Nga
Fritz RADOVANI:
RIN MONAJKA (DUKAGJINI)
(1953 – 1997)
●Në 60 vjetorin e lindjes... (11 Qershor 1953 – 1 Maji 1997)
Muri i Berlinit ra!
Ora e Lirisë nuk ndalej!
Në
dhjetorin e 1989, Çaushesku jep shembullin e “ruejtjes së parimëve
komuniste”...
Shqipnia
vazhdonte udhën e martirizimit komunist.
Me
14 Janar 1990, u thye njëherë e përgjithmonë miti i atij sistemi përbindsh!
Demostrata
e heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, njofton Tiranën endè të kuqe, se
komunizmit gjakatar i erdhi fundi!.. Mija vetë të grumbulluem në atë Shesh,
presin rrëzimin e bustit të diktatorit gjeorgjianokomunist Stalin. Mija vetë
drejtue sytë nga toka, presin kur po shprazën mbi kokat e tyne automatikët nga
dritaret e hotel Turizmit, Sahatit Inglizit, hetuesisë apo apartamentit mbi PTT
e qytetit, që ishin të mbushun me sampistë kriminel të ardhun nga Tirana, vetëm
për gjakderdhje e masakra ndaj Rinisë “rebele” shkodrane.
Angazhimi
i Ramiz Alisë: “Edhe bar do të hajmë e parimet nuk i shklasim!..”, asht krimi
ma i madh kundër Popullit Shqiptar! Po, a u mjaftue me kaq ?
-
Jo, sëpse në mbrendsinë e tij ziente krimi. Këte e vërtetojnë kufomat e
djelmëve të rijë, të mashtruem ndër kufinjë, të shporuem nga qindra plumba
automatiku dhe të lidhun në hunjë me tela me ferra, tue u shetitë ndër pjacat e
qyteteve...të të gjithë Shqipnisë.
Rinia
Shkodrane ka vendosë me u vetsakrifikue!
Mungonin disa
djelmë të cilët një natë maparë ishin tradhëtue e kapë nga forcat speciale të
ardhuna për këte qellim nga Tirana, të kryesueme nga krimineli Zylyftar
Ramizi...
Mikrobuzët e bardhë
të poliklinikës vazhdonin fotografimet dhe gatishmëninë!
Tek
sheshi qendror i Deshmorëve mungonte edhe Rini Monajka, djali trim që kishte
njoftue Ambasadën Gjermane për aksionin e organizuem me këte rasë. Rini ishte
ndër kryesorët e kësaj vepre heroike, me të cilën do ti tregohej Botës mbarë se,
në Shkoder gjaku i Martirve të ramë nën shpatën e diktaturës komuniste, po
vlonte në damarët e Rinisë, dhe se, Gjaku i Atyne Martirëve nuk kishte shkue
huptë...Mungonin edhe kriminelët Shyqyri Qoku me shokë...
Numri
i të arrestuemëve i kalon të 120 të rinjë dhe të reja, që torturohen mizorisht
nga organet e Sigurimit. Një pjesë përcillen për Tiranë ndër labirintët e zymta
të Ministrisë së terrorit. Shumë familje në ankth nuk dijnë as ku i kanë
djelmët e vajzat e tyne.
Diktatura komuniste
me buzët e saja të gjakosuna, vazhdonte zgerdhimjen sikur të mos kishte ndodhë
asgja në vendet e Europës Lindore! Flamurtarët e diktaturës krenoheshin...
Mbas
disa muej tortura e vuejtje një grup u dënue me nenët 57 dhe 55 të Kodit Penal
të RPSSH, që ishte në fuqi më këte motivacion: “Për krijimin e një organizate
kundër revolucionare me karakter antisocialist. Për krime kundër Shtetit dhe
për përmbysje të tij me dhunë...”, pra, siç shihët, rruga e hetimëve të çonte
drejtë plumbit. Spaçi e Qafë Bari...ndertonin socializmin!
Rin Monajka ishte
nder kryesorët organizatorë me Gjergj Livadhin, Dedë Kasnecin dhe djelmë të
tjerë që nuk e “njohën” friken e sigurimit katil të shtetit komunist.
Katilëve nuk i
mjaftonte fraktura e kafkës së kokës së Rinit në tortura, por duhej të vuente
edhe burg nder kampet e shfarosjes. Qendrimi i Tij burrnor asht një model i
qendresës kundrejt diktaturës terroriste ma mizore që ka përjetue Shqipnia për 47
vjet. Ndonse, nga kjo, Rini u torturue me mjetet ma të paligjëshme, endè sot
askush nga kriminelët nuk ka mbajtë asnjë përgjegjësi, përveç asaj që
terroristët janë të penduem për çka nuk kanë mujtë me ba!..
Kampi
i Qafë Barit dhe Burgu i Burrelit ishin e ardhmja e Rinit.
