2013-12-05

Camillo Libardi - Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu


Picture



Libri i autorit italian Camillo Libardi “Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu” (Come si é fatto re d'Albania Ahmet Zogu), kujtime historike: 1918-1940, është botuar në gjuhën italiane në maj të vitit 1940, ndërkohë që vjen në shqip nga shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2012.
Duke qenë një vëzhgues i hollë i jetës dhe politikës shqiptare, duke jetuar prej disa dekadash në Shqipëri, kryesisht në Shkodër dhe rrethinat malore, në mjediset e klerit katolik dhe në shtëpitë e shqiptarëve të thjeshtë, autori italian Camillo Libardi na jep një tablo të gjallë të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, duke u fokusuar në stilin shqiptar të qeverisjes dhe të politikanëve të saj.
Sipas tij, qysh në atë kohë, politika shqiptare nuk ka pasur lidhje me mirëqeverisjen por me sundimin me çdo kusht dhe me çdo mjet, duke vazhduar traditën e qeverisjes otomane. Libri përshkruan me hollësi të gjitha makinacionet dhe protagonistët e asaj kohe për të nënshtruar Veriun shqiptar. Natyrisht, vendin kryesor në këto kujtime e zë Ahmet Zogu, rruga që ai imponoi për t’u kurorëzuar Mbret.
Të ashtuquajtur krerë, bajraktarë apo klerikët, intelektualët më në zë  të Shqipërisë së Veriut, duke nisur me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni i Mirditës, dom Lazër Shanto, Rexhep Shala, Kazazët, Bumçët, Bernardin Shllaku, Ahmet Frashëri, Lazër Mjeda, Musa Juka, Gjon Gazulli e plot figura të tjera të kohës janë pjesë në dëshminë interesante të Camillo Libardit.
Në këtë libër përshkruhen me detaje ngjarje të panjohura historike si rebelimet antizogiste në Veri të vendit, reprezaljet e Zogut në Shkodër, Dukagjin dhe Temal, lufta e Zogut kundër opozitës, ekzistenca e të burgosurve politikë apo e vrasjeve politike.
Gjithashtu, në libër jepen dëshmi të reja për atentatin kundër Zogut në Vjenë, për vrasjen e Bajram Currit, rolin e madh që kanë pasur gazetat e asaj kohe si “Ora e maleve” apo “Hylli i Dritës”, ashtu si jepen dëshmi me interes për raportet e religjionit, fesë me politikën dhe regjimin.
----------------------

“Të bëhesh princ, edhe sikur të mos jesh plotësisht princ, por të paktën president republike ose, të paktën, të paktën mbetet të bëhesh diktator. Ky ishte dhe është qëllimi i beut të Matit. Për këtë qëllim, ambicia e tij e pakufi nuk deshi t’ia dijë për mjetet që përdori. Për këtë plan iu desh të sakrifikonte gjithçka, edhe me kusht që Shqipërinë ta copëtonin...
Për këtë nga jashtë krijoi aleancë me Jugosllavinë dhe nga brenda intrigat me feudalët. Ishin këto dy shkallët që i nevojiteshin për të hipur në fron. Në tre vitet e qeverisë së tij, i rrethuar nga ministra vasalë ose më mirë kukulla, mundi të thotë se ai nuk ishte vetëm kryetari i tyre, po i vetmi ministër i Shqipërisë! Princ i vërtetë.
Deputetë të blerë e gazetarë të shitur e thërrisnin “Shpëtimtar i atdheut”. Madje, disa poetucë rrugësh i këndonin në vargje ose më mirë të themi e ngrinin në qiell me himnet e këngët e tyre; ai që në kafenetë e Tiranës nuk duartrokiste kur këndohej himni i tij, do të rrihej pa mëshirë nga xhandarët e nga admiruesit e tij; bujtës të huaj stamponin në pëlhura rrezet e fytyrës së tij princërore, pallatin e tij të rrethuar me mure, kanale, përforcime e roje trupmëdhenjsh e të fuqishëm, ish të dënuar për krime, roje nderi: të gjitha këto mund të quheshin rezidencë e një despoti.
Kishin kaluar më tepër se 400 vjet dhe Skënderbeu nuk mundi të kishte nderin e një monumenti të tij në gjithë Shqipërinë, ndërsa tani mblidhnin firma për t’i ngritur një monument Ahmet Zogollit”.  (fragment nga libri)

    Titulli: Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu
    Autori: Camillo Libardi
    ISBN: 978-9928-109-15-6
    Faqe: 144
    Përkthyesi: Valbona Jakova Gurra

