2013-12-05

Enisa Adil - Euin


Picture



















Një 13-vjeçare në rrugën e Zhyl Vern-it të famshëm

Vetëm 13 vjeç dhe shkruan e boton romanin e parë. Është nga Korça dhe quhet Enisa Adil. “Ti, jo më kot e ke emrin Enisa. Dhe ne e dimë që ti je nisur dhe po ecën në një rrugë të bukur, moj vajzë. Kjo rrugë të ka çuar mes yjeve dhe planetëve të çuditshëm, ku ti je si në shtëpinë tënde. I njeh dhe të njohin, i flet dhe të flasin, i buzëqesh dhe të buzëqeshin. Ti vetëm ecën e ngarkuar me dilemat e moshës dhe të papriturat e saj. Po ç’them edhe unë; ti Enisa nuk ecën, ti fluturon, duke kaluar me anijen tënde kozmike nga një aventurë në tjetrën, nga një çudi në tjetrën, nga një befasi në një tjetër. Dhe duke e mbajtur kështu lexuesin në mënyrën habitore... Ashtu si dhe të tjerë që e kanë lexuar në dorëshkrim këtë libër, edhe unë u gabova duke sjellë ndërmend idenë e një përkthimi. Por jo, ky libër, ndër të rrallët fantastiko-shkencorë në letrat shqipe e që janë aq të kërkuar nga fëmijët, mban emrin tënd: Enisa Adil. Rruga e mbarë të qoftë!”-kështu shkruan në parathënien e romanit poeti i njohur Skënder Rusi.

“Euin”, libri i parë i serialit “Sekreti i të fundit”, nuk është një roman i zakonshëm, pasi, ashtu si vetë ky emërtim i veçantë (me të cilin autorja Enisa Adil ka preferuar të nënkuptojë një lloj zambaku), libri tenton të shkojë në skajet e fantazisë. Përveç përmbajtjes fantastike, që të kujton librat e Zhyl Vernit, autorja, edhe pse mjaft e re në moshë, shfaq një leksik jashtëzakonisht të pasur që i tejkalon kufijtë e normales për brezin e vet.

Enisa ka arritur të shkruajë një roman me një strukturë moderne, ku bien në sy jo vetëm tituj e bukur dhe mjaft të gjetur, por  edhe përshkrime të detajuara të disa kështjellave të çuditshme,  të natyrës, ngjyrave, tingujve, sikur të ishte një piktore. Mandej, detajet e fantazisë teknologjike, përshkrimi i udhëtimeve dhe infra-strukturës ndërgalaktike mund të zilepsin edhe profesionistët. Po nuk mjaftohet vetëm më kaq: autorja depërton me këto përshkrime deri edhe tek personazhi, jo për të ndihmuar lexuesin të kuptojë personazhin, por për të ndihmuar personazhin të kuptojë vetveten.

Skeda e librit:
Autori: Enisa Adil
Titulli: Euin (Seria: Sekreti i të fundit, libri 1)
Gjinia: Roman fantastiko-shkencor
Redaktor: Skënder Rusi
ISBN: 978-9928-109-57-6
Copyright: Autore
Numri i faqeve: 304
Çmimi: 700 lekë/ 7 euro
Shpërndarja: Në të gjitha libraritë kryesore & Librari Online

Damiano Bruno - 767 letra nga fronti i Luftës: Shqipëri 1916-1919


Picture




















Botohet libri i Damiano Bruno-s, një ditar i jashtëzakonshëm për shqiptarët e viteve ’20 të shekullit të kaluar

Një arbëresh në Labëri: 767 letra nga Shqipëria për Luftën e Parë Botërore

Janë plot 767 letra të panjohura deri më sot nga lexuesi shqiptar që Damiano Bruno, një mjek arbëresh i mobilizuar në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore, ia dërgonte, nga prapavijat e frontit shqiptar, familjes së tij në Itali. Letrat e servirura kronologjikisht, sipas datave, janë shoqëruar prej redaktorit me shpjegimet e nevojshme për lexuesin. Si rregull, në fillim të çdo pjese (viti apo muaji) përgatitësi i librit bën një përmbledhje të shkurtër të letrave. Përmes një shënimi prezantues për lexuesin, albanologu i njohur Francesco Altimari e cilëson librin si “një punë të shkëlqyer kërkimore historike”. Ky libër është përgatitur për botim në gjuhën italiane nga Luixhi Intrieri mbi bazën e letrave origjinale të Damiono Brunos. Në gjuhën shqipe ky libër është përkthyer nga Erla A. Velaj dhe publikohet nga botimet “Naimi” në vijim të ndërtimit të një kolane librash historikë me kujtime, dokumente dhe fakte të panjohura më parë nga lexuesi shqiptar.


Ditari i Damiano Bruno-s, një punë e shkëlqyer kërkimore historike
Nga prof. Francesco Altimari, albanolog, Itali

Nga luftërat e ndryshme në Ballkan, që nga ato më të voglat deri më të mëdhatë, lufta shqiptare ishte ajo që zgjati më shumë dhe tejkaloi afatet kohore të konflikteve botërore, duke u cilësuar si lufta më e përgjakshme dhe më mbresëlënëse. Një dëshmi e saj gjendet në letrat e  mjekut ushtarak Damiano Bruno, kalabrez nga San Pietro, Guarano (Itali), i cili u ndodh në qendër të konfliktit ballkanik, në Shqipëri, duke qenë pjesë e ushtrisë italiane. Dëshmi të tilla lufte, të nxjerra nga letrat që mjeku ia dërgon mbesës së tij, sjellin një vështrim të panjohur, të tërthortë ndaj konfliktit, por të drejtpërdrejtë nga Shqipëria e asaj kohe.

“Vështrimi” që shfaqet është padyshim i veçantë. Ajo çfarë ne shohim nga këto letra nuk janë edhe aq shumë idealet e Brunos në shërbim të vendit të tij. Mjeku italian na ofron mënyrën e të jetuarit e të menduarit për popuj të ndryshëm, në një situatë mungese të plotë fuqie politike dhe civile pas tërheqjes progresive të perandorisë osmane nga Ballkani. Në qendër të këtyre shënimeve janë, gjithashtu, ndryshimet që Bruno pëson gjatë jetesës së përditshme si mjek dhe si ushtarak në “Tokën e Shqiponjave”, ndryshime që vijnë të krahasuara në mënyrë konstante me njerëzit, peizazhet e tokës së tij të origjinës, Kalabrisë. Por, bëhet fjalë për një “vështrim” të veçantë dhe të thellë edhe ndaj vëmendjes që i kushton të shkruarit. Letrat ai ia dërgon mbesës Maria dhe kjo e detyron ta thjeshtojë komunikimin simbolik, pasi merr parasysh psikologjinë dhe ndjeshmërinë e mbesës-fëmijë.