Një
çudi ndaj kësaj demostrate në Shkoder ishte qendrimi jo dashamirës i të gjitha
shtetëve fqinjë. Jugosllavia sigurisht parandjente diçka, e justifikueshme.
Një stacion i
radios greke pak muej para kishte transmetue: “Sikur të hapën kufinjtë e
Shqipnisë, nuk kanë me mbetë as breshkat aty, edhe ato do të ikin!...”, edhe
kjo një e vërtetë.
Italia
si gjithnjë përsëriti qendrimin e saj që ka mbajtë përgjatë gjithë Shekullit
XX. Ajo u tregue e gatëshme me ndihmue idealet e “socialistëve” të konvertuem
në “demokratë” (I vuna nder thojza, mbasi asnjeni emen nuk ka ekzistue kurrë në
drejtimin e shtetit që nga 1944).
Me
datën 16 Janar 1990, pra dy ditë mbas Demostratës, demokristjani i njohtun Roco
Butiglone, jep një deklaratë për shtypin: “Me datën 14 Dhjetor unë isha në
Shkoder, po gjendja në atë qytet ishte e qetë. Nuk më ka ra në sy ndonjë
demostratë....”. Me plot gojë një turp për atë deputet të “demokristjanës”
italiane. Ai me të vërtetë ka kenë në Shkoder, madje edhe në Kafe të Madhe,
edhe i ulun tek dritaria e tretë pranë xhamit në krahun e djathtë të Kafes,
sëpse, e kam pa unë me sytë e mij në ora 11.15’, pikërisht, kur në shesh ishin
mbi 4000 vetë në Demostratën e heshtun...dhe zotni “demokristjanit” nuk i
kishte ra në sy asgja, tue kenë jo ma larg se 20 ml., nga busti i Stalinit. E
çka kishin me pritë shkodranët e masakruem nga këta “demokristjanë”..?
Në
vitin 1991 Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shkodres, vetë Kryetari
Ferdinand Temali kërkoi me forcë lirimin e të dënuemve për rrëzimin e
monumentit të diktatorit Stalin. Me pjestarët e grupit u lirue edhe Rini
Monajka, ndonse i gjymtuem nga shndeti. Kur e takova mbas lirimit, ndjeva
vërtetë një kënaqësi që Ky djalë i kulturuem ishte i lirë, gjithmonë me shpresë
se do të përmirësohej edhe me shëndet, mbasi ngjyra e verdhë e ftyrës vazhdonte
me e shoqnue... Ishte mirnjohës dhe nuk dinte sesi me u shpreh per ndihmen e
madhe të Ferdinandit dhe BSPSh.
Mbas
lirimit nga burgu Rini, ashtusi shumë të tjerë që dhanë kontributin e Tyne tue
rrezikue jetën për të ardhmën demokratike të Shqipnisë, u harruene...shumë
shpejtë!
Kishe
shumë dëshirë që ti jepej mundësia e një kurimi të mirë kur mora vesh se iku në
Austri...por ndodhi e kundërta...ndoshta,...autoambulanca që me 14 Janar 1990,
qendronte para hotel Turizmit në Shkoder...e kishte ndjekë deri në Austri, deri
në Villach, ku me 1 Maji 1997, Rini Monajka mbylli sytë pergjithmonë krejtë i
vetmuem...si shumë Demokratë Shqiptarë!
Sa
pak janë këto rreshta per mirënjohjen që duhet të tregojmë për ditët e Lirisë
që na solli Rini dhe Rinia Shkodrane, ndonse sot, Veprave të Tyne, u kanë dalë
perzot shumë prej “atyne” që po kerkojnë me i harrue ose ma keq, me rikthye “disa”
foto terroristësh..!
Detyrohem
me persëritë edhe njëherë një ide që kam shpreh prej sa kohe:
Dikur,
në krahun e majtë të monumentit të Stalinit ishte një gur mermeri i daltuem.
Ishte mendue mbi Té me u vendosë një Shqipe me krah të hapun, simbol i së ciles
ishte ruejtja nën krahët e saj: “Lavdia
e Deshmorëve të Lirisë”. Njëditë guri kaloi nga turizmi...
Do të ishte me vlerë për Qytetin e
Shkodres, që në Parkun mbas Monumentit të Luigj Gurakuqit, të vëndoseshin disa
Gurë të daltuem (25 X 35 cm.) me emnat e Martirëve dhe të Dëshmorëve të
Shkodres... ku, në një prej këtyne Gurëve, duhet daltue edhe emni i nderuem i
shkodranit Hero i Demokracisë:
RIN MONAJKA (DUKAGJINI) 1953
– 1997.
Rinit! Në 60 vjetorin e Lindjes së Këtij Ylli, që
shndritë në qiellin e Demokracisë!
Autori...
Melbourne, 2013.