2015-01-19

Ndërron jetë “Artisti Popullit”, Aristotel Stefani

Artisti Aristotel Stefani (1931) është ndarë nga jeta ditën e sotme pas një ataku në zemër. Në nderim të tij nesër do të zhvillohen homazhet në teatrin e Gjirokastrës. Aristotel Stefani, i njohur ndryshe si Teli , ka lindur në Lliar të Zagorisë në Gjirokastër. Ai është një nga emrat më të spikatur të kinemasë edhe teatrit shqiptar për rolet episodikë, me të cilët ka krijuar një karrierë të spikatur.
Ndërron jetë “Artisti Popullit”, Aristotel Stefani (FOTO)
Roli i tij episodik te “Përrallë nga e kaluara”, i skalitur edhe interpretuar plot mjeshtëri, mbahet edhe do të ngelet gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Fillimisht punonte në naftë në Kuçovë. Më pas nisi rrugën e artit me grupin amator të klubit të Kuçovës. Kur punonte, ai zhvillonte edhe pasionin e tij për aktrim. Në vitin 1956 ka kontribuuar për ndërtimin e Estradës Profesioniste të Gjirokastrës. Këtë kontribut e vazhdoi deri në vitin 1966, ku njëkohësisht punonte edhe si regjisor i trupës. Gjatë kësaj periudhe ka qenë edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Gjirokastër. Në teatrin e Gjirokastrës mbahet mend për rolet e tij në pjesët: “14 vjeç dhëndër”, “Fundi i botës”, “Pas vdekjes” në rolin e Adfhamudit, “Shqetësimet e Anës”, ku interpreton prof. Selckën, “Djepi i shitur” etj.

Ka qenë pjesëmarrës në14 filma artistikë, në të cilët shfaqet talenti dhe bie në sy interpretimi i tij i bukur . “Është nder për mua, që kam bashkëpunuar me Piro Manin, me Dhimitër Anagnositn, Viktor Gjikën”, është shprehur dikur ai. Gjithashtu ka qenë edhe pjesë e filmave: “Njeriu me top”, “Liri a vdekje”, “Koncert në vitin 1936”, “Dritat e qytezës”, “Përrallë nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, “Dasma e Sakos” e shume role të tjera

Pas “Charlie Hebdo”, “Traktati mbi tolerancën” i Volterit thyen rekordet e shitjes

“Best seller” i javës së fundit në Francë është për çudi…libri i Volterit “Traktat mbi tolerancën”, një libër që manifestuesit e Marshimit të Republikës e mbanin në duar të dielën e shkuar në Paris.

Dy euro dhe 144 faqe e të gjithë e kërkojnë në librari që prej ngjarjeve tragjike që tronditën Francën së fundmi.
Pas “Charlie Hebdo”, “Traktati mbi tolerancën” i Volterit thyen rekordet e shitjes
I botuar në vitin 1763, Volteri në këtë vepër merr në mbrojtje Jean Calas – një protestant që ishte ekzekutuar pas një akuze të stisur se kishte vrarë të birin që donte të konvertohej në katolik. Me ironi, shkrimtari i iluministëve francezë shkruan dhe lufton për respektimin e besimeve fetare dhe shpirtin e tolerancës e kritikon, dogmat e kohës dhe fanatizmin fetar:”Toleranca kurrë nuk ka nxitur ndonjëherë një luftë civile”, shkruan Volteri.

Ndahet nga jeta Pjetër Arbnori

Pjetër Arbnori, i paepuri i  "luftës për të mbetur njeri"

Ish-Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, shkrimtari dhe publicisti Pjetër Arbnori vdiq në një spital në Napoli. Shëndeti i zotit Arbnori ishte përkeqsuar ditët e fundit, në këtë mënyrë ai nuk i ka bërë dot ballë një hemoragjie celebrale. Pjetër Arbnori ishte njëri prej themeluesve të Partisë Demokratike, me një jetë politike të pasur në 15 vjetët e fundit. Pjetër Arbnori vuajti 25 vjetë burg për motive politike gjatë diktaturës komuniste. Emri i tij ishte përmendur rishtaz si një kandidat i mundshëm për President të Republikës.

Bota shqiptare humbi politikanin dhe njeriun e madh, simbolin dhe legjendën e qëndresës antikomuniste

Ndahet prej nesh Pjetër Arbnori

Pjetër Arbnori, politikan, ish-deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shkrimtar, ka ndërruar jetë në një spital në Napoli (Itali) nga sëmundja e hemoragjisë cerebrale.

Kush ishte simboli i qëndresës dhe persekutimit

I njohur si Mandela e Shqipërisë, Ish Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputet në pesë legjislatura,(1992-2005) një nga kundërshtarët e regjimit komunist, i burgosur politik për 28 vjet,

Pjetër Arbnori u lind në qytetin e Durrësit ë 18 janar 1935. Gjatë 71 viteve të jetës së tij, ai është nderuar me titujt "Mësues i Popullit", "Pishtar i Demokracisë", "Qytetar Nderi" i qytetit të Vaut të Dejës.

Asambleja parlamentare e vendeve frëngjishtfolëse i ka dhënë titullin "Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës". Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, i ka dhënë medalionin e argjendë "Nënë Tereza" dhe prerjen e artë "Georgus Castriotus-Scanderbeg" 27.11.1996, Instituti Biografik i Kembrixhit dhe Instituti Biografik Amerikan kanë futur biografinë e Pjetër Arbnorit në "Ëho is Ëho" të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar botimi 26-27. Ka marrë medaljen e shekullit XX për merita. Akademia Kulturore Romë i ka dhënë medaljen "Scodrinon" dhe diplomën 2001.

Pavarësisht nga fakti se mbaroi shkollën e mesme me medalje, nuk iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta. Më 1953 filloi punën si mësues. Më 1954 pushohet nga puna për motive politike. Më 1956 filloi punën si punëtor krahu në bujqësi.

Me anë të dokumenteve të rreme mundi të fillojë studimet në Universitetin e Tiranës. Mbaroi në dy vjet e gjysmë, nga pesë vjet që ishte, studimet me korrespondencë në Fakultetin e Filologjisë dhe u diplomua me motivacionin "shkëlqyeshëm". Më 1960, mësues letërsie. Që në moshën 14 vjeç u përfshi në aktivitetet e grupeve ilegale kundër komunizmit. Shtypi e shpërndau trakte e së bashku me intelektualë të tjerë mori pjesë në themelimin e një organizate ilegale socialdemokratike, programin e së cilës e hartoi vetë.

Në pranverën e vitit 1961, zoti Arbnori u arrestua për krimin e krijimit të Partisë Social Demokrate dhe pas një procesi të gjatë prej dy vjetësh u dënua me vdekje. Mbas tre muajsh dënimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë, iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera burg me akuzën "për agjitacion dhe propagandë, si dhe për arsye të shkruarjes së një romani dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra. Mbasi kreu dënimin më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të viti 1989, dhe më pas punoi si punëtor në një zdrukthtari.

Që në fillimet e lëvizjes demokratike mori pjesë aktivisht dhe në demonstratën e parë antikomuniste, më 14 janar 1990, në qytetin e Shkodrës, për të rrëzuar bustin e Stalinit. Më 12 dhjetor, në tribunën e mitingut themelues të PD-së, i dorëzoi Azem Hajdarit dhe Sali Berishës një mesazh nga Shkodra demokratike dhe antikomuniste. Më 13 dhjetor 1990 qe njëri nga organizatorët e demonstratës antikomuniste në Shkodër, ku u hodh në erë busti i diktatorit Enver Hoxha.

1991-1992 Kryetar i Degës së PD-së Shkodër
1991-2001 Anëtar i Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së
1991, 31 mars - Deputet i Partisë Demokratike, Zona Laç Shkodër
1992, 22 mars - Deputet i Partisë Demokratike, Zona Shkodër qytet
1996, 26 maj - Deputet i Partisë Demokratike, Zona Laç Shkodër
1997, 29 qershor - Deputet i Partisë Demokratike, Zona Bushat Barbullush, Hajmel
1992-1996 - Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë
1996-1997 - Kryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë
1991-1992 - Nënkryetar i Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut
1997-2000 - Sekretar i Komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut
2001- 2005 Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për zonën Bushat, Barbullush, Hajmel 1999, shtator - Sekretar i PD-së për Marrëdhëniet me Publikun
2005-2006-Anëtar i Kryesisë së PD


Pjetër Arbnori Shkrimtar

Ka shkruar ditarin sekret me titull "Lufta për të mbetur njeri", që ka mundur ta mbajë gjatë 28 viteve të burgut dhe nuk ka parë ende dritën e botimit. Ka përkthyer shumë libra nga anglishtja, frëngjishtja, italishtja dhe rusishtja.