Kostë A. Çekrezi - Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja


Picture



Më në fund, pas 93 vjetësh, historia e parë e Shqipërisë shkruar në gjuhën angleze dhe botuar në SHBA në vitin 1919, ribotohet ne shqip, në gjuhën amtare të autorit, Kostë Çekrezit, një nga intelektualët dhe patriotët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria, pjesë e kuartetit të famshëm të diasporës shqiptare amerikane: Fan Noli, Faik Konica, Kostë Çekrezi dhe Kristo Dako.
“Dhe se cilat janë të drejtat e Shqipërisë duhet mësuar jo nga ç’thonë fqinjët, rivalët apo armiqtë e saj të mundshëm, por nëpërmjet një mjeti më të drejtpërdrejtë e më të besueshëm - zërit të vetë shqiptarëve. Kjo është merita kryesore e librit të z. Çekrezi. Ai na jep mundësinë ta shohim Shqipërinë me syrin e një shqiptari. Për vite e vite me radhë, bota ka dëgjuar mjaft për punët e Shqipërisë, por ajo ka dëgjuar vetëm ç’thuhet thuajse tërësisht nga burime të jashtme; nga grekë, serbë a malazezë, dhe nga Fuqitë e Mëdha që, për arsye të vetat, më 1912 krijuan në Londër shtetin e Shqipërisë dhe ia dorëzuan atë një princi të panjohur gjerman - Vilhelm Vidit (Wied). Por asnjë popull nuk mund të shpjegojë saktë nevojat e dëshirat, të drejtat e aspiratat e ndonjë populli tjetër, njësoj sikurse asnjë individ s’mund të bëhet zëdhënës i saktë i askujt, përpos vetes së vet. Prandaj, është një kënaqësi e avantazh i qartë që, më në fund, kemi një interpretim nga vetë shqiptarët, një shpalosje të historisë së Shqipërisë, një paraqitje të kërkesave të shqiptarëve, drejtpërdrejt nga mendja dhe zemra e një vendasi. Sepse, me sa di unë, ky është i pari libër i një shqiptari për Shqipërinë që ka dalë në gjuhën angleze...”. Kështu shkruan Charles D. Hazen, profesor i historisë moderne në Universitetin e Columbia-s në parathënien e librit “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja” i autorit Kostë Çekrezi).
Kurse vetë autori, pra, Kostë Çekrezi, shkruan në hyrje të veprës së vet: “Vend misterioz”, “Vend i mrekullive”, “Shqipëria e panjohur”, “Më e errët se Afrika e errët”; këto janë vetëm pak nga cilësimet jo të zakonshme për vendin që banohet nga populli më i vjetër në Europën Juglindore... Sidoqoftë, sot nuk ka dyshim se shqiptarët janë raca më e vjetër në Ballkan... Pavarësisht nga kjo, problemi i Shqipërisë është një libër i palexuar jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për njerëzit që janë seriozisht të interesuar për të. 
Kjo mosnjohje e punëve të Shqipërisë vjen, jo ngaqë nuk interesohet kush për to, të paktën në këto kohë që po jetojmë, por ngaqë mungon një trajtesë tërësore e praktike mbi Shqipërinë. Është e vërtetë se për të janë shkruar libra të shumtë, por ato ose janë shkruar nga autorë amatorë që priren të spekulojnë për gjëra që i njohin fare pak, ose janë veçse monografi a skica që nuk e përmbushin dëshirën për informacion të përgjithshëm. Kjo është veçanërisht e vërtetë përsa u takon librave mbi Shqipërinë shkruar në anglisht e frëngjisht, ndërsa trajtesat gjermane e italiane për të njëjtën temë kanë më pak mangësi. Një tjetër mangësi serioze për të marrë informacion të përgjithshëm mbi Shqipërinë është se shkrimet përkatëse janë të shpërndara në një numër të madh librash, të cilët as mendohet që njeriu i zakonshëm të jetë në gjendje t’i përdorë sistematikisht. 
Ideja për të shkruar këtë libër mbi Shqipërinë fillimisht iu sugjerua autorit nga mësuesit e tij të Fakultetit të Historisë në Universitetin e Harvardit, në veçanti nga prof. A. C. Kulixh (Coolidge), lektor mbi Çështjet e Lindjes, i cili ndjente keqardhje të thellë që nuk kishte një trajtesë të tillë në gjuhën angleze. Gjatë studimeve në institucionin e sipër-përmendur, autori pati rast të shkruante disa teza e raporte rreth asaj çka është terra incognita e historisë së Shqipërisë - historia e saj bashkëkohore dhe gjendja në të cilën ndodhet. Prandaj, është e drejtë të thuhet se ky libër bazohet në një pjesë të madhe në ato teza e raporte, për aq sa lidhet me këtë dekadë”.
Ndonëse i njohur gjithandej nё diasporën shqiptare dhe nё qarqet politike përtej Atlantikut, emri i Kostё Çekrezit nё Shqipёri e nё vendlindje u mbulua nga misteri dhe heshtja e pamerituar pas viteve ’40 të shekullit të kaluar. Pёr fat tё keq, edhe pas rrëzimit tё regjimit totalitar komunist, kontributi i çmuar atdhetar i Çekrezit vijon tё mbetet edhe sot i pazbuluar.
