2015-11-16

Rrëfimi tronditës i Alida Hiskut: Si jemi përdhunuar në kaush nga prokurorët dhe sigurimsat.

28-10-2015 10-50-52
Këngëtarja Alida Hisku, e cila aktualisht jeton në Gjermani, ka rrëfyer torturat e komunizmit, të cilat kanë tronditur opinionin publik për atë periudhë të vështirë për artistët dhe shumë të tjerë. Këngëtarja, që aktualisht jeton në Gjermani, rrëfeu për Shqiptarja.com se si ishte përdhunuar nga hetuesit e komunizmit.

Në pjesën e dytë të intervistës, ajo thotë se asnjë artist nuk e mbrojti kur e burgosën, madje as Dritëro Agolli, që ishte kryetar i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve nuk e mbrojti.

“Dritëroi ka qenë shumë babaxhan, por edhe ai kishte frikë. I largohej çdo bisede politike. Nuk donte të përfshihej, sepse edhe ai kishte problemet e veta. Por ai ishte babaxhan. Mos të mburret kot njeri se ka bërë trimëria. Askujt nuk ia mbante në atë kohë”, ka thënë Hisku.

Ajo thotë se ia ka dalë të ndërtojë një jetë të re në Gjermani pavarëisht vështirësive që ka kaluar.
E pyetur se ku e gjen këtë forcë, ajo thotë: “E gjej që të harroj. Kam një shtëpi tani të madhe në fshat ku punoj gjithë ditën me biznesin tim të vogël dhe vetë gjermanet më thonë se “ku e gjen këtë forcë, ti je një metër e gjysmë mbi tokë”. Kështu bëjnë humor disa nga mikeshat e mia”.
Hisku thotë se u arratis nga Qafë Thana në vitin 1990, bashkë me dy djemtë e saj, e ndarë nga burri.
“Isha maskuar si një grua e panjohur. Fshatarët më ndihmuan pa e ditur se kush isha. Isha maskuar si një grua e panjohur me shami në kokë, që kishte mbetur me dy fëmijët e donte të ikte. Unë madje mora një guxim të madh se në rrugë do të prisja në autostop për të shkuar më tej. Kaluan dy maune të mëdha eksporti dhe unë me ato ika”, ka rrëfyer këngëtarja.

Ajo thotë se shoferët tentuan ta përdhunojnë.

“Në mes të rrugës së Beogradit, deshën të më përdhunonin. I tha njëri: Ti mbaj fëmijët këtu dhe unë ta çoj këtë në maunën tjetër”. Unë u zbrita nga makina dy shoferëve të Durrësit dhe qëndrova në të ftohtë atje në rrugë me fëmijët përdore. Ata u kthyen dhe më morën. U erdhi keq… Kur mbërrita, u dhashë dyqind dollarët që u kisha premtuar për transportin dhe u thashë: Faleminderit pos mor harroni se keni shpëtuar jetën e dy fëmijëve dhe të një gruaje që quhet Alida Hisku. Ata u turpëruan se nuk më kishin njohur, ngaqë isha veshur si fshatare. Ja kështu bëjnë shqiptarët”, ka thënë më tej Hisku.

Ajo rrëfen edhe si ka njohur të shoqin gjerman, që vinte rregullisht në hotel për të pirë birrë. Edhe ai ishte i divorcuar. Hisku thotë se ia ka treguar të shoqit të gjitha peripecitë e jetës. Tani familja ka një restorant në fshat në Gjermani.

“Aty gjermanët, pasi mësojnë se kam qenë artiste në vendin tim, befasohen që jam kaq e thjeshtë atje me fshatarët gjermanë, që hanë nga duart e ‘shqiptares’”.



Tmerri i këngëtareve të bukura nga maniakët e sigurimit



Ishte vetëm 13 vjece, kur zëri i saj jehoi në Festivalin e Këngës në RTSH! Me një cilësi të rrallë zëri, e dhuntie muzikore, Alida shkëlqeu për 10 vjet me radhë! Shumë kompozitorë u dashuruan ne të kënduarit dhe në zërin e saj, dhe sikur garonin se kush do të krijojë këngë për timbrin dhe ngjyrën e zërit të saj!

Zoti ia dhuroi zërin e bukur dhe një shpirt aq të madh artistik. Pra një yll kishte lindur, një emër premtues në skenën e muzikës. Mirëpo erdhi një moment sic di ndonjëherë të sjell ironia e fatit. Një moment që ndërroi krejtësisht kahen e gjërave në karrierën e saj. Ishte kohë e rëndë, e vështirë për artin, për krijuesin me shpirt të lirë sic ishte Alida. Ishte kohë e ideologjisë totalitare, komuniste, ku të gjithë ishin të dyshimtë! Të gjithë ishin armiq potencialë të regjimit. Shkaqet dhe shkaset për akuza ishin edhe banale. Kështu ndodhi edhe me Alida Hiskun, e cila u këput si lule në vesën e mëngjesit ende pa celur mirë. Për cka, shtrohet pyetja!? Për një ditar, disa fragmente kujtimesh e përjetimesh, të një adoleshenteje, mjaftuan për ta shpallur armik të regjimit!

Por vlerat që janë vlera, nuk zhduken. Këtë po e provon edhe Alida Hisku.

Këto ditë Alida Hisku ka bërë përpjekje titanike për të dalë sa më mirë para publikut të saj që aq shumë e deshi. Alida iu rikthye këngës. Sot s’ka kush e ndalon! Ajo, me interpretimin karakteristik, pasqyron shpirtin, fisnikërinë, madje edhe karakterin e shqiptarit.Ajo sot po e realizon ëndërrën e lënë përgjysmë!

Pikërisht kjo ringjallje artistike e Alides, perkatësisht Albumi “Kthimi” ishte shkas që, ne, të zhvillonim një intervistë me të.

Blue Sky: Alida, për arësye që tashmë dihen, ju për shumë vjet nuk patët mundësi të ushtroni vokacionin tuaj të zgjedhur. Megjithatë që nga viti 90 ju keni mundur ta bëni këtë por nuk e bëtë! Pse ke heshtur deri tani?

Alida Hisku: Heshtja nuk ka qenë rezultat i dëshirave të mia, që të mos aktivizohesha më, por si rrjedhojë e një dënimi, nga ana e qeverisë, muzikës sime prej 10 vjetësh. Kështu mora rrugën e gyrbetit, si shumë artistë të tjerë shqiptarë, dhe mu deshën, afërsisht, 16 vjet që unë të ngrihesha në këmbë në këtë vend të ri, vend të huaj, i cili më solli shumë vështirësi për të jetuar. Mos harroni, mora rrugën e gurbetit, e vetmuar, në një kohë që burri më ndau dhe shoqëria tërhiqeshin të tërë d.m.th e vetmuar me dy foshnje mora rrugët e gurbetit dhe mund ta imagjinoni, një grua që nuk njeh gjuhën, nuk njeh vendin, që ajo të ngritet përsëri në këmbë.

Blue Sky: Cfarë keni bërë gjatë këtyre viteve larg Shqipërisë?

Alida Hisku: Jam munduar, s’pari, të kryej funksionin e nënës d.m.th të rris dy fëmijë, dy djem, me vyrtytet e një shqiptari të denjë, duke mos marrë rrugët e panjohura të gurbetit dhe duke i mbajtur pranë. Jam munduar të punoj me djersën e ballit, punë të rëndomta, punë të pakualifikuara. Jam munduar që gjatë kësaj kohe ta harroj se kush kam qenë dhe kush jam por t’i vë vetes detyrën e rritjes së denjë të fëmijëve dhe për të qenë një nënë e mirë për ta. Pra kam punuar nga mëngjesi deri në darkë, cdo lloj pune, për të siguruar bukën e gojës.

Blue Sky: E patët të vështirë të riktheheni dhe kujt ia dedikoni këtë rikthim?

Alida Hisku: Rikthimi erdhi si pasojë e shpërthimit të ndjenjave për muzikën. Muzikën e kam në gjak. Rrjedh nga një familje artistësh. Prindërit më kanë kënduar në Teatrin e Operas dhe të Baletit. Gjithashtu motra dhe vëllai janë akoma debutues të muzikës shqiptare. Duke u lehtësuar një cikë situata, fëmijët u rrittën dhe unë pash një cikë dritë që të shikoj edhe në shpirtin tim kaq thellë për muzikën shqiptare! I dhash vetes si detyrë, duke u mbështetur edhe nga nxitjet e familjes së burrit dhe të dy djemve, që përsëri të kthehesha në skenë sepse dalëngadalë po humbja vetveten. Po harronja veten se kush isha dhe kush jam! Dhe kjo harresë më bëri që unë të mendoja që t’i kthehesha përsëri publikut dhe tifozëve të mi të muzikës shqiptare, për ti dhënë atë kënaqësi që dikur ua kasha dhënë.

Blue Sky: Pra krejt befasisht ndodhi mrekullia dhe ju iu rikthyet publikut me disa këngë të përmbledhura në një CD! Sa kohë u desh deri te realizimi I këtij projekti?

Alida Hisku: Ka qenë distanca që më pengonte! Unë duhej të isha pranë familjes, pranë fëmijëve, pranë punës. Albumi ka 12 këngë të reja dhe më ka zgjatur më shumë se një vjet punë intenzive.

Blue Sky: E gjithë puna rreth albumit është kryer në Francë. Madje, është punuar me një ekip të rinjsh, pse? Pse jo në Tiranë?

Alida Hisku: Ishte një rastësi! Në Francë, e ftuar në një festë shqiptare, takova një djalë të talentuar, edhe ai shqiptar, me banim në Francë. Dhe po aty lindi mundësia dhe ideja që unë të bashkëpunoja me të, për të zbatuar, krijuar, këtë projekt, që prej vitesh më mundonte si një brengë derisa unë të dilja dhe të debutoja. Për mua është më afër të shkoj në Francë se sa në Tiranë, është edhe punë kostoje, sigurisht. Shpenzimet janë më të mëdha nëse unë do të shkoja në Shqipëri.

Blue Sky: Albumi juaj ka një titull simbolik “Kthimi”, sipas këngës me të njejtin titull. Ky tekst është shkruar enkas për këtë album apo ka qenë e rastit?

Alida Hisku: “Kthimi”, dhe të gjitha këngët e këtij albumi kanë një larmi dhe kanë një subjekt që identifikon albumin. Albumi rrëfen atë vazhdimësinë e jetës sime që nga shkëputja prej 24 vjetëve. Ky album do të ngjesë, tamam si një ngjitës , si një saldim, një hekur që kur është këputur. Këtë tekst të këngës “Kthimi”, me të cilin edhe hapet albumi, e kam shkruar vet dhe është pasqyrimi i këtij 24 vjetshi që kam jetuar në megrim.

Blue Sky: A janë të gjitha këngët të reja apo ka edhe ndonjë nga ato të viteve 70-80?

Alida Hisku: Jo, këngët janë krijim i ri! Komplet krijim i ri, i muzikës shqiptare! I premtoj publikut se do t’i futem punës që t’i rifreskoj edhe një herë këngët me albumet e tjera , këngët e mia të repertorit të viteve 70-80 ( janë më shumë se 60-70)! Janë mbi 10 vjet aktivitet në festivale të ndryshme të Shqipërisë dhe të Ballkanit!

Blue Sky: E vecanta tjetër e albumit, dhe e rikthimit tuaj, është se ktheheni bashkë me djalin tuaj, Albinin! A do të thotë kjo se do të kemi më shumë duete nga ju të dy?

Alida Hisku: Sigurisht, sigurisht! Qëllimi im , sikur edhe i cdo nëne, është që fëmijës t’i transmetojë atë traditën shiptare, jo vetëm traditën e bukur shqiptare, zakonet tona, por edhe atë traditë, atë talent që prinërit kanë. Është kënaqësi e vecantë kur fëmijët trashëgojnë talentin e prindërve. Unë i kam ndjekur dhe kam zbuluar se, të dy fëmijët e mi, kanë talent, mendoj unë, dhe këtë talent duhet që edhe djali im ta zhvillojë në rrugën e artit, sidomos artit shqiptar. Djalin e futa një herë në albumin tim sa për ta shoqëruar në hapat e parë të muzikës dhe pastaj ai të vazhdojë karrierën e vet. Unë shpresoj dhe besoj që ne të dy bashkë të takohemi në skenat e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Blue Sky: Sa jeni e kënaqur me realizimin e këtij albumi të parë? Cilën nga këngët do të veconit?

