2013-12-05

Korab Hoxha - Shenja të munguara në letrat shqipe


Picture

Një manual të pazëvendësueshëm për shkollën shqipe të përkthimit. Kështu është vlerësuar libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” i autorit Korab Hoxha, pedagog në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Tiranë. Libri synon të rreh të shqyrtojë e të vlerësojë prurjet e përvojës sonë më të mirë përkthimore prej  poezisë ruse si dhe të analizojë përcjelljen e saj në letrat shqipe në dy harqe të mëdha kohorë: në vitet ’60 dhe në vitet’90, sepse, për vetë rrethanat historike të krijuara, ky proces nuk ka qenë drejtvizor e i vazhdueshëm, por i ndërprerë dhe, për më tepër, i gjymtuar.
Kështu, nëse deri në vitet '60 të qindvjetëshit të kaluar, pavarësisht nga kriteret politike që u ndoqën, procesi rrodhi, le të themi, normalisht, pas këtyre viteve shfaqet një hendek rreth tridhjetë vjeçar. Letrat shqipe i humbasin lidhjet e drejtpërdrejta më poezinë ruse, përkthimet rreshtin dhe studiuesit nuk mund ta ndjekin dot nga afër procesin poetik. Procesi i përcjelljes së poezisë ruse në shenjat shqipe rifilloi së bashku me zhvillimet demokratike të viteve ’90, kur, ndërkohë, vetë poezia ruse kish shpërfaqur tashmë pjesën më problematike të saj, pjesën e errët, të panjohur për ne.
Ndërkohë, ky libër synon të vërë në dukje edhe ato të meta që erdhën si pasojë e dëmtimit të vetë poezisë ruse, në radhë të parë prej kufizimeve ideore të kohës, por, dhe pse jo, edhe prej koncepteve përkthimore artistike shpesh të gabuara, sepse jo vetëm poezia ruse, por dhe gjykimi për të do të vinte i dëmtuar. Kështu, kriteri ideologjik do ta zhvendoste shkallë shkallshëm kriterin artistik. Pro apo kundër do të ishte parimi bazë i krejt vlerësimit të poezisë ruse.
Kjo, në aspektin formal, do të sillte humbjen e një pike referimi në sistemin e vlerave çka, në rrafshin artistik, do të ndihej dukshëm edhe në modelet përkthimore, që do të përcilleshin drejt nesh, të cilët, shpesh, nuk do të ngriheshin mbi truallin e tyre zanafillor filozofik.  Libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” është bazuar mbi një literaturë gjithëpërfshirëse artistike dhe shkencore, por përfundimet, praktikisht, janë arritur prej qëmtimesh të imta të modeleve përkthimore shqipe të krahasuara me gjuhën e origjinalit, por dhe me disa modele nga më të mirat të traditës anglo-saksone dhe amerikane.
Këto analiza janë bërë, më së shumti, nën optikën e  arritjeve semiotike, ku tekstura poetike është parë dhe interpretuar si njësi tredimensionale, pra, si një ndërthurje rrafshesh semantikë, morfosintaksorë, fono dhe morfonologjikë, duke u dhënë, në të njëjtën kohë, përgjigje pyetjeve si dhe pse është përcjellë në këtë mënyrë kjo lëndë poetike prej përvojës sonë përkthimore dhe se cilat janë prirjet e saj në këtë drejtim.Libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” është një studim monografik i munguar prej kohësh, që rreh të shqyrtojë e të vlerësojë prurjet e përvojës sonë më të mirë përkthimore për sa i përket poezisë ruse.
Ajo që të bie në sy është analiza moderne e strukturës poetike, çka sjell për pasojë dhe shkeljen  e disa tabuve, deri më tani krejt të paprekura dhe kjo padyshim përbën një risi për mendimin tonë estetik. Përsa i përket mënyrës së shtjellimit, do të vija në dukje ndërthurjen e përjetimeve poetike me përfundimet shkencore, që vijnë pas qëmtimesh të shumta modelesh përkthimorë e që grupohen rreth një metafore të gjetur, që autori e quan dukuria e hënës, prej së cilës deri vonë ne kishim njohur vetëm anën e saj të ndritshme. Mendoj se paskëtaj hëna e poezisë ruse shpërfaqet e plotë në shenjat shqipe.
Libri “Shenja të munguara në letrat shqipe” është shkruar me ndjenjën e një poeti dhe saktësinë e një studiuesi. Ajo çka më lë mbresa më shumë është përkujdesja me të cilën është përzgjedhur materiali letrar që merret në shqyrtim, si dhe analiza që i bëhet atij, prej së cilës përftohen përfundime shpesh krejt befasuese.

