2013-12-05

Kostë A. Çekrezi - Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja


Picture



Më në fund, pas 93 vjetësh, historia e parë e Shqipërisë shkruar në gjuhën angleze dhe botuar në SHBA në vitin 1919, ribotohet ne shqip, në gjuhën amtare të autorit, Kostë Çekrezit, një nga intelektualët dhe patriotët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria, pjesë e kuartetit të famshëm të diasporës shqiptare amerikane: Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako.
“Dhe se cilat janë të drejtat e Shqipërisë duhet mësuar jo nga ç’thonë fqinjët, rivalët apo armiqtë e saj të mundshëm, por nëpërmjet një mjeti më të drejtpërdrejtë e më të besueshëm - zërit të vetë shqiptarëve. Kjo është merita kryesore e librit të z. Çekrezi. Ai na jep mundësinë ta shohim Shqipërinë me syrin e një shqiptari. Për vite e vite me radhë, bota ka dëgjuar mjaft për punët e Shqipërisë, por ajo ka dëgjuar vetëm ç’thuhet thuajse tërësisht nga burime të jashtme; nga grekë, serbë a malazezë, dhe nga Fuqitë e Mëdha që, për arsye të vetat, më 1912 krijuan në Londër shtetin e Shqipërisë dhe ia dorëzuan atë një princi të panjohur gjerman - Vilhelm Vidit (Wied). Por asnjë popull nuk mund të shpjegojë saktë nevojat e dëshirat, të drejtat e aspiratat e ndonjë populli tjetër, njësoj sikurse asnjë individ s’mund të bëhet zëdhënës i saktë i askujt, përpos vetes së vet. Prandaj, është një kënaqësi e avantazh i qartë që, më në fund, kemi një interpretim nga vetë shqiptarët, një shpalosje të historisë së Shqipërisë, një paraqitje të kërkesave të shqiptarëve, drejtpërdrejt nga mendja dhe zemra e një vendasi. Sepse, me sa di unë, ky është i pari libër i një shqiptari për Shqipërinë që ka dalë në gjuhën angleze...”. Kështu shkruan Charles D. Hazen, profesor i historisë moderne në Universitetin e Columbia-s në parathënien e librit “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja” i autorit Kostë Çekrezi).
Kurse vetë autori, pra, Kostë Çekrezi, shkruan në hyrje të veprës së vet: “Vend misterioz”, “Vend i mrekullive”, “Shqipëria e panjohur”, “Më e errët se Afrika e errët”; këto janë vetëm pak nga cilësimet jo të zakonshme për vendin që banohet nga populli më i vjetër në Europën Juglindore... Sidoqoftë, sot nuk ka dyshim se shqiptarët janë raca më e vjetër në Ballkan... Pavarësisht nga kjo, problemi i Shqipërisë është një libër i palexuar jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për njerëzit që janë seriozisht të interesuar për të. 
Kjo mosnjohje e punëve të Shqipërisë vjen, jo ngaqë nuk interesohet kush për to, të paktën në këto kohë që po jetojmë, por ngaqë mungon një trajtesë tërësore e praktike mbi Shqipërinë. Është e vërtetë se për të janë shkruar libra të shumtë, por ato ose janë shkruar nga autorë amatorë që priren të spekulojnë për gjëra që i njohin fare pak, ose janë veçse monografi a skica që nuk e përmbushin dëshirën për informacion të përgjithshëm. Kjo është veçanërisht e vërtetë përsa u takon librave mbi Shqipërinë shkruar në anglisht e frëngjisht, ndërsa trajtesat gjermane e italiane për të njëjtën temë kanë më pak mangësi. Një tjetër mangësi serioze për të marrë informacion të përgjithshëm mbi Shqipërinë është se shkrimet përkatëse janë të shpërndara në një numër të madh librash, të cilët as mendohet që njeriu i zakonshëm të jetë në gjendje t’i përdorë sistematikisht. 
Ideja për të shkruar këtë libër mbi Shqipërinë fillimisht iu sugjerua autorit nga mësuesit e tij të Fakultetit të Historisë në Universitetin e Harvardit, në veçanti nga prof. A. C. Kulixh (Coolidge), lektor mbi Çështjet e Lindjes, i cili ndjente keqardhje të thellë që nuk kishte një trajtesë të tillë në gjuhën angleze. Gjatë studimeve në institucionin e sipër-përmendur, autori pati rast të shkruante disa teza e raporte rreth asaj çka është terra incognita e historisë së Shqipërisë - historia e saj bashkëkohore dhe gjendja në të cilën ndodhet. Prandaj, është e drejtë të thuhet se ky libër bazohet në një pjesë të madhe në ato teza e raporte, për aq sa lidhet me këtë dekadë”.
Ndonëse i njohur gjithandej nё diasporën shqiptare dhe nё qarqet politike përtej Atlantikut, emri i Kostё Çekrezit nё Shqipёri e nё vendlindje u mbulua nga misteri dhe heshtja e pamerituar pas viteve ’40 të shekullit të kaluar. Pёr fat tё keq, edhe pas rrëzimit tё regjimit totalitar komunist, kontributi i çmuar atdhetar i Çekrezit vijon tё mbetet edhe sot i pazbuluar.
