2015-11-11

Kadare i denoncuar” do e justifikojë këtë togfjalësh?!

Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-se, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve; analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, të papublikuara më parë…
Gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi, një njeri skrupuloz i arkivave dhe ngjarjeve të faktuara përmes dokumenteve, vjen së fundi me botimin “Kadare i denoncuar”, botim i UET Press. Në intervistën dhënë për gazetën “Mapo”, Kaloçi ndalet jo vetëm në fakte nga dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, por sjell dhe interpretimin e tij mbi to, si fryt i punës 25-vjeçare të tij. Siç vlerësohet nga titulli, libri bën fjalë për shkrimtarin Ismail Kadare, ku përmes dokumenteve dhe ato “top secrete”, del se ka qenë disa herë i denoncuar. Këto përfshijnë një hark kohor relativisht të gjatë nisur prej vitit 1962 deri më 1982, që përkojnë me dokumentin e parë me të cilin hapet libri dhe atë të fundit, mbylljen në vitin ‘82. Një libër voluminoz me dokumente që dalin për herë të parë nga arkivat dhe jep një panoramë të funksionimit të shërbimit sekret, ku jo të gjitha i takojnë ekskluzivisht Kadaresë. Në pjesën e parë të intervistës së gjatë me Kaloçin, shpjegohet procesi si nisi libri, dhe puna me trajtimin e dokumenteve denoncuese ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, 31 dokumente të panjohura për publikun.
Zoti Kaloçi, si fillim deshëm t’ju falënderojmë që zgjodhët gazetën “MAPO” për të dhënë këtë intervistë të parë për librin tuaj të ri, “Kadare i denoncuar”. Libri që i jepet publikut këto ditë, mëton të përcjellë një interes të madh, lidhur me faktet dhe interpretimin tuaj, fryt i një pune gati 25-vjeçare. Një kuriozitet: Pse zgjodhët UET-në?!
Faleminderit për fjalët tuaja të mira. Dua të jem i sinqertë: kisha kënaqësi por njëkohësisht detyrim ndaj UET Press, që është botues i këtij libri, por edhe sepse më ka mbështetur në disa projekte që kam realizuar më parë, të cilat kanë pasur realisht impakt, por kanë treguar dhe interesin e vërtetë të institucionit tuaj për memorien e së shkuarës.
Titulli i librit tuaj duket shumë sfidues. Por, a mendoni se “Kadare i denoncuar” do e justifikojë këtë togfjalësh?!
Libri titullohet “Kadare i denoncuar” dhe ky përbën titullin e madh në kopertinën ballore, ndërsa më poshtë (po në ballinë) me germa më të vogla shkruhet për të cilësuar të vërtetën e tij: ‘Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror te PPSH-së, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes Shkrimtarëve e Artistëve; analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza, sulme e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare”, të gjitha të papublikuara më parë…
Pra, nisur nga këto, është vënë edhe titulli i librit, pasi në përgjithësi tek dokumentet që janë pasqyruar, Kadare del se ka qenë disa herë i denoncuar. Pra me pak fjalë, titulli është vënë në varësi të gjithë lëndës që ka libri dhe jo për komercializëm, apo me ndonjë kuptim tjetër që mund të merret dhe që është bërë shpesh mënyrë abuzimi. E veçanta është se secili dokument nuk jepet thjesht, por ai pranë ka shpjegime; analiza të kujdesshme, mbështetur në lexime dhe sinteza; dhe komente të bëra nga ana ime, në mënyrë që lexuesi ta ketë më të lehtë për t’i kuptuar”.
A mund t’ju pyesim se cilës periudhë kohore i përkasin këto dokumente arkivore dhe ai i dedikohen të gjitha ato ekskluzivisht Kadaresë?
Dokumentet që janë përfshirë në këtë libër i përkasin periudhës kohore nga viti 1962 deri në vitin 1982. Pra një periudhe kohe që përfshin një periudhë plot njëzetvjeçare. Që do të thotë se dokumenti i parë me të cilin hapet dhe libri është i vitit 1962 dhe dokumenti i fundit me të cilin mbyllet i përket vitit 1982.
Nëse do t’ju pyesnim teknikisht: Sa faqe përmbledh libri dhe sa dokumente arkivore janë përfshirë në këtë libër studimor?
