2015-11-23

Kriminalizimi i «shpifjes» ndaj zyrtarëve të lartë, kërcënim për demokracinë

Projektligji i mbështetur nga kryeministri Edi Rama për të kriminalizuar shpifjen kundër zyrtarëve të lartë i kthen orën mbrapsht demokracisë së brishtë shqiptare.



Nisma më e fundit e qeverisë shqiptare për të kriminalizuar shpifjen, e cila u mbajt e fshehur nga qeveria deri sa u dërgua në parlament, nuk është një rrufe në qiell të hapur për një maxhorancë që duket se ka pak tolerancë për zërat kritikë dhe për gazetarinë e pavarur.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama nuk synon të kriminalizojë çfarëdolloj shpifjeje! Propozimi i tij synon të kriminalizojë vetëm atë lloj fjale, shkrimi apo deklarate që shënjestron drejtuesit e shtetit. Shpifja, sipas propozimit të qeverisë, janë vetëm ato «sjellje që manifestohen përkundrejt funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhur, në rastin kur ndaj këtyre të fundit shpifet me qëllim dhe publikisht lidhur me fakte të cilat ligji i parashikon si vepra penale».

Propozimi synon të dënojë atë që qeveria e quan «shpifje ndaj zyrtarëve të lartë» me gjobë deri në tri vjet burg. Qeveria pretendon se kjo masë është e nevojshme për të ndaluar «abuzimet me lirinë e fjalës». Propozimi është bërë në atë pjesë të kodit penal që flet për «krimet kundër shtetit». Kjo nënkupton që nëse ndonjë qytetar thotë se ky apo ai ministër është hajdut, kjo konsiderohet shpifje dhe krim kundër shtetit dhe mund të dënohet me deri tri vjet burg. Por e kundërta, kur një zyrtar konsideron hajdut një qytetar, kjo nuk konsiderohet shpifje dhe as nuk dënohet.

Në Shtete e Bashkuara të Amerikës, zyrtarët dhe personat publikë gëzojnë shumë më pak mbrojtje ligjore ndaj akuzave publike, qoftë ajo fyerje apo shpifje, se sa qytetarët privatë. Shqipëria, si një vend që ëndërron të bëhet demokratik, po bën pikërisht të kundërtën, po blindon zyrtarët përballë qytetarëve, po i armatos ata me kërcënimin me burg.

Situata bëhet akoma më paradoksale kur merret parasysh se propozimi bëhet nga kryeministri aktual, njeriu që u godit në mënyrë barbare në vitin 1996 për lirinë e fjalës, apo të njëjtit njeri që shkoi në Paris më herët këtë vit në solidaritet me viktimat e sulmit terrorist ndaj karikaturistëve të Charlie Hebdo. Propozimi u kalua fshehtazi në qeveri, hyri në procedurë parlamentare pa e marrë vesh askush dhe u zbulua rastësisht më 11 nëntor 2015, plot tri javë pasi qe dorëzuar në Kuvend.

Mënyra se si u propozua projektligji, mënyra se si u mbajt i fshehur për shumë javë dhe mungesa e debatit publik për nevojën apo mungesën e nevojës së një ndryshimi të tillë, përbën një shqetësim më vete. BIRN Albania, si organizatë për zhvillimin e medias, mendon se projektligji i propozuar nga kryeministri Edi Rama është një hap i madh pas për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mendimit.

Liria e shprehjes është sakaq nga liritë më të dobëta që gëzojnë shqiptarët. Për shkak të pushtetit disproporcional të partitizmit në Shqipëri, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë frikë të flasin, kanë frikë të ngrenë zërin, kanë frikë të protestojnë. Për shkak të pushtetit pa kufij ligjorë të partitizmit në Shqipëri, çdokujt i rrezikohet vendi i punës, mirëqënia apo edhe ndihma ekonomike në rast se ngre zërin. Gazetarët, të cilët duhet të jenë zëdhënës të zërit të qytetarëve përballë autoriteteve, shumë shpesh mbyllin sytë dhe heshtin si pasojë e frikës nga autoritetet.

Mbetet për t’u parë se si mund të funksionojë kriminalizimi i shpifjes në kuadër të nismave të shumta të qeverisë për «denoncimin e korrupsionit», përmes aplikacioneve në internet si ai i hapur së fundmi stopkorrupsionit.al. Klima e lirisë së shprehjes sakaq është shumë e keqe dhe aspak e përshtatshme për të kryer debatet e nevojshme për një shoqëri demokratike.

Shpifja është një akt i shëmtuar, ndaj kujtdoqoftë, përfshirë edhe zyrtarët e lartë. Legjislacioni aktual shqiptar i hartuar në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës dhe OSBE-së, i jep të drejtë palës së prekur nga shpifja t’i drejtohet gjykatës, ose t’i drejtohet prokurorisë për kallëzim penal, por sipas kodit penal aktual, kjo vepër dënohet me gjobë kur është penale dhe me dëmshpërblim kur është padi civile. Ne mendojmë se legjislacioni aktual është mëse i mjaftueshëm dhe se nga viti 2012, kur u krye kjo reformë, deri më sot, nuk ka ndodhur kurrfarë spekulimi i jashtëzakonshëm me lirinë e shprehjes për të sugjeruar nevojën për ndonjë ashpërsim ligjor. Shqiptarët vuajnë aktualisht nga mungesa e lirisë, jo nga tepria e lirisë.

BIRN Albania mendon se nisma të tilla ligjore janë dyfish alarmante. E para për shkak të rrezikut që qytetarët dhe gazetarët t’i frikësohen burgut sa herë që shkruajnë apo hapin gojën për të kritikuar autoritetet, duke thelluar edhe më tej nivelin ekzistues të ushtrimit të vetëcenzurës dhe; e dyta për shkak se propozimi, më shumë se sa për kërcënimin me gjobë apo burg, është një sinjal i hidhur për mënyrën thellësisht difektoze se si qeveria aktuale mendon për lirinë e shprehjes.

Propozimi i projektligjit bashkë me relacionin përkatës do të mbetet një njollë e zezë mbi qeverinë aktuale. Kjo njollë do të rëndojë mbi qeverinë edhe nëse ajo e tërheq menjëherë projektligjin dhe kërkon ndjesë të thellë. Klasifikimi i shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë si “krim kundër shtetit” është një masë që ne gjykojmë se mund të ndërmerret vetëm nëpër vende autokratike si Rusia, Turqia, Egjipti apo Azerbajxhani.

BIRN Albania inkurajon fort qeverinë të tërheqë menjëherë projektligjin në fjalë, inkurajon fort Kuvendin e Shqipërisë të mos e votojë atë, inkurajon shoqërinë shqiptare të kundërshtojë me forcë këtë propozim.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...