2015-11-21

Denoncimi i vajzave nga Kosova: Kaluam orë tmerri në Lezhë, i armatosuri na ndiqte me motor Lezhe8SHARES SHARE TWEET SHARE EMAIL COMMENTS

  Erdhën për të darkuar në një nga restorantet e njohura në Lezhë, por rrugës për në kthim përjetuan tmerr e panik si pasojë e përballjes me një person të armatosur, i cili tentoi t’u futej në makinë. Ngjarja është denoncuar publikisht nga 10 vajza nga Kosova, të cilat akuzojnë policinë shqiptare se nuk ka reaguar siç duhej. Sipas deklaratës së tyre, rasti është i denoncuar te policia e Lezhës, tek ata të Kukësit, si dhe tek Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë. Ato janë mjaft të shokuara nga mungesa e sigurisë në rrugët tona, teksa rrëfejnë në mënyrë anonime ngjarjen e ndodhur sipas tyre më 15 nëntor 2015

Denoncimi i vajzave
“Unë jam një vajzë nga Kosova. Bashkë me 9 shoqe të tjera vendosëm të kalonim vikendin (fundjavën) në Shqipëri. Të shtunën qëndruam në Tiranë, ndërsa të dielën shkuam drejt Fishtës në Lezhë për të darkuar. Në kthim, meqë ishim me dy vetura, në dalje të fshatit Fishtë një person me motoçikletë na u afrua te dritarja e makinës. Meqë ne i bëmë me shenjë që të kalonte, ai u largua për t’u kthyer prapë pas tri ose katër minutash. Pasi kaloi veturën tonë, la motoçikletën diku në gjelbërim që të mos e shihnim dhe u shfaq pas disa sekondash te dritarja e veturës, së pari duke i rënë fuqishëm xhamit e më pas duke tentuar të hapte dyert dhe të futej brenda. Meqenëse dyert tona ishin të bllokuara, ai filloi të gjuante me armë në ajër, ngjitur me veturën tonë, duke na tmerruar”, shpjegohej në denoncimin publik të tyre. Ato shpjegojnë se kanë shtuar shpejtësinë të tmerruara, ndërkohë që pas tyre ishte mjeti me të cilin lëviznin pjesa tjetër e grupit të tyre. “Secila nga ne filluam të telefononim dikë. Njëra telefonoi policinë e Lezhës, tjetra lajmëroi veturën pas nesh që të vozisnin me shpejtësi dhe të mos ndaleshin në asnjë mënyrë askund, madje as edhe Policisë. Telefonuam edhe të afërmit në Prishtinë që të merrnin rrugën për në kufi”, thuhet më tej në rrëfimin e të dëmtuarave.
Sipas tyre, edhe grupi tjetër i vajzave kanë ecur me shpejtësi me qëllim që të dilnin në rrugën kryesore pasi ishin ende në rrugët e errëta të fshatit Fishtë. Gjatë kësaj periudhe, ato kanë parë personin me motoçikletë, i cili u bënte me drita që të ndalonin veturën. Por, meqë vajzat ishin vënë në dijeni nga grupi që ecte para tyre se çfarë po ndodhte, ato kanë shtuar veç shpejtësinë pa u ndalur. FRIKA PER TE NDALUAR Përpos tmerrit të përjetuar, vajzat janë frikësuar se personi mund të kishte bashkëpunëtorë dhe do t’u dilnin sërish para. Ato kanë përjetuar momente paniku duke e menduar rastin të ngjashëm me atë të turistëve çekë që u vranë në Shkodër. “Ne frikësoheshim të ndaleshim edhe te Policia Rrugore pasi në shumë prej emisioneve tuaja shohim se banditët dhe Policia janë të lidhur shumë ngushtë me njëri­tjetrin. Vendosëm të mos ndaleshim askund deri te kufiri i Kosovës. Ndërkohë, shoqet tona u ndaluan nga Policia e Lezhës për shkak të telefonatës së bërë nga ne duke kërkuar kështu më tepër informacion, gjë që është shumë e logjikshme. Çka nuk më dukej e logjikshme