “Jam dhe s’jam në fletë libri të zhubrosura,/si një “rrotë qerreje” e shkulur në gropa gurësh…” Vargje të një poezie filozofike si “Largësia është e fshehta e dashurisë” apo “Afërsia nxit më tepër xhelozitë” rrit formatimin autoritar të poetes në punën e saj ngulmuese të vjershërimit lirik serioz. Poezia ekzistencialiste : “Verbuar përtej vetmisë” në katër vargje : “Shkoj…, marr drejtim…, të nisem…, pa njeri,/shkas trotuarve…, verbuar…, viteve,/shtypur…, durimi…, gërryer…, eshtra kohë,/Ngrihem…, shoh larg…, përtej resë plakë”, autorja shpreh rrugëtimin e vendosur, për t’i dhënë kuptimin jetës, për të vijuar një qenie e arsyeshme, duke u ngritur me traumat, tragjiken jetësore dhe ekzistenciale. Shqetësimet e thella shpirtërore, shthurja shoqërore, deformimet e rënda morale dhe etike mbizotërojnë lëndën e materies letrare Bo/ova, substancën poetike të saj. Bruna shkruan dhe shumë poezi pesimiste, që mua s’më pëlqejnë, se të tkurrin idealin, vizionin dhe jetën, sepse Bo/ova mund të ujit me penën e saj gjelbërimin rinor dhe lulëzimin e energjisë njerëzore, por ky është fatkeqësisht realiteti zymtësisht tronditës. Edhe në këto poezi, që unë përsëri nuk i dëshiroj, Bruna përsëri ka art. Po ve/oj një : “Jam pa ju në frerët e vdekjes…,/Jam një lis i shtrembër…, dimri…,/Këpus genet në gjerdan të gjethes/Larg, pa ju jam dhe përtej jetës… . Ja kaq është poezia !: “Unë dëshmimtare e errësirës tretur si meteori jetim”! Lirika e saj është e ngarkuar me dhembje dhe nuk mund të jetë tjetër Bruna, nuk mund të jetë poete po nuk shkroi për të vetmen motër që i bëri Sifi me Vanthon, për atë gonxhe të freskët që ia mori deti i zi i ’97-ës, për atë Albanë me “buzëqeshjen e syve-strehëz të dytë në thellësitë e blujta, për atë Mars të mbytur në lotë nënash. Thelbësore është se Poetja del mbi dhembjen, me varg gjelbërimi : - edhe pse “duarve dridhej loti …, i dashurisë e përpëlitej në hi, linte shënjë-kohe në hartën e viteve” - edhe pse bëhet “shkëmb në rrënjë të lotëve" , - edhe pse “flakëve të regjura kapërcen hirin gri e qëllonte rrethit të shuar një re nostalgie”, - edhe pse e dogji malli puthjeve të nxira e pezmatohet keq, - edhe pse korniza e vajtimit kërkon t’i mërgojë nurin e gjetheve nëpër ferra, saqë poetja bie në gjendje fataliteti, si tek vjersha “Nisem për të mos u kthyer”, me të cilën nuk pajtohem, sepse KA MESAZHET E AGIMIT PËR T’U NISUR KOZMOSIT POETIK, sepse vargjet e saj kërkojnë dritë : - edhe pse atje “hënës e yjeve mpreh vetminë të zerë vend” -edhe pse bien krisma lotësh ngatërruar në tingujt e shiut, -edhe pse për intrigantët e pabesë e të shpërfytyruar “forca e urrejtjes më ndizet si eshka gurit”, -edhe pse “e vetme u nisa pellgjeve të kohës të mbaja fjalën e burrit” thotë në emër të zërit të protestës ndaj hipokrizisë, kjo vajzë e pastër për poezinë e guximshme qytetare, “Dua, dua të jetoj jetën” pa ëndrrat fallco të botës së neveritshme të njerëzve të pamëshirëshëm; që të tjerët të rrojnë të qetë në këtë botë -sepse “Në varkën e reve lundrojnë fjongot e arta të poezisë” - sepse muza e poetit është Qielli në Tokë, - sepse , në fund të fundit, si/ shkruan autorja: “Jam një plis dheu i dhembshurisë së tokës sime” dhe me këto vjersha : “Mbolla një fidan malli nga loti i vajzës/të /elet porta e gjelbër” . Në vjershërimin e Brunilda Bo/ovës lexuesi shijon poezi të prekshme, të ndjeshme, si/ e shpreha dhe në fillim të këtyre mendimeve, të mbushura me figura stilistike si ajo pema e qershisë me kokrra të pjekura, të ëmbla. Vjershërimi i saj arrin pa sforco, vetvetishëm në nivelin e poezisë artistike. Është ndërkohë poezi estetike gurgullima krijuese e Bo/ovës: “Urrej gënjeshtrën që zvarritet si gjarprinjtë…,”, “Në shpatull të erës bota kafshuar e nxirë nga pafundësi gojësh të shqyera”, “Fjala e zënë robinë prej turpit…,” Një shpërthim i /uditshëm figurash që lindin natyrshëm e zbulojnë të vërtetat komplekse të ndjenjave e mendimeve njerëzore, duke ruajtur një harmoni forme. Ajo në shpirtin e saj, si duket, ka si një shportë me yje, një tjetër shportë me metafora, epitete, krahasime, kontraste, hiperbola, alegori, personifikime, antiteza, litota, konversione e plotë të tjera, e i nxjerr nga shpirti kur i duhet e ua hedh në rrënjë poezive të rriten të shëndetshme. Në disa krijime të saj mendimet e gjalla dhe ndjenjat e fuqishme njësohen me konceptin univeral figurativ të lëndës që zotëron dhe në romancë me këtë, buisin e lulëzojnë nëpër vjersha figura stilistike, që e bëjnë gjuhën e përdorur një gjuhë të figurshme e me ngjyrë. Poezi të tëra si:”Fryn një mall prindi në mal të heshtur,/merr krahë të kapet galaktikës,/sfilit yjet në fllad të zemrës,/fryn ai mall e përplaset asfaltit të lotit” apo “Fërkohej drita në qiellin shterp…,/rënduar nga mjegulla, mbuluar nga retë,/hutuar ecte mes diellit rreze e humbur,/në alfabetin e yjeve firmoste perëndimin”, apo tjetra “Detit ia preva dallgën, tek vinte bregut,/me penë ia shemba ngjyrën nën gurë,/Letrën e shtriva për së gjati në hapsirë,/të merrtë në bardhësi “mëkatet e shenjtorit” e krijojnë fizionominë e vjershërimit të Bo/ovës, formën dhe brendinë. S’ka nevojë, jo më dëshirë që të stolisë vargjet, sepse shporta e yjeve dhe luleve letrare që ka në shpirt i shërben kur dhe ku duhet : “Tretem si qiriri në gojë të erës”, “Tastjera hesht si kryqi në altar”, “Dallgëve qerpikun ktheu vala e mallit”, “Carë si metaforë e vjetër”, “Mbyll re të gjymtuara në gojë të detit”, “Këpus fjongo vajtimi”. Poetja moderne, sipas stilit të saj, është mbështetur fuqishëm në krijimtarinë popullore. Nga folklori i pasur myzeqar ajo di të pijë ujë të pastër që t’i bëhet shëndet krijimit letrar origjinal që prodhon. Po ta ndjekësh me vëmendje poezinë e saj të re, e dallon këtë element pozitiv dhe tek vargjet:”Në shiltenë e vjetër gjunjët mbështeti frymëzimi”, “]ante dhembja e poetit…, si fjollë endej oxhakut, të zinte vend shtruar”. Pa deklarata, pa tullumbacka fjalësh e koketa me rimë, në vjershat e Brunës buis e lulëzon vrullshëm figuracioni në përgjithësi në masën e duhur, e pa tepruar, pa u bërë e bezdisshme për lexuesin : “Shkon si re e krihet mali, gurëve të bërë qyqe…,” “Shkruan ajo në hark të pikëllimit…” apo më tej : “Dal të humbas mërinë, tezgjahut punoj mallin…,” dhe ne ndjejmë temperamentin dhe shpirtin myzeqar, forcën që ka burimi i pashtershëm i gurës popullore. Po ta shtrydhësh poezinë e Bo/ovës nxjerr vërtet mushtin e lirikës së dhembjes, por vegimet romantike, si tis i bardhë, si një napë mirësie e mbështjell me ngrohtësi krijimtarinë e saj, sa të bukur aq edhe tronditëse. “Qan syri i mallit në vetull të gjethes…,/paloste kapakët e rrudhur në copa shkëmbinjsh,/Binte heshtur, vështrimi i mbërthyer…,/shkëputej lartësia, t’i fshinte lotin e moshuar malit…,”. Duke qenë sa myzeqare e shqiptare aq universale, poezia e Brunilda S. Bo/ovës i qëndron denjësisht kohës, dhe jo rrall herë, i kalon kufijtë e gjetur e /el horizonte të reja. Duke përfunduar këto mendime dëshirore për librin “Psherëtima të gjunjëzuara” i uroj autores shëndet të plotë, suksese në punë dhe në krijimtarinë e saj të mos ketë më dhembje, lot e re, por Brunilda Bocova të bëhet një Kurorë në Supe të Diellit

Albert R. HABAZAJ (ABAZI) 

Poezia, si dhimbje, si vetmi, si zhgënjim, si mall në krijimtarinë e poetes Brunilda S. BOÇOVA .

