2015-11-23

Myslimanët këqyren me sy të keq pas sulmeve të Parisit

Dy autorë e shqyrtojnë disponimin ndaj myslimanëve në publikun francez. Kanë filluar të shfaqen shenjat e para serioze të mosbesimit ndaj këtij komuniteti të madh në Francë.





Nëntori nuk është janari. Ky mendim ka nisur të përhapet e të shihet nëpër të gjitha deklaratat e shumicës së politikanëve dhe mediave franceze, dhe duket se të gjithë kanë mirëkuptim për këtë qëndrim.

Ndryshe prej reagimit pas sulmeve të janarit në gazetën satirike, «Charlie hebdo», dhe vendet e tjera që lanë të vrarë 17 persona, nuk është se po u qahet halli dhe po manifestohet njëfarë solidariteti me myslimanët e Francës pas sulmeve të së premtes që morën jetën e 129 personave në Paris. Nuk kishte marshe, pak ankesa që të mos ngatërrohen praktikuesit e islamit me ata që predikojnë xhihadin.

Në vend të kësaj kishte njëfarë droje të dukshme, madje edhe zemërim, derisa presidenti François Hollande, kërkoi prej parlamentit të vazhdonte me gjendjen e jashtëzakonshme dhe bëri thirrje për ndryshim të Kushtetutës për të sfiduar terrorizmin. Kurrë nuk është thënë zëshëm, por nuk ka dyshim se ishte e qartë kristal:

Franca shekullare gjithnjë ka pasur marrëdhënie të ndërlikuara me komunitetin mysliman, por tash duket se ka ardhur koha kur raporti po shkon drejt mosbesimit, për të mos thënë armiqësisë.

Ndryshimi do të mund të vinte për shkak se Qeveria po ka telashe të mbajë një qëndrim të ndërmjetmë politik derisa kërcënohet prej të djathtës ekstreme të partisë antiemigrante të Frontit Nacional.

Tashmë ka pasur fjalë të serta që janë nxjerrë prej gojës së zyrtarëve në Qeveri që dëshmojnë se ka një devijim kah e djathta, duke bërë thirrje për mbyllje xhamish, vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme dhe me gjasë vënie të kufizimeve për më shumë se dhjetë mijë persona që janë pjesë e indeksit që konsiderohet si rrezik për sigurinë e vendit. Franca duhet «t’i dëbojë të gjithë këta imamë të radikalizuar», ka deklaruar të shtunën kryeministri Manuel Valls.

Franca tashmë ka dëbuar një numër goxha të lartë imamësh në vitet e fundit. Por sulmet nuk janë ndalur, dhe ekspertët theksojnë se shtigjet e radikalizimit është tipike që më shumë të shtohen në burgje ose prej luftës në Siri, por jo në xhami. Njëherësh, ka disa ndryshime dhe reagime të përziera – ka pasur raporte për përdhosje të disa xhamive në fundjavë dhe fjalë të ashpra ndëmrjet jomyslimanëve dhe myslimanëve në turmat e homazheve.

Shqetësimi në mesin e myslimanëve në Francë është frika në rritje. «Ne tashmë po ndjejmë kundërreagmin. Ka nisur menjëherë», ka deklaruar Latetia Syed, 17 vjeçe, familja e së cilës është mbledhur të dielën për homazhe pranë sallës së koncerteve Bataclan, ku të premten ishin vrarë 89 persona. Ajo ishte aty për të nderuar viktimat. «Kishte vërshim të gjuhës së dhunshme në Facebook për t’i vrarë myslimanët».

Të gjithë imamët e Francës «janë të shqetësuar», ka deklaruar Hassen Farsadon, drejtues i një grupi asociacionesh myslimane në periferi të Parisit. «Po mundohemi t’ia bëmë çaren kësaj pune».

Frika dhe dyshimi janë të prhershme. «Sot shkova në sallë të fitnesit, dhe kisha veshur mbulesën», ka thënë Aykut Kasaroglu, që punon në dyqan në distriktin e pasur me emigrantë, Montreuil. «Më ndaloi policia dhe më kërkoi ta hiqja shaminë që të mund të më shihte. Të gjithë konsiderohen të dyshimtë».

Dhe ka nisur të marrë hov shikimi me sy të keq i myslimanëve në Francë. Më në Francë nuk flitet vetëm për ndasitë e mëhershme politike, si e djathta, qendra apo e majta – por tani flitet si të menaxhohet luftimi i terrorizmit dhe si të menaxhohet komuniteti i madh mysliman në vend.

«Ne dimë dhe është e vrazhdë të nxirret nga goja se ishin francezët ata që vranë francezë të tjerë», ka deklaruar Hollande në paraqitjen e tij të rrallë në parlament. «Në tokën tonë ka individë që prej delikuencës kalojnë në radikalizim dhe pastaj në një kriminalitet terrorist».

