Dëshmia e tij në Washington, para disa ditësh, u bë shkas që ai të jetë cak i sulmeve të disa politikanëve nga radhët e pozitës në Kosovë. Ish-kongresmeni amerikan dhe themeluesi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardi e quajti ndërmarrje haraçi partinë e Hashim Thaçit dhe shkaktare e humbjes së shpresës së qytetarëve në Kosovë.
Për këtë reagoi zëvendësi i Thaçit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Petrit Selimi. Ky i fundit u kundërpërgjigj duke thënë se deklaratat e DioGuardit janë si ato të Vucicit, Gjuricit e Jeremicit.
Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën Zëri, ish-kongresisti amerikan, i cili thotë me mburrje që ka gjak shqiptari, DioGuardi, pranon se është i zhgënjyer me të gjithë liderët politikë të shqiptarëve në Ballkan.
Pavarësisht se lobimin për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve e bën pa kurrfarë interesi financiar, DioGuardi thotë se një angazhim i tillë nuk vlerësohet nga politikanët si Hashim Thaçi.
Gjatë kësaj interviste ai mes tjerash flet edhe për themelimin e Gjykatës Speciale, i kundërpërgjigjet akuzave ndaj tij të Petrit Selimit, etj.
"Unë flas me shqiptarët të cilët vijnë në Washington dhe më tregojnë se sa keq është në Kosovë, ku ka 60% papunësi. Kjo është çmenduri. Nëse nuk keni një punë në Qeveri, atëherë nuk ka punë, as në bujqësi nuk ka asgjë. Kosova nuk po eksporton asgjë, përderisa Thaçi po kontrollon gjithçka. Ai ka njerëz këtu në Washington që e përkrahin, pasi që ata bëjnë para së bashku", ka thënë DioGuardi.