2013-12-05

Mimoza Cika-Kelmendi - Kosova si çështje europiane Picture

Picture


Kosova si çështje europiane” është libri më i ri i gazetares së Deutsche Welles, Mimoza Cika-Kelmendi, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë, i cili del pikërisht në Ditët e Europës. Bëhet fjalë për një studim monografik që u kushtohet tërësisht raporteve të shtetit të ri të Kosovës dhe aspiratës së popullit kosovar për të qenë pjesë e Europës së bashkuar. Me përvojën e saj shumëvjeçare në DW, ajo sjell para lexuesve rrugën e gjatë që BE ka bërë për Kosovën qysh nga lufta në 1999 dhe deri në ditët e sotme. Libri nis me një parathënie në formë bisede të diplomatit austriak dhe ekspert për Ballkanin Wolfgang Petritsch: “Kosova në të vërtetë është prova e lakmusit për funksionimin e BE-së. Në qoftë se BE nuk arrin që problemin e Kosovës në sensin konstruktiv ta zgjidhë për të mirën e qytetarëve të saj, atëherë Kosova ka dështuar dhe nuk ka të drejtë të njihet si një aktor ndërkombëtar. Brukseli dhe Prishtina duhet të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë. Njeriu duhet të shikojë që në Prishtinë është vendosur një shtet i të drejtave dhe që nuk ka korrupsion. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe, sepse edhe njerëzit do të kishin një ndjenjë, atë të qenies pjesë e Europës”, shkruan diplomati i njohur në hyrje të librit. Më tej, autorja fokusohet në sfidat dhe vështirësitë e ndërtimit të një paqeje të qëndrueshme, integrimin europian të Kosovës, duke analizuar veçmas faktorët pengues, marrëdhëniet ndëretnike dhe situatat në veriun e Kosovës. Libri ndjek hap pas hapi axhendën e Brukselit për Prishtinën, pasqyrimin e kësaj rruge dhe refleksionet e politikës kosovare për të përmbushur parimet dhe standardet europiane duke parashtruar avantazhet dhe disavantazhet e shtetit më të ri ballkanik për t’u bërë pjesë e BE. Vend të rëndësishëm në këtë studim zë dhe roli i Gjermanisë në rrugën e përshpejtimit të reformave europiane, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe bashkëpunimi me vendet fqinje. Por a është më i lehtë apo më i vështirë integrimi në BE i shtetit më të ri të Europës? Për t’u përgjigjur kësaj pyetjeje, autorja i referohet në mënyrë kronologjike zhvillimeve BE-Kosovë, ekspertëve ballkanikë e ndërkombëtarë, shtypit gjerman të cituar në Deutsche Welle. Mimoza Kelmendi është po ashtu autore e librit “Kadare ndryshe”, i pritur me mjaft interes nga lexuesi shqiptar.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...