(Mendim rreth librit te 13-te "Psherëtima të Gjunjëzuara" )

Eleni LIÇAJ, poete

Poetesha Brunilda Boçova është një zë i vaçantë i poezisë shqipe bashkëkohore të të rinjëve, jo vetëm në poezinë fierake, por edhe më gjerë.Bruna gjuan me metafora, gjuan dhimbjen, brengën, mallin, fatin e lënduar të kësaj poeteje me shpirt të brishtë, por me karakter të fortë dhe rrebel: “U bëra shkëmb në rrënjë të lotëve”, shprehet shpirti i lënduar poetik.Thelbi lirik i poezive të saj ndryshon sa te njëra poezi në tjetrën, por natyra lirike mbetet po ajo. Ideja e meditimit ndodhet në mendjen e autores, aty e ka burimin e vështrimit, duke dominuar një gjendje të caktuar të shpirtit poetik. Poezia e Brunës është impresioniste. Figura të vërteta artistike, të krijuara krejt spontanisht dhe që janë unikale në llojin e tyre, janë krijime tërësisht origjinale, të krijuara si feksje të befta, të vetvetishme të imagjinatës krijuese të poetes. Ajo poezitë e saj diku i quan “Tufane poezish”. Shkallëve ngjis e zbres tufane poezish…, Diku presje te humbura, diku një metaforë ,Brym vese mbi vargje, shket një penë, Si qiell i rënë përtokë, muza e një poeti. Poezia e Brunës dhimbjen, gëzimin dhe dobësinë njerëzore e shpreh si ndjenja universale të shkrira në filozofinë jetësore, "Dogja mall vitesh"_thotë metaforikisht lirizmi poetik. E dogja mallin që rrihte dallga ditëve të ikura. Ёshtë malli, kjo dhunti (përjashtimore) e njeriut, qysh prej kohëve më të lashta që është i pranishëm në tërë krijimin poetik të Brunës. Bruna vuan mungesën dhe mungesa vetvetiu lind mallin. Malli është fenomen i zakonshëm në botën tonë, por për shpirtin e poeteshës është diçka më tepër, diçka e veçantë, një buzëqeshje peng në thellësitë e blunjta. Ёshtë buzëqeshje e syve të “Albanës” që iku me të Ikurat vite Marsi, por gjithsesi më e gjallë mbeti freskia! Mahnitëse dhe befasuese është thellësia dhe sinqeriteti i ndjenjës me të cilat janë mbrujtur vargjet, duke krijuar kështu botën e saj artistike. Bruna shkruan me një stil të bukur, tërheqës, prekës, goditës “Të vranë në virgjëri, lule pa u rritur, të këputën dhe të lanë..., harrim”. Poezia e Brunës sjell një ndjeshmëri të re në letërsi. Ajo ka një komunikim jo të zakonëshëm me kohën: “kam dhembje, me dhembje numëroj ditët, “Luante deti, përplaste vaje dallgësh!Poezia është e prirur nga një himn i abstraktes . Poezia e Brunës ka vlerë se abstragon mbi konkreten dhe e vesh atë me jetësoren dhe me ndijimet për jetën. Vihet re që poezia nuk ka elementë të fabulës. S’ka asgjë të keqe që fabulën poetike ajo e shëndrron në imazhe të ndezura në përfitimin e idesë poetike. Në përgjithësi poezitë e saj janë art mendimi, pa elementë të rrëfimit. Poezia e Brunës është poezi e sfidave të mëdha. Autorja përzgjedh nota moderne për krijimin poetik individual. Origjinaliteti i saj krijues shpreh shpirtmadhësinë e njeriut humanist. Autorja përdor një shprehje të veçantë poetike. Poezia e saj është ndjenja e derdhur në vargje: “Ёndrrat e mia i thura ditarit të një tjetër jete”. Emocionaliteti, që përcillet është ai i egërsisë dhe frikës, vetmisë dhe mallit: “Ia ndjeva dhimbjen valës tek përplasej shkëmbit”. Mua më mundon pyetja: “Përse të ishin psherëtima të gjunjëzuara?” Këto psherëtima të gjunjëzuara, që e lëndojnë shpirtin poetik do të doja të shndërroheshin në psherëtima të ëmbla dashurie, sepse, ashtu siç jeta na mësoi më parë dhembjen, ashtu na mëson dhe gëzimin, dashurinë dhe motivin për të jetuar, mjafton t’i kushtosh vëmendje dhe të kesh një vizion drejt së nesërmes, pasi Brunës nuk i mungon as forca, as vullneti. Elementët që të çojnë në këto perceptime, pra të psherëtimave të gjunjëzuara janë detajet artistike të përdorura nga autorja. Portreti yt i paformëç mbetur si enigma mes thellësive të detit blu. Këtë derdhje të drejtpërdrejtë të vetes së brendshme, të pikëlluar, që vetpërmbahet nga një tendosje e madhe shpirtërore e fizike do ta hasim edhe në vargjet: Kornizë vajtimi-Qaj për detin-Për atë det qaj ditët e ikura- Unë hija që qante dallgët. Ёshtë zëri lirik, që bën dialog të brendshëm brenda konteksteve të reja ekzistenciale: Qan ai sy…, përtej dhembjes, harresë prindi, por unë marr forcë në dritë të lotit e vazhdoj të eci. Dhe uni lirik i shqetësuar shprehet: Unë mbi gërma gërshetoj vetminë e jetës.Poezia e Brunës pasuron poezinë fierake, por edhe atë kombëtare.

Tik-takeve të një nate


Refleksion mbi penën poetike të Brunilda S. BOÇOVA



U lind në qytetin e Fierit më 10.03.1977 .Ka kryer shkollën 8-vjeçare në shkollën “Mark Dashi” të qytetit . Të mesmen e përfundoi në gjimnazin “Perikli Ikonomi” po në Fier. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Infermierisë në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë. Aktualisht punon pranë Drejtorisë Rajonale të Shëndtësisë- Qarku—Fier, në Kabinetin e Edukimit Shëndetësor. Ka marrë ÇERTIFIKATË nga Bashkia-Fier,e dalluar si talente e re për vitin 2004 dhe që prej këtij viti është Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë !

Fleta dhe pena për Brunën janë të shkrira shpirtit të poetes në një gjë të vetme : -shpirt+poezi, si një gjethe që se s’zverdh çdo stinë.

Veprat e autores

“Si ta shkruaj psherëtimën”, poezi 1998, “Ujëvara e ëndrrës”, poezi e prozë 2003, “Disqet nisin të flasin”, poema 2003, “Fajet e reve”, tercina 2004, “Penët krehin dallgët”poezi, (bashkëautore me poetin A.Abazin) 2005, “Simbioza yjeve”poezi, 2005, “Perëndim i ciflosur”poezi, 2006, “Fjalëz e vesuar,”shprehje e aforizma, 2006, “Në gjunjë të mallit…,”poezi 2007, “Shtatëdhjetë e shtatë tufane marsi”, poezi, 2007, “Marsi i zbutur nga vetëtimat”, poezi 2008, “Metaforë mbi valë” tercina 2009, “Psherëtima të gjunjëzuar”poezi, 2009.Etj.