Libri është voluminoz dhe mund të dalë diku te 500 faqe, pasi aty janë përfshirë gjithsej 32 dokumente arkivore, ku vetëm njëri është i njohur, ndërsa 31 dokumente të tjerë, siç e thashë më sipër, do të publikohen për herë të parë. Dokumenti që bën përjashtim në këtë libër, pra ai që është pak a shumë i njohur, është dokumenti që kam renditur në fund të librit dhe ai është botuar tek “Gazeta Shqiptare” në datat 3 dhe 4 qershor 2015, në rubrikën Dossier të asaj gazete. Bëhet fjalë pra, për një dokument arkivor të nxjerrë nga arshiva e ish-Sigurimit të Shtetit, (Arkivi i Ministrisë së Brendshme), që i përket vitit 1978 dhe aty është një listë emrash me 315 persona, që ndiqeshin apo survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit. Me një llogari të thjeshtë i bie se ata 315 persona, pothuaj të gjithë personazhe të njohur intelektualë nga kryeqyteti, që vinin nga bota e artit, kulturës, letërsisë etj., përndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit. Apo siç thuhet me gjuhën teknike të shërbimeve sekrete të asaj kohe, përpunoheshin nga Sigurimi, gjë e cila është e shkruar qartë e saktë në atë dokument, pasi për çdo grup personash, në atë listë, sipër tyre është e shënuar edhe shkalla e rrezikshmërisë si dhe mënyra se si ndiqej e survejohej nga Sigurimi. Si p.sh., dosje “2B”, “Persona që i përkasin grupimeve kundërrevolucionare”, “2A”. “Përpunim paraprak”, etj., etj. Nuk po zgjatem më shumë, pasi ai dokument siç thamë është i njohur tashmë, por e kam përfshirë në libër, pasi aty figuron edhe emri i znj. Helena Kadare, si e ndjekur dhe e survejuar nga Sigurimi.
Më parë, na thatë se ishin edhe 31 dokumente të tjera të panjohura deri më sot. Por, a janë ekskluzivisht për Kadarenë?
Jo, nuk janë të gjithë ekskluzivisht për Kadarenë, por dua të theksoj se disa prej tyre janë ekskluzive për Kadarenë. Por e gjithë pjesa tjetër e dokumenteve, anipse ajo që përbën dhe pjesën kryesore dhe më të madhe të librit, janë dokumente ku flitet shumë për Kadarenë, pastaj më pak për Kadarenë, apo dhe për Kadarenë. Që do të thotë se figura e shkrimtarit Ismail Kadare, apo personaliteti i tij, është pjesë integrale e atyre dokumenteve dhe kjo gjë në varësi të punës e profesionit të tij si shkrimtar, apo rrethanave të kohës e ngjarjeve të ndryshme të natyrës letrare, artistike, kulturore, ku është gjendur ai, pa përjashtuar situatat politike që ka kaluar Shqipëria. Lidhur me pyetjen tuaj: këtu është vendi të sqaroj shkurtimisht atë që prekëm pak më lart, pra titullin e librit. Si version të parë për titullin e këtij libri, kam menduar: ‘Kadare në dokumentet sekrete të Sigurimit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së’. Dhe, në varësi të kësaj, unë kam pasqyruar në libër çdo dokument ku flitej për Kadarenë, duke i dhënë të plota dhe pa asnjë lloj shkurtimi, ato dokumente ku flitej për të. Por në momentin e parë që u takova me Henrin (duhet të ketë qenë nga java e dytë e tetorit), dhe po diskutonim për të saktësuar elementët e botimit të këtij libri, ai më pyeti: ‘Çfarë ka libri?’ Dhe unë fjalët e para i thashë; denoncime?! Pa mbaruar mirë fjalën për t’i dhënë shpjegimet e tjera, Henri konkludoi: “Ohh po, shumë bukur, titulli mund të jetë fare mirë: ‘Kadare i denoncuar’”. Dhe me kaq e mbyllëm bisedën për titullin, gjë me të cilën unë u pajtova menjëherë se mu duk i goditur. Pra të themi: unë ndërrova titullin për shkak të përmbajtjes së librit, dhe jo përmbajtjen e librit për shkak të titullit!
Çfarë përmbajnë saktësisht këto dokumente dhe cila është arsyeja e vërtetë se përse ato ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit?
