2015-11-25

DOSSIER: "20 Shkurti", Si u rrëzua monumenti i diktatorit...

Në ditët e para të shkurtit 1991, studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës, i parashtruan disa kërkesa qeverisë, midis të cilave edhe atë për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga ky institucion.
Këshilli i Ministrave nuk e pranoi këtë kërkesë, duke thënë se prekeshin ndjenjat e njerëzve pasi studentët nuk përfaqësonin gjithë popullin.
DOSSIER:


Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ua përcolli këtë njoftim studentëve gjatë takimit me ta.
Forcatpolitike filluan takimet për çtensionimin e gjendjes.
Nga ana tjetër në organin e PPSH-së botoheshin letra të organizatave të ndryshme pro Enver Hoxhës.
Gjendja u acarua derisa shkoi në grevë urie masive, gjë e paparë deri atë çast. Ramiz Alia zhvilloi me këtë rast një vizitë në Vlorë për të mbrojtur figurën e Enver Hoxhës. Njëkohësisht me këto ngjarje filloi të shfaqej dukuria e drejtimit të njerëzve në portet e Vlorës, Durrësit,etj, si përpjekje për t’u larguar
drejt Italisë.
Më 19 shkurt 1991 në “Zëri i Popullit” botohej letra që kryetari i Bashkimit të Veprimtarëve “Enver Hoxha”, Hysni Milloshi, i dërgonte Ramiz Alisë, në të cilën bëhej e ditur se 5 mijë “shokë dhe shoqe” nga rrethe të ndryshme të vendit kishin formuar më 12 shkurt 1991 në Berat, në sallën ku ishte mbajtur mbledhja e dytë e Beratit më1944-n, shoqatën në fjalë, për “mbrojtjen e idealeve të vërteta të demokracisë” dhe “forcimin e stabilitetit në vend”.
Në deklaratë përmendeshin “28 mijë dëshmorët”, ndërsa në thelb mbrohej figura e Enver Hoxhës, duke përdorur për ilustrim edhe disa fi gura të tjera historike.
Por edhe Këshilli i Ministrave me anë të një deklarate, mbrojti figurën e Enver Hoxhës, sikurse edhe
Plenumi i KQ të PPSH-së shprehu të njejtin qëndrim.
Partia Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës, përkrahën kërkesat e studentëve. Më 20 shkurt 1991 sindikatat e Tiranës ftuan popullin për protestë masive, gjë që ndodhi në orën 14.00 kur monumenti i Enver Hoxhës u rrëzua dhe u tërhoq zvarrë rrugëve të Tiranës.
Vetëm pas kësaj, Këshilli i Ministrave pranoi të hiqte emrin e Enver Hoxhës nga Universiteti “për arsye
riorganizimi”.
Ky ishte edhe akti i fundit i qeverisë, para se të jepte dorëheqjen. Të njejtën ditë u rrëzua edhe monumenti i Enver Hoxhës në Korçë. Ramiz Alia nëpërmjet televizonit shtetëror mbrojti figurën e
Enver Hoxhës si “themelues të shtetit shqiptar”, duke akuzuar për këtë “turmat e irrituara”.
Gjendja në vend u tensionua mjaft dhe u shfaqën shenjat e luftës civile, pro dhe kundër figurës së Enver Hoxhës.
Si u rrëzua monumenti i diktatorit
Njoftimi për Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë
Ngjarja ishte alarmuese për Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Udhëheqësit komunistë të strukur në vilat e rajonit të udhëheqjes, vila që ua kishin vjedhur pronarëve të tyre legjitimë për gati 50 vjet, prisnin një hakmarrje shembullore për të gjitha të zezat që u kishin bërë këtij populli.
Megjithatë, ata u informuan pas disa ditësh për ngjarjen e 20 shkurtit, e cila ishte sipas këtij versioni
shtetëror:
“Në mbrëmjen e datës 19 shkurt Drejtoria e Tiranës mori informacion se në sallën e leksioneve të Pallatit të Kulturës sapo kishte përfunduar mbledhja e sindikatës së pavarur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, ku ishte vendosur që në datën 20 të lihej puna nga gjithë punëtorët e ndërmarrjeve dhe në shenjë solidariteti me studentët grevistë të shkohej në qytezën e tyre. Lajmin për këtë vendim e dhanë edhe radioja e televizioni. Për të vlerësuar informacionin dhe përballuar situatat që mund të krijoheshin, u mblodhën drejtuesit e Ministrisë dhe të Drejtorisë së Tiranës.