Nisma e përkthyesit Arben P. Latifi, përkatësisht përkthimi cilësor, si edhe botimi i veprës “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja” (“Albania, past and present”, 1919), e para histori e Shqipёrisё e shkruar prej njё shqiptari nё gjuhёn angleze, e cila qarkulloi e vetme pёr shumё vjet nё kancelaritё perëndimore, duke e sjellё tashmë edhe nё duart e lexuesit shqiptar nё kuadёr tё 100 vjetorit tё Pavarësisё, ёshtё e para gjё serioze qё po bёhet pёr Kostё Çekrezin.
Kostë Çekrezi lindi në Ziçisht të Korçës në 31 Mars 1892, sipas deklarimit të tij në regjistrimin e vitit 1942 në Boston, ku jetonte si shqiptaro-amerikan, pasi ishte arratisur nga kampi i pёrqëndrimit “Le Vernet Internment Camp” në Francë. Pasi kreu studimet nё gjimnazin e Korçës, nё Qershor tё vitit 1910, njё ndёr gjimnazet mё nё zё tё kohës, sё bashku me “Zosimean” e Janinёs dhe atё tё “Adrianopojёs”, Çekrezi fitoi tё drejtёn tё vijonte Shkollёn e Lartё Turke tё Selanikut pёr drejtёsi. Studioi vetёm njё vit, nё 1911-1912, dhe në fund të 1912, me shpalljen e Pavarësisë, deri në vjeshtën e 1914, Vlora bëhet vendlindja e dytë e Kostё Çekrezit. Vetëm 21 vjeçar ai punon si sekretar i Gjykatores Civile tё Vlorёs dhe me tej, emërohet dragoman (sekretar-përkthyes) i Komisionit Ndёrkombëtar tё Kontrollit pranë Qeverisë së Ismail Qemalit dhe më vonë, Princ Vidit. Pas largimit tё Princ Vidit, në tetorin e po kёtij viti Çekrezi niset për nё Amerikë, i ftuar nga shoqёria shqiptare “Vatra”, pёr t’u bёrё editor i gazetёs “Dielli” në Boston, të cilën e ktheu në gazetë tё përditshme. Mori vlerësime tё shumta nga bashkёkombasit, madje dhe nga kundёrshtarёt e tij politikё, si njё “punёtor qё i kishte shokёt e rrallё”.
Jeta aktive nё Uashington e bёn tё njohur nё qarqet politike e diplomatike. Ndërkohë, Çekrezi plotëson shkollimin e tij në Harvard. Diplomohet në 1918 me gradën Bachelor of Arts dhe, pas kësaj, jep leksione si profesor i historisë në Colombia University.
Prej 2 Marsit 1920 (deri në 1922), Kostë Çekrezi është i pari përfaqësues i akredituar nga qeveria e Kongresit të Lushnjës pranë Qeverisë Amerikane, si Komisioner i Shqipërisë në Uashington. Në 1925 kthehet në Shqipëri dhe boton në Tiranë gazetat “Telegraf” dhe “Ora” deri në 1932. Kundërshtar i Zogut lidhur me disa koncesione në favor të bankave italo-shqiptare, Çekrezi bëhet njeriu më aktiv në organizimin e kryengritjes së Fierit. Por, me dështimin e saj, detyrohet të emigrojë nëpër Evropë deri në vjeshtën e 1941. Pastaj, rikthehet në Amerikë dhe themelon shoqërinë “Shqipëria e Lirë”, duke pretenduar tё njihej si president i një qeverie nё mërgim dhe angazhohet  për njohjen e Shqipërisë nga Uashingtoni. Më 1945 tërhiqet nga drejtimi i “Shqipërisë e lirë”. Një mbështetës i paepur i demokracisë dhe lirisё, Çekrezi, edhe pse i tërhequr, “e mban gishtin në damarin e lëvizjes kombëtare shqiptare”. Kjo duket edhe nga botimi nё Uashington, në vitin 1951, i librit "Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë", një vazhdim dhe plotësim i librit “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja”.
Bashkëpunues me figurat më në zë të kohës që nga Ismail Qemali, vёllezёrit Konica, Noli, Dako, dhe deri tek më të rinjtë, pastaj njohja dhe kontaktet me figurat e diplomacisë amerikane në nivelet më të larta të saj (Sekretarin e Departamentit tё Shtetit) dhe të huajt, flasin për një personalitet politik, letrar dhe patriotik ndër më të spikaturit. Kostë Çekrezi, ky njeri zemërmadh, patriot dhe intelektual i dorës së parë, siç mund të konstatohet lehtë edhe nga veprat që botoi apo la në dorëshkrim, mbylli sytë nё Village Virginia, pranё Bostonit, në datën 10 Janar 1959, në moshën 67 vjeçare. Në ceremoninë e varrimit të tij, Fan Noli e quajti Kosta Çekrezin "burrë shteti, që kishte luftuar gjithë jetën e tij për kombin dhe ky Djalë i Madh i Shqipërisë vdiq fukara".
Përkthimin e librit “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja” nga gjuha angleze në shqip e ka financuar fondacioni kulturor “Fan S. Noli”, Tiranë, në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar.