Konflikti botëror mbetet në sfond, por jehonat e luftës, edhe pse të largëta, bëjnë të ndihet dramaciteti; si në tokën shqiptare, ashtu edhe në atë kalabreze. Por, mbi të gjitha, në fletët e këtij ditari intim vlen për t’u hulumtuar jeta e përditshme. Mjeku ushtarak e përdor ditarin e tij jo vetëm për t’i komunikuar të reja të mbesës, por edhe për të shprehur sinqerisht gjendjet më të thella shpirtërore të tij. Nuk mungojnë gjykimet (por edhe paragjykimet), që mjeku italian shpreh gjatë udhëtimeve ushtarake në Shqipërinë jugore. Ajo çfarë del nga ditari është pasqyra e një dramaciteti të vërtetë shoqëror, siç ishte Shqipëria e asaj kohe e sapodalë nga sundimi osman. Vendi jetonte në kushte të rënda moszhvillimi, gjendje e pasqyruar në përshkrimet dhe rrëfimet e mjekut ushtarak. Emblematik është, sidomos përshkrimi, që Bruno na jep për sa i përket kushteve të gruas: “Në Shqipëri gratë bëjnë të gjithë punën në fusha: punojnë me shat, korrin, mbledhin ullinjtë, kullosin delet, krasitin pemë ullinjsh, gjithashtu”.

Ndonjëherë vëmendja jonë i ikën kuptimit të vërtetë të zakoneve dhe riteve, të cilat në një realitet kaq kompleks si ky ballkanik, janë të ngarkuara dukshëm me valencë shoqërore dhe simbolike, natyrisht, “të ndryshme” me ato të kulturës tradicionale italiane, së cilës i referohet autori. Një nga këto elemente simbolike është ajo çka përfaqëson cjapi, jo pa qëllim i zgjedhur nga një prej shkrimtarëve bashkëkohorë më emblematikë të identitetit ballkanik, Luan Starova, si një paradigmë kulturore e kësaj pjese historike të mbijetesës së njeriut në Ballkan: “Çdo bari që takoj në rrugë e pyes gjithnjë, nëse mund të më shesë ndonjë dhi. Për një shqiptar është më e thjeshtë të shesë shtëpinë, sesa dhinë. Dhe unë argëtohem kur dëgjoj si justifikohen me mijëra pretekste se nuk mund ta shesin dhinë, se nuk është ai padroni i dhisë, sepse ujku ia ka ngrënë dhitë e tjera. Unë, megjithatë, vazhdoj të këmbëngul. Nuk di ta shpjegoj këtë ruajtje fanatike të kopesë, edhe pse në fund të fundit, do të përfitonin, duke pakësuar kafshët e plakura”.

Përmes këtyre faqeve të pazakonta, sugjestionuese, vlerësuese dhe plot freski lirike, autori përshkruan bukurinë mahnitëse të peizazheve të tokës shqiptare, aq e largët, por, njëkohësisht edhe aq e afërt me Italinë e tij: “Është bukur të ecësh për një kohë të gjatë mes këtyre pyjeve të pafundme pishash të mbuluara me dëborë. Rruga, për më tepër, është si një galeri pemësh të gjelbërta e të bardha. Këto male shqiptare janë të rrezikshme, por poshtë mantelit të dëborës zhduket ashpërsia e luginave dhe peizazhi merr një nuancë fantastike, ireale, magjepsëse”. Dhe ende: “... madje, është mahnitëse të ecësh në tokën e këtyre maleve shqiptare në pranverë. Çdo shkurre është një degë lulesh: zymbyla, lulekëmborë, lule me erë të mirë, lulebuzore, lakrorë, lule që krijojnë hije dhe një shumëllojshmëri ngjyrash marramendëse”. Mjeku përmend, gjithashtu, edhe pasurinë e jashtëzakonshme të florës, përmes së cilës një lëvrues i pasionuar arrin të vëzhgojë të gjithë dendurinë që i karakterizon këto toka të virgjëra. Një përvojë e paharruar!

Dëshmia që Damiano Bruno na jep me këtë atmosferë ushtarake ballkanike është ajo e “spektatorit” pakëz të veçantë, sigurisht, aspak neutral (Përkundrazi, shpesh, me njërën palë, siç ai e gjykonte të drejtë). Bashkë me dashurinë e sinqertë ndaj mbesës, në letrat e tij ai hedh ngjarje të përditshme, jehonat e një lufte të largët të luftës së madhe dhe ato të luftërave më të afërta, luftërat ballkanike, që përfshinë tragjikisht një vend si Shqipëria, në të cilin përplasen objektivat dhe interesat e kombeve fqinj. Në skenarin e trishtuar, por të mrekullueshëm të kësaj toke periferike (që megjithëse gjeografikisht afër, perceptimi kulturor është kaq i largët), shfaqet misioni ushtarak, por edhe njerëzor i mjekut Damiano Bruno, i cili nën vëzhgimin “e tjetrit”, shqiptarit, përfundon shpesh duke krahasuar vetveten, duke përshkruar imtësisht burrat dhe vendet e prejardhjes së tij. Mbi të gjitha, ashpërsinë e maleve në tokën në të cilën po jeton: “...jemi ulur duke medituar në natyrë; kemi vizituar kasolle, kemi shijuar pamje të admirueshme. Kemi ndenjur duke i menduar të mrekulluar majat shkëlqyese të maleve të mbuluara me dëborë, pjerrina, shpate, boçe pishash, gjithfarë drurësh, dëllinja, lisa. Unë nuk e kam vizituar Silën dimërore dhe nuk mund të krahasoj, por ajo që pashë sot në mëngjes ishte me të vërtetë e bukur dhe unike”.