Alida Hisku: E kënaqur nuk jam plotësisht sepse mendoj që kënaqësia dhe bilanci bëhet në fund dhe unë jam akoma në fillim të atij plani, të atij vrulli, të asaj dëshire të madhe, që kam për të kënduar. Tani jam 50 vjec, 24 vjec isha kur më hoqën! Janë 24 vjet që unë i kam munguar publikut tim dhe popullit tim. Pra e kënaqur nuk jam se po të isha e kënaqur do të më prishte hovin për të vazhduar. Kështu që pakënaqësia vazhdon për të mirën e punës dhe unë do të vazhdoj akoma më tej në krijimtarinë time deri sa të vdes. Unë kam lindur në skenë dhe dua përsëri atje të vdes!

Blue Sky: Cili është mesazhi i këtij albumi?

Alida Hisku: Mesazhi i këtij albumi është që t’i fitoj edhe një herë zemrat e popullit shqiptar, t’u trgoj atyre që shqiptari, edhe vuajtjet, edhe vitet edhe stuhitë që kaloi, nuk vdes në qoftë se e mban të pastër në shpirt traditën e tij, talentin e tij, dhe qëllimin e tij për cka ai jeton, për cka ai lufton! Këto mesazhe ia përcjell të gjithë shqiptarëve kudo që janë me gjithë vështirësitë e jetës që kanë, mos ta japin veten, mos ta humbin veten , mos t’i humbin shpresat në vetvete dhe te populli dhe në qëllimet e tyre.

Blue Sky: A mund të na thuash një biografi të shkurtër artistike. Dicka më të vecantë?

Alida Hisku: Kam lindur në Tiranë. Kam filluar të këndoj në festivalet e pionierëve në Tiranë, në festivalet e të rinjve dhe në shumë festivale të tjera në Shqipëri edhe jasht saj. Kam marrë pjesë në 10 festivale kombëtare të RTSH-së. Gjithashtu kam marrë pjesë në shumë turne me Televizionin e Prishtinës dhe i falënderoj shumë të gjithë miqtë atje, Nexhmije Pagarushën dhe të gjithë të tjerët me të cilën kemi bërë shumë turne organizuar nga Radio Televizioni i Tiranës me RTP-në. Kam kaluar një kohë shumë të bukur në vitet 1979, 1980-81, në Prishtinë, Gjakovë dhe kudo në Kosovë.

Blue Sky: “Vajzat e fshatit tim” kompozuar nga Enver Shëngjergji, një sukses i papërsëritshëm, do të thosha, edhe nga kjo distancë kohore e kujtojmë dhe na sillet ne kokë!

Alida Hisku: Me të vërtetë ka qenë një këngë që bëri jehonë. Ka qenë një këngë që më tregoi emrin, më ngriti në piedestalin më të lartë. Ishte një këngë e thjeshtë, një këngë e popullit, një këngë që e këndonte i madh e i vogël. Pikërisht ajo thjeshësia ishte sekreti i cdo gjëje e edhe I kësaj kënge. Edhe këndimi im ka qenë shumë i thjeshtë sepse atë kohë isha vetëm 16 vjece! Me këtë këngë edhe fitova një cmim të artë. Kjo ishte për mua e pabesueshme ngase isha ndërmjet shumë e shumë këngëtarëve të tjerë që ishin profesionistë, që ishin të talentuar, që ishin me përvojë si: Gaqo Cako, Vace Zela, Ema Qazimi… Ishin këngëtarë të jë epoke dhe unë të konkurroja me ta, të kontribuoja me ta ishte një gjë e jashtëzakonshme dhe për këtë edhe mbetet, pas 30 e sa vjetëve, akoma në gojën e brezit të ri, përsëri e freskët, si dikur, sepse ka dalë nga populli! Është një këngë e bazuar në tabanin popullor, në motivet popullore.

Blue Sky: Në kulmin e karrierës erdhi dënimi. Erdhi pa e menduar fare. U fol asokohe se Alida kishte një ditar. Cfarë kishte të diskutueshme në atë ditar?

Alida Hisku: Isha 24 vjece. Sapo kisha kryer shkollën politike, universitetin politik, duhej të bënim një stazh një mujor në fshat . Që në moshën 10 vjece kam mbajtur ditar, për të fshehtat e mia, si shumë vajza të asaj moshe. Nuk ia besoja askujt mendimet e mia, dëshirat e mia! Kështu që kisha një ditar. Atë ditar e merrja kudo me vete, e kisha si një shok që më shoqëronte kudo në jetë. Kështu, atë muaj që shkuam në praktikë, ishim disa shoqe të kursit dhe, një natë kur unë po jepja një koncert në një kooperativë të fshatit ishin mbledhur të rinjtë dhe po këndonim, ato shoqet e mia në valixhen time morën ditarin dhe e shfletuan! Sigurisht, nuk kuptuan atë qëllimin tim cfarë unë në ditarin tim shkruaja, sepse unë nuk i shkruaja gjërat hapur kundër qeverisë por ishin disa fjalë, iniciale, sekretet e mia e që ato i interpretuan ashtu sic donin! Me një qëllim keqbërës e quan në Komitet të Partisë duke e interpretuar atë si një akt armiqësor propagande! Dhe kështu si një rrufe e shpejtë më groposi menjëherë në tokë. Janë gjëra të papërshkrueshme! I ndjen dhe i kupton vetëm ai që ka provuar, situatën time në atë kohë.

Blue Sky: Cfarë denimi pasoi?

Alida Hisku: Dënimi, që m’u dha atë kohë, ishte: të gjitha aktivitetet e mia artistike u pezulluan! U përjashtova nga Partia, nga Komiteti Qëndror i Rinisë! U përjashtova edhe nga puna, se atë kohë punoja në shtypshkronjën Mihal Duri, pra m’ u hoqën të gjitha funksionet. M’u hoq e drejta e të kënduarit dhe m’u hoq e drejta e filmave televizivë d.m.th. u izolova komplet nga aktiviteti dhe nga jeta! Më urdhëruan të mos largohesha nga qyteti dhe cdo javë të paraqitesha në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Blue Sky: Cfarë do të bëje ndryshe nga c’keni bërë po të kthehej koha?

Alida Hisku: Nuk e kam menduar kurrë se cfarë do të mund të bëja! Do të vazhdoja muzikën, sigurisht, dhe do të vazhdoja të punoja! Muzika ishte dhe mbetet shpirti dhe jeta ime.

Blue Sky: A mbani edhe më tutje ditar?

Alida Hisku: Jo nuk mbaj më! Më ka zënë frika , jo frika po si themi ne shqiptarët kur të djeg qulli i fryen edhe kosit. Kështu që unë nga ajo frikë nga ai tmerr nuk mund të shikoj më ditar! Nuk mund ta dëgjoj fjalën ditar se më rrënqethet mishi. M’u vra rinia , m’u vra jeta, m’u vra familja, m’u vra karriera , m’u vra shpirti nga ky ditar që unë mendoja se do të ishte shpirti im, shoku im por nuk di jo nuk kam ndërmend të mbaj ditar më.

Blue Sky: Ekspertët e muzikës thonë se ju shquheni për interpretimin e këngës popullore dhe asaj të lehtë. Ku mund ta shpalosni potencën e zërit më mirë?

Alida Hisku: Në të dyja! Nuk bëj dot dallim, nuk bëj dot ndarje. Nuk bëhet ndarje në muzikë. Nëqoftëse ke talent, në qoftë se ke shpirtin për muzikë nuk ka ndarje. Të gjitha llojet e këngëve, popullore dhe ajo e lehtë, janë të gjitha në një tepsi. I këndoj të dyja me gjithë shpirt, me dëshirë, me gjithë forcën e zërit. Megjithatë, jam shquar në aktivitetet e mia si këngëtare e muzikës së lehtë dhe e muzikës popullore të modrenizuar ose të përpunuar.

Blue Sky: Cka do të veconit dicka më karakteristike nga pjesmarrja në Festivalet e RTSH-së

Alida Hisku: Ne, këngëtarët, dikur e vlerësonim më shumë këngën, e vlerësonim më shumë aktivitetin! I jepnim rëndësi më të madhe! Ishim shumë të lidhur, ne këngëtarët, njëri me tjetrin! Na vëllazëronin idetë e përbashkëta, që sot, me keqardhje them nuk i gjenë më në festivale! Intereset e festivaleve sikur janë zbehur! Këngët sikur nuk këndohen me atë forcën, me atë shpirtin me atë ndjenjën e dikurshme! Mendoj që ato festivale janë të pakrahasueshme dhe të pa arritshme sot e kësaj dite.

Blue Sky: Cila do të jetë befasia e radhës? Mrekullia e radhës?

Alida Hisku: Mrekullia e radhës, një sekret që mund t’ua them juve në Radio Kosovë, është se unë, këtë vit, do të shkoj dhe do të paraqitem në Festivalin e RTSH-së, por jo si konkurrent por do të shkoj e do të përshëndes Festivalin! Kam shfacur dëshirën për të bërë këtë, në Tiranë, dhe e dyta, unë do të përfaqësohem edhe në Prishtinë, atje do te bëj promovimin e albumin tim.

Blue Sky: Cmimet dhe kritika pozitive janë ato që përkëdhelin egon e secilit. Ishte kështu edhe për ju?

Alida Hisku: Ndërmjet ne këngëtarëve ka qenë një ego paksa e mbuluar dhe jo kaq e hapur sic është tash. Sot është një luftë shumë e madhe e kolegëve ndërmjet tyre! Dikur nuk e kemi pasur shumë sepse atëherë muzika bëhej për qejf . Muzika dikur nuk ka qenë mjet biznesi, mjet pazaresh, mjet lekësh! Dikur kemi kënduar për të kënaqur popullin, për të kënaqur vetveten, pa asnjë lloj qëllimi tjetër! Kurse sot është biznes është tjetër gjë.

Blue Sky: Ku është Kosova në planet tuaja?

Alida Hisku: Ju premtoj që pranvera që vjen do të më gjejë në Kosovë. Koncertin e parë do ta jap aty dhe pastaj do të kaloj në Shqipëri dhe vende të tjera sepse ndihem si borxhlije që Kosovës nuk i kam dhënë aq shumë koncerte sic i kam dhënë Shqipërisë. Por, këtë do ta realizoj në planin e ardhshëm, direkt në Prishtinë, koncertin e parë , në fillim të pranverës, pra vitin e ardhshëm!

Blue Sky: Mbani ndonjë korrespodencë me këngëtarët kosovarë?

Alida Hisku: Jo! Dhe më vjen shumë keq! Për këtë qëllim unë do të kthehem në Kosovë. Dua të takoj Shpresa Gashin dhe të gjithë këngëtarët e brezit tim, shoqërisht t’i takoj dhe të lidh marrëdhënie të reja dhe kështu të shtyejmë gjysmën tjetër të jetës që na ka mbetur.

Blue Sky: Skena jonë muzikore, mendoj unë, është kaotike. Ndikime shumë nga gjuhët e huaja dhe melosi I huaj, këndojnë ata që kanë para po jo zë etj. Cka duhet të bëjmë, sipas mendimit tuaj, që të përmirësohet dicka?

Alida Hisku: Nëse muzika është një mjet biznesi nuk kemi cfarë t'i bëjmë! Do të mundohemi që gjithkush të ruajë traditën shqiptare, tabanin kombëtar të muzikës sonë, atë ta ruajmë! Dhe, në qoftë se ne atë e ruajmë dhe në qoftëse cdo njëri nga ne artistët ta ketë parasyshë që mos t'i largohet tabanit dhe të mos ketë influenca të muzikës së huaj atëherë këmi arritur atë që duam!

Blue Sky: Mësuam se ju keni qenë shumë aktive gjatë luftës në Kosovë, duke ndihmuar ata që kishin nevojë! Na kujto dicka nga ato ditë?

Alida Hisku: Në vitin ’99, një situatë normale këtu në Gjermani, ku unë jetoj, por jo në Kosovë! E ndjeva ashtu si gjithë populli shqiptar se duhet të bëja dicka për vëllezërit dhe motrat e mia! Më dhimbte zemra kur shikoja që ata morën rrugën e mërgimit nga lufta! Dhe, natyrisht unë nuk mund të rrija e qetë si motër shqiptare. Organizova me burrin tim 65 tonë ndihma për vëllezërit dhe motrat që jetonin në Maqedoni dhe Shqipëri. Bashkë me burrin, me ndihmën e shumë miqve gjermanë, mjekëve gjermanë, morëm ndihma dhe u nisëm drejt Shqipërisë me 5 avionë ushtarakë. Mbaj mend që pas shumë peripecive arritëm në Kukës ku shpërndamë të gjitha ndihmat. Poashtu edhe në Shkup e Tiranë në të gjitha pikat ku ishin të vendosur kosovarët. Dhe jam krenare që kam ndihmuar popullin tim në ditët e vështira që ai pati.

