Rasim Sejfulla Bebo ka lindur më 14 prill të vitit 1926 në Shalës, të të Konispolit
(Çamëri)në territorin shqiptar. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe ka qenë viktimë e luftës së klasave gjatë regjimit komunist. Prej vitesh ai vijon aktivitetin e tij si studiues në mërgim në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Rinia....
Gjyshi i Rasimit me dy djemtë, nipin dhe dhëndrin e tij , muarën pjesë në luftën e Janinës(1912-1913), ku edhe u vra dhëndri Xhelo Neimi. Gjyshi i Rasimit mbas disa plagëve që kishte marrë, më vonë ndërroi jetë. Babai, si pronarë i pasur nga shtresa shoqërore, sipas zakonit të vendit, ishte martuar me dy gra me kurorë dhe me secilën kishte nga një djalë.Kur i vdiq babai, Rasimi kishte 4 vjet,ndërsa vëllai i tij ishte 2 vjeç. Nëna e Rasimit , nuk është martuar kurrë , por ajo i rriti fëmijtë.Kurse njerka e Rasimit u largua nga shtëpia dhe u martua.Në vitin 1938 e mbaroi shkollën fillore me 5 klasë në fshatin Shalë.
Partizan...
Në vitin 1942, zëri i luftës N.Çl. u dëgjua edhe në fshatin Shalë.
Ai fillojë kontaktet me të deleguarit e Partisë Komuniste, të cilët vinin shpesh në këtë fshat,si fjala vjenë Tahir Demi, Sadete Demi, Mufit Sejko, Selim Islami e të tjerë persona te lidhur me lëvizjen Çlirimtare, që kërkonin nga fshatarët të dilnin partizanë për mbrojtjen e atdheut.
Kjo thotë Rasimi na frymëzoi ne, disa të rinj dhe dolëm në një ditë rreth 15 partizanë nga fshati. Komisari i batalionit ishte Dilaver Poçi, i cili Rasimin e caktoi korrier, që të lidhte batalionin “Çamëria “ me Grupin e IV-të që ndodhej në Theollogo dhe prej këndej me Shtabin e Zonës së Parë operative Vlorë-Gjirokastër që ndodhej në fshatin Ndëra të Përmetit.
Rasimi ka marrë pjesë në të gjitha aksionet që ka bërë Batalioni Çamëria. Më 29 mars 1944 ata morrën pjesë në Luftën e Konispolit kundër gjermano-ballistëve.
Ajo që duhet përmendur shton Rasimi , është lufta e Delvinës, që u bë më 21 korrik 1944. Skuadra ku bënte pjesë Rasimi , zuri pozicion te shtëpia e Çinirëve në lagjen Mukers.
Rasim thotë : Gjatë luftimeve të rrepta, në krahun tim të djathtë, u vra Jani Çavo nga Lefterhori, në krahun e majtë u vra Nasho Marto nga fshati Sminec, gjithashtu edhe fshatari im Idris Bajo dhe dy italianë, partizanë të batalionit “Mateoti”. Pa gdhirë mirë, u plagos komisari i kompanisë Kamber Haxhiu nga Delvina, ku errësira e natës mundësoi tërheqjen e tij. Unë shpëtova duke marrë në trup disa plagë nga ciflat e mortajave dhe më shtruan në spitalin partizan në Leshnicë. Gjatë luftës kam qenë korrier dhe bodigard shoqërues i kuadrove kryesore. Në fillim të vitit 1945 u gjenda në Bilishtë te Batalionin e III-të të brigadës II sulmuese, përgjegjës rinie batalioni.
Shefi i sigurimit të Divizionit në Korçë, shoku Kamber, më kërkoj të vazhdoja shkollën e sigurimit në Bashkimin Sovjetik. por unë e refuzova.
Viti 1946...
Në fillim të vitit 1946 më caktuan sekretar të rinisë së Brigadës II sulmuese në Pogradec. Në muajin tetor të vitit 1946, bashkë me një grup prej rreth 40 ushtarakë, na dërguan në Jugosllavi për studime në Shkollën e tankeve të Armatës Jugosllave me emrin “Petar Drapshin”, në “Bella Cerkva”.