Në këtë rast, vështrimi ndonjëherë i kryqëzuar e ndonjëherë depërtues, që autori i këtij ditari rapsodik përdor për të na shfaqur përmes ndjenjave të tij, edhe dy botët (Kalabri dhe Shqipëri), na ndihmon të kuptojmë më mirë situatat ekstreme, të cilat sot e kemi të vështirë për t’i shpjeguar. Të izoluar gjeografikisht, por edhe për shkak të copëzimit morfologjik ekstrem të territorit të tij, banorët e këtij rajoni kanë pësuar një ndjenjë tëhuajzimi dhe “largësie” edhe për vetë fqinjët e shtëpisë!

Më në fund ndjej detyrimin t’i shpreh mirënjohjen dhe të falënderoj përzemërsisht Luixhi Intrieri-n për këtë punë të shkëlqyer kërkimore historike. Ditari i pazakontë “rapsodik”, një dokumentar i vërtetë i ndërtuar nga letra të postës ushtarake, është sjellë, fatmirësisht, me një fjalor interesant, të pasur dhe me besnikëri të plotë. Pra, ditari vjen nga redaktori i kthyer në origjinalitetin e vet dhe gjithmonë brenda koordinatave të vagullta historike e gjeografike. Të gjitha ngjarjet historiko-ushtarake, që dëshmojnë prezencën ushtarake italiane në Shqipërinë jugore gjatë periudhës që përshkruhet në letrat e Damiano Brunos (nga viti 1916 deri në vitin 1919), janë identifikuar e verifikuar.

Varianti përfundimtar i këtij publikimi jepet nga redaktori përmes rindërtimit të vlefshëm historiografik, në të cilin sekuencat, ndonjëherë reale e ndonjëherë ireale të këtij ditari personal, të jetuar veçanërisht në kushtet e mjedisit të një Shqipërie të largët dhe të krahasuar me një Kalabri edhe më të largët, shndërrohen në një dialog impresionues. Ajo që ndodh në malet e Shqipërisë është e lidhur fort me malet e Kalabrisë.

Skeda e librit

Autori: Damiano Bruno
Titulli: 767 letra nga fronti i Luftës (Shqipëri: 1916-1919)
Përgatiti për botim: Luigi Intrieri
Parathënie: Prof. Francesco Altimari
Titulli i origjinalit në italisht: Bruno, Luigi Enrico Damiano
Un medico calabrese in Albania durante la prima guerra mondiale / a cura di Luigi Intrieri
Botimi i parë: Pellegrini, stampa 2008
Përktheu në shqip nga origjinali: Erla A. Velaj
Redaktor: Naim Zoto
ISBN: 978-9928-109-59-0
Copyright në gjuhën shqipe: “Naimi” - shtëpi botuese dhe studio letrare
Çmimi: 800 lekë/ 8 euro.

Izet Duraku - Libri i udhëtarit


Picture





















E ka quajtur “Libri i udhëtarit”, megjithëse udhëtarit të Izet Durakut, një personazh qendror i romanit, rruga vazhdimisht i rezulton pa krye, natyrisht për shkak të një mjedisi, shoqërie dhe kohe që edhe ato nuk dinë ç’bëjnë, nuk dinë se ku po shkojnë. I ndërtuar nga fragmente jermi, ai ngjan unik në llojin e vet. Një përthyerje e realitetit në pasqyrat e shpirtit, reflekset e të cilit i shfaq i ashtuquajturi “përroi i ndërgjegjes”, që në të shumtën e rasteve, në krijimtari dhe në jetën e përditshme, i fsheh hipokrizia njerëzore. Libri duket sikur i referohet shoqërisë shqiptare të viteve ‘80.

Giovanni Cimbalo - Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri


Një monografi e shkëlqyer e prof. Giovanni Cimbalo, Universiteti i Bolonjës, Itali, sillet në shqip nga botimet “Naimi”.

Marrëdhëniet mes shtetit dhe fesë në Shqipëri

Picture

Si një “ishull” me shumicë islame në një gadishull ku mbizotëron ortodoksia, Shqipëria ka zgjuar interesin e studiuesit italian Giovanni Cimbalo, profesor në universitetin e Bolonjës, për të analizuar veçoritë e marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare, duke zbuluar në të njëjtën kohë “enigmën” e paqes fetare këtu, ndryshe nga vendet e tjera ballkanike dhe më larg tij. Dhe ndryshe nga perceptimet apo shpjegimet romantike, prof. Cimbalo e gjen “çelësin magjik” tek infrastruktura ligjore. Një analizë krahasuese mes normave dhe ligjeve të miratuara prej fillimit të shtetit shqiptar e ka lejuar autorin të depërtojë më thellë në shtigjet e historisë së këtij vendi, për të hedhur më shumë dritë mbi ndryshimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve institucionale mes komuniteteve fetare dhe shtetit; të kuptojë ç’ndikim ka pasur kjo në formimin e mendësisë mbi përkatësinë fetare dhe ç’trajtë ka sot ushtrimi dhe pjesëmarrja në jetën fetare.
Nga shqyrtimi i historisë kushtetuese, praktikës juridike e politike që del se që në zanafillë të shtetit të vet, Shqipëria moderne ka ndër parimet e saj themelore ndarjen mes shtetit dhe fesë, laicitetin e institucioneve, e kryesisht, pluralizmin fetar, i parë si formant i rëndësishëm i sistemit ligjor, një prej përbërësve themelorë për ndërtimin e unitetit kombëtar, si vlerë e epërme për vendin. Ky qëndrim bëri të mundur që i vetmi shtet në Europë me shumicë myslimane, të përpunojë një trajtë dhe vizion pluralist për islamin dhe të kapërcejë pengesat për proselitizëm të besimeve të tjera jo islame, edhe pse ky i fundit ka epërsi shifrash.
Duhet të kemi përvujtërinë e nevojshme e të pranojmë, shkruan prof. Giovanni Cimbalo në shënimin hyrës të librit të tij, se, nganjëherë, krejt qorrazi e me pavetëdije, mund të na joshë mendimi se modelet “tona” janë të epërme e të vetmit që u japin përgjigje nevojave për mbrojtjen e lirisë fetare, pluralizmit të besimit dhe laicizmit. Ky tundim ka marrë përmasat e një epidemie, sepse as që kujtohet kush ta kurojë, madje puna ka shkuar deri aty sa të mos shtrohet fare problemi i mbrojtjes dhe i promovimit të diversitetit, paçka se ngjishen bashkë shoqëri e sisteme krejt të largëta, jo vetëm gjeografikisht, por, pikësëpari, me histori, tradita e sisteme vlerash krejt të ndryshme. Përvoja shqiptare tregon se sa e pavend është kjo sjellje karshi kokëfortësisë së fakteve, por edhe na ofron përvojën e sistemit të përpunuar prej saj, mbi të cilën duhet reflektuar për të kuptuar se si mund të sigurohet paqja fetare dhe bashkëjetesa në diversitet.
Ky studim paraqet një aspekt të parë të rendit sistematiko-rindërtues, por edhe metodologjik, sepse prek, si çështjen e klasifikimit të marrëdhënieve mes shtetit dhe komuniteteve fetare, po ashtu edhe qasjen që duhet të ketë studiuesi që në momentin e përballjes me to. Vend të veçantë në këtë studim zë edhe efektshmëria e sistemeve të të tjerëve (në rastin tonë, ai shqiptar), e cila mund të shërbejë për përmirësimin e marrëdhënieve mes grupeve të ndryshme shoqërore dhe fetare, qoftë edhe në procesin e homologimit të këtyre sistemeve, si shprehje e globalizimit dhe e vlerave universale të disa parimeve e sidomos të rregullave për frenimin e qëndrimeve radikale.