Blue Sky: Alida falemnderit për kohën që ndave për dëgjuesit tanë!

Alida Hisku: Falëmnderit juve, ishte kënaqësi!

Rikthimin e Alidës e kanë përshëndetur edhe kolegët e saj në prishtinë. Ndër ta vecuam Nexhmije Pagarushën dhe Shpresa Gashin.

Nexhmije pagarusha: Alida Hisku është një zë karakteristik, një interpretuese shumë e mirë! Interpreton me një ngrohtësi të vecantë që secili që e dëgjon i flen në shpirt. Kam dëgjuar se ka filluar përsëri të këndojë prandaj dhe i dëshiroj fat dhe suksese. Uroj të na kënaq edhe më tutje me këngët e saj, me interpretimin e saj të ngrohtë dhe me muzikalitet të vecantë sic di ajo. I dëshiroj sukses!

Shpresa Gashi: Më kënaq fakti se Alida qenka rikthyer, me po atë freski zëri dhe me një pjekuri interpretimi! Është e nevojshme që rinia jonë të dëgjojë timbrikën e këngës së lehtë, të asaj kohe, njëkohësisht t’i njohë edhe vlerat e këngës tradicionale.


2.



alida-histku

Alida Hisku preferon ta rrëfejë në vetë të tretë pjesën më dramatike të historisë së saj, duke lënë të kuptohen arsyet e qenësishme të një sjellje të tillë. Në rastet e tjera është mjaftuar me një retrospektivë të përgjithshme të persekutimit absurd, pa u futur në detajet e përjetimeve nga dit-netët e qelisë. E bindur se ndjeshmëria sensitive e bashkëvuajtsve mund t’i fsheh përfundimisht gjurmët e këtij krimi monsturioz, këngëtarja e famshme e viteve ‘70 zbulon për herë të parë një pjesë të skenave rrënqethëse, duke adresuar dhe një apel për viktimat e tyre. “Kërkojmë të hapen arkivat, por ngurojmë të hapim gojën”, shton ajo duke ju referuar grave dhe vajzave të dënuara, që vazhdojnë të heshtin për inkuizitorët e tyre.


Po çfarë sjellë tjetër Alida Hisku nga skëterra e qelive të diktaturës… Sa kohë zgjatën hetimet në qelitë e Brakës dhe çfarë u provua nga akuza si pjesëtare e grupit armiqësor të Mehmet Shehut?

Akuza fund e krye ishte një marrëzi, por hetuesit e kishin të pamundur të tërhiqeshin. Çfarë nuk përdorën për të zyrtarizuar legjendën e sajuar. Nuk mbaj mend sa dit-netë vazhduan me këtë avaz, sepse gjatë përballjes me ta, në një moment humba arsyen, logjikën dhe nuk e di si rrodhën gjërat më tej. Kur jam kthjelluar e kam parë veten në spital, në një dhomë të mbyllur me hekura dhe dryn, gati e njëjtë me qelinë e Brakës. Nuk e di sa kohë kisha aty dhe në çfarë rrethanash më kishin çuar. Ajo që konstatova ishin gjurmët e injeksioneve të shumta, një pjesë e të cilave ishin nxirë e mavijosur…

E gjithë kjo për ditarin e famshëm

Në fakt, gjatë hetimeve në birucat e Brakës nuk e zunë në gojë historinë e ditarit. E gjithë alibia aty përmblidhej tek përfshirja në rrjetin agjenturor të Fiqirete Shehut. Ditarin, me sa dukej, e kishin kaluar për ta shqyrtuar në linjë partie. Më thirrën e penalizuan për të në komitetin e Partisë së Rajonit Numër Tre. Nga deshifrimi i shënimeve të hedhura aty, konkludohej për demonstrim të hapur të frymës antiparti nga pozita reaksionare mikroborgjeze. Kjo më kushtoi flakjen nga radhët e partisë, çka nënkuptonte pushkatim politik, që niste me dorëzimin e teserës së anëtarësisë dhe persekutimin pambarim në punë, lagje, shoqëri etj.

Në hetuesi nuk u morën me historinë e ditarit që u kishin rrëmbyer fshehurazi në Konispol

Çështja për të cilën ngulmonin aty ishte shumë më e rëndësishme nga përmbajtja e shënimeve të ditarit. Që në seancën e parë, në qelitë e Brakës, hetuesit me akuzuan për përfshirje të drejtpërdrejt në veprimtari armiqësore. Ata vinin si përbindësha, përsërisnin të njëjtin refren dhe iknin duke marrë në nënsqetull dosjet e zverdhura. Futeshin dhe dilnin disa herë gjatë ditës, por edhe natën. I kam në sy fytyrat e tyre dhe më shfaqen si atëherë, të egër, brutalë, të poshtër. Të poshtër te Zoti…

Çfarë kujtoni nga ballafaqimi me ta në qelitë e Brakës?


Në fakt, hetuesit me të cilët u përballa në seancat e hetimeve në qelitë e Brakës ishin dy. Njëri, me sa kuptoja, ishte zyrtar i rajonit ku më kishin izoluar dhe në një farë kuptimi e shtynte procesin si me përtesë. Me të nuk isha takuar kurrë. Tjetri, që shfaqej si i tërbuar, ishte i Policisë Sekrete dhe vinte aty vetëm për çështjen time. Kisha pasur me të dikur një histori të pakëndshme. Më kishte ndaluar disa herë në rrugë e më kishte ftuar për kafe. Pas çdo refuzimi, provoja reagimin e tij në formë presioni, duke më kujtuar faktin që ishte oficer i sigurimit. Ndodhi, që kur ia kisha harruar fytyrën prej kohësh, m’u shfaq papritur në qelitë e Brakës. Mu errën sytë kur e pashë. Më uroi fillimisht me cinizëm “mirëseardhjen” me një “Hë zogu, po tani?” dhe vazhdoi me akuzat për tradhti, rrjet agjenturor, grupazh armiqësor etj. Unë e di ç’kam hequr prej tij. E vetme, e drobitur, në një qeli të errët…

Pra, me njërin nga hetuesit kishit pasur më herët një lloj marrëdhënie

Një farë njohje në kushte të padëshiruara, desha të them. Një tip i tillë ishte i njohur pak a shumë edhe nga shoqet e tjera. Ishte një kategori manjakësh nga radhët e sigurimit asokohe që gjurmonin këngëtaret e bukura, duke bërë të pamundurën për t’i shtirë në dorë. Në fakt, me mënyrën si paraqiteshin duke nxjerrë në pah misterin e detyrës, prodhonin jo pak tundim tek to. Të paktën unë, nga aq sa më kanë treguar koleget, di jo pak marrëzira të kësaj natyre. Në mjaft raste, këto soj mostrash merrnin përgjigjen e merituar flakë për flakë, por jo gjithmonë gjuetia e tyre shkonte bosh. Skifterët me kobure e kollare, siç i quanim atëherë, ishin mjeshtër të artit të shantazhit dhe nëpërmjet tij gjunjëzonin viktimat e tyre, duke u vënë në dukje pikat e dobëta dhe kleçkat në biografi. Pastaj, nëna ime…

Kaq e fshehtë ishte një dramë e tillë


Ata shfaqeshin hapur, por me marifete nga më të ndryshmet. Fillimisht me një ftesë për kafe, për të sqaruar ca rrethana delikate, pastaj direkt te oferta bastarde. Më kujtohet mirë sidomos prania e tyre në ditët e festivaleve në TVSH. Asokohe ato ishin eventet kulturore më të rëndësishme dhe njëherazi shërbenin edhe si sfilata bukurie. Për skifterët me kobure, që nuk i lidhte gjë me muzikën, kjo ishte pjesa më e lakmueshme. Harbimi nga privilegjet pa kufi të garantuara nga regjimi, u jepte guximin e çmendur për të pretenduar një lloj pronësie mbi çdo qenie të bukur. Një histori perverse kjo e asaj kohe të zymtë, që njihet pak në mjedisin shqiptar…

Sidoqoftë, ju keni një histori personale me njërin prej tyre

Ata nuk të shqiteshin kur të vinin në shënjestër. Pak a shumë kështu ndodhi dhe në rastin tim. Shfaqja pasmesnate e atij njeriu të shpifur në birucat e Brakës, kur nuk e dija pse ndodhesha aty, më la të kuptoja se arsyet nuk ishin politike. Në fakt, asnjëherë nuk e mora vesh në ishte rastësi apo pjesë e një operacioni të organizuar prej tij. Përballja me të këtë radhë nuk bënte fjalë për oferta kafesh, apo për biseda intime…

Me një fjalë ai nuk ishte thjesht hetuesi i procesit, por autori i legjendës, protagonisti i kurthit

Për mua kjo ka qenë e padiskutueshme qysh atëherë. Ca më tepër që ky lloj hetuesi-pervers nuk e fshehu asnjë moment qëllimin monstruoz. Kam pritur prej vitesh që kjo çështje të zbardhet në rrugë zyrtare, por me sa shikoj as ka njeri ndërmend të merret me të. Ca më tepër që historia ime nuk është e vetme e këtij lloji…

Pra, në rastin e arrestimit tuaj, arsyet nuk ishin të mirëfillta politike

Mua më penalizuan fill pas arrestimit të Fiqirete Shehut. Ato pak lidhje që kisha me drejtoreshën e shkollës së Partisë, “gjahtarët” e pashpirt i shfrytëzuan si një oportuniteti fatlum për të më futur në kafaz. Aty pastaj duart e tyre ishin të lira për gjithçka…

Që do të thotë?

Drama që kanë përjetuar vajzat dhe gratë shqiptare në qelitë e burgjeve ka qenë nga më të tmerrshmet. Mjaft syresh, për të marrë një leje-largimi nga fshatrat e thella ku ishin internuar për të shkuar në qytet te mjeku, duhej ti nënshtroheshin epsheve të të plotfuqishmit të zonës. Një shëmti e tillë ndodhte po kështu në burgun e grave, ku gardianët horra kalonin orët e shërbimit duke bërë seks të detyruar me të dënuarat e pambrojtura. Të gjorat gra, të ndodhura në një izolim të plotë bëheshin pre e instikteve kafshërore të zyrtarëve hamshor. Me një profil më çnjerëzor shfaqej kjo dramë në birucat e prokurorisë, ku oficerët e Policisë Sekrete përdhunonin vajzat e arrestuara.

Si në rastin e birucave të Brakës?

Diçka bastarde, e paperceptueshme nga arsyeja njerëzore. Hetues përbindësha që vizitojnë pas mesnate qelitë e vajzave të arrestuara. Përballje tronditëse, e frikshme që nis me fyerje e grushte për një vepër penale të pakryer dhe vazhdon me një batanije kokës. Pastaj hienat e natës vërsulen si ujku mbi prenë e tyre të mbuluar. Klithmat rrënqethëse mbyten po aty. Betoni i ftohtë i birucës nuk lë të depërtojë asgjë jashtë. Prej aty mund të dalin vetëm hamshorët. Kuptohet, pasi mbaronin punë…

Ç’ndodhte më tej me viktimat e tyre?