Autori: Kostë A. Çekrezi (B. A. Harvard)
Titulli: Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja 
Me një parathënie nga Charles D. Hazen [Çarlz D. Hejzn], profesor i Historisë Moderne në Universitetin Columbia.
Titulli i origjinalit: Albania: Past and Present. Botimi i parë: prill 1919, Nju Jork, MacMillan Co.
Përktheu nga origjinali: Arben P. Latifi
Kolana: "Në 100 vjetorin e shtetit shqiptar"
Redaktor:        Shaban Sinani
                        Naim Zoto
ISBN: 978-9928-05-098-4
Botues: Albpaper
Copyright (2012): Arben P. Latifi
Nr. i faqeve: 320

Matteo Mandalà - Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe


Picture



Letërsia romantike arbëreshe, gjatë një shekulli të historiografisë letrare shqiptare, ose nuk është njohur fare, ose është njohur me shtrembërime dhe shmangie të papërfytyrueshme, ose është vendosur keq në periudhizimin e përgjithshëm të zhvillimit të letrave shqipe, ose është përjashtuar vijimësisht prej shkencës letrare. Kjo është një prej të vërtetave më të thjeshta që duhen pranuar në rastin e botimit nga shtëpia botuese “Naimi” të librit më të ri“Gjurmime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” të Matteo Mandalà-it, albanolog i njohur, profesor në Universitetin e Palermos, Itali.
Në këtë libër gjithçka është e re për lexuesin shqiptar. Të reja janë leximet e trashëgimit letrar në botën arbëreshe, prej veprave të De Radës, Gavril Darës, Zef Skiroit, Frangjisk Santorit, Emanuele Bideras dhe autorëve më të hershëm, si Luka Matrënga, Nikollë Filja e Nikollë Keta. Prapa këtij libri qendrojnë dekada të tëra pune murgu të prof. Mandalà-së, punë për të tjerët, një virtyt gati i harruar; punë në shërbim të lehtësimit të kërkimeve.
Matteo Mandalà është një studiues model që provon se shembja e mureve midis disiplinave dhe nëndisiplinave, shpesh të farkuar për t’i dhënë komoditet vetes në një rreth të rehatshëm, lejon që historia e letërsisë shqipe të rinjihet duke u vlerësuar, duke fituar hershmëri dhe karakter sistemor. Megjithëse autori ka preferuar ta titullojë librin e tij thjesht “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, kemi të bëjmë me një vepër që kërkon rishqyrtime kritike për gjithë historinë e letërsisë shqipe, duke përfshirë periudhizimin e saj, ndryshimin e kalendarëve, karakterizimin e dukurive dhe zhvillimeve kulturore e letrare, prekjen e status quo-së së deritashme, funksionimin e një sistemi letrar që mbështetet mbi njësinë e gjuhës, historinë e gjinive letrare, historinë gjenetike të veprave, vështrimin krahasues të varianteve të tyre.
Kur përfundon së lexuari studimin “Prejardhja e mitit pellazgjik: Jeronim De Rada dhe Giovanni Emanuele Bidera”, pyetja e parë që të vjen në mendje është se cila kompetencë e studiuesit sundon mbi tjetrën: antropologu, historiani i letërsisë, filologu, burimologu apo mendimtari i papërkufizuar. Mitet arbëreshe, mitet shqiptare, si janë krijuar, sa i kanë shërbyer ndërgjegjes politike dhe thesarit shpirtëror, si duhet të jetë sjellja e sotme me to, kanë qenë një interesim i kryehershëm i studiuesit. Dy studimet monografike të tij: “Diaspora dhe rikthimi: miti, historia dhe kultura tradicionale në veprën e Zef Skiroit” [“La diaspora e il ritorno. Mito, storia, cultura tradizionale nell’opera di Giuseppe Schiro”, 1990] dhe “Botës i pëlqen të mashtrohet: mitet e historiografisë arbëreshe” [“Mundus vult decipi: I miti della storiografia Arbëreshë”, 2007] janë dy referenca të mjaftueshme për të pohuar se sa i qëndrueshëm mbetet ky interesim në punën e tij krijuese. Por studimi për historinë e lindjes, promovimit dhe të gjeneralizimit të mitit pellazgjik, si histori e kërkimit të një prius parens prej dijetarëve arbëreshë pikërisht kur kishte ardhur koha e një zgjimi kombëtar; një histori që nis qysh në shekullin e 18-të dhe fiton autoritet dominues me De Radën dhe Biderën, ka rëndësi jo vetëm për të njohur ndihmesa shpesh të dytësorizuara të protagonistëve të botës së vlerave shqiptare, por mbi të gjitha për një koncept të ri për periudhizimin e historisë së letërsisë shqipe.
Prof. Matteo Mandalà njihet si një prej studiuesve më të referuar të letërsisë së I. Kadaresë, M. Camajt dhe të autorëve të tjerë këndej Adriatikut. Mbi të gjitha, duke iu referuar parimit se është humbje kohe të kërkosh për diçka që dikush tjetër e ka zgjidhur më së miri, mund të pohohet me bindje se filologjia shqiptare, filologjia e re shqiptare, siç kuptohet në epistemologjinë perëndimore, ka një adresë referenciale në emrin e Matteo Mandalà-së.