Pëllumb Qazimi shkruan historinë e ushtrisë shqiptare përmes botimit të një monografie shkencore

Pëllumb Qazimi - Histori e ushtrisë shqiptare

Picture
Gjenerali publikon historinë e ushtrisë shqiptare

Në këtë vepër tërësore, autori Pëllumb Qazimi bën një paraqitje të gjallë prej gati tetëdhjetë vite të historisë shqiptare në shekullin e njëzetë, ndërkohë, gjithashtu, shqyrton në një farë mënyre edhe ato periudha të historisë të shekullit të 18-të dhe 19-të të historisë së Shqipërisë, që i shërbejnë objektivit parësor- ecurisë së zhvillimit institucional të ushtrisë shqiptare deri në vitin 1991, shkruan profesori i njohur kroat Ivo Goldstein në parathënien e librit të Pëllumb Qazimit, botuar për herë të parë në Kroaci në gjuhën angleze. Ndërsa prof. Aleksandar Stipčević, albanolog kroat thotë se "Ky libër do të jetë i dobishëm për ata shqiptarë që nuk e njohin mirë të kaluarën ushtarake të vendit të tyre dhe shumë më tepër për ne, të huajt, të cilët shpesh harrojmë rolin që kanë luajtur shqiptarët në rajonin e Ballkanit dhe në Evropë".

Autori mbështetet në një numër të konsiderueshëm burimesh, në gjuhën angleze dhe gjuhën shqipe, për të demonstruar dhe mbështetur tezën e tij themelore - fillimi i traditave institucionale ushtarake shqiptare mund të datohet vetëm që nga themelimi i shtetit të pavarur shqiptar më 1912. Duke sintetizuar me kujdes këtë material të madh burimesh, autori në mënyrë kritike dhe të mprehtë paraqet ngjarje dhe zhvillime të një periudhe që përfshin pavarësinë e Shqipërisë, dy Luftërat Ballkanike, dy Luftërat Botërore, vendosjen e diktaturave komuniste në Evropën Lindore, dhe në fund ri-vendosjen e pavarësisë.

Këndvështrimi i Pëllumb Qazimit është se historia e ushtrisë shqiptare nuk mund të vlerësohet e pavarur; ajo është e lidhur ngushtë me historinë e shtetit, me politikat, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ashtu sikundër të rëndësishme për zhvillimin e shtetit shqiptar deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar kanë qenë ndikimi i influencave të huaja; italiane, britanike, amerikane, jugosllave dhe sovjetike. Autori shmang kurthet e tërheqjes nga thjeshtimi dhe mitizimi ndaj këtij aspekti dhe ofron një pasqyrë unike të kualifikuar socio-politike të një çështje shumë të ndërlikuar.

Vlerësime për librin (botimi në gjuhën angleze):

“Monografia e plotë e ambasadorit Pëllumb Qazimi "Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)” është një libër pionier në historinë e ushtrisë shqiptare nga pavarësia deri në rënien e diktaturës komuniste. Autori ofron një pasqyrë të të gjithë kapitujve kryesorë në këtë histori nga përpjekjet më të hershme në favor të një sistemi të besueshëm të mbrojtjes nëpërmjet varësive të ndryshme nga periudha midis dy luftërave botërore, në vështirësitë e pengesat e periudhës së luftës e të pasluftës për ndërtimin e shtetit komunist. Kjo vepër ka përfituar nga përdorimi përzgjedhës i burimeve të reja arkivore dhe siguron një udhëzues të dobishëm për subjektin dhe për kursin e ardhshëm të kontributit strategjik të Shqipërisë në mbrojtje të demokracive euroatlantike”.
Prof. Ivo Banac, Departamenti i Historisë, Universiteti i Zagrebit

“Me besim të plotë se “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)” do të jetë një tekst i dobishëm dhe informativ, unë e rekomandoj atë për lexuesit shqiptarë dhe të huaj”.
Ivo Goldstein, profesor i Historisë, Universiteti i Zagrebit

"Dr. Pëllumb Qazimi ka shkruar një analizë shumë interesante dhe të plotë të traditave kombëtare dhe të ndikimeve të huaja në historinë ushtarake shqiptare (1912-1991). I shkruar në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, libri është një kontribut i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë dhe të fqinjëve të saj".
Bo Eric Weber, ambasador i Mbretërisë së Danimarkës në Republikën e Kroacisë 2008-2012

"Ky libër do të jetë i dobishëm për ata shqiptarë që nuk e njohin mirë të kaluarën ushtarake të vendit të tyre dhe shumë më tepër për të huajt, të cilët, shpesh, harrojnë rolin që kanë luajtur shqiptarët në rajonin e Ballkanit dhe në Evropë".
Prof. Aleksandar Stipčević, albanolog, Zagreb 2012

"Libri i Pëllumb Qazimit jep një pasqyrë unike në një pjesë të historisë ushtarake të Shqipërisë që deri tani ka qenë e panjohur në botën e jashtme. Përvojat e tij personale të asaj periudhe, kur Shqipëria ishte krejtësisht e izoluar ndërkombëtarisht, e bëjnë punën e tij veçanërisht interesante dhe të vlefshme nga këndvështrimi shkencor".
Fredrik Vahlquist, ambasador i Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Kroacisë, 2012

"Shqiptarët gjatë gjithë historisë janë përballur me sfida. Perëndimi i njeh mirë problemet shqiptare, por shpesh këto probleme kanë qenë keqpërdorur. Libri i Pëllumb Qazimit tregon qartë se Shqipëria është një aleate e shëndetshme e Perëndimit”.
Zef Mirdita, profesor, Zagreb 2012.