    Titulli: Shenja të munguara në letrat shqipe
    Autori: Korab Hoxha
    ISBN: 978-9928-109-55-4
    Faqe: 304

Arjetë Luani - Sylvia Plath: arti i lindjes, vdekjes dhe rilindjes


Picture

Silvia Plath ishte dhe do të mbetet një “luaneshë” e poezisë amerikane të shekullit XX, e cila, me kthetrat e saj, preku aspektet më pikante që kishin të bënin me femrёn në veçanti. Ajo ishte: “një nga ato heroinat e mëdha klasike”, siç do të shprehej Robert Lowell, në hyrjen e Ariel (1965). Silvia Plath ishte autore e “një prej librave poetikë më tronditës, mallëngjyes dhe universal të publikuar në shekullin XX”, do të shkruante gazeta “Time”.
Ajo ka dhënë një kontribut të madh në thyerjen e tabuve ne vitet 1960. Ajo solli një stil krejt të ri në të shkruar dhe në tematikë. Kjo do ta bënte atë të radhitej ndër autoret më të veçanta, duke marrë parasysh edhe tiparet rrëfimtare, që bëri që të tërhiqej më shumë vëmendja drejt jetës së saj.Studiuesja Arjete Luani ka tërhequr vetëm një aspekt të veçanësisë së saj që janë imazhet.
Imazhet janë një nga armët e saj më të forta dhe që e dallon poezinë e saj: “Unë duartrokas përdorimin e fjalëve si mjete për të skalitur imazhe nga ajri i hollë dhe për t’iu dhënë atyre substancë”, ka thënë Silvia Plath. Ky libër ka të bëjë me gruan dhe me kalvarin e saj në një shoqëri maskiliste.


Titulli: Silvia Plath: arti i lindjes, vdekjes dhe rilindjes
Autori: Arjetë Luani
ISBN: 978-9928-109-41-5
Faqe: 174

Ermira Ymeraj - Pirg dhimbjesh


Picture

Poezia e Ermira Ymerajt është një poezi që mund të cilësohet ditar poetik i vetvetes. Ajo mund të lexohet si një dëshmi letrare e gjendjeve që kalon njeriu në ditët e sotme dhe që ka guximin t’i ndajë këto gjendje me të tjerët. Janë poezi fund e krye për dukuri metafizike të jetës së njeriut, si dhimbja, trishtimi, dëshpërimi, frika, mëria, urrejtja, qortimi, dhe rrallë e tek gëzimi e buzëqeshja.

Kjo është një shprehje e sinqertë dhe e vërtetë e vetvetes. Sepse gëzimi e lumturia janë vertikale, janë vetëtima në jetën e njeriut, gënjejnë të gjithë ata që thonë se kam qenë, jam e do të jem i lumtur: vertikaliteti është hyjnor dhe i përkohshëm, ndërsa përditshmëria është e sheshtë dhe e mërzitshme, pa ndriçime verbuese, jo vetëm për poetin, por për të gjithë.