Për ato që rebeloheshin dhe protestonin kishte injeksione e gjilpëra për gjumë, por për të errësuar edhe memorien. Më tej kishte dhe psikiatri…

Me sa dimë, disa kohë keni qenë edhe ju paciente në psikiatri

E shpjegova pak më lart se ende nuk e di si kam përfunduar aty. Mbaj mend gjilpërat e shumta që kam bërë te birucat e Brakës. Emërtimin e tyre as sot nuk e di. Ato m’i injektonin me forcë për të harruar ato çka duhej të harroja. Me vetëdijen time me vonë kam përdorur shumë kokrra qetësuese të llojeve të ndryshme, deri tek morfinat, të cilat i siguroja nëpërmjet miqve të mi besnikë, që punonin në spital. Qysh atëherë kam marrë shume medikamente qetësuese dhe jam shtuar në spitalin nervologjik disa herë. Kështu ma shkatërruan jetën, rininë, familjen, shpirtin…

Kur Manjani e quante Ramën nekrofil politik të varur nga Sekti Athinës

Ylli Manjani do të jetë ministri i ri i Drejtësisë. Nënkryetari i LSI-së do të zëvendësojë Nasip Nacon në këtë post, duke u bërë kështu pjesë direkt e projektit të “Rilindjes” që Rama u premtoi shqiptarëve për të ardhur në pushtet. Por nëse kthehesh pas në kohë, e kujton ato që ka thënë Ylli Manjani për “Rilindjen” dhe vetë Edi Ramën, kupton se ku ka degjeneruar pushteti i sotëm i kryeministrit socialist. Intervista e mëposhtme e Ylli Manjanit, dhënë për televizionin Abc News në vitin 2012, pak pasi Rama kishte mbledhur Asamblenë e Përgjithshme të PS-së, nuk le vend për shumë interpretim, nuk le vend për shumë koment. Ylli Manjani ka qenë një nga përfaqësuesit e LSI-së, i cili ka sulmuar më fort Ramë, që ka shfryrë më shumë mllef ndaj tij.
sjfbdsjgdjg_0
Manjani e quan “Rilindjen” projektin e cunave të Byrosë Politike në Bllok, që kanë marrë peng PS-në. Ramën e quan “politikan surrogado”, “monstër” dhe nxitës të dhunës. Lexoni më poshtë një pjesëz të zbardhur të intervistës, ndërsa të plotë atë mund të shihni në videon e mëposhtme”

Cfarë ka thënë Ylli Manjani për “Rilindjen”

“Unë besoj se z. Rama dhe grupi i tij s’kanë asgjë për të bërë. Mbledhja e Asamblesë ishtë thjesht një ngjare që Rama të shfaqte surratin në politik. Na kujtoi që është gjallë, që është po me atë ritëm shkatërrimtar sic ka qenë vitet e fundit. Na kujtoi se medemek ka bërë edhe një program që e quan “Rilindje”. Rilindja e Shqipërisë dhe rilindasit e Shqipërisë janë të një dimensioni të jashtëzakonshëm dhe një sharlatan politik që mashtron opinionin publik sistematikisht, që gënjen pa pikë turpi, që nxit dhunë dhe urrejtje, dasi midis njerëzve, që organizon vepra të dhunshme, nuk ka nevojë të ndihmojë për asnjë sekondë Shqipërinë për refomra politike.

Nuk e di se si e zë gjumi Ramën. Po nëse e zë gjumi ai duhet të jetë monstër. Për cfarë Rilindje flet ky njeri, për Rilinjden e cunave të Byrosë Politike? Për rilindjen e koperativave bujqësore? Për rilindjen e komandatit, për rilindjen Fyhrerit? Ato pallavrat e programit s’i beson askush. Imagjinoni Frashërllinjtë, imagjinoni Konicën, imagjinoni rilindasit e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, të krahasohen me Edi Ramën. Ju lutem se na e ulët pjacën jashtë mase. Nuk ka rilindje të kohës moderne me njërëz të dhunshëm që nxisin urrejtje klasore. Ka Rilindje të Bllokut, ka Rilindje të Byrosë Politike. Janë cunat e Byrosë politike, u rritën, u poqën gjithë këto kohë, dolën nga emigracioni, bënë dhe ca para, morën Partinë Socialiste dhe tani duan të kthehen në jetën e tyre. Kjo është Rilindja që flet zoti Rama”- shprehet Manjani.

Lidhur me marshimin-homazh të Ramës një vit pas ngjarjes së 21 Janarit, Ylli Manjani ka thënë kështu:

“Eshtë nekrofili politike e pastër e zotit Rama për interes të tij politik. Duhen të vdesin njerëzit për të sjellë një surrogato politikan në qeveri? Mua më duket poshtërsi. Ky është një njeri që humbi dritën e syve të tij, Bashkinë e Tiranës, humbi gjeneratorin për të bërë para dhe për të sponsorizuar PS-në. 21 janari iu tentua t’i faturohej zotit Basha, por ishte zoti Basha që i dha një dush të merituar një shuplakë të merituar në zgjedhje”- ka thënë Manjani.

Duke komentuar më tej kandidimin ose jo të Ramës si deputet në zgjedhjet e vitit 2013, Manjani ka thënë se kjo varet nga udhëzimet e “Sektit të Athinës”

“A do ta shohim kandidat Ramën në 2013? Edhe kjo nuk është cudi. Varet cfarë udhëzimesh do të marrë nga sekti i Athinës. Kushedi ca udhëzimesh do t’i japin ata, të hyjë apo jo në zgjedhjet e vitit 2013 si deputet. Por kjo është një histori tjetër”- ka thënë Manjani.

Më poshtë mund të shihni të plotë, “me zë dhë figurë”, sic Rama thotë shpesh”, intervistën e Ylli Manjanit 3 vite më parë. Sot ky njeri ka marrë bekimin e Edi Ramës për t’u bërë ministër, 3 vite më parë e quante Ramën “monstër”, “politikan surrogado”, “sharlatan”, “të varur nga Sekti i Athinës”.

Ylli Manjani, juristi që e nisi me Nanon, u lidh me Ramën, por përfundoi me Metën



Ministri i sapopropozuar i Drejtësisë, është një jurist që ka hyrë në politikë, por që nuk ka kaluar asnjë ditë në sistemin gjyqësor.

Një dibran nga origjina e familjes, tipik nga ata finokët e lindur për të qenë dikushi, por i rritur në Lezhë, Ylli Manjani u njoh me qarqet politike kur punonte si jurist i lartë në strukturën e prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Në kohën e ambasadorit Osmo Liponen kur OSBE hartoi të famshmen reformë zgjedhore “bipartizane”, Ylli Manjani ra në sy të Fatos Nano si një jurist “europian” me pasaportë shqiptare gjatë procesit të negociatave dhe hartimit të draftit.

Kryeministri i atëhershëm, pikasi talentin e lezhjanit të kultivuar dhe e mori menjëherë në stafin e tij ku e emëroi Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.

Pikërisht këtu Manjani hyri në politikë, por siç duket nuk do të mund të qëndronte dot në një vend. Pas pak kohësh u përplas me Fatos Nanon dhe u largua nga ai, duke shkruar një artikull mjaft goditës ndaj njeriut të afërt të Nanos: Emin Barçit.

Tek ai shkrim, Manjani spikati edhe si një njeri i fjalës së kuruar, ngaqë paralelisht bënte dhe publicistin e rafinuar, therrës e fjalëspec, e siç duket nga ky aspekt u thirr menjëherë prej Edi Ramës në stafin e tij, kur ky i fundit mori drejtimin e Partisë Socialiste.

Tek ekipi i Ramës, Manjani ishte një nga figurat më kryesore, që krahas me Artan Lamen e xhinsin e tyre gjysëm politikanë e gjysëm intelektualë, duket se do të ishin njerëzit bazë të vendimarrjes kur PS-ja do të vinte në pushtet.

Dhe me këtë logjikë, Rama e dërgoi Ylli Manjanin në vendin e origjinës, në Dibër, si kandidat për deputet, ama duke e lënë të tretin në listë dhe duke i dhënë në patronazh rrethin e Bulqizës ngaqë aty kishte dhe lidhjet e familjes së tij.

Por në zgjedhjet e vitit 2009, PS-ja përveç humbjes në rang kombëtar, në Dibër mori vetëm dy parlamentarë: Sadri Abazin dhe Qemal Minxhozin. Manjani kërkoi që të ishte ai deputet, me pretendimin e grumbullimit të numrit më të madh të votave për PS-së në zonën e Bulqizës, duke i kërkuar kryetarit të ndërhyjë. Por Edi Rama nuk lëvizi.

Kjo bëri që Manjani të jepte shenja rebelimi, sidomos kur e pagëzonte asamblenë socialiste si një OJQ, ku nuk ishte e vështirë të nuhatej xhelozia e tij ndaj mjaftistëve në parti, të cilët po ia rrëmbenin zemrën politike Ramës.

Dhe pas një angazhimi fluid me LMN-në (Lëvizjen për Mendimin Ndryshe), dalëngadalë ai nisi të dalë nga “vatha rozë”, duke u angazhuar sërish me shkrime të ithëta, kësaj herë me shënjestër edhe Ramën përveç Berishës, të cilin e kish me shumë merak në kritikat e tij të vazhdueshme për mënyrën se si udhëhiqte e bënte politikë.

Dhe i mbetur pa stacion politik, Ylli Manjani, u “pikas” nga Ilir Meta, i cili kishte nevojë për “gjak të majtë” pas largimit të Pëllumb Xhufit, Fatos Klosit, Ndre Legisit e Sokol Axhemit, si kundërshtarë të bashkimit të LSI-së me PS-në.

Ilir Meta e bëri Manjanin pjesë të kryesisë dhe juristin bazë të tij në KQZ por edhe më lart. Ishte në gjirin e LSI-së kur Manjani u “lëshua pa duar” duke krijuar profilin e një politikani agresiv, ku nga studio televizive të Frangajt sulmonte Ramën si njeriu që po kthen djemtë e bllokut dhe si një rrezik që po rikthen kooperativat bujqësore.

Megjithatë, stimuli më i madh që mori nga Meta ishte posti i zv.ministrit të Transporteve, post që e mban ende, por luajaliteti ndaj kryetarit të tretë ka qenë më i zjarrtë, siç duket nga frika se po i humbet çka fituar, siç ka ndodhur me dy kryetarët e parë.

Edhe në dy vjet qeverisjeje me PS-në, Manjani nuk kërkoi shumë, megjithëse ishte natyrshëm një “i rikthyer në bazë”.

Qëndroi në postin e vogël nën Edmond Haxhinaston me shpresën se ndoshta një ditë do të gjendet një zyrë e lartë edhe për të. Për të cilin mendon ai, Ilir Meta, i cili për më shumë se dy muaj i bëri presion Edi Ramës për ndryshime në qeveri, deri ditën e sotme kur kreu rrokadën, me kushtin që Manjani nuk do të jetë si Naço, një “outsider” në reformën në drejtësi.

Manjani i ka dërguar Venecias një draft të hatuar nga ai ku rrëzon thuajse të gjithë reformën e “Xhafës”. Si për të treguar se “nuk do të jetë spektator” por do të kërkojë që LSI të ketë “nenet” e saj në draftin e madh që emëron prokurorë e heq gjyqtarë…

ENRIKO CEKO : Çiftelia dhe buzuku

Çiftelia është një nga instrumentet muzikore me të cilat identifikohet me madhështi trashëgimia dhe e sotmja e kulturës tradicionale shqiptare. Ajo është një nga instrumentet e lashta muzikore në botë, prej së cilës kanë rrjedhur disa nga instrumentet e tjera muzikore me tela. Vetë emri “çifteli”, që shpjegohet si fjalë nëpërmjet gjuhës shqipe, tregon se kemi të bëjmë me një instrument me dy korda. Por emri “çifteli” filloi të përdoret vetëm kur teknologjia bëri të mundur prodhimin e kordave metalike, sepse emri i vjetër i këtij instrumenti muzikor është “duter” ose “dutar”, që përsëri shpjegohet vetëm nëpërmjet shqipes së vjetër, që do të thotë “dy të tjerra”, pra “dy fije”. Përdoret fjala “të tjerra” sepse në lashtësi kordat e instrumenteve muzikore bëheshin me qimet e tjerra (thurura) të kafshëve.

Në rajonin e Ballkanit përveç çiftelisë janë të njohura edhe instrumente të tjera muzikore me tela, ndër të cilët përmendim buzukun, me të cilin në ditët tona identifikohet kultura tradicionale greke. Në fakt, të tërë studiuesit e instrumenteve muzikore me tela e kanë pranuar se vegla muzikore e buzukut është një modifikim i vonë i tamburjasë. Por tamburjaja është pranuar botërisht në aspektin akademik, se si vegël muzikore me tre tela është një modifikim i hershëm i dutarit (çiftelisë), duke i shtuar asaj një tel, ndërsa buzuku, që dihet se është krijuar shumë shekuj pas tamburjasë, në fillimet e tij si instrument muzikor ka qenë me tre tela, që ishin të vendosur çift midis tyre në po ato oktava si tamburjaja e hershme, dhe kjo për të krijuar një tamburja me zë më të fortë dhe jo me synimin për të krijuar një instrument tjetër.

Në të vërtetë buzuku, siç e njohim ne sot me tetë tela (katër çifte kordash), është krijuar si variant vetëm midis viteve 1958–1960, dhe kjo sepse muzikës greke të atyre viteve i duhej një bazë tradicionale për të vazhduar më tej me muzikën e përpunuar, pranuar ky fakt pa asnjë ngurrim edhe nga vetë akademikët grekë.

