Prof. dr. Emin Kabashi, Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Studimi i Ermira Ymeraj Shtegtimi i miteve: nga religjioni e folklori, në letërsi thuajse është një temë e veçantë në planin e shqyrtimit të kësaj materie, sa të lashtë për përvojën njerëzore, aq edhe të re për fushën e studimeve albanologjike. Studiues të ndryshëm shqiptarë të fushës së albanologjisë, po edhe të huaj, kanë dhënë ndihmesa me vlerë në disa plane të këtyre shqyrtimeve që ka marrë për temë studiuesja e re, Ermira Ymeraj, por këtu janë trajtuara dy rrafshet themelore të ekzistencës së mitit të ringjalljes në përvojën jetësore të njeriut-janë trajtuar në folklor dhe në letërsi. Derisa folklori ka qasje tjetër në përthithjen e miteve, edhe mitit të ringjalljes, në letërsinë shqipe del dukuri mjaft e rrallë për të mos thënë e varfër në punë të trajtimi artistik të mitit të ringjalljes.
Letërsia biblike e ka më të shpeshtë si temë, por niveli i saj nuk kapërcen nivelin e mësimeve të kodifikuara fetare. Ndërsa letërsia moderne shqipe, mund të thuhet, e ka prijatar Mitrush Kutelin (E madhe është gjëma e mëkatit), për të ardhur të Kadare (Kush e solli Durontinë, po edhe në ndonjë vepër tjetër), te Qosja, sidomos në dramat e tij (Mite të zhveshura), te Trebeshina (Kukudhi) dhe te ndonjë krijues tjetër. Autorja e studimit “Shtegtimi i miteve: nga religjioni e folklori, në letërsi” ka qëmtuar me durim dhe me përkushtim praninë e mitit të ringjalljes në të gjitha periudhat kohore të gjëllimit të tij, që nga parakristianizmi e këndej, siç ka gjetur shëmbëllime të pranisë së tij në kultura dhe fe të ndryshme të popujve të ndryshëm.
Përjetësia si dhuratë e amshueshme dhe si kërkimi i njeriut
Në kapitullin e parë, autorja, Ermira Ymeraj ka shtruar disa çështje interesante, jo vetëm për informacionin e bollshëm që ka sjellë, por edhe për mënyrën e trajtimit të atyre burimeve nga ka marrë informacionin shkencor e kulturor. Mënyra e këtillë e qasjes së mitit të ringjalljes, i ka dhënë dorë të gjurmojë ekzistencën e tij që në fillesë, me mitin e përjetësisë, në mënyrë që pastaj të bëjë përqasjen e duhur për të shkoqitur çështjet që ka marrë në shqyrtim.
Fillimisht, lexuesi mund të krijojë përshtypjen se autorja e studimit ka ndjekur një lloj kronologjie, në punë të qëmtimit për trajtimin e temës, por kjo përshtypje hiqet posa fillon leximi i mirëfilltë i studimit, si dhe, po sa të konsultohen burimet shkencore e kulturore ku e ka mbështetur hulumtimin e saj.
Rrjedha e shqyrtimit ka ndjekur, në një dorë, ecurinë e lashtësisë së ekzistencës së mitit në ndërdijen e njeriut, duke bërë përpjekje që të përthekohen nyjat themelore të pranisë së tij në jetën kulturore dhe shpirtërore të akëcilit popull. Jo, rastësisht prandaj, kjo rrjedhë qëmtohet duke filluar nga epi i lashtë iGilgameshit, përmes ecejakeve të hebreut shëtitës, që në një mënyrë del si dënim i tij me përjetësinë, duke ardhur deri të arti letrar i Mitrush Kutelit tonë të madh, sidomos me krijimin e tij të njohur artistik E madhe është gjëma e mëkatit.
Kjo ecuri është ndjekur më tutje, jo vetëm për të mbarështuar çështjet që kanë krijuar caqet e studimit të autores, por edhe për të dhënë praninë e mitit të përjetësisë, thuajse në gjithë kulturat e popujve të botës. Prandaj, doemos, e ka kërkuar praninë e mitit edhe në letërsinë ungjillore, që më thotë mendja është ndër qasjet interesante që ka bërë në punën e saj. Prania e mitit të përjetësisë në veprën madhore të lashtësisë, siç është Shah Name-ja dhe hetimi i pranisë së tij në kulturën e lashtë greke, që nga Herakliti e deri të krijimi i eposit të madh grek, dëshmon për shtrirjen e njohurive të autores në këtë studim.