Skeda e librit:

Autori: Pëllumb Qazimi
Titulli: Histori e ushtrisw shqiptare: 1912-1991
Gjinia: Studim monografik
Me një parathënie nga Ivo Goldstein, Profesor i Historisë, Universiteti i Zagrebit, Kroaci.
Recensues: Prof. Ivo Goldstein
Prof. Proletar Hasani
Prof. Arshi Çela
Redaktor: Edval Zoto
Ballina: “m&b”
ISBN: 978-9928-109-62-0
Botimi i parë: “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)”, TIPOMAT d.o.o, Zagreb, Croatia, 2012.
Copyright i këtij botimi ©: Autori
Nr. i faqeve: 312
Çmimi: 1000 lekë/10 euro.

Një udhëtim drejt Kosovës së pavarur



Vlorë16 shkurt 2008. Edhe pse qyteti mesdhetar zakonisht është i ngrohtë, përsëri ky mëngjes herët ishte drithërues. Ishte bryma, por dhe emocioni brenda meje dhe të gjithëve ne, që po niseshim për në Fier ...


Nga Laureta Petoshati


Edhe pse qyteti mesdhetar zakonisht është i ngrohtë, përsëri ky mëngjes herët ishte drithërues. Ishte bryma, por dhe emocioni brenda meje dhe të gjithëve ne, që po niseshim për në Fier nga ku do të nisej autobusi për në Prishtinë. 96 vjet më parë stërgjyshërit tanë kishin pasur emocionin e ngritjes së Flamurit dykrenor këtu, tek ky Shesh i madhërishëm i Flamurit, ndërsa ne niseshim tek ajo pjesë e tokës sonë, që për 95 vjet mbeti e pushtuar, e torturuar, e gjakosur, por dhe na u mohua neve që jetonim në trungun amë.

Ashtu gjithë drithërim, këmbët më çojnë tek varri i Ismail Qemalit dhe në vesh më buçasin fjalët e tij : “Bijtë e mi, unë nuk kam pasuri që t’ju lë, po ju lë një atdhe amanet”. Bekimin për gjithë atë rrugë të mundimshme e merr tek ky Shesh e tek ky varr që janë kthyer në Mekë të Shqiptarisë dhe rruga Vlorë-Prishtinë të duket si fluturim shqiponjash. Në Fier, anëtarët e tre shoqatave atdhetare, të asaj për Identitet dhe Bashkim Kombëtar me shtrirje nga Fieri deri në Prevezë, të shoqatës “Labëria” dhe shoqatës “Çamëria”, kishin hedhur mbi supe flamuj kombëtarë dhe e kishin nisur këngën që pa gdhirë. Dikush kishte marrë dhe një fyell, me të cilin i binte ca melodive baritore. Qytetet kalonin njëri pas tjetrit dhe arritëm më në fund pas Shpalit të Mirditës, në zonat e thepisura të Pukës, Fushë Arrëzit, atje ku lumi Fan rridhte i qetë dhe ku ngrica vezullonte e dukej që dielli nuk e shkrinte dot, aq sa kjo pamje të kujtonte Eposin e Kreshnikëve në vargjet se “shumë po ndrit ky diell e pak po nxeh”.

Nuk kishe më nevojë për të gjetur rrugën, ajo ishte “piketuar” në shtylla e shtëpi me flamuj kuq e zi, aq sa dukej se në zonën e Kukësit ku endej mjegulla dhe shtronte dëbora kishin çelur lulëkuqet valëvitëse. Kaluam doganën e Qafë Morinës dhe pikërisht aty ishte “thembra e Akilit”, pika jonë e dobët, që na ligështoi. “Përse na kërkoni pasaporta për të hyrë në tokën tonë?” – i thamë policit që ishte matanë doganës sonë. Atij iu mbushën sytë me lot. Ishte një djalë i bëshëm nga Kosova, që i dhembte shpirti njësoj si ne. Nuk di si ta përshkruaj futjen tonë në Prizren, atje ku burrat e kombit u mblodhën në kuvendin dhe lidhën besën e shqiptarit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Autobusi ynë ndaloi për pak dhe ne dolëm dhe morëm një valle të mbuluar me Flamur. Makinat varg të mbuluara me flamuj kuq e zi u binin borive, këndonin, ndërsa një burrë plak me qeleshe të bardhe në kokë, përveç nesh, puthi dhe rrotat e autobusit që kishte ardhur nga Shqipëria. Kënga ushtonte e pika loti rridhnin. Jemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë, me vëllezërit tanë. “Xhamadani vija-vija/ Është Kosova, është Shqipria!” Nuk e di a do të ketë mendje njerëzore që ta mendojë këtë ditë si ne shqiptarët! Kur mbërritëm në Prishtinë ishte natë, një natë rrëzëllitëse, që ushtonte nga bori makinash dhe nga flokët e hollë të borës që i jepnin një ngjyrë mistike. Miqtë tanë po na prisnin. “Morti dhe gëzimi nuk kalohen vetëm!”- na thotë njëri prej tyre. Ne ishim mbi dyzet vetë dhe kush katër, kush pesë, kush shtatë vetë na morën në shtëpitë e tyre. Ramadan Gashi, një intelektual dhe një ish luftëtar i UÇK, tashmë punonjës në Ministrinë e Punës, merr në shtëpi katër prej nesh. Po ashtu dhe Ukë Gashi, Azem Bogaj, Mehdi Berisha, Sheshivar Makolli, Shemsi Thaçi, Adem Berisha, Sheqir e Ismet Podvorica, Gani Sahiti, Qamil Dili, Rrahim Sahiti, etj.

