2015-11-30

Femrat që skandalizuan shoqërinë e kohës kur jetuan

Joanna Hiffernan krijoi mjaftueshëm skandal si një modele e pamartuar, e cila pozonte për të dashurin e saj amerikan, piktorin James Abbott McNeil Whistler



Femrat që skandalizuan shoqërinë e kohës kur jetuan
Sidonie Gabrielle Colette, e njohur thjesht me emrin e saj artistik Kolet, ishte një noveliste dhe performuese franceze në fillim të shekullit të 20

Luisa Casati mahniti Europën për disa dekada dhe ka frymëzuar shumë piktorë, shkrimtarë, krijues mode dhe regjisorë filmash me stilin e çuditshëm të jetës saj

Joanna Hiffernan krijoi mjaftueshëm skandal si një modele e pamartuar, e cila pozonte për të dashurin e saj amerikan, piktorin James Abbott McNeil Whistler

Kleopatra, faraonia e fundit legjendare e Egjiptit të lashtë, është e njohur për fuqinë e saj, joshjen dhe hakmarrjen. Ajo diti ta përdorë joshjen për të marrë atë që donte

Gruaja & historia

Nga Kleopatra te lezbiket dhe ato që ngisnin kuaj lakuriq, shumë femra kanë bërë jetë luksoze dhe të shfrenuar mes flirteve, lidhjeve jashtëmartesore dhe shkeljes së moralit shoqëror të kohës. Ja gratë që kanë tronditur historinë

Gjatë gjithë historisë, gratë kanë shkaktuar luftëra, kanë sfiduar rregullat dhe kanë gjunjëzuar meshkujt. Mbretëreshat, aktoret, femrat e divorcuara dhe dashnoret, të famshme apo famëkeqe, kanë hapur debate të forta gjatë gjithë jetës së tyre. Ja cilat janë femrat fatale të historisë.

Kleopatra, faraonia e fundit legjendare e Egjiptit të lashtë, është e njohur për fuqinë e saj, joshjen dhe hakmarrjen. Ajo diti ta përdorë joshjen për të marrë atë që donte. Kleopatra shkoi te Cezari e mbledhur brenda një tapeti persian, përpara se të bëhej dashnorja e tij. Pastaj, u bë e dashura e Mark Antonit, ndërsa lidhja e tyre mbaroi me fundin e jetës së tij dhe vetëvrasjen e Kleopatrës nga helmimi i një gjarpri.

Wallis Simpson, një amerikane e shquar, burri i tretë i së cilës ishte princi Eduard, duka i Uindsorit. Dy herë e divorcuar, Wallis krijoi një emër jo të mirë kur u bë dashnorja e mbretit të ardhshëm të Anglisë. Por ajo e pa botën kur Eduardi e braktisi fronin për t’u martuar me të. Dyshohet se ajo simpatizonte nazizmin, sikurse dhe Eduardi.

Joanna Hiffernan, një modele irlandeze dhe muzë e shumë artistëve të shekullit të 19, për të cilët ajo pozonte. Joanna krijoi mjaftueshëm skandale si një modele e pamartuar, e cila pozonte për të dashurin e saj amerikan, piktorin James Abbott McNeil Whistler. Por tronditja e vërtetë erdhi kur ajo filloi të pozonte për miqtë e Whistler, me të cilët edhe pati lidhje. Veçanërisht me piktorin francez, Gustav Kurbe. Besohet se Hiffernan është modelja e veprës “Origjina e botës” të Gustav Kurbe.

Luisa Casati, një trashëgimtare italiane, muzë dhe padrone e artit. Mahniti Europën për disa dekada dhe ka frymëzuar shumë piktorë, shkrimtarë, krijues mode dhe regjisorë filmash me stilin e çuditshëm të jetës saj. Ajo është e njohur për shëtitjet me gëzofët e mëdhenj, poshtë të cilëve nuk vishte asgjë dhe në vend të bizhuve vinte gjarpërinj të gjallë. Bënte festa të jashtëligjshme me shërbyese nudo e të praruara në ar dhe manekinë prej dylli, të ulur në tavolinën e darkës. Ajo frymëzoi artistët e shumë shekujve më pas.