Viti 1948...
U kthyem në Shqipëri të diplomuar në prill 1948. Kur u krijua regjimenti i tankeve “Vojo Kushi” me komandat Myslim Ketën dhe Komisar Rexhep Dodën shton ai.
Rasim kur kishte 22 vjet ishte një ndër oficerët me diplomë të shkëlqyer për armën e tankeve.
Gjatë festave të dhjetë dhe pesëmbëdhjetë vjetori të ushtrisë, u shpërndanë dy urdhra dekorata për oficerët shembullorë: Urdhri “Ylli i Kuq” dhe “Urdhri i Skënderbeut” klasi i dytë,që i mori të dy urdhërat.
Viti 1956...1957...1959...
Në maj të vitit 1956, arratiset vëllai i tij Xhemil Bebo me gjithë gruan e tij dhe përfundon në Amerikë.
Një vit më vonë, në qershor të vitit 1957, atë e hoqën nga reparti i tankeve dhe e transferuan komandues në repartet e punës.
Pas 4 muajve e heqin nga reparti i punës dhe e transferojnë në Shkollën e Bashkuar “Enver Hoxha”, zv/ komandant për teknikën.
Në prag të dhënies së gradës major, në nëntor të vitin 1959, më thërret Gjeneral Qazim Kapisyzi, komandanti i shkollës bashkuar, duke shprehur keqardhjen, se më kishin vënë në rrethin e grupit të Teme Sejkos si armik.
Rasimit i kujtohën shokët e luftës ...Ai thotë : U paraqita tek Kolonel Dilaver Poçi i cili ishte Zv/drejtor i drejtorisë politike. Ky, pa asnjë hezitim ndryshoi motivacionin tim dhe dola në lirim të plotë si oficer rezervë në pension, në moshën 33 vjeç.
Pedagog në Universitettin e Tiranës...
Rasimi si kuadër i nomenklaturës së Komitetit Qendror paraqitet te gjeneral Llazi Stratoberda i cili i rekomandon sekretares se II të K. P., shoqes Fiqirete Shehu, e cila dha urdhër zv/ kryetares Komitetit Ekzekutiv të Tiranës shoqes Marika Isakut dhe më vendosën në arsim me diplomën e “Mësuesit të historisë për shkollat e mesme” të “Universitetit të Tiranës, dega Histori Filiologji”.
Pas universitetit ai vazhdon kursin tre vjeçar për gjuhën gjermane në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi”në Tiranë. Më vonë caktohet mësues në shkollën e sigurimit në Sauk.
Mësues në shkolla të mesme...
Ishte mëues në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, “8 nëntori”, “50 Vjetori i Pavarësisë etj.
Gjatë një qarkullimi për një deri në dy vjet, në gusht të vitit 1966, caktohem mësues në gjimnazin “10 Korriku” në Delvinë.
Qëndroj atje deri në muajin maj të vitit 1969.Rasimi u sëmur dhe u shtrua në spitalin e Tiranës. Nuk u kthye më në Delvinë dhe këtë e motivuan si “Braktisje detyre”.
Në kryqëzim të rrugës “Bardhyl”, ku ai bannte , tabelat e rrugës u mbushën plot me fletë-rrufe kundër tij se gjoja ky “la pushkën në kufi”.
Përkthyes për emisionet në Radio Tirana...
Rasimi i rezignuar thotë : Mbledhja e Frontit Demokratik të lagjes, doli me propozimin për internim familjarisht. Ky propozim nuk u zbatua, por u kalua në masë ndëshkimi, dy vjet pa punë. Artikujt në shtyp i kisha të ndaluar të shkruaja, merresha me përkthime nga gjermanishtja, duke furnizuar emisionin e radio Tiranës “Vende dhe popuj” (Land und lojte), kështu zëvendësoja pak a shumë rrogën e humbur.