Zakonisht poezia, qoftë kur vjen prej metaforës, qoftë kur vjen prej metonimisë, ka për qëllim të sekretojë. Poetët rregullisht krijojnë mure rreth vetes pikërisht kur ti mendon se po të bëhen udhërrëfyes i jetës së tyre. Kurse poezia e Ermira Ymerajt shfaqet në të kundërtën, e prirur për të shpallur përjetimet dhe jo për t’i mbushur me të paqenën ato. Në këtë kuptim, mund të thuhet se kjo nuk është një poezi eufemike, por e kundërta, kakofemike, që synon të denoncojë më shumë se të përkëdhelë, të paralajmërojë më shumë se të promovojë, të vetëqortojë më shumë se të qortojë.

“Pirg dhimbjesh” mund të çmohet si një spektër ngjyrimesh të pafundme të jetës së njeriut. Kjo poezi nuk vjen nga frymëzimi, ose më saktë rrallë herë vjen prej frymëzimit. Më së shumti vjen prej nevojës për vetëshprehje.

Kumtet e kësaj poezie nuk kanë të bëjnë me fatin e botës, me të këqijat e kohës, me dështimet e shoqërisë, me përmbytjen e qytetit, me krimet kanunore. Këto ndodhin jashtë shpirtit të autores dhe nuk kanë aq rëndësi. Rëndësi ka çasti i jetuar nga ajo vetë, qoftë ky një çast i bardhë apo i pikëlluar. Indiferente ndaj botës së madhe, Ermira Ymeraj shkon deri në kufijtë e egoizmit duke krijuar “ylberin” e ditëve të saj të larmishme, dhe duke qenë të tilla doemos edhe të pasura, por pa e kthyer veten në një mit, sikurse ndodh shumë shpesh me poezinë.

Herë-herë duket sikur Ermirën e thërret e shkuara, me të kryerat dhe të pakryerat e saj; herë të tjera ngjan e inatosur me njeriun por pa e humbur besimin tek mirësia; ndodh që të shfaqë kryet edhe mëria me botën, por jo humbja e besimit tek jeta.

Ermira Ymeraj është njeriu që ndryshon dhe ndryshohet; është nëna, por jo shtëpiakja; është mikja, por jo si një mike e rinisë së parë; është vetë, me gjithë të fshehtat e saj. Individualiteti i Ermirës në poezi shprehet jo vetëm prej gjetjes së poetikës tek pjesa nekro e jetës, por edhe në leksik e idioma. Ajo është mësuese e letërsisë, studiuese e saj, tashmë dhe në procesin e kryerjes së një doktorate për ringjalljen në folklor e në letërsi, por kjo nuk e pengon të përdorë forma dialektore, madje edhe ikje prej sintaksës e gramatikës, duke e çmuar poetikën një shkallë më lart.

Titulli: Pirg dhimbjesh
Autor: Ermira Ymeraj
Viti i botimit: 2011
Faqe: 131
Lloji: Poezi

Shaban Sinani - Tradita gojore si etnotekst


Picture

Të tre librat e prof. Shaban Sinanit: “Mitologji në eposin e kreshnikëve”, “Etnos në epos” dhe tashmë “Tradita gojore si etnotekst” (botimet “Naimi”) janë një triptik mbi rrënjët e etnosit shqiptar, duke dhuruar  kështu një korpus të dhënash, informatash, dëshmish, kodesh të etnosit e kulturës shqiptare, të cilat zbardhen, analizohen, krahasohen dhe zbërthehen dhe  formësojnë në konkluzion vetëdijen mbi origjinën dhe identitetin kombëtar të iliro-arbër-shqiptarëve, madje duke e bërë këtë përdallim, dhe kjo e bën shumë interesant kërkimin e tij shkencor, përmes krahasimit me etnoset e tjerë në Ballkan e më gjerë.
Nuk është nevoja për t’u munduar shumë për ta shpjeguar këtë vlerë të librit. Si çdo vepër e këtij autori, për shkak të qartësisë që i jep kompetenca e lartë profesionale në fushën përkatëse, lënda e ofruar përftohet dhe thithet me lehtësi. Do të mjaftonte vetëm disa nga titujt e përmbajtjes së lëndës së librit “Tradita gojore si etnotekst- studime për etno-folkloristikë krahasimtare” për të nxjerrë edhe vlerat e tij:

1. “Great Code” në traditën gojore popullore shqiptare
2. Ligjërimi ungjillor dhe kodet etnojuridikë të shqiptarëve
3. Prania kulturore hebraike në traditën shqiptare
4. Eposi shqiptar dhe eposi pers: vështrim krahasues
5. Nga fqinjësia apo prejardhja: rreth bashkëpërkimeve ndërballkanike
6. Etnonimet e tjetrit në eposin shqiptar
7. Eposi i shqiptarëve dhe eposi i sllavëve të jugut:  vështrim krahasues përmes emërtimeve
8. Qyprillinjtë në eposin shqiptar dhe në eposin boshnjak
13. Folklori shqiptar në vështrimin e të huajve
14. Eurokultura dhe identiteti europian i shqiptarëve

Krahasimet e traditës gojore, në atë shkallë sa ekzistonin para botimit të këtij libri, kanë pasur si pikë reference kryesisht kulturat klasike greke e romake, si dhe folklorin e popujve të sllavëve të jugut. Mungonin vështrimet krahasuese për kultura të tjera të mëdha të antikitetit, si ajo hebraike dhe perse. Mungonin po aq krahasimet me mitologjinë biblike dhe ligjërimin ungjillor.
Nuk kishim krahasime të traditave gojore të popullsive pakicë kulturore në Shqipëri, qoftë dhe në pikëpamje të dallimeve etnotipike (popullsi ndenjëtare - popullsi shtegimtare: rasti i folklorit të romëve); qoftë në pikëpamjen e identifikimit historik të vetes (sllavët e Prespës, grupime sllavishtfolësish të tjerë); qoftë në pikëpamje të hierarkive kulturore (rasti i bashkësive dygjuhëshe, si Himara); qoftë në pikëpamje të rolit homogjenizues - heterogjenizues të dukurisë. Krahasimi i dukurive etnofolklorike përbën një interesim prej më se dy dekadash në kërkimet e prof. Shaban Sinanit.
Duke ditur se ka qenë në traditën e shkollës shqiptare të albanologjisë njohja dhe studimi i traditave gojore të popujve fqinje, me sa duket qëllimisht, autori ofron me shumicë informacion dhe bibliografi, në mënyrë që pak a shumë libri të shërbejë jo vetëm për njohje e informim, edhe për të aftësuar e nxitur kërkimin e lirë. Gjithashtu kjo është arsyeja pse shumë emërtime, terma, idioma lehtësisht të receptueshme, janë dhënë dhe në gjuhët dhe alfabetet e burimit. 

    Titulli: Tradita gojore si etnotekst- studime për etno-folkloristikë krahasimtare
    Autori: Shaban Sinani
    ISBN: 978-9928-109-22-4
    Faqe: 372