Autori: Matteo Mandalà

Titulli: Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe
Recensues: Shaban Sinani, Gëzim Gurga, Naim Zoto
Përktheu e redaktoi: Gëzim Gurga
Në ballinë: tablo e Ibrahim Kodrës

Shaban Sinani - Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe


Picture
“Prof. Shaban Demirajt të parit - pas prindërve të mi - që besoi në punën time, me mirënjohje, Ia kushtoj”. Me këto fjalë nderimi të studentit ndaj profesorit nis monografia e prof. dr. Shaban Sinanit “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe”, shkruar 30 vjet më parë, në vitin 1983, dhe publikuar këto ditë nga shtëpia botuese “Naimi”.

Duke vlerësuar librin, akademik Ethem Likaj thotë: “Ky punim mbetet edhe sot më i ploti dhe më i miri për këtë kategori fjalësh. Ai është një kontribut me vlerë në morfo-leksikologjinë shqipe. Punimi është shkruar në vitin 1983, por, po të nisesh nga niveli, raporti atëherë dhe sot thuajse fshihet krejt. Botimi i tij i veçantë zë vend të merituar në letërsinë tonë gjuhësore si një monografi shkencore e mirëfilltë dhe e lavdërueshme. Studimi “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe” është trajtuar me seriozitetin dhe këmbënguljen e një studiuesi të mirëfilltë. Autori me guxim është futur edhe në rrugën e etimologjisë së mjaft ndajfoljeve përemërore, jo vetëm të etimologjive të reja e të dukshme, por edhe të etimologjive enigmatike, të errësuara nga koha e të ndërlikuara nga struktura. Ndarjet dhe rindarjet kuptimore e strukturore janë mjaft interesante. Falë formimit të përgjithshëm gjuhësor të autorit, për përcaktimet kuptimore dhe strukturore nuk shfrytëzohet vetëm etimologjia, por edhe leksikologjia, morfologjia, sintaksa, historia; madje edhe filozofia e gjuhës”. Më tej prof. Ethem Likaj nënvizon: “Autori me guxim është futur edhe në rrugën e etimologjisë së mjaft ndajfoljeve përemërore, jo vetëm të etimologjive të reja e të dukshme, por edhe të etimologjive enigmatike, të errësuara nga koha e të ndërlikuara nga struktura. Dhe këtu herë sipas njohurive, herë sipas intuitës, ka rezultate shumë premtuese. Ndarjet dhe rindarjet kuptimore dhe strukturore janë mjaft interesante. Falë formimit të përgjithshëm gjuhësor të autorit, për përcaktimet kuptimore dhe strukturore nuk shfrytëzohet vetëm etimologjia, por edhe leksikologjia, morfologjia, sintaksa, historia; madje edhe filozofia e gjuhës”.