Së fundi, Edip Çuçi, më rekomandoi t’i bëj një letër Hysni Kapos.
Sekretari i tij, Myzafer Ahmataj më ktheu përgjigje: “Shoku Hysni të studioi si partizan, si oficer, si mësues dhe tani që je pa punë, do të futesh në lumë, të lagesh i gjithë, të dalësh dhe të thahesh avash-avash, se po të vura në punë, kthehen të gjithë ata që janë në qarkullim, të kërkojnë se i rregullon shoku Hysni.
Shko në lagje dhe ajo do të punësojë, se e njoftojmë ne, hajde pas gjashtë muaj prapë këtu se atëherë do ta rregullojmë.
Lagjja më dha letrën e punës për në depon e barërave dhe fillova punën e hamallit. Pas tre muajve më caktuan punën e farmacistit të “Kontrolloja ilaçet sipas fletë shpërndarjes”.
Në vitin 1981 kam dalë në pension të plotë, plus me njëmijë lekë të luftës. Ditën që u shpall Partia Demokratike, takova Azem Hajdarin.
Më zgjodhën kryetar të partisë demokratike të lagjes 17, duke mbuluar lagjet 18 dh 19. Në këto tre lagje fitoi PD. Në zgjedhje. Nga partia kundërshtare PS më kërcënuan për vdekje.
Dhe një mbrëmje të gushtit 1992 më rrahën keqas sambistët e lagjes.
Më kryesorin e sambisteve djemte i shkuan naten ne shtepin e tij e rrahën në sy të prindërve të tij “se edhe ata vete e urrenin djalin e tyre”.
Të nesërmen, sambistët e lagjes kapën djalin e dytë dhe i thyen nofullën me tullë.
Shpëtoi nga shokët e tij që i erdhën shpejtë në ndihmë. Patëm disa herë përplasje me huliganë partiakë të grumbulluar nga Sulo Gradeci tejet të shthurur.
Vazhdimisht kërcënohesha, se PD doli më e fortë se PS në zgjedhje dhe syrin e kishin kundra meje. Për të shpëtuar të katër djemtë e martuar me fëmijë, kishte vetëm një rrugë, duhej të largohesha.
Kur ambasada Amerikane hapi rrugën për në Amerikë, mora vizën dhe më 6 janar 2003, bashkë me gruan, lamë atdheun duke u ndarë me katër familjet e djemve me lot në sy në moshën 66 vjeç.
Në Amerikë punova 10 vjet punë të rënda dhe dola në pension. Fillova të shkruaja si person i pa politizuar.
Nga artikujt dhe librat, ka pritur shumë falënderime dhe kjo i ka dhënë kënaqësi të veçantë në moshën madhore të pleqërisë.
Rasimi thotë: Falenderojë fshatrat çame të krahinës së Konispolit që më bënë Qytetar nderi.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KOMUNA E MARKATIT QYTETAR NDERI
Në 71 vjetorin e formimit të BATALIONIT “ÇAMERIA” i jepet titulli QYTETARË NDERI
Zotit Rasim Sejfulla Bebo,
Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, me motivacion:
Aktivist me kontribut të shquar patriotik.
Nder i krahinës së Çamërisë me shkrimet e tij historikë.
KRYETARI I KOMUNËS
Ismail MYRTAJ
firma vula
Markat më 2 shkurt 2014.
*********
2.
Për ty Çamëri, kemi lënë pas amanetin...
Rasim Bebo
Pak kohë më parë, këtu në Amerikë, vdiqën dy çamë, të ardhur në Shqipëri rreth moshës 10 – vjeçare, pas masakrës së qershorit 1944. Safet Rojba dhe Rexhep Llaja, i pari nga Margëllëçi dhe i dyti nga Filati, shpresonin vazhdimisht të ktheheshin në vendlindjen e tyre, në shtëpitë e tyre në mallin dhe varrezat e tyre. Por nuk qe kismet dhe para se të mbyllnin sytë lanë amanetin, për Çamërinë e Çliruar dhe për gjithë Shqipërinë Natyrale. Ky amanet i hershëm i të gjithë çamëve, sot është vënë në qendër të lëvizjes së politologut Koço Danaj, i përkrahur nga SHBA.
