2013-12-05

Ermira Ymeraj - Pirg dhimbjesh


Picture

Poezia e Ermira Ymerajt është një poezi që mund të cilësohet ditar poetik i vetvetes. Ajo mund të lexohet si një dëshmi letrare e gjendjeve që kalon njeriu në ditët e sotme dhe që ka guximin t’i ndajë këto gjendje me të tjerët. Janë poezi fund e krye për dukuri metafizike të jetës së njeriut, si dhimbja, trishtimi, dëshpërimi, frika, mëria, urrejtja, qortimi, dhe rrallë e tek gëzimi e buzëqeshja.

Kjo është një shprehje e sinqertë dhe e vërtetë e vetvetes. Sepse gëzimi e lumturia janë vertikale, janë vetëtima në jetën e njeriut, gënjejnë të gjithë ata që thonë se kam qenë, jam e do të jem i lumtur: vertikaliteti është hyjnor dhe i përkohshëm, ndërsa përditshmëria është e sheshtë dhe e mërzitshme, pa ndriçime verbuese, jo vetëm për poetin, por për të gjithë.

Zakonisht poezia, qoftë kur vjen prej metaforës, qoftë kur vjen prej metonimisë, ka për qëllim të sekretojë. Poetët rregullisht krijojnë mure rreth vetes pikërisht kur ti mendon se po të bëhen udhërrëfyes i jetës së tyre. Kurse poezia e Ermira Ymerajt shfaqet në të kundërtën, e prirur për të shpallur përjetimet dhe jo për t’i mbushur me të paqenën ato. Në këtë kuptim, mund të thuhet se kjo nuk është një poezi eufemike, por e kundërta, kakofemike, që synon të denoncojë më shumë se të përkëdhelë, të paralajmërojë më shumë se të promovojë, të vetëqortojë më shumë se të qortojë.

“Pirg dhimbjesh” mund të çmohet si një spektër ngjyrimesh të pafundme të jetës së njeriut. Kjo poezi nuk vjen nga frymëzimi, ose më saktë rrallë herë vjen prej frymëzimit. Më së shumti vjen prej nevojës për vetëshprehje.

Kumtet e kësaj poezie nuk kanë të bëjnë me fatin e botës, me të këqijat e kohës, me dështimet e shoqërisë, me përmbytjen e qytetit, me krimet kanunore. Këto ndodhin jashtë shpirtit të autores dhe nuk kanë aq rëndësi. Rëndësi ka çasti i jetuar nga ajo vetë, qoftë ky një çast i bardhë apo i pikëlluar. Indiferente ndaj botës së madhe, Ermira Ymeraj shkon deri në kufijtë e egoizmit duke krijuar “ylberin” e ditëve të saj të larmishme, dhe duke qenë të tilla doemos edhe të pasura, por pa e kthyer veten në një mit, sikurse ndodh shumë shpesh me poezinë.

Herë-herë duket sikur Ermirën e thërret e shkuara, me të kryerat dhe të pakryerat e saj; herë të tjera ngjan e inatosur me njeriun por pa e humbur besimin tek mirësia; ndodh që të shfaqë kryet edhe mëria me botën, por jo humbja e besimit tek jeta.

Ermira Ymeraj është njeriu që ndryshon dhe ndryshohet; është nëna, por jo shtëpiakja; është mikja, por jo si një mike e rinisë së parë; është vetë, me gjithë të fshehtat e saj. Individualiteti i Ermirës në poezi shprehet jo vetëm prej gjetjes së poetikës tek pjesa nekro e jetës, por edhe në leksik e idioma. Ajo është mësuese e letërsisë, studiuese e saj, tashmë dhe në procesin e kryerjes së një doktorate për ringjalljen në folklor e në letërsi, por kjo nuk e pengon të përdorë forma dialektore, madje edhe ikje prej sintaksës e gramatikës, duke e çmuar poetikën një shkallë më lart.

Titulli: Pirg dhimbjesh
Autor: Ermira Ymeraj
Viti i botimit: 2011
Faqe: 131
Lloji: Poezi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...