Po e filloj shpjegimin nga fundi i pyetjes suaj për të dalë në fillim. Këto dokumente janë pjesë e Arkivit Qendror të Shtetit, pasi pranë atij institucioni qendror, ndodhet dhe i gjithë arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së. Dhe të gjitha këto dokumente që ne kemi konsultuar dhe kemi pasqyruar në libër, janë pjesë e fondit të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, pasi janë dërguar në adresë të atij aparati funksional. Po mundohem të shpjegohem pak më qartë: Të 31 dokumentet që janë pasqyruar në libër, janë raporte, informacione, dëshmi, letra, relacione, kërkesa, proces-verbale, korrespodencë e karakterit zyrtar ndërmjet institucioneve shtetërore të asaj kohe, si dhe tema, raporte, biseda të mbajtura në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, proces-verbale të mbledhjeve të saj, etj., etj. Dhe të gjitha këto që përmenda, kanë të njëjtën destinacion ku adresohen: Komitetin Qendror të PPSH-së, funksionarët e lartë të saj, anëtarët e Byrosë Politike e udhëheqësit më të lartë, duke filluar nga Manush Myftiu, Ramiz Alia, Mehmet Shehut dhe personalisht Enver Hoxhës. Një pjesë e dokumenteve janë të sektorit të arsim-kulturës pranë Komitetit Qendror, i cili mbulonte edhe Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, dhe instruktorët përkatës të këtij sektori, për çdo punë apo problem të tyre, informojnë eprorët e tyre në Komitetin Qendror të PPSH-së. Dhe kjo sipas specifikës së problemit apo punës e sektorit përkatës që mbulonin sekretarët e Komitetit Qendror si, Ramiz Alia, Hysni Kapo, Hekuran Isai etj..
Nga kush dërgohen këto raporte, informacione etj., që përmendët, dhe pse në titullin e kopertinës shkruhet se janë edhe dokumente te Sigurimit të Shtetit?
Një pjesë e madhe e këtyre informacioneve, raporteve, relacioneve që i adresohen Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht udhëheqjes më të lartë të asaj kohe që ju përmenda më lart, janë dokumente zyrtare të hartuara në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pranë drejtorive respektive dhe të veçanta të saj, që ishin pjesë përbërëse e Sigurimit të Shtetit. Dhe ato mbajnë firmat e krerëve apo funksionarëve më të lartë të atij dikasteri, si ministri Kadri Hazbiu, dhe zëvendësit e tij, (zv / ministrat) Feçor Shehu, Rexhep Kolli, Raqi Iftica, etj. Pra, këto janë dokumente “safi” të Sigurimit të Shtetit, pasi këta ishin drejtuesit kryesor të atij shërbimi sekret.
-Kadri Hazbiu, thirrje për të denoncuar Kadarenë personalisht tek Enveri
Pak më lart u shprehët se, një pjesë e këtyre letrave i dërgohen personalisht Enver Hoxhës! A jeni hasur përveç këtyre materialeve që përmendët të Sigurimit të Shtetit, në letra dhe informacione me përmbajtje të tjera që i dërgohen Enver Hoxhës, dhe çfarë përmbajnë në të vërtetë ato?
Në parantezë, desha t’ju sqaroj se: jo vetëm këto letra zyrtare që i dërgohen personalisht Enver Hoxhës, por edhe pjesa më e madhe e këtyre relacioneve, informacioneve, raporteve, apo gjithçka tjetër që përmbajnë 31 dokumentet e pasqyruara në libër, janë parë edhe nga Enver Hoxha. Dhe kjo duket qartë edhe nga shënimet që ndodhen në krye të çdo dosje, ku në fund të inventarit se çfarë përmban ajo dosje, shkruhet: ‘Në fletën kaq e aq, ka shënime të shokut Enver’. Shënime të cilat duken qartë me shkrimin e tij dhe të shkruara mbi letrat që i janë dërguar atij, në pjesën e kokës së dokumentit, pjerrtazi. Po kështu ka dokumente ku nuk ka vënë shënim Enveri, por ka shënim tjetër, ku thuhet: ‘U pa nga shoku Enver’, apo ‘U pa edhe nga shoku Enver’. Dhe këto shënime janë bërë kryesisht nga shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Ilo Kodra.