Edhe poeti e shkrimtari Qamil Buxheli, deri para vdekjes, ëndërroi amanetin e tij për ÇAMËRINË, duke lënë këto vargje të pavdekshme:
ÇAMËRIA TRIME. “O Çamëria Trime! / O Çamëria Trime! / O motra Çamëri! / Evropa t”la jetime, / por s”iu përule ti. / Me burra e gra suljote, / me djem që tundin malet, / me vajzat shtojzovalle. / Ti çave trumundanat. / E theve çdo pusi. / O motër Çamëri! / O trimja Çamëri! / Një shekull zë e ngryset, / që kur si shqipe mali, / me zëmër të zhuritur, / për mbi folenë e prishur / qëndron edhe sot në qiell. / Rikthimin duke pritur! / Ti mbahu motër mbahu, / se dita shpejt do vijë. / Në tokën e pa sosur. / Me gjak e djersë brumosur. Me varret e të parëve. / Me gjuhën e shqiptarëve. / Me gjuhën prej bilbili, / Që i këndoi Naimi … / Do zbardhë dita motër. Pranvera do të vijë! … (Dodona, f. 515).
Dy pleq, rreth të tetëdhjetave, shokë të vjetër, Hasani me Dautin, u përgatitën: të veshur e mbathur mirë, me para dhe pasaporta të rregullta, me nga një bastun në dorë, u gjendën para sportelit të doganës greke në Kakavi. Pas një përshëndetjeje me fjalën, tungjatjeta, ata dorëzuan të dy pasaportat. Kur sportelisti, hapi dhe lexoi pasaportat, i shikoi të dy pleqtë me një urrejtje e neveritje pazakonshme dhe pastaj ulëriu: “Oqi Çamëria, pijene a podho !” (Ska Çamëri, shporruni këndej)… Ai u grisi pasaportat dhe ua hodhi në fytyrë.
Të vrarë shpirtërisht, atyre gati sa nuk u ra damllaja. U mbështetën te muri, pak metra larg sportelit dhe ashtu rrëshqitas, me kurriz te muri u ulën në tokë.
Hasani filloi të recitojë disa vargje pikëllimi (nga Qazim Shemaj): – Çamëria është atje ku ka qënë, ne jemi këtu, jemi çamë, si mundet të mohoj vendin tim e unë gjallë këtu? Kjo është toka e jonë. Mure të rënë, të rjepur, / dhe bluja e qiellit e mekur. / Një xhevze e ndryshkur anës vatrës. / që pjek kafe vreri erërave të natës./ Ca trandafila rebele, mbi një pllakëz mbi varr. / Të vetmet që vdekja ka harruar t’i marrë. / Gjithçka përmbysur, e djegur e shkretë. / Tek ngjitesh e ulesh në këtë tatëpjtë. /Asnjë portëz e mbyllur, por askush nuk të prêt! / Heshtja në heshtje! / Ha veten e vet! “. Dhe ne do ta pimë një kafe vreri për t’i tundur pesë deputetët çamë… – e mbylli recitimin ai.