Krijimet më poshtë janë shkëputur nga libri "Marsi i zbutur nga vetëtimat"


Mes dy shpirtrave


Përtypur në ujëra të mëngjesta…,zgjohem kaltërsive,
…,dhe vesa që më bie qerpikëve, këputet copëzave të lotit,
Prehërit shtrin ijet e ndjen lodhjen e brishtë të mëngjesit.
Ikur në lundrime të klithëta valësh, krruset kristali i fundit,
Mbytet si hënë e vakët mes reve gri syri i tharë i mallit,
E mbetet mes dy shpirtrave të gurtë një kristal që të verbon si dritë qiriri.



Buzëqeshja e thinjur


E ndjeva të më ikte buzëqeshja, si shi i rrëmbyer,
Në pritjen e hidhët u nda mallgrisuri në malle,
Ia ndjeva rrahjen e krahëve prag-degëve të selvisë…,
Gjetheve të saj regjeshin rrezet e një agimi të lodhur.
Iku…,me mëritë e harruara në sundukun e vjetër,
Në pritje, thinja e parë theu heshtjen e lodhur në zarf .



Tik-takeve të një nate


Tani dherazi një pëlhurë e lehtë kafshohet me retë motake,
Duke u nisur për larg, tretet fjala dimërake, si rrezja nën vesë,
Këputet një heshtje e përplaset buzëve që dridhen prej lotëve.
Kam ikur…,jam ndarë…,dhe heshtja hap pas hapi ndjek hapa,
Marroset në vështrimet e qiell-kaltrit, syri që lidh mendime…,
Të lërë nën letrën e bardhë firmë shpirtrash të ndarë, që dikur...,
…,dikur preknin tik-taket e vona të natës, mbuluar nga yjësia.



Rrudhave të poezisë


Marrosur deri në dhembje, shket si lot marsi ora e pritjes,
Rrëzë ftoit dimërak shfletos fletë libri një dorë-thinjur poeti,
Me kohën nis e troket, koha e një tjetër jete, në dritëz-jetën jetë.
Kafshon hijet e mpita, vetmia e shkruar mbi kurriz të viteve,
Dhe rrudhave që koha i ka urtësuar, fle dita e pafundme e poezisë.



Nuk të pashë në ikje


Nuk të pashë në ikje…,ti ike i pari si klithmë dallgësh,
Dhe mbylle fund-harkut të qënit i pasur me gënjeshtër.
Nuk të pashë në ikje…,frika të kishte mbërthyer me kohën,
Fleta e bardhë në dorën tënde, s’kishte më hije-mallesh,
Përtej të qënit veht-vetja, dhe ata që njihje nise ti gënjeje,
Nise të bëje lojën e të kërkuarit…,si atëherë, dikur…,
Nuk të pashë në ikje…,ti ike si gënjeshtra e verbuar nga hijet.



Natë mes gjëmimave


Natën e preka heshtur në pragun e dritares lotmbuluar,
S’kishte yje murrëmësia e qiellit të vonë,
Hëna e mbetur gjysëm zhveshur, meditonte thellë.
Nata dukej se kishte ardhur dehur këtë mbrëmje,
Kafshuar në eshtër…,nxirë prej gjëmimave.
Ja mbulova pa fjalë lotët që i binin me ngashërima !



Diku…,kujtime të harruara


Diku, harruar si udhëtim i largët që kthehet memories,
Diku, pret për vite me radhë një sy i tharë,
Tharë nga loti e mbërthyer prej natës që lidhet pas yjesh,
Tik-taku i lodhur nën qelq, thyen heshtjen e vrarë që vret,
Ndahet në thërrime loti i ngrirë nën strehëz qerpikësh,
Të nis e hedh radhë kujtime që s’do të ishin kthyer kurrë !



S’ma hidhëron vargun


Ky i ftohtë i hidhët dhjetori, s’ma hidhëron vargun e brishtë,
E mëngjesi pendë-varur nga ngricat e para qesh në sytë e mi.
Mbetet metaforë e trembur dimri, një dritëz e largët malli,
Kafshohet në vështrime poetësh një klithmë që digjet shpirtit !
Ky i ftohtë i hidhët dhjetori, ngatërrohet
si lotët e marsit në lulet e kumbullës,
Merr si i trembur zvarranikë akullnajash që pikë-pikë grryejnë gurit,
Mëritë e ditës këputen në hijet e rrenëta të një dielli dimërak !



Kështjellat e rreme të mallit !


Më shtrydhet në qeskë të lotit, ai lot që dhimbet për tek ty,
Këputur fle heshtja që gjumë s’ka vënë, friguar që me kohën.
Ti merr përdore ah-et që shpirtit rrahin si këmbana shekullore,
…,dhe hija e mendimit të shkëputet, si vetëtima që kriset qiellit,
…,çahet në akullnajat e mallit dhembja që si dëgjohet britma.
Aty nisin e përfundojnë të parat e të fundit kështjella të rreme, bregut.
Më shtrydhet e shtrembet ai vështrim, lodhur si rrezja e parë e marsit !



Pritje e vrazhdë

Më le prerë, me atë vrazhdësi që shtroi pritja, tastjerës memece,
Ikja mbërthente zaje të rrudhura në bregun e thellë të memories.
Dita u ngrit me tjetër fytyrë mbi valët që krihnin fjalë-dallgësh,
Trembur si flakë qiriri, që dridhet murit të lashtë pikon brishtësia,
E kapërcen orë që thinjen buzë vatre, ku kreh flokët një fjollë tymi .




Libri "MARSI I ZBUTUR NGA VETETIMAT" (poezi ne vazhdim)



Pritje e vrazhdë

Më le prerë, me atë vrazhdësi që shtroi pritja, tastjerës memece,
Ikja mbërthente zaje të rrudhura në bregun e thellë të memories.
Dita u ngrit me tjetër fytyrë mbi valët që krihnin fjalë-dallgësh,
Trembur si flakë qiriri, që dridhet murit të lashtë pikon brishtësia,
E kapërcen orë që thinjen buzë vatre, ku kreh flokët një fjollë tymi .



Çast mbi letër

Gishti i prerë pikonte pikë, mbi letrën e bardhë,
Dhe hijen e një të marre linte pas-ndarjes, ikur…,
Njollë e patretshme në përkulje të viteve,
Digjet, si fletë e tharë nën gurë nga klithmëra resh,
…,pikë-pikë, vazhdonte e s’pushonte
gishti vargje.



Zëra hijenash fund-dhjetori


Nata tretet me yjet në kupolën e grijtë…,dhe një copëz hëne i vezullon brinjëve,
Vrenjëtësinë dita m’a shtroi çarçafit të bardhë, ku mbi të zëra hijenash flenë…,
Mbërthyer fund-dhjetori, si vetë dhjetor-shtrydhuri në drithërima e rrebesh.
Vetëm mbete në kafaz të vetmisë, na le, nuk të lamë,vetëm mbete, përse kaq larg !
Koha do të përtypet për të mijëtat e sekondit në vështrimin tënd,
…,dhe ti përsëri s’do të më njohësh,
s’do të na njohësh të gjithëve .




Ndarja me emër

Më vrave pa folur, si fjala që këputet në shikim-ndarje,
Më vrave si dritëz dielli në pikë-mëngjesin e lodhur.
Hije ikur, u tret një puthje e njomë në sytë e heshtur,
Ti more zvarrë në shpirt, një mal me përqafime,
S’ishin të fundit, por të parat gonxhe malli.
Me lotë i mbulova në të ikurën e dhimbshme,
Ikja e kishte emrin ; 14-Shkurti i një viti plot lot!



Sofra e yjeve

I mbështolla yjet, i ula rreth sofre…,
Sofra për ta u bë si hënë e plotë,
Nga një copëz poezie u shtrova përpara,
Ngrita shikimin në hapësirën blu…,
Në befasi yjet, poezinë m’a ngjitën lart !



Vetmia që thyen gurët hënës


Vetmia ecën fshehtas dhe gurë thyen hënës,
Shtrembëron forca e mallit fjalët e lamtumirës,
…, bien si ortekët e plagosin shpirtra.
Diku, drithërimat e zërit s’i fshehin
orët e ndarjes,
Vetmia ecën e kthehet përgjatë trotuarit të vjetër.