Kjo mund të konsiderohet si ana teknike apo procedurale e këtyre dokumenteve?! Të ndalemi pak më konkretisht tek përmbajtja e tyre, pasi kjo është dhe esenca e gjithçkaje që po flasim. Pra, çfarë përmbajnë ato letra, nga cilët njerëz i janë dërguar Enver Hoxhës dhe çfarë lidhje kanë ato personalisht me Kadarenë? Po ju drejtohemi me këtë pyetje, që lind natyrshëm nisur nga ajo që shprehët më lart, që e keni edhe të shkruar në kopertinën e librit, për; sulme, akuza, denoncime, kërcënime, etj., ndaj shkrimtarit Ismail Kadare…A mund të ndalemi pikërisht te përmbajtja e tyre?
Ju falënderoj, pasi kjo është dhe pjesa më e nxehtë e më delikate e gjithë librit dhe njëkohësisht arsyeja kryesore përse janë përfshirë ato dokumente si pjesë e lëndës së tij. Natyrisht pa harruar apo përjashtuar detyrën kryesore, atë të nxjerrjes në dritë, apo më saktë tentativës për të ndriçuar e zbardhur disa ngjarje, episode, probleme, enigma, personazhe etj., etj, të gjitha këto në funksion, apo në lidhje me shkrimtarin Ismail Kadare, që është dhe personazhi, apo të themi më saktë; boshti kryesor dhe objekti i librit në fjalë.
Letrat që i dërgohen Enverit i përkasin vitit 1969 dhe vazhdojnë më tej deri në vitin 1982, që është dhe pjesa shteruese e dokumenteve, ndërsa pas këtij viti nuk kemi më dokumente në libër. Dhe kjo gjë është e kushtëzuar, pasi nga viti 1983 e në vazhdim, dokumentet dhe dosjet arkivore nuk janë ende të këshillueshme për publikun e studiuesit e interesuar, sepse nuk janë të skeduara. Ky është një problem tjetër, por edhe pse unë kam “alibi’, gjithsesi për çështjen apo temën që diskutojmë, lë vend për aludime apo hipoteza nga më të ndryshmet.
Po e filloj nga fundi, nga viti 1982, për të dalë në fillim tek viti 1969, pasi sipas meje, apo në këndvështrimin tim të optikës së ngjarjeve, letra e vitit 1969, jo vetëm që është mjaft interesante, por mendoj se hedh dritë mbi një ngjarje të shumëpërfolur, ku shpesh objekt i kritikave apo sulmeve të ashpra lidhur me rrjedhojat e saj, ka qenë personalisht z. Kadare. Një letër në adresë të Enver Hoxhës, është shkruar nga dhëndri i ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut, në tetorin e vitit 1982, pak ditë pasi ishte arrestuar njeriu që e kishte mbajtur plot 27 vjet atë detyrë. Dhe ai i rrëfehet aty Enver Hoxhës për mjaft probleme, por më kryesoret janë ato që kanë të bëjnë me Kadarenë. Ku për hir të së vërtetës, duhet thënë, se akuzat janë tepër të rënda?!”
Nëse e shikoni të arsyeshme, pa hequr kureshtjet që lidhen me librin, a mund të na e zbuloni për çfarë akuzash bëhet fjalë?
Patjetër. Një nga njerëzit e afërt të Kadri Hazbiut (dhëndëri) i bën me dije Enverit, se në një nga mbledhjet e organizatës bazë të partisë ku ai punonte, (redaktor te revista “Shqipëria e Re”, që nxirrte Komiteti për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme), kolegët e punës ngritën problemin, se: si ishte e mundur që Ismail Kadare, lejohej të shkonte vetëm jashtë shtetit, (udhëtimet në Francë për kontraktimin e “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”), në një kohë që ajo gjë nuk lejohej në mënyrë kategorike për askënd tjetër. Dhe pasi nuk po e zgjidhnin dot këtë gjë , apo më saktë nuk po gjenin fajtorin që e kishte lejuar Kadarenë të dilte vetëm jashtë shtetit, dhëndëri i Kadriut, ia ngre këtë shqetësim në shtëpi, vjehrrit të tij. Dhe Kadriu i është përgjigjur, se atë çështje, ngrijani zyrtarisht ish-Ministrit të Jashtëm, Nesti Nases. Duke iu bazuar letrës, dhëndri i Kadriut i bën me dije Enverit, se atë çështje ja ka ngritur me shkrim Nesti Nases, por nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tij. Pra, me anë të atij denoncimi, në