Kleopatra, mbretëresha që gjunjëzoi dy perandorë

cleopatra_glamour_3jun13_PR_b_592x888


























Pamja e saj e jashtme për të cilën thuhet se kishte qenë e papërballueshme, karakteri i saj për të cilën është thënë se ishte aq sugjestionuese, e mbi të gjitha, joshjet e saj që tundonin këdo- këto, pra, kanë ardhur nga koha në kohë nga historianë të ndryshëm, për njërën nga femrat më moderne të antikitetit,- Kleopatra, e cila në histori ka hyrë si gruaja- mbretëreshë e Egjiptit, por që trazoi perandorinë më të madhe të kohës, Romën. Disa historianë të tjerë i kanë kundërshtuar fjalët që janë thënë për bukurinë e saj, madje edhe e kanë portretizuar atë. Me gojë pak më të madhe se një mesatare, hunda e gjatë dhe pak e kthyer, por historia i ka dhënë asaj një mitikë të madhe dhe kështu ajo hyri në histori- gruaja më moderne, më joshëse dhe me sa duket, kjo për faktin se u bë një zë i vetëm në atë shkreti kohe, dhe, për më tepër, tërhoqi me sharmin dhe hiret e vet dy nga perandorët më të mëdhenj të kohës, Cezarin dhe Mark Antonin. Historia e saj është e madhe. E mbushur me intriga e aftësi shpërthyese, një femër aq karizmatike, ku hakmarrja ishte fund e krye pronë e saj, e për këtë foli e gjithë bota antike që nga Greqia, Egjipti e deri thellë Evropës. E si mund të sillte kaq trazime një femër e cila nuk mund të ishte e bukur dhe kaq tërheqëse? Dhe ky argument mjafton të bindemi se ajo ka qenë një femër e përkryer te e cila janë mëshiruar të gjithë elementët e duhur për të trazuar deri në përmbysje perandori e perandorë. Historia zë fill pas vdekjes së Aleksandrit të Madh të Maqedonisë në vitin 323 p.e.k. Prijësit e luftërave të mbretit maqedonas, gjeneralët, ndanë pasuritë e luftës së tyre, kufijtë e së cilës ishin deri tutje Egjiptit. Dhe Ptolemeu arriti me merrte së bashku me kufomën e mbretit maqedonas, edhe tokat e Egjiptit. Kryeqytet bëri Aleksandrinë, një qytet i themeluar nga vetë Aleksandri. Egjiptin ia la trashëgim të birit dhe kështu bir pas biri, ai ndërtoi një dinasti e cila nuk ishte me gjak egjiptian, ata vetë ishin maqedonas dhe kishin një kulturë e gjuhë greke, dhe që për fatin e tyre të mirë, do të mbretëronin në një vend të largët që kishte histori jo më pak se Greqia e tyre. Kjo dinasti lejoi e respektoi zakonet e vendasve, solli shumë përkrahës nga origjina e tyre të cilët sollën edhe kulturën e tyre. Në fillimet e saj dinastia mbretëroi qetësisht, nga pak ajo zgjeroi kufijtë, por mëtonjësit e fronit filluan të zgjoheshin. Kështu mëtonjësit ishin së pari nga rivaliteti familjar, shto edhe gjendjen e dhunës e pasigurisë, revolta e banorëve të qyteteve, ngjarje të cilat e kishin vënë mbretërinë përpara pengesave serioze. Por, si të mos mjaftonin këto, në vitet 200, mbi Mesdheun Lindor, u dukën shenjat e para të një kërcënimi romak. Ishte perandoria më e madhe e rradhës e cila kërkonte të zgjeronte kufijtë e saj tani në Lindje. E kështu Egjipti ishte tani në hartat e reja të Perandorisë Romake. Ptolemeu XII vdiq në pranverën e vitit 51. Ai kishte 30 vjet në një fron aq të trazuar dhe la pas dy vajza e dy djem. Ai kishte lënë edhe një testament, një kopje të të cilit e kishte dërguar