Laga zemrën…,

Laga zemrën, tek përpëlitej jeta brigjesh,
Laga zemrën, tek çahej malli ndarjeve,
Laga zemrën, tek endej kujtimi, si fija tezgjahut,
Laga zemrën…, të ngrihej e qetë
mbi dhembjen njerëzore .




Vetmia kokëshkretë !

Ka kohë që vetmia troket pas porte…,
Prek pa folur e blen heshtjen që fle brenda,
Ngre kryet si kallamat që kërcasin nëpër flakë,
Dalëngadalë, nis t’i nxihen thinjat vetmisë.
Portës rri e s’shkulet…,kalon në trishtim.



J’a ftoha shpatullën malit !


J’a ftoha shpatullën malit…,…,
Me sy ia tremba gurët, nisi të pikonte lartësia,
Me harresë ia shkula shkurret e drizat,
Zbulova mes shkëmbinjëve zemrën e plasaritur,
Balsamosur nga pritjet e një lamtumire.



U var shpirti, në litarë gjethesh


U ça shpirti, fjala e plagosi hekurave,
Griste ditët me forcën e pafajësisë,
Numëronte hapat ku zbriste e përplasej loti gurit,
Zbardhonte sheshi, prej kripësisë…,
Ball-ngjeshur nga rrjedhat e lumit.
Aty u var shpirti, nëpër litarë gjethesh,
Të pinte frymën e fjalëve të murosura.


POEZI NGA LIBRI "MARSI I ZBUTUR NGA VETETIMAT"


Gardhova ndjenjat


Gardhova ndjenjat me tel të sertë…,
Fija e rrezes mos t’ia prekte trupin,
Gardhova ndjenjat, aty në një “kotec”,
As puthja e fundit mos t’u shpëtonte kallamave.
Ngrita kurth për dashurinë pa kushte !



Fati im !


Me thonj ia nxora sytë fatit tim,
Dhembje, s’ndjeva unë, por ulëriti shpirti.
Me thonj ia grisa fytyrën e fajit fatit tim,
Vajtoi si fëmija në djep, e ta lëkundja nisa.
Me thonj e mbyta shpirtin e fatit tim
Kur s’diti të ndalte vajin e pa shkak…,




Kafshova freskinë


Kafshova freskinë që më vinte anës pa folur,
Memeces sy gri ia treta natën plot shi.
Alfabetit të gjymtuar ,faqe malit ia gdhenda gërmat.
Herë me inat forcën tregonte era ,
Herë e zhgënjyer niste rrugë për fjalët e humbura.


Durimi i penës


Kam ditë frikësuar nga e paqëna,
Mureve shkunden krisma heshtjeje,
Diku kryqëzon mendja fjalët që
të brejnë ndërgjegjes,
Shkatërroj me heshtjen, durimin e një pene
Tremb rrjetën e lotit, të eci pa vajtime.
Frikës t’ia shuaj të
dridhërueshmen miqësi .


Nata po vjen…, (16-rroksh)


Nata po vjen, fjalë-pakët ulet parvazit me lule,
Nata po vjen, yje-mangët hapësirës shkon habitur,
Nata po vjen, dritë-zbehtë prej hënës qepur nga retë,
Nata po vjen, ndjenjë-thyer nga copëra puthjesh të ngrira,
Nata po vjen, ditë-shkurtër në fjalëkëmbimet mike,
Nata po vjen, shpejt si meteor që bie nga qielli !


U ula me qiellin !

E qetësova qiellin, kur mbrëmja qetësoi vehten
Me të u ula në qoshe të tavolinës time,
Ngjyra krihej në pasqyrën e syve të mi,
Yjet zunë vend nëpër gërmat e harruara,
…,diku dhe të fshira nga mos-kujdesja.
E qetësova qiellin në shpirtin e një poeti,
Unë, më e vuajtura, vuaja me kohë vuajtjen e lindur…,
Nisa të qetësoja botë rreth e qark meje,
Të merrja frymë prej tyre të shuaja ah-et e mia !



…, …, …,

Shumë larg…, larg prej qiellit kërkova copëza shprese,
Frymë-pakët u shtri dhembja në sustën e vjetër,
Harkonte trupin e syve, e fjalët gjysmonte me qepalla,
Largonte lëkundshëm orët mbi veten,
Dita-ditës tretej si fitili në vaj !



Kockat e erës

Era përcëllonte trupin në rrezet e dimrit,
Nga shtrëngatat, shiu i hollonte belin,
Maleve prej vetëtimave ndahej copë-copë,
Kthehej pas stuhisë në folenë e diellit,
Të mblidhte kockat e shpërndara gurëve .




Pas xhamit të luleve


Ka ditë që rri, heshtur pas xhamit të luleve,
Freskia aromatike e tyre më përkundet
para syve.
Diku vesa…, troket në mendimet e plasaritura,
Bën vend, i ushqen,
të nxjerr sythe jete aty .



…, …, …,


Mbi pianon e vjetër tërhoqa gishtat e fjetur,
Zgjova kohën e zhgënjyer nga pabesia njeri,
Shkunda lotin e djegur nga vitet e brishta.
Melodisë ju drodh qerpiku i zemrës,
Nisi të harkohej…, t’a ndjente ritmin…,
Me rrahjet e saj ngatërrohej melodia !



Palosa vargjet !

Ia palosa vargjet poezisë në sirtarin e vjetër,
Trupin ua deformova tek i ngjesha me penë,
I mbylla kujtesës me dryn të ndryshkur…,
Çelësin e hodha larg…, me të dhe penën,
Mbeta e shkretë me frymëzim të vrarë,
Fund-shekulli shkoi i ngarkuar me faje…,




Largohem me kohën


Largohem me kohën si një pulëbardhë e shkretë,
Rrah për së fundi herë, krahët mbi kaltërsi,
Dallgëve t’ua prish trupin e fildishtë,
Largohem me kohën udhëve adresë-humbur të jetës!


Poezi ne vazhdim te librit "MARSI I ZBUTUR NGA VETETIMAT"



Harrimi—emër tre rrokësh ,
HA- një fjalë që shemb rini në shpirt,
Grryen si kripësia bregun e gurtë.
RRI- lëndon fletën e bardhë egoizmi,
Merr drejtim të shtrembër në memorie.
MI- bren kujtesën nga pak çdo ditë, deri…
Deri aty ku koha starton finish në harrim .



Rini e përjetshme-poezia


Vargjeve ia plaka dorë-mendjen, fletës,
Rrudhave si fytyra e një mali, s’iu tremb poezia,
Qerpikut të zgjuar, dridhte pena gërmat,
Shpërtheu pafajësia të mbillte rininë .


Qëllova mëngjesin…,

Qëllova mëngjesin, me penë ia theva dritën,
Qerpikun e heshtur se drodhi flladi i fjalëve,
U çua në këmbë roja plak…,…,
Qëllova mëngjesin…, s’foli më pena,
Kokë-ulur mbeti, e kapur nga vesa.


Era përtypte cepa yjesh !


Këputa një yll, pikoi galaktika…,
Lëshonte rreze mendimi mbi gjethet e sfilitura,
Era përtypte me flladet cepat e yjeve,
Shtrinte shkëmbinjëve degë të brishta.
Rrënjët ua krihte me orët e agimit .


E pash qiellin në të gdhirë !

E pashë qiellin të gdhihej, pa yje në agim,
As hëna s’dukej, e trembur kish’ikur, s’di ku !?
E pashë qiellin të vetmuar këtë mëngjes,
Me petk të hollë mjergulle,hedhur mbi supe
Mbuluar me të, sikur flinte kaltërsia…,
Mbetur jetime nga yjet dhe hëna .
E pash qiellin tek çarkonte vesën,
e sitte ngadalë mjegullën e dëndur .



Këmbeva dhembjen, me një puthje dashurie,
Harrova mesoren ndjenjë, që rritej pa folur,
Këmbeva fjalën, me një sy të përlotur,
Humbi kristali që shkriu heshtjen.
Këmbeva shikimin, me një vallëzim loti
Humbi dremitjes, gjerdan iu bë kohës .


Kafshohej freskia

Kafshohej freskia në shtrat të natës,
Merrte mesazhe e këpuste gjemba flladesh.
Lëkundte gjethen e vetmuar në degë të yjeve,
Lulet i ngjiste lart mbi trupat e tyre .