Lady Godiva, një fisnike anglosaksone e shekullit të 11, është e njohur për kalërimin nudo. Sipas legjendës, zonja ndiente keqardhje për popullin që po vuante nga taksat e rënda të të shoqit. Për ta bindur burrin e saj që ta çlironte popullin nga taksat, ajo zhvishej dhe kalëronte një kalë përgjatë gjithë qytetit, ndërsa flokët e saj të gjatë ia mbulonin trupin. Thonë që një mashkull që e pa atë teksa i kishte hipur kalit e zhveshur, u verbua.

Alma Mahler, gjatë fillimit të shekullit të 20, Alma Maria Mahler Gropius Werfel ishte një austriake e shquar, muzë dhe kompozitore, e cila u martua dhe pati lidhje me burra të shquar. Ajo pati edhe një flirt me piktorin Gustav Klimt. Ndërsa kishte lidhje të vazhdueshme gjatë viteve, lidhja më e rëndësishme ishte me piktorin Oskar Kokoschka. Pasi ajo refuzoi të martohej me të, ai porositi një kukull me përmasa njerëzore në shëmbëlltyrën e saj, me të cilën të kryente marrëdhënie në vend të Almës.

Bettie Page, në vitet 1950 u bë e famshme si një modele posterash provokues. E quanin “Mbretëresha e posterave seksi”. Bettie ishte ndër modelet e para të revistës “PlayBoy”. Është etiketuar si skandaloze për shkak të pozimeve me objekte seksuale dhe shumë mazokiste.

Bonnie Parker, partnerja e famshme e Klajdit, çiftit kriminal Boni dhe Klajdi gjatë Depresionit të Madh. Kur ajo ishte pjesë e bandave që vidhnin dhe vrisnin në të gjithë Amerikën, Boni kurrë nuk qëlloi. Por ajo e fitoi famën e saj falë fotos në të cilën mbante një armë dhe një cigare në gojë, diçka shumë shokuese për femrat në atë kohë. Publiku ngacmohej nga ideja se Boni dhe Klajdi, dy të rinj të pamartuar, me siguri bënin ‘pisllëqe’ dhe seks të paligjshëm.

Sidonie Gabrielle Colette, e njohur thjesht me emrin e saj artistik Kolet, ishte një noveliste dhe performuese franceze në fillim të shekullit të 20. Kolet ka pasur lidhje dashurie si me meshkuj dhe femra, përfshirë dhe Mathilde de Morny, me të cilën ajo performonte dhe në Moulin Rouge.

Meshkujt që gjunjëzuan femrat

Giacomo Casanova: aventurier venecian i shekullit të 18 dhe mjeshtër i dashurisë. Ai ishte dhurata e Zotit për gratë.

Gabriele D’Annunzio: poet italian, politikan dhe aventurier, i cili jetoi në vitet 1863-1938. I shkurtër, pa flokë dhe aspak i pashëm, ai ishte “dashnori më i mrekullueshëm i kohës së tij”.

Duc de Richelieu: diplomat francez i shekullit të 18, gjeneral dhe “hero i dhomave të gjumit”. Ai pati romanca me pothuajse çdo fisnike në Francë.

Lord Bajron: poet anglez dhe romantik i shekullit të 19. I çmendur, i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm, ai ishte shumë i dashur dhe thjesht i papërmbajtshëm.

5. Lucian Freud: një artist i madh anglez i kohëve të sotme dhe një dashnor shpërthyes i lidhur njëkohësisht me shumë femra. Të ishe me të, thoshte njëra, ishte sikur të ishe në kontakt me telat e një rrjeti elektrik.