rastin më të mirë, aludohej se Ismail Kadare, kishte lidhje me Nesti Nasen, që ishte i arrestuar si “armik i popullit” dhe ndodhej në hetuesi, ndërsa në rastin më të keq, ajo linte vend për shumë aludime dhe ishte një akuzë e hapur ndaj Kadaresë, për ta implikuar atë me Nesti Nasen dhe të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”. Ndërsa pak më poshtë në atë letër, dhëndri i Hazbiut, i bënë me dije Enverit, se njëherë kur në shtëpinë e tyre, djali dhe vajza e Kadriut, i kishin thënë të atit se Ismail Kadare si shkrimtar, ka shumë të meta ideore në veprat e tij, Kadriu, tepër i inatosur ju kishte bërtitur: “Mos u merrni me thashetheme, ja ku e keni partinë, ja ku e keni shtypin, uluni dhe shkruani”?! Pra me një fjalë, Kadriu ju kishte bërë thirrje fëmijëve të tij, që ta denonconin me shkrim Kadarenë tek partia, nënkupto tek Enveri. Dhe të gjitha këto, dhëndri i Kadriut, ia shkruante Enverit, në një kohë që vjehërri i tij ishte i arrestuar në hetuesi. Pra, në një farë mënyre, ai po i dërgonte tek Enveri një amanet apo një kumt me shumë rëndësi të Kadri Hazbiut. Dhe i gjithë ky makinacion apo intrigë, bëhej në funksion të implikimit të Kadaresë me Ministrin e jashtëm të sapo-arrestuar, Nesti Nasen, që sipas akuzave apo informacioneve zyrtare, ai ishte pjesë e atij “Grupi armiqësor”, të kryesuar nga Mehmet Shehu, me djalin e të cilit, Bashkimin, familja Kadare kishte miqësi të ngushtë.
Publiku do të jetë shumë kurioz për letrën e vitit 1969, në adresë të Enver Hoxhës. Të themi se është shumë herët, kur Kadare sapo nis udhën drejt famës. Po pse letra ka mjaft interes, e kujt është dhe çfarë përmban në të vërtetë?
“Letra e vitit 1969 është e Bilal Xhaferrit, gazetarit dhe shkrimtarit, i cili në vitin 1967, në diskutimin krijues në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë, u ngrit dhe kritikoi ashpër Kadarenë. Dhe pas kësaj, Fadil Paçrami, sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës, u ngrit menjëherë dhe i kërkoi Bilalit të dilte jashtë, duke i kujtuar se: ‘partia i kishte pushkatuar babanë si armik të popullit’! Kjo histori tashmë është shumë e njohur dhe mjaft e përfolur në shtyp e gjithë median në përgjithësi, ku jo pak e akuzojnë Kadarenë se për shkak të tij, Bilal Xhaferri u persekutua dhe u detyrua të arratisej nga Shqipëria. Por ajo që nuk dihet dhe nuk është folur kurrë më parë për këtë, është letra që Bilal Xhaferri, me shkrimin e vet, ja ka dërguar Enver Hoxhës, ku denoncon rëndë Kadarenë me akuza nga më të ndryshmet. Dhe në këtë dosje, janë edhe tre-katër dokumente të tjera që bëjnë fjalë po për këtë ngjarje, të cilat gjithashtu janë me mjaft interes, pasi mendoj se hedhin dritë mbi gjithë historinë e Bilal Xhaferrit dhe atë që ndodhi me të pas asaj që njihet si “përplasja me Kadarenë”! Por që duhet thënë se në fakt, nuk ka qenë një përplasje, sepse sipas dokumenteve arkivore dhe atyre që kanë qenë në atë sallë, Kadare nuk ka reaguar fare pas kritikave të Bilal Xhaferrit.

Kryetari I Pejës, Gazmend Muhaxheri mohon deklaratat kundër Haradinajt

Muhaxheri mohon deklaratat kundër Haradinajt (Video)
Kryetari I Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka mohuar deklaratat e raportuara në media kundër liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
“Unë jam përgjegjës për atë që e them e jo për atë që të tjerët kuptojnë”, ka thënë Muhaxheri në një prononcim për emisionin Zyra e Ankesave të RTV Dukagjini.
Ai ka shtuar se do t’i sqarojë deklaratat e tij para gjykatës.
Ditë me parë mediat kanë raportuar se në një interviste për vjenezen “Der Standard”, Muhaxheri ka thënë se Haradinaj jeton nga paratë e haraçit dhe lojërave të fatit.

