Një 13-vjeçare në rrugën e Zhyl Vern-it të famshëm
Vetëm 13 vjeç dhe shkruan e boton romanin e parë. Është nga Korça dhe quhet Enisa Adil. “Ti, jo më kot e ke emrin Enisa. Dhe ne e dimë që ti je nisur dhe po ecën në një rrugë të bukur, moj vajzë. Kjo rrugë të ka çuar mes yjeve dhe planetëve të çuditshëm, ku ti je si në shtëpinë tënde. I njeh dhe të njohin, i flet dhe të flasin, i buzëqesh dhe të buzëqeshin. Ti vetëm ecën e ngarkuar me dilemat e moshës dhe të papriturat e saj. Po ç’them edhe unë; ti Enisa nuk ecën, ti fluturon, duke kaluar me anijen tënde kozmike nga një aventurë në tjetrën, nga një çudi në tjetrën, nga një befasi në një tjetër. Dhe duke e mbajtur kështu lexuesin në mënyrën habitore... Ashtu si dhe të tjerë që e kanë lexuar në dorëshkrim këtë libër, edhe unë u gabova duke sjellë ndërmend idenë e një përkthimi. Por jo, ky libër, ndër të rrallët fantastiko-shkencorë në letrat shqipe e që janë aq të kërkuar nga fëmijët, mban emrin tënd: Enisa Adil. Rruga e mbarë të qoftë!”-kështu shkruan në parathënien e romanit poeti i njohur Skënder Rusi.
“Euin”, libri i parë i serialit “Sekreti i të fundit”, nuk është një roman i zakonshëm, pasi, ashtu si vetë ky emërtim i veçantë (me të cilin autorja Enisa Adil ka preferuar të nënkuptojë një lloj zambaku), libri tenton të shkojë në skajet e fantazisë. Përveç përmbajtjes fantastike, që të kujton librat e Zhyl Vernit, autorja, edhe pse mjaft e re në moshë, shfaq një leksik jashtëzakonisht të pasur që i tejkalon kufijtë e normales për brezin e vet.
Enisa ka arritur të shkruajë një roman me një strukturë moderne, ku bien në sy jo vetëm tituj e bukur dhe mjaft të gjetur, por edhe përshkrime të detajuara të disa kështjellave të çuditshme, të natyrës, ngjyrave, tingujve, sikur të ishte një piktore. Mandej, detajet e fantazisë teknologjike, përshkrimi i udhëtimeve dhe infra-strukturës ndërgalaktike mund të zilepsin edhe profesionistët. Po nuk mjaftohet vetëm më kaq: autorja depërton me këto përshkrime deri edhe tek personazhi, jo për të ndihmuar lexuesin të kuptojë personazhin, por për të ndihmuar personazhin të kuptojë vetveten.
Skeda e librit:
Autori: Enisa Adil
Titulli: Euin (Seria: Sekreti i të fundit, libri 1)
Gjinia: Roman fantastiko-shkencor
Redaktor: Skënder Rusi
ISBN: 978-9928-109-57-6
Copyright: Autore
Numri i faqeve: 304
Çmimi: 700 lekë/ 7 euro
Shpërndarja: Në të gjitha libraritë kryesore & Librari Online