Konkluzioni ishte se punëtorët mund të linin punën edhe ata të ndërmarrjeve të tilla si të miellit, të bukës, të qumështit e të tjerë, do krijonin shqetësime serioze. Prandaj edhe informacioni u transmetua edhe në organet e tjera me sugjerimin që të merreshin masat e mundshme për të parandaluar pasojat.
Mbledhjen e kuadrove të përmendura e përshkoi po ai shqetësim që kishin shkaktuar grumbullimet e mëparshme në mjediset e qytetit të studentëve.
Pra si do të evitohej përqendrimi i turmave nëse merrej një vendim nga organizatorët apo bëhej një thirrje spontane që ato të bënin manifestime te Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryeministria,
Komiteti Qendror ose në sheshin “Skënderbej”.
U vendos që të merreshin ato masa që ishin marrë edhe herë të tjera, por me përqendrim maksimal të
forcave.
Konkretisht u vendos që të mbylleshin me forca të përqendruara, duke paralizuar sulmin e turmave, të gjitha rrugët që lidhin rrugën “Labinoti” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Skënderbej”.
Kalimi në këto rrugë do të lejohej vetëm për individë ose grupe të vogla njerëzish që lëviznin qetësisht. U vendos gjithashtu, që punëtorët që mund të linin punën për të shkuar te studentët, të lëviznin në mënyrë të detyruar në drejtime të caktuara pa u dhënë mundësi që të përqendroheshin në sheshin “Skënderbej” e pranë objekteve që përmendëm.
Forcat e policisë zunë vendet e tyre në orën 07:00. Rreth një orë më vonë erdhën informacionet se nga qendrat e punës fi lloi lënia e punës dhe ngjitja e punëtorëve drejt qytezës së studentëve. Kolonat lëviznin paqësisht me përjashtim të punëtorëve të Valiasit që hidhnin parulla politike me përmbajtje fyese e shpifëse. Rreth orës 10:00 sheshi i emërtuar “Demokracia” u mbush si në asnjë nga rastet e tjera, ndërkohë që kolonat e njerëzve që vinin nga ndërmarrjet vazhdonin të ngjiteshin.
Të grumbulluarit rreth godinës ku ishin grevistët e urisë hidhnin parulla të njohura politike, ndërsa më lart punonjës të uzinës “Traktori” montuan një qendër zëri. Ata u paralajmëruan për cenim të ligjit dhe për të mos e përdorur atë. Kërkesa e policisë nuk u zbatua dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, të
sindikatës së pavarur, të uzinës “Traktori”, uzinës “Dinamo”, Rajmonda Bulku dhe ndonjë person tjetër, u folën masës së grumbulluar.
Folësit shprehën solidaritetin me studentët, kritikuan me fjalë të ashpra qeverinë dhe Kryetarin e
Presidiumit të Kuvendit Popullor. Me përjashtim të Rajmondës, të tjerët bënë thirrje për “qetësi”, për “t’u ruajtur” nga provokacionet etj, ndërsa Rajmonda bëri thirrje që gratë të mblidheshin te Presidiumi
dhe televizioni për të protestuar.
Afërsisht në këtë kohë në një nga ballkonet e konvikteve u shpalos një banderolë ku shkruhej “drejt
sheshit Skënderbej”.
Pas fjalëve të Rajmondës masa e njerëzve fi lloi lëvizjen me thirrje të ashpra drejt rrugës “Labinoti”, duke tentuar të çante bllokun e forcave në të gjitha rrugët që të çojnë në bulevardin kryesor.
Në të gjitha rrugët u sulmuan forcat e rendit, por në rrugën tek Liceu Artistik dhe në rrugët më poshtë saj sulmi mbi forcat e rendit ishte më i egër.
Përpjekjet e forcave për ti penguar zgjatën 45 min dhe përgjithësisht në sajë edhe të përforcimeve që u dërguan nga forcat e dislokuara tek sheshi “Skënderbej”, turmat u shpërndanë, grupe të vogla arritën te ushtarët e gardës që i stepën duke hapur zjarr në ajër prapa Kryeministrisë.