Edhe tamburjaja, nga e cila e ka origjinën buzuku, është një instrument muzikor që, ashtu si çiftelinë, e kanë krijuar të parët tanë. Tamburja do të thotë “ta mbajnë burrat” ose “ta mburrja” dhe në të vërtetë në lashtësi tamburaja ka qenë vegël muzikore e meshkujve, kryesisht e luftëtarëve, që e përdornin për të kënduar e mburrur trimërinë e treguar në luftë dhe për të kujtuar e mburrur të rënët. Kjo është aq e vërtetë, sa në pothuajse të tëra dekoracionet e lashta, skulpturat e pikturat e vjetra anembanë Ballkanit, kryesisht në ato të shekujve 9–3 p.e.s., meshkujt luftëtarë paraqiten me tamburja në dorë, në dallim nga femra ballkanase, që në deokracionet, skulpturat dhe pikturat e vjetra të po kësaj periudhe paraqitet me një vegël tjetër muzikore, që quhet “pandora”, që femrat e mbanin në një kuti të zbukuruar me dekoracione, pasi, me sa duket, ka qenë një ndër dhuratat që kryefamiljari i bënte vajzës së tij apo një dhuratë që jepej në rastet e ceremonive të bashkimit martesor.

Fjala “pandorë” do të thotë “e panë në dorë”, pra e nxjerrë nga kutia, dhe me sa duket ka të bëjë me femrat që e mbanin këtë instrument në dorë dhe luanin në të për t’u dukur në publik sa më interesante dhe tërheqëse. Një tjetër shpjegim mund të jetë edhe “pa atë në dorë”, pra “nuk e kishte në dorë instrumentin”, që ndoshta ishte si rregull apo zakon i shoqërisë së asaj kohe që të mbahej me vete nga femrat gjatë ceremonive të ndryshme, kur dilnin në publik ose kur në shtëpi kishte vizitorë. Tamburjaja lëshonte zë të fortë dhe ishte më e rëndë sesa pandora, që kishte zë të ëmbël dhe të butë, gjë që tregon fare qartë për dallimin që i bënin dhe për rolin që i kishin përcaktuar femrës në shoqërinë e asaj kohe meshkujt e paraardhësve tanë, që ishin ata që prodhonin vegla muzikore, sepse në atë kohë, ashtu si edhe sot, punimi i drurit për të bërë vegla muzikore ishte punë e vështirë, që kërkonte forcën e krahut.

Vegla muzikore me shumë tela, që sot e njohim me emërtimin “harpa”, në emërtimin arkaik quhet “qafiharp” dhe lidhet me fjalët shqipe “qafë” dhe “hark”, sepse në variantin origjinal kjo vegël muzikore varej në qafë dhe harpa e parë në të vërtetë ka qenë harku i gjuetarëve, të cilët më vonë e kuptuan se me harkun e gjuetisë mund të krijoheshin edhe tinguj, hark që gjatë ecjes gjithashtu mbahet në qafë. Harpa njihet edhe me emrin “lyra” (lira), që vjen nga ylli që sot përcaktohet nga astronomët perëndimorë me emrin “Vega”, yll që para rreth 14000 vitesh ka qenë Poli i Veriut, por që me ndryshimet hapësinore të mijëvjeçarëve të kaluar nuk tregon më veriun.

Të parët tanë e kanë njohur këtë yll, sepse e kanë parë me sy të lirë, pasi ai është një ndër pesë yjet më të ndritshme në qiell, që duket mjaft qartë në mot të kthjellët përpara se të bjerë nata dhe herët në mëngjes, yll që bënte orientimin në kohë dhe hapësirë të njerëzve në tokë për një kohë shumë të gjatë, deri në zbulimin e busullës. Paraardhësit tanë e kanë quajtur këtë yll me dy emra: “neservaki” dhe “lyra”. Neservaki do të thotë “nesër vajti ki” ose “nesër do të bëhet ikja”. Kjo e dhënë është e shënuar në librat e vjetër persë dhe arabë, ku ylli emërtohej “alneservaki” dhe përcaktohej si ylli që u printe karvaneve të udhëtarëve. Mitologjikisht popujt e lashtë të Ballkanit e paraqitnin këtë yll me pamjen e një shqiponje, që duke mbajtur veglën muzikore të lirës në këmbët e saj, shikon poshtë në tokë nga njerëzit, sepse, kur meneadat e vranë Orfeun, atij i ra lira nga dora në lumë dhe Zeusi dërgoi një shqiponjë për të marrë lirën e për ta ngritur atë në qiell, pikërisht në yllin Vega, në mënyrë që paraardhësit tanë përsëri të shikonin lirën dhe dritën e yllit të orientimit.

Lira njihet edhe si vegla muzikore e Davidit dhe e mbretit Artur, dy nga njerëzit që, sipas legjendave, kanë pasur edhe aftësi shumë të mira orientuese në natyrë. Nga romakët kjo vegël muzikore njihet si “timpani”, nga persët si “zuraja” dhe nga arabët si “àsanja”, fjalë që shpjegohen me shqipen e vjetër “ti mba ne”, “zë-unë-ra-ja” dhe “à shaja” (është shenja)”. Pra, shenja se do ndodhte diçka, ndryshimi i vendit të yjeve rreth tokës dhe rënia e yllit si dhe ngritja e lirës në qiell nga ana e Zeusit, emri i perëndisë më të rëndësishme ballkanase, që përsëri mund të shpjegohet me shqipen e vjetër “e ke zërin si unë”, pra “të kam bërë ty si shëmbëlltyrën time”, që fare lehtë lidhet me të tëra besimet fetare pikërisht me krijimin prej Zotit të Adamit dhe më pas i dhuroi atij Evën. Adamin e bëri sipas shëmbëlltyrës së tij dhe me zë, sepse e para ishte fjala, në krahasim me gjallesat e tjera, që nuk kishin artikulim, por vetëm thirrma. Fjala është e përbërë nga “fi-à-lë-at”, pra, “i është lënë filli” i vazhdimësisë së jetës në tokë dikujt, ndërsa kur Zoti i nxori nga trupi Adamit brinjën me të cilën bëri Evën e pyeti: “A t’dhamb” (?) dhe / ose: “A t’dhemb” (?), që prej nga vjen edhe emri i njeriut të parë në tokë, emri “Adam” apo “Adem”. Emri “Eva” vjen nga “e vë u(unë) at” (fjalë bazë të shqipes së vjetër, pra “e vura unë atë atje”, që përshkruhet në mësimet fetare të të tëra besimeve me momentin kur Adami ishte në gjumë dhe Perëndia i vuri atij atje pranë Evën.

Për t’u kthyer përsëri në argumentin tonë të lirës, emri “meneada”, që u dedikohet vazhduesve femra të Dionisit, e ka shpjegimin vetëm nëpërmjet shqipes së vjetër, sepse me vrasjen e Orfeut të parët tanë i ndanë marrëdhëniet me Dionisin, duke mos iu lutur më atij, siç bënin më parë për të pasur më shumë prodhime bujqësore dhe blegtorale, pra “me ne a da”, që janë fjalë themeltare të shqipes, që do të thotë “me ne është ndarë”, sepse Orfeun e vranë meneadat, vazhduese të Dionisit. Edhe në gjuhën e sotme bullgaro-maqedonase meneadat njihen si “mimalona”, që në fund të fundit shpjegohet me shqipen e vjetër “mbi malet tona”, sepse sipas mitologjisë meneadat, ose mimalonat, rrinin në majat e maleve të Ballkanit, larg nga sytë e njerëzve, për të bërë jetën e tyre të shfrenuar, që është edhe arsyeja se pse ato vranë Orfeun, i cili rrëfente me këngë dhe lirë jetën e njerëzve të thjeshtë, historinë e botës e të jetës dhe jo mungesën e arsyes dhe humbjen e qëllimit të jetës, rrugë në të cilën ishin futur meneadat (“Orfe”, “orëfe”, “do rrëfej”, “u rrëfej”). Vetë emri “Dionis” shpjegohet me shqipen e vjetër “dy en i si” ose “dy enë njësoj”, që tregon sasinë e prodhimit të madh që do merrej në stinën e vjeljeve, por që ka edhe një lidhje me legjendën e vjetër të paraardhësve tanë, atë të dy vëllezërve që bënin të njëjtën punë njëkohësisht, kur vinte koha e punimit të tokës, vjeljes së prodhimit, stina e shirave etj., pra “të dy njësoj”, legjendë që të parët tanë ua tregonin brez pas brezi të rinjve, që ata të mësonin se si të përdornin me kujdes kohën dhe stinët e vitit për të pasur sa më shumë mbarësi.

Ndër të parat instrumente muzikore me kordë ka qenë lahuta, një vegël muzikore me dy pjesë, njëra është kupa me bisht, që mbahet vertikalisht dhe që ka vetëm një kordë të bërë me qime të tjerra kafshësh të egra, dhe tjetra është harku, që ka po një kordë e mbahet horizontalisht, dy pjesë, pra kordat e të cilave fërkohen me njëra tjetrën për të krijuar tingujt. Emri i vjetër i këtij instrumenti muzikor është “lutë”, fjalë që lidhet me shqipen, ndoshta një ndër fjalët bazë të saj, që është fjala “lutje”, ngjizje e katër rrokjeve fillestare të shqipes së vjetër që janë “le”, u (unë), “në” dhe “ty”, e cila ka të bëjë me faktin që njerëzit e pafuqishëm përballë dukurive të ndryshme të jetës së përditshme luteshin dhe lutjet e tyre shoqëroheshin edhe me instrumentin muzikor (që për këtë shkak e ka marrë emrin lutë – lahutë), për të pasur një kontakt më të afërt me Perëndinë, gjë mjaft e dukshme kjo në shkrimet e lashtësisë, në të cilat banorët e rajonit të Ballkanit përshkruhen se në momente të caktuara luteshin me këngë e duke i rënë instrumentin muzikor (lutës) për të pasur më shumë prodhime nga toka dhe për më shumë stinë të favorshme e kushte më të mira jetese. Lidhja bëhet edhe më e fortë për shkaqet ceremoniale të aktit të lutjes, kur njerëzit duhet të ishin të larë dhe të pastruar, sepse do të dilnin përpara Zotit për t’u dëgjuar nga Ai dhe me sa duket nga lutë emri filloi të bëhej lahutë, pra: “laj, hyu (hyjnia), unë, të (ty)”, ose “lahu e pastrohu e këndo me lutë që të hysh në marrëdhënie me hyjninë, që Ai të të pranojë në komunikim”. Lutja është momenti dhe elementi më i rëndësishëm në kronologjinë e vazhdimësisë së njeriut në planet, sepse përcakton etapën kur qenia njerëzore filloi të shkëputej nga perënditë e shumta në të cilat besonte dhe, si e tillë, lutja u krijua për të forcuar lidhjet e humbura dhe/ose të dobësuara me Zotin (momenti kur njerëzit filluan të besonin se Zoti ishte një dhe vetëm një) dhe me sa duket janë paraardhësit tanë ata që kanë menduar për këtë lidhje, pa të cilën bota e tyre nuk do të kishte asnjë kuptim, lidhje që bëhej edhe më kuptimplotë si proces kur lutja bashkëshoqërohej me këngën dhe veglën muzikore (lutën) dhe njerëzit duhej të ishin të pastër nga ana trupore, marrë këtu në konsideratë edhe faktin se në atë kohë trupi konsiderohej si i pandarë nga shpirti dhe, si i tillë, procesi i pastrimit të trupit shikohej edhe si procesi i pastrimit të shpirtit gjatë përpjekjeve për komunikim me Zotin.

Luta pranohet sot nga të tërë akademikët në rrafsh evropian dhe më gjerë pa asnjë përjashtim se është instrumenti më i vjetër dhe më primitiv në Europë dhe se violina e sotme është një pasardhëse e denjë e saj. Edhe varianti kroat i kësaj vegle muzikore, që quhet “gousle”, shpjegohet vetëm me shqipen e vjetër, dhe kjo për faktin se kroatët janë pasardhës të asaj pjese të fisit ilir të dalmatëve, që u asimiluan nga sllavët, dhe fjala “gousle” mund të shpjegohet me gishtin që i bie instrumentit dhe aktin e mbarimit të të kënduarit me këtë instrument dhe me pjesën e gushës, ku mbështetet instrumenti kur përdoret. Në të tëra rastet e gjetjes nga arkeologët të varianteve arkaike të këtij instrumenti, fundi i bishtit të kupës mbaron me një kokë dhie, simboli i hershëm i ilirëve dhe simboli i përkrenares së Gjergj Kastriotit. Vërtet luta është vegla më e thjeshtë muzikore me korda në botë, por ajo për ne shqiptarët është më rëndësishmja midis të tëra atyre, dhe kjo për dy arsye: e para, sepse është një ndër veglat muzikore fillestare me korda e qenies njerëzore; dhe e dyta, sepse emri i saj shpjegohet vetëm dhe vetëm nëpërmjet shqipes së vjetër.