në Romë duke shpresuar se ajo mund të ishte një garante e mirëfunksionimit të këtij testamenti. Testamenti parashikonte që froni do të qeverisej nga dy fëmijët e tij të mëdhenj, përkatësisht nga Kleopatra si dhe nga djali i madh që ishte Ptolemeu. Ajo ishte 18 vjeçe, ndërsa i vëllai ishte dhjetë. Por tradita nuk e lejonte një trashëgimi të tillë. I pari duhej të qeveriste djali e më pas e motra. Por mosha e vogël e djalit detyronte që vendi të qeverisej nga një këshill qeverisës. Por Kleopatra ndërhyri fort. Ajo e përjashtoi emrin e të vëllait nga dokumentat zyrtare dhe urdhëroi që të shtypeshin dokumenta zyrtare tani jo me emrin e të vëllait, por me emrin e saj. Si më e madhe, ajo e kishte një avantazh të cilin diti ta shfrytëzojë mjeshtërisht dhe një ditë ajo mori frenat e qeverisjes. Ajo ishte tepër inteligjente, kishte ambicien e duhur, kishte lëvizur kudo nëpër mbretëri, kishte studiuar dhe avantazhi i saj më kryesor ishte aftësia e saj në mësimin e gjuhëve të huaja. Ajo zotëronte shumë gjuhë, ndërsa paraardhësit e saj nuk mësuan dot as gjuhën vendase. Që në vitin e parë të mbretërimit të saj u dukën shenjat e saj të para se ajo nuk mund të dorëzohej lehtë. Ajo rriti ndjeshmërinë e qeverisjes ndaj vendasve si dhe pranoi autoritetin dhe fuqinë e Romës. Por këto prirje të mbretëreshës së re nuk u panë me sy të mirë nga rrethonjësit e saj. Kishte qarqe greko-egjiptiane të cilat e panë veten të përjashtuar nga mbretëresha e re, të cilët kërkuan të sjellin në pushtet djalin e madh të Ptolemet XII që tani ishte me të njëjtin emër, por tani XIII. Gjendja u përkeqësua sa një ditë mbretëresha u detyrua të braktisë Aleksandrinë, gjeti mbështetje në Egjiptin e sipërm, madje emigroi në një vis të Palestinës. Atje nuk ndenji duarkryq. Kërkoi të mbledhë mbështetës kryesisht ushtarë të cilët do ta ndihmonin të rimerrte fronin në të cilin tani ishte ulur i vëllai e që së bashku me këshilltarët kishin mbledhur ushtrinë e tyre të gatshme të mos lejonte kthimin e ish-mbretëreshës në Aleksandri. Kufiri lindor ishte nën mbikqyrjen ushtarake. Vëlla e motër ishin të gatshëm të hidheshin në një luftë kundër njeri-tjetrit dhe në një qytet aty afër, në Peluz, mbërriti Pompei, perandori romak i cili kishte humbur luftën në Farsala me Cezarin. Pompei erdhi në Aleksandri për të kërkuar ndihmë të cilën kërkonte ta hidhte kundër Cezarit, por nga ana e vendasve ajo nuk u mirëprit. Nga frika se dorën e shtrirë të tij mund ta përkëdhelte e motra që ishte zgjuar pak kilometra më tej, vëllai urdhëroi që të vritej Pompei. Ndryshe llogaria atij i dilte keq. I dilte keq se ai njihte mirë edhe prirjen e së motrës të cilën ajo nuk e kishte mbajtur të fshehtë për një bashkëpunim me romakët, nëse ata ua kërkonin atë. Dhe katër ditë më pas, në dyert e Aleksandrisë erdhi vetë Cezari i cili kërkoi të lante duart njëherë e mirë me mbeturinat e perandorit tashmë të vdekur. Vetëm kështu ai mund të ishte zotërues i plotë në Romë dhe për më tepër, mund të siguronte mbështetjen e duhur për të zotëruar skenën e madhe të Perandorisë Romake. Tani Kleopatrës iu shfaq një rast i artë të cilin ajo nuk e la t’i ikte duarsh. Ajo e dinte mirë se vetë Cezari do