Fjalë të ngjashme, referenca për «armikun e brendshëm» të Francës së fundi kanë nxitur reagime të ashpra në të majtën. Por kësaj here fjalimi i Hollande është duartrokitur nga të gjithë, duke u kënduar si rrallëherë himni kombëtar dhe janë thënë fjalë të mira prej lideres së Frontit Kombëtar, Marine Le Pen.

E sa për mënyrën se si audienca i merr këto zhvillime, zonja Le Pen «padyshim se do të shënojë rritje» të përkrahjes, ka deklaruar Bernard Gdard, ekspert i njohur francez për marrëdhënie myslimano-franceze dhe ish zyrtar i Ministrisë të Brendshme të Francës.

Nuk po mbahen më të ndrydhura ndjenjat antimyslimane, sugjeron zoti Godard. Tensionet u përshkallëzuan të dielën kur një francez, duke iu afruar një grupi grash myslimane me shami që po bënin homazhe për vikimat e Batalcanit në një faltore, nisi të nxirrte mllefin kundër Kuranit si burim i frymëzimit të ekstremistëve.

«Kurani thotë se askush nuk ka të drejtë të ta marrë jetën», ka deklaruar njëra prej atyre grave, Abiba Trabacke, që kishte një shami të kaltërt i ka krahasuar vrasësit e së premtes të ngjashëm me vrasësit nazistë, duke shtuar: «Ata nuk kanë kurrfarë lidhje me ne».

Por burri nuk po hiqte dorë, dhe shumë gra në turmë u shkrehën në vaj. «Po lutemi për paqe dhe dashuri», ka rrëfyer njëra prej tyre.

«Mbylleni gojën!», u ka bërtitur një kalimtar rasti. «Nuk është koha t’i hyjmë kësaj çështjeje».

Trabacke i është kthyer turmës që po rritej. «A e shihni këtë shami që mbaj në kokë?» Ka pyetur ajo. «Është bindja ime; vjen prej Zotit».

Si mund të ndikojë kjo në javët në vazhdim shihet më së miri kur t’u hidhet një sy propozimeve që të përdoret sa më mirë e famshmja «Dosjet S», një pasqyrë e mijëra personave që konsiderohen si kërcënim urgjent. Ka pasur fjalë që ndaj tyre të merren masa për lidhje të dyshimta ose edhe prej kërcënimeve online. Së paku një prej sulmuesve në Bataclan, Ismael Mostefai ishte në listën S; në të ishin edhe dy vëllezërit që qëlluan në «Charlie Hebdo» në janar dhe një sulmues që ishte neutralizuar prej tre amerikanëve në tren në gusht.

Shpeshherë në Francë ka pasur debate e ankesa se pse individë të njohur për rrezikun që paraqesin për shtetin nuk ishin ndalur paraprakisht. Secilën herë zyrtarët kanë thënë se nuk mjafton fakti se ata janë në dosjen për t’u arrestuar.

Që nga e premtja, ka pasur thirrje të vazhdueshme prej të djathtës dhe të djathtës ekstreme për fushata të ashpra kundër anëtarëve të listës, me një funksionar të lartë të Frontit Nacional që të hënën ka deklaruar gjatë një paraqitje televizive se duhet të arrestohen të gjithë ata që janë pjesë e listës. Por kësaj here qevria majtiste nuk është ngutur që të hedhë poshtë gjithçka që del prej listës.

«Nuk mund ta përjashtoni asnjë mjet», ka deklaruar zoti Valls, kryeministri. «Nuk po përjashtojmë asnjë mundësi». Sikurse e ka thënë më së miri edhe shefi i tij, zoti Hollande para deputetëve të hënën – «Me aktet e luftës të premten e 13 nëntorit, armiku ka shkelur edhe një vijë».

Avokatët thonë se çështja është si mund të kufizojë një qeveri të drejtat e një komuniteti që në shumicë nuk është kundër ligjit, duke i inkurajuar forcat e sigurisë që të përndjekin militantët.

Kritikat e zonjës Le Pen për Hollande mund të kenë qenë më të rëndësishme se sa lavdërimi i saj i pazakonshëm. Presidenti ka dështuar të përmend «luftën kundër islamizmit» ose «spastrimin e bodrumeve të mbushura me kriminalitet», ka deklaruar ajo. Sipas gjuhës së Frontit Nacional, fjalët e le Penit – «periferi» dhe «kriminalitet» shpeshherë merren si kode për islamin dhe kriminaliteti në periferi – përdoren shpeshherë për islamin dhe myslimanët.

«Ka rrezik serioz në opinionin publik se njerëzit po radikalizohen edhe më shumë», ka deklaruar Godard. «Mbase njerëzit thonë tani: ‹Jo, jo, jo islamit në hapësira publike, jo më›».

(«New York Times»)

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...