Sharkia, një tjetër instrument muzikor me korda, është një modifikim i çiftelisë, së cilës në shekujt 17-të, 18-të iu shtuan edhe dy korda të tjera dhe u zgjat si instrument, pasi këtë e lejoi përdorimi i kordave metalike, derisa ne sot e njohim si sharkinë e zakonshme me pesë tela, por ka edhe variante me më shumë tela. “Sharki” në shqipen e vjetër do të thotë “çfarë kije”, pra “çfarë ke”, që luan me këtë instrument apo që i bie këtij instrumenti. Edhe ky instrument në kohët e vjetra përdorej për të shoqëruar ngjarjet më të rëndësishme të jetës së njerëzve: lindjet e fëmijëve, problemet, hallet e gëzimet e ndryshme të jetës, vajtimin e njerëzve të humbur për shkaqe nga më të ndryshmet, ndër të cilët lufta me natyrën dhe me fiset e tjera pushtuese kanë qenë kryesoret. Pra, “çfarë të ka ngjarë”.

Emrat e këtyre instrumenteve muzikore janë njësoj në tërë popujt e Ballkanit dhe është i padiskutueshëm fakti që pothuajse të tërë emrat e veglave muzikore me tela të rajonit të lashtë të Ballkanit mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet shqipes, dhe kjo sepse në pothuajse të tërë emrat e këtyre instrumenteve ka fjalë bazë të gjuhës shqipe ose fjalë që shpjegohen vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe. Kësaj dukurie nuk i shpëton as buzuku. Fjala “buzuk” nuk është tjetër veçse bashkimi i dy fjalëve shqipe: “buzë” dhe “ujk”, që janë dy nga fjalë kryesore të shqipes. Fjala “buzë” është e prejardhur nga fjalët “bëj u (unë) zë” dhe/ose “bëju zë”, që janë fjalë bazë të shqipes së vjetër, ndërsa fjala “ujk” lidhet me një nga kafshët e egra që ende dhe sot është mjaft e përhapur në rajonin e Ballkanit, që lëshon një zë të fortë dhe të zgjatur. Dhe për më tej, në lashtësi, përpara se të zbutej paraardhësi i kalit, kordat e veglave muzikore bëheshin me qimet e kafshëve të egra dhe një nga kafshët që vritej më shumë, për shkak se ishte armiku i njeriut, ishte ujku, qimet e bishtit të të cilit tirreshin (thureshin) e bëheshin korda. Gjithashtu, edhe nëse buzukut të vjetër me tre çifte kordash i bie fort, ai lëshon një tingull që ngjan me ulërimën e ujkut, pra e “bën zërin si ujk”. Nuk është rastësi që në pikturat e periudhës së luftës për pavarësinë e Greqisë (fundi i shekullit të 18-të) arvanitasit, që ishin shpirti dhe zemra e revolucionit grek, paraqiteshin me veshjen e tyre karakteristike, me shpata, allti e pushkë të gjata dhe me tambure dhe/ose buzuk në dorë. Në gjuhën greke nuk ka asnjë fjalë që të ketë lidhje të drejtpërdrejtë me fjalët “buzë” dhe “ujk”, që janë pa dyshim dy fjalë të rëndësishme të gjuhës shqipe.

Në variantin turk të instrumentit të vjetër të buzukut me tre çifte telash emri është “dyzen”, që përsëri shpjegohet vetëm me shqipen, që do të thotë “dy zëra”, pra tela dyshe që lëshojnë të njëjtën zë, ndërsa në turqishten e vjetër tamburjanë e emërtonin “sazë”, që përsëri shpjegohet me fjalët shqipe “sa” dhe “zë”, pra “sa shumë zë që lëshon” dhe prej këtej duket ka ardhur edhe fjala “saze” për muzikën që luhej në përgjithësi nëpër qytezat ballkanase nga fundi i shekullit të 17-të e në vazhdim.

Fjala “mandolinë”, një instrument muzikor me katër çifte telash me bisht më të shkurtër se sa buzuku (vitet e fundit janë prodhuar variante me pesë çifte telash), që përsëri përdoret shumë në Greqi, mund të shpjegohet me shqipen, që do të thotë “ma nep dollinë”, pra bjeri mandolinës dhe ma kalo radhën e dollisë, sepse do të këndoj e do të bëj dolli shoqëruar me muzikën e instrumentit muzikor në fjalë, pa u zgjatur këtu me fjalën dolli (doli), që ka të bëjë me çastin e daljes së dhëndrit në derë me nusen përkrah, çast kur të tërë urojnë e ngrenë dolli duke kënduar. Për më tepër, emri i vjetër i mandolinës është “mandolli”, ose “mandollë”.

Në fakt, përveçse emrat e këtyre instrumenteve muzikore nuk mund të shpjegohen me ndonjë gjuhë tjetër ballkanase përveç shqipes së vjetër, emërtimet e këtyre instrumenteve muzikore të shpjeguara më lart nuk mund të shpjegohet as edhe me ndonjë fjalë të ndonjë gjuhe tjetër evropiane.

Meqenëse luta, lira, çiftelia, tamburaja, pandora, sharkia, etj. janë instrumentet më të vjetra me korda në Ballkan dhe sipas disa burimeve me sa duket edhe në Europë, prej kohësh sllavët, e sidomos sllavët e jugut, kanë bërë përpjekje që t’i trajtojnë atë si instrumentet muzikore të tyre, pra me origjinë sllave, dhe kjo jo sepse sllavët nuk kanë instrumente muzikore specifike të tyre e se u duhet një i tillë, por sepse synimi i vërtetë i tyre është përvetësimi i baladave të kreshnikëve të të parëve tanë, baladat që në fakt janë zemra e kulturës dhe traditës ballkanase dhe ndoshta edhe e traditës së hershme paneuropiane, balada që për shkak të cilësive specifike dhe karakteristikave të tyre unikale në rang botëror nuk është se mund të shoqërohen lehtësisht me balalajkë apo fizarmonikë. Arsyeja tjetër për këtë ngutje për të përvetësuar këto instrumente muzikore dhe për t’i bërë pjesë të trashëgimisë mitologjike kulturore sllavoserbe dhe/ose grekomaqedonase është afërsia e atyre që i kanë përdorur këto instrumente me shpirtin, afërsi që tregon më së miri lidhjen e fortë të njeriut me natyrën dhe krijuesin, që me sa duket të parët tanë e kanë pasur mjaft të fortë, dhe kjo jo pa shkak, por për faktin se paraardhësit tanë janë më të hershmit në Europë dhe se gjuha e të parëve tanë, shtrati i vërtetë i gjuhës së sotme shqipe, është, siç thekson edhe shkruesi më i njohur i gjuhës shqipe në botë, Ismail Kadare, “një ndër dhjetë gjuhët më të vjetra të botës”.

Lira, luta, dutari, sharkia, tamburaja dhe pandora, së bashku me buzukun e mandollën janë instrumentet kryesore muzikore që u shpërndanë në rajon dhe më gjerë gjatë shekujve, instrumente që u dhanë jetë dhe shpirt dhjetëra instrumenteve të tjera me korda që përdoren edhe sot në rajon dhe më gjerë në tërë kontinentin europian, instrumente virtuale dhe origjinale të paraardhësve tanë, që shprehin qartë shpirtin e mrekullueshëm të tyre dhe që shpjegojnë mjaft mirë hershmërinë e shqiptarëve në Europën Juglindore dhe specifikisht në Ballkan si dhe që hedhin dritë edhe mbi shkallën dhe nivelin e parësisë universale të qenieve njerëzore në kohë dhe hapësirë.

Gjekë Gjonaj:Ulqini, qytet i kulturave të ndryshme

Gjekë Gjonaj – Në fund javën që shkoi qyteti i Ulqinit kishte vërtet një festë të madhe dhe të bukur. Karakteristikë e gjithë kësaj ishte defilimi nëpër qytet i mbi 300 anëtarëve të njëmbëdhjetë ansambleve folklorike nga Ulqini, Kosova, Maqedonia, Serbia, Turqia, Bullgaria dhe vende të tjera të rajonit si dhe interesimi i dukshëm i popullatës vendase për origjinalitetin e këtyre veshjeve kaq të bukura të shteteve pjesëmarrëse.
ne ulqin
Koloritin dhe skenarin e gjithë kësaj pjesë të prezentimit nëpër qytet i përgatitën me kujdes udhëheqësit artistik të shoqërive të përërmendura kulturoro – artistike, duke afirmuar në këtë mënyrë qartë dhe pastër jo vetëm kulturën dhe traditën kombëtare të trevës së Komunës së Ulqinit, por edhe kulturën dhe traditën kombëtare të vendeve pjesëmarrëse të rajonit.

E gjithë kjo larmi e kostumeve popullore të popujve të ndryshëm zbukuroi e hijeshoi Ulqinin, por edhe la përshtypje, mbresa dhe simpati ulqinakët, të cilët u impresionuan me kulturën dhe traditën shekullore të popujve të tjerë joshqiptarë në rajon.

Kënaqësia arriti kulminacionin në momentin kur të gjitha ansamblet folklorike u ngjitën në skenën e Qendrës Kulturore të Ulqinit, të cilat u mirëpritën me duartrokitje frenetike nga ana e spektatorëve.

Ishte padyshim kënaqësi e jaszhtëzakonshme të shihje djem të pashëm e vajza të bukura të nacionaliteteve të ndryshme të veshurë në kostume kombëtare, duke luajtur valle, duke kërcyer dhe duke kënduar në gjuhë të ndryshme, por të kuptueshme për të gjithë, meqë ato kanë vlera universale.

Me këtë aktivitet kulturoro-artistik, , i cili u zhvillua në kaudër të manifestimit tre ditorë “ D’olcinium International Festival” nga Organizata Turistike e Ulqinit në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, u dëshmua se ky qytet jo vetëm se afirmon kulturën dhe traditën e vet kombëtare, por tregoi se në Ulqin ka vend edhe për kultura të tjera, të cilat gërshetohen mjaft bukur me njëra-tjetrën , pra edhe me kulturën shqiptare. Organizatori i këtij manifestimi me këtë simbolikë zgjodhi mënyrën më të preferuar dhe më të qëlluar për përmbylljen e sezonit të sivjetshëm turistik.

Kur Italia u shpall kampione edhe falë një monedhe


Italia_Euro_68_COLORI






Nga historia e evropianëve të futbollit, (1960-2016)

Nga Skifter Këlliçi


Ishte e para herë pas vitit 1948, pra pas prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për shkak, se siç e kam theksuar, sipas Stalinit, Titoja “kishte tradhtuar parimet marksiste-leniniste”, që përfaqësueset e futbollit të vendeve tona takoheshin në qershor të vitit 1967 midis tyre. Dhe kjo ndodhte për teka të shortit të Euro ’68-ës, që i kishte përfshirë në një grup, së bashku me përfaqësuesen gjermano-perëndimore.

Por nuk ishin vetëm shkaqet e mësipërme ideologjike që kishin sjellë që midis vendeve tona të ekzistonte edhe një frymë armiqësie. Mbi të gjitha ishin synimet grabitqare shekullore të qarqeve shoviniste serbo-malazeze ndaj vendit tonë,të yshtura edhe nga vendimet absurde të Fuqive të Mëdha qysh më 1878 në Kongresin famëkeq të Berlinit dhe pastaj në Traktatin e fshehtë të Londrës më 1913 që kishin sjellë si përfundim që krahina të tëra shqiptare, Plava, Gucia pastaj Kosova e vise të tjera, t’i shkëputeshin trungut mëmë dhe t’u nënshtroheshin shtypjeve të tyre të dhunshme dhe gjakatare.

Dhe paradoksi është se ndonëse në dy takimet në grup Shqipëria humbiste 0-2 në Tiranë dhe 0-4 në Beograd, ajo, duke arritur një barazim sensacional 0-0 në Tiranë me Gjermanë Federale… kapitaliste, që ishte nënkampione e Botërorit të vitit 1966 në Angli, ndihmonte krejt pa pritur që në vend të parë të këtij grupi të ngjitej Jugosllavia… revizionste, e cila, madje, do të arrinte “falë këtij barazimi” të bëhej edhe nënkampione e Evropës së vitit 1968.


Por le t’i shpjegojnë gjërat me radhë.

