Thirrje për dialog ka bërë Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Ai ftoi opozitën që tu kthehet diskutimeve në Kuvend për çështjen e demarkacionit dhe temat e tjera për të cilat po shprehin shqetësim.
Kryeparlamentari ka kërkuar nga të gjitha subjektet që të tregojnë maturi dhe pjekuri për të tejkaluar këtë situatë politike duke apeluar që të hiqet dorë nga dhuna ndaj policisë dhe objekteve institucionale dhe t’i hapet rrugë dialogut në Kuvend.
“Është një moment vërtetë i ndjeshëm duke pasur parasysh që të gjithë i kanë kthyer sytë nga ne, po flas për partnerët tanë ndërkombëtar se investimi i tyre në këtë shtet a është funksional , a është shtet ligjor i cili mund të ndërtoj institucionet e veta”, tha Veseli.
*********
Anëtari i kryesisë së AAK-së Muharrem Nitaj, në një prononcim për KP, ka bërë me dije se ndonëse nuk kanë ndonjë kërkesë për marrëveshje me asnjë parti politike, ata janë të hapur të takohet me njerëzit dhe përfaqësuesit e pozitës dhe Qeverisë dhe të gjithë njerëzve që kanë vullnet me e zhblloku situatën politike.
“Nuk ka kurrfarë kërkese për kurrfarë marrëveshje me asnjë parti politike. Ne kemi kërkesën që e kemi bë publike tashmë, e ajo është që ata që kanë pushtet me i tërheq dy marrëveshjet që janë të dëmshme për vendin. Për këtë temë takohemi me këdo, kudo dhe kurdo”, tha Nitaj.
Ai më tej ka shfaqur gatishmërinë e subjektit të tij për tu takuar me të gjitha palët për tejkalimin e situatës politike të krijuar së fundmi në vend.
“Ne jemi të hapur me u taku me njerëz dhe me përfaqësues të pozitë dhe Qeverisë dhe krejt njerëzit që kanë vullnet me u zhbllokua kjo situatë si pasoj e këtyre dy marrëveshje”, tha Nitaj.
Nitaj po ashtu ka folur edhe për takimin që ka pasur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashit dhe zyrtarit të AAK-së Blerim Kuçit, me ç’rast ka thënë se ky takim ka qenë vetëm miqësor.
“AAK është e hapur. Gjithmonë ka qenë e gatshme të flasë me të gjithë që kanë pasur vullnet të mirë që të dilet nga situata e krijuar. Me të gjithë që e kane parë se dy marrëveshjet janë të dëmshme për vendin. Takimi ka qenë miqësor dhe pa obligime për asnjërën palë, por edhe si i tillë është i mirëseardhur. Këtu njerëzit kanë hyrë në istikame dhe nuk po pranojnë të sillen si politikanë te përgjegjshëm”, tha ai.
Nitaj është shprehur i bindur se Marrëveshja për Demarkacionin do të bie, qëllim ky që edhe është i AAK-së sipas tij. Ai më pas ka shtuar se kjo parti nuk synon që ta rrëzojë Qeverinë aktuale, por vetëm tërheqjen e marrëveshjeve.
“Demarkacioni do te bie dhe është mirë që po reflektojnë vetë ata që janë shumicë parlamentare. Por kjo është gjysma e punës. AAK nuk ka asnjë pretendim që ta rrëzojë as Hashim Thaçin as Isa Mustafën. Qëllimi i vetëm është heqja e marrëveshjeve që e rrezikojnë integritetin territorial të Kosovës, dhe që e shndërrojnë në hisenik të pavarësisë së Kosovës edhe Serbinë. Sapo të hiqen këto dy rreziqe, AAK do të kthehet në jetën normale parlamentare. Kjo është e vërteta dhe krejt të tjerat janë spekulime”, tha Nitaj.
Tri subjektet opozitare, që kanë formuar “frontin antiqeveritar”, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, kanë vendosur që të mos protestojnë të enjten megjithëse një ditë më parë patën paralajmëruar se do të vazhdojnë protestën deri në lirimin e deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, dhe deri në anulimin e Marrëveshjes për Asociacionin dhe asaj për Demarkacionin.