Veprat e botuara nga viti 1992, deri në vitin 2000

"Kur dynden vikingët" novelë, 1992
"Mugujt e mesjetës" roman, 1993
"Bukuroshja me hijen" novelë, 1994
"E bardha dhe e zeza" roman, 1995
"E panjohura" - Vdekja e "Gebelsit" novela, 1996
"Shtëpia e mbetur përgjysmë", roman 1997, për të cilin Pjetër Arbnorit iu shtuan dhjetë vjet burg
"Vorbulla", roman, 1997
"Letër nga burgu"
"Nga jeta në burgjet komuniste", studime historike 1992
"Brajtoni, një vetëtimë e largët", roman 2000
"Lufta për të mbetur njeri" - intervista 1990-2000
"Andre Morua, Historia e Anglisë", përkthim 1996

Në pranverën e vitit 1961, zoti Arbnori u arrestua për krimin e krijimit të Partisë Social Demokrate dhe pas një procesi të gjatë prej dy vjetësh u dënua me vdekje. Mbas tre muajsh dënimi iu kthye në 25 vjet burgim. Ai vazhdoi aktivitetin kundër diktaturës, duke shkruar dhe organizuar të burgosurit kundër regjimit. Për këtë, iu shtuan edhe dhjetë vjet të tjera burg me akuzën "për agjitacion dhe propagandë, si dhe për arsye të shkruarjes së një romani dhe tregimeve të ndryshme të shkurtra. Mbasi kreu dënimin më tepër se 28 vjet, u lirua në gusht të viti 1989.



Vendim i Këshillit të Ministrave në nderim të kujtimit të Arbnorit

E diela shpallet Ditë Zije Kombëtare

Këshilli i Ministrave shpalli ditën e diel, 9 Korrik 2006, Ditë Zije Kombëtare. Për të nderuar kujtimin e burrit të shquar të kombit, zotit Pjetër Arbnori, kryeministri Berisha nënshkroi dje vendimin e posaçëm, që detyron institucionet shtetërore dhe publike të ulin flamurin kombëtar në gjysëm shtize.

"Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, "Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre", si dhe të pikës 8, kreu VI, të vendimit nr.229, datë 23.04.2004, "Për miratimin e ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë", të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, për të nderuar kujtimin e burrit të shquar të kombit, humanistit Pjetër Arbnori-it, legjendës së qëndresës së njeriut për liri dhe dinjitet njerëzor, simbolit të sakrificës dhe triumfit të vlerave të lirisë, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi shpalljen ditë zije kombëtare, ditën e dielë, datë 9.7.2006, në nderim të humanistit, të ndjerit Pjetër Arbnori. Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysëm shtize."

Berisha: Kombi humbi kryeparlamentarin e lirisë

Mbrëmë, në një spital të Napolit, u nda nga jeta burri i shquar i kombit shqiptar, politikani, ish-kryeparlamentari i vendit, njëri ndër themeluesit dhe udhëheqësit kryesorë të Partisë Demokratike, shkrimtari dhe humanisti i njohur, Pjetër Arbnori.

Me vdekjen e Pjetër Arbnorit, familja humbi bashkëshortin, prindin, familjarin e shkëlqyer dhe shembullor, kurse Shqipëria dhe kombi shqiptar humbën "Mandelën" e tyre dhe të mbarë Europës, legjendën e qëndresës së njeriut për liri dhe dinjitet njerëzor, kryeparlamentarin e lirisë.

Partia Demokratike humbi udhëheqësin dhe themeluesin e saj të mençur, të vendosur, të shquar; letrat shqipe, njërin prej kalorësve të tyre më në zë; shoqëria shqiptare, humanistin e madh, bashkëvuajtësin, simbolin e qëndresës dhe sakrificës së tyre mbinjerëzore.

Sot, çdo shqiptar përulet me nderim të madh para kujtimit të veprës së Pjetër Arbnorit dhe ndjehet i pakësuar me humbjen e tij. Ju ftoj të nderojmë kujtimin e Pjetër Arbnorit me një minutë heshtje. I paharruar kujtimi i tij!

Topalli: Arbnori-mbrojtësi i paepur i të drejtave të njeriut

Kryeparlamentarja Topalli, gjatë një konference për shtyp, shprehu në emër të Kuvendit ngushëllimet për humbjen e mikut, politikanit të madh, simbolit të rezistencës ndaj regjimit komunist dhe simbolit të besimit tek vlerat e demokracisë. Jam këtu, për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet më të thella, në emër të Kuvendit, por edhe personalisht, për humbjen e politikanit të madh, mikut tim, të familjes time, mikut të të gjithëve, për humbjen e simbolit të rezistencës ndaj regjimit komunist, simbolit të "luftes për të mbetur njeri", i besimit te vlerat e demokracisë. "Pjetër Arbnori, përfaqësuesi i denjë i letërsisë jozyrtare shqiptare, të shkruar në kushte terrori e me rrezik për jetën, do të mbetet një ikonë e historisë së re të pluralizmit shqiptar, përfaqësues dhe zëdhënës i shtresës më të nëpërkëmbur të shqiptarëve gjatë 50 viteve të diktaturës.

Si politikan, deputet i plejadës së parë politike të viteve '90, ai është pjesë e filozofisë liberal-demokrate, me frymë të theksuar sociale, shenjë e tolerancës dhe kulturës politike. Ndërsa, si Kryetar i Parlamentit, si deputet dhe si burrë shteti ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një personalitet që të kujton figurat më të ndritura shtet-formuese shqiptare", tha znj. Topalli. "Kuvendit, politikës dhe të gjithë shqiptarëve do t'i mungojë politikani me mentalitet paqësor perëndimor, frymëzuesi i qëndresës dhe mbrojtësi më i paepur i të drejtave të njeriut", shtoi ajo. Znj Topalli tha se: "Kuvendi është i përkushtuar maksimalisht për t'i bërë të gjitha nderimet shtetarit të madh Pjetër Arbnori së bashku me familjen e tij".

Topi: Arbnori, figura e qëndresës qytetare

Drejtues dhe përfaqësues të partive politike shqiptare vlerësuan figurën dhe kontributin e ish-Kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori, i cili u nda nga jeta në një spital në Napoli (Itali). Kreu i deputetëve të PD-së, Bamir Topi, Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së Pandeli Majko, kreu i deputetëve të LSI-së, Sabit Brokaj dhe Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, në prononcimet e tyre vlerësuan figurën e zotit Arbnori, si një nga politikanët e veçantë që ka njohur tranzicioni shqiptar, si një figurë të përmasave kombëtare, simbol të demokracisë dhe anti-komunizmit.

Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, Bamir Topi, shprehu keqardhjen më të thellë për humbjen e ish-Kryeparlamentarit Pjetër Arbnori. Zoti Topi në një prononcim tha se, "në sytë e të gjithë demokratëve shqiptarë, por edhe në pjesën më të civilizuar të kombit, zoti Arbnori mbeti figura e qendresës qytetare ndaj sistemit komunist totalitar". "Pa dyshim, për ne që kemi punuar me të, ai mbetet një intelektual me horizont të gjerë dhe me një urtësi shembullore, humbjen e të cilit ne do ta ndjejmë", tha zoti Topi.

Moisiu: Arbnori, simbol i disidencës politike

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu priti me hidhërim të madh lajmin e ndarjes nga jeta të politikanit, shkrimtarit dhe shtetarit të njohur, Pjetër Arbnori. Në komunikimin me familjen e të ndjerit, Presidenti Moisiu shprehu ngushëllimet e tij të thella për humbjen e personalitetit politik dhe familjarit të devotshëm, si dhe vlerësimin e tij më të lartë njerëzor dhe zyrtar për jetën dhe veprimtarinë politike e shoqërore që Pjetër Arbnori realizoi në 71 vitet e jetës së tij. "Pjetër Arbnori ishte shembulli i një njeriu me vlera të larta qytetare, simbol i disidencës antikomuniste, krijues me talent të rrallë dhe modeli i një politikani të ndershëm dhe me vizion, i cili me punën e tij i dha nder Shqipërisë", - u shpreh Presidenti Moisiu.



INTERVISTE E PJETER ARBNORIT DHENE ANTON CEFES:

Anton Cefa : Në krahasim me politikën, vështirësitë, rrugët e rrugicat e saj, zhgënjimet e dështimet e saj, ju keni vlerësuar më shumë hapësirën e ndriçme të artit letrar; por, në momente të caktuara e periudha të veçanta, epërsinë e ka pasë e para. Si e konceptoni shtysën e brendshme shpirtërore ndaj këtyre dy veprimtarive, që kanë karakterizuar më së shumti jetën dhe personalitetin tuaj?