-E mo, Hasan, – ia ktheu Dauti, – shikon si futen shumë grekë në Shqipëri pa asnjë pengesë, kurse për ne u bë kiameti, të shkonim në shtëpitë tona… Ku qëndron Traktati i Miqësisë, pse nuk ka reciprocitet, “me lejon – të të lejoj”. Ç”është kjo përulje kaq e madhe. Ku është “shteti”? Kjo qeveri me kuptimin e plotë, është, si ka thënë Dritero Agolli, kohë më parë: “shkërdhatokraci”, bashkë me Akademinë e Shkencave. Ku janë këto penat e ndritura të kombit shqiptar që heshtin për këto evenimente shumë të rëndësishme, kur greku ka arritur të thotë “ÇAMËRIA NUK EKZISTON”. Kur sot në Shqipëri nga 35-40 mijë çamë që erdhën si pasojë e atij genocidi të llahtarshëm grek të qershorit 1944, kanë arritur afërsisht në gjysmë milioni çamë të shtuar në rrugën natyrale, pra, rreth 15 herë më shumë dhe në parlament përfaqësohen nga 5 deputetë…
Dauti i kujtoi Hasanit, se zgjedhjet e fundit Parlamentare, si dhe ato lokale, e konfirmuan, PDIU-në, si forcën e katërt politike në vend. Po çfarë kanë bërë për Çamërinë?… Asgjë dhe më keq akoma, ata tallen me elektoratin çam, duke ulur dhe ngritur për 70 vjet, ende të pa miratuar Rezolutën Çame nga Parlamenti Shqiptar.
-Prit more Hasan, – i thotë Dauti!- Ministri i jashtëm grek, u shpreh para qeverisë se “Çamëria nuk ekziston” dhe ata pesë deputetët çamë heshtën, u tërhoqën me kapistër kali për elektoratin e PD e PS dhe dalin në sipërfaqe me një demagogji të gënjeshtër dhe mashtruese, se gjoja nxorën nga pluhuri i harresës tekstin e Rezolutës Çame, të aprovuar më 8 prillin e 2004-ës… – Kështu e mbyllën muhabetin të dy pleqtë dhe me zëmër të thyer u kthyen në shtëpitë e tyre, por jo të Çamëri.
Servet Pëllumbi, ish kryetar i Parlamentit, thotë: “Më 8 prill 2004 u njohëm në mënyrë të detajuar me Rezolutën Çame dhe e mbështetën të gjithë, grupi ynë i parlamentit ishte dakord për ta miratuar. Por kjo rezolutë pengohej nga Brenda, prej Fatos Nanos dhe Sali Berishës, të cilët ishin dy bariera kryesore që sabotuan rezoluten (sipas diktatit nga Athina). Kur pa pritur mbërriti një telefonatë nga kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano. Ishte një urdhër i prerë, që u jepej deputetëve socialistë, të tërhiqeshin nga votimi pro i rezolutës. Kështu ata gjatë votimit u larguan dhe nuk morën pjesë. Kjo ishte një thikë pas shpine për Çamërinë dhe çamët. Unë, thotë Sabit Brrokaj nuk e zbatova atë urdhër dhe qendrova e votova prorezolutës çame. Fatos Nano më quajti “tradhtarë të PS-së”. Unë e quajta spiun të grekut.”
Rezoluta Çame që u hodh në votim në Parlament, më 8 prill 2004 nuk fitoi, rezultati ishte 53 pro rezolutës çame dhe 55 kundra, me 108 deputetët që kanë qenë të pranishëm në atë séancë. Do të fitonte Rezoluta Çame, po të kishte qëndruar Sali Berisha, Jozefina Topalli me të vetët, por këta u larguan para votimit. Kryetari i parlamentit në atë kohë, Servet Pëllumbi, deklaroi se kjo rezolute nuk ishte aprovuar. Këtu duket hapur marrëveshja e Sali Berishës me Fatos Nanon, për kundra rezolutës Çame, në shërbim të hapur me grekun. Dhe jo vetëm kaq, po filluan edhe të tallen me Rezolutën Çame. Këta zotërinj, në pragun e zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, u duheshin deputetet çamë, prandaj urdhëruan kryetarin e komisionit të jashtëm, Fatos Beja, të nxjerrë nga arkivi i Kuvendit, votimin e datës 8 prill 2004, duke bërë diversion para deputetëve të këtij komisioni se, kjo rezolute ishte miratuar, por nuk ishte botuar në Fletoren Zyrtare, pasi kreu i parlamentit në atë kohë, Servet Pëllumbi kishte deklaruar, se kjo rezolute nuk ishte miratuar.