të kërkonte pikërisht atë të ishte ulur në fronin mbretëror dhe jo vëllanë e saj, dhe me këtë rast, Kleopatra me një gur vriste dy zogj. Merrte fronin dhe largonte të vëllanë përfundimisht. Kështu Kleopatra i ofroi Cezarit aleancën e saj të re. Cezari ishte vendosur në kufi të Egjiptit dhe ishte gati e pamundur që ajo të siguronte një takim me të. Por një natë, ku errësira kishte mbretëruar gjithandej, Kleopatra me vetëm një mbështetës, në një varkë të vogël i afrohet pallatit mbretëror ku ishte vendosur Cezari. Duke mos patur dot mundësi tjetër, ajo u fut në një thes që përdorej për mbulesa udhëtimi, thes të cilin mbështetësi e hodhi në sup dhe vrapoi drejt pallatit mbretëror. Ishte takimi i parë i Kleopatrës me Cezarin, takim i cili ka mbërthyer dhjetëra shkrimtarë, historianë duke shkruar mijëra faqe për atë natë. Por të gjithë kanë rënë në një mendje: Kleopatra, me bukurinë, tharmin, pasionin, hiret e saj të cilat dinte t’i përdorte mjeshtërisht, e ka fundosur nën pushtetin e saj perandorin e Romës, i cili njihet për pasionin e tij ndaj femrave. Ndaj për të është thënë se edhe shokët e tij ia fshinin gratë e veta nga vështrimi tij, sepse ai ishte një feminist i thekur që më pas historia e ka njësuar me Don Zhuanin apo Kazanovën. Ai ishte 52 vjeç dhe ajo ishte 21. Ajo u pushtua nga emri i një njeriu të lavdishëm, një emri i një perandori që zotëronte një perandori aq të madhe dhe ai u josh nga një bukuri aq e lakmuar. Ai u josh edhe nga një femër e cila zotëronte veten për mrekulli, zotëronte një kulturë befasuese dhe për më tepër një vendosmëri politike të lartë. Vëllai që ra në kontakt me të vërtetën, nga ana tjetër, filloi të lëvizë duke nxitur anën rebele te qytetarët e vet e duke denoncuar tradhtinë e motrës së vet. Dhe u takuan një ditë. Në prani të Cezarit që po takohej me Ptolemeu, ishte edhe Kleopatra. Vëllai iku i çmerituar nga takimi. Doli duke bërtitur, vraponte si i çmendur, përplasi kurorën në tokë dhe duke e poshtëruar tradhtinë e së motrës, u bënte thirrje qytetarëve të Aleksandrisë që të ngriheshin kundër Cezarit dhe Kleopatrës. Gjendja u përkeqësua. Kleopatra u detyrua të dalë para qytetarëve dhe t’u premtojë atyre se pushtetin do ta ndajnë sipas testamentit të babait, ndërsa Cezari premtoi se do t’u kthejë atyre ishullin e Qipros të cilën perandoria e tij ua kishte marrë. U bë marrëveshja, por ajo ishte kohëshkurtër. Vëllai fitoi njëfarë qetësie, e cila i mjaftoi që të niste një tjetër luftë nga e cila ai priste larjen e duarve me pushtetin e së motrës si dhe nga rreziku romak. Të zënë në befasi, Kleopatra dhe Cezari u mbyllën në pallatin e tyre mbretëror e kështu fillo ajo që në histori ka hyrë si “lufta aleksiandrine”, një luftë e ashpër e cila zgjati për gjashtë muaj. Ata po kërkonin të iknin nga pallati i cili ishte pranë një gjiri deti. Një gjeneral i tij mundi të krijonte një shteg, dhe gjatë luftimeve në port ra një zjarr i famshëm i cili dogji një pjesë të bibliotekës së madhe të Egjiptit, zjarri u shtri përreth dhe nga ky kaos mundi të çajë rrethimin Cezari me Kleopatrën. Ata vendosën kontroll mbi këtë port të vogël dhe, ndërsa ikën nga rrethimi, ndeshën me trupat e tij të cilat