2013-12-05

Shaban Sinani - Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K."


Picture





















“Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K.”, botimet “Naimi”, Tiranë 2011,  është  botimi i ri i plotësuar me dokumente e analiza të reja për veprën e shkrimtarit më të madh shqiptar  I. Kadare, pasi kaluan afro 10 vjet nga botimi i vjetër nën titullin “Një dosje për Kadarenë” (Tiranë 2005).
Ky botim i ri u bë i nevojshëm për shkak se kishin dalë disa dokumente të reja dhe nga lexuesit e opinioni pati kërkesa që dokumentet të botoheshin të plota. Në gjendjen e re libri përmban dy pjesë. Në pjesën e parë botohet monografia “Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare”, një studim i nisur dhe i kryer si projekt shkencor, që ka për qëllim të paraqesë kushtëzimin kontekstual të letërsisë në shoqëritë e mbyllura, përmes rastit më të diskutueshëm gjatë dy dekadave të fundme, letërsisë së Ismail Kadaresë.
Në këtë diskutim janë përfshirë dhe studiues të huaj, historianë të “luftës së ftohtë” dhe të totalitarizmit, përkthyes të veprës së shkrimtarit, albanologë. Studimet letrare, sido që për nga natyra dhe metodat bashkëkohore janë gjithnjë e më tekstocentriste, kur është fjala për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë, nuk i shmangen dot kontekstit historik.
Në pjesën e dytë botohen dokumentet, të pajisura me shenjime informuese të saktësuara e të plotësuara, si dhe me referencat e burimit arkivistik, që lejojnë e lehtësojnë shfrytëzimin e tyre prej cilitdo që është i interesuar për një njohje të drejtpërdrejtë të tyre. Në këtë botim janë shtuar afërsisht 15 dokumente të reja, të cilat në kohën e botimit të parë e të dytë ishin ende nën kufizimet e Ligjit 9154 “Për Arkivat” ose nuk ishin identifikuar në procesin kërkimor.
Nga dokumentet, nuk është hequr a shkurtuar asnjë prej atyre që kishin koleksionit të dy botimeve të para. Midis dokumenteve të shtuara, dy letra të M. Shehut për E. Hoxhën, që botohen në këtë libër për herë të parë, janë me rëndësi parësore për të kuptuar raportet e shkrimtarit me pushtetet dhe sidomos për të verifikuar konceptin për letërsinë si çështje shtetërore.
Duke qenë një botim i llojit dossier, nuk është përzgjedhur a përjashtuar asnjë dokument i zbuluar dhe ndonjëherë botimi i tyre përmban edhe fragmente që s’lidhen drejtpërdrejt me argumentin e këtij libri, por thjesht përjashtojnë paragjykimet. Po ashtu, duke qenë se gjatë dy dekadave të fundme janë bërë shumë debate për vërtetësinë a pavërtetësinë e paraqitjes publike të bashkëbisedimit / debatit të intelektualëve shqiptarë në takimin me R. Alinë në gusht të vitit 1990 (në atë kohë kryetar i shtetit shqiptar), në përbërje të këtij libri botohet për herë të parë në tërësi pjesa e debateve Kadare-Alia, shoqëruar me referenca të sakta kronografike në fonodokumentin origjinal që ruhet në dy pjesë në formatimin CD në rrjetin arkivor kombëtar.
Në botimin e ri u gjykua me vend që të vihen emrat e plotë të hartuesve dhe nënshkruesve të dokumenteve, për atë pjesë që në botimet e mëpërparshme kishin mbetur të identifikuar vetëm me nistore (iniciale), kryesisht për arsye etike. Në dy botimet e mëhershme u quajt me vend “kursimi” i tyre, si një e drejtë e fundme morale që hartuesit të dokumentit t’i jepet një kohë dhe mundësi ta shpallë vetë autorësinë dhe të përligjë qëndrimet e mbajtura ose të përgjigjet për to.
Botimi i dokumenteve me nënshkrimet e plota të autorëve do të dëshmojë shkallën e paimagjinueshme të demonizimit të shkrimtarit prej shkrimtarit gjatë periudhës totalitare; si dhe mund të ndikojë për mirë në debatet që hapen e rihapen në formë fushatash për qëndrimin ndaj fshehtësive të arkivave dhe sidomos ndaj dosjeve të policisë së fshehtë politike.

    Titulli: Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K.”
    Autori: Shaban Sinani
    ISBN: 978-9928-109-09-5
    Faqe: 480

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...