Shpëtim Idrizi del si flamurtar duke shkundur Parlamentin Shqiptar për demaskimin e shtrembërimin dhe fshehur (gjoja) miratimin e Rezolutës çame te 2004-ës. PDIU-ja me Shpëtim Idrizin, bëjnë një përflakje të pështirë, për të u tallur më shumë me elektoratin çam, se do të krijohet një komision hetimor, për të sqaruar dhe zbardhur rrethanat dhe përgjegjësit e fshehjes së rezolutës së miratuar. PDIU vazhdon të mbetet e mendimit, se miratimi i rezolutës, është beteja e parë e fituar në luftën e saj për zgjidhjen e çështjes çame. Më tej, vazhdon demagogu Rama: “… se çështja Çame nuk meriton vetëm të trajtohet, por meriton të çohet përpara drejt zgjidhjes, sepse ky është një detyrim shtetëror tashmë që buron nga vetë rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë”.
Ndërsa Sali Berisha thotë: “Çështja Çame duhet zgjidhur me përputhje me Traktatin e Miqësisë që ekziston mes dy vendeve. Kjo është ngritur në të gjitha takimet, … nga kryetari I PD me autoritetet më të larta të vendit mik, me të cilët është takuar… Ku Shqipëria ka bërë të qartë se nuk ka asnjë pretendim territorial…Traktati i Miqësisë ka një klauzolë ku çështja e pronësisë së shqiptarëve të Greqisë dhe të grekëve në Shqipëri do te zgjidhen mbi bazën e procedurave teknike”.
Hajde dhe merru vesh me këta dallkaukë. Kur Greqia e ka të ligjëruar, se Çamëria nuk ekziston dhe nuk pranon asnjë marrëveshje historiko-shkencore për Çamërinë. Ajo e ka bërë rezolutën e saj, një dekadë më parë në OKB-se, EB, Kongresit Amerikan dhe e ka ligjëruar se “Çamëria nuk ekziston” Kurse ju zotërinj të PD, PS, dhe PDIU-së, po talleni me Rezolutën e pa miratuar, të kthyer në një “paçavure” dhe mashtroni duke shkruar: “Aprovimi i saj nga kryesia e kuvendit dhe dërgimi për botim në fletoren Zyrtare, erdhi pas përfundimit të hetimeve nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë, ku u konkludua se rezoluta e vitit 2004 ishte e miratuar. Ish-kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli e dërgoi draftin e miratuar për botim, pas kërkesës zyrtare të dy deputetëve të PDIU-së z. Shpëtim Idrizi dhe z. Dashamir Tahiri. (gazeta “ÇAMËRIA”, 13 tetor 2013).
Zotërinj deputetë Çamë, përpara se ta kalonit këtë “Rezolutë të miratuar” në raftet e fletores Zyrtare për gjumë, ju duhet t’ia paraqitnit parlamentit për ta parë dhe aprovuar si një dokument i kërkuar për 70 vjet “REZOLUTE ÇAME” dhe Parlamenti bashkë me dosjen e masakrave greke t’ia dërgonte menjëherë OKB-se, BE, Kongresit Amerikan. Kur ju nuk e kërkuat këtë nga Parlamenti, si fuqi e katërtë që jeni në Parlament, atëherë ju gënjeni, ju mashtroni. Jeni deputet të pabesë, jeni vetëm për të bërë biznes. Ju shkelët amanetin prindërve tuaj, Ju shkelët mbi gjakun e masakrës greke që u është bërë familjeve tuaja dhe gjithë Çamërisë. Ju jeni kthyer në shërbëtorë të grekut, më keq se Fatos Nano dhe Sali Berisha. Kërkoni ta shlyeni këtë turp, shkoni në Çamëri me 100 djem çam dhe atje do mësoni si të veproni.
3.