vinin nga lindja për të ndihmuar perandorin e tyre. Dhe më 27 mars të viti 47 u bë një betejë e madhe në luginën e Nilit. Mbreti, Ptolemeu XIII tentoi të largohej me një barkë e cila u përmbys në ujërat e Nilit duke e mbytur atë. E të nesërmen Cezari hyri triumfues në Aleksandri. Egjiptianët iu dorëzuan, ndërsa romakët e pritën si çlirues, dhe më në fund, me ndihmën e një të huaji, Kleopatra mundi të hiqte qafe të gjithë kundërshtarët; ajo e kishte të hapur tani rrugën drejt fronit të Aleksandrisë si dhe rrugën drejt Perandorisë Romake. Sipas traditës ajo mbajti pranë vetes vëllain e vogël i cili ishte vetëm dhjetë vjeç, ndërsa motra tjetër, Arsinoja, u kap dhe u dërgua në Romë e lidhur si dëshmi e fitores së Cezarit ndaj egjiptianëve. Tani Cezari dhe Kleopatra ndihen të gjithëpushtetshëm dhe ndërmorën një udhëtim luksoz përgjatë lumit Nil. Diku u trembën nga ndonjë kërcënim dhe u detyruan të ktheheshin. Por Cezari që mendonte se perandoria e vet kishte shumë armiq të shpërndarë gjithandej, vendosi të kthehet në Romë. Ky udhëtim do t’i jepte njëfarë sigurie pushtetit të ri. Por ndërkohë, Kleopatra lindi një djalë të cilin e quajtën Ptoleme Cezar, ndërsa qytetarët e quajtën Cezarion. Ndërkohë në Romë ishte ndezur një vatër e re lufte, tani në Senat, sepse Cezari kishte njohur zyrtarisht djalin e vet, Ptolemeun. Por Cezari e kishte një grua, Kalpurinën dhe ligji romak nuk ia lejonte martesat e tjera dhe aq më keq me të huaja. Cezari kërkonte që djali i tij i lindur nga një egjiptiane të njihej në Romë si fëmijë i tij legjitim. Por ligji nuk ia lejonte. Çështje e atësisë së këtij fëmije mbeti e pazgjidhur. Kleopatra kishte synime të qarta; ajo kërkonte njohjen e të birit si trashëgimtar froni. Madje edhe të Egjiptit edhe të Romës. Nëse Egjipti qeverisej nën mbikqyrjen e Romës së pari, ajo do të ishte nën mbrojtjen e saj e kështu i biri i saj do të ndante pasurinë si dhe lavdinë. Dhe një vit më pas, Kleopatra udhëtoi vetë drejt Romës duke marrë me vete vëllanë e vogël, një shoqërues si dhe Cezarionin, të birin. Ajo ndenji për dy vjet në Romë, ndërkohë Cezari luftonte në Spanjë me mbështetësit e fundit të Pompeit. Pas Kleopatrës, Romën e mësynë shumë lindorë. Ajo u akomodua aty dhe sillej si një mbretëreshë e vërtetë. Republikanët u acaruan me veprimin e Cezarit, ata e dëshmuan fyerjen dhe akuzuan mbretin se kishte përdhosur të drejtat mbretërore. Cezari shkoi më tej me veprimin e vet. Ai urdhëroi që në tempullin e Venerës të vendosej një statujë prej ari e Kleopatrës. Kështu Cezari kërkoi të vinte gruan egjiptiane në të njëjtën hierarki me Venerën e kjo solli edhe pakënaqësi të tjera. Ndikimi i Kleopatrës mbi Cezarin ishte aq i dallueshëm. Përvoja e vjetër e egjiptianëve si në ndërtimin e bibliotekave, projektimet e punëve publike, rillogaritja e kalendarit, ndërtimi i kanaleve etj, ishte pasojë e ndikimit të dukshëm të Kloepatrës mbi pushtetin romak. Ndërkohë që Cezari po thurte plane të reja për zgjerimin e perandorisë Romake, një intrigë ndërpreu gjithçka në mes. Më 15 mars të vitit 44, një grup republikanësh ekstremistë, gjatë një mbledhjeje goditën me thikë Cezarin. Perandori kishte marrë 23 goditje thikash.