Tërheqja e opozitës duket se ka ardhur pas një presioni të madh nga faktori ndërkombëtar, i cili doli hapur kundër protestave të dhunshme e në anën tjetër i dhanë mbështetje të fuqishme Policisë së Kosovës.
Përveç ministrit të Jashtëm të Austrisë, Sebasitian Kurtz, ambasadores së Gjermanisë, Angelika Viets, dhe Zyrë së Bashkimit Evropian, që kanë reaguar të mërkurën, të enjten kanë reaguar të gjitha ambasadat e vendeve të Quintit (Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara), të cilat e kanë dënuar përdorimin e vazhdueshëm të dhunës, për siç e kanë quajtur ata, arritjen e qëllimeve politike dhe i kanë dhënë mbështetje Policisë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda, duke dhënë shpjegime për planin për zgjidhjen e situatës politike që ai së bashku me deputeten Vjosa Osmani e prezantuan sot në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se me 28 Nëntor, data kur opozita ka thirrur tubim popullor, duhet të festohet se politika e Kosoves arriti një marrëveshje e s’duhet protestuar.
“Do kisha dashur që të fillojë dialogu i partive politike dhe që me 28 nëntor të festojmë bashkë që arritëm një marrëveshje për shkak se kjo ditë është e bashkimit e unitetit dhe do të ishte mirë që të kremtojmë bashkë”.
Ndër të tjerash ai tha se s’është koha që politikanët të bëjnë kalkulime politike, për shkak se vendi është në krizë e zgjidhja është e domosdoshme.
“Ne nuk kemi kohë për kalkulime politike dhe nuk mërzitem nëse do të jem në legjislaturën e ardhshme apo jo. Ne jemi deputetë tash, dhe në këtë kohë krize kemi përgjegjësi”.
‘Ne jemi duke e kryer obligimin kushtetues si deputetë. Herët ose vonë ata do të ulen rreth një tavoline dhe pse jo kjo të bëhet qysh tani, pse të humbim kohë?”, tha Deda.*********
Pikërisht në ditën kur AAK dha shenja bashkëpunimi për çështjen e demarkacionit me pozitën, ish-lideri i VV'së ka publikuar një shkrim autorial.
Kurti argumenton kundër Zajednicës dhe rreziqet që sjell ajo për Republikën e Kosovës.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë tekstin e Kurtit:
Në teori përmenden posaçërisht dy modele kushtetuese në një rregullim shtetëror demokratik. I pari është modeli i drejtësisë që nënkupton si bazë të drejtat e qytetarëve që do të duhej t’i sigurojnë ata nga sulmet dhe abuzimet e shtetit. Kurse, i dyti, është ai i konsensusit: ndarja e pushtetit, zgjidhja federale, ideja e Lijphartit për ‘demokracinë konsensuale’ që ka për qëllim stabilitetin dhe autonominë kulturore. Më tutje, në modelin e parë zakonisht ke një popull shumicë që vendos themelin dhe emrin e ngrehinës shtetërore por vullneti i të cilit kufizohet nga të drejtat e pakicave. Ndërkaq, te modeli i dytë që rregullisht përvetësohet nga shtetet e ndryshme federative kemi elementet e veçanta përbërëse si popuj a kombe pak a shumë të barabartë nën një kulm të përbashkët. Në rastin e parë, të drejtat e njeriut, të drejtat civile dhe ato politike shërbejnë herë si amortizues e herë vetëm si maskë e dominimit të shtetit komb. Në rastin e dytë, vazhdimisht kërkohen balanse delikate në mënyrë që forcat e veçanta centrifugale të mos e tejkalojnë gravitacionin e përgjithshëm të sistemit shtetëror.
Nga shkatërrimi i Jugosllavisë federative që nisi në fund të shekullit të kaluar dolën këto shtete kombe: Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Këto shtete janë para së gjithash shtete të sllovenëve, kroatëve, malazezëve, serbëve dhe maqedonasve, ndonëse në Mal të Zi malazezët janë veçse pakica më e madhe që përbën rreth 40% të popullsisë, në Maqedoni së paku një e treta e popullsisë janë shqiptarë, kurse në Serbi së paku 18% e popullsisë nuk janë serbë. Në anën tjetër, kemi edhe Bosnje dhe Hercegovinën e cila e pësoi më së shumti gjatë luftës por u bë një shtet federativ në të cilin një e treta e popullsisë që ishin serbë fituan gjysmën e territorit përmes Republikës serbe atje. Për të qenë më keq se kaq, Republika serbe sot e ka shndërruar Bosnje dhe Hercegovinën në një shtet jofunksional i cili po shkon drejt dështimit të sigurt. Marrëveshja e Daytonit e cila para dy dekadash ishte sajuar për ta ndalur luftën nuk po arrin ta mirëmbajë Bosnjen e për pasojë nuk do të arrijë ta mbajë as paqen.