Pjetër Arbnori: Veprimtaria politike dhe letrare janë të ndërthurura në jetën time dhe nuk shkëputen dot nga njëra-tjetra. Që në fëmini kam pasur një jetë shumë të dendur me ngjarje dhe shumë të ngjeshur me mbresa të pashlyeshme qofshin të mira qofshin të dhimbshme. Vështirësitë e jetës dhe gëzimet e pakta më kujtojnë ditët e vranta
kur dielli për disa çaste e nxjerr syrin e ndriçëm, të cilin e mbyll sapo fillon rrebeshi. Kryesorja në jetë ka qenë grumbullimi i përshtypjeve që shtresohej muaj pas muaji, vit pas viti. Jo vetëm shikoja, ndieja por edhe mbaja mend dhe nxirrja përfundime. Për natyrë nuk kam qenë njeri agresiv, as ekspansiv, por jam përpjekur t’i bluaj ato që kam jetuar. Jo gjithmonë e kam shprehur atë që përjetoja, kështu që rruga më e mirë ka qenë në fillimet poezia ajo që më ndihmonte të shpreh shpirtin tim të ndjeshëm. Me mësime kam shkuar shumë mirë, kështu gjatë viteve jo vetëm që kam dalë i pari i klasës, po më dukej krejt e natyrshme që të isha i pari. Ambicja positive më ka shoqëruar gjithë jetën: “kam luftuar të ndërtoj një strehë për vete pa lënë tjetrin në shi; të siguroj një kafshatë bukë pa ia hequr tjetrit kafshatën nga goja.; të përpiqem të shkollohem pa e lënë tjetrin në errësirë; të rropatem në pranga për të ndriçuar robërinë time pa ia rënduar jetën shokut pranë.” Është krejt e natyrshme që në këto rrethana është letërsia ajo që do të më tërhiqte për të paraqitur gjithçka që kisha provuar dhe ndier. Që në fëmini kam lexuar shumë. Babai më ka lënë një pasuri të madhe: një bibliotekë që e kam shfrytëzuar si duhet. Jam rritur me Fishtën, Lasgushin, Mjeden, Nolin, Konicën, Migjenin, Koliqin, Kutelin. Nuk e fsheh se kam dashur t’u ngjas sadopak këtyre. Po këtu hyn politika: tre prej tyre isha i detyruar t’i lexoja fshehtas, se i quanin reaksionarë. Veç kësaj, në fillim të vitit 1948, më futën motrën në burg për arsye politike. Nënën dhe motrën tjetër, m’i kanë pushuar disa herë nga puna, sado që ato bënin punë të rëndë krahu. Veç kësaj, pas vitit 1945, filluan kontrollet, arrestimet, gjyqet e pushkatimet në qytetin tim, Shkodrën, madje në gjithë Shqipërinë.
Të gjitha këto bënë që të përzihej politika me letërsinë dhe të pasqyroja mbresat dhe ndjenjat duke shkruar ndonjë poezi apo duke mbajtur ndonjë ditar, që natyrisht shpesh grisej ose digjej nga frika e kontrolleve. Vuajtja më bëri të merrem me politikë, politika më çoi me ndërgjegje drejt burgut; burgu më pasuroi shpirtërisht dhe më bëri të njoh anë të paprovuara të jetës; në kushtet e një mbylljeje hermetike, iu drejtova letërsisë për të dytën herë me dëshirën të pasqyroj të vërtetën.
Kur u arrestova, shumicën e shkrimeve të rinisë m’i konfiskuan dhe m’i zhdukën. Që kur munda të marr shënime në burg, nisa të mbajë një ditar të fshehtë me titullin e dukshëm: Pjetër Arbnori-Folklor (mbledhur nga goja e popullit ose vjelë nga shkrime të ndryshme)-Proverba-Gjë e Gjëza-Toponomastikë-Gazmore-Këngë popullore-Grimca historike, etj., etj. Titulli i fshehtë ka qenë: LUFTA PËR TË MBETUR NJERI. Një pjesë të këtij ditari të fshehtë, të mbajtur për afër 28 vjet, e kam nxjerrë me shumë kujdes, sakrificë e rrezik dhe shpresoj që heret a vonë ta botoj pas deshifrimit tepër të vështirë që i duhet bërë. Kush ka vizituar studion time-papafingo- e ka parë, shfletuar dhe fotografuar.
Të gjitha këto i kam bërë i shtyrë nga lufta për ta bërë padrejtësinë drejtësi. Kuptohet që kjo mbetet një përpjekje që nuk mund të realizohet kurrë plotësisht as në realitet, duke u marrë qoftë me politikë qoftë me letërsi. Në letërsi je më i lirë se në politikë.

Edhe pse pjesën më të mirë dhe më të bukur të jetës e keni kaluar në robërinë e errët të burgut, ju e keni ndjerë veten gjithnjë shpirtërisht të lirë. Cila do të ishte marrëdhënia mes lirisë shpirtërore dhe letërsisë artistike, si atribut shpirtëror, në kushtet e robërisë fizike, në veçanti, dhe në kushtet e një jete normale, në përgjithësi?

Kam shkruar në ligjëratën mbajtur në Universitetin e Romës “La Sapienza”: “Jeta është një përpjekje për të zgjëruar çdo ditë kufijtë e lirisë, për të hapur çdo ditë kufijtë e kontaktit me botën, me realitetin. Kur nuk mund t’i thyesh kufijtë që të rrethojnë ka edhe një mënyrë tjetër për të hyrë në botën e lirisë që është mjaft e mundimshme, por më efikase: zgjërimi i lirisë në veten tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze intelektuale, me anë të mendimit, diskutimit dhe shkrimit”.
Në burg, në diktaturë mendimi nuk mund të ndalohet dot, përkundrazi nxitet edhe më tepër, diskutimi është me shumë rreziqe, po jo i pamundur; ndërsa shkrimi është një provë materiale në bazë të së cilës mund të dënohesh për të dytën herë, siç më ka ndodhur mua kur më shtuan dhjetë vjet për romanin “Shtëpia mbetur përgjysmë”. Shkrimi në burg është shkrirja e përvojës tënde, e kujtimeve, e vëzhgimit të përditshëm, e diskutimeve. Mendja të ndihmon për të sajuar metoda që realisht të bëjnë përherë e më të lirë derisa i afrohesh lirisë absolute. Unë kisha gjetur një metodë që më dukej origjinale. Duke qenë se për çdo mendim të shprehur mund të gjindej shkaku për të të dënuar, shumicën e veprave të mia unë i kam quajtur të përkthyera nga anglishtja, nga frëngjishtja, nga italishtja, nga rusishtja apo nga gjermanishtja. Vija poshtë kopërtinës: përkthyer nga Pjetër Arbnori. Autorin e vija ose tepër të madh ose të panjohur. Kisha edhe një metodë tjetër: ngjarjet ose i ndërroja në kohë ose vende. Ngjarjet apo personazhet ishin të ndodhura në Shqipëri dhe unë i kaloja në Gjermaninë naziste (1933-1939): “Kur dynden vikingët” ose në Bashkimin Jugafrikan (1960-1970): “E bardha dhe e zeza” ose në Irlandë e Angli, në kohën e luftës së irlandezëve për pavarësi: “Brighton-një vetëtimë e largët” ose ngjarjet e arrestimit të Grupit të Rezistencës (1950) i kaloja në ngjarjet tek “Vorbulla” e pas Lidhjes së Prizrenit 1878-1882, e kështu me radhë. Analogjia më ndihmonte për të përshkruar personazhe reale që i kisha njohur vetë në liri apo në burgje, apo për të cilët iasha dëgjuar nga bashkëvuajtësit. Në këto rrethana “të sajuara” kam qenë krejtësisht i lirë në plazmimin e personazheve, të dialogeve, të ngjarjeve, aq sa tani që i kam shpëtuar, nxjerrë e botuar romanet, kur m’i lexojnë shokët e vuajtjes që kanë mbetur gjallë, më thonë “sa bukur e ke përshkruar Ndrekë Kakarriqin apo filanin e filanin, pra më thonë emra personash të vërtetë dhe jo personazhesh të romanit.
Përshkrimi i burgut dhe i të burgosurve, hetuesve dhe policëve a gardianëve te romani “Vorbulla” është identik me ato që kam parë me sytë e mi ose dëgjuar prej shokëve të mi që njiheshin për besnikëri përshkrimi. Kur lexoja faqet e shkruara emocionohesha vetë po aq sa emocionoheshin shokët që i lexonin.