Vdekja e Cezarit sikur ndërpreu edhe aventurën e Kleopatrës në mes. Ajo pati frikë nga qëndrimi i saj i mëtejshëm në Romë, ndaj një ditë u kthye në Aleksandri. Asaj i kishte vdekur ai që ishte edhe garanti i mbretërimit të saj, ndaj ajo, sa u kthye në Egjipti, urdhëroi vrasjen e vëllait të vogël, duke hapur kështu rrugën e mbretërimit të fronit djalit të saj, i cili ishte vetëm katër vjeç, Ptolemeu XV Cezar. Ajo ligjëroi kështu pushtetin e vet e që do të qeveriste tani në emër të djalit të saj. Për të mbajtur gjallë mbështetësit e Cezarit, për të sjellë lavdinë e Cezarit, ajo filloi një fushatë të madhe propagandistike. Ajo ndërtoi e rindërtoi kulte fetare, në tempujt e Egjiptit, shëmbëlltyra e Cezarit u përqas me atë të Zotit, kështu egjiptianët duhej të pranonin Cezarionin si mbretin e tyre të vogël, birin e Kleopatrës dhe Cezarit, perandorit të madh të Romës. Por edhe në Romë pati ngjarje të mëdha. Ithtarët e Cezarit nuk rrinin duarkryq, lufta civile ishte në prag e ajo mund të përhapej tej e tej Mesdheut, e pas shumë mundimeve, erdhi edhe miratimi nga Roma i përpjekjeve që kishte bërë Kleopatra. Vetëm dy vjet kishte që ishte vrarë Cezari dhe gjithçka tani u përqendrua te një pushtet i ri që do të vendosej në Siri. E ky pushtet ishte mes pro dhe kundercezarienëve. Kleopatra me gjithë ushtrinë romake mbetur në Egjipti, mbështeti njerëzit e Cezarit të cilët nga ana tjetër, si shpërblim, siguruan njohjen zyrtare nga ana e Romës të Cezarionit si Sovran i Egjiptit. Mbështetësit e Cezarit u mundën dhe tani në skenën e Lindjes kishin dalë Cesarianët e rinj Mark Antoni, Oktavian dhe Lepidi të cilët kërkonin të ndanin pushtetin mbi Romën dhe territoret që ishin pjesë e perandorisë së tyre. Kontrollin mbi lindjen e fitoi Mark Antoni i cili kërkoi edhe të njihte territorin e tij të ri, ndaj nisi edhe një udhëtim drejt tij. Ai preku Aleksandrinë dhe kërkoi të vendoste kontakte me mbretëreshën e Egjiptit duke e thirrur atë në një qytet. Mark Antoni ishte rreth të dyzetave dhe kishte qenë një nga ithtarët më të mëdhenj të Cezarit. Ishte trim, madhështor, i etur për fitore lufte, por edhe për pushtet mbi femrat. Me mbretëreshën e re kishte patur njohje edhe në Romë dhe tani ai kërkoi ta takonte për të mbështetur njeri-tjetrin në luftën e re për pushtet. Dhe Kleopatra i ofroi romakut të ri aleancën e vet duke kërkuar që edhe ky i fundit ta mbështesë atë në pushtetin e vet. Triumfi i Markut ishte pritur mirë në Romë dhe fama e autoriteti i tij ishin në kulmin e vet. Edhe në Egjipt kështu u vlerësua. Madje i dhanë edhe tituj të lartë honorifikë, ashtu si i kishin dhënë dikur edhe Cezarit. Mbretëresha i siguroi Mark Antonit një mbështetje të madhe e cila ishte kryesisht në anën materiale për të mbajtur ushtrinë e cila ishte apriori edhe mbështetje e pushtetit të saj. Nga ana e tij, Marku, urdhëroi ekzekutimin e shumë prej kundërshtarëve mes të cilëve edhe motrën e saj, Arsinon. Dimrin e viteve 