2013-12-05

Irakli Koçollari - Arvanitët


Picture



Arvanitët, ose arbrit e Mesjetës të larguar nga toka amë nëpër mugëtirat historike drejt jugut ballkanik dhe të vendosur pothuaj nëpër tërë hapësirat e Greqisë, janë padyshim një pjesë e patjetërsueshme e historisë së kombit shqiptar. Ata kurrsesi nuk mund të mënjanohen. Pa jetëshkrimin e tyre e tyre, historia e kombit shqiptar do të ishte e cunguar.
Kjo farë krenare, e cila, sipas burimeve greke, përllogaritet të jetë rreth 3 milion në Greqinë e sotme, vazhdon të mbijetojë dhe të bëjë historinë si një pjesë vitale e atij vendi, mes stuhive të asimilimit dhe ruajtjes së identitetit. Për historinë, rrugën, kontributet dhe identitetin e arvanitasve, sot ka më shumë anë të errëta, të panjohura, të pandriçuara sa me të drejtë çdokush mund të shtrojnë pyetjet: Si u gjend tërë kjo masë e madhe e popullsisë arbërore në këto vise?
Kur shkoi, ku u vendos dhe ku gjendet ajo aktualisht? Në ç’kushte dhe për ç’arsye ndodhi ky emigrim? Si u pritën ata nga vendasit? Ç’ngjau me ta në rrjedhat e shekujve? Kështu e hap veprën e tij të re, “Arvanitët”, autori i saj dr. Irakli Koçollari. Sepse, ndoshta, e di më mirë se kushdo mungesën e literaturës për këtë argument ende të mjegullt për historiografinë tonë. Sa njohuri ka opinioni shqiptar apo edhe të huajt të interesuar për çështjen shqiptare, përshi edhe arvanitët?
Për shqiptarin e zakonshëm, njohuritë për arbërorët e Greqisë, apo arvanitët, siç thirren tani, janë të mangëta apo jo serioze. Të pakët janë ata që kanë idenë për përmasat e shtrirjes gjeografike dhe numerike të arvanitëve në periudhën paraosmane gjatë së cilës rreth mijëra arbër u zhvendosën drejt jugut, duke konsoliduar praninë masive, në brigjet e Egjeut, në Greqinë e sotme. Sa dinë për figura të tilla të kohës, të origjinës arbërore si Leon Sguro, Dhimitër Rendi, Pjetër Bua, Teodor Buhali, Manuel Bakali, Doskja, Krokondil Klada, Dhimitër Bakali, Teodor Bua, Primo Koka e të tjerë?
Sa dinë për “stratiotët” arvanitë të shpërndarë anekënd fushave të betejave të Evropës, për gjeneralët e tyre të famshëm si Merkur Bua etj., që u ngjitën në shkallët më të larta të hierarkisë ushtarake evropiane në shekujt XV-XVI, kur ende mund të identifikoheshin si arbërorë apo arvanitë? Sa realisht dinë për përbërjen etnike të viseve ku, si rezultat i një lufte çlirimtare, në fakt shumëkombëshe, në Ballkan, në shek. XIX, u krijua shteti i parë i pavarur, shteti grek, si edhe për rolin e arvanitëve në arritjen e pavarësisë e të konsolidimit të tij etj?
Monografia “Arvanitët” e Irakli Koçollarit, botim i shtëpisë botuese “Naimi”, Tiranë 2012, synon të japë një informacion të plotë, gati shterues për botën arvanite, duke trajtuar aspektet kryesore të historisë dhe personaliteteve të shquar të saj nga shekulli 13 e këndej.

    Titulli: ARVANITËT
    Autori: Irakli Koçollari
    ISBN: 978-9928-109-25-5
    Faqe: 324

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...