Cilën arritje tuajën vlerësoni më shumë në fushën e politikës, të letërsisë artistike dhe të vetë jetës?


Kam luftuar për të drejtën me anën e më të dobëtit; kur kam arritur të bëhem i fortë me fitimtarët nuk i kam vënë këmbën në fyt kundërshtarit. Në letërsi kam përshkruar të vërtetën pa e lustruar, kam dialog të gjallë dhe humor të shëndoshë: romani “Shtëpia e mbetur përgjysmë”. Në jetë nuk e kam humbur besimin edhe kur isha në grykën e varrit; në të gjitha rrethanat të gjej anën gazmore, edhe në kushtet tragjike. Ndjek parimin: po të thuash mirë, bëhet mirë.

Ku e ndjeni veten më të talentuar: në politikë a në letërsi dhe cila ju ka dhënë më shumë kënaqësi në jetë?

Kam qenë i detyruar të merrem me politikë, megjithatë gjithë jetën e kam bërë pa hile qoftë ndaj shokëve qoftë ndaj kundërshtarëve. Për natyrë unë ia them cilitdo të vërtetën në sy (pa mendimin që ta denigroj ose që t’ia fus stërkëmbësën). Krenohem që nuk kam tradhtuar miqtë në kushte të vështira. Si shembull talenti në politikë: një herë duke folur në Kuvend u thashë spontanisht kundërshtarëve: ju nuk jeni socialistë por jeni “specialistë”. Unë shpresoja t’i indinjoj, t’i bëj të bërtasin, por të gjithë djathtas e majtas shpërthyen në gaz. Kanë kaluar vite dhe ende qoftë njerëz të thjeshtë qoftë me pozitë, të njohur e të panjohur, si me gojë si me shkrim ma përsërisin”Pjetër ia ke gjetur pikën: “nuk janë socialistë, por specialistë”. Në letërsi shkrimtari është si babai që ka shumë fëmijë dhe nuk dallon asnjërin veçanërisht, por unë kam më kanakar romanin “Shtëpia e mbetur përgjysmë” për realitetin e Shkodrës më 1943-1944, për humorin në vuajtje dhe për dialogun e gjallë. Ajo është arritja ime. Në jetë shokët më mbajnë mend që nuk kam bërë njëherë uh! , as oh!, as në prak të vdekjes, as në hekura, as gjatë më se 28 vjetëve në burg. Gjeta nënën gjallë dhe më pa të martuar, deputet të respektuar. Talenti im i madh është se kam një djalë e një vajzë si pëllumba, të bekuar nga Nënë Tereza vetë, siç më ka bekuar edhe mua dhe gruan time. A ka talent më të madh dhe arritje njëherësh.

Letërsia e krijuar në burgje u bë e njohur mbas rënies së diktaturës. Cili është mendimi juaj për këtë letërsi: sa e si e dëshmon ajo veten si një kapitull i veçantë i historisë së letërsisë sonë? Lidhur me këtë, kjo letërsi, përveç jush, njeh krijues të tillë të fuqishëm si Trebeshina dhe Zhiti. Ka emra të tjerë që i bëjnë vetes një vend të merituar këtu?


Synimi i diktaturës ishte që të zhdukte do gjurmë të mendimit të lirë dhe çdo faqe artistike të krijuar në kushtet e burgut, internimit ose fshehtësisë. Dihet se veprimi i parë që bëhej nga njerëzit e ndjekur kur kërcënoheshin nga arrestimi ishte djegia e letrave të shkruara ose fshehja e tyre. Janë shumë të paktë krijuesit, qoftë edhe ata tepër të kujdesshëm, që nuk kanë pasur një fletë për të zhdukur, kur janë kërcënuar ose kanë pasur dyshim se do të kontrolloheshin. Unë vetë, megjithëse shumicën e kohës kam ndenjur i izoluar ose me shoqëri të kufizuar burgu, mund të dëshmoj se kam njohur një numër njerëzish të talentuar që në kushtet më të vështira kanë shkruar një faqe, dy faqe, dhjetë faqe që i kanë qarkulluar në shokë tepër të besuar. Letërsia, përgjithësisht arti, nuk mund të gjallojë pa i lexuar njeri krijimet, pa i parë ose pa i dëgjuar kush. Në burgun e Burrelit qarkullonin poezi që u recitoheshin shokëve e miqve gjatë ajrosjes (kurrë nuk recitoheshin me zë në dhomë), këndoheshin këngë me zë të ulët në ajrosje (pasi kënga në dhomë ishte e ndaluar me kërcënimin e ndeshkimit). Nuk duhet harruar se kontrollet e imta bëheshin çdo javë, duke nxjerrë dyshekët në oborr, ushqimet, librat, fletoret. Rrëmoheshin edhe fletët e pusullat e vogla. Më e pakta asgjësoheshin. Di që shkruheshin dhe kam lexuar prej tyre ese nga Mirash Ivanaj e Xhevat Korça, leksione juridike nga Engjëll Çoba, leksione estetike dhe logjike nga Koço Tasi, leksione filozofike nga At Pjetër Meshkalla. Kam dëgjuar këngë të bukura nga Gac Çuni dhe Tanush Kaso; kam lexuar poezi të ndjera nga Kudret Kokoshi, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, proza poetike nga Astrit Delvina. Por mund të them se secili autor i ruante krijimet e veta vetë dhe mendonte si mund t’i kalonte jashtë, gjë që nuk ishte aspak e lehtë.
Edhe unë si ju mendoj se emëri i Kasëm Trebeshinës dhe i Visar Zhitit janë të spikatur, por i takon kritikës kompetente dhe të ndershme të thotë fjalën e vet për të tjerët.

Vihet re rëndom, në këtë periudhë të trysnisë së çoroditur politike, të kësaj gjendjeje shpirtërore traumatike dhe të këtij çorientimi të përgjithshëm kulturor, përveç mungesës së një kritike të shëndoshë letrare, edhe një përpjekje dashakeqe për ta lënë në heshtje këtë letërsi, mos edhe për ta përbuzur dhe bile për t’ i nxjerrë namin e keq.


Përgjigjja është e thjeshtë. Kritika e shëndoshë letrare është e mangët dhe ka qenë e dukshme përpjekja dashakeqe e një kategorie të caktuar për ta lënë në heshtje këtë letërsi disidente, madje edhe është denigruar ajo me qëllim. Sidomos për shkakun se mijëra firma, miliona faqe e miliarda lekë të shpenxuar për të ngritur në qiell një ideologji të rreme, një letërsi të shpifur, një lavdi të fryrë si tollumbace doli bosh. Ish-shkrimtarëve u dhimbset letra e shpenzuar kot dhe u vjen edhe më keq që nuk mund të krijojnë në liri vepra të reja për të qenë, prandaj janë dashakeqës ndaj të tjerëve.

Letërsia rreh të zbulojë botën e brendshme të njeriut, në përpjekje për të depërtuar në thellësitë e saj më të panjohura dhe për ta humanizuar atë. Çfarë mendimi keni për letërsinë e realizmit socialist, që lulëzoi në vendin tonë, duke u nisur nga fakti që ajo pati një hero të rremë, pasqyroi një realitet të shpikur dhe jetësoi një mesazh të pamoralshëm?

Realizmin socialist unë e kam quajtur publikisht RRENALIZMI SOCIALIST dhe jo pa arsye.

Në veprat më të arrira të realizmit socialist u ngjiz një kontradiktë e fuqishme mes mjeshtërisë së lartë artistike dhe mesazhit të saj negativ, gjë që dëmtoi së tepërmi formimin e bereznive të reja. Si i gjykoni këto vepra ?

Me gjithë përpjekjet për rrafshimin e mendjeve dhe talenteve, edhe diktatura kishte nevojë për disa mjeshtra të spikatur të fjalës artistike, të cilët përpiqej t’i kishte nën kontroll dhe të lavdërohej me ta nëpër botë. Këta mjeshtër herë pas here goditeshin më rëndë ose më lehtë sipas planifikimit. Ndodhte rrallë që ata i dilnin edhe nga kontrolli diktaturës siç ka ndodhur me shkrimtarin Ismail Kadare, i cili në shumicën e rasteve i kapërcente kornizat. Ky shkrimtar i shquar më kujton një thënie të Bedri Spahiut, ish-udhëheqës komunist më vonë disident në burgjet e diktaturës, i cili më thoshte: “Unë jam i lirë në ujë, por nuk jam i lirë nga uji. Kur më vjen dëshira e madhe për pavarësi kërcej disa herë si peshku mbi sipërfaqe, shikoj botën po edhe më shikon bota siç jam dhe sa vlej…”

Sado e egër që qe diktatura, tek ne pati një disidencë politike të hapur e të organizuar dhe ju keni qenë një ndër përfaqësuesit e saj më të mëdhenj. Si e shpjegoni që nuk ndodhi një gjë e tillë në fushën e krijimtarisë artistike, ku, në këtë drejtim, pati vetëm përpjekje të veçuara të ndonjë personaliteti?