Gurëve trokisja, thellësive


Brigjeve mbeta jetim, si gjurmët që s’i fshin dallga,
Diku, lartësive kryqëzoja rrugët e detit,
Humbisja, thellësive…, gurëve trokisja me penë,
Bregut dilja e lodhur nga puthjet e valëve .



Mall i grisur


Kam kohë në pritje e pritja m’u kthye në zall lumi,
Kohën ndrys me orët e humbura…, …,
Malli shtrin trupin e vrarë nga heshtja,
Harrohet në buzëqeshjet e çara të natës,
Ecën grisur, nëpër retë e copëtuara të qiellit,
Troket në çdo derë bardhësia mall, të matet me yjet .


SHKOVA YJET NE TELA (marre nga libri "Marsi i Zbutur nga Vetetimat")


Diku …, jam …,


Jam…, një degë lisi që lëkundet erës,
Diku…, një puthje e mbytur në lakun- ndjenjë.
Për vehten e për ju mbyll fletët e zhubrosura të një ditari,
Të mos tretem hapësirës si borë e shkrirë.





Dorë mbi natë


Ia tremba gjumin natës në shtratin plakë,
Yjet, të frikësuar u zhytën galaktikës,
Hëna rënkonte në sup të qiellit…,
Përtypte nga vetmia natën e papluguar, e
lagte me vesën e mbrëmjes trupin eshkë.




E theva qetësinë…,


E theva qetësinë rrënjë malit të gurtë,
Shkurreve tek ngeci, ia këputa trupin në blertësi,
Ferrave pashë të strukej humbëtira njeri,
Thonj-thonj prerë në “dinjitetin, murg”,
Ndante qetësia e mbetur, gërmat e mbijetesës!





Shkova yjet në tela


Mbi lule e hodha qiellin blu…,…,
Petaleve të gjelbra u shtoja nga pak sinqeritet,
Yjet i lidha gjerdan pas gushe,
Nëpër tela mendimi i shkova radhë.
Vezullimit të tyre s’iu tremb agimi i ri,
Pashë diellin të ngrihej prej ballkonit tim.




Përmbysa shikimin !


Përmbysa shikimin, me val-detin kreha shpirt,
Mbi kaltërsi endte sytë dallga që kridhte rreze,
Thellësive luante mes grumbujve të peshqëve,
U shkonte pas…, dhe etja çante buzët e gurit.
Përmbysa shikimin…, i rrethuar mbeti
mes gardhit të detit .



Aromë lulesh


E këputa vështrimin e lules që i vinte aroma nga larg,
Dhe puthjen e ngelur mbi buzë e gdhenda monument.
Kisha ikur pa ditë-kthimi, kisha ikur atë mëngjes përgjatë bregut,
Të rrëmbeja valën e puthjes që lanë petalet e lotit.


Çast pranë detit

Udha ishte e gjatë…, vetmia përpirë,
E mbuluar me hije pishash…,
Një klithmë rënë nga degët,
Këputi mendimin e vetëm.
Trembur nga gjethet e vdekura,
U mblodh lëmsh rrezja,
Si vala që tremb shkëmbin,
U shtremb drita e mendimit.



Mllefet e Miqesise qe treten mes Tercinave (vazhdim)
(marre nga libri "Metafore mbi vale")

*** *** ***
Qau foshnja, djepit e përkundi nëna,
Me fjalë e ledhatime ia mbuloi lotin.
Qau i rrituri, shtratit të nënës s’kish’kush e pushonte.

*** *** ***
M’u zhduk qeshja, vetëtimë në hapësirë,
Solli me rrebesh, stuhi e mbolli furtunë.
Ndjeva t’më dridhej mendimi, nga kujtesa e hidhur!

*** *** ***
Pragut ku u preh trupi i përjetësisë,
E rrethova me ëndje, mbolla lotët e mi.
Dheut enda lule, kurorë te balli yt.

*** *** ***
Buzëve më ngeli, puthja e lamtumirës,
Ftohtësia e fytyrës shenjë viteve, do t’më mbesë.
Malli do më bluaj kohërave, për dashurinë që më dhe.


*** *** ***
Mora qeshjen përdore në rrugët e hijëta të jetës,
Qetësova shikimin praën dritës së qeshur të syve,
Më gënjeu shpejt, kur m’a mbuloi loti.

*** *** ***
Eci e vetmuar në barin e njomë të mendimit,
Krahët më shkoliten breg-puthjes që la kujtimi.
Aty më e vetmuar, kur ndiej dallgët e një deti.

*** *** ***
Rritet fjala agimeve, ku dielli ndërron stinë,
Labirintheve të lotit kristalizohen hapa,
Meteorë që s’shuhen, rrugëve të jetës.

*** *** ***
Shpirtit ndjeva zbrastësinë që shkaktoi humbja,
Lundronte mes etjes, pas merrte e derdhte etje.
Mbeti memories, e ëmbla “nënë”, ikja.


*** *** ***
Zvarrë-zvarrë këmbët, kalldrëmeve të mendjes,
Lodhin vitet, mes hapave sy mekur.
Dalin prej vetes të ndiejnë pak respekt.

*** *** ***
Shkëmbinjëve ndau dallga rrezen e diellit.
Luante mes kristaleve, kryelartë mbi valë,
Mbrëmjes i hutuar, shkonte perëndimit.

*** *** ***
Ra loti i fundit, dheut zuri vend,
Mbuloi pak nga pak të qënit në këtë botë.
Ra loti i fundit, rënkim mbi tokë.

*** *** ***
Shemba vetminë, ku vyshkej pa kuptuar jeta,
Aty ngrita dorë të doja, t’më donit pak.
Unë do t’ju falja gjysmën e shpirtit poet.



Metafore mbi vale (300-tercina) Brunilda BOCOVA

*** *** ***
E preka librin, duar s’kisha e marra…,
Thellë me mendje grreva frazat,
Nga trokitjet humbën gërmat !

*** *** ***
Trembem nga ju, se tremben dhe mallet,
Ushëton, një shpirt buçet lartësive.
Malet ngrenë krye mbi njeriun që përulet.

*** *** ***
Fshika forcërisht sytë që vranë njerinë,
Malit qëndisa vështrimin e përjetësisë.
Të kthehesha…,një ditë…,njëherë,aty,për të kujtuar!

*** *** ***
S’i ndrydhemi kohës, kur ditët n’a zhvasin jetë,
Dilemma;Kohë-Jetë, kafshon si e babëzitur trupit tonë.
Ne dhe për pak mbijetojmë, të n’a ngroh rrezja e marsit.


*** *** ***
Dikur, syve dashuria më ziente me lotët,
Dikur, nga dashuria zemra s’ishte e imja.
Dikur, e dija, e njihja, ç’ishte dashuria !

*** *** ***
Fshiva përkëdheljet që endte dora jote,
Treta shikimet që jepte puthja e dashurisë,
Humbën pritjet që lagnin lotët e saj.

*** *** ***
Qeshi puthja, ndriti si vesa mbi barin e gjelbër,
Çau shkëmbin shikimi i tejskajëshëm.
Detit ngjyrën i dha përjetësia e sinqeritetit.

*** *** ***
Mbrëmja deformonte fytyrën në pasqyrën qiell,
Humbiste dashurisë, yjeve fshihte pritjen-kohë,
Lagte heshtjen, nxirë nga puset e pritjes.


*** *** ***
Ika larg, hapat m’i çau melodia e lamtumirës,
Pentagrameve u skalitën notat e jetës,
Çelësi mori drejtim shpirtit-poet !

*** *** ***
M’u zhduk dremitja, sytë tradhëtoi durimi,
Përballë fletës, trembi hutimin e tepruar.
Grisi me muzë, vargjet jetime…,

*** *** ***
Pikonte shiu, nga petla mbi gjethe e kërcell,
Lakonte trupin, trëndafilit heshtjedhembur.
Kur prej trungut u shkëputën dy petale…,

*** *** ***
Jemi larg, shumë larg, sa fjalët n’a zhdukin shpresën
Dyerve të miqësisë trokasim për pak zgjim.
Fytyrat shohin heshtur, fund-pikëllimit, largësi!



Mllefet e Miqesise qe Treten mes Tercinave (vazhdim)
( marre nga libri "Metafore mi Vale" )

*** *** ***
U vrenjt shikimi, mbi renë që kapej qiellit,
Rrokulliste zymtësinë majave të larta.
Këmbën zvarrë hiqte, të dilte në dritë.