Po Kosova, ku ndodhet në këtë mes vendi ynë i dashur? Kah po shkon njësia e dikurshme e federatës jugosllave ku filloi dhe (ende nuk) përfundoi shkatërrimi i Jugosllavisë? Cila është pozita dhe ardhmëria e shtetit që shpalli pavarësinë para gati tetë vjetësh? Kosova rrezikon të federalizohet përmes ‘Zajednicës’ së Serbisë duke iu bashkuar kështu Bosnjës, këtij shteti të par(e)alizuar e për të cilin diplomatët kurreshtarë vëjnë baste nëse do të shpërthejë para dështimit apo do të dështojë para shpërthimit. Nga të gjitha shtetet që dolën nga ish Jugosllavia, Bosnja dhe Kosova po mbeten humbëset më të mëdha: pa integritet territorial e sovranitet, me qytete të ndara si Mostari e Mitrovica, me nga një Serbi të vogël brenda si ‘Republika Srpska’ dhe ‘Zajednica’, me sundim ndërkombëtar sipër që s’të jep llogari, dhe, me papunësinë e varfërinë më të lartë në rajon. Dy shtetet kombe që të parat dolën nga ish Jugosllavia, Sllovenia e Kroacia tashmë janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian. Tri shtetet kombe të tjera, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia janë asaj rruge. Bosnja dhe Kosova po ngelin në klasë, në të njëjtën klasë, me të njëjtën mënyrë. Sepse Kosova po e ndjek Bosnjen hap pas hapi.
Bashkësinë e 14 komunave të tyre në Bosnje, me planifikimin dhe ndihmën e Beogradit, serbët atje e formuan më 26 prill 1991. Më 9 janar 1992, ata e shpallën pavarësinë kurse me 28 shkurt 1992 e miratuan kushtetutën e tyre. Ndërkombëtarisht kjo u njihet me 14 dhjetor 1995 në Marrëveshjen e Daytonit, pas negociatave të cilat për çështjet e brendshme të Bosnjes, Alija Izetbegoviq i zhvilloi me Milosheviqin dhe Tugjmanin në Ohio të ShBA-ve. Ajo që u arrit në Bosnje dhe Hercegovinë përgjatë luftës e me luftë për katër vite e gjysmë, në Kosovë po realizohet më ngadalë në paqe. Le të themi, më së voni prej 2 shkurtit të vitit 2007 kur në Prishtinë ateroi Plani i Ahtisaarit që formonte dhjetë komuna të reja me shumicë serbe, e deri në ditët e sotme kur po përpiqen ta instalojnë ‘Zajednicën’ që i bashkon këto komuna në një pushtet paralel të një formacioni të ri. Pra, Serbia njëherë i ndau territorialisht dhe administrativisht serbët e Kosovës nga Kosova dhe tani po i bashkon ata, sërish territorialisht e administrativisht, kundër Kosovës. Kësisoj, Kosova i është nënshtruar forcave centrifugale teksa serbët e Kosovës atyre centripetale, gjë që po shprehet në pavarësinë pa substancë të Kosovës dhe në autonominë substanciale të ‘Zajednicës’.
Në këtë orvatjen federalizuese për shtetin e Kosovës përmes ‘Zajednicës’, sigurisht që duhet të shtypet shumica shqiptare e të fuqizohet pakica serbe. Kosova edhe mund të quhet vend e popullsi multietnike, por ajo s’mund të bëhet shtet multietnik pa dhunë mbi shqiptarët të cilët janë jo vetëm popullsi shumicë por përbëjnë plot 92% të popullsisë. Me 92% shqiptarë e me 6% serbë nuk ka kuptim ‘Zajednica’. Vetëm kur në ekuacion e fut edhe Serbinë, dialogun pa kushte me të dhe aspiratat e saj hegjemoniste, e sidomos me mirëkuptimin ndërkombëtar për mosnjohjen që Serbia ia bën pavarësisë së Kosovës, vetëm atëherë 6% serbë nuk janë më 6% por bëhen nja 25% me të drejtë vetoje. Asisoj, Serbia del e fituar në Kosovë edhe më shumë sesa në Bosnje: atje 33% të popullsisë fituan 49% të territorit, këtu 6% të popullsisë po fitojnë afër 25% të territorit.