Pra, UEFA këtë radhë të 31 pjesëmarrëset e Euro ’68-ës ’68-ës i ndau në 8 grupe, nga të cilat ato që zinin vendet e para do të kalonin në fazën e dytë, ku takimet do të zhvilloheshin me sistem mënjanimi.
Në grupin e parë Spanja me 8 pikë la pas Çekosllovakinë me 7, Uellsin me 5, dhe Turqinë ne 5 pikë. Vendimtare në këtë grup ishte fitorja e spanjollëve ndaj çekëve në Madrid 2-1.
Në grupin e dytë vendin e parë e siguroi lehtësisht Bullgaria me 10 pikë, që la pas Portugalinë me 6, Suedinë me 5 dhe Norvegjinë ne 3 pikë.
Bashkimi Sovjetik, kampion dhe nënkampion i Evropës me 10 pikë siguroi pa telashe vendi ne parë, i ndjekur nga Greqia dhe Austria me 6 pikë dhe Finlanda me 2.

Vijmë kështu te grupi ku përfshihej edhe përfaqësuesja jonë. Ajo humbi 6-0 në Dortmund në takimin me nënkampionët e botës, pastaj dy humbje me Jugosllavinë, për të cilat shkrova më sipër, dhe më 17 dhjetor të vitit 1967 priste Gjermaninë Perëndimore, pa pasur asnjë fitore, asnjë barazim, pra asnjë pikë, por e betuar që t’ua shkëpuste të paktën atyre ndaj të cilëve kishte pësuar një humbje aq të thellë.
Dhe skuadra jonë e përbërë nga Dinella, Gjinali, Jorgaqi, Shllaku, Vaso, Rragami, Mema, Kazanxhi, Bizi, Pano dhe Zhega ia arriti kësaj ndaj skuadre të madhe, ku, veç Bekenbauerit, luanin yjet të tillë të futbollit botëror si Packe, Shulc, Veber, Hëtges, Netcer, Overat, Held, Lor. Madje “de jure” ajo ishte edhe fituese e takimit, po të marrim parasysh se një gjuajtje “silur” e mbrojtësit Gjinali u prit nga portieri kundërshtar Uollter, kur topi kishte kaluar tutje vijës së portës, pra gol, të cilin “nuk arriti ta shihte” gjyqtari austriak Marshall.

Kështu, falë këtij barazimi, vendin e parë në këtë grup e zuri Jugosllavia me 6 pikë, e pasuar nga RF Gjermane me 5 dhe Shqipëria me 1 pikë.

Në grupin e pestë Hungaria me 9 pikë la pas RD Gjermane me 7, Hollandën me 5 dhe Danimarkën me 3 pikë. Në këtë grup, edhe pse Hungaria humbi 0-1 me gjermano-lindorët, ajo u kualifikua për në fazën e dytë.

Në grupin e gjashtë Italia nuk e pati të vështirë të zinte vendin e parë me 11 pikë, e shkëputur nga Rumania me 6, Zvicra me 5 dhe Qipro me 2 pikë.

Grupin e shtatë e kryesoi Franca me 9 pikë, e pasuar nga Belgjika dhe Polonia me 7 dhe Luksemburgu me 1 pikë. Në këtë grup francezët arritën të kualifikoheshin, edhe pse humbën me belgët 1-2 në Bruksel dhe barazuan 1-1 në Paris.
Në grupin e tetë vendin e parë e zuri Anglia me 9 pikë, e ndjekur nga Skocia me tetë, Uellsi me 4 dhe Irlanda e Veriut me 3 pikë. Edhe në këtë grup anglezët u mundën nga skocezët 2-3 në Glasgou dhe arritën vetëm të barazonin në Londër 1-1.

Në fazën e çerekfinaleve bëri bujë mënjanimi i Francës nga Jugosllavia së cilës, me sa dukej kualifikimi i papritur pas barazimit Shqipëri-RF Gjermane i kishte dhenë krahë, aq sa pas barazimit 1-1 në Paris, në ndeshjen e kthimit në Beograd ajo arriti një fitore të bujshme me rezultatin 5-1.

Sovjetikët nuk e patën të vështirë të mënjanonin Hungarinë 2-0 në Budapest dhe 3-0 në Moskë.

Takimet në dy çiftet e tjera Spanjë-Angli dhe Itali-Bullgari u përshkuan nga nota dramatike. Pasi kishin fituar në Londër 1-0, deri në minutën e 84-t të ndeshjes së kthimit që u zhvillua në Madrid, anglezët dukeshin shpresabjerrë, sepse po humbisnin 0-2, rezultat që kualifikonte spanjollët. Por shi atë minutë sulmuesi anglez, Kaciatore, mbiemër që në italisht do të thotë gjahtar, si të ishte vërtet i tillë, me një gjuajtje të saktë shënoi atë gol që në fushën e kundërshtarit u dha atyre mundësi të kalonin në gjysmëfinale.
Nga ana tjetër, italianët humbën takimin e parë në Sofje 3-2, por në ndeshjen e kthimit në Napoli, para një publiku të zjarrtë, si shpërthimet vullkanike të Vezuvit, që lartësohet mbi të, me golat e Pratit dhe Domenginit përmbysën rezultatin 2-0.

Kështu nga 5 deri 10 qershor të vitit 1968 katër skuadrat finaliste, të ndara në çiftet Itali-Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavi-Angli, filluan betejat për titullin kampion të Evropës që u zhvilluan përkatësisht në stadiumet “San Paolo” të Napolit (82 .000 shikues) dhe “Komunale” të Firences, 52.000 shikues).

I kam ndjekur këto ndeshje nga RAI që shihej aso kohe në Shqipëri me anë të antenave primitive, ose lehtësisht edhe nga stacionet televizive jugosllave.

Këtë radhë në takimin Itali-Bashkimi Sovjetik, tepër të mërzitshëm, të zhvilluar në Napoli, Vezuvi vullkanik nuk pati “shpërthime”, mbeti pra “shterpë” dhe si pasojë edhe vetë ndeshja që edhe me shtesën prej 2×15 minutash nuk nxori në dritë të paktën një gol që do të shpinte në finale njërën nga të dyja skuadrat.

Italia_Euro_68_BIG_park

Aso kohe nuk kishte hyrë në fuqi rregulli i gjuajtjeve nga pika e 11- metërshit dhe kësisoj fatin e ndeshjes e zgjidhi shorti me monedhë, pilë a kokë. Dhe fati i buzëqeshi, Faketit, kapitenit të axurrëve. Kështu Italia …ishte e para skuadër që arriti në finale. Dhe Bashkimi Sovjetik e para dhe e fundit në veprimtari botërore dhe evropiane që mënjanohej nga një… monedhë.

Sidoqoftë, Franki, presidenti Federatës Italiane të Futbollit, si për t’i ngushëlluar sovjetikët e dëshpëruar, u tha: ”Ne merituam fitoren, por as ju nuk merituat humbjen”.

Të paktë ishin ata që mund të vinin në dyshim fitoren e anglezëve që dy vjet më parë duke mposhtur në Londër RF Gjermane të Bekenbauerit më shokë kishin fituar Kupën e Botës ndaj jugosllavëve.
Mirëpo nuk ndodhi kështu: Ballkanasit jo vetëm arritën të zmbrapsnin sulmet e pareshtura të kampionëve të botës, ku luanin portieri i famshëm Benks, Muri, Bolli, Pitersi, Bobi Çarltoni, Hërsti…, por katër minuta para mbarimit, pa pritur shënuan me anë të futbollistit 

të tyre më të mirë, mëngjarashit Xhaic.


Faketi-me-Kupen-ne-duar

Kështu Italia u ndodh në takimin përmbyllës përballë Jugosllavisë, së cilës specialistët nuk u jepnin shanse, aq më tepër që takimi zhvillohej para rreth 80 mijë shikuesve italianë që mbushnin Stadiumin Olimpik të Romës.

(Para këtij takimi për vendin e tretë Anglia, duke fituar 2-0, me gola të B. Çarltonit dhe Hërstit, kishte mposhtur Bashkimin Sovjetik).
Jugosllavëve, pas golit të shënuar nga Xhaici në minutën e 39-të u duheshin vetëm 10 minuta që të shpalleshin kampionë të Evropës. Vetëm 10 minuta, kur ata kishin zmbrapsur tërë ato sulme të axurrëve, madje kishin qenë edhe pranë golit të dytë.
Dhe ja, atë minutë, në kufijtë e zonës së rreptësisë jugosllave gjyqtari zviceran Dinst, që kishte gjykuar edhe finalen Angli-RF Gjermane të Botërorit ’66 në Londër, dha një goditje dënimi për italianët. Predha e Domenginit kaloi midis këmbëve të mbrojtësve jugosllavë që kishin krijuar murin mbrojtës dhe përfundoi në rrjetë. Jugosllavët iu ankuan zviceranit të ftohtë se topi u gjuajt nga shenjëtari italian pa u dëgjuar vërshëllima e bilbilit, por ai e bëri veshin të shurdhër. Pastaj erdhi edhe shtesa prej 2×15 minuta, por rezultati nuk ndryshoi. Madje jugosllavët për pak sa nuk shënuan golin ngadhënjyes që do t’i linte të shkordhur të zotët e shtëpisë.

Sipas rregullores së atëhershme pas 48 orësh, po në Stadiumin Olimpik të Romës, për të përcaktuar skuadrën kampione, u desh që të zhvillohej një ndeshje tjetër, që u drejtua nga 

gjyqtari spanjoll Mendibi.

Euro_1968_rete_Riva

Këtë radhë trajneri italian Valkarexhi, krahas portierit të famshëm Xof, lojtarëve Burgnic, Faketi, Guarneri, Juliano etj., hodhi në “frontin e luftimeve” forca të reja si Salvatore, Rosato, Macola, De Sisti, Riva, Anastasi dhe Italia me gola të këtyre dy të fundeve në minutat 11 dhe 39, fitoi titullin kampion. Dhe, siç e pamë, edhe me fat, pas shortit të fituar nga Faketi, pas 120 minutave monotone të takimit Itali-Bashkimi Sovjetik.

Golashënuesi më i mirë ishte jugosllavi Xhaic (2 gola).

Skuadra simbolike Euro ’68:
Xof,(Itali), Fazllagic,(Jugosllavi), Faketi,(Itali), Shesternjov,(BS), Mur,(Angli), Osim,(Jugosllavi), Maxola, (Itali), Domengini,(Itali), Hërst,(Angli), Rivera,(Itali), Xhaic,(Jugosllavi)


Si Gjermania e pësoi nga “rregulli” i saj për 11-metërshat dhe penalltia legjendare e Panenkës

Skifter Kellici
Nga historia e evropianëve të futbollit, 1960-2016
Si Gjermania e pësoi nga “rregulli” i saj për 11-metërshat dhe penalltia legjendare e Panenkës

Nga Skifter Këlliçi


“Atdheu im” është një album prej gjashtë poemash simfonike të kompozitorit të madh çek, Bedrih Smetana, (1826-1886), meloditë e të cilave kanë frymëzuar lëvizjet atdhetare të këtij populli kundër pushtuesve austriakë.

Dhe gjatë zhvillimit të Euro ’76-ës duket se motivet e këtij albumi sikur u dhanë zemër edhe futbollistëve çekosllovakë, që për herë të parë arritën të bëheshin zotër të kësaj veprimtarie kaq të rëndësishme, e cila atë vit u zhvillua në Jugosllavi,përkatësisht në stadiumet “Ylli i kuq” i Beogradit me nxënësi 52 mijë shikuesish dhe “Maksimir” të Zagrebit me 45 mijë.
Ishte hera e parë që një evropian futbolli zhvillohej në një vend socialist, ndonëse në vendin e sovjetëve jugosllavët, edhe pse Hrushovi që më 1955 i kishte rregulluar hesapet me Titon, prapëseprapë jugosllavët quheshin ende “shërbëtorë” të perëndimit kapitalist.
Nuk ishte ndonjë e papritur që çekët ngadhënjyen në kë evropian: Në vitet ’30 të shekullit të kaluar “Sparta” e Pragës, ndër skuadrat më të njohura të Evropës, kishte qenë dy herë fituese e Kupës “Mitropa”, veprimtari ku kishin marrë pjesë skuadrat më të mira të Evropës Qendrore, dhe përfaqësuesja çekosllovake, e drejtuar nga portieri legjendar, Planicka, kishte arritur në finalen e Botërorit ’34 në Romë, ku kishte humbur ndaj Italisë 1-2.

28 vjet më pas në Botërorin Kili ’62 të zhvilluar në Santiago, çekët ishin bërë nënkampionë të botës, pasi ishin gjunjëzuar në finale vetëm nga Brazili i famshëm 1-3. Veç kësaj, shkolla danubiane, e përfaqësuar nga futbolli çek dhe austriak dhe më pas hungarez, kishte lënë gjurmë në historinë e zhvillimit të futbollit evropian.
Ja sepse titulli kampion, me të cilin Çekosllovakia u kurorëzua në evropianin jugosllav, nuk ishte ndonjë e papritur.