Jam i rezervuar për pohimin tuaj. Ka pasur përpjekje dhe tentativa serioze për disidencë politike të hapur dhe të organizuar që nga 1945 deri më 1990, por diktatura ka qenë e pamëshirshme, madje provokuese. Është për t’u nderuar inteligjenca shqiptare dhe shtresat e ndryshme të popullsisë për rezistencën që i bënë komunizmit. Këtë e vërtetojnë grupet e ndryshme të dënuara, mijëra njerëzit e pushkatuar, të burgosur, të internuar dhe të arratisur. Kjo tregon papajtueshmërinë e popullit tonë me ideologjinë e kuqe. Nga ana tjetër ka pasur edhe shumë gjyqe false të cilat sajoheshin për t’i futur frikën pjesës tjetër të popullsisë.
Po kështu ka ndodhur edhe në fushën e krijimtarisë artistike, ku shkrimtarët e afirmuar vdiqën në burg : Vinçenc Prennushi, Ethem Haxhiademi; bënë burg: Mitrush Kuteli, Petro Marko, Kasëm Trebeshina, Visar Zhiti, Jorgo Bllaci, Pano Taçi, etj. . Ata që nuk u burgosën jetuan nën trysni, gjithmonë të kontrolluar: Lasgush Poradeci e tjerë, të cilët dogjën vetë dorëshkrimet ose ia dogjën të afërmit e tyre nga frika. Sot është e kotë të vajtojmë për vlerat e humbura, por t’u japim vlerën e vërtetë atyre që kanë mbetur si relike të një kohe që duhet pasqyruar medoemos me vërtetësi në mënyrë që të mos përsëritën shëmtirat e një murtaje intelektuale që brezi i ri duhet ta njohë.

Prof. Gradilone i Institutit të Studimeve Shqiptare të Universitetit “La Sapienza” të Romës, në monografinë për veprat tuaja, pasazhe të ndryshme të tyre i ka përqasur me emra të tillë botërorë si Verga, Manxoni e deri te Homeri. Po ashtu, novela juaj, “Kur dynden vikingët”, në parathënien e Shefki Hysës, është krahasuar me “Fatin e njeriut” të Shollohovit, “Shkretëtirën tatare” të Dino Buxatit, “Plakun e detin” të Hemingueit. Cilët nga autorët e letërsisë botërore ju pëlqejnë më shumë dhe cili prej tyre mendoni se mund të ketë ndikuar në punën tuaj?

Profesor Giuseppe Gradilone, nxënës dhe pasues i Ernest Koliqit, ka shkruar një monografi me titullin “Pjetër Arbnori – Shkrimtar”. E falënderoj për analizën serioze dhe dashamirëse me të cilën më ka paraqitur. Sa për përqasjen me emra botërorë, mua nuk më rritet lehtë mendja, vetëm se ia shtoj detyrën vetes për t’u përngjarë sadopak atyre titanëve dhe më duhet të mos e ndaj limën nga dora. Me që më pyesni, unë do të them se adhuroj Shekspirin edhe pse nuk kam mundësi të shkruaj asnjë tragjedi, dramë apo komedi; kam nderim për Tolstoin sadoqë ky i fundit kishte mendim të gabuar për vlerat e Shekspirit. Ndër prozatorët pëlqej në mënyrë të posaçme Çehovin, Sarojanin, O’ Henrin, Heminguein e Buxatin. Kam lexuar pa kufi gjithmonë. Kur kisha kohë nuk kisha libra, tani kam libra nuk kam kohë. Lexoja çdo gjë që më binte në dorë, lexoja shpejt në mënyrë diametrale. Po kur më bie në dorë një vepër e mire, e lexoj dy herë, madje edhe dhjetë here, kur është fjala për një autor si Shekspiri.
Shkrimtari i mirë nuk mund të kopjohet, se bëhesh qesharak, por mjeshtri i madh depërton me metodën e tij sa të hyn në të gjitha qelizat tuaja. Nuk e kam për turp të ndikohem nga veprat e mëdha botërore, por gjithmonë jam kujdesur që të kem të dallueshme firmën time.

Po i derjtohem prapë Gradilone-s që ju ka cilësuar si shkrimtar që “i përket brezit të rritur nën regjimin komunist, por me kujtesë edhe parakomuniste”. Sa e si është pesha e kësaj kujtese në krijimtarinë tuaj?

Vërtet jam i rritur në regjimin komunist, por kujtesat e fëminisë i kam përherë të freskëta. Pa adhuruar asgjë të mykur, kam pëlqyer jetën e lirë e të pakomanduar. Po të jetë për të besuar, nuk kam dashur kurrë të adhuroj perënditë e tokës por perëndinë në qiell, që është më i gjerë, më i lartë, më i pafund. Idetë komuniste nuk më kanë marrë kurrë mendjen.

Pjesën më të madhe të veprave tuaja i keni shkruar në burg, ku kishi kohë, kushte jo. Tani që jeni i lirë ndodh e kundërta. Mendoj që kohën më të madhe ia kushtoni politikës. A është e vërtetë?

Unë çdo gjë e marr seriozisht në jetë, edhe politikën. Vazhdoj të punoj edhe në letërsi. Nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe, po jo edhe pa vlerë. Politika më ka zënë derën, letërsisë ia kam zënë derën dhe nuk them se më ka dëbuar. Ngrihem çdo ditë mëngjes heret, shpesh në katër e gjysmë ose pesë. Gruaja dhe fëmijët flejnë, unë lexoj ose shkruaj. E ndiej që gjithnjë kam shumë gjëra që duhen kryer, plotësuar. Në politikë shpejt njerëzit harrohen. Përpiqem që njerëzit mos të më kujtojnë për keq. Në letërsi, një pjesë e njerëzve kujtohen më gjatë. Dëshiroj që brezat e ardhshëm, nëse do të qëllojë që të më kujtojnë, të mos thonë se i kam gënjyer, mashtruar ose kam shkruar me mllef.

Cili është mesazhi i jetës dhe i veprimtarisë suaj për breznitë e ardhshme ?

Mos qaj, mos vajto, qëndro gjithmonë drejt, jo në gjunjë, po u rrëzove, ngrihu përsëri në këmbë dhe ec përpara. Thuaj dhe shkruaj gjithmonë të vërtetën, dhe mbroje në çdo rrethanë e me çdo kusht. Po besove gjithnjë, do ta kesh rrugën të hapur.

Është bërë zakon ndër intervista të bëhen pyetje për planet e së ardhmes.

Kur të pushoj së punuari, së menduari, së shkruari, atë herë kam vdekur. Edhe në marrsha frymë pastaj, gjalloj më kot.

Veprat e botuara të Arbnorit:

Letërsi artistike:
-“Kur dynden vikingët”, novelë, 1992
-“Mugujt e Mesjetës”, roman, 1993
-“Bukuroshja me hijen”, novelë, 1994
-“E bardha dhe e zeza”, roman 1995
-“E panjohura – Vdekja e ‘Gebelsit”, novela, 1996
-“Shtëpia e mbetur përgjysmë”, roman 1997, për të cilin autorit iu shtuan 10 vjet burg.
-“Vorbulla”, roman, 1997
-“Brajtoni, një vetëtimë e largët”, roman, 2000

Letërsi dokumentare e publicistike:
-“Letër nga burgu”
-“Lufta për të mbetur njeri”, intervista 1992- 2000
-“Pjeter Arbnori: shkrimtar-politikan-njeri” 2001, botim i ilustruar autobiografik.
-“10300 ditë e netë në burgjet komuniste”, 2003, (botuar në shqip dhe në anglisht).
-“Martirët e rinj në Shqipëri – i nuovi Martiri in Albania”, 2004, (botuar në shqip dhe në italisht).
-“Martirët në Shqipëri – The New Martyrs in Albania”, 2004, botuar në shqip dhe në anglisht).

Përkthime:

-Andrea Morua “Historia e Anglisë”, 1998
-William Shirer “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë” (në dy vëllime), përkthyer në burg, në vitin 1988.



