2015-11-29

Prof.Dr.Islam Lauka : Terrorizmi - rrezik apo kërcënim?




Pas sulmeve terroriste në Paris, me 23.11.2015, edhe në Shqipëri u vunë në lëvizje institucionet shtetërore dhe agjencitë ligjzbatuese për forcimin e punës dhe bashkërendimin e veprimeve me qëllim parandalimin e akteve terroriste, që mund të kryhen nga aktorë të brendshëm, apo të jashtëm.

Për t’u vlerësuar është mbledhja më 21 nëntor 2011, e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nga ana e Presidentit Nishani. Masa të kësaj natyre u morën edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës. Megjithatë, si në njoftimet zyrtare, ashtu edhe në “analizat” dhe “ekspertizat” që, këto ditë, kanë përmbytur mjetet e informimit masiv, bie në sy që nuk ka një koncept të qartë se çfarë është terrorizmi sot për botën, në përgjithësi dhe për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, në veçanti. A përbën ai rrezik apo kërcënim? Nëse rrezik, në çfarë shkalle? Nëse kërcënim, në çfarë niveli?

Jo vetëm kaq, por ka një ngatërrim, moskuptim dhe keqpërdorim të termave “rrezik” dhe “kërcënim”. Në të shumtën e rasteve, ato përdoren si terma me kuptim të njëjtë, por ka edhe jo pak raste që përdoren me kuptime të ndryshme, jo atë që kanë në të vërtetë, por duke i dhënë termit “rrezik” kuptimin e “kërcënimit” dhe anasjelltas.

Në emisionin “Opinion” të datës 16.11.2015, njëri prej të ftuarve, ish ministër i mbrojtjes së Shqipërisë, u shpreh se përshkallëzimi i së keqes, në këtë rast i terrorizmit, shkon gradualisht, nga kërcënim, në rrezik. Mendimin e tij e mbështetën edhe të ftuarit e tjerë, përfshirë edhe një ekspert i sigurisë.

E kundërta është e vërtetë. Përshkallëzimi i së keqes shkon nga rrezik në kërcënim. Në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos, në atë realiste, si dhe në doktrinat e sigurisë apo të mbrojtjes të shteteve, termi “rrezik” (danger) nënkupton situatën kur e keqja, fatkeqësia, dëmi mund të ndodhë, mund të ngjasë, por edhe mund të mos ndodhë, a të mos ngjasë. Në këtë kuptim, “rreziku” ka të bëjë më shumë me sigurinë kombëtare, në përgjithësi. Ndërsa “kërcënimi” është paralajmërim apo kanosje e drejtpërdrejtë e së keqes, në rastin tone, e terrorizmit. Në këtë kuptim, “kërcënimi”, jo se nuk ka të bëjë me sigurinë kombëtare, por më shumë lidhet me mbrojtjen kombëtare.

Atëherë, terrorizmi është rrezik apo kërcënim për ne shqiptarët?

Këshilli i Sigurimit të OKB-së, më 20.11.2015 miratoi Rezolutën nr 2249 kundër terrorizmit, në të cilën kjo dukuri klasifikohet si “kërcënim global” për paqen dhe sigurinë dhe u bëhet thirrje të gjitha shteteve që të mobilizojnë forcat dhe burimet e tyre kundër tij, t’i jepet fund dërgimit të luftëtarëve të huaj në Siri, të ndërpriten burimet e financimit të terrorizmit, etj.

Sa i takon vendit tonë, tashmë, dihet publikisht që shërbimet sekrete të partnerëve tanë kanë informuar që kryeqyteti ynë, Tirana, është një ndër objektivat e sulmeve terroriste. “Arsyet” përse Shqipëria është cak i terrorzmit janë komplekse. Një prej tyre, mund të jetë fakti që vendi ynë është anëtar aktiv i aleances antiterror, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një tjetër, mund të jetë miratimi i ligjeve që penalizojnë individët që shkojnë për të luftuar jashtë shtetit. Një tjetër “arsye”, mund të jetë arrestimi i një numri klerikësh apo individësh që akuzohen për rekrutim xhihadistësh.

Për të mos shkuar më tej, këto “arsye” janë të mjaftueshme për të nxitur hakmarrjen e terroristëve ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj Republikës së Kosovës, që përafërsisht, ka të njëjtin qëndrim ndaj kësaj dukurie.

Përsëri vijmë tek pyetja themelore: terrorizmi përbën rrezik apo kërcënim për ne?

Nisur nga sa u tha më lart, duket se përgjigja është krejtësisht e qartë: terrorizmi sot përbën një kërcënim real, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën. Ai është kërcënim për interesat tona shtetërore dhe kombëtare.