Sa zbritëm nga autobusi filloi hareja nga e para, vallja, kënga, recitimet për Kosovën për Flamurin. Kush tha se ne takoheshim për herë të parë? Ne kishim një jetë që njiheshim, por dhe një shekull që prisnim të ritakoheshim. Nuk ka fjalë që përshkruan mikpritjen, ngrohtësinë. Falë zotit, ata që kishin armë me leje shtinë me armë për të uruar mirëseardhjen tonë.

17 Shkurt 2008.

Miqtë tanë janë nga ai “brumë” dhe nga ai gjak që u derdh lumë për çlirimin e Kosovës. Ata mbijetuan nga lufta por shumë prej tyre humbën shokët, vëllezërit, baballarët. Respekti në fillim për të rënët. Ne, katër anëtarë dhe njëkohësisht drejtues të shoqatës atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar, u nisëm fillimisht në rrugën drejt komunës Skënderaj. Ramadani që ngiste makinën po na shpinte tek godina shumëkatëshe “KATANA” , emër ky sipas pseudonimit të heroit Agim Ramadani, busti i të cilit ishte në oborrin e ndërtesës. Kjo godinë është një qendër sportive- rekreative, por aty është dhe Instituti i Sigurisë “Katana”, një institucion ky, në të cilin punojnë kokat e inteligjencës shqiptare. Një nga drejtuesit dhe pronar i këtij institucioni është Xhafer Gashi, bashkëluftëtar i heroit Agim Ramadani, që theu kufijtë shqiptaro-shqiptar, tashmë ekspert i lartë i sigurisë, i specializuar në Izrael për “VIP PROTECTION TEAM LEADER”. Xhaferi, i dekoruar disa herë, madje edhe nga gjenerali amerikan Jackson, e që ka qenë shef i sigurisë së ish kryemistrit Agim Çeku, i emocionuar për këtë ditë historike për krejt kombin shqiptar na thotë se “Është fat që po e përjeton brezi ynë, këtë kurorëzim të gjakut të derdhur në disa breza”,dhe më pas na fton për në mbrëmje, për festën që bën për pavarësinë dhe miqtë e tij ish luftëtarë të UÇK.
“Ja kjo, është fusha ku u bë Beteja e Kosovës. Këtu nuk mbijnë kurrë lule, por vetëm bozhure. Këtu dhe kali lëshoi lot të kuq. Këtu filluan mashtrimet dhe tradhtia serbe, edhe Millosh Kopiliqi nuk ka qenë serb, por shqiptar nga Skënderaj”- na thotë Ramadani dhe vazhdojmë rrugën për në qendër të Prishtinës.

Hotel “Grand” një kontinent më vete. Sapo mbërrimë atje, shokët tanë po na prisnin. Dikush kishte filluar këngën me çifteli. Pasi mbaroi ai, djemtë vlonjate, Marisen Aliaj, Steli Metaj, Denis Karanxha, Dritan Nelaj dhe disa djem të tjerë fierakë që nuk ishin më shumë se 20 vjeçarë, filluan këngët labçe. Filloi dhe vallja e kënduar labçe. Thyhen në këngë kufijtë dhe shteti amë bëhet etnik mu në mes të Prishtinës. Lleshi, një artist nga Prishtina, ka një brez të gjatë, kuq e zi, si ai i Skënderbeut. U lidhëm dorë pas dore pas atij brezi dhe filluam një valle rreth e rrotull Shes**t “Nëna Terezë”. Prinin në krye Lleshi, Azemi, Genc Llakaj Kryetar i shoqatës atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar Fier-Prevezë, pastaj Zamira Bashmili- Kryetare e Grave të kësaj shoqate për degën e Vlorës, e vinin me radhë të gjithë që bashkoheshin, burra, gra, djem, pleq me plisa të bardhë në kokë. “Do bashkohemi apo jo?”- ishte thirrja e Zamira Bashmilit dhe njerëzit e kapur dorë për dore përgjigjeshin : Po, po, po! Kënga patriotike “Eja, mblidhuni këtu-këtu” bashkonte radhët e njerëzve të kapur dorë më dorë. Mos ndoshta këtë ka pasur në mendje i madhi Abdurrahim Buza, kur pikturoi tablonë “Shqipëria vallëzon”? Në shesh është gjithë Shqipëria etnike ashtu siç e ka krijuar Zoti dhe ata që e duan bashkimin kombëtar. “Pa Kosovë e Çamëri / Nuk ka Shqipëri” ishte parulla që hidhte 18 vjeçari çam nga Fieri Neritan Murati e që pasohej nga Ilir Shkurti dhe nga grupi që e shoqëronte. Ndjeva duart e fuqishme teksa më shtrëngonin duart, të dy djemve nga Kosova të veshur me bluza, ku shkruhej “Ta gëzojmë pavarësinë e Kosovës”, e vazhduam vallen së bashku, ne vëllezërit e gjakut që me shpirt e duam bashkimin e kombit dhe të trojeve ku na prehen të parët tanë. “Nuk e kam ndjerë veten më krenar se sot për vendin tim, teksa shoh flamurin tonë në gjithë Kosovën”-më thotë një gazetar amerikan i CNN teksa shkoj drejt grand “Hotel”.

Ora 15:00. Përsëri tek Hotel “Grand”.Vallja, kënga dhe hareja u ndërprenë si me magji. Të gjithë kishin sytë nga ekrani ku shfaqej Hashim Thaçi me leximin e Deklaratës së Pavarësisë. Ky kuvend më kujtonte kuvendin e Vlorës, në vitin 1912