Topalli tha se komisioni ka propozuar që një rruge pranë Kuvendit t’i vihet emri i Pjetër Arbnorit

Arbnori, bust, edhe një rrugë do të marrë emrin e tij

TIRANË- Një rruge pranë Parlamentit do t’i vihet emri i ish-kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori dhe paralelisht kanë filluar përgatitjet edhe për ngritjen e një busti të tij. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në cilësinë e drejtueses së Komisionit për Organizimin e Ceremonisë Mortore të Varrimit të ish-kryetarit të Kuvendit, deklaroi dje se është propozuar që një rruge pranë Parlamentit t'i vihet emri i Pjetër Arbnorit. Në përfundim të homazheve të zhvilluara dje në sallën e seancave plenare, ku ishte vendosur trupi i ish-kryetarit të Kuvendit, Pjetër Arbnori, i ndarë dy ditë më parë nga jeta, Topalli tha se komisioni që ajo drejton ka propozuar që një rruge pranë Parlamentit t'i vihet emri i Pjetër Arbnorit. Po ashtu, sipas saj, do të sigurohet një fond për ngritjen e një busti të tij. “Kjo që ne mund t'i bëjmë, në fakt, është pak, krahasuar me vuajtjet e tij, me modelin e tij, si politikani më tolerant që ka parë ndonjëherë Shqipëria, në këto 15 vjet", tha ajo. Kryetarja e Kuvendit shtoi se Parlamenti i dha lamtumirën e fundit Pjetër Arbnorit, deputetit, ndër të parët pas pluralizmit, të zgjedhur me votën e lirë, “kryeparlamentarit të parë të pluralizmit shqiptar, logos së rezistencës shqiptare, njeriut që diti sa të buzëqeshte, aq edhe të qëndronte për vlerat e mëdha". Topalli, e shoqëruar dhe nga dy nënkryetarët e Kuvendit, Fatos Beja dhe Ylli Bufi, nga zëvendëskryeministri Ilir Rusmali, kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së, Bamir Topi dhe Pandeli Majko, ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, nderuan dje përmes kurorave me lule kujtimin e Pjetër Arbnorit gjatë homazheve që u zhvilluan në kujtim të tij në sallën e seancave plenare. Deputeti i pesë legjislaturave, i cilësuar si “Mandela” shqiptare, Pjetër Arbnori, u nda nga jeta dy ditë më parë në një spital në Napoli të Italisë

Pjetër Arbnori, i paepuri i "luftës për të mbetur njeri"


In Memoriam

Nga Albert Vataj

Një burrë shtatshkurtër, me kokën që e mban ulur sikur numëron hapat që hedh, kalon hyrjen kryesore të godinës trekatëshe; sendërgjon një përshëndetje që merr formë përmes zërit që i kumbon prej zhguallit të një timbri paqtues, teatralitetit të dorës dhe buzëqeshjes që shkruhet me shumë dlirësi në portretin e tij. Pëshpërin ata hapa të lehtë në korridoret e selisë së Partisë Demokratike për t’u shterur nga shikimi në kthinat ku e shtegton për në zyrën e tij, gjysmëdrita e zvargët. Ky ishte rituali i përditësuar i politikanit, demokratit, themeltarit dhe drejtuesit të PD-së, Pjetër Arbnori. E ndërsa rrekemi të ravijëzojmë nëpërmjet një ndërmendje të vagullt portretin e këtij burri të pashoq, këtij fisniku që erdhi dhe u fik ndër ne si një pishtar, këtij intelektuali qëndrestar, kësaj pene të mendimit disident, këtij shpirti të kurajshëm e zemre delikate, veçse një mirënjohje e përunjur, kurrçka tjetër nuk bën fajde. Ai si erdhi iku, për të mbetur, jo një Shën Pjetër, por një dishepull i tij.



In memoriam në 80-vjetor

Sot 80 vite më parë, më 18 janar të vitit 1935 lindi në Durrës, Pjetër Arbnori, për t’u shuar në moshën 71-vjeçare më 8 korrik 2006 në një klinikë në Napoli, pas një sfide të pamundur me zemrën e cila pushoi për t'ia ndalur rrugën për më tej, pas një hemoragjie cerebrale.

Tek Pjetër Arbnori, Partia Demokratike kishte të mishëruar udhëheqësin dhe themeluesin e saj të mençur, të vendosur, të shquar; letrat shqipe tek ai ngulmonin njërin prej kalorësve më të zëshëm të disidencës; shoqëria shqiptare, humanistin e madh, bashkëvuajtësin, simbolin e qëndresës dhe sakrificës së mbinjerëzores, “Mandelën” e Ballkanit. Pjetër Arbnori, përkarshi krejt kësaj shpërfaqje mbetet i ngulmët si përfaqësuesi i denjë i letërsisë shqipe, asaj letërsie të shkruar në kushtet e terrorit. Ai do të mbetet një ikonë e historisë së re të pluralizmit shqiptar, përfaqësues dhe zëdhënës i shtresës më të nëpërkëmbur të shqiptarëve gjatë 50 viteve të diktaturës. Si politikan, ai formësoi një figurë dinjitoze në politikën e zallamahishme shqiptare, e vlefshme për t'u respektuar për ekuilibrin, tolerancën dhe vetëpërmbajtjen, derimsot e mbetur vetanake në mbamendjen e gjeneratës. Si deputet i plejadës së parë politike të viteve '90, ai ishte dhe mbeti deri në fund pjesë e filozofisë liberal-demokrate, me frymë të theksuar sociale. Ndërsa, si kryetar i Parlamentit, ligjvënës, ai do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një personalitet që të kujton figurat më të ndritura shtet-formuese shqiptare.

Sa jetoi ia doli të mbushte me një densitet të lartë kumtues, golgotën e tij të mundimshme me shëmbëllimit më të përkorë të një vullneti lirie. Në këtë kalvar të stërgjatë që gjarpëronte nëpër skutat më të terrta të ferrit komunist dhe vërshimet e përbindshme të llavës së ngadhënjimit, ai mbeti shpirtshëlbyer. Prej nistores deri në të mbramë, Pjetër Arbnori mundi të sillte në jetë veprimtarin politik të zellshëm dhe të apasionuar, një krijues plot sqimë dhe dritëkungues, një njeri të ndershëm dhe të urtë. Jetoi fatin e tij tragjik pa u ankuar asnjëherë dhe pa lypur ndere dhe favore.

Rrugëtimi i korifeut

Rrugëtimi i Pjetër Arbnorit si korife i veprimit dhe mendimit, i zërit dhe kushtrimit nisi që kur ishte 14 vjeç, moshë që ndërmendet të jetë angazhuar në grupet ilegale të asokohëshme. Dy vjet e gjysmë studime në Fakultetin e Filologjisë dhe rezultatet e shkëlqyera, e përcaktojnë qartë pritshmërinë e tij dijetuese. Më tej, ai u hedh supeve të njoma barrën e rëndë të krijimit të një organizate social-demokrate, programin e së cilës e hartoi vetë. Prej këndej, i shkruhet me thëngjill të kuq fati i tij tragjik. Më 1961, arrestohet dhe dënohet me vdekje për agjitacion e propogandë. Pas njëfarë kohe, dënimi i zbret në 25 vjet burg. Si pasojë e aktivitetit të pas hekurave e nën zgjedhë, i shtohet dënimi edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht të vitit 1989 lirohet, duke mbajtur mbi vete 28 vite e gjysëm heqje lirie në burgjet famëkeqe të diktaturës. Merr pjesë që në fillimet e para të lëvizjes antikomuniste në Shkodër, e cila daton 25 vite të shkuara, më 14 janar 1990, kohë kur u shtri përdhe torsi prej betoni i diktatorit. Ajo kacafytje me komunizmin që përpëlitej në agoni shënon shkënditë e para të flakadanit të lirisë në qytetin verior. Ishte në grupin themelues dhe zgjidhet kryetar i degës së PD-së për Shkodrën gjatë periudhës 1991-1992. Veprimtarinë e tij politike e pasuron besimi i vullnetit të sovranit, zgjedhja deputet në kohështrirjen 1991- 2001, kulmim i së cilës është detyra e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, 6 prill 1992- 24 korrik 1997. Përgjatë gjithë kësaj periudhe, Pjetër Arbnori dëshmoi vlerat më të epërme të një politikani bashkëkohor. Ai shquhej si rrallëkush për sensin e humorit dhe maturinë, tolerancën dhe urtësinë.

