2013-12-05

Shaban Sinani - Mitologji në eposin e kreshnikëve


Picture



Për eposin shqiptar është shkruar mjaft. Dijetarë jashtë vendit kanë botuar monografi për të, ose për motive të krahasuar të epikës legjendare. Por “Mitologji në eposin e kreshnikëve” është e para monografi për eposin që bëhet gati për botim këtu, në Shqipëri.
Gjithë tradita e studimeve, brenda dhe jashtë vendit, nga autori shihet me prirje integruese, duke synuar emancipimin e mendimit shkencor dhe çlirimin e dijes prej idesh fikse e kompleksesh.“Mitologji në eposin e kreshnikëve” është shkruar mbi bazën e një formimi kulturor dhe teorik shumë të gjerë. Ky nivel shënon një hap përpara.
Forcimi i prirjes për një metodologji perëndimore do të ndihmojë që të tejkalohet empirizmi që është trashëguar. Autori ka një njohje të shumanshme për lëndën folklorike shqiptare dhe e ka kapërcyer plagën e etno-folkloristikës sonë, karakterin përshkrues. Në këtë kuptim, studimi dëshmon një nivel shumë më të lartë se ai që është trashëguar. “Mitologji në eposin e kreshnikëve” nuk është një temë krejtësisht e re. Por është bërë një hap i ri përpara për të sintetizuar arritjet pozitive të deritashme.
Autori ka mundur ta përfshijë këtë temë në kontekstet e problematikës aktuale të albanologjisë në përgjithësi. Kjo ka bërë që në monografi të shtrohen disa nga problemet më të mprehtë të albanologjisë. Në monografinë “Mitologji në eposin e kreshnikëve” të  Shaban Sinanit eposi shqiptar është trajtuar nga të gjitha anët: historike (rruga e formimit), diakronike (prej formulimit të tezave të para shkencore deri tek debatet e sotme), mitologjike (shtresimi i vlerave letrare të tij prej fazave më të hershme të mendimit të figurshëm), hapësinore (trajtohet më vete çështja e vendformimit të eposit dhe e kuptimit të hapësirës në përfytyrimin mitologjik), krahasuese (ka disa përqasje në rrafsh ballkanik), strukturore (një vend të rëndësishëm zë në punim trajtesa rreth mekanizmit të qarkullimit gojor të eposit nëpër breza).
Ky vështrim i shumanshëm e bën monografinë e Shaban Sinanit një ndër më të arrirat, në mos më të arrirën, ndër studimet që janë shkruar deri tani për eposin legjendar. Ajo është një arritje e shkencës etno-folklorike shqiptare. Aparati konceptual i autorit është befasues për plotninë e tij, për aftësinë e mprehtë kritike. Meritë e veçantë e kësaj monografie është se autori ka kombinuar me sukses metoda të ndryshme: historike, etnologjike, etnopsikologjike, gjuhësore, strukturaliste, krahasimtare, duke shfrytëzuar për të forcuar argumentin shkencor avantazhet e secilës prej tyre.

    Titulli: Mitologji në eposin e kreshnikëve
    Autori: Shaban Sinani
    ISBN: 978-9928-109-08-8
    Faqe: 400

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...