Shaban Sinani - Njerëzit e krisur të Dritëro Agollit


Picture

“Njerëzit e krisur” të Dritëro Agollit”, nga prof. dr. Shaban Sinani, e merr krijimtarinë e Agollit prej gjenezës së saj, e inkuadron atë saktësisht në epokën përkatëse, e shikon atë së brendshmi përmes analizës së imët të tekstit e paratekstit (te romanet), e dimensionon atë në rrafshin historik-krahasues me vëzhgime të sakta kulturologjike e ndërktestuale, i ftillon me sukses rrethanat e mundshme të dimensionimit e të rileximit të këtij autori në rrjedhë të kohës.
Monografia e prof. Sh. Sinanit kushtuar krijimtarisë së pasur të D. Agollit, ndonëse rrok krejt veprën e një krijuesi të palodhur, nga poezitë dhe sprovat e para, deri te drama e tij të rigjetur, është homogjenizuar me një ligjërim të rrjedhshëm. “Njerëzit e krisur” të Dritëro Agollit” është një libër i domosdoshëm për bibliotekat tona shkollore, për punonjësit mësimdhënës dhe nxënësit e arsimit parauniversitar, për studiuesit e angazhuar, në veçanti si dhe për kureshtarët e kultivuar të letërsisë shqipe përgjithësisht.
Kjo monografi i kushtohet një prej figurave më të njohura të letërsisë shqipe të gjysmëshekullit të fundit, Dritëro Agollit; figurë qendrore për shkak të krijimtarisë së tij që kap disa dhjetëvjeçarë, krijues i mirënjohur që njeh arritje kulmore thuajse në të gjitha llojet letrare ku është sprovuar, personalitet i spikatur për shkak të angazhimeve të tij të hapura publike.
Një nga studimet më të thelluar mbi romanin e Dritëro Agollit, ai i Shaban Sinanit, arrin të piketojë veçantitë kryesore të romanit “Arka e Djallit”. Si fenomen rrezatimi asimetrik, Shaban Sinani shtron jehonën e censurës dhe autocensurës krijuese në kushtet e diktaturës, - kur në fakt është shkruar romani, vitet ‘80, dhe në rrethanat e mungesës së saj, censurës, para lexuesve të viteve ‘90, kur u botua romani......
Në këtë studim, siç thamë, më i thelli dhe më gjithëpërfshirës ku shtrohen dhe piketohen çështje zhanrore dhe poetika narrative, autori, në mbështetje të rebelimeve kanonike, përkatësisht heterogjenitetit të diskurseve, ngjashëm bie fjala edhe me kryeveprën botërore “Shpirtra të vdekur”, vë në pah prurjet që sjell hapja e tillë e poetikës romanore.
Ndërfutja e diskursit përsiatës, filozofik e metafizik, eseistik, e trashëgimisë shpirtërore gojore, e traditës së Orientit kulturor e shpirtëror, etj, pra, i padisiplinuar edhe nga perspektiva e ndërtekstualiteteve, përpos që sjell qasje narrative ndryshe në prozën shqipe, por, që është meritë e veçantë, e afron atë me prirjet bashkëkohore të romanit përgjithësisht...
Ndër konstatimet e mprehta, Shaban Sinani do të thotë edhe këtë për romanin “Arka e Djallit”: “është i lehtë për ta lexuar por i vështirë për ta analizuar”, me çfarë i parasheh atij jetë të gjatë të sigurt. Në fakt është fundi, përkatësisht pjesa e katërt e studimit që nxit, në mënyrë të pashmangshme përsiatje të veçanta. Shaban Sinani në fakt, duke pasur parasysh shumëzëshmërinë, vizionin e romanit, përfshihet nga një shqetësim i përhershëm: “Historia është e prirur për ta fshehur vetveten”.

    Titulli: “Njerëzit e krisur” të Dritëro Agollit
    Autori: Shaban Sinani
    ISBN: 978-9928-109-13-2
    Faqe: 216