Ҫështja duhet të shtrohet ndryshe, jo të vihet në pikëpyetje fakti, nëse terrorizmi përbën kërcënim, por të njihet si i tillë dhe të përcaktohet se i çfarë niveli është ky kërcënim. Në vende të ndryshme ekzistojnë klasifikime të ndryshme të nivelit të kërcënimit, por, përgjithësisht, njihen 5 nivele: i ulët, i moderuar, substancial, i lartë dhe kritik.

A është përcaktuar ky nivel nga institucionet shtetërore të Shqipërisë? Po nga ato të Kosovës? Nëse po, mirë ështe që ai të bëhet i njohur publikisht, si nga Tirana, ashtu edhe nga Prishtina zyrtare. Nëse jo, do të ishte mirë që të përcaktohet sa më shpejt. Sepse në varësi të nivelit të kërcënimit, merren edhe masat përkatëse nga institucionet shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.

Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, më datë 23.11.2015, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, S. Tahiri, jo vetëm që nuk foli për kërcënim, por edhe kur përdori termin “rrezik” deklaroi se “nuk ka rrezik të shtuar”. Përpjekja për të shmangur shfaqjet e panikut është për t’u marrë në konsideratë, por kjo nuk duhet bërë në dëm të së vërtetës. Pa diagnostifikim të saktë, nuk mund të ketë as kurë efikase.

Mesazhe “qetësie” po përcjellin, këto ditë, edhe udhëheqësit tanë më të lartë shtetërorë, Kryeparlamentari Meta, Kryeministri Rama dhe Presidenti Nishani, të cilët, njëherësh, kanë marrë rrugët e botës. Askush nuk thotë që zyrtarët e lartë shtetërorë të mos udhëtojnë jashtë shtetit, por përse të udhëtojnë të gjithë njëherësh dhe përse pikërisht tani? Nëse, mos e thashtë zoti, prishet kjo “qetësi”, kush do t’i marrë vendimet për t’u ballafaquar me rrezikun apo kërcënimin?

Ndërkohë, Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë, lidhur me kërcënimet terroriste. Paralajmërimi përfshin periudhën nga tani, deri më 24 Shkurt 2015. Por ne mund të rrimë “të qetë”. Sepse ne nuk jemi amerikanë. Udhëtime të këndshme të dashur udhëheqës shqiptarë!

Image result for islam lauka
Kush ëshët Islam Lauka?

Islam Lauka ka lindur më 18.06.1954 në Bytyç, Tropojë. Eshtë diplomat i njohur karriere, studiues dhe autor i disa veprave shkencore.

Në vitin 1976, ka përfunduar Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Në vitin 1982, përfundoi kursin e lartë të filozofisë, ndërsa në vitin 1986, atë të diplomacisë.

Në vitin 1994, mbrotji doktoraturën në politologji, në Akademinë Diplomatike të Moskës, në Rusi.

Pas disa viteve punë 1976-1981, si mësimdhënës, në Lekbibaj dhe Bytyç, të rrethit të Tropojës, si dhe drejtues i Komitetit të Rinisë në po këtë rreth (1982-1985), në shtator të vitit 1985, transferohet në Tiranë, në sistemin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në fillim, si i atashuar, referent, shef sektori, ndërsa në vitin 1991, emërohet sekretar i parë dhe, më vonë, i ngarkuar me punë i Ambasadës së Shqipërisë në Moskë. Pas kthimit në atdhe, në vitin 1996, jep dorëheqjen nga Ministria e Jashtme dhe deri në vitin 2005 merret me aktivitet privat . Në vitin 2005, rikthehet në MPJ, duke kryer detyra të rëndësishme si, Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë Rajonale, Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare dhe Drejtor i Bordit të Institutit të Diasporës. Në vitin 2009, emërohet Ambasador i Shqipërisë në Kosovë . Në periudhën shtator 2013 - mars 2014 ka kryer detyrën e Dekanit të Trupit Diplomatik, të akredituar në Prishtinë. Pas përfundimit të mandatit të tij si ambasador, në mars 2014, transferohet në Tiranë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me gradën diplomatike Ministër Këshilltar, ku qëndroi deri në mars 2015. Aktualisht, është ligjërues në “UBT” dhe Kolegjin “Fama”, në fushën e diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombtare. Nga viti 2003, është Presidenti i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikano – Britanike dhe nga viti 2005 Drejtori Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj të shumtë shkencorë, kryesisht, për çështjen e Kosovës, në shtypin vendor dhe atë të huaj.





http://floripress.blogspot.com/2013/11/kosova-rast-universal-apo-sui-generis.html


Vepra kryesore e tij është “Kosova, rast universal apo sui generis” e botuar në vitin 2007, në disa gjuhë të huaja. Në këtë libër, Lauka polemizon, kryesisht , me autorë rusë, rreth “precedentit” të Kosovës, duke i hedhur poshtë pretendimet e tyre për analogji të rastit të Kosovës me “konfliktet e ngrira” në hapsirën e ish Bashkimit Sovjetik dhe duke argumentuar shkencërisht që Kosova është një rast i veçante, i cili kërkon zgjidhje të veçantë dhe se nuk ka alternativë tjetër, veç pavarësimit të saj.