*** *** ***
Murit bardhësinë ia grreva me thonj,
Hija të ngrinte krye, mendjes të zhvaste mendje.
Mbi mur, ku legjenda ka mbetur hije.


*** *** ***
Nata u var mbi dritaren që heshtëte,
Aty futi duart, vehtes ti zinte një vend.
Qoshes së dhomës gjeti strehëz, sa u gdhi.


*** *** ***
Uji rridhte burimeve, mbi gurë lante kohën,
Nga lartësitë binte, si shkëmbi që trondiste dheun.
Zvarriste degët, të lagte puthjet e harruara.


*** *** ***
Shtegëtoi qeshja ,si dallëndyshet dimrit,
Brigjeve njomte sytë, me dashuri për të ardhmen.
Krahët t’i rrihte fort, me dallëndyshet të kthehej.


*** *** ***
M’u dogj miqësia, në duart e së vërtetës,
Malli treste brengën në lisharësen e lotit.
Rrugë të re miqësisë, mos t’i hapte më.


*** *** ***
Fluturimthi shkoi dhe një ditë nga jeta.
Çukiste pa fjalë, në fjalët e gdhendura,
Shtypte e faqoste, fletë-jete në harresë.


*** *** ***
Gur m’u bë qeshja, të vriste njeriun,
Plumb m’u bë loti, të qëllonte zemrën.
Shalonte dhembja…, peng merrte vitet.


*** *** ***
Errësirës ia ndjeva hapin, tek vinte që larg,
Trokiti si trokëllimë kali, mbi xhamin e bulëzuar.
Yjet mos t’i sodisja si çdo natë, frikë prej saj ngujim.


*** *** ***
Peshoi loti, si zalli në fund të lumit,
Skaliti kohën, pas kohe në kujtesë.
Aty ndërroi stinë, si jeta me vdekjen.


*** *** ***
Derdhej muza brigjeve pa fjalë të mendjes,
Aty kumbonte pellgjeve të lotit, dora e heshtur.
Nxirrte nga pak në dritë, fletët e zhubrosura.


*** *** ***
Ferrava u fsheh fytyra e mëkatit,
Të shpëtonte prej fajit, lutesh të kishte fat.
Kur doli prej andej, më e mëkatuar se ç’qe.


*** *** ***
Diku, mbi fletë m’u harruan dy vargje,
Heshta nga inati, kur m’u zhduk kujtesa.
Mbi gju mbaja fletën, mbështetur si për takime !?


*** *** ***
Qau syri, buzëve drodhi lotin,
Me dënesë vehten e ngujoi në kristale.
Qau syri, për lirinë që humbi fjala .


*** *** ***
Zhdukur si murg i ngratë, shpellës harrim.
Kam dy duar të të prek, të të ledhatoj së fundi,
Kam dy sy të të lotoj, respektit mos t’i humbas emër.


*** *** ***
Më lanë në vetmi, acarit plasa shpirtin,
Më lanë në harresë, dyerve kyça zemrën,
Më lanë buzë gremine, vetë t’a gjeja rrugën.


*** *** ***
Grykë shpelle, diell m’u bë hëna,
Rrugëve pa mbarim, asfalt m’u bë lodhja.
Orë-pritjes, tik-taku trembi heshtjen.


*** *** ***
M’u pre’ buzëqeshja tavolinës njeri,
Doli në rrugë të gjerë të zbulonte veten.
Ngacmonte muzën tek sofra poetike.


*** *** ***
Qeshi fjala duarve të artistit,
Hidhte hapa të mëdhenj tastjerës kohë,
Diku ngatërrohej me veten për “modesti”.


*** *** ***
U dorëzua mendimi, buzëve të pafajësisë,
Kërkonte karrige të mbështeste fjalën,
Shkallëve tek ngjitesh, derdhte dhembje.


*** *** ***
Zhvaten mendimet nga njëri tek tjetri,
Shuken murit të mendjes e kthehen sërish pas,
Kërkojnë fshehtas mes errësire, shkak…,


*** *** ***
U ça loti në valët e heshtura të kaltërsisë.
Tingullit iu tremb syri, që qiellit zhduku vështrimin.
Ngatërrohej dashuria, mes intrigave të njeriu.


*** *** ***
Derdha fjalët, i hapa mbi shtratin tim,
Ngeli vendi bosh, shpirtit u bë humnerë,
Klithma e parë dashurinë, ngriti prej vendi.


*** *** ***
Zërin ia ndjeva vesës tek shkelja barit të gjelbër,
Aty ula kryet, me dorë preka vajtimet,
Mora rrugë të re, shkretëtirës ku bluhej guri.



S’ma hidhëron vargun


Ky i ftohtë i hidhët dhjetori, s’ma hidhëron vargun e brishtë,
E mëngjesi pendë-varur nga ngricat e para qesh në sytë e mi.
Mbetet metaforë e trembur dimri, një dritëz e largët malli,
Kafshohet në vështrime poetësh një klithmë që digjet shpirtit !
Ky i ftohtë i hidhët dhjetori, ngatërrohet
si lotët e marsit në lulet e kumbullës,
Merr si i trembur zvarranikë akullnajash që pikë-pikë grryejnë gurit,
Mëritë e ditës këputen në hijet e rrenëta të një dielli dimërak !

Një shkëputje e vogël nga qielli letrar i Titulluar "MARSI I ZBUTUR NGA VETETIMAT" vjen nga yllpoezia "S’ma hidhëron vargun " , e cila, ka një strukturë po aq të ngjeshur me rrezatim lirik, dhe vezullon , ashtu si mund të jetë dita e dhjetorit. E si mund të jetë ajo ditë, kur marsi ( krijuesja), i zbutur nga vetëtimat, bën përgatitjen të mbulojë me blerim?

Përmes komunikimit të këtyre vargjeve del gjendja , krijuesi dhe shoqeria. Po! Ajo shoqëria e narratoreve që formojnë klane dhe sulen kundrejtë vlerave, të afshohet në vështrime poetësh një klithmë që digjet shpirtit !

Përkufizim , gjetje unikate e mendjes së poetes, për gjendjen e trishtë që ka pllakosur, për të mbajtur frenjtë një strukturë e kulimëve që ma shumë e vrasin artin me shkarravina, se sa ta kultivojnë ! Ma shumë e degjenerojnë me mbajtje "takimesh letrare" se sa të manifestojnë horizonte për art! Alarm i qëlluar në artin poetik të poetes !

Suksese Brunilda!

Kur vritet biri i madh

 


Abdullah Konushevci

Abdullah Konushevci lindi në vitin 1958 në Prishtinë, është shkrimtar i shquar shqiptar. Në Prishtinë mbaroi shkollimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Studio letërsinë krahasimtare në "Universitetin e Zagrebit" dhe punoi mbi 20 vjet si gazetar në “Bota e Re” dhe “Rilindja”

Vëllimet me poezi

Pasqyrë dhe diell (poezi, 1979},
Rënia e mollës (poezi, 1981),
Pad jabuke (serbisht, 1982),
Qerrja e diellit (poezi, 1983),
Loja e strucit (poezi, 1987),
Të qenët të mosqenë (poezi, 1990),
Pikat AD (poezi, 2002)

Tekste shkollore dhe kritikë letrare

Gjuha shqipe XI (tekst shkollor, "Dukagjini", 2004)
Demaçi, vepra letrare (monografi, "Nositi", Prishtinë, 2008)
Për poezinë (kritikë letrare, "Nositi", Prishtinë, 2008)

Përkthimet nga anglishtja

Rabindranath Tagore: Gitangjali dhe Mbledhja e frutave (“Rilindja”, 1988);
Ernest Hemingway: Dielli lind përsëri (botoi “Rilindja” në vazhdime, 1989);
Ikona e lotëve (film dokumentar” (2006), përkthyer nga shqipja në anglisht
Ludo Hupperts: Koncerti dhe tregime të tjera, SHB "Nositi", Prishtinë, (2008).