Franko Benanti - Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948


Picture

Përmes librave me kujtime  “Përpara gjyqit të historisë” me autor Xhelal Staraveckën dhe tashmë librit të sapodalë në librari ““Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (“La gurra più lunga: Albania 1943-1948”) të italianit Franko Benanti, shkruar të dy, pra, nga protagonistë dhe dëshmitarë okularë të historisë shqiptare, zbulohet edhe “origjina” e dy veprave të shkrimtarëve më të njohur: I. Kadare e D. Agolli, përkatësisht të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” dhe “Njeriu me top”. “Gjenerali” dhe “vejusha” e tij apo Mato Gruda dhe “profesori italian i topit” rezultojnë të kenë qenë personazhe realë, të cilat në librat me kujtime të sipërcituar dalin me emra e mbiemra.
Franko Benanti (1913-1987), autori i librit “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, botuar e ribotuar disa herë në vendin e tij, në Itali, por që në gjuhën shqipe publikohet për herë të parë nga shtëpia botuese “Naimi”, është një prej dëshmitarëve të paktë të luftës dhe të pasluftës antifashiste në Shqipëri, që kanë shkruar për çfarë kanë parë dhe jetuar vetë gjatë atyre viteve të vështira. Duke qenë mjek i mobilizuar në ushtrinë fashiste, Benanti erdhi me një mision të përkohshëm në Shqipëri për herë të parë në vitin 1941, ndërsa nga gushti i vitit 1943 deri në qershorin e vitit 1948 ai do të bëhej pjesë e kalvarit që pësoi ushtria e Musolinit.
Pas shpartallimit të ushtrisë italiane, autori i librit shërbeu si mjek në spitalet partizane e vitet e fundit si “plaçkë lufte”.Pikërisht për shkak të profesionit, pra, duke bredhur nëpër spitalet ambulante të luftës në jug të vendit, Benanti do të njihte “pas perdes”, nga afër, disa prej protagonistëve të Luftës Çlirimtare  dhe pushtetit komunist të dalë prej saj, duke filluar me Hoxhën, Shehun, Kapon, N. Spirun, Koçi Xoxen, Gogo Nushin, Drita Kosturin, Ibrahim Dervishin, Liri Gegën, Islam Radovickën, Liri Belishovën, Beqir Ballukun, Manush Myftiun, Riza Kodhelin, dr. Polenën, Sherif Klosin etj.
Në libër jepen informacione interesante edhe për aspekte e faktorë të tjerë të luftës si  situata kaotike e shpartallimit të ushtrisë fashiste apo sakrificat dhe kontributi i atyre italianëve që, pas kësaj, iu bashkuan apo i shërbyen krahut antifashist dhe rindërtimit të vendit, ndërhyrjes jugosllave në politikën shqiptare.  Në këtë libër veçmas  jepen të dhëna konkrete për fillimet e politikës ateiste të regjimit komunist si edhe represionin e ushtruar ndaj disa prej figurave të klerit katolik.
“Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (“La gurra più lunga: Albania 1943-1948”) është një libër i dobishëm, ku qindra lexues do të gjejnë të dhëna për jetëshkrimet e prindërve apo gjyshërve të tyre, ku studiuesit e historisë së luftës antifashiste do të gjejnë burime parësore për verifikimin e pikëpamjeve dhe të tezave të parashtruara deri më tani; ku mund të vërejnë edhe pamjen e vërtetë të fashizmit në periudhën e rënies.

    Titulli: “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”
    Autor: Franko Benanti
    Gjinia: Kujtime historike
    Përkthyes: Luan Malaj
    Redaktor: Naim Zoto
    Nr. i faqeve: 344
    ISBN: 978-9928-109-29-3
    Viti i botimit: 2012