. Por dhe deklarata e Pavarësisë së Kosovës çuditërisht kishte 12 pika si viti i shenjtë i shqiptarëve! 12 pika vëllezër, 12! Po aq janë dhe shenjtorë, prandaj çdo fjalë që lexohet është e shenjtë! Me kë tu krahasoj vëllezër të Kuvendit të Kosovës? Më dukeni sot si Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi ...Pas votimit të deklaratës me 12 pika sipas numrit historik, dëgjohet zëri i emocionuar i kryeparlamentarit Krasniqi: “Kosova është Republikë! Është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik”! Hotel “Grand” shpërthen në thirrje të papara, puthje, lotë, këngë. Pak më tutje dëgjohet kënga labe e apostujve të polifonisë si Golik Likaj, Syrja Hodo, Tomor Lelo, Nazif Çela, që ishin bashkuar me një grup lab të ardhur nga Greqia. “Cili je ti more burrë/Që na vjen nga Shqipëria/ Unë jam Smail Qemali/Prapa më vjen historia” këndonte grupi dhe pastaj vazhdonte këngën Tomor Lelo sipas improvizimeve të tij, “ do ti marr se s’është punë/ është e jona Shqipëria /Kosova dhe Çamëria/ Se kemi vajza si tyja”,sepse në krah iu bashkua zv/ministrja e jashtme e Shqipërisë Edit Harxhi, e cila këndonte polifoni bashkë me grupin. Kristaq Ziu, me origjinë nga Himara, por që banon në Fier, i njohur si djegësi i flamurit grek në mes të Fierit, kishte marrë një grusht dhé dhe po e puthte në mes të grumbullit të gazetarëve të huaj duke thënë: “Ky është dhé i vendit tim që bota na e ndau një shekull më parë.”

Festa vazhdoi rrugëve të Prishtinës deri në mesnatë. Kishte birë, verë, kekë, fruta, bukë falas “Made in Kosova”. Në qiell vargjet e këngës së Ilir Shaqirit, përziheshin me fishekzjarrët që çanë barkun e natës së përgjëruar për pavarësi.
Ne kthehemi tek godina e Institutit të Sigurisë “Katana”, ku zhvillohej një festë. Në ballinë ndriste portreti i komandantit legjendar Adem Jashari dhe i heroit Agim Ramadani. E si mund të gëzohej pa ata? Ç’mu kujtua një këngë e viseve të mia : “Të nderojmë pavarësinë/ Dhe burrat e shquar / E dhanë jetën për lirinë/Me flamur në duar!” Në mbrëmje ishte kryebashkiaku i komunës Skënderaj, intelektualë, ushtarakë, vajza, djem kryesisht familje të luftës dhe të dëshmorëve. I pranishëm ishte dhe poeti Agim Doçi, i cili përshëndeti të pranishmit për pavarësinë. Ndërsa u lexova të pranishmëve një mesazh që më dërgonte Lefter Çipa, “Ne s’kemi ëndërr të madhe/Aq sa krahët hap shqiponja/Shqipërinë natyrale/ Katër Vilajetet tona”, u drithërova dhe kjo pavarësi m’u duk më e pakta gjë që kërkojmë ne, shqiptarët. Ne duhet të bashkohemi.

18 shkurt 2008.
Kosova zgjohet më e buzëqeshur se kurrë më parë, nën një flamur shtetëror me hartën e vet të verdhë, me gjashtë yje dhe me një ngjyre blu si ai i Europës. Por rrugët skuqnin nga ai, Flamuri Kombëtar, që valëvitej gjatë gjithë rrugës që ne bëmë. Si të vish në Kosovë dhe të mos shkosh tek shtëpia e Jasharëve, heronjve dhe martirëve të krejt kombit shqiptar?Jemi rrugës për në Drenicë, në zemrën e Dardanisë, ku ndodhet Prekazi, fshati me 3900 banorë. Azem Bogaj, ndërsa na shoqëron na thotë se ku ndodhej shtëpia e Hasan Prishtinës, na shpjegon dhe kodrën në Skënderaj ku serbët kishin ndërtuar një fabrikë municioni prej nga shtëpia e Jasharëve dukej në pëllëmbë të dorës, e prej nga ku ata mendonin ta bënin shkrumb e hi. Dikur në shkollë kemi mësuar për Gjergj Elez Alinë, por paska pasur dhe kjo koha jonë të tillë. Zakonisht trimat nuk qahen, por unë nuk i përmbajta dot lotët. Erdhi kjo pavarësi edhe me gjakun e fëmijëve të fisit Jashari, gjak që e skuq si purpur Flamurin tonë kombëtar. “Bac u kry!”- shkruhej në tërë Kosovën, por flamurët këtu tregonin se është kryer pavarësia vetëm në një pjesë të Shqipërisë etnike, pjesët e tjera janë ende nën zgjedhë. “Sot do të kemi luftë. Me fat na qoftë”- u kish thënë Komandanti familjarëve të tij, ndërsa sot fjalët e tij janë shkruar nën një tjetër kontekst: “Me fat pavarësia”. Në Kullën e Jasharëve në krye të sofrës është një hero tjetër i gjallë, Rifat Jashari, një shqiptar më shumë mitik se real. Sytë e tij shkëlqejnë me një dritë joniane. Aty janë dhe Lulzimi, Bekimi, Murati. Kastriot Shametaj, poeti që ishte me grupin tonë aty për aty thotë ca vargje: “Prehu i qetë komandant/Prehuni gra e fëmijë/ Ju jeni rrënja e kombit/ Ju jeni Flamuri ynë”. Po aty ne takojmë Marigona Jasharin, Shabanin dhe Ademin e vogël. Jasharajt po rilindin bashkë me rilindjen e Kosovës. Besarta e mbijetuara e ferrit dantesk vazhdon Universitetin e Prishtinës, ndërsa të tjerët kanë filluar vajtjen në shkollat fillore. “Hallë, do më sjellësh dhe mua pak pavarësi?”-më tha nipi im Justini, para se të nisesha në Kosovë, duke menduar si një katërvjeçar se pavarësia është një lodër e bukur. Por unë dola në foto me Jasharët e vegjël, bashkëmoshatarë të tij, që kanë të njëjtat ëndrra si dhe im nip e që luajnë tashmë si gjithë të tjerët dhe nuk i ngacmon më bisha serbe. Ti tashmë ke më shumë shokë e vëllezër për të luajtur nipi im.