EULEX-i nuk ka mandat për heqje të imunitetit të Maria Bamieh

EULEX-i nuk ka mandat për heqje të imunitetit të Maria Bamieh
EULEX-i nëpërmjet një komunikate për media sqaron se ky mision ka pranuar një kërkesë nga autoritetet e Kosoves për heqjen e imunitetit të një ish-pjesëtari të stafit.
EULEX-i bën të ditur se kërkesa është trajtuar në pajtim me procedurat standarde ekzistuese.
“Kërkesa për heqjen e imunitetit mund të bëhet vetëm nga autoritetet vendore me kërkesë të prokurorit që merret me hetimet e rastit. Vendimi se a duhet hequr imuniteti i një pjesëtari të stafit përfundimisht merret nga Përfaqësuesi i Lartë në Bruksel dhe prandaj është jashtë kontrollit të misionit dhe/apo ndonjërit prej pjesëtarëve të stafit të tij”, thuhet në komunikatën e EULEX-it lëshuar pasditen e së mërkurës.
Po ashtu nga zyra për media e këtij misioni bëhet e ditur se nuk është nisur asnjë hetim penal as nga Jaroslava Novotna e as nga Claudio Pala.
Autoriteti relevant për ndjekje në këtë rast është Prokurori i Shtetit i Kosovës. Të gjitha pyetjet lidhur me media në të ardhmen duhet adresuar atje pasi që rasti është filluar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit e j o nga EULEX-i.
Ndonëse EULEX-i nuk përmend asnjë emër në bazë të raporteve në media bëhet fjalë për ish prokuroren e këtij misioni Maria Bamieh. Ajo para se ta lëshojë misionin pati lëshuar një varg akuzash ndaj kolegëve të saj në EULEX.
Në lidhje me këto akuza e Prokuroria e Kosovës ka kërkuar heqjen e imuniteti për ish prokuroren nga Anglia .
Ish-prokurorja britanike për të cilën është kërkuar të hiqet imuniteti, ka thënë se krejt kjo fushatë po bëhet për ta degraduar atë.
“Kjo ka ardhur nga Jaroslava Novotna, e cila ishte e përfshirë në çështjen e Francesso Florit”, ka thënë Bamieh.

BE pret zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Çfarë thotë BE për suspendimin e Asociacionit?
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që t’i implementojnë detyrat të cilat i kanë shkruara në marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës suspendoi këtë marrëveshje deri në marrjen e një vendimi pas kërkesës së Presidentes së Kosovës, Brukseli thotë se marrëveshja e arritur më 25 gusht ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiq, duhet të implementohet.
Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini tha se BE pret zbatimin e marrëveshjes së arritur.
“Ne nuk i komentojmë proceset gjyqësore që janë në rrjedhë, por presim që marrëveshja e 25 gushtit të implementohet.
Të dyja palët janë përgjegjëse për pjesën e tyre të punës në implementim”, tha Kocijançiç.

Lideri i AAK’së Ramush Haradinaj: Anuloni marrëveshjet se situata mund të dalë jashtë kontrollit

Haradinaj: Anuloni marrëveshjet se situata mund të dalë jashtë kontrollit
Opozita lut institucionet që të anulojnë marrëveshjet pasi situata mund të dalë jashtë kontrollit në rast të thirrjes së protestave. Lideri i AAK’së Ramush Haradinaj në ‘Rubikon’ ka thënë se më mirë është që deputetët t’i përballojnë goditjet e shisheve të ujit sesa të vdesin njerëzit në kufi.
“Zhbllokimi i Kuvendit do të ndodhë vetëm nëse anulohen marrëveshjet nga versioni ekzistues i saj”, ka thënë, Ramush Haradinaj, duke shtuar se opozita nuk është kundër obligimeve ndërkombëtare.
Haradinaj ka thënë se është normale që për vendet e BE’së hedhja e gazit të duket metodë e rëndë, pasi në vendet e tyre nuk është e domosdoshme hedhja e tij, kur ata kanë politikanë që e mbrojnë vendin e tyre.
Sipas Haradinajt, fuqinë e njëjtë që e ka Kushtetuesja për të ndaluar këto marrëveshje, e ka në dorë edhe kryeministri, i cili sipas tij, mund t’i anulojë ato nëse ka veç vullnet të mirë politik.
Kreu i AAK’së, i cili ka marrë përsipër ndalimin e ratifikimit të marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi, i ka bërë edhe njëherë thirrje Qeverisë që të përmirësojë marrëveshjen, para së të sillet në Kuvend.