Camillo Libardi - Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu


Picture



Libri i autorit italian Camillo Libardi “Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu” (Come si é fatto re d'Albania Ahmet Zogu), kujtime historike: 1918-1940, është botuar në gjuhën italiane në maj të vitit 1940, ndërkohë që vjen në shqip nga shtëpia botuese “Naimi”, Tiranë 2012.
Duke qenë një vëzhgues i hollë i jetës dhe politikës shqiptare, duke jetuar prej disa dekadash në Shqipëri, kryesisht në Shkodër dhe rrethinat malore, në mjediset e klerit katolik dhe në shtëpitë e shqiptarëve të thjeshtë, autori italian Camillo Libardi na jep një tablo të gjallë të shoqërisë shqiptare të asaj kohe, duke u fokusuar në stilin shqiptar të qeverisjes dhe të politikanëve të saj.
Sipas tij, qysh në atë kohë, politika shqiptare nuk ka pasur lidhje me mirëqeverisjen por me sundimin me çdo kusht dhe me çdo mjet, duke vazhduar traditën e qeverisjes otomane. Libri përshkruan me hollësi të gjitha makinacionet dhe protagonistët e asaj kohe për të nënshtruar Veriun shqiptar. Natyrisht, vendin kryesor në këto kujtime e zë Ahmet Zogu, rruga që ai imponoi për t’u kurorëzuar Mbret.
Të ashtuquajtur krerë, bajraktarë apo klerikët, intelektualët më në zë  të Shqipërisë së Veriut, duke nisur me Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, Ernest Koliqin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktari, Gjon Markagjoni i Mirditës, dom Lazër Shanto, Rexhep Shala, Kazazët, Bumçët, Bernardin Shllaku, Ahmet Frashëri, Lazër Mjeda, Musa Juka, Gjon Gazulli e plot figura të tjera të kohës janë pjesë në dëshminë interesante të Camillo Libardit.
Në këtë libër përshkruhen me detaje ngjarje të panjohura historike si rebelimet antizogiste në Veri të vendit, reprezaljet e Zogut në Shkodër, Dukagjin dhe Temal, lufta e Zogut kundër opozitës, ekzistenca e të burgosurve politikë apo e vrasjeve politike.
Gjithashtu, në libër jepen dëshmi të reja për atentatin kundër Zogut në Vjenë, për vrasjen e Bajram Currit, rolin e madh që kanë pasur gazetat e asaj kohe si “Ora e maleve” apo “Hylli i Dritës”, ashtu si jepen dëshmi me interes për raportet e religjionit, fesë me politikën dhe regjimin.
----------------------

“Të bëhesh princ, edhe sikur të mos jesh plotësisht princ, por të paktën president republike ose, të paktën, të paktën mbetet të bëhesh diktator. Ky ishte dhe është qëllimi i beut të Matit. Për këtë qëllim, ambicia e tij e pakufi nuk deshi t’ia dijë për mjetet që përdori. Për këtë plan iu desh të sakrifikonte gjithçka, edhe me kusht që Shqipërinë ta copëtonin...
Për këtë nga jashtë krijoi aleancë me Jugosllavinë dhe nga brenda intrigat me feudalët. Ishin këto dy shkallët që i nevojiteshin për të hipur në fron. Në tre vitet e qeverisë së tij, i rrethuar nga ministra vasalë ose më mirë kukulla, mundi të thotë se ai nuk ishte vetëm kryetari i tyre, po i vetmi ministër i Shqipërisë! Princ i vërtetë.
Deputetë të blerë e gazetarë të shitur e thërrisnin “Shpëtimtar i atdheut”. Madje, disa poetucë rrugësh i këndonin në vargje ose më mirë të themi e ngrinin në qiell me himnet e këngët e tyre; ai që në kafenetë e Tiranës nuk duartrokiste kur këndohej himni i tij, do të rrihej pa mëshirë nga xhandarët e nga admiruesit e tij; bujtës të huaj stamponin në pëlhura rrezet e fytyrës së tij princërore, pallatin e tij të rrethuar me mure, kanale, përforcime e roje trupmëdhenjsh e të fuqishëm, ish të dënuar për krime, roje nderi: të gjitha këto mund të quheshin rezidencë e një despoti.
Kishin kaluar më tepër se 400 vjet dhe Skënderbeu nuk mundi të kishte nderin e një monumenti të tij në gjithë Shqipërinë, ndërsa tani mblidhnin firma për t’i ngritur një monument Ahmet Zogollit”.  (fragment nga libri)

    Titulli: Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu
    Autori: Camillo Libardi
    ISBN: 978-9928-109-15-6
    Faqe: 144
    Përkthyesi: Valbona Jakova Gurra

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...