Përkthimet nga kroatishtja

Teofrasti: Karakteret (“Rilindja”, 1983),
M. Slaviçek: Pse të mos jemi derisa jemi (“Rilindja”, 1990),
Grup autorësh: Historia e letërsisë botërore, V (“Rilindja”, 1989) dhe
Milan Shufflay: Histori e shqiptarëve të Veriut ("Nositi", 2009)

Të tjera

Ka botuar me qindra artikuj dhe recensioni për letërsinë e shkruar dhe gojore, për gjuhën shqipe, si dhe ka përgatitur për shtyp (radhitje, faqosje) një numër të madhe veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer anglisht, spanjisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Për veprat e Abdullah Konushevcit kanë shkruar: Sylejman Syla, Xhemail Mustafa, Ibrahim Rugova, Vehap Shita, Hysni Hoxha, Ali Aliu, Abdyl Kadolli, Merxhan Avdyli, Sabri Hamiti, Flori Bruqi,Ramadan Musliu, Rushit Ramabaja, Milazim Krasniqi, Ismail Belaj, Ismail Syla, Salih Bytyçi, Emin Azemi, Nazif Zejnullahu, Medi Memishi, Rrustem Geci ,Iljaz Prokshi etj.





Pikat AD
A. Demaçit

Foshnjat duhet t’i marrin
15 deri 20 pikë në ditë
Të rriturit që nuk kanë pirë
Qumësht Nëne
10 deri në 15

Pikat AD
I forcojnë eshtrat
Dhe e rritin mallin
Të kesh Nënë

Kujdes nga faktori Rh—
Nga kolori i rremë AG+FA
Mund të dalë letër kalk
Dhe të lëshojë ngjyrë të zezë të zezë

Sa më shumë pika AD
Nuk e shihni se na ranë këmbët
Duke ecur në gjunjë


Zonja Mëmë

Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat

Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri

Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
Po mbahem për një fije floku
I bindur se është floku Yt i thinjur

Zonja Mëmë
Mendimet për Ty
M’i vrasin në rrugë
Po malcimet e plagëve
Ti m’i ndien
Dhe ballin rrëzon në shuplakë

Ti duhet ta dish
Zonja Mëmë
Kur më hipën zjarrmia
Ai kroi i cemtë
Që rrjedh dikund aty pranë
Je Ti

Kur më ngushtohen rrugët
Dhe e kam pisk

E di se Ti
Zonja Mëmë
Do të më hapësh një shteg
Se me Ty është liria
Dhe dashuria ime për Ty


Kthimi i dritësorëve

Dritësorët do të kthehen
Me leshra të kërleshur
Me thonj të paprerë
Me trup-duar-fytyrëdheu

Do të përplasen brenda
Do të na zënë për fyti
Do të na shkulin për flokësh

Dhe ne s’do t’i shohim
Se ata janë prej drite
Se nuk bëjnë hije mbi dhé

Ata e kanë pushtuar
Zemrën e tokës
Dhe kupën e qiellit

Dritësorët do të kthehen
Të na mësojnë zejën e vdekjes
Të na japin pak zemër të tokës
Pak kupë të qiellit

Të dehemi dhe ne

Me hirin e zjarrit
Të mos jemi vetëm hije mbi dhé



Dhe ikim ikim ikim


Mbase ikim ikim ikim
Nga dhomat e mbushura ofshamë
Dhe dalim shesheve
Po sheshet janë të lara në gjak

Ndodh largohemi nga rrugët
Që klithin në fytyra fëmijësh
Dhe i mbyllim sytë
Kur Mezia i ngul ushtën
Demit tonë të Zi
Në Mozomazinë e përhumbur
Dheu na rrëshqet nën këmbë



Skicë për një elegji

Ja
Kjo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe kjo këtu
Dhe kjo pranë saj
Dhe kjo tjetra
Dhe kjo dhe kjo dhe kjo

Ja
Dhe ajo shtëpi
Ka një të vrarë
Dhe ajo atje
Dhe ajo pranë saj
Dhe ajo tjetra
Dhe ajo dhe ajo dhe ajo

Si e krijoi Zojsi Dardaninë

Nuk dihet
Nga koka a nga kofsha
Zojsi nxori Dardaninë
Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
Nga dashuri e madhe
Kish rrezik ta mbyste

Sot e atë mot
E varim në dardhë
Dashurinë e tij të madhe
Dhe kryqin e marrim në shpinë
Duke pritur të ndodhë mrekullia
Eshtrat i bëjmë grumbull
Në Kodrën e Kafkave

Duke pritur Gjergjin e Ri

Ai do të vijë
Ti do ta çosh patjetër
Ne do të dalim dhe do ta presim
Me tupan e me zurna
Do ta marrim do ta hipim
Lart mbi supe
Do t'i brohoritim
Derisa të mos kemi zë

Ai do të vijë
Se ne e presim
Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin
Do të shkelë këmbëzbathur
Mbi Dheun tonë
Do të ndezë qirinj
Te varret tona

Ai do të vijë
Ne e shohim ëndërr përnatë
Është kripëgjatë
Dhe nuk i trembet bishës
Që s'na lë të dalim
Nga portat e qytetit

Ai do të vijë
Ta therë në fyt bishën
Do t'i pastrojmë puset
Do të gjuajmë peshk
Dhe shpesë dhe kafshë
Do t'i njomim flitë përsëri

Ai do të vijë
Se ne e presim
Se ne vdesim përditë e më shumë
Se qyteti bie erë kufomë

Vdekja e dytë e Gjergjit*

Kur derdhet atdheu në det
Shkulet shkëmbi fusha mali
Terri derdhet me shtëmba
Dhe thikat vezullojnë

Vlorën e zënë ethet e dridhet
(Babi, do t'i kenë tretur
Gjergjit eshtërat
Se Atdheu po derdhet
Përsëri në det)
Drilonit s'mund t'i them
Ji i fortë
Dritoni është bërë dhé

Dhe ata po e shohin
Se s'është kjo më
Lojë me qen e mace

* Vjershë për eksodin e madh në Shqipëri

Ëndrra... pastaj Vlora

Diqysh shkuam në një planet tjetër
Ku kishte bukë qumësht mish
Dhe s’kishte milicë

Shqiptarët ishin shumë të mirë
Preheshin hijeve
Hidhnin valle shesheve
Bënin dashuri të mëdha

Disi... kur hyri Vlora në dhomë
Babi mbrëmë me dy orë natë
Na shkallmuan derën përsëri
Ata që s’mund t’u zë emrin në gojë



Vjershë ekspresioniste

Qielli ka ethe
Dhe mban erë gjak
Nga zogjtë e hekurt
Që i therin gjirin

Mjeshtrit e vdekjes
E punojnë shkel e shko tokën
Koka duar këmbë
Hedhin ngado

Si t’i mbledh gjymtyrët
Para se të bjerë nata
Dhe t’i kall në dhe
Para se t’u bien në erë
Larashët oshënarët

Kur vritet biri i madh
Fadil Tallës

Fytyra e tij e qeshur
më ndjek kudo

Pate acar të madh në zemër
Kur vemjet i mbushën rrugët
Ti dole dhe i talle bishat
Që hynin me nxitim në arenë

Zogj të hekurt
Na kërcënonin nga sipër
Kur i binim varrit
Dhe të kërkonim ndjesë
Për jetën e këputur

Ata nuk e dinin
Se ti na mësove ta tallim vdekjen
Ti që s’ishe as njëzet vjeç
Dhe ishe aq i madh

Të zije vend
Ndërmjet tokës e qiellit



Mungesa e lirisë

Ti ishe
Një mëngjes i freskët
Që lëshonte
Tinguj të kthjellët

Dhe ishe një kopsht i derdhur
Zot sa i derdhur
Me erë me ngjyrë
Mbytje çdo gjë përreth

Nga duart nga yjet
Si nga një libër i hapur
Mund të parathoshe çdo gjë

Si fatthënë e rysur që ishe

Po jepeshe lehtë
Si një kafshë
E lodhur nga ndjekjet
Se në flokë
Në ballë
Në sy
Kudo
Të vihej re
Mungesa e lirsië


Shaban Shala

Ai ishte SH në katror
Se kishte liri atdhe flamur

Ai kishte ballë-vetull-syshkabë
Dhe ishte frymë-gjakkaltër

Ata s’kishin sy të shihnin
Kush e çante terrin në mesnatë
Ata s’kishin veshë të dëgjonin
Si zbutej bisha
Nga zëri i tij hyjnor

Ai Llapin që llapuçitej
Kënetave moqaleve
E bënte një me majat me borë
E kthente përsëri në një Alb
Të bardhë të bardhë