41-40 ata e kaluan nën shoqërinë dhe dashurinë e njeri-tjetrit. Perandori romak e humbiste krejt arsyen kur ndodhej përballë hireve të mbretëreshës së re. Ata bënin një jetë luksoze dhe të shfrenuar në kënaqësitë trupore. Dhe në pranverën e atij viti, Mark Antoni u kthye në Romë dhe për tre vjet nuk e pa më Kleopatrën. Marku rinovoi aleancën me mikun e tij të vjetër Oktavianin madje u martua me motrën e tij, Oktavian, zhvendosi zotërimet si dhe autoritetin e vet në Athinë dhe u kujdes për pushtetin e vet, tani pa kërkuar mbështetjen e Kleopatrës. Harresa e Mark Antonit ndaj Kleopatrës zbehën edhe protagonizmin e kësaj të fundit si dhe të Egjiptit në arenën e luftës dhe në politikën e dy perandorive. Shpresat e Kleopatrës filluan të veniteshin. Perandoria e Romës kishte të tjera synime të cilat ajo nuk do të mundte dot të ishte në qendër të tyre e aq më pak të ndryshonte rrjedhën e saj. Por tre vjet më vonë, Mark Antoni shkoi sërish në Egjipt, kërkoi të takohej me Kleopatrën nga e cila nuk u nda deri në fund të jetës. Gjithë historianët e të gjitha kohëve nuk i kanë deshifruar dot marrëdhëniet mes Kleopatrës dhe dy perandorëve të Romës, sidomos ndikimin e madh të saj mbi ta. Ajo kishte ndikuar fort mbi idetë e tyre politike dhe kështu ajo kishte siguruar një lidhje të fortë edhe për sytë e mbështetësve të vet. Idetë e tyre vinin dhe qarkonin qëllimin e madh për të mbajtur pushtet jetëgjatë mbi Lindjen. Por edhe bota greke e aziatike, e cila kishte një kulturë politike dhe sociale më të kompletuar, nga ana e tyre, i kërkonin klasës romake ndryshime të mëdha në modelin e qeverisjes duke u mbështetur te tradita helenike, duke kërkuar gjithashtu edhe delegim të pushteteve. Marku, me mbështetjen e Kleopatrës, arriti të mposhtë partët që kërkoni edhe copëtim të pushtetit romak e kështu u ndërtua një dinasti e zgjeruar e cila zotëronte pjesën më të madhe të pushtimeve romake. Vetë Egjipti nuk do të ishte një shtet vasal apo “klient”. Mbretëresha do të kishte gjithnjë mbështetjen e Mark Antonit i cili, për hir të pushtetit të tij dhe të dashurisë që ndjente ndaj Kleopatrës, nuk u kthye më kurrë në Egjipt. Ata hyjnizuan veten, silleshin si lindorë, bënin një jetë luksoze si jetë mbretërish. Bashkë patën tre fëmijë të cilëve iu vunë emra rievokues. Por partët, mes të cilëve ishin edhe mbretërit armenë, nuk kishin reshtur së mobilizuari kundër Mark Antonit i cili u nis nga Siria kundër armenëve, por diku u kthye duke patur edhe humbje të mëdha. Marku u kthye në Egjipt, rimori forcat e tani edhe me Kleopatrën në krah, u nis drejt Armenisë në një front lufte e që rezultoi i suksesshëm. Ai pushtoi Armeninë, arrestoi mbretin dhe i mori atij edhe floririn. U kthye në Aleksandri triumfues e përpara tij, lidhur me zinxhirë ecte mbreti armen. Fitorja u festua me madhështi, doli një monedhë e re me dy fotot e Antonit dhe Kleopatrës. Ceremonia e fitores ishte madhështore. Njerëzit pafund rrinin