Pjesa tjetër e turmës u vu përballë forcave të policisë që kishin edhe qen në hapësirën midis kinema “Partizanit” dhe Pallatit të Kulturës. Kjo pjesë nuk sulmoi, por mbasi qëndroi disa minuta, vazhdoi
të dilte mbrapa hotel “Tiranës” dhe që aty u përqendrua para Muzeut Historik Kombëtar dhe duke dalë nga prapa tij u vendos edhe në lulishtet dhe kryqëzimet prapa monumentit të Enver Hoxhës.
Një grup i madh njerëzish u vendos përpara muzeut, në rreshtat e parë fëmijë e gra, disa prej të cilave, të ulura në tokë, hapën gjoksin përballë policëve. Forcat e caktuara për mbrojtjen e sheshit me ndihmën e një zjarrfi këse e boshatisën atë.
Për të ruajtur gjendjen dhe duke qenë se forcat që kishin zënë vijën e bllokimit nuk e justifikoi plotësisht qëndrimin, pjesa më e madhe e tyre u thirrën për të mbrojtur rendin në sheshin
“Skënderbej”.
Sheshi u bllokua dhe u pastrua nga demonstruesit në të gjithë perimetrin e tij duke përfshirë
edhe shtatoren e shokut Enver. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë, valë të tjera demonstruesish që erdhën nga banka e rritën presionin mbi forcat e rendit.
Rrethimi i policisë nga krahu i shtatores u ça. Turma u shty katër herë, por pas kësaj forcat e policisë ishin krejtësisht të pa zonjat për ta mbrojtur monumentin me forcën e krahëve, megjithëse morën detyrë të rrethonin e mbronin vetëm monumentin.
Forcat rezervë ishin përdorur, të tjera nuk kishte. Një grup nga turma filloi të shtyjë me supe monumentin dhe ai nisi të luhatej djathtas, derisa u anua.
Në këtë pozicion u lidh me të një litar dhe me tërheqje u rrëzua. Kishte kohë që për mbrojtjen e shtatores ishte organizuar një shërbim për të evituar shkatërrimet me dinamit, ose rrëzimin me tërheqje nga automjete të tonazhit të madh.
Për të plotësuar detyrën, si më parë, edhe në datën 20 qëndronte i gatshëm veç forcave edhe një oficer xhenier, ndërsa hyrja e automjeteve ishte e bllokuar.
Megjithëse u parashtrua, policia nuk ishte një gjendje të evitonte as zvarritjen e monumentit, edhe pasdite me shumë vështirësi ajo mundi t’i hiqte një turme një pjesë të shtatores.
Pa përjashtuar faktorë të tjerë duke përfshirë në to edhe ata organizativë e drejtues, na duket se tre janë të dukshmit që e vunë në pamundësi policinë për të mbrojtur shtatoren dhe në përgjithësi rendin në datën 20 shkurt:
1-Raporti i forcave ishte në disfavor të forcave të sigurimit të rendit. Gjithsej Ministria e Punëve të Brendshme kishte 1.200 forca që përbëheshin nga reparti 326 e 711, të Drejtorisësë Tiranës dhe të dy shkollave.
2-Forcat tona ishin dhe janë të pa pajisura, shkopinjtë e gomës dhe mburojat plastike nuk janë të mjaftueshme. Armët e zjarrit që nuk u përdorën mund të evitonin rrëzimin e shtatores, por edhe mund të
mos e evitonin.
3-Një pjesë e konsiderueshme e forcave ishin lodhur para se të vinin në sheshin “Skënderbej”. Por edhe ato që nuk ishin ndeshur më parë, nuk rezistuan më shumë se një orë.
Grumbullimi i grave te Presidiumi i Kuvendit Popullor që u hoqën forcërisht nga policia para se të bëhej thirrja për miting, grumbujt në sheshin “Skënderbej”, dalja e punonjësve të Radiotelevizionit dhe presioni që bënin ata mbi forcat e rendit për t’i lejuar turmat të kalonin drejt Kryeministrisë, banderola e shkruar dhe veprime të tjera, dëshmojnë për veprimtari të organizuar më parë që nuk ishte
e njohur nga organet e punëve të brendshme”.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...