Ndërsa dr. Evalda Paci shprehet se “monografia me titull “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe” e Shaban Sinanit përfaqëson një nga studimet më të thelluara dhe specialistike të këtij studiuesi, kontributet e të cilit orientohen prej vitesh nga disa fusha studimesh të përafërta, si me gjuhësinë, si me letërsinë, ashtu dhe me historinë e kulturës shqiptare. Një punim i tillë na ofron një optikë të re të gjurmimit shkencor të këtij studiuesi. Studimi përbën një punim origjinal që i ka munguar traditës së studimeve tona të shkruara në gjuhën shqipe mbi pjesët e ligjëratës dhe kategorizimin e tyre morfosemantik”.

Autor: Shaban Sinani
Titulli: Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe (Punim historik-krahasues)
Udhëheqës shkencor: Prof. Shaban Demiraj
Oponentë: Ethem Likaj, Fatmir Agalliu, Rahmi Memushaj
Recensues: Ethem Likaj Evalda Paci
Redaktimi shkencor: Evalda Paci
ISBN: 978-9928-109-44-6
Nr. i faqeve: 304




Lindita Tahiri - Gjuha dhe lufta e ideve


Picture

Gjuhë, ide dhe luftë. Në tri fjalë të vetme Lindita Aliu-Tahiri ka shprehur gjithë thelbin e kërkimeve shumëvjeçare të saj në gjuhësinë kritike, një nëndisiplinë nga më të rejat të filologjisë së sotme të tekstit, botërore e vendëse. Libri u referohet dukurive që gjuha e sotme i ka shoqëruar me konflikt jo për faj të saj, po për shkak të keqpërdorimit të qëllimshëm të saj. I botuar këto ditë nga shtëpia botuese “Naimi”, libri përbëhet prej dy pjesësh. Në më shumë se gjysmën e parë të tij trajtohen çështje që i takojnë përdorimit ndërmjetësues të gjuhës. Pjesa tjetër e librit u kushtohet dukurive, personaliteteve, rrjedhave dhe zhvillimeve letrare në botën e sotme shqiptare, duke u fokusuar tek botimet e këtyre 20 vjetëve të fundit të autorëve si I. Kadare, Xh. Spahiu, Z. Çela, S. Hamiti, E. Shukriu, B. Blushi, B. Shehu etj.
Studimet e Lindita Aliut-Tahirit, një filologe e specializuar për gjuhësi teksti në SHBA dhe aktualisht zëvendës-rektore e Universitetit të Prishtinës, synojnë të depërtojnë në etnotipet ballkanase përmes çkriptimit të gjuhës së medias dhe multimedias. Këtyre etnotipeve u përgjigjen stereotipe përftimi, që lidhen me shtampa shtegtuese nga një shekull në tjetrin. Autorja e këtij libri synon që përmes shqyrtimeve të karakterit gjuhësor-kritik dhe socio-gjuhësor të dëshmojë si identifikohen sot në Ballkan përmes gjuhëve popullore dhe ligjërimeve të tyre bashkësitë etnike, grupimet politike, brezat shoqërorë dhe madje edhe individualitetet e jetës publike: kryesisht politikanë, por edhe njerëz të letrave e të artit.
Mënyra si procedon Lindita Ali-Tahiri në trajtesat e saj gjuhësore-kritike, shkruan prof. dr. Shaban Sinani në parathënien e librit, është shumë e thjeshtë: ajo vetëm bën të dukshme hipokrizinë e fjalës. Kjo hipokrizi gjuhësore dekodifikohet prej saj dhe i lejon njeriut të zakonshëm që jeton në Kosovë e në Shqipëri të kuptojë se përtej artit të së mundshmes ka vetëm mashtrime. Në këtë kuptim, megjithëse studimet e këtij libri në pamje të parë mund të ngjajnë si teknokratike, ato janë shumë të rëndësishme për shëndoshjen e mendësisë së shoqërisë së shqiptarëve përmes prishjes së iluzionit. Sepse, siç shprehet studiuesi arbëresh Matteo Mandalà, duke parafrazuar një thënie të njohur latine, “mundus vult decipit” - “botës i pëlqen të mashtrohet”. Lindita Aliu-Tahiri me të drejtë bën sarkazëm të hijshme me propozuesit e dalldisur të gjuhës kosovarishte; me mbrojtësit e identitetit të rremë kosovarli, me të gjithë ata që mjetin më përbashkues të shqiptarëve kanë tentuar ta kthejnë në mjet etnodallues. Sipas autores, këta janë “dordolecët kombëtarë”.
Libri “Gjuha dhe lufta e ideve” është një libër emancipues, në radhë të parë për mënyrën e të menduarit shqip, pastaj për vetëmbrojtjen prej mashtrimit, më tej dhe për çkriptimin e qëllimeve të vërteta të shkencës vullnetare atdhetare dhe, së fundmi, edhe për të kuptuar veten përmes pasqyrës së tjetrit, të afërm e të largëm; tjetrit që e duam e nuk e duam, tjetrit që ia urrejmë a ia lapidarizojmë gjuhën dhe armën; tjetrin që e duam antagonist a protagonist; tjetrin që i falemi a nuk e falim.
Përpos studiuesve të gjuhësisë dhe të letërsisë, këto shkrime mund t’u interesojnë dhe t’u duken të dobishme të gjithë atyre që kanë përshtypje se në botën e sotme të vërshuar me mesazhe kemi filluar t’i dëgjojmë dhe t’i lexojmë ato në mënyrë të automatizuar, pothuaj si një kompjuter i programuar për të marrë shumë informacione në të njëjtën kohë. Siç thotë vetë autorja në përcjelljen e librit për lexuesit, “ky libër mund ta nxisë pyetjen se kush e  bën “programimin tonë kompjuterik” dhe si mund të arrijmë ta kuptojmë atë, duke e parë gjuhën si mundësi të lirisë të plotë, si fuqi absolute, por edhe si përgjegjësi morale dhe profesionale”.