Le të ndjekim tani ecurinë e këtij kampionati deri në finalen dramatike RF Gjermane-Çekosllovaki, që siç do të shohim, për herë të parë u zgjidh me seritë e llotarisë së 11-metërshave. Formula ishte e njëjtë me europianët e mëparshëm: tetë grupe, një fitues prej secilit, pra tetë skuadra, që vazhdonin në katër çifte rrugëtimin e këtij kampionati me mënjanim dhe pastaj në fazën përmbyllëse katër skuadrat më të mira do t’i vazhdonin përsëri me mënjanim.
Grupi parë u fitua nga Çekosllovakia që me 9 pikë la pas Anglinë më një pikë më pak. Portugalia u rendit e treta me 7 pikë dhe Qiproja e fundit me 0 pikë. Në takimet midis tyre anglezët mundën çekët 2-1 në Londër, por humbën 0-3 në Pragë. Mirëpo dy barazimet e këtyre të fundeve me Portugalinë 0-0 dhe 1-1 ua këputën shpresat për të zënë vendin e parë.
Por atë që nuk bënë anglezët, e arritën në grupin e tretë fqinjët e tyre, uellsianët, të cilët me 10 pikë lanë pas Hungarinë dhe Austrinë me 7 dhe Luksemburgun me 0 pikë.
Në grupin e tretë lehtësisht arriti të zërë vendin e parë edhe Jugosllavia po me 10 pikë. Irlanda e Veriut dh Suedia grumbulluan nga 6 pikë dhe Norvegjia vetëm 2.
Spanja u rendit e para në grupin e katërt më 9 pikë dhe pas saj Rumania dhe Skocia me 7 dhe Danimarka me 1 pikë.
Grupi i pestë i mbiquajtur “i ferrit” nxori në krye me pikë të barabarta Hollandën dhe Poloninë me nga 8 pikë, dy skuadra që kishin zënë përkatësisht vendin e dytë dhe të tretë në Botërorin Gjermani ’74 që ishte fituar nga të zotët e shtëpisë. Me golaverazh më të mirë 14-8 kundrejt 9-5 u kualifikuan hollandezët. I papritur në këtë grup ishte mënjanimi i Italisë me 7 pikë që la pas vetëm Finlandën me 1 pikë.
E ashpër ishte lufta edhe në grupin e gjashtë ku Bashkimi Sovjetik pati po aq pikë sa Irlanda, 7, por u kualifikua falë golaverazhit më të mirë se ajo. Turqia u rendit e treta me 6 pikë dhe Zvicra e fundit me 3.
Edhe ndeshjet e grupit të shtatë qenë të baraspeshuara. Më së fundi vendin e parë e siguruan belgët me 8 pikë që lanë pas RD Gjermane me 7, Francën me 5 dhe Islandën ne 4 pikë.
Grupi i tetë dhe i fundit u dominua nga gjermano-perëndimorët, kampionë të botës, me 9 pikë, të pasuar nga Greqia me 7, Bullgaria me 6 dhe Malta me 2 pikë.
Po Shqipëria? Ajo nuk mori pjesë. Ishte periudha kur diktatori Enver Hoxha, pas një infarkti të rëndë, kishte nisur luftën me armiq të Partisë dhe kishte zbuluar komplote… imagjinare në fusha të ekonomisë, mbrojtjes, kulturës, artit dhe kështu në këtë zallamallahi partiako-shtetërore një veprimtari e tillë sportive u quajt pa vend, ndonëse UEFA e dënoi FSHF-në me gjobë të kripur.

Filloi kështu faza e dytë e Euro ’76-ës, e cila shënoi edhe të papriturën më të madhe: mënjanimin e Bashkimit Sovjetik-kampion i Evropës më 1960, nënkampion më 1964, vendin e 4-t në Botërorin ’66, përsëri nënkampion në Euro ’68 dhe ’72, mënjanim për meritë të Çekosllovakisë që fitoi në Pragë 2-0 dhe barazoi në Moskë 2-2. (Kështu çekët hakmerreshin si dhe në veprimtari sportive sidomos në hokej, kundër rusëve që kishin pushtuar vendin e tyre më 1968).
Hollanda nuk pati aspak mëshirë ndaj fqinjes së saj, Belgjikës tek e gjunjëzoi 5-0 në shtëpinë e vet dhe u tregua “zemërgjere”, kur humbi në fushën e kundërshtarëve 1-2.
Uellsi përballoi furinë e jugosllavëve, por megjithatë, u mund 2-0 në Beograd dhe në Kardif nuk mundi veçse të barazonte 1-1.
Pasi barazoi 1-1 në takimin e parë me djemtë e Shënit, spanjollët u munden 2-0 në ndeshjen e kthimit në Gjermani.

Kështu nga 16-20 qershor u zhvillua faza përmbyllëse e këtij evropiani, e cila u hap me dyluftimin midis Çekosllovakisë dhe Hollandës. Pritej që portokallinjtë të dilnin ngadhënjimtar në këtë takim, aq më tepër kur në radhët e tyre luanin ende portieri Shrijvers, mbrojtësit Zurbir dhe Krol që kishin qenë në radhët e “Ajaksit” edhe në takimin e 20 shtatorit të vitit 1970 për Kupën e Evropës kundër ”17 Nëntorit”, e cila kishte përfunduar në barazim, 2-2. Luanin gjithashtu Repi, Neeskensi, Rensenbrinku dhe, mbi të gjithë Krojfi… Të tërë heronj të Botërorit ’72, ku kishin qenë yjet më vezullues në kostelacionin hollandez, nënkampion i botës.
Por ky kostelacion davariti në fushë një dritësim të mekur që u shua nga furia çekosllovake. Golin e parë e shënoi ceku Ondrus në 20’. Por, për ironi të fatit, ai shënoi përsëri pas disa minutash, por në…portën e vet.

Rezultati 1-1 nuk ndryshoi dhe kështu, për të përcaktuar fituesen u desh shtesa 2×15. Dhe si të dëgjoheshin në fushë motivet e Smetanës, çekët shënuan në 114’ me anë të Nehodës dhe në 119’ dënimin “kapital” 3-1 Krojfit me shokë ia dha Veseli.

Një ditë më pas, më 17 qershor u erdhi radha jugosllavëve të ndesheshin me gjermano-perëndimorët. Në Botërorin Kili ’62 kishte qenë Jugosllavia e cila kishte mënjanuar Gjermaninë në çerekfinale. Në Botërorin ’72 gjermanët kishin marrë hak duke e mundur atë në ndeshjet e fazës së dytë 2-0, por jo pa vështirësi.

U duk se nuk do të ndodhte kështu në stadiumin ”Ylli i Kuq” të Beogradit, sepse me dy të shtëna të sakta të Popivodës në 19’ dhe “të paoksidueshmit” Xhaic që e kemi cituar që në Euro ’68-ën, kur jugosllavët dukeshin tashmë finalistë, ndodhi e kundërta. Së pari Flohe në 65’ e pastaj Diter Myleri tetë minuta para mbarimit sollën barazimin 2-2. Dhe ky Myler, si të vazhdonte traditën e Gerd Mylerit, shënoi përsëri në 115’ dhe 119’ dhe ania kozmike gjermane zbarkoi në finale, ku do të gjente përballë saj Çekosllovakinë.

Gjermania-perëndimore

Gjermania perëndimore

Finalja u zhvillua më 20 qershor përsëri në stadiumin “Ylli i Kuq” të Beogradit, nën drejtimin e gjyqtarit italian Gonela.

Ashtu si në takimin me Jugosllavinë, gjermanët përsëri pësuan dy goditje të forta. Në minutën e 8-të shënoi Svehliku dhe një çerek ore më pas Dobiasi dyfishoi rezultatin. Çekët mund të kishin shënuar edhe golin e tretë, kur Masni iu shkëput gjermanit Dintz dhe gjuajti jashtë, tamam në çastin kur portieri Majer kishte humbur “pusullën”. Dhe, ja, pa kaluar dy minuta Diter Myleri shkurtoi largësinë e golave dhe në pjesën e dytë ishte Helcenbajni që barazoi. Kjo ndodhi krejt papritur, kur shi në minutën e fundit Bonhofi gjuajti nga këndi, drejt topit kërceu portieri Viktor dhe Helcenbajni që me kokë e përcolli topin në rrjetë. Një çast i diskutueshëm, por gjyqtari Gonela e pa të udhës që topi të vendosej në pikën e qendrës së fushës.

Çekosllovakia

Çekosllovakia

Koha e rregullt u mbyll kështu 2-2. Përsëri shtesë loje. Ashtu si në katër takimet e tjera të zhvilluara në stadiumet e Zagrebit dhe Beogradit, rekord i papërsëritur deri tani.

Këtë radhë, jo si në Euro ‘68 kur, pas gjysmëfinales Itali-Bashkimi Sovjetik fatin e finalistes e kishte zgjidhur… shorti, që siç e kam përshkruar, u fitua nga kapiten Faketi, këtë radhë pra, fatin e fitueses e zgjidhi seria e 11-metërshave.

Më 1970 kishte qenë gjyqtari gjerman Karl Veld, që kishte propozuar se, në rast se takimi me gjithë shtesën 2×15 minuta përfundonte në barazim, për të përcaktuar fituesen të mos hidhej më short, por të dyja skuadrat të gjuajnë në portat përkatëse nga pesë 11-metërsha deri sa njëra prej tyre të fitojë. Këtë rregull kishte miratuar së pari Federata Gjermane e Futbollit.

Dhe ja, këtë rregull vuri në jetë dhe UEFA bash në këtë mejdan. Ishte menduar që ashtu si në finalen e Euro 68-ës midis Italisë dhe Jugosllavisë, kur edhe pas shtesës 2×15 minutash rezultati kishte mbetur i barabartë 1-1, dhe kësisoj pas 48 orësh ishte luajtur ndeshja e dytë e fituar 2-0 nga italianët, edhe në këtë rast më 22 qershor të zhvillohej një ndeshje e dytë finale. Mirëpo, para fillimit të ndeshjes finale, përfaqësuesit e Federatës gjermano-perëndimore të futbollit propozuan që, në rast barazimi edhe në kohën e rregullt, të mos zhvillohej ndeshje tjetër, por menjëherë të kalohej në serinë e gjuajtjeve të 11-metërshave nga secila skuadër. Edhe përfaqësuesit e palës përkatëse çeke e pranuan propozimin gjerman, që u miratua si rregull pastaj dhe nga FIFA .

Mirëpo pikërisht ky rregull “gjerman” u bë bumerang për vetë gjermanët:
Kur rezultati ishte 4-3 për çekët, radhën për të dhënë goditjen e fundit e kishte Dintzi. Por tek pika e 11-metërshit, drejt topit u pa të vraponte Hënesi, një nga futbollistët më të mirë të skuadrës gjermano-perëndimore. Dhe gjuajti…. jashtë.

I erdhi radha çekut Panenka… Siç kujton portieri Viktor, në të tilla raste ai zakonisht gjuante në qendër të portës, ndërsa portierët hidheshin ose nga e djathta ose e majta e saj. Por këtë nuk e dinte i gjori Majer.

”Desha t’i thërras Panenkës që të mos gjuante si ngaherë,- ndërmend portieri çek,- por ai bëri të veten. Gjuajti drejt e në mesin e portës; Majeri u hodh në anën e majtë dhe topi i goditur nga sulmuesi çek me majën e këpucës, si të futur nën të si lugë, pas një flurudhe përtace preku lehtas rrjetën”.

Penalltia-e-famshme-e-Panenkas-ajo-me-luge-qe-hyri-ne-histori

Penalltia e famshme e Panenkas, ajo me luge, qe hyri ne histori

Kështu dhe Çekosllovakia, me trajner Jezhekun, e përbërë nga Viktor, Pivarnik, Ondrus, Capkovic, Ghogh, Dobias, (Veseli, 94’), Moder, Panenka, Maslik, Svehlik, Jurkenik u bë kampione e Evropës për vitin 1976.

Çekosllovakët-duke-festuar

Çekosllovakët duke festuar

Golashënuesi më i mirë ishte D. Myler,(RFGJ), 4 gola.
Xhaic, (Jugosllavi)dhe Geels,( Hollandë) nga 2 gola

Skuadra simbolike:
Viktor,(Çekosllovaki), Pivarnik,(Çekosllovaki), Ondrus,(Çekosllovaki), Bekenbauer,(RF Gjermane), Krol,(Hollandë), Bonhof,( RF Gjermane), Pollak, (Çekosllovaki), Panenka,(Çekosllovaki), Myler, (RF Gjermane), Nehoda,(Çekosllovski), Xhaic,(Jugosllavi)


----------------------------


I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...