Prof. Ardian Ndreca
A.N.: Kuvendi trajtonte problemin e randësisë së arkivave të Vatikanit për shkrimin e historisë sonë. Siç dihet, studjues si Valentini, Zamputti, Bartl, Sarro, Demiraj etj. janë marrë gjansisht me ato arkiva, tue na dhanë nji mozaik interesant që mundet dhe duhet të përditësohet tue shtue tesera të reja që të ndriçojnë ma shumë të kaluemen tonë. Nji prej objektivave ishte që të tërhiqej vemendja e shtetit shqiptar për randësinë e hulumtimeve sistematike nga ana e institucioneve shkencore të këtyne arkivave.
Pyetje: A mendoni se ka gjëra të reja për tu zbuluar?
A.N.: Patjetër që po. Për shembull studjuesja Blerina Suta solli diçka krejt të panjohun për Pjetër Budin, historiani Italo Sarro ka botue kohët e fundit dokumente të reja shumë interesante, edhe studjuesja Lucia Nadin solli disa letra të panjohuna të Bogdanit. Megjithatë nuk duhet të ndalemi vetëm tek “zbulimet sensacionale”, pse kemi pa dekadat e fundit mjaft sharlatanë që e kanë luejt deri në fund ketë kartë nepër media. Historia asht interpretim i fakteve dhe i dokumenteve, asht vizion në tanësi i asaj që njihet në detaj, prandaj duhet punë dhe mbi të gjitha duhen formue kërkues të rinj të pajisun me metodë shkencore dhe me instrumentet e nevojshme që mundësojë kërkimet arkivore.
Pyetje: Kemi vënë re sesi nga viti 2006 i keni dhënë hapësirë albanologëve të huaj dhe vendas në revistën Hylli i Dritës që ju drejtoni. A keni gjetur mbështetje tek shteti shqiptar për këtë mision?
A.N.: Nuk mendoj se shteti duhet të bajë gjithçka, nganjiherë mjafton edhe nji fjalë e mirë. Në të vërtetë revista mbahet vetëm me kontributin financiar të françeskanëve. Megjithatë, meqë doli kjo gja, mund t’ju them se kuvendi doli me nji rezolutë drejtue kryeministrit Rama, me anë të së cilës i kërkohet që të themelojë në Romë nji institut studimesh, apo akademi, siç e kanë shumë vende tjera si Hollanda, Egjipti, Rumania, Franca, ShBA etj., që të merret me studimin e arkivave vatikanase dhe italiane. Shpresojmë që kjo qeveri të mund të realizojë diçka në ketë drejtim.
Pyetje: Arkivat, dokumentet e pazbuluara, faktet e panjohura, na ndihmojmë që të shikojmë më me qetësi të shkuarën dhe të ecim drejt së ardhmes disi më të shpenguar. Besoj e keni ndjekur polemikën e fundit të Ben Blushit me figurën e Lef Nosit. A mendoni se po të kishte studjuar më thellë Blushi figurën e Lef Nosit, ndoshta nuk do të kishte bërë thirrje për të prishur monumentin e tij?
A.N.: E ndoqa nepërmjet shtypit polemikën që Blushi ka shkaktue këto ditë, me qëllim me promovue vetveten. Tue e pa çeshtjen me ftohtësi më ban përshtypje sesi nji parlamentar ban thirrje për shkatrrim të dhunshëm monumentesh. Në rastin konkret ai monument asht vu konform me ligjet dhe asnji deputet nuk e nderon nji thirrje si ajo e Blushit, prandaj jam dakord me të kur thotë se parlamenti asht i mbushun me individë mjerana.
Në qoftë se do ta kishte studjue sadopak historinë do ta dinte se populli i Elbasanit e donte dhe i ishte mirënjohës Lef Nosit pse ai e mbajti me bukë në kohën e krizave të Luftës së Parë Botnore, e shpëtoi prej lukunisë së haxhiqamilistave, ndihmoi me nji veprim filantropik bashkëqytetarët e tij, mblodhi dhe botoi dokumente historike me vlerë të padiskutueshme.
Nuk e di nëse qytetarët e Elbasanit kanë arsye me i qenë mirënjohësa Blushit sot për arsye të ngjashme? Sigurisht Blushi nuk ban mirë që mburret se nuk shkon prej disa kohësh në parlament, të paktën të kishte ndershmëninë me lanë mandatin dhe me u engledisë me romanza, por jo me marrë leje krijimtarie tue u pague me taksat e shqiptarëve që e kanë votue me i përfaqsue.
Do të ishte me shumë interes me zbulue proces verbalin e arrestimit të Lef Nosit, pse kur ai lëvizte prej malsive të Shkodrës drejt kryeqytetit, deri në ditët e fundit para arrestimit, kishte me vete, siç kanë dëshmue njerëz që e kanë takue para arrestimit, nji këllef të vogël me gur të çmueshëm që janë zhdukë. Do të ishte me interes me dijtë se ku kanë përfundue, pse sigurisht që ishin pronë e ligjshme e të zotit dhe vjedhja e tyne përban nji krim mbrenda krimit.
Do të shtoja se në qoftë se Blushit do t’i jepnin bezdi ata honxho-bonxhot që çdo vit dalin me fotot e diktatorit Enver Hoxha, do t’ia kishim marrë si parimor këtë reagimin ndaj Nosit, por Blushi ka nji ide komuniste për të majtën, prandaj ka qenë nji e mirë e madhe që e kanë mënjanue nga ajo parti. Blushin e shoh ma mirë përkrah Kastriot Islamit, Sali Berishës, Fatos Nanos, sesa Milena Haritos apo Niko Peleshit. Ndërsa si shkrimtar Blushi ka shumë shokë në Shqipni, ata të aradhës së logorroikëve pa talent, që janë shumica absolute e kategorisë dhe ta neverisin letërsinë.
No comments:
Post a Comment