Nderet dhe vlerësimet

Përgjatë 71 viteve të jetës, Pjetër Arbnori është nderuar me titujt "Mësues i Popullit", "Pishtar i Demokracisë", "Qytetar Nderi" i qytetit të Vaut të Dejës. Gjithashtu, Asambleja parlamentare e vendeve frëngjishtfolëse, i ka akorduar titullin "Oficer i Madh i Urdhrit të Plejadës". Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, i ka dhënë medaljonin e argjendtë, "Nënë Tereza" dhe prerjen e artë "Georgus Castriotus-Scanderbeg" 27.11.1996. Instituti Biografik i Kembrixhit dhe Instituti Biografik Amerikan kanë futur biografinë e Pjetër Arbnorit në "Who is Who" të intelektualëve dhe në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar botimi 26-27. Ka marrë medaljen e shekullit XX për merita. Akademia Kulturore, Romë i ka dhënë medaljen "Scodrinon" dhe diplomën 2001. Me Urdhrin "Nderi i Kombit", dekorohet (pas vdekjes) më 28.10.2011 nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi me motivacionin: "Personalitetit të shquar të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, simbolit të sakrificave mbinjerëzore nën persekutimin komunist, politikanit paqësor dhe shkrimtarit të talentuar, intelektualit vizionar e qytetarit fisnik, që gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi idealeve të mëdha të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të përparimit kombëtar".

Galeria krijuese e Arbnorit shkrimtar

Profili i këtij personaliteti do të ishte i paplotë nëse nuk do të kumtohej krejtçfarë përbën galerinë e kreativitetit letrar të Pjetër Arbnorit, të cilën megjithëse ai do ta rendiste si sekondare, pas politikës, mbetet më e qenësishmja veprimtari. Tharmi i atij shpirti krijues mëtohet për veçantinë e vet te ditari sekret"Lufta për të mbetur njeri", të cilin ka mundur ta mbajë larg flakëve të ferrit dhe makthit të qelive për 28 vite. Veprimtaria e botimeve e zgjatur në kohërendjen 1992-2000 nis me "Kur dynden vikingët", novelë, 1992, për të vazhduar me romanin "Mugujt e mesjetës", 1993; novelën "Bukuroshja me hijen", 1994; "E bardha dhe e zeza" roman, 1995; "E panjohura" - Vdekja e "Gebelsit" novela, 1996; "Shtëpia e mbetur përgjysmë", roman 1997; për të cilin Pjetër Arbnorit iu shtuan dhjetë vjet burg. Kolanën e tij krijuese e pasurojnë: Romani "Vorbulla", 1997; "Letër nga burgu", "Nga jeta në burgjet komuniste", studime historike 1992; "Brajtoni, një vetëtimë e largët", roman 2000; "Lufta për të mbetur njeri" - intervista 1990-2000 dhe "Andre Morua, Historia e Anglisë", përkthim 1996. Shtresohet më tej ky humus i përtëritjes së vlerave të letërsisë dhe kumtimit me "10300 ditë e netë në burgjet komuniste", 2003, (botuar në shqip dhe në anglisht); "Martirët e rinj në Shqipëri - i nuovi Martiri in Albania", 2004, (botuar në shqip dhe në italisht); "Martirët në Shqipëri - The New Martyrs in Albania", 2004, botuar në shqip dhe në anglisht). Për ta përmbyllur këtë punë vetëmohuese me përkthimet; Andrea Morua "Historia e Anglisë", 1998; William Shirer "Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë" në dy vëllime, përkthyer në burg, në vitin 1988. Në ditën e lamtumirës, Dritëro Agolli shprehet se vlera e Pjetër Arbnorit, i cili vuajti 28 vjet burg në kohën e diktaturës, qëndron në radhë të parë tek vlerat e tij njerëzore. Ndonëse me një jetë tejet të vështirë, ai nuk i maste kurrë njerëzit me metrin e përkatësisë partiake, por me vlerat e tyre njerëzore dhe morale. Pjetër Arbnori është shkrimtari dhe figura e mbijetesës së intelektualit në kohëra të vështira. Eshtë vërtet e pamundur të ndash figurën e tij si shkrimtar me atë të njeriut human dhe të butë. I tillë ishte dhe mbeti, atëditë e sot. Ne e kujtojmë dhe i shprehim mirënjohjen më të thellë për krejtçfarë ai bëri.

Epilogu

Sot e përkujtojnë të gjithë ata, tek të cilët mungesa e tashsavitshme e këtij personaliteti ka lënë një bosh të thellë, por në veçanti, bashkëshortja dhe dy fëmijët. Arbnori duke u rikthyer nëpërmjet kësaj "In memoriam" ysht në vetëdijen e politikës pendimin për harresën, me të cilën ata e ndëshkuan. Por emri dhe vepra e Pjetër Arbnorit do të mbetet e gjithmonshme në kujtesën e atyre që guxojnë edhe sot të besojnë në idealet, të cilave ai iu dha me mish e me shpirt.

Personazhi real i "Natë me hënë" të Ismail Kadare: Dosjen time e hapi Feçor Shehu, refuzova shtratin e mikut të tij


E dënuan për politikë se do të arratisej jashtë shtetit, kur diçka e tillë s’i kishte shkuar kurrë në mendje. Arrestimi i Rukie Ramës në dimrin e ’75-ës, nuk i ngjante asnjë historie nga ato që rëndom jemi mësuar të dëgjojmë gjatë regjimit, pavarësisht se u servir si e tillë. Motivi i prangosjes së mësueses së bukur të bjeshkëve të Tropojës nuk lidhej me armiqësinë me sistemin. Rukie Rama kishte rënë viktimë e një tjetër armiqësie: Kishte refuzuar t’i nënshtrohej një zyrtari të lartë të Sigurimit dhe kishte përfunduar në qelinë e shpagimit. Historia e saj përfundimisht do të koleksionohej në një dosje nga ato të tipit ‘sekret’, me emra e ngjarje të trilluara që nuk e përmbante askund të vërtetën e ndëshkimit.
Personazhi real i "Natë me hënë" të Ismail Kadare: Dosjen time e hapi Feçor Shehu, refuzova shtratin e mikut të tij
Sidoqoftë, ajo, me forcën e karakterit të saj, mundi ta kapërcejë këtë e të ngrihet më e fortë, për ta denoncuar fuqishëm atë, që fate të tilla të mos i përjetonin shoqet e saj. E ndëshkuara prej bukurisë dhe lakmisë së të plotfuqishmëve të sistemit, zbulonte një tjetër aspekt të panjohur të karakterit pervers të përfaqësuesve të regjimit. Në një intervistë për “GSH”, Rukie Rama pranon të tregojë “dosjen” e vërtetë të dramës së saj, duke vënë gishtin te protagonisti që urdhëroi çeljen e dosjes-fantazmë që do t’i rrëmbente ditët më të bukura të rinisë.

“Dosjen time e çeli Feçor Shehu, kur refuzova të shkoja një natë në shtrat me një funksionar të lartë të Ministrisë së Brendshme”. Përtej debateve për hapjen e dosjeve, që ka përfshirë Tiranën kohët e fundit, Rukie Rama përcjell nga Brukseli, ku jeton prej vitesh, mesazhin e trishtë se procesi tashmë mund të jetë i pabesueshëm, jo vetëm për vonesat e tejzgjatura, por edhe për mënyrën komprometuese si është operuar me to gjatë kësaj kohe nga autoritetet zyrtare…

Zonja Rukie, çfarë mendoni për debatin e fundit për hapjen e dosjeve të Sigurimit, duke qenë se dhe ju jeni një ndër viktimat e regjimit komunist?

Hapja e dosjeve, fjalë dhe zhurmë e kotë. Po të kishte një lloj predispozicioni, qoftë edhe minimal, këta 25 vjet ato do të ishin hapur disa herë e do të ishte mbyllur ky kapitull përfundimisht. Me sa duket, kjo nuk i ka interesuar klasës politike, atyre që kanë drejtuar vendin gjatë kësaj kohe. Tani jo vetëm që është vonë, por procesi dyshoj se mund të jetë komprometues. Kur them këtë kam parasysh atë që mund të jetë bërë me dosjet gjatë kësaj periudhe, ku lloj-lloj zyrtari ka bërë çfarë ka dashur me to…

Me aq sa keni mundur të merrni vesh më pas, kush e hapi dosjen tuaj?

