2013-12-05

Franko Benanti - Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948


Picture

Përmes librave me kujtime  “Përpara gjyqit të historisë” me autor Xhelal Staraveckën dhe tashmë librit të sapodalë në librari ““Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (“La gurra più lunga: Albania 1943-1948”) të italianit Franko Benanti, shkruar të dy, pra, nga protagonistë dhe dëshmitarë okularë të historisë shqiptare, zbulohet edhe “origjina” e dy veprave të shkrimtarëve më të njohur: I. Kadare e D. Agolli, përkatësisht të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” dhe “Njeriu me top”. “Gjenerali” dhe “vejusha” e tij apo Mato Gruda dhe “profesori italian i topit” rezultojnë të kenë qenë personazhe realë, të cilat në librat me kujtime të sipërcituar dalin me emra e mbiemra.
Franko Benanti (1913-1987), autori i librit “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, botuar e ribotuar disa herë në vendin e tij, në Itali, por që në gjuhën shqipe publikohet për herë të parë nga shtëpia botuese “Naimi”, është një prej dëshmitarëve të paktë të luftës dhe të pasluftës antifashiste në Shqipëri, që kanë shkruar për çfarë kanë parë dhe jetuar vetë gjatë atyre viteve të vështira. Duke qenë mjek i mobilizuar në ushtrinë fashiste, Benanti erdhi me një mision të përkohshëm në Shqipëri për herë të parë në vitin 1941, ndërsa nga gushti i vitit 1943 deri në qershorin e vitit 1948 ai do të bëhej pjesë e kalvarit që pësoi ushtria e Musolinit.
Pas shpartallimit të ushtrisë italiane, autori i librit shërbeu si mjek në spitalet partizane e vitet e fundit si “plaçkë lufte”.Pikërisht për shkak të profesionit, pra, duke bredhur nëpër spitalet ambulante të luftës në jug të vendit, Benanti do të njihte “pas perdes”, nga afër, disa prej protagonistëve të Luftës Çlirimtare  dhe pushtetit komunist të dalë prej saj, duke filluar me Hoxhën, Shehun, Kapon, N. Spirun, Koçi Xoxen, Gogo Nushin, Drita Kosturin, Ibrahim Dervishin, Liri Gegën, Islam Radovickën, Liri Belishovën, Beqir Ballukun, Manush Myftiun, Riza Kodhelin, dr. Polenën, Sherif Klosin etj.
Në libër jepen informacione interesante edhe për aspekte e faktorë të tjerë të luftës si  situata kaotike e shpartallimit të ushtrisë fashiste apo sakrificat dhe kontributi i atyre italianëve që, pas kësaj, iu bashkuan apo i shërbyen krahut antifashist dhe rindërtimit të vendit, ndërhyrjes jugosllave në politikën shqiptare.  Në këtë libër veçmas  jepen të dhëna konkrete për fillimet e politikës ateiste të regjimit komunist si edhe represionin e ushtruar ndaj disa prej figurave të klerit katolik.
“Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (“La gurra più lunga: Albania 1943-1948”) është një libër i dobishëm, ku qindra lexues do të gjejnë të dhëna për jetëshkrimet e prindërve apo gjyshërve të tyre, ku studiuesit e historisë së luftës antifashiste do të gjejnë burime parësore për verifikimin e pikëpamjeve dhe të tezave të parashtruara deri më tani; ku mund të vërejnë edhe pamjen e vërtetë të fashizmit në periudhën e rënies.

    Titulli: “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”
    Autor: Franko Benanti
    Gjinia: Kujtime historike
    Përkthyes: Luan Malaj
    Redaktor: Naim Zoto
    Nr. i faqeve: 344
    ISBN: 978-9928-109-29-3
    Viti i botimit: 2012

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...