Mirënjohje të thellë për Profesorin e historisë, zotin Rasim Bebo
Lexoj rregullisht shkrimet me theks të veçantë analitik të këtij profesori të nderuar. Më ka bërë përshtypje faktologjia befasuese që karakterizon analizat e tij profesionale për probleme të rëndësishme kombëtare dhe sidomos për figura të shquara të historisë. Këto kohët e fundit, në “Tribunën Shqiptare”,zoti Rasim kishte botuar një shkrim mjaft interesant, kushtuar Mbtetit Zogu i Parë. I kërkoj ndjesë zotit Rasim se, për disa ditë me radhë, duke mos qenë në kontakt me internetin për arsye personale, nuk kam mundur të reagoj menjëherë ndaj analizës së tij objektive për këtë figurë të shquar të kombit shqiptar.
Gjatë sundimit të egër komunist enverian, u hodhën male pisllëku mbi figurën e nderuar të Ahmet Zogut. Dhe autori kryesor i fabrikimit të pisllëqeve politike kundër Ahmet Zogut, ishte pikërisht Enver Hoxha, masha e urryer në duart e shovinizmit serbomadh në Shqipëri. Ahmet Zogu, si burrë i shquar i kombit shqiptar, e dinte se armik i betuar i flamurit tonë kombëtar ishte serbosllavizmi, të cilit ai i ktheu krahët. Duke e parë figurën e Ahmet Zogut në optikën e Beogradit, Enver Hoxha bëri çështë e mundur që personalitetin e tij ta nxinte tërësisht dhe ta zhvlerësonte përfundimisht në sytë e kombit shqiptar.
Gjatë kohës së mbretërimit të Ahmet Zogut, leku shqiptar këmbehej në tregun valutor të Londrës. Pikërisht gjatë asaj kohe u bë realitet ëndrra shumëvjeçare e martirëve të ordoksisë shqiptare për pavarësimin e Kishës Ortodokse Shqiptare. Kur figura të njohura të ortodoksisë shqiptare e pyetën Mbretin Zog se si do t’i bëhej hallit për pavarësimin e Kishës Ortodokse Shqiptare, meqenëse Patrikana e Stambollit nuk pranon, ai u përgjigj: “Në Shqipëri jam unë mbret, nuk është Patrikana e Stambollit”. Dhe ëndrra e Fan Nolit u bë realitet.
Pikërisht në kohën e mbretit Zog Shqipëria u bë edhe me “Kodin e Familjes”, që nuk ekzistonte ende as në Greqi. Po në atë kohë u përgatit ligji për ndryshimin e emërvendeve (toponimeve) sllave, por zbatimi i tij në praktikë u pengua nga pushtimi fashist. Kurse Enver Hoxhës as që i ra ndonjëherë ndër mend çështja e ndryshimit të emërvendeve sllave.
Të gjithë ata që sulmojnë Ahmet Zogun, bëhen palë me Enver Hoxhën dhe automatikisht bëhen palë me shovinizmin serbomadh, i cili vazhdimisht ka investuar dhe investon shuma kolosale për rekrutim mercenarësh shqiptarë për të hedhur baltë mbi figura të shquara të kombit tonë. Të gjithë këta kalemxhinj mercenarë a ia kanë bërë ndonjëherë vetes pyetjen se si është e mundur që shovinizmi serbomadh të mos ketë shkruar një fjalë të keqe për Enver Hoxhën. Madje edhe me rastin e vdekjes së tij më 11 prill 1985, Beogradi dha porosi që shtypi vendas të mos shkruajë për të me nota kritike.
E vlerësoj lart ndryshimin e qëndrimit të Kryeminstrit të vendit, zotit Sali Berisha, ndaj figurës së Ahmet Zogut. Ai ka bërë vlerësime të larta për personalitetin e Mbretit Zog dhe ka bërë premtimin që eshtrat e tij do të sillen në Shqipëri në kuadrin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Vetë zoti Berisha bëri shumë mirë që mori pjesë në inagurimin e shtatores së ngritur në nderim të Mbretit Zog në Burrel. Por Kryeshtatorja e Mbretit Zog duhet të ngrihet në kryeqytetin e vendit, si edhe në Prishtinë dhe në Shkup.
Me shumë respekt ndaj figurës së nderuar të profesorit të historisë, zotit Rasim Bebo.( Prof Dr Eshref Ymeri)