Dosja ime është hapur me urdhrin e drejtpërdrejtë të Feçor Shehut, asokohe drejtor i përgjithshëm i Sigurimit të Shtetit. Nuk di çfarë është koleksionuar aty, por e vërteta e saj nuk ka të bëjë fare me motive politike, sikundër më akuzonin se do të arratisesha në Jugosllavi. Diçka e tillë nuk më kishte shkuar kurrë në mendje…/BW

Nga JMG Le Clesio” - Letër sime bije, të nesërmen e 11 janarit 2015


Letër sime bije, të nesërmen e 11 janarit 2015
Ti ke zgjedhur të marrësh pjesë në manifestimin kundër atentateve terroriste. Unë jam i lumtur që ti do të jesh e pranishme në radhët e të gjithë atyre që do të marshojnë kundër krimit dhe kundër dhunës së verbër të fanatikëve. Do të doja të isha me ty, por jam larg, dhe për të ta thënë të gjithën, ndjehem pak i vjetër për të marrë pjesë në një lëvizje ku ka shumë njerëz. Ti u ktheve e entuziasmuar nga sinqeriteti dhe vendosmëria e manifestuesve, shumë të rinj dhe shumë më pak të rinj, disa familjarë të Charlie Hebdo-së, të tjerë që nuk i njihje, as i kishe parë e as kishe dëgjuar për ta, të gjithë të indinjuar nga atentatet e neveritshme. Ti ishe prekur nga prania dinjitoze, në krye të kortezhit të familjeve të viktimave. U emocionove teksa pe duke marshur një fëmijë me origjinë afrikane që shihte nga lart në një ballkon, kangjellat e të cilit ishin më të larta se sa ai. Unë besoj në të vërtetë se se ky ka qenë një moment i fortë në historinë e populllit francez, që disa intelektualë të dëshpëruar donin të besonin të drojtur dhe pesimistë, të dënuar me nënshtrim dhe apati. Mendoj se kjo ditë e ka prapsur fantazmën e mosmarrëveshjes që kërcënon shoqërinë tonë plurale.

Duhej kurajo për të marshuar i çarmatosur në rrugët e Parisit dhe gjetkë, sepse sado i përsosur të ishte organizimi i forcave të policisë, rreziku i një atentati ishte shumë i madh. Prindërit e tu janë dridhur për ty, por je ti që ke të drejtë të mposhtësh me guxim rrezikun. Dhe pastaj ka gjithnjë diçka të mrekullueshme në një moment të tillë, që bashkon kaq shumë njerëz të ndryshëm, të ardhur nga çdo cep i botës, ndoshta pikërisht në shikimin e këtij fëmije që ti pe në ballkonin e tij, jo më të lartë se sa kangjellat dhe që do ta kujtosh gjithë jetën. Kjo kaloi, ti ishe dëshmitare.

Ata nuk janë barbarë
Tani është e rëndësishme të mos harrosh. Është e rëndësishme – dhe kjo për njerëzit e brezit tënd, sepse brezi jonë nuk ka ditur ose nuk ka mundur, të parandalojë krimet raciste dhe derivatet sektare – të veprojë në mënyrë që bota në të cilën ti do të vazhdosh të jetosh të jetë më e mirë se sa e jona. Është një ndërrmarrje shumë e vështirë, pothuajse e pakalueshme. Është një ndërrrmarrje ndarjeje dhe shkëmbimi me të tjerët. Dua të them se bëhet fjalë për një luftë. Pa dyshim, fryma e së keqes është e pranishme kudo dhe mjafton pak erë që ajo të përhapet dhe të konsumojë gjithçka rreth teje. Por është një luftë tjetër e cila është në diskutim, ti e kupton: një luftë kundër padrejtësisë, kundër braktisjes së disa të rinjve, kundër harresës taktike në të cilën ne lëmë një pjesë të popullsisë (në Francë, por edhe në botë), duke mos ndarë me të të mirat e kulturës dhe shanset e mirëqenies shoqërore.
Tre vrasës, të lindur në Francë, kanë tmerruar botën nga barbaria e krimit të tyre. Por ata nuk janë barbarë. Ata janë prej atyre që ne mund ti ndeshim çdo ditë, në çdo çast, në shkollë, në metro, në jetën e përditshme. Në një pikë të caktuar të jetës së tyre, ata bien në krim sepse kanë frekuentuar vende të këqija, sepse kanë dështuar në shkollë, sepse jeta e tyre nuk u ofronte veç një botë të mbyllur ku ata nuk kishin vend, besonin ata. Në një pikë të caktuar ata nuk kanë qenë zotër të fatit të tyre. Fëshfërima e parë e hakmarrjes që kaloi i përqafoi, dhe ata morën për fe atë që është veç një tëhuajsim i saj.

Duhet të shërojmë mjerimin e shpirtrave

Kjo zbritje në ferr është ajo që duhet ndalur, përndryshe ky marshim kolektiv nuk do të jetë veç një moment, nuk do të ndryshojë asgjë. Asgjë nuk do të bëhet pa pjesëmarrjen e të gjithëve. Duhet të thyejmë getot, të hapim portat, ti japim çdo banori të këtij vendi një shans, të dëgjojmë zërin e tij, të mësojmë prej tij aq sa ai mëson nga të tjerët. Duhet të ndalim së ndërtuari një tëhuajësi brenda kombit tonë. Duhet të shërojmë mjerimin e shpirtrave për të shëruar sëmundjen që gërryen themelet e shoqërisë sonë demokratike.

Unë mendoj se është kjo ndjesi që të ka prekur kur marshoje në mesin e kësaj turme të madhe. Gjatë këtij çasti të mrekullueshëm, barrierat e klasave dhe origjinave, diferencat e besimeve, muret që ndajnë qeniet nuk ekzistonin më. Kishte vetëm një popull të Francës, të shumëllojtë dhe unik, divers dhe që rrihte me të njëjtën zemër. Shpresoj, që prej kësaj dite, të gjithë ata, të gjitha ato që ishin me ty të vazhdojnë të marshojnë në kokën e tyre, në shpirtin e tyre dhe që pas tyre fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre të vazhdojnë këtë marshim

Vdekja misterioze e një hetuesi


Spiegel

Vdekja misterioze e një hetuesi

Personi, që synonte të zbardhte një nga sulmet terroriste më vdekjeprurës në historinë e Argjentinës, ka vdekur.

Alberto Nisman, prokuror i posaçëm për çështjen e sulmit në qendrën hebraike Amia në vitin 1994 në Buenos Aires, u gjet i vdekur mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij në lagjen Puerto Madero.

Sipas mediave argjentinase, ai u gjet me një plagë plumbi në vaskën e tij.

Këtë të hënë, juristi do shpjegonte akuzën e tij përpara parlamentit.

Javën e shkuar ai kishte akuzuar presidenten Cristina Fernandez de Kirchner. Nisman e akuzonte kreun e shtetit se kishte sabotuar ndjekje penale ndaj të dyshuarve kryesorë.

Prokurori akuzonte për këtë ngjarje një rrjet të inteligjencës iraniane në Amerikën e Jugut.

Sulmi shkaktoi 85 viktima dhe qindra të plagosur.

Në padinë e tij, ai listonte shtatë përfaqësues të lartë të regjimit të Teheranit:

-Mohsen Rabbanbi, ish- atasheu kulturor i Iranit në Argjentinë. Sipas Nisman, ai është drejtuesi i rrjetit, që Teherani ka ndërtuar përgjatë dy dekadave të fundit në Amerikën e Jugut.

-Mohsen Resai, ish- shef i Gardës Revolucionare.

-Ali Akbar Welajeti, ish- ministër i Jashtëm.

-Ali Akbar Rafsanchani, ish- President dhe një nga njerëzit më të pasur në Iran.

-Ahmed Wahidi, ish- ministër i Mbrojtjes,

-Ali Fallahian, ish- ministër i Shërbimit Sekret.

-Hadi Soleimanpour, ish- ambasador i Iranit në Argjentinë.

Pas publikimit të padisë kundër iranianëve, Fernandez de Kirchner propozoi ngritjen e një komisioni të së vërtetës, me përfaqësues nga Argjentina dhe Irani.

Izraeli dhe grupet e interesit hebrenj reaguan kundër.

“Kjo është sikur dikush nga regjimi nazist të vijë të shpjegojë Holokaustin,” tha një përfaqësues hebre.

Një gjykatë në Argjentinë i ndaloi këto plane.

Nisman e akuzonte qeverinë se komisioni i propozuar kishte për qëllim të pengonte urdhrat e arresteve nga Interpoli.

Përmes kanaleve sekrete, Kirchner kishte tentuar që të pengonte ndjekjen penale të të akuzuarve.

Në këtë mënyrë do hapej edhe rruga për një shkëmbim: drithërat argjentinas për naftën iraniane.

Qeveria i kishte quajtur akuzat e Nisman si qesharake.

Një gjyqtar do vendoste në shkurt për fatin e akuzës së tij.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...