Nisma e përkthyesit Arben P. Latifi, përkatësisht përkthimi cilësor, si edhe botimi i veprës “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja” (“Albania, past and present”, 1919), e para histori e Shqipёrisё e shkruar prej njё shqiptari nё gjuhёn angleze, e cila qarkulloi e vetme pёr shumё vjet nё kancelaritё perëndimore, duke e sjellё tashmë edhe nё duart e lexuesit shqiptar nё kuadёr tё 100 vjetorit tё Pavarësisё, ёshtё e para gjё serioze qё po bёhet pёr Kostё Çekrezin.
Kostë Çekrezi lindi në Ziçisht të Korçës në 31 Mars 1892, sipas deklarimit të tij në regjistrimin e vitit 1942 në Boston, ku jetonte si shqiptaro-amerikan, pasi ishte arratisur nga kampi i pёrqëndrimit “Le Vernet Internment Camp” në Francë. Pasi kreu studimet nё gjimnazin e Korçës, nё Qershor tё vitit 1910, njё ndёr gjimnazet mё nё zё tё kohës, sё bashku me “Zosimean” e Janinёs dhe atё tё “Adrianopojёs”, Çekrezi fitoi tё drejtёn tё vijonte Shkollёn e Lartё Turke tё Selanikut pёr drejtёsi. Studioi vetёm njё vit, nё 1911-1912, dhe në fund të 1912, me shpalljen e Pavarësisë, deri në vjeshtën e 1914, Vlora bëhet vendlindja e dytë e Kostё Çekrezit. Vetëm 21 vjeçar ai punon si sekretar i Gjykatores Civile tё Vlorёs dhe me tej, emërohet dragoman (sekretar-përkthyes) i Komisionit Ndёrkombëtar tё Kontrollit pranë Qeverisë së Ismail Qemalit dhe më vonë, Princ Vidit. Pas largimit tё Princ Vidit, në tetorin e po kёtij viti Çekrezi niset për nё Amerikë, i ftuar nga shoqёria shqiptare “Vatra”, pёr t’u bёrё editor i gazetёs “Dielli” në Boston, të cilën e ktheu në gazetë tё përditshme. Mori vlerësime tё shumta nga bashkёkombasit, madje dhe nga kundёrshtarёt e tij politikё, si njё “punёtor qё i kishte shokёt e rrallё”.
Jeta aktive nё Uashington e bёn tё njohur nё qarqet politike e diplomatike. Ndërkohë, Çekrezi plotëson shkollimin e tij në Harvard. Diplomohet në 1918 me gradën Bachelor of Arts dhe, pas kësaj, jep leksione si profesor i historisë në Colombia University.
Prej 2 Marsit 1920 (deri në 1922), Kostë Çekrezi është i pari përfaqësues i akredituar nga qeveria e Kongresit të Lushnjës pranë Qeverisë Amerikane, si Komisioner i Shqipërisë në Uashington. Në 1925 kthehet në Shqipëri dhe boton në Tiranë gazetat “Telegraf” dhe “Ora” deri në 1932. Kundërshtar i Zogut lidhur me disa koncesione në favor të bankave italo-shqiptare, Çekrezi bëhet njeriu më aktiv në organizimin e kryengritjes së Fierit. Por, me dështimin e saj, detyrohet të emigrojë nëpër Evropë deri në vjeshtën e 1941. Pastaj, rikthehet në Amerikë dhe themelon shoqërinë “Shqipëria e Lirë”, duke pretenduar tё njihej si president i një qeverie nё mërgim dhe angazhohet  për njohjen e Shqipërisë nga Uashingtoni. Më 1945 tërhiqet nga drejtimi i “Shqipërisë e lirë”. Një mbështetës i paepur i demokracisë dhe lirisё, Çekrezi, edhe pse i tërhequr, “e mban gishtin në damarin e lëvizjes kombëtare shqiptare”. Kjo duket edhe nga botimi nё Uashington, në vitin 1951, i librit "Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë", një vazhdim dhe plotësim i librit “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja”.
Bashkëpunues me figurat më në zë të kohës që nga Ismail Qemali, vёllezёrit Konica, Noli, Dako, dhe deri tek më të rinjtë, pastaj njohja dhe kontaktet me figurat e diplomacisë amerikane në nivelet më të larta të saj (Sekretarin e Departamentit tё Shtetit) dhe të huajt, flasin për një personalitet politik, letrar dhe patriotik ndër më të spikaturit. Kostë Çekrezi, ky njeri zemërmadh, patriot dhe intelektual i dorës së parë, siç mund të konstatohet lehtë edhe nga veprat që botoi apo la në dorëshkrim, mbylli sytë nё Village Virginia, pranё Bostonit, në datën 10 Janar 1959, në moshën 67 vjeçare. Në ceremoninë e varrimit të tij, Fan Noli e quajti Kosta Çekrezin "burrë shteti, që kishte luftuar gjithë jetën e tij për kombin dhe ky Djalë i Madh i Shqipërisë vdiq fukara".
Përkthimin e librit “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja” nga gjuha angleze në shqip e ka financuar fondacioni kulturor “Fan S. Noli”, Tiranë, në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar.

Autori: Kostë A. Çekrezi (B. A. Harvard)
Titulli: Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja 
Me një parathënie nga Charles D. Hazen [Çarlz D. Hejzn], profesor i Historisë Moderne në Universitetin Columbia.
Titulli i origjinalit: Albania: Past and Present. Botimi i parë: prill 1919, Nju Jork, MacMillan Co.
Përktheu nga origjinali: Arben P. Latifi
Kolana: "Në 100 vjetorin e shtetit shqiptar"
Redaktor:        Shaban Sinani
                        Naim Zoto
ISBN: 978-9928-05-098-4
Botues: Albpaper
Copyright (2012): Arben P. Latifi
Nr. i faqeve: 320

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...