Lideri i AAK'së ka thënë se ka pasur tendenca që opozita të paraqitet si e çmendur, por se insistimi i saj po sjell edhe ndryshime.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli: Një ditë do t’ia kthej Daçiqit për ofendimin që më bëri

Pacolli: Një ditë do t’ia kthej Daçiqit për ofendimin që më bëri
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se në UNESCO, Serbia me gjithë potencialin e vet nuk arriti të bindte as 28% të bashkësisë ndërkombëtare; dhe atë, falë presionit Rus. Ne arritëm të kemi 2/3 e botës.
Pacolli përmes një postimi në Facebook ka siguruar se për ofendimin që i bëri Daçiq atij ai një ditë do t'i përgjigjet.
"Në Unesco, Sërbia, me krejt potencialin e vet, nuk arriti të bindte as 28% të bashkësisë ndërkombëtare; dhe atë, falë presionit Rus. Ne arritëm të kemi 2/3 e botës.
U garantoj se po të votonin edhe SHBA dhe shtetet që kishin humbur të drejtën e votimit, Republika e Kosovës sot do të ishte pjesë e UNESCO-s. Shumë shtete mike nuk kishin paguar anëtarësimin e tyre vite me radhë dhe kishin humbur të drejtën e votës. Kishte edhe shtete qe nuk merrnin pjesë fare në Konferencë, për një apo tjetër arsye, shtete këto që me siguri shumica do ta votonin Kosovën. Abstenimi i disa shteteve të Azisë Qendrore dhe vota në favor tonin prej disa shteteve afrikane që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ishte një lëvizje pozitive e cila duhet të shfrytëzohet menjëherë me lobim për njohje.
I përgëzoj bashkatdhetarët e mi që punuan pa lodhje deri në momentin e fundit, punë që u karakterizua nga dashuria e madhe për atdheun, nga korrektësia, urtësia, dinjiteti dhe miqësia me shtetet e botës. Zyra e improvizuar e Kosovës ishte përplot me ambasadorë e përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.
Edhe unë isha aty dy ditët e fundit.
Nga ana tjetër, vërejtëm delegacionin sërb që ishte shume nervoz, e pengonte shumë puna jonë ekipore, e pengonte prezenca dhe takimet e mia. Këtë nuk e la as Z. Daçiç pa e përmendur publikisht, madje më ofendoi! Unë nuk po i përgjigjem atij pse unë qëndroja në UNESCO, por për ofendimin që më bëri, një ditë me siguri do t'i përgjigjem atij se kush është Daçiçi e çka përfaqëson ai, me fakte e jo me hamendje nga urrejtja, siç e bëri ai", ka shkruar Pacolli në Facebook.

Politika të mira, më shumë vëmendje për ngritjen e librarive të reja


 Për katër ditë deri më 15 nëntor 2015, shtëpitë botuese në hapësirat shqiptare do të prezantojnë botimet më të mira të tyre, duke i dhënë mundësi lexuesit të komunikojë gjatë me librin. Botimet “Saras” prezantohen në këtë panair me disa libra të rinj. Për herë të parë “Saras” sjell në gjuhën shqipe një nga romancierët më të mirë të kohës, Martin Amis me romanin “Treni i natës”. V. S. Naipaul, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi, prezantohet para lexuesit me librin e tij të dytë në shqip, përmbledhjen me ese “Shkrimtari dhe bota”. Në politikat e saj për të mbështetur letërsinë shqipe, “Saras”, në këtë panair prezanton botimet e reja të dy shkrimtarëve më përfaqësues të letërsisë shqipe përtej kufijve, Kim Mehmeti dhe Veton Surroi. Mehmeti prezantohet me romanin e ri “Shpërngulja e të vdekurve”, ndërsa Surroi me veprën e tij të plotë. Dy autorët, Mehmeti dhe Surroi, do të jenë të pranishëm gjatë panairit, për një takim me lexuesin mbi veprat që do të prezantojnë. Në stendën e botimeve “Saras” nuk mungojnë dhe tituj e autorë të tjerë të rëndësishëm të sjellë për lexuesin gjatë këtij viti, si shkrimtari Italo Svevo me dy librat “Ndërgjegjja e Zenos” dhe “Një tallje e arrirë”, saga e plotë e veprave të shkrimtarit anglez Jason Goodwin, “Lufta e shenjtë dhe e shenjta aleancë” e Manlio Graziano-s, “Ali Pasha” nga Aleksandër Dyma, “Traktati për