përpara fronit ku ishte çifti madhështor e në krah rrinin fëmijët e tyre, Cezariani dhe tre fëmijët e martesës së re. Ndau dhurata pafund si dhe u dha territore mbështetësve të vet duke shpallur edhe mbret të ri Cezarionin, djalin e Cezarit. Kështu pjesa më e madhe lindore e Perandorisë Romake do të qeverisej nga gjaku Ptoleme që kishte ardhur nga Maqedonia, kur Aleksandri i Madh kishte pushtuar Egjiptin. Por treshja Mark Antoni, Oktaviani dhe Lepidi kishte mosmarrëveshje të fshehta të cilat dikur erdhën dhe nxorën krye. Lepidi ishte lënë fare në heshtje dha ai dikur u tërhoq nga jeta politike, ndërsa Oktaviani, që kishte mbetur në Romë, kishte krejt jetën politike dhe ekonomike të saj. Por pushteti i Mark Antonit dhe sidomos marrëdhëniet e tij me Kleopatrën, nuk mund të mos kishin brenda edhe xhelozinë, dhe inatin. Tani ishin vetëm dy persona; Marku që qeveriste frontin e Lindjes dhe Oktaviani atë të Perëndimit, por, në kohën, kur republika po ia linte vendin perandorisë, dy persona ishin shumë. Deklaratat të cilat kishin edhe akuza e intriga filluan të dalin në sipërfaqe të politikës në Romë. Madje kishte deklarata që lexoheshin edhe në publik. Dhe nisma për luftë u mor nga Oktaviani. Për të shmangur një luftë civile dhe për të mos mëkatuar, ai vetë, deri në një provokim, i shpalli luftë jo ish aleatit të tij, por Kleopatrës. Dhe romakët, te të cilët është e njohur urrejtja ndaj grave, shfaqën një fobi të madhe ndaj Kleopatrës, të cilën studiuesit e kanë vlerësuar si një nga fushatat më të dhunshme të urrejtjes që ka njohur historia. Sepse, si grekët ashtu edhe romakët, nuk kanë patur respekt për qeverisjet e Lindjes, madje i nënçmonin ata duke i quajtur arrogantë në ushtrimin e pushtetit, ku të gjithë ishin fals, ishin hipokritë dhe të pamëshirshëm. Burrat i quanin perversë, pasivë, dembelë, ndërsa femrat ishin si magjistare, sensuale dhe dinake. Dhe zjarrit të luftës iu qasën shpejt. Duke bërë publike urrejtjen ndaj Kleopatrës, ai deklaroi se ajo kërkonte të zotëronte Romën e për këtë ajo kishte verbuar Antonin duke e joshur me hiret dhe me magjitë e saj të cilat i kishte aq të mëdha. Kështu ai kishte harruar Romën dhe kishte mbetur peng i një të huaje, e cila, me ndihmën e Mark Antonit kishte ligjëruar edhe mbretin e ri, Cezarionin, djalin e Cezarit, por nga një bark i një joromake. Marku, nga ana e tij vishej si lindorët, respektonte ligjësitë, ritet, fenë e tyre duke u shkëputur gjithnjë e më tepër nga Roma. Propaganda romake u ndje edhe në Lindje. Pushteti i Lindjes filloi të lëkundej nga themelet. Lufta e fundit civile në Romë kërkonte të shkëpuste Perëndimin nga kërcënimi i Lindjes për të cilët, kjo Lindje, ishte mishërim i së keqes e që për të ilustruar këtë mendim, ata qasnin portretin e Kleopatrës. Era e luftës së madhe po ndihej si ajri. Antoni u divorcua nga Oktavia. Oktaviani solli pështjellime në senat duke sjellë aty edhe një testament të Antonit i cili kishte