Kulti i ringjalljes dhe prania e tij në kulturën e popujve
Studiuesja e re, Ermira Ymeraj, në studimin e saj Shtegtimi i miteve: nga religjioni e folklori, në letërsi, në kapitullin e dytë ka prekur disa anë të gjëllimit të mitit, sidomos në letërsinë biblike, për të cilën mund të thuhet se edhe në kulturën shqiptare është e studiuar, sidomos nga kleriku shqiptar. Mirëpo, autorja ka ndjekur një rrugë interesante për të hetuar praninë e fenomenit të ringjalljes në këtë letërsi, apo qoftë edhe në paralargjet e saj, duke alternuar këto përfytyrime varësisht nga cila kulturë është marrë, varësisht nga cila periudhë kohore, si dhe varësisht nga cili nivel i qytetërimit të akëcilës kulturë të popujve ku janë të pranishme mitet e ringjalljes.
Studiuesja Ermira Ymeraj, duke sistemuar njohuritë për mitin e ringjalljes në letërsinë biblike, ka hetuar edhe atë anën ekskluzive të mitit të ringjalljes në atë letërsi, sidomos në atë që quhet letërsi ungjillore. Edhe në kulturën shqiptare kjo letërsi ka bërë jetën e saj, që nga lashtësia e këndej, por marrë në tërësi, kanë munguar studimet, shqyrtimet dhe analizimet për çështje të caktuara të saj, andaj kanë munguar studimet edhe për mitin e ringjalljes në këtë lloj të letërsisë. Mirëpo, natyrshëm dhe me njohuri të mjaftueshme, pastaj e ka trajtuar këtë çështje në format laike të pranisë së mitit, sidomos në kremtet popullore, për të cilat studimet tonë thonë se nuk kanë ndonjë kufi të prerë të përkatësisë fetare, gjë që dëshmon edhe për lashtësinë e pranisë së tyre në kulturën shpirtërore të popullit shqiptar. Duke qëmtuar me kujdes praninë e mitit të ringjalljes në të gjitha kremtet, si dhe llojet dhe format e zbatimit të tyre në aspektin festiv të kremtimit, por edhe shkallëzimin e ndryshimeve të tyre nga niveli i fillesës nëpër periudha të tjera kohore, autorja ka dhënë të plotë pasqyrën e pranisë së këtij miti edhe në këto forma laike të ekzistencës së tij.
Miti i ringjalljes së madhe në letërsinë shqipe
Rrafshet e hetimit të pranisë së mitit të ringjalljes, duke filluar nga prania e tij në baladën shqiptare e duke qëmtuar nëpër shenjat kryesore të humanizmit evropian, dëshmon për durimin hulumtues të studiueses, jo vetëm në qëmtimin e këtyre fakteve, por edhe në krijimin e rrafsheve të ngjashmërive, që mendoj, është ana më me vlerë e studimit të saj. Prandaj, jo rastësisht, mund të thuhet se kapitulli i tretë i studimit të autores Ermira Ymeraj, mund të konsiderohet edhe si një vlerë me vete në tërësinë e studimit të saj, por edhe si një qasje e re për të hetuar praninë e letërsisë së madhe shqiptare, sidomos në planin e përmasave të saj evropiane, edhe me trajtimin e mitit të ringjalljes.