tolerancën”, Volter, “Qyteti bri lumit”, V. S. Naipaul etj. Tema e këtij viti e panairit është “Libri digjital, një mundësi më shumë për të lexuar”, një projekt i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe “Vodafone Albania” për t’i dhënë më shumë mundësi leximit, jo vetëm atij në letër, por edhe librit elektronik, i cili mund të lexohet këtej e tutje edhe nëpërmjet telefonit apo tableteve të ndryshme. “Mund ta quajmë një fitore m.q.s. ka qenë shumë e vështirë realizimi i kësaj nisme, pasi gjuha shqipe më në fund është futur në sistemin Amazon, që për arsye sigurie nuk pranohej kohë më parë. Tanimë botuesit shqiptarë kanë mundësi që librat e tyre elektronikë t’i dërgojnë në Amazon përmes kontratave që do të lidhin me këtë sistem”, tha kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri. Sipas tij, Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojë një aktivitet për librin digjital me një panel, i cili do të trajtojë nga pikëpamja teorike dhe praktike përparësitë që ka puna me librin në ueb, kufizimet, njëkohësisht do të bëhen publike edhe të dhënat e një anketimi që ka bërë Shoqata e Botuesve për leximin në Shqipëri. Përveç çmimeve të kthyer në traditë, këtë vit do të jetë edhe çmimi i veçantë për përkthimin “Fan S. Noli”, i cili do të quhet çmim karriere, në kuadër të 50-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Sipas Ymerit, “ky vit nuk mund të thuhet se ka qenë një ndër vitet më të mira për botimet shqiptare. Janë disa dukuri që pasqyrojnë trendin e tregut shqiptar dhe në përgjithësi kjo nuk është thjesht vetëm për librin. Që prej tri apo katër vitesh ne përsërisim se numri i botimeve është në rënie dhe shitjet gjithashtu. Kjo mund të evidentohet nëse shkohet në libraritë e Tiranës, ku shihet se ka më pak njerëz. Janë mbyllur këtë vit shumë librari në Tiranë dhe rrethe të tjera. Kjo reflektohet edhe në libra, p.sh. këtë vit kemi më pak letërsi artistike se vitin e kaluar. Nga anketimi që kemi bërë, vëmë re se leximi nuk duket një prioritet në Shqipëri, por më mirë kjo do të pasqyrohet në fund të vitit në rezultatet e Bibliotekës Kombëtare. Duhen politika të mira, më shumë vëmendje për ngritjen e librarive të reja. Duhen furnizime për bibliotekat e shkollave dhe ato të rretheve, kjo realizohet me ndërhyrjen e shtetit”, tha YmeriRreth mënyrës se si do të funksionojë libri digjital Ymeri u shpreh: “Ky është një eksperiment. Një projekt që do të fillojë tani e do të ketë disa tituj falas e të tjerë do të blihen. Është diçka teknike, të cilën do ta vendosë ‘Vodafone’, por di se do të ketë edhe libra falas. Do të niset me një paketë prej 35-40 librash dhe do të vijohet në muajt e tjerë me libra të rinj. Duke nisur si paketë, do të shihet edhe trendi i lexuesit. Librat digjitalë do të jenë 30% më lirë sesa librat në letër, të cilët në raste fushatash apo kur do të ketë promocione do të ulen edhe më shumë. Kemi një problem, që shpresojmë ta zgjidhim shpejt. Libri shqiptar ka një TVSh prej 20%. Kemi punuar intensivisht me Ministrinë e Financave dhe atë të Kulturës që të kemi mundësi ta bëjmë 0. Kjo TVSh prej 20%, është më e larta në Europë: 20% në blerje dhe 0 në shitje, një shumë që nuk rimbursohet asnjëherë në një kohë kur TVSh-ja është taksë e rimbursueshme. Nëse bëjmë një krahasim me Europën mund të themi se Italia e ka 4% e nuk mund të themi sigurisht se italianët janë më të varfër se ne, por ama mund të themi se nëse italianët TVSh-në normale e kanë 19%, atë të librit e kanë 4%. Ne po përpiqemi, por është jo e lehtë të ndryshosh sistemin fiskal. Po përpiqemi të bëjmë një TVSh të diferencuar për librin, për t’u bazuar te shprehja e Umberto Eco-s: Mos taksoni leximin, mos taksoni kulturën!”, tha Ymeri.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...