Po aty , pranë kullës së Jasharajve, ne krijuam dhe degën e shoqatës sonë për Kosovën, me kryetar zotin Hibush Hetemin. Ne jemi për bashkim dhe vetëm bashkim. Rrugës për në Shqipëri, ne përshëndetemi me flamujt kuq e zi, ndërsa kur iu afruam trarit të doganës u thamë policëve: Kjo doganë nuk ka nevojë për ju, më! Nuk do të ketë më kufi shqiptaro-shqiptar!
Përsëri në Vlorë. Miqtë e mi më tregojnë sa çfarë ishte bërë në Vlorë më 17 shkurt. Shefi i Kabinetit të Bashkisë, zoti Arben Beqiri, m’i pat dërguar fotot me e-mail duke më sqaruar se :
Data 17 shkurt, ishte një ditë e shënuar edhe për qytetin e Vlorës, djepin e Pavarësisë Kombëtare, ku më 28 Nëntor të vitit 1912, u ngrit Flamuri ynë nga Ismail Qemali me Isa Boletinin dhe me patriotët e tjerë. Bashkia e Vlorës kishte kohë që po përgatitej për këtë festë. Mbas 96 vjetësh po ripërsëritej një histori e lavdishme, por tashmë protagonistët ishin në Kosovë, ku kryeministri Hashim Thaçi, me Presidentin Fatmir Sejdiu dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës po shpallnin Pavarësinë e saj, nën gjurmët e paraardhësve të tyre 96 vjet më parë në Kuvendin e Vlorës. U improvizua nga aktorët Besnik Aliaj dhe Vasillaq Godo,ardhja e Ismail Qemalit me Isa Boletinin në një pajton me kuaj, që e filloi nisjen në Shtëpinë Muze të Pavarësisë dhe përfundoi në Sheshin historik të Flamurit, i cili skuqte nga Flamujt Kombëtarë dhe nga një banderolë e madhe në të cilën shkruhej “Vlora e Pavarësisë për Pavarësinë e Kosovës”. Karvanin e madh që udhëhiqte procesionin për të festuar pavarësinë e Kosovës e shoqëronin grupet artistike të qytetit dhe konkretisht Ansambli “Labëria” dhe Ansambli “Aulona Folk”, të cilët vallëzonin dhe festonin Pavarësinë e Kosovës” duke kënduar këngë patriotike.

Mbas grupeve artistike vinin përfaqësuesit më të lartë të pushtetit vendor në Vlorë dhe konkretisht: Kryetari i Bashkisë Vlorë zoti Shpëtim Gjika, Kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë, zoti Agron Sharra, Prefekti i Qarkut Vlorë zoti Xhevahir Rexhepi, Kryetari i PS Bashkia Vlorë, zoti Eltar Deda, deputetët e Vlorës Bujar Leskaj dhe Ardian Kollozi, etj. Vargun e ndiqnin qytetarë të Vlorës, ushtarakë të Shkollës së Trupës Detare Vlorë dhe të Trupave Tokësore Bunavi. Në Sheshin e Flamurit ata u pritën nga qytetarë të ndryshëm që këndonin dhe hidhnin parulla për Pavarësinë e Kosovës. Përpara Monumentit të Pavarësisë, Kryebashkiaku Gjika mbajti dhe një fjalim të shkurtër, ku ndërmjet të tjerave tha se “Sot është një ditë e madhe për të gjithë shqiptarët. Sot përjetojmë ngjarjen më të rëndësishme në të gjithë historinë e kombit tonë, pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në 28 Nëntor 1912. Sot, Kosova martire, është më afër se kurrë, dheut mëmë. Sot flamuri kombëtar po valëvitet më lart se kurrë në historinë e tij. Ëndrra e miliona shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, sot u bë realitet. Shpirti ynë i përbashkët, këtej e andej kufirit, tashmë ka vetëm një simbol, Flamurin e Kuq që valëvitet i lirë edhe në Kosove, në Kosovën tonë, në Kosovën e të gjithë shqiptarëve, në djepin e shqiptarizmës. Prandaj dhe jemi mbledhur këtu, të gjithë bashkë, në këtë simbol të historisë sonë. Nga Sheshi i Flamurit, nga Sheshi i Pavarësisë, ne u themi vëllezërve tanë në Prishtinë, në Gjakovë, në Mitrovicë, në të gjithë Kosovën:

Ta gëzoni pavarësinë, ta gëzojmë atë të gjithë siç jemi, të bashkuar rreth ëndrrës sonë për të qenë të lirë.”
Më pas festa vazhdoi me një program të pasur artistik dhe me fishekzjarrë që çanë qiellin e kristaltë për këtë ditë historike për mbarë kombin tonë.”
Por festa vazhdon akoma kudo në botë ku ka shqiptarë.

Poezi nga LAURETA PETOSHATI




KAM PARË DETIN TË QAJË

Kam parë detin të qajë,
i shtrënguar në dhimbjen e tij të pamasë.
Kam parë detin të qajë,
I kufizuar në hapësirën e tij të mos flasë.

Kam parë detin vaj në vaj,
që lante fytyrën me lotët e kripur,
të cilët i thaheshin buzës, m’u në skaj,
kur heshtja shpotiste tronditur.

Kam parë detin të qajë
me dënesën që zbon pulëbardha, albatrosë,
cila tokë këtë det, vaj me det, do ta mbajë
varur pezull si në fije peri?! O Zot, Mos!

O Zot mos qoftë e thënë,
se nuk është hënë e ngrënë
por veç një det i tharë
shpërbëhet në një varr!

Kam parë detin të qajë,
lotët i rigonin me dritëhije,
thoshte: - i gënjyer jam, kam faj,
nuk kuptoja se brenda meje nuk kisha yje,
yjet në gjirin tim janë pasqyrim,
më vjen të plas si u gënjeva nga ky ndijim!

Kam parë detin të qajë,
detin vaj që vajtonte me lot të thatë
dhe yjet në qiell, në kupolë, atje në majë,
dënesa e tij i lante në shëmbëllim të qartë.

Pse qan me vaj, pa faj, i ndjeshmi det,
ti s’je gënjyer, ke ëndërruar se je poet!



Ti vogëlush me dialekt

Ti vogëlush me dialekt,
ti lule gishti, filiz mes baltës,
tingujpërzier, cigare shet,
në udhëkëmbimet e Tiranës.
çmimet rriten më shpejt se ti,
çanta me libra, halle, rëndon,
dhe pse duhanin, unë, nuk e pi,
ky shpirt, cigare nga ty, kërkon.
Ti vogëlush me dialekt,
i bukur si një perëndi
Tirana është kryeqytet,
ti vogëlush, kryenjeri.
Nuk je lypsar, me punë lyp jetë,
E sotmja, të ardhmen përditë ta merr
Hënëza në sy, ty, të rrëshqet,
Ndërsa sytë tanë.. zhyten në terr.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...