ishte fakti se ata insistonin që ne, vetura e sulmuar, të ktheheshim në stacionin policor në Lezhë, në të kundërt, shoqet tona nuk do të liroheshin. Në orën 22:00, me tmerrin që kishim përjetuar, na dukej jo e logjikshme që ne të riktheheshim në Lezhë. Dukej edhe më pak i logjikshëm fakti që shoqet tona mbaheshin peng për shkakun tonë, duke marrë parasysh që ato as nuk e dinin në hollësi tërë ngjarjen (si dukej personi në fjalë, çfarë kishte me vete, si kishte ndodhur ngjarja, në cilin vend saktësisht, e hollësi të tjera. E kuptojmë që janë procedura të Policisë ato, se duhet të merrnin sa më tepër informata, mirëpo të kërkohej nga ne të ktheheshim në Lezhë, nga vendi nga i cili ne u larguam të tmerruara, ishte pak absurde e aq më tepër të mbaheshin peng vajzat të cilat nuk dinin asgjë më tepër se sa fjalët tona: “Na ka sulmu një person me motor, mos u ndalni askund, vozitni sa më shpejt edhe mundohuni me ardh në kufi sa ma shpejtë se ne ju presim atje”!)”, theksojnë vajzat që denoncuan rastin.
Vajzat deklaruan më tej se janë qetësuar disi vetëm kur kanë hasur në një karburant në një makinë me targa të Kosovës, të tmerruara ato i kanë kërkuar ndihmë, dhe personat që gjendeshin në të u kanë thënë të ecnin krah tyre deri në kufi. “Kufitarët kosovarë kishin marrë një informatë të çoroditur që ka pasur shkëmbim zjarri në mes të dy veturave me vajza dhe kështu, kur ne arritëm, pothuajse gjithë forcat kufitare ishin pranë veturës sonë. Kur ne dolëm, ishim të tronditura dhe të dërrmuara nga të qarat dhe ulërimat. Por shoqet tona ende po mbaheshin peng diku gjatë rrugës. Tentuan nga pika kufitare e Kosovës të kontaktonin me drejtorin e Policisë së Lezhë. U kërkuam që ata të vinin në pikën kufitare në Kosovë së bashku me shoqet tona, në mënyrë që ne të jepnim deklaratat tona dhe të denonconim rastin. Pasi ishte bisedë në mes palës kosovare dhe asaj të Shqipërisë, na lanë të kuptojmë se ato, edhe pse nuk e dinin rastin, do të ktheheshin në Stacionin policor në Lezhë ku u mbajtën pothuajse deri në orën 3:00 të mëngjesit. Tentuam të kontaktonim edhe Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë. Por nuk përgjigjej askush. Diku rreth orës 04:30, pjesa tjetër e grupit arriti në kufirin e Kosovës, natyrisht pa përcjellje, edhe pse ne insistonim që t’i sillnin në kufi për shkak të sigurisë. Por, ata nuk e kishin parë të arsyeshme t’i përcillnin më tepër se 10 minuta nga stacioni policor”, deklaruan të dëmtuarat. Sipas tyre, pas pothuajse katër orëve, arriti në kufirin e Kosovës një përfaqësues i Policisë nga Kukësi, i cili është vetëm 20.7 kilometra larg kufirit të Kosovës, që të merrte deklaratat e tyre. “Me arritjen e shoqeve, kuptuam se një polic e kishte arsyetuar sulmuesin ‘Duhet ta kuptoni se ndoshta njeriu ka hallet e veta, mund të ketë punuar gjatë tërë ditës, ka pirë nja dy gota alkool dhe në fund të fundit, fiton alkooli!’. Arsyetim qesharak, për të mos thënë idiot nga ana e punonjësit të Policisë. Ndërsa, një prej personave që mori deklaratën tonë, tha se ‘këto gjëra ndodhin në çdo vend’ e se ‘nuk keni pse e bëni kaq të madhe këtë punë; nuk keni pse vajtoni!’”.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...