Izbica, Çikatova, Qirezi janë vetëm disa nga fshatrat e Drenicës që në momentet kur flitet për to të shkojnë në mendje vrasjet dhe krimet e kryera aty nga serbët në pranverën e vitit 1998.
Përgjegjësia për këto vrasje, sipas dokumentacionit nga Tribunali i Hagës dhe dëshmitarëve okularë e oficerëve serbë, të mbledhura nga Fondi për të Drejtën Humanitare, bien mbi Brigadën Motorizuese 37, e udhëhequr atëkohë nga gjenerali Ljubisha Dikoviq, tash shef i shtabit të Ushtrisë Serbe.
23 faqe është dosja e parë mbi krimet e luftës të bëra në Kosovë mbi shefin e Ushtrisë së Serbisë, derisa ekziston edhe një dosje e dytë, por që kurrë Prokuroritë nuk u morën me to.
Bekim Blakaj, që udhëheq Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë se Brigada 37, komandant i së cilës ka qenë Dikoviqi, ka operuar në Drenicë dhe është përgjegjëse për disa krime që kanë ndodhur atje.
Megjithëse, Blakaj është i vetëdijshëm që KFOR-i e ka partner ushtrinë serbe dhe takimet e tilla janë të pashmangshme, sipas tij, ardhja e Dikoviqit në Prishtinë ka qenë vendim i pamatur dhe është fyerje për viktimat e luftës.
Pos këtyre edhe varrezat në Rashkë dyshohet të jenë vepër e shefit të ushtrisë serbe, pasi ekzistojnë fakte që trupat e shqiptarëve janë bartur nga Drenica për në Serbi, bartje që është kryer nga brigada që është udhëhequr nga Dikoviqi.
Ky dyshim forcohet edhe për faktin se vetëm pak metra larg vendit ku u gjetën trupat e mbi 50 shqiptarëve në Rashkë ndodhet edhe kazerma e Brigadës së Dikoviqit.
Por, pavarësisht kësaj, institucionet e Kosovës nuk e kanë thënë asnjë fjalë të vetme për vizitën e njeriut që mbahet përgjegjës për disa nga masakrat më të mëdha në Drenicë.
KTV-ja ka provuar ta ketë një prononcim nga Qeveria, por e gjitha ka mbetur në tentativë.
Ndërkohë, as KFOR-i nuk ka dashur ta komentojë vizitën e shefit të Ushtrisë Serbe në Kosovë, duke thënë se krejt çka ka pasur të thotë është në web faqen e tyre.
E në fakt aty vetëm tregohet se vendimi ishte marrë si përgjigje ndaj përkushtimit të vazhdueshëm të Serbisë në normalizimin e hapësirës ajrore në Ballkan dhe reflekton bashkëpunimin pozitiv mes KFOR-it dhe forcave të armatosura serbe brenda kornizës së komisionit për zbatimin e përbashkët.
«Lirimi i hapësirës së sigurt ajrore është hap i rëndësishëm drejt normalizimit të hapësirës ajrore ballkanike. Kjo tregon që rajoni është në rrugë të integritetit të plotë në hapësirën evropiane ajrore», është thënë në komunikatën e KFOR-it.
E përveç reagimeve opozitare, ka reaguar edhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, duke potencuar se bazuar në vetë faktin që Serbia ende nuk ka kërkuar zyrtarisht falje për krimet e kryera në Kosovë dhe se ende nuk është vënë drejtësia në vend për këto krime, KFOR-i duhet t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për këtë provokim dhe ofendim të rëndë që u është bërë viktimave dhe familjeve të tyre.