Autore: Prof. Lindita Aliu-Tahiri
Titulli: Gjuha dhe lufta e ideve
Gjinia: Studime socio-lingustike
Recensues: Shaban Sinani
Redaktor: Naim Zoto
ISBN: 978-9928-109-43-9

Kostë Çekrezi - Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë


Picture




















Libri i Kostë Çekrezit “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”, i sapobotuar në Shqipëri nga shtëpia botuese “Naimi”, do të gjendej në tavolinën e punës të çdo diplomat amerikan që ishte i interesuar për çështjen shqiptare dhe për Ballkanin në tërësi, sidomos deri në rënien e regjimit komunist. Kështu ka vërejtur një studiues shqiptar, njohës i mirë i kësaj figure të lënë në harresë kryesisht për arsye politike dhe ideologjike. Ky libër vlerësohet si një histori e jashtëzakonshme e raporteve të Shqipërisë me Perëndimin dhe sidomos me SHBA. Ngjarje të panjohura mes tre të mëdhenjve të historisë e kulturës shqiptare: Fan Nolit, Faik Konicës dhe vetë autorit, Kostë Çekrezit, konfliktet mes tyre, kryesisht për shkak të interferencës së qëndrimeve politike të Tiranës në organizatat e diasporës në SHBA në vitet ’30-’50 të shekullit të kaluar. Mbretëria e Ahmet Zogut, përkatësisht politika filo-italiane që rezultoi me pushtimin e vendit, antifashizmi dhe lufta çlirimtare që rezultoi me triumfin komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri: metamorfoza e qëndrimeve të Fan Nolit dhe Faik Konicës ndaj mbretit Zog dhe diktatorit Hoxha. Kostë Çekrezi rrëfen diplomacinë dhe luftën mes Tiranës dhe Washingtonit, duke sjellë personazhet dhe emisarët e secilës palë, deri në vendosjen e “perdes së hekurt” midis Lindjes dhe Perëndimit. Në libër zbulohen cilat ishin kërkesat amerikane për të njohur pas Luftës së Dytë Botërore qeverinë e re të Tiranës. 

Libri "Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë" mund të konsiderohet vazhdim i librit të mëparshëm të Çekrezit: "Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja", botuar për herë të parë në anglisht në SHBA, në vitin 1919, dhe botuar për herë të parë në shqip vetëm disa muaj më parë. Sipas botuesit Naim Zoto, ndryshe nga libri i parë, që është konceptuar nga autori si një libër historie, "Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë" kombinon historinë me dokumentet dhe kujtimet e autorit vetë, një protagonist dhe dëshmitar në shumë ngjarje politike që lidhen me veprimtarinë e A. Zogut gjatë mbretërimit dhe më pas në mërgim si edhe politikën E. Hoxhës ndaj Perëndimit dhe SHBA.