Republikën serbe në Bosnje boshnjakët dhe kroatët e Bosnjes sigurisht se nuk mund ta heqin pa një luftë të re e ndoshta as edhe me një luftë të re. Natyrisht që ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë nuk është identike me Republikën serbe në Bosnje. ‘Zajednica’ është para-shtet, tash për tash më i ngjashëm me ato që quheshin ‘Srpska Autonomna Oblast’ në Kroaci, si psh. Krajina, sesa me Republikën serbe në Bosnje. Mirëpo, ‘Zajednica’ është vetëm një hap larg Republikës serbe në Bosnje dhe për këtë hap asaj nuk do t’i duhet më Kosova. Qeveria e Kosovës i nevojitet Serbisë për ta bërë ‘Zajednicën’, ndërsa mandej nuk do t’ia ketë nevojën asaj për ta shndërruar ‘Zajednicën’ në Republikë Serbe. Me lidhjen politike dhe financiare me Serbinë, me kompetencat vendëse e ndërkombëtare që i fiton, me institucionet dhe administratën e saj, me përfaqësuesit dhe simbolet që do t’i përcaktojë vetë, ‘Zajednica’ ecën vetë në hapin e saj të fundit drejt edhe një Republike tjetër serbe në Ballkan. As Presidentja, as Qeveria dhe as Kuvendi i Kosovës nuk do të mund ta shpërbëjnë dhe as shuajnë ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. ‘Zajednicën’ mund ta ndalim tash dhe vetëm tash, në hapin e saj të parafundit, e jo më vonë në hapin e saj të fundit. Ta parandalosh ‘Zajednicën’ në hapin e saj të parafundit do të thotë ta mbrosh Republikën e Kosovës. Ta ndalosh ‘Zajednicën’ në hapin e saj të fundit do të thotë të shfaqesh si një agresor i pamundur.
Përfundimisht, ose do të rrojë Republika e Kosovës ose do të instalohet ‘Zajednica’ e Serbisë, dmth. ose do të bëhet Republika e tretë e Kosovës (si republikë-për-zhvillim, pas republikës-për-rezistencë të 2 korrikut 1990 dhe republikës-për-shitje të 17 shkurtit 2008) ose do të bëhet republika e tretë serbe në Ballkan (si ‘Zajednicë’, pas Republikës serbe në Bosnje dhe vetë Republikës së Serbisë).
*********
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se sot gjatë gjithë ditës, por edhe në orët e mbrëmjes selia e Vetëvendosjes po mbahet nën vëzhgim e policëve të uniformuar, por më shumë nga policët civilë.
Tutje Selimi ka thënë se ata janë në dijeni dhe pothuajse i kanë identifikuar personat që po qëndrojnë para selisë së Vetëvendosjes dhe se nuk janë të befasuar.
“Por ajo që ështe paqartë në këtë moment është urdhri i dhënë për një gjë të tillë. Kush i ka urdhëruar ata njerëz”, ka thënë Selimi.
Aktualisht policia është në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët kanë fletë-arrest nga prokuroria e shtetit.
************
Kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj ka deklaruar se ky Kuvend dhe kjo Qeveri e kanë humbur legjitimitetin e tyre.
Në një emision televiziv Limaj ka thënë se Kuvendi është kthyer në një organ mendim-marrës e jo vendim marrës siç duhet të jetë.
Limaj ka thënë se veprimet e opozitës në Kuvend janë veprime opozitare dhe se nuk ka ndonjë sinjal se partia e tij nuk I përkrah aksionet e partive opozitare, ndonëse asnjë deputet i kësaj partie nuk ka gjuajtur as me gaz lotsjellës as me diçka tjetër siç kanë bërë deputetët nga VV dhe AAK.