Rrafshet e ngjashmërive, autorja nuk i ka kërkuar vetëm në hapësirat e kulturave evropiane, që nga koha e humanizmit evropian, por edhe brenda shtatit të letërsisë shqipe, pa marrë parasysh pajtohemi apo nuk jemi dakord me përfundimet që ka nxjerrë, por doemos jemi të një mendjeje me qëmtimet që ka bërë, jo vetëm për ta hetuar pranin e mitit të ringjalljes në vepra të ndryshme të letërsisë sonë, por edhe mënyrat e ndryshme të zhdërvillimeve artistike të tyre në akëcilën prej këtyre veprave. Këtë kënaqësi leximi dhe studime ia kanë afruar veprat e Kadaresë dhe ajo e Kasem Trebeshinës, por edhe qëmtimet që ka bërë edhe në vepra e lloje të tjera letrare. Autorja, pastaj është marrë edhe me çështjen e pranisë së paratekstit, siç mendon për tekstin e baladave dhe të tekstit, siç i del për romanin, gjë që i ka dhënë dorë të shqyrtojë nivele të ndryshme të shkrimit dhe të vlerave të tyre letrare dhe artistike.
Në jetën tonë kulturore përherë kthehet cikli i kreshnikëve
Autorja Ermira Ymeraj në studimin e saj Shtegtimi i miteve: nga religjioni e folklori, në letërsi, mund të thuhet, ka pasur të paracaktuara rrafshet e qëmtimit të hulumtimit të saj shkencor e kulturor. Mirëpo, kjo ka kërkuar lexim të plotë të paraletërsisë dhe të letërsisë, siç ka kërkuar edhe njohuri elementare për mënyrat dhe anët e qasjeve që u janë bërë këtyre dukurive edhe në kulturën tonë, edhe në kulturat e popujve të tjerë, ku gjëllijnë këto mite.
Në kulturën tonë, sidomos në nivelin e studimeve monografike, mund të thuhet se përherë kthehet cikli i kreshnikëve, jo vetëm me vlerat e tij madhore, por edhe me këndvështrimet e ndryshme, qoftë në planin analitik, qoftë në punë të sintetizimit të rezultateve të arritura. Por, studiuesja ka gjetur ato shtresime, që ia ka përcaktuar edhe tema e studimit të saj, por edhe kërshëria e saj hulumtuese, që të shqyrtojë asket të ndryshme të mitit të ringjalljes, sidomos në ciklin e kreshnikëve tanë. Nuk është me rëndësi, a pajtohet lexuesi me atë “vdekjen e përkohshme”, që autorja ka vënë te krijime të ndryshme të këtij cikli, por mënyra si i është qasur pranisë së këtij miti në këtë cikël, dhe përfundimet që ka nxjerrë janë doemos interesante dhe zgjojnë kureshtje.
Duke hulumtuar nëpër hullitë e kulturës sonë, praninë dhe gjëllimin e mitit të ringjalljes, autores i ka dalë në udhë edhe kërkesa, si kërshëri dhe si rrafsh i ngjashmërive, që të qëmtojë praninë e këtij miti edhe në kulturat e popujve të tjerë, sidomos të ata që janë fqinj me shqiptarët dhe kulturën shqiptare. Përngjasimet që ka hetuar, rrafshet e ngjashmëri që ka prekur lënë për të kuptuar se studiuesja e re, Ermira Ymeraj, e zotëron mirë gjerësinë e këtyre çështje, sidomos në zbërthimin e pranisë së mitit të ringjalljes të kulturat e këtyre popujve.
Në studimin e saj, Ermira Ymeraj ka përfshirë edhe një Antologji me këngë të ringjalljes, sa duket për ta dëshmuar jo vetëm praninë e trajtimit teorik të tyre, por edhe ekzistencën e tyre të mirëfilltë artistike. Qoftë edhe me përfshirjen e kësaj antologjie në studimin e saj, autorja, mund të thuhet, ka përmbyllur kërkimin për këtë temë.
Mirëpo, ajo ka bërë përpjekje të rrumbullakojë gjithë përvojën e saj krijuese, në planin e studimit të çështjeve që ka marrë në spikamë, edhe për të shpaluar gjerësinë e temës, edhe për të konkretizuar disa nga pikëpamjet e saj lidhur me mitin e ringjalljes. Nëse shihen me kujdes burimet e informacionit, referencat që ka përdorur gjatë trajtimit të materies në studimin e saj, literaturën e shfrytëzuar, mund të thuhet se studiuesja e re ia ka dalë me sukses të plotë shqyrtimit shkencor të një problemi shumë të diskutueshëm në kulturën tonë dhe në arritjet tona shkencore, siç është prania e mitit të ringjalljes në folklor dhe në letër