Picture

Kostë Çekrezi u lind në fshatin Ziçisht të Devollit të Sipërm, në 31 mars 1892. Pasi kreu shkollën 5-vjeçare në fshatin e lindjes, përfundoi gjimnazin në Korçë. Emigroi në SHBA dhe u bë kryeredaktor i gazetës "Dielli" (1915-1919), ndërkohë botoi edhe revistën e përmuajshme "Illyria". Në këto vite studioi për ekonomi, administratë shtetërore dhe gjuhën angleze në Universitetin e Harvardit, ku u diplomua në 17 Qershor 1918.
Ka përkthyer në shqip historinë e shkurtër të Shqipërisë shkruar nga Frederik Gibert të cilën e botoi në Boston. Më vonë hartoi e botoi vetë studimin me vlerë historike "Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja", 1919, e cila ishte mbrojtur si temë doktorature në Universitetin prestigjioz Columbia, SHBA.
Kosta ka qenë pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe përfaqësues i Shqipërisë në SHBA në vitet 1920-1922. Në vitet 1922-1932 ka qenë anëtar i Këshillit të Shtetit në Shqipëri, njëkohësisht edhe anëtar i Klubit Kombëtar të Shtypit në SHBA.
Në korrik të vitit 1925 u kthye në Atdhe. Shërbeu si publicist dhe ishte botues i gazetave "Telegraf" dhe "Ora". Menjëherë pas shpalljes së monarkisë nga Zogu, Kosta Çekrezi u arrestua dhe u dënua me një vit burg politik; dy gazetat e krijuara prej tij u mbyllën njëherë e përgjithmonë. Pas kësaj u rikthye në SHBA. Në 28 Dhjetor 1941 themeloi në Boston organizatën "Shqipëria e Lirë".
Në vitin 1946 ishte Çekrezi që priti delegacionin e kryesuar nga Tuk Jakova dhe disa delegacione të tjera, duke sugjeruar që qeveria e re shqiptare të gjente patjetër rrugën për tu lidhur me fuqitë e Perëndimit, sidomos me SHBA. Në vitin 1951 Kosta Çekrezi botoi në Washington analizën politike "Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë".
Kostë Çekrezi, ky njeri zemërmadh, patriot dhe intelektual i dorës së parë, siç mund të konstatohet lehtë edhe nga veprat që botoi apo la në dorëshkrim, mbylli sytë nё Virxhinia, pranё Bostonit, në datën 10 Janar 1959, në moshën 67 vjeçare. Në ceremoninë e varrimit, Fan S. Noli e quajti Kosta Çekrezin "burrë shteti, që kishte luftuar gjithë jetën e tij për kombin dhe ky Djalë i Madh i Shqipërisë vdiq fukara".

Autori: Kostë A. Çekrezi
Titulli: Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë
(Botimi i parë: Washington D. C., 1951).
Gjinia: Politologji
Redaktor: Naim Zoto
ISBN:          978-9928-109-49-1
Çmimi: 500 lekë/5 euro.

Jusilda Guri-Çast i shumëpritur





Picture





















Çasti shpesh na mbetet peng në kujtime! Njeriu pret shumëçka nga kjo botë, por, jo çdoherë, shpirti mbushet me çaste të ngazëllyeshme. Bota aq sa është e bukur, po aq mbart brenda saj trishtim. E tillë, shumësyresh vjen për lexuesin tek ky vëllim poetik. "Çast i shumëpritur" është libri i parë i shkruar ndjeshëm, me nota të ngrohta e një mënyrë të drejtpërdrejtë nga autorja Jusilda Guri.
Poetja është bijë e një toke që dita ditës egërsohet. Është lindur e rritur në një shtëpi të thjeshtë, pa mrekullitë e të veçantat e botës, por aty në qytetin e saj, në tokën e saj, në atë jetë të thjeshtë që Shkodra bën, pa shumëçka ekonomikisht por shumë të pasur shpirtërisht. E pikërisht këtë kërkon ta përçojë në rrallë të parë tek vetja, te moshatarët e saj që janë ky brez i ri që rritet dita ditës. Kërkon t’i tregojë atyre hallet e brengat e kësaj jete. Natyrisht që ndjen keqardhje që është përplasur me shumë situata jo aq të mira që patjetër i kanë sjellë zhgënjim e mërzi. E ndodhur mes labirintesh të tilla, e ka gjetur rrugën e saj e nuk është dorëzuar duke prekur edhe shumë momente të bukura të cilat do t’i mbesin si një mozaik shumëngjyrësh. Mesazhi i saj është i qartë: "kurrë nuk duhet të ndalemi por vetëm të shohim përpara". Ajo mori jetë në Shkodër, atë qytet që kurrë nuk resht së prodhuari djem e vajza të talentuar si Jusilda, që një ditë na shfaqen me vepra të tilla kaq të bukura.
E gjithë kjo vepër, vjen me dialektin e bukur të gegnishtes. Autorja ka preferuar që të shprehet me dialektin e bukur të Shkodrës duke na rikthyer në kohën e korifenjve të letërsisë tonë si Fishta, Vasa, Barleti, Mjeda e të tjerë emra të mëdhenj, që me veprën e tyre janë shënjuar fuqishëm në letërsinë shqipe.
                                                                                                                                                                                               SENAD NIKSHIQI

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...