Libra të tjerë :

Evoluconi i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale (1994)

“Shkëputja e Kosovës nga Rusia” (2007)

“Kosova e pavarur ose dështimi i kryqëzatës ruso-serbe” (2011)

Bashkëautor i librave:
“Shqipëria në arkivat ruse” (2006)

“ Antologjia e kryqëzimit: qëndrimi rus ndaj çështjes shqiptare, 1878-2012”(2012)

Botues:
“Toni Bler për shqiptarët " (Ramiz Lushaj, 2001)

“Marrëdhëniet shqiptaro-hebraike” (Haxhi Bajraktari,2009)

“Medlin Ollbrajt- misionarja e Kosovës (Fatbardha Lauka, 2011)




Prof.Dr.Islam Lauka është i martuar me Fatbardha Laukën dhe ka një djalë dhe dy vajza.

Është shpallur dy herë qytetar nderi, fillimisht në komunën e Bytyçit (2010) dhe në Bashkinë e qytetit të Bajram Currit (2015), në të dyja rastet me motivacion të njejtë – për argumentimin shkencor dhe mbrojtjen diplomatike të çështjes së Kosovës, si dhe lobimin për njohjen e saj si shtet i pavarur dhe sovran.


******
Image result for islam lauka


Autor i librit “Rasti i Kosovës, universal apo sui generis”, që guxoi të shpjegojë asimetritë midis rastit të Kosovës dhe konflikteve të ngrira në hapësirën post-sovjetike. 

Z. Lauka bëri një analizë të thellë të situatës, saqë lexuesi nuk e pati të vështirë të kuptojë që Kosova është një rast “sui generis” dhe se nuk ka asnjë dilemë se çështja e Kosovës është një rast i veçantë. 

Ambasadori që mbrojti idenë se Kosova i përket mëvetësisë në Ballkan, të njohur historikisht si “fuçi baroti”, por që me fillimin e mijëvjeçarit të ri u vu në rrugën e paqësimit me vetveten dhe me të tjerët. 
Image result for islam lauka
Ish-drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, z. Lauka, nuk nguroi të analizojë deri në palcën e kurrizit, gjithçka e çdo lloj politike që kishte të bënte me Kosovën dhe të drejtën e saj për vetëvendosje. Ai apeloi fuqishëm kundër rikthimit të gjeopolitikës dhe revansheve të tipit “Ivashov”, kërcënime gjeneralësh të çfarëdo lloji. 

Por gjithnjë optimist se dita e lirisë për popullin e Kosovës ishte shumë e afërt. Dhe kur Kosova e kishte të pashmangshme pavarësinë, ai gjeti një “qetësi” të përkohshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, si drejtor i Përgjithshëm i Marrëdhënieve Shumëpalëshe. 

Por për t’u rikthyer fuqishëm, tashmë në Kosovën e lirë, si ambasador i Shqipërisë në republikën më të re të botës. Kush më mirë se Islam Lauka e njeh situatën kosovare. Është mik i politikës kosovare, i protagonistëve të saj me të cilët mban lidhje të hershme. 

Ai udhëton shpesh drejt Prishtinës, Prizrenit, apo Gjakovës, pak metra larg vendlindjes së tij, Tropojës. 

Në çdo shtrëngim duarsh prej miqsh, diplomati Lauka nuk hezitoi të japë “instruksione të qarta” për perspektivën e Kosovës, se ishte e afërt dita kur do të ndihej e pavarur dhe e lirë në trojet e saj dardane. 

Për Islam Laukën, pavarësimi i Kosovës ishte një proces i gjatë dhe kompleks, i përgatitur përmes vuajtjesh e sakrificash të panumërta, por edhe me kujdes, për shumë e shumë vite, nga klasa politike dhe populli i Kosovës dhe, duke filluar nga fundi i viteve ’90-të, edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Sipas tij, ky proces ka të bëjë para se gjithash me krijimin e shoqërisë demokratike dhe të shtetit ligjor, me ngritjen e institucioneve të qëndrueshme, me zbatimin e standardeve evropiane, me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve pakicë, me ndërtimin e ekonomisë së tregut etj. Por që sot, diplomati i karrierës, Islam Lauka, do të mbrojë në Kosovë politikat e jashtme të shtetit amë, Shqipërisë. 


Me qetësinë dhe maturinë që e karakterizon një diplomat, ai ishte zëri i Shqipërisë në Prishtinë e kudo mbarë në Kosovë, si ura lidhëse mes dy kombeve shqiptare në kontinentin evropian.



Flori Bruqi

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...