shprehur vullnetin e vet me anën e të cilit kërkonte të linte shumë pasuri në emër të fëmijëve që kishte patur me Kleopatrën. Madje edhe të varrosej pranë saj në Egjipt. Senati u skandalizua dhe të gjithë i dhanë një mbështetje të madhe Oktavianit e kjo mbështetje i shpallte luftë mbretëreshës së Egjiptit. Fjalët e senatit shkuan deri në Aleksandri dhe Kleopatra e Antoni po përgatiteshin për një konflikt të ri. Ata kërkuan mbështetës, por edhe paguan në Romë njerëz që të ulnin mbështetësit e Oktavianit për luftën e re. Ata përgatitën një zinxhir postash për të sjellë lajmin e afrimit të romakëve drejt Lindjes. Nga ana tjetër, Antoni kishte edhe armiq të brendshëm të cilët do të ngrinin çadrën në fushën e kundërshtarit. Dhe ishte fillimi i vitit 3, kur Oktaviani u pozicionua në fushën e Azit në gjirin e Ambrakisë. Aty arritën edhe Mark Antoni e Kleopatra, por shpejt e panë veten në gjendje të pashpresë. Disa posta te Markut ishin kapur nga armiku i përtej Adriatikut dhe trupat e Kleopatrës u gjendën shpejt të rrethuara dhe ajo u mund në të gjitha anët. Ushtria u godit edhe nga malarja e dizanteria e kjo bëri që morali i ushtrisë të përgjunjej. Më dy shtator, në të gdhirë, të dyja ushtritë ishin vendosur në brigjet e gjirit të Ambrakisë dhe dikur dolën në det të hapur. Lufta nisi në mesditë. Ushtritë ishin ballë për ballë. Por, të ndihmuar edhe nga një erë e lehtë, egjiptianët mundën të gjejnë një shteg e Mark Antoni e Kleopatra mundën të largohen. U larguan pak anije se pjesa tjetër u kap dhe u mbyt nga romakët të cilët shumë shpejt u vunë edhe në ndjekje të Mark Antonit dhe Kleopatrës, të cilët u vendosën në Egjipt, duke menduar se aty do të vinte edhe kundërshtari dhe aty do të vendosej edhe fati i kësaj lufte. Por Oktaviani nuk e ndoqi armikun deri në strofkën e fundit, pasi erdhi dimri. Dhe vitin tjetër, forcat armike e mbërthyen Egjiptin në një morsetë. Antoni u përpoq të ndalte njëri pas tjetrit sulmet romake, por pa sukses. Dhe kthimi në Aleksandri ishte fataliteti për Mark Antonin. Ai aty vrau veten. Kleopatra e përjetoi keq vdekjen e njeriu të saj të dashur, jetoi edhe pak ditë dhe i dha fund jetës. Ishte 39 vjeçe. Historianët që kanë qenë bashkë në shumë enigma të kësaj femre, nuk bëhen bashkë për një nga pikat më të debatueshme e cila ka të bëjë me vdekjen e Kleopatrës. Lavdia e kishte përkëdhelur shumë; ajo gjithnjë i ushqeu vetes mundësinë se nesër ajo do të uzurponte fronin e mbretëreshës së perandorisë më të madhe të kohës, Romës. Ajo tradhtoi Antonin dhe iku pa dijeninë e tij, e tradhtoi përsëri ku nxitoi të bënte një marrëveshje me Oktavianon dhe historianët bien në një mendje për këto pika.
Cleopatra-by-liz-taylor-egypt-is-a-heaven-24028559-800-1006-1-Nga frika se pushtuesi i ri, Oktaviani, do të hakmerrej dhe siç i kishin vajtur fjalët se ai do ta merrte të lidhur dhe të lidhur do ta tërhiqte nëpër rrugët e Romës, i futën frikën mbretëreshës së Egjiptit. Dhe