Ai ishte SH në katror
Se kishte liri atdhe flamur


Përpjekje për t’i zënë konturet e mbinjeriut

Dhe e more more e dhe
Nga dritarja me grila
Ta zhdavaritje terrin
Dhe u dogje ngadalë qetë butë
Ti sy fëmije para lodrës së re

Dashuri e madhe të mbante në jetë
Ndaj syzat i përdorje si llupë
Ta ruash të gjallë zjarrin

Hije të zeza të mëdha
Shtrëngonin nofullat kthetrat
Dhe tërhidheshin gjithë tmerr
Nga shkëlqimi që të rrethonte
“Ky paska luajtur, ky s’qenka në vete
Kur na tall kaq pa turp”

Dritë e madhe të mëkonte në jetë
Kur jepje e merrje kur merrje e jepje
Ta mbaje të gjallë zjarrin

Mirupafshim motër

Kushtuar motrës s’ime, Drita Pelingu/



Nga Reshat KRIPA/

Ike motra ime, ike në mes të duartrokitjeve të qindra admiruesve të tu. Ike kur e kishe plotesuar detyrën tënde të një artisteje të madhe të skenës. Ti ike por unë, vëllai yt i vogël, (eh çfarë them edhe unë, vëllai yt i vogël që po arrin të tetëdhjetat), dua të shkruaj dy fjalë për ty, për kujtimet e mia. Megjithatë, për ty unë isha gjithmonë një vëlla i vogël, sikur të isha ende një fëmijë dhe me të vërtetë unë mbeta një fëmijë përpara figurës tënde të ndritur.

Duartrokitjet që të përcollën për në banesën e fundit më sillinin para syve ato që ushtonin në skenat shqiptare kur interpretoje rolet e Irës, Klariçes, Luiza Milerit, Gertrudës, Kornelias, Budes, Mukadesit, Hallës dhe mbi të gjitha atë të Zojcikës rol që e kishe mbi gjithë të tjerët. Këto duartrokitje ishin shpërblimi që admiruesit e tu të shumtë të jepnin në çastin e përcjelljes tënde për në mbretërinë e përjetëshme.
2dritapelinku
Në mes të duartrokitjeve të admiruesve para syve më dilte jeta ime. Më dilnin ato vite të fëminisë sime të herëshme kur ti, ende e re, deklamoje para nesh skena nga dramaturgjia botërore. Ati ynë, kur të dëgjonte, thoshte se ti do të bëhesh një njeri i madh dhe, me të vërtetë, ti u bërë e madhe.

Por, mbi të gjitha, më dilnin para syve ato vite të turbullta, kur unë zgjodha rrugën nëpër gërxhe e shkrepa dhe kur ti ishe gjithmonë pranë meje për te më kthyer përsëri në gjirin e familjes, për të më kthyer përsëri në jetë. Ti nuk kishe mundësi të vije të më takoje, pasi ashtu ishin konditat e kohës, por ti ishe gjithmonë pranë meje. Unë e ndieja praninë tënde. Ishin kohë të vështira. Familja jonë jetonte në kondita të një mbijetese të tmershme. Por mua nuk më mungonte asgjë dhe kjo në saj tënden. Nuk mund t’i harroj kurrë pakot që më dërgoje me prindërit tanë ku në secilën prej tyre do të gjeja shënimin: “vëllait tim të vogël që e dua shumë”.

Vitet rrodhën. Po afrohej koha që të kthehesha në gjirin e familjes. Në një pako që ti kishe dërguar ishte një kostum krejt i ri. Doje që unë të kthehesha si një dhëndër. Në xhepin e xhaketës një fotografi të një fëmije që nuk ishte më shumë se një vjeç. Nga pas saj një shënim: ”Po të dërgoj fotografinë e Orës që sa herë të të marrë malli ta puthësh e përqafosh”. Ishte fotografia e mbesës time të bukur. Kur e pashë, për herë të parë, më rrodhën disa pika lot nga sytë.

Erdhi, më në fund, dita që do të kthehesha në gjirin e familjes. Isha shumë larg qytetit të lindjes. Nuk mundesha të kthehesha brenda ditës atje. Ku të shkoja? Direkt nga skëtera erdha tek ty. Në hyrje të shtëpisë pashë të nderuarin doktor Kërçikun, në shtëpinë e të cilit banonte ime motër, që zbriste shkallët së bashku me zonjën e tij të nderuar. Më vështroi me habi dhe më pyeti:

- Ku shkoni?

- Te motra, Drita – iu përgjigja.

Një shkëndijë shkrepi në sytë e doktorit

- Drita, Drita. – thërriti dhe u kthye mbrapa – sihariq, sihariq.

Ti dole nga dhoma e habitur dhe më vështrove. Fillimisht nuk më njohe.

Kishim mbi pesë vjet pa u parë. Por kur më pe veshur me kostumin që më kishe dërguar, lëshove një klithmë dhe më rrëmbeve në krahët e tu duke derdhur lot të nxehtë. Edhe mua më shpëtuan lotët. Atë çast nuk do ta harroj kurrë deri sa të mbyll sytë.

Po si munde t’i bëje gjithë këto për një vëlla rebel që ishte ngritur kundra sistemit në të cilin jetohej? Sepse në krah kishe një bashkëshort ideal, një luftëtar të vërtetë të lirisë që kurrë nuk i braktisi parimet fisnike për një Shqipëri demokratike. Ishte pikërisht ky fisnik i rrallë që, megjithë shtrëngesat e kohës së errët, gjente rrugët e duhura për të jetuar pa u përlyer nga intrigat e pështira të kohës. Ai i përkiste atyre burrave që nuk të ndërhyri kurrë në marrëdhëniet e tua familjare, sido që të ishin ato dhe që nuk druhesh të vinte në familjen tonë në një kohë kur atë sistemi e kishte mbuluar me njolla të errëta

Por ti vuaje, e dashur motër. Vuaje ti, por vuanim edhe ne, pasi ishim pikërisht ne shkaku i vuajtjeve të tua. Ti asnjëherë nuk e shfaqe këtë hidhërim. Duhesh të kalonin dyzet vjet, deri sa të vinte viti 1986 kur shteti shqiptar do të kujtohesh të të jepte titullin “Artiste e Merituar”. Megjithatë unë i falënderoj ata që u bënë shkak që ti të merrje atë titull. Nuk e di se kush janë por, sidoqoftë, i falënderoj. Falënderoj gjithashtu Shoqatën “Ismail Qemali” për titullin me të njejtin emër që të akordoj në vitin 1996, Presidentin Mejdani për titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”, Presidentin Topi për titullin “Nderi i Kombit” dhe bashkinë e Vlorës për titullin “ Nderi i Qytetit”. Një falënderim të veçantë i drejtoj Bordit Drejtues të Institutit Amerikan të Biografive për zgjedhjen e s’ime motre ndërmjet 500 personaliteteve më në zë të botës. Thellësisht faleminderit të gjithëve!

Ti motër, megjithë fatkeqësitë që të ranë përsipër vitet e fundit, nuk u theve asnjë herë. Kishe një ëndërr. Doje t’i jepje fund jetës në skenë dhe ashtu ndodhi. Ti i dhe fund duke interpretuar “Përjetësisht dashuria”, një pjesë e regjizorit të njohur Mihal Luarasi. Ishte drama e fundit që interpretove, vetëm disa muaj para se të shuhesh jeta jote.

Ti ike motër, ike nëpërmjet duartrokitjeve. Në homazhet e tua morën pjesë gjithë qytetarët e vendit tënd, pa marrë parasysh nëse ishin të djathtë apo të majtë. Morën pjesë funksionarë të atyre që, deri më dje, ishin në krye të shtetit, por morën pjesë gjithashtu edhe të atyre që sot janë në pushtet. Kjo sepse ti u përkisje të gjithëve. Sepse ti ëndërroje për një Shqipëri me të vërtetë demokratike ku njeriu të ishte mik me njeriun. A do të bëhet ndonjë herë Shqipëria e tillë? Sa do të dëshiroja! Por, a do të vijë ajo ditë? Nuk e di. Nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Kush të mundet le të përgjigjet

Mirupafshim, motra ime! Mirupafshim në botën e përjetëshme

- See more at: http://gazetadielli.com/mirupafshim-moter/#sthash.cdtMrRvZ.dpuf

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...