Prishtinë, 18 nëntor – Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, gjatë periudhës dyvjeçare të qeverisjes, i ka realizuar premtimet e dhëna gjatë fushatës parazgjedhore në masën 38 për qind, derisa për t’i realizuar në dy vjetët në vazhdim i mbeten edhe 62 për qind.
Ahmeti i ka dhënë gjatë fushatës zgjedhore 36 premtime. Shifrat me përqindje të realizimit të premtimeve të dhëna nga kryetarit i Prishtinës Ahmeti dhe të premtimeve të kryetarëve të komunave të tjera të Kosovës, i ka nxjerrë nëpërmjet një analize Instituti GAP.
Këtë institut e drejton Agron Demi, kurse deri në fitimin e pushteti në kryeqytet është udhëhequr nga kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Zonja e parë e Prishtinës - bashkëshortja e Ahmetit vazhdon të punojë në të njëjtën organizatë.
Përfaqësuesi i këtij instituti, Bekim Salihu, ka thënë se nga 36 premtimet, që GAP i ka identifikuar dhe i ka monitoruar, Shpend Ahmeti ka pasur sukses në realizimin e premtimeve që kanë të bëjnë me ndryshimin e politikave, apo në mënyrën e qeverisjes. “Kurse ka ngecje në premtimet që kanë të bëjnë me buxhet dhe me projekte të infrastrukturës” ka thënë ai.
Sipas Saliuht, 38-përqindëshi llogaritet vetëm tek realizimi qind për qind i premtimeve të dhëna.
Si premtime të realizuara qind për qind, qeverisjes së Ahmeti i janë adresuar depolitizimi i sistemit arsimor, duke përzgjedhur drejtorët e shkollave me participim të komunitetit; shujtën ushqimore falas’ aktivizimin e praktikës së garave sportive në shkolla; inventarizimin e shkollave për vendosjen e librave të nxënësve me qëllim të largimit të çantave të rënda; hapjen e prokurimit dhe bërjen transparente të procesit të prokurimit; ofrimin e certifikatave online; përzgjedhjen e stafit gjatë pranimit në punë në komunë në bazë të kodit dhe jo emrit; shtrirjen e decentralizimit administrativ brenda Prishtinës; shfrytëzimin e transportit publik për shkuarje –ardhje nga puna si kryetar komune; tregun në qendër të Prishtinës ku do të ekspozohen dhe shiten vetëm produktet vendore; ndalimin e ndërtimeve pa leje; zgjerimin e rrugëve me sistem të ndriçimit publik; transportin falas për pensionistët dhe heqjen e taksave administrative (vërtetimin e pronës) për rastet sociale.
Në masën 50 për qind e tutje, sipas GAP-it, Ahmeti i ka realizuar: në secilën çerdhe/shkollë do të ketë psikolog, themelimin e kompanisë ‘Parking Prishtina” - 76 për qind); lirimin e trotuareve nga veturat -70 për qind; zonimin e qytetit për parkingje - 65 për qind; ngritjen e vendkalimeve për këmbësorë me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion - 70 për qind; formimi i Drejtorisë së Bujqësisë - 70 për qind; regjistrimin dhe evidentimin e pronës komunale - 50 për qind; ofrimin i qasjes online të tatimit në pronë - 70 për qind; shitjen e veturës “Audi Q7” e cila është pronë e komunës së Prishtinës - 50 për qind dhe investime në “Trafikun Urban”: vendosjen e GPS në secilin autobus, hartimin e hartës se lëvizjes se autobusëve në linjat urbane sipas rrugëve të qarkullimit dhe orarit të lëvizjes - 60 për qind.
Nën masën 50 për qind i ka realizuar premtimet, si: çerdhe në çdo zonë të kryeqytetit - 37 për qind; hapje të bibliotekave të reja në Prishtinë - 1 për qind; çdo shkollë do të ketë ambulancën ose dhomën e ndihmës së parë - 40 për qind; Në të gjitha ndërtesat do të vendosen shkallët për dalje emergjente - 20 për qind; legalizimi i ndërtimeve të deritanishme – 46 për qind; rrënimi i objektit të ndërtuar pa leje afër selisë së PDK-së - 5 për qind; Prishtina qytet ku do të ketë 24 orë ujë të pijshëm - 45 për qind; terrene të përshtatshme sportive për të rinjtë - 20 për qind; restaurimi dhe promovimi i objekteve të trashëgimisë kulturore, historike dhe arkeologjike - 6 për qind.
Me zero realizim është vlerësuar lirimi nga pagesa e ujit, deri në 18 mijë litra gjatë një muaji, për familjet nën asistencë sociale. Në këtë kuadër hyn edhe lirimi nga mbeturinat, i së njëjtës kategori.
Kryetarët e tjerë të qendrave rajonale, ndërkaq, sipas analizës së institutit GAP i kanë realizuar premtimet e dhëna: Mimoza Kusari-Lila, e cila pushtetin në Gjakovë e ka fituar në kuadër të partisë së Behgjet Pacollit, AKR, llogaritet t’i ketë realizuar premtimet 2 për qind më shumë se Ahmeti. Ajo ka realizuar 40 për qind të premtimeve. Agim Bahtiri i Mitrovicës, që e ka fituar pushtetin nga e njëjta parti, i ka realizuar 35 për qind të premtimeve të dhëna.
