Librat vazhdojnë të kopjohen pa të drejtë autoriale dhe kjo është një nga fushat ku më së shumti bëhen shkelje. Ndërsa, luftimi i piraterisë vazhdon të mbetet më shumë institucional sesa i iniciuar nga individë. Task Forcës, që përbëhet nga disa institucione të Kosovës, nuk i kanë shpëtuar bizneset nëpër komuna të Kosovës që kanë bërë shkelje të të drejtave të autorit. Megjithatë, luftimi i piraterisë mbetet sfidë për autoritetet. Task Forca, pjesë e së cilës është edhe Zyra për të Drejtat e Autorit, do të vazhdojë me të tjera aksione, të cilat do të nisin së shpejti.
Valon Kashtanjeva, drejtor i Zyrës për të Drejtat e Autorit, ka thënë për gazetën se gjatë kësaj kohe do të marrin veprime, por nuk e di saktë se kur. Ai ka treguar se gjatë muajit qershor janë bërë kontrolle për libra, CD-të dhe në përgjithësi për shkeljet e të drejtave të autorit.
“Disa lëndë janë proceduar si kallëzime penale që janë ngritur”, ka thënë Kashtanjeva, që në terren dalin bashkë me Task Forcën. Ai ka thënë se janë gjashtë kallëzime penale që janë ngritur dhe janë duke vazhduar procedurat gjyqësore.
“Ne më shumë jemi përcaktuar që përmes Inspektoratit të gjobiten, të krijohet ai ambienti që respektohet më shumë e drejta e autorit”, është shprehur Kashtanjeva derisa ka thënë se meqenëse ka filluar edhe viti akademik për studentët e dinë që tani ka filluar më shumë të fotokopjohen librat.
“Nga kontrollet që i kemi bërë, ka qenë më e vështirë që të merren libra të fotokopjuar. Nga shtatë fotokopje vetëm në një prej tyre kanë mundur të marrin libër të fotokopjuar”, ka treguar Valon Kashtanjeva, derisa ka shtuar se vërehet se ka rënie të piraterisë, por që vazhdon të ketë shkelje. Sipas tij, tani është koha kur ka më shumë fotokopje, që rrjedhimit ka më shumë shkelje.
“Inspektorati i Tregut vazhdimisht bën kontrolle që edhe e ka obligim ligjor”, është shprehur Kashtanjeva duke mos dashur të japë më shumë detaje sepse, siç ka thënë ai, do të mundë të ndikojnë në veprimet që do të marrin në vazhdim. “Shumë shpejt do të dalim me veprime dhe masat do të jenë më rigoroze. Ne jemi duke shkuar me gjoba, që të zgjidhim problemin”, ka thënë Valon Kashtanjeva. Ai ka treguar se janë gjobitur fotokopje që kanë shkelur të drejtat e autorit, pastaj janë sekuestruar libra që kanë qenë në mënyrë të paligjshme të fotokopjuara.
“Vazhdimit duhet të veprojmë që të zgjidhim këtë problem e të zvogëlohet pirateria”, është shprehur ai, teksa thotë se dy herë u kanë shkruar edhe uebfaqeve që publikojnë filma “online”. “Po presim që të ndryshohet ligji, sepse pa u ndryshuar ajo është më vështirë të veprohet. Me ndryshimin e ligjit do të ketë bllokime të uebsajtëve”, është shprehur Valon Kashtanjeva, duke shtuar se në bashkëpunim me
prokurorë veprimet mund të ndodhin më shpejt, pasi janë duke u bërë veprime të tilla që janë duke e shkelur Kodin Penal.
“Dy herë iu kemi shkruar uebsajtëve që janë duke e shkelur ligjin. Tani do të gjejmë mënyrën sesi do të bllokohen”, ka thënë Kashtanjeva, duke shtuar se pirateria digjitale dëmton më shumë se ajo fizike. “Ka shumë pak padi civile në fushën e së drejtës së autorit”, thotë Kashtanjeva, sipas tij, luftimi i piraterisë është sfidues. “Me veprimet që janë marrë dhe që do të merren do të ketë më shumë sukses lufta kundër piraterisë”, është shprehur Kashtanjeva.
Sa i takon Ligjit për të Drejtat e Autorit, Valon Kashtanjeva, ka thënë se kanë pasur një mbledhje me Komisionin për Kulturë, i cili edhe do ta shqyrtojë ligjin. “Ka pasur disa qëndrime të ndryshme që do ti dërgohen Komisionit. Komisioni do ti shikojë dhe një herë vërejtjet dhe ato pjesë të ligjit, ku nuk ka gjuhë të përbashkët”, është shprehur Kashtanjeva, sipas të cilit, në pjesën më të madhe të ligjit nuk ka vërejtje dhe komente, por janë nja dy pika ku ka më shumë vërejtje dhe komente.
Lulzim Syla, kryeinspektor i Tregut në MTI, ka thënë për gazetën se deri më tani kanë konfiskuar libra, CD. “Këtë punë e bëjmë bashkë me Task Forcën se jemi pjesë e tyre, ku është edhe Policia e Kosovës”, ka thënë Syla, derisa tregon se kanë hasur në shumë shkelje ligjore. “Më shumë shkelje të të drejtave të autorit bëhen me libra”, është shprehur Syla, derisa ka thënë se kanë pasur sukses. “Por, nuk jam i kënaqur sepse mendojmë që të bëjmë shumë dhe më shumë”, thotë më tej Syla, derisa shton se gradualisht njerëzit janë vetëdijesuar për rëndësinë e të drejtave të autorit. “Mendoj se njerëzit janë duke u vetëdijesuar sepse përveç konfiskimit, ne jemi duke i gjobitur operatorët ekonomikë”, ka treguar Lulzim Syla, derisa ka thënë se janë duke vepruar në gjithë Kosovën. Ai thotë se kanë pasur raste në Prishtinë, në Pejë, në Ferizaj, në Mitrovicë e të tjera qytete.
Pavarësisht shkeljeve të vazhdueshme që bëhen, zyrtarë të fotokopjeve thonë se nuk janë duke shitur libra të autorëve, duke ua marrë të drejtën e tyre. “Ne vetëm printojmë shkrime, punojmë diploma. Nuk kopjojmë më libra prejse ka filluar zbatimi i Ligjit për të Drejtat e Autorit”, thotë një nga punonjësit në një fotokopje, në afërsi të Kampusit të Universiteti të Prishtinë, që preferon të mbajë të fshehtë identitetin. Task Forca Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit ka bërë bashkë institucione si: Inspektoratin e Tregut, Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës, që bëjnë kontrollimin e subjekteve të cilat merren me prodhimin, shitjen dhe shpërndarjen e materialeve që mbrohen me Ligjin për të Drejtat e Autorit.