Dëshira që të dëshmohet se Serbia i ka të gjitha të drejtat që të fitojë një pjesë të Shqipërisë, me qëllim që ta ketë daljen në det, ka qenë aq e madhe, saqë humbej çdo sens kritik edhe tek autorët seriozë. Kjo kërkesë më pak është argumentuar me «të drejtat» e serbëve e më shumë me paaftësinë e shqiptarëve për jetë të pavarur shtetërore.
Stereotipi më i përhapur për shqiptarët në historiografinë serbe është ai për mungesën e dëshirës për shtetin e vet tek shqiptarët, që ka sjellë edhe zvarritjen dhe ngadalësimin i së drejtës për shtet. Qysh në vitin 1878, Aliksijeviq u ka dhënë të drejtën shqiptarëve që ta themelojnë shtetin në perëndim dhe jug të Drinit, por «vetëm nëse kanë kushte morale edhe nëse ndonjëherë ka ekzistuar shteti i ndërtuar nga fëmijët që vjedhin dhe grabitësit» (Aleksijeviq, 1878:7), përderisa Haxhi-Vasileviq shkruante se shqiptarët kanë filluar «të kërkojnë pavarësinë» duke ua mohuar serbëve të drejtën në pronë (Haxhi-Vasileviq, 1906:40). Para luftërave ballkanike, Luba Jovanoviq ka shkruar se gjendjen e njohur në Serbinë e Vjetër e kanë krijuar «shqiptarët e papërmbajtur dhe të egër», të cilët as Carigradi (Stambolli) «nuk mund t’i qetësojë», duke thënë se ata mund t’i ndalojë vetëm Serbia, e cila me çlirimin e Serbisë së Vjetër do të përfundonte me «asgjësimin e egër të popullsisë lokale serbe». Ka besuar se shqiptarët «nuk kanë të drejtë që të mbesin në këtë tokë ku kanë zënë vend me dhunë», por ka qenë kundër të largohen me dhunë ose ndaj tyre të sillen si ndaj një mase njerëzish të kapur, të përvetësuar.
«Për ta nuk kemi nevojë»
Edhe pse shprehej se aty ata do të mund të mbeteshin si qytetarë serbë, të cilëve nuk do t’u mohohej kombësia, megjithatë ka konstatuar se «për ata nuk kemi nevojë». Jovanoviq ka menduar se edhe shkenca e vërtetë nuk pranon «se me atë grabitje mizore mund të arrihet, çfarëdo, si e drejta e pronës, andaj edhe Serbia me popullin e saj ka të drejtë të pranojë vlerën e vërtetë të gjendjes që ashtu me hajni është krijuar në këtë pjesë të mirënjohur të atdheut tonë» (Jovanoviq, 1910:14–16).
Në veçanti, vitet më pjellore të botimeve për shqiptarët, të kaluarën e tyre, e veçanërisht për «karakterologjinë» e tyre kanë qenë vitet e luftërave ballkanike. Qëllimi primar politik i Serbisë që të dalë në detin Adriatik, bartja e idesë për ekspansion nga jugu (Selaniku) e deri në jugperëndim (Durrës) të krijuar nga besimi për pamundësinë e mbijetesës ekonomike dhe politike të një shteti kontinental, ka kushtëzuar nevojën politike ditore për dhënien e argumenteve «shkencore» ndaj kërkesave të tilla. Stereotipat e vjetër për shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë (muhaxhirët) tash është dashur të barteshin në planin global, dhe imazhi i përgjithshëm për shqiptarët është dashur të jetë i barabartë në notën e paaftësisë së tyre për jetë të pavarur shtetërore që të arsyetohet ekspansioni ndaj këtyre viseve (nëpërmjet të cilave krijohej dalje në det), e ndaj të cilëve kurrë nuk është referuar tregimi «për çlirimin e vëllezërve». Është interesante të vërehet se intelektualët nacionalistë serbë që aq shumë kanë shkruar për «parimin kombëtar», «zgjimin e popullit», Ballkanin që u takon ballkanasve, e veçanërisht ata të cilët kanë kërkuar aq shumë respektimin e të drejtave të secilit popull për liri, asnjë nga këto parime nuk janë zbatuar ndaj shqiptarëve. As që kanë menduar që ndonjëra nga këto të drejta për liri duhet t’u referohet edhe atyre.
Historianët në aksion polik
Dëshira që të dëshmohet se Serbia i ka të gjitha të drejtat që të fitojë një pjesë të Shqipërisë me qëllim që ta ketë daljen në det ka qenë aq e madhe, saqë humbej çdo sens kritik edhe tek autorët seriozë. Kjo kërkesë më pak është argumentuar me «të drejtat» e serbëve e më shumë me paaftësinë e shqiptarëve për jetë të pavarur shtetërore. Për ata, si primitivë dhe të paaftë për shtet, prekja e civilizimit serb në shtetin serb do të ishte e dobishme. Nga ana tjetër, për vërtetimin e argumenteve janë marrë tiparet bazike «në karakter» të serbëve dhe shqiptarëve nga të cilat kanë rrjedhur edhe disa «të drejta» të caktuara. Lufta e serbëve për lirinë e moralit, sipas mendimit të këtyre autorëve, do të shpërblehet me territore për të cilat nuk kanë qenë të sigurt që i takojnë, e «plaçkitja» e shqiptarëve do të dënohet me mohimin e së drejtës për tokën ku kanë jetuar. Këtu, mes këtyre autorëve të elitës intelektuale nuk do të mund të haset një autor që do të mbështeste të drejtën e shqiptarëve që të fitonin shtetin autonom. Përkundrazi, ajo kërkesë është vlerësuar si element i panatyrshëm dhe i padrejtë i luftës të drejtuar veçanërisht ndaj Serbisë dhe përparimit të saj.
Me rastin e Luftës së Parë Ballkanike, Jovan Cvijiq ka botuar disa artikuj me qëllim që të arsyetonte këto kërkesa politike. Duke shkruar se «Serbia e Vjetër del me një rrip të ngushtë në Detin Adriatik rreth Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit» është përkushtuar ndërtimit të hekurudhës deri në bregdet (Cvijiq, 1912:7,13), por e vërente «incidentin» që ajo do të kalonte nëpër zonat e banuara me shqiptarë, duke theksuar që është e njohur «pabesia e këtij populli ndaj komunikimit dhe është i njohur se si ky popull lehtë ngazëllehet dhe le të ngazëllehet» (Cvijiq, 1908:51). Shënonte se ushtria serbe, duke shkuar drejt «bregdetit arbanas» që të marrë portin në Shëngjin (San Giovanni di Medua) dhe Durrës, nuk ka hasur në asnjë rezistencë tek Mirdita, të cilët janë «popullatë e trazirave, të njohur për gjakmarrje» dhe «sipas bindjes së përgjithshme janë fiset më të egra jo vetëm në Evropë» (Cvijiq, II (1912) 1921:11).
Olivera Milosavleviq (1951-2015) ka qenë historiane serbe dhe ligjëruese në Fakultetin Filozofik në Beograd. Është e njohur për qasjen kritike ndaj historiografisë bashkëkohore serbe dhe thyerjen e miteve kombëtare të përhapura në librat e historisë. Teksti i mësipërm është pjesa e tretë e një punimi të gjatë të Milosavleviq mbi raportet serbo-shqiptare.