Muharrem Sfarqa në Ferizaj - 23 për qind; Lutfi Haziri në Gjilan - 31 për qind Ramadan Muja në Prizren - 27 për qind; Gazmend Muhaxhiri nga Peja, 33 për qind.
Sami Lushtaku, si kryetar i Skenderajt, i cili më shumë ka qëndruar në gjykime nga marrja e mandatit llogaritet t’i ketë realizuar premtimet - 31 për qind. Refki Suma, i vetmi kryetar i zgjedhur si i pavarur nga subjektet politike i ka realizuar 40 për qind të premtimeve të dhëna gjatë fushatës.
Ragip Begaj në Malishevë, i cili vjen nga një parti e vogël, pak më e madhe se AKR-ja, i ka realizuar premtimet 38 për qind.
Më së paku i kanë realizuar premtimet e dhëna: kryetari i Dragashit, Salim Januzi, i cili i ka realizuar sipas GAP-it vetëm 15 për qind; Svetislav-Ivanović (LS) në Novobërdë - 16 për qind si edhe Sokol Bashota, kryetar i Klinës - 17 për qind.
Kush eshte Shpend Ahmeti ?
e-mail: Shpend.Ahmeti@rks-gov.net
Shpend Ahmeti ka lindur më 18 prill 1978 në Prishtinë.
Ka përfunduar studimet master në Politika Publike në Universitetin e Harvardit, SH.B.A, gjatë viteve 2002 – 2004, duke specializuar në Zhvillimin Politik dhe Ekonomik. Studimet universitare i ka përfunduar në Ekonomi dhe Administrim Biznesi në Universitetin Amerikan në Bullgari, gjatë viteve 1996 – 2000, duke specializuar në Ekonomi të Aplikuar dhe Administrim Biznesi.
Gjatë kohës së studimeve 1999-2002, Shpendi ishte senator dhe më pas Kryetar i Qeverisë Studentore në Universitetin Amerikan të Bullgarisë , si dhe udhëheqës i komuniteteve të ndryshme (nga më shumë se dhjetë vende) përgjatë një periudhe të reformave në universitet. Në universitetet amerikane, angazhimi në Qeveri studentore është eksperienca që ndërthur dijen, organizimin, përballjen për mbrojtjen e të drejtave dhe përgjegjësinë e besimin nga shokët dhe kolegët.
Prej vitit 2005 Shpendi është ligjërues i Politikave Publike dhe Politikave Ekonomike Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan këtu në Kosovë (AUK).
Përveç gjuhës amtare shqipe, Shpendi flet atë angleze, serbo-kroate, maqedone, bullgare dhe ka njohuri të gjuhës gjermane.
Është fitues i disa çmimeve e shpërblimeve si World Bank Spot Award dhe i atij në European Debating Championships.
Shpendi jeton në Prishtinë me bashkëshorten, Ardianën, dhe dy fëmijët, Tean dhe Anrin. Është Nënkryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Përgjegjësitë e Kryetarit të Komunës
Kryetari i Komunës, në pajtim me dispozitat e LVL - së dhe Statutit të Komunës, është përgjegjës të:
a) përfaqësojë Komunën dhe vepron në emër të saj;
b) udhëheqë ekzekutivin e Komunës dhe administratën e saj dhe mbikëqyrë administrimin financiar të Komunës;
c) ushtrojë të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite Kuvendit të Komunës apo komiteteve të tij;
d) ekzekutojë aktet e Kuvendit të Komunës;
e) emërojë dhe shkarkojë zëvendësin e tij/saj;
f) emërojë dhe shkarkojë drejtorët, të cilët i ndihmojnë atij në kryerjen e detyrave;
g) organizojë punën dhe të drejtojë politikën e Komunës;
h) propozojë rregullore apo akte të tjera për miratim në Kuvendin e Komunës;
i) propozojë zhvillimin komunal, planet rregulluese dhe investuese, propozon buxhetin vjetor për miratim në Kuvendin e Komunës dhe ekzekuton buxhetin e miratuar;
j) raportojë para Kuvendit të Komunës për situatën ekonomike – financiare të Komunës dhe për zbatimin e planeve investuese të Komunës, së paku një herë në gjashtë muaj, apo kurdoherë që kërkohet nga Kuvendi i Komunës;
k) kërkojë që Kuvendi i Komunës ta shqyrtojë një akt komunal para hyrjes në fuqi, kur konsiderohet se akti bie në kundërshtim me legjislacionin në zbatimin, apo interesin e komuniteteve;
l) mbikëqyrë administrimin e përgjithshëm financiar;
m) delegojë përgjegjësi te anëtarët e Këshillit të Drejtorëve dhe të mbikëqyrë zbatimin e përgjegjësive të deleguara;
n) të bëjë ndryshime në lidhje me funksionimin dhe numrin e drejtorive dhe funksionet e tyre në pajtim me legjislacionin në fuqi
o) të kryejë përgjegjësi të tjera të përcaktuara nga Kuvendi i Komunës.