2015-11-16

Rrëfimi tronditës i Alida Hiskut: Si jemi përdhunuar në kaush nga prokurorët dhe sigurimsat.

28-10-2015 10-50-52
Këngëtarja Alida Hisku, e cila aktualisht jeton në Gjermani, ka rrëfyer torturat e komunizmit, të cilat kanë tronditur opinionin publik për atë periudhë të vështirë për artistët dhe shumë të tjerë. Këngëtarja, që aktualisht jeton në Gjermani, rrëfeu për Shqiptarja.com se si ishte përdhunuar nga hetuesit e komunizmit.

Në pjesën e dytë të intervistës, ajo thotë se asnjë artist nuk e mbrojti kur e burgosën, madje as Dritëro Agolli, që ishte kryetar i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve nuk e mbrojti.

“Dritëroi ka qenë shumë babaxhan, por edhe ai kishte frikë. I largohej çdo bisede politike. Nuk donte të përfshihej, sepse edhe ai kishte problemet e veta. Por ai ishte babaxhan. Mos të mburret kot njeri se ka bërë trimëria. Askujt nuk ia mbante në atë kohë”, ka thënë Hisku.

Ajo thotë se ia ka dalë të ndërtojë një jetë të re në Gjermani pavarëisht vështirësive që ka kaluar.
E pyetur se ku e gjen këtë forcë, ajo thotë: “E gjej që të harroj. Kam një shtëpi tani të madhe në fshat ku punoj gjithë ditën me biznesin tim të vogël dhe vetë gjermanet më thonë se “ku e gjen këtë forcë, ti je një metër e gjysmë mbi tokë”. Kështu bëjnë humor disa nga mikeshat e mia”.
Hisku thotë se u arratis nga Qafë Thana në vitin 1990, bashkë me dy djemtë e saj, e ndarë nga burri.
“Isha maskuar si një grua e panjohur. Fshatarët më ndihmuan pa e ditur se kush isha. Isha maskuar si një grua e panjohur me shami në kokë, që kishte mbetur me dy fëmijët e donte të ikte. Unë madje mora një guxim të madh se në rrugë do të prisja në autostop për të shkuar më tej. Kaluan dy maune të mëdha eksporti dhe unë me ato ika”, ka rrëfyer këngëtarja.

Ajo thotë se shoferët tentuan ta përdhunojnë.

“Në mes të rrugës së Beogradit, deshën të më përdhunonin. I tha njëri: Ti mbaj fëmijët këtu dhe unë ta çoj këtë në maunën tjetër”. Unë u zbrita nga makina dy shoferëve të Durrësit dhe qëndrova në të ftohtë atje në rrugë me fëmijët përdore. Ata u kthyen dhe më morën. U erdhi keq… Kur mbërrita, u dhashë dyqind dollarët që u kisha premtuar për transportin dhe u thashë: Faleminderit pos mor harroni se keni shpëtuar jetën e dy fëmijëve dhe të një gruaje që quhet Alida Hisku. Ata u turpëruan se nuk më kishin njohur, ngaqë isha veshur si fshatare. Ja kështu bëjnë shqiptarët”, ka thënë më tej Hisku.

Ajo rrëfen edhe si ka njohur të shoqin gjerman, që vinte rregullisht në hotel për të pirë birrë. Edhe ai ishte i divorcuar. Hisku thotë se ia ka treguar të shoqit të gjitha peripecitë e jetës. Tani familja ka një restorant në fshat në Gjermani.

“Aty gjermanët, pasi mësojnë se kam qenë artiste në vendin tim, befasohen që jam kaq e thjeshtë atje me fshatarët gjermanë, që hanë nga duart e ‘shqiptares’”.



Tmerri i këngëtareve të bukura nga maniakët e sigurimit



Ishte vetëm 13 vjece, kur zëri i saj jehoi në Festivalin e Këngës në RTSH! Me një cilësi të rrallë zëri, e dhuntie muzikore, Alida shkëlqeu për 10 vjet me radhë! Shumë kompozitorë u dashuruan ne të kënduarit dhe në zërin e saj, dhe sikur garonin se kush do të krijojë këngë për timbrin dhe ngjyrën e zërit të saj!

Zoti ia dhuroi zërin e bukur dhe një shpirt aq të madh artistik. Pra një yll kishte lindur, një emër premtues në skenën e muzikës. Mirëpo erdhi një moment sic di ndonjëherë të sjell ironia e fatit. Një moment që ndërroi krejtësisht kahen e gjërave në karrierën e saj. Ishte kohë e rëndë, e vështirë për artin, për krijuesin me shpirt të lirë sic ishte Alida. Ishte kohë e ideologjisë totalitare, komuniste, ku të gjithë ishin të dyshimtë! Të gjithë ishin armiq potencialë të regjimit. Shkaqet dhe shkaset për akuza ishin edhe banale. Kështu ndodhi edhe me Alida Hiskun, e cila u këput si lule në vesën e mëngjesit ende pa celur mirë. Për cka, shtrohet pyetja!? Për një ditar, disa fragmente kujtimesh e përjetimesh, të një adoleshenteje, mjaftuan për ta shpallur armik të regjimit!

Por vlerat që janë vlera, nuk zhduken. Këtë po e provon edhe Alida Hisku.

Këto ditë Alida Hisku ka bërë përpjekje titanike për të dalë sa më mirë para publikut të saj që aq shumë e deshi. Alida iu rikthye këngës. Sot s’ka kush e ndalon! Ajo, me interpretimin karakteristik, pasqyron shpirtin, fisnikërinë, madje edhe karakterin e shqiptarit.Ajo sot po e realizon ëndërrën e lënë përgjysmë!

Pikërisht kjo ringjallje artistike e Alides, perkatësisht Albumi “Kthimi” ishte shkas që, ne, të zhvillonim një intervistë me të.

Blue Sky: Alida, për arësye që tashmë dihen, ju për shumë vjet nuk patët mundësi të ushtroni vokacionin tuaj të zgjedhur. Megjithatë që nga viti 90 ju keni mundur ta bëni këtë por nuk e bëtë! Pse ke heshtur deri tani?

Alida Hisku: Heshtja nuk ka qenë rezultat i dëshirave të mia, që të mos aktivizohesha më, por si rrjedhojë e një dënimi, nga ana e qeverisë, muzikës sime prej 10 vjetësh. Kështu mora rrugën e gyrbetit, si shumë artistë të tjerë shqiptarë, dhe mu deshën, afërsisht, 16 vjet që unë të ngrihesha në këmbë në këtë vend të ri, vend të huaj, i cili më solli shumë vështirësi për të jetuar. Mos harroni, mora rrugën e gurbetit, e vetmuar, në një kohë që burri më ndau dhe shoqëria tërhiqeshin të tërë d.m.th e vetmuar me dy foshnje mora rrugët e gurbetit dhe mund ta imagjinoni, një grua që nuk njeh gjuhën, nuk njeh vendin, që ajo të ngritet përsëri në këmbë.

Blue Sky: Cfarë keni bërë gjatë këtyre viteve larg Shqipërisë?

Alida Hisku: Jam munduar, s’pari, të kryej funksionin e nënës d.m.th të rris dy fëmijë, dy djem, me vyrtytet e një shqiptari të denjë, duke mos marrë rrugët e panjohura të gurbetit dhe duke i mbajtur pranë. Jam munduar të punoj me djersën e ballit, punë të rëndomta, punë të pakualifikuara. Jam munduar që gjatë kësaj kohe ta harroj se kush kam qenë dhe kush jam por t’i vë vetes detyrën e rritjes së denjë të fëmijëve dhe për të qenë një nënë e mirë për ta. Pra kam punuar nga mëngjesi deri në darkë, cdo lloj pune, për të siguruar bukën e gojës.

Blue Sky: E patët të vështirë të riktheheni dhe kujt ia dedikoni këtë rikthim?

Alida Hisku: Rikthimi erdhi si pasojë e shpërthimit të ndjenjave për muzikën. Muzikën e kam në gjak. Rrjedh nga një familje artistësh. Prindërit më kanë kënduar në Teatrin e Operas dhe të Baletit. Gjithashtu motra dhe vëllai janë akoma debutues të muzikës shqiptare. Duke u lehtësuar një cikë situata, fëmijët u rrittën dhe unë pash një cikë dritë që të shikoj edhe në shpirtin tim kaq thellë për muzikën shqiptare! I dhash vetes si detyrë, duke u mbështetur edhe nga nxitjet e familjes së burrit dhe të dy djemve, që përsëri të kthehesha në skenë sepse dalëngadalë po humbja vetveten. Po harronja veten se kush isha dhe kush jam! Dhe kjo harresë më bëri që unë të mendoja që t’i kthehesha përsëri publikut dhe tifozëve të mi të muzikës shqiptare, për ti dhënë atë kënaqësi që dikur ua kasha dhënë.

Blue Sky: Pra krejt befasisht ndodhi mrekullia dhe ju iu rikthyet publikut me disa këngë të përmbledhura në një CD! Sa kohë u desh deri te realizimi I këtij projekti?

Alida Hisku: Ka qenë distanca që më pengonte! Unë duhej të isha pranë familjes, pranë fëmijëve, pranë punës. Albumi ka 12 këngë të reja dhe më ka zgjatur më shumë se një vjet punë intenzive.

Blue Sky: E gjithë puna rreth albumit është kryer në Francë. Madje, është punuar me një ekip të rinjsh, pse? Pse jo në Tiranë?

Alida Hisku: Ishte një rastësi! Në Francë, e ftuar në një festë shqiptare, takova një djalë të talentuar, edhe ai shqiptar, me banim në Francë. Dhe po aty lindi mundësia dhe ideja që unë të bashkëpunoja me të, për të zbatuar, krijuar, këtë projekt, që prej vitesh më mundonte si një brengë derisa unë të dilja dhe të debutoja. Për mua është më afër të shkoj në Francë se sa në Tiranë, është edhe punë kostoje, sigurisht. Shpenzimet janë më të mëdha nëse unë do të shkoja në Shqipëri.

Blue Sky: Albumi juaj ka një titull simbolik “Kthimi”, sipas këngës me të njejtin titull. Ky tekst është shkruar enkas për këtë album apo ka qenë e rastit?

Alida Hisku: “Kthimi”, dhe të gjitha këngët e këtij albumi kanë një larmi dhe kanë një subjekt që identifikon albumin. Albumi rrëfen atë vazhdimësinë e jetës sime që nga shkëputja prej 24 vjetëve. Ky album do të ngjesë, tamam si një ngjitës , si një saldim, një hekur që kur është këputur. Këtë tekst të këngës “Kthimi”, me të cilin edhe hapet albumi, e kam shkruar vet dhe është pasqyrimi i këtij 24 vjetshi që kam jetuar në megrim.

Blue Sky: A janë të gjitha këngët të reja apo ka edhe ndonjë nga ato të viteve 70-80?

Alida Hisku: Jo, këngët janë krijim i ri! Komplet krijim i ri, i muzikës shqiptare! I premtoj publikut se do t’i futem punës që t’i rifreskoj edhe një herë këngët me albumet e tjera , këngët e mia të repertorit të viteve 70-80 ( janë më shumë se 60-70)! Janë mbi 10 vjet aktivitet në festivale të ndryshme të Shqipërisë dhe të Ballkanit!

Blue Sky: E vecanta tjetër e albumit, dhe e rikthimit tuaj, është se ktheheni bashkë me djalin tuaj, Albinin! A do të thotë kjo se do të kemi më shumë duete nga ju të dy?

Alida Hisku: Sigurisht, sigurisht! Qëllimi im , sikur edhe i cdo nëne, është që fëmijës t’i transmetojë atë traditën shiptare, jo vetëm traditën e bukur shqiptare, zakonet tona, por edhe atë traditë, atë talent që prinërit kanë. Është kënaqësi e vecantë kur fëmijët trashëgojnë talentin e prindërve. Unë i kam ndjekur dhe kam zbuluar se, të dy fëmijët e mi, kanë talent, mendoj unë, dhe këtë talent duhet që edhe djali im ta zhvillojë në rrugën e artit, sidomos artit shqiptar. Djalin e futa një herë në albumin tim sa për ta shoqëruar në hapat e parë të muzikës dhe pastaj ai të vazhdojë karrierën e vet. Unë shpresoj dhe besoj që ne të dy bashkë të takohemi në skenat e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Blue Sky: Sa jeni e kënaqur me realizimin e këtij albumi të parë? Cilën nga këngët do të veconit?

Alida Hisku: E kënaqur nuk jam plotësisht sepse mendoj që kënaqësia dhe bilanci bëhet në fund dhe unë jam akoma në fillim të atij plani, të atij vrulli, të asaj dëshire të madhe, që kam për të kënduar. Tani jam 50 vjec, 24 vjec isha kur më hoqën! Janë 24 vjet që unë i kam munguar publikut tim dhe popullit tim. Pra e kënaqur nuk jam se po të isha e kënaqur do të më prishte hovin për të vazhduar. Kështu që pakënaqësia vazhdon për të mirën e punës dhe unë do të vazhdoj akoma më tej në krijimtarinë time deri sa të vdes. Unë kam lindur në skenë dhe dua përsëri atje të vdes!

Blue Sky: Cili është mesazhi i këtij albumi?

Alida Hisku: Mesazhi i këtij albumi është që t’i fitoj edhe një herë zemrat e popullit shqiptar, t’u trgoj atyre që shqiptari, edhe vuajtjet, edhe vitet edhe stuhitë që kaloi, nuk vdes në qoftë se e mban të pastër në shpirt traditën e tij, talentin e tij, dhe qëllimin e tij për cka ai jeton, për cka ai lufton! Këto mesazhe ia përcjell të gjithë shqiptarëve kudo që janë me gjithë vështirësitë e jetës që kanë, mos ta japin veten, mos ta humbin veten , mos t’i humbin shpresat në vetvete dhe te populli dhe në qëllimet e tyre.

Blue Sky: A mund të na thuash një biografi të shkurtër artistike. Dicka më të vecantë?

Alida Hisku: Kam lindur në Tiranë. Kam filluar të këndoj në festivalet e pionierëve në Tiranë, në festivalet e të rinjve dhe në shumë festivale të tjera në Shqipëri edhe jasht saj. Kam marrë pjesë në 10 festivale kombëtare të RTSH-së. Gjithashtu kam marrë pjesë në shumë turne me Televizionin e Prishtinës dhe i falënderoj shumë të gjithë miqtë atje, Nexhmije Pagarushën dhe të gjithë të tjerët me të cilën kemi bërë shumë turne organizuar nga Radio Televizioni i Tiranës me RTP-në. Kam kaluar një kohë shumë të bukur në vitet 1979, 1980-81, në Prishtinë, Gjakovë dhe kudo në Kosovë.

Blue Sky: “Vajzat e fshatit tim” kompozuar nga Enver Shëngjergji, një sukses i papërsëritshëm, do të thosha, edhe nga kjo distancë kohore e kujtojmë dhe na sillet ne kokë!

Alida Hisku: Me të vërtetë ka qenë një këngë që bëri jehonë. Ka qenë një këngë që më tregoi emrin, më ngriti në piedestalin më të lartë. Ishte një këngë e thjeshtë, një këngë e popullit, një këngë që e këndonte i madh e i vogël. Pikërisht ajo thjeshësia ishte sekreti i cdo gjëje e edhe I kësaj kënge. Edhe këndimi im ka qenë shumë i thjeshtë sepse atë kohë isha vetëm 16 vjece! Me këtë këngë edhe fitova një cmim të artë. Kjo ishte për mua e pabesueshme ngase isha ndërmjet shumë e shumë këngëtarëve të tjerë që ishin profesionistë, që ishin të talentuar, që ishin me përvojë si: Gaqo Cako, Vace Zela, Ema Qazimi… Ishin këngëtarë të jë epoke dhe unë të konkurroja me ta, të kontribuoja me ta ishte një gjë e jashtëzakonshme dhe për këtë edhe mbetet, pas 30 e sa vjetëve, akoma në gojën e brezit të ri, përsëri e freskët, si dikur, sepse ka dalë nga populli! Është një këngë e bazuar në tabanin popullor, në motivet popullore.

Blue Sky: Në kulmin e karrierës erdhi dënimi. Erdhi pa e menduar fare. U fol asokohe se Alida kishte një ditar. Cfarë kishte të diskutueshme në atë ditar?

Alida Hisku: Isha 24 vjece. Sapo kisha kryer shkollën politike, universitetin politik, duhej të bënim një stazh një mujor në fshat . Që në moshën 10 vjece kam mbajtur ditar, për të fshehtat e mia, si shumë vajza të asaj moshe. Nuk ia besoja askujt mendimet e mia, dëshirat e mia! Kështu që kisha një ditar. Atë ditar e merrja kudo me vete, e kisha si një shok që më shoqëronte kudo në jetë. Kështu, atë muaj që shkuam në praktikë, ishim disa shoqe të kursit dhe, një natë kur unë po jepja një koncert në një kooperativë të fshatit ishin mbledhur të rinjtë dhe po këndonim, ato shoqet e mia në valixhen time morën ditarin dhe e shfletuan! Sigurisht, nuk kuptuan atë qëllimin tim cfarë unë në ditarin tim shkruaja, sepse unë nuk i shkruaja gjërat hapur kundër qeverisë por ishin disa fjalë, iniciale, sekretet e mia e që ato i interpretuan ashtu sic donin! Me një qëllim keqbërës e quan në Komitet të Partisë duke e interpretuar atë si një akt armiqësor propagande! Dhe kështu si një rrufe e shpejtë më groposi menjëherë në tokë. Janë gjëra të papërshkrueshme! I ndjen dhe i kupton vetëm ai që ka provuar, situatën time në atë kohë.

Blue Sky: Cfarë denimi pasoi?

Alida Hisku: Dënimi, që m’u dha atë kohë, ishte: të gjitha aktivitetet e mia artistike u pezulluan! U përjashtova nga Partia, nga Komiteti Qëndror i Rinisë! U përjashtova edhe nga puna, se atë kohë punoja në shtypshkronjën Mihal Duri, pra m’ u hoqën të gjitha funksionet. M’u hoq e drejta e të kënduarit dhe m’u hoq e drejta e filmave televizivë d.m.th. u izolova komplet nga aktiviteti dhe nga jeta! Më urdhëruan të mos largohesha nga qyteti dhe cdo javë të paraqitesha në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Blue Sky: Cfarë do të bëje ndryshe nga c’keni bërë po të kthehej koha?

Alida Hisku: Nuk e kam menduar kurrë se cfarë do të mund të bëja! Do të vazhdoja muzikën, sigurisht, dhe do të vazhdoja të punoja! Muzika ishte dhe mbetet shpirti dhe jeta ime.

Blue Sky: A mbani edhe më tutje ditar?

Alida Hisku: Jo nuk mbaj më! Më ka zënë frika , jo frika po si themi ne shqiptarët kur të djeg qulli i fryen edhe kosit. Kështu që unë nga ajo frikë nga ai tmerr nuk mund të shikoj më ditar! Nuk mund ta dëgjoj fjalën ditar se më rrënqethet mishi. M’u vra rinia , m’u vra jeta, m’u vra familja, m’u vra karriera , m’u vra shpirti nga ky ditar që unë mendoja se do të ishte shpirti im, shoku im por nuk di jo nuk kam ndërmend të mbaj ditar më.

Blue Sky: Ekspertët e muzikës thonë se ju shquheni për interpretimin e këngës popullore dhe asaj të lehtë. Ku mund ta shpalosni potencën e zërit më mirë?

Alida Hisku: Në të dyja! Nuk bëj dot dallim, nuk bëj dot ndarje. Nuk bëhet ndarje në muzikë. Nëqoftëse ke talent, në qoftë se ke shpirtin për muzikë nuk ka ndarje. Të gjitha llojet e këngëve, popullore dhe ajo e lehtë, janë të gjitha në një tepsi. I këndoj të dyja me gjithë shpirt, me dëshirë, me gjithë forcën e zërit. Megjithatë, jam shquar në aktivitetet e mia si këngëtare e muzikës së lehtë dhe e muzikës popullore të modrenizuar ose të përpunuar.

Blue Sky: Cka do të veconit dicka më karakteristike nga pjesmarrja në Festivalet e RTSH-së

Alida Hisku: Ne, këngëtarët, dikur e vlerësonim më shumë këngën, e vlerësonim më shumë aktivitetin! I jepnim rëndësi më të madhe! Ishim shumë të lidhur, ne këngëtarët, njëri me tjetrin! Na vëllazëronin idetë e përbashkëta, që sot, me keqardhje them nuk i gjenë më në festivale! Intereset e festivaleve sikur janë zbehur! Këngët sikur nuk këndohen me atë forcën, me atë shpirtin me atë ndjenjën e dikurshme! Mendoj që ato festivale janë të pakrahasueshme dhe të pa arritshme sot e kësaj dite.

Blue Sky: Cila do të jetë befasia e radhës? Mrekullia e radhës?

Alida Hisku: Mrekullia e radhës, një sekret që mund t’ua them juve në Radio Kosovë, është se unë, këtë vit, do të shkoj dhe do të paraqitem në Festivalin e RTSH-së, por jo si konkurrent por do të shkoj e do të përshëndes Festivalin! Kam shfacur dëshirën për të bërë këtë, në Tiranë, dhe e dyta, unë do të përfaqësohem edhe në Prishtinë, atje do te bëj promovimin e albumin tim.

Blue Sky: Cmimet dhe kritika pozitive janë ato që përkëdhelin egon e secilit. Ishte kështu edhe për ju?

Alida Hisku: Ndërmjet ne këngëtarëve ka qenë një ego paksa e mbuluar dhe jo kaq e hapur sic është tash. Sot është një luftë shumë e madhe e kolegëve ndërmjet tyre! Dikur nuk e kemi pasur shumë sepse atëherë muzika bëhej për qejf . Muzika dikur nuk ka qenë mjet biznesi, mjet pazaresh, mjet lekësh! Dikur kemi kënduar për të kënaqur popullin, për të kënaqur vetveten, pa asnjë lloj qëllimi tjetër! Kurse sot është biznes është tjetër gjë.

Blue Sky: Ku është Kosova në planet tuaja?

Alida Hisku: Ju premtoj që pranvera që vjen do të më gjejë në Kosovë. Koncertin e parë do ta jap aty dhe pastaj do të kaloj në Shqipëri dhe vende të tjera sepse ndihem si borxhlije që Kosovës nuk i kam dhënë aq shumë koncerte sic i kam dhënë Shqipërisë. Por, këtë do ta realizoj në planin e ardhshëm, direkt në Prishtinë, koncertin e parë , në fillim të pranverës, pra vitin e ardhshëm!

Blue Sky: Mbani ndonjë korrespodencë me këngëtarët kosovarë?

Alida Hisku: Jo! Dhe më vjen shumë keq! Për këtë qëllim unë do të kthehem në Kosovë. Dua të takoj Shpresa Gashin dhe të gjithë këngëtarët e brezit tim, shoqërisht t’i takoj dhe të lidh marrëdhënie të reja dhe kështu të shtyejmë gjysmën tjetër të jetës që na ka mbetur.

Blue Sky: Skena jonë muzikore, mendoj unë, është kaotike. Ndikime shumë nga gjuhët e huaja dhe melosi I huaj, këndojnë ata që kanë para po jo zë etj. Cka duhet të bëjmë, sipas mendimit tuaj, që të përmirësohet dicka?

Alida Hisku: Nëse muzika është një mjet biznesi nuk kemi cfarë t'i bëjmë! Do të mundohemi që gjithkush të ruajë traditën shqiptare, tabanin kombëtar të muzikës sonë, atë ta ruajmë! Dhe, në qoftë se ne atë e ruajmë dhe në qoftëse cdo njëri nga ne artistët ta ketë parasyshë që mos t'i largohet tabanit dhe të mos ketë influenca të muzikës së huaj atëherë këmi arritur atë që duam!

Blue Sky: Mësuam se ju keni qenë shumë aktive gjatë luftës në Kosovë, duke ndihmuar ata që kishin nevojë! Na kujto dicka nga ato ditë?

Alida Hisku: Në vitin ’99, një situatë normale këtu në Gjermani, ku unë jetoj, por jo në Kosovë! E ndjeva ashtu si gjithë populli shqiptar se duhet të bëja dicka për vëllezërit dhe motrat e mia! Më dhimbte zemra kur shikoja që ata morën rrugën e mërgimit nga lufta! Dhe, natyrisht unë nuk mund të rrija e qetë si motër shqiptare. Organizova me burrin tim 65 tonë ndihma për vëllezërit dhe motrat që jetonin në Maqedoni dhe Shqipëri. Bashkë me burrin, me ndihmën e shumë miqve gjermanë, mjekëve gjermanë, morëm ndihma dhe u nisëm drejt Shqipërisë me 5 avionë ushtarakë. Mbaj mend që pas shumë peripecive arritëm në Kukës ku shpërndamë të gjitha ndihmat. Poashtu edhe në Shkup e Tiranë në të gjitha pikat ku ishin të vendosur kosovarët. Dhe jam krenare që kam ndihmuar popullin tim në ditët e vështira që ai pati.

Blue Sky: Alida falemnderit për kohën që ndave për dëgjuesit tanë!

Alida Hisku: Falëmnderit juve, ishte kënaqësi!

Rikthimin e Alidës e kanë përshëndetur edhe kolegët e saj në prishtinë. Ndër ta vecuam Nexhmije Pagarushën dhe Shpresa Gashin.

Nexhmije pagarusha: Alida Hisku është një zë karakteristik, një interpretuese shumë e mirë! Interpreton me një ngrohtësi të vecantë që secili që e dëgjon i flen në shpirt. Kam dëgjuar se ka filluar përsëri të këndojë prandaj dhe i dëshiroj fat dhe suksese. Uroj të na kënaq edhe më tutje me këngët e saj, me interpretimin e saj të ngrohtë dhe me muzikalitet të vecantë sic di ajo. I dëshiroj sukses!

Shpresa Gashi: Më kënaq fakti se Alida qenka rikthyer, me po atë freski zëri dhe me një pjekuri interpretimi! Është e nevojshme që rinia jonë të dëgjojë timbrikën e këngës së lehtë, të asaj kohe, njëkohësisht t’i njohë edhe vlerat e këngës tradicionale.


2.



alida-histku

Alida Hisku preferon ta rrëfejë në vetë të tretë pjesën më dramatike të historisë së saj, duke lënë të kuptohen arsyet e qenësishme të një sjellje të tillë. Në rastet e tjera është mjaftuar me një retrospektivë të përgjithshme të persekutimit absurd, pa u futur në detajet e përjetimeve nga dit-netët e qelisë. E bindur se ndjeshmëria sensitive e bashkëvuajtsve mund t’i fsheh përfundimisht gjurmët e këtij krimi monsturioz, këngëtarja e famshme e viteve ‘70 zbulon për herë të parë një pjesë të skenave rrënqethëse, duke adresuar dhe një apel për viktimat e tyre. “Kërkojmë të hapen arkivat, por ngurojmë të hapim gojën”, shton ajo duke ju referuar grave dhe vajzave të dënuara, që vazhdojnë të heshtin për inkuizitorët e tyre.


Po çfarë sjellë tjetër Alida Hisku nga skëterra e qelive të diktaturës… Sa kohë zgjatën hetimet në qelitë e Brakës dhe çfarë u provua nga akuza si pjesëtare e grupit armiqësor të Mehmet Shehut?

Akuza fund e krye ishte një marrëzi, por hetuesit e kishin të pamundur të tërhiqeshin. Çfarë nuk përdorën për të zyrtarizuar legjendën e sajuar. Nuk mbaj mend sa dit-netë vazhduan me këtë avaz, sepse gjatë përballjes me ta, në një moment humba arsyen, logjikën dhe nuk e di si rrodhën gjërat më tej. Kur jam kthjelluar e kam parë veten në spital, në një dhomë të mbyllur me hekura dhe dryn, gati e njëjtë me qelinë e Brakës. Nuk e di sa kohë kisha aty dhe në çfarë rrethanash më kishin çuar. Ajo që konstatova ishin gjurmët e injeksioneve të shumta, një pjesë e të cilave ishin nxirë e mavijosur…

E gjithë kjo për ditarin e famshëm

Në fakt, gjatë hetimeve në birucat e Brakës nuk e zunë në gojë historinë e ditarit. E gjithë alibia aty përmblidhej tek përfshirja në rrjetin agjenturor të Fiqirete Shehut. Ditarin, me sa dukej, e kishin kaluar për ta shqyrtuar në linjë partie. Më thirrën e penalizuan për të në komitetin e Partisë së Rajonit Numër Tre. Nga deshifrimi i shënimeve të hedhura aty, konkludohej për demonstrim të hapur të frymës antiparti nga pozita reaksionare mikroborgjeze. Kjo më kushtoi flakjen nga radhët e partisë, çka nënkuptonte pushkatim politik, që niste me dorëzimin e teserës së anëtarësisë dhe persekutimin pambarim në punë, lagje, shoqëri etj.

Në hetuesi nuk u morën me historinë e ditarit që u kishin rrëmbyer fshehurazi në Konispol

Çështja për të cilën ngulmonin aty ishte shumë më e rëndësishme nga përmbajtja e shënimeve të ditarit. Që në seancën e parë, në qelitë e Brakës, hetuesit me akuzuan për përfshirje të drejtpërdrejt në veprimtari armiqësore. Ata vinin si përbindësha, përsërisnin të njëjtin refren dhe iknin duke marrë në nënsqetull dosjet e zverdhura. Futeshin dhe dilnin disa herë gjatë ditës, por edhe natën. I kam në sy fytyrat e tyre dhe më shfaqen si atëherë, të egër, brutalë, të poshtër. Të poshtër te Zoti…

Çfarë kujtoni nga ballafaqimi me ta në qelitë e Brakës?


Në fakt, hetuesit me të cilët u përballa në seancat e hetimeve në qelitë e Brakës ishin dy. Njëri, me sa kuptoja, ishte zyrtar i rajonit ku më kishin izoluar dhe në një farë kuptimi e shtynte procesin si me përtesë. Me të nuk isha takuar kurrë. Tjetri, që shfaqej si i tërbuar, ishte i Policisë Sekrete dhe vinte aty vetëm për çështjen time. Kisha pasur me të dikur një histori të pakëndshme. Më kishte ndaluar disa herë në rrugë e më kishte ftuar për kafe. Pas çdo refuzimi, provoja reagimin e tij në formë presioni, duke më kujtuar faktin që ishte oficer i sigurimit. Ndodhi, që kur ia kisha harruar fytyrën prej kohësh, m’u shfaq papritur në qelitë e Brakës. Mu errën sytë kur e pashë. Më uroi fillimisht me cinizëm “mirëseardhjen” me një “Hë zogu, po tani?” dhe vazhdoi me akuzat për tradhti, rrjet agjenturor, grupazh armiqësor etj. Unë e di ç’kam hequr prej tij. E vetme, e drobitur, në një qeli të errët…

Pra, me njërin nga hetuesit kishit pasur më herët një lloj marrëdhënie

Një farë njohje në kushte të padëshiruara, desha të them. Një tip i tillë ishte i njohur pak a shumë edhe nga shoqet e tjera. Ishte një kategori manjakësh nga radhët e sigurimit asokohe që gjurmonin këngëtaret e bukura, duke bërë të pamundurën për t’i shtirë në dorë. Në fakt, me mënyrën si paraqiteshin duke nxjerrë në pah misterin e detyrës, prodhonin jo pak tundim tek to. Të paktën unë, nga aq sa më kanë treguar koleget, di jo pak marrëzira të kësaj natyre. Në mjaft raste, këto soj mostrash merrnin përgjigjen e merituar flakë për flakë, por jo gjithmonë gjuetia e tyre shkonte bosh. Skifterët me kobure e kollare, siç i quanim atëherë, ishin mjeshtër të artit të shantazhit dhe nëpërmjet tij gjunjëzonin viktimat e tyre, duke u vënë në dukje pikat e dobëta dhe kleçkat në biografi. Pastaj, nëna ime…

Kaq e fshehtë ishte një dramë e tillë


Ata shfaqeshin hapur, por me marifete nga më të ndryshmet. Fillimisht me një ftesë për kafe, për të sqaruar ca rrethana delikate, pastaj direkt te oferta bastarde. Më kujtohet mirë sidomos prania e tyre në ditët e festivaleve në TVSH. Asokohe ato ishin eventet kulturore më të rëndësishme dhe njëherazi shërbenin edhe si sfilata bukurie. Për skifterët me kobure, që nuk i lidhte gjë me muzikën, kjo ishte pjesa më e lakmueshme. Harbimi nga privilegjet pa kufi të garantuara nga regjimi, u jepte guximin e çmendur për të pretenduar një lloj pronësie mbi çdo qenie të bukur. Një histori perverse kjo e asaj kohe të zymtë, që njihet pak në mjedisin shqiptar…

Sidoqoftë, ju keni një histori personale me njërin prej tyre

Ata nuk të shqiteshin kur të vinin në shënjestër. Pak a shumë kështu ndodhi dhe në rastin tim. Shfaqja pasmesnate e atij njeriu të shpifur në birucat e Brakës, kur nuk e dija pse ndodhesha aty, më la të kuptoja se arsyet nuk ishin politike. Në fakt, asnjëherë nuk e mora vesh në ishte rastësi apo pjesë e një operacioni të organizuar prej tij. Përballja me të këtë radhë nuk bënte fjalë për oferta kafesh, apo për biseda intime…

Me një fjalë ai nuk ishte thjesht hetuesi i procesit, por autori i legjendës, protagonisti i kurthit

Për mua kjo ka qenë e padiskutueshme qysh atëherë. Ca më tepër që ky lloj hetuesi-pervers nuk e fshehu asnjë moment qëllimin monstruoz. Kam pritur prej vitesh që kjo çështje të zbardhet në rrugë zyrtare, por me sa shikoj as ka njeri ndërmend të merret me të. Ca më tepër që historia ime nuk është e vetme e këtij lloji…

Pra, në rastin e arrestimit tuaj, arsyet nuk ishin të mirëfillta politike

Mua më penalizuan fill pas arrestimit të Fiqirete Shehut. Ato pak lidhje që kisha me drejtoreshën e shkollës së Partisë, “gjahtarët” e pashpirt i shfrytëzuan si një oportuniteti fatlum për të më futur në kafaz. Aty pastaj duart e tyre ishin të lira për gjithçka…

Që do të thotë?

Drama që kanë përjetuar vajzat dhe gratë shqiptare në qelitë e burgjeve ka qenë nga më të tmerrshmet. Mjaft syresh, për të marrë një leje-largimi nga fshatrat e thella ku ishin internuar për të shkuar në qytet te mjeku, duhej ti nënshtroheshin epsheve të të plotfuqishmit të zonës. Një shëmti e tillë ndodhte po kështu në burgun e grave, ku gardianët horra kalonin orët e shërbimit duke bërë seks të detyruar me të dënuarat e pambrojtura. Të gjorat gra, të ndodhura në një izolim të plotë bëheshin pre e instikteve kafshërore të zyrtarëve hamshor. Me një profil më çnjerëzor shfaqej kjo dramë në birucat e prokurorisë, ku oficerët e Policisë Sekrete përdhunonin vajzat e arrestuara.

Si në rastin e birucave të Brakës?

Diçka bastarde, e paperceptueshme nga arsyeja njerëzore. Hetues përbindësha që vizitojnë pas mesnate qelitë e vajzave të arrestuara. Përballje tronditëse, e frikshme që nis me fyerje e grushte për një vepër penale të pakryer dhe vazhdon me një batanije kokës. Pastaj hienat e natës vërsulen si ujku mbi prenë e tyre të mbuluar. Klithmat rrënqethëse mbyten po aty. Betoni i ftohtë i birucës nuk lë të depërtojë asgjë jashtë. Prej aty mund të dalin vetëm hamshorët. Kuptohet, pasi mbaronin punë…

Ç’ndodhte më tej me viktimat e tyre?

Për ato që rebeloheshin dhe protestonin kishte injeksione e gjilpëra për gjumë, por për të errësuar edhe memorien. Më tej kishte dhe psikiatri…

Me sa dimë, disa kohë keni qenë edhe ju paciente në psikiatri

E shpjegova pak më lart se ende nuk e di si kam përfunduar aty. Mbaj mend gjilpërat e shumta që kam bërë te birucat e Brakës. Emërtimin e tyre as sot nuk e di. Ato m’i injektonin me forcë për të harruar ato çka duhej të harroja. Me vetëdijen time me vonë kam përdorur shumë kokrra qetësuese të llojeve të ndryshme, deri tek morfinat, të cilat i siguroja nëpërmjet miqve të mi besnikë, që punonin në spital. Qysh atëherë kam marrë shume medikamente qetësuese dhe jam shtuar në spitalin nervologjik disa herë. Kështu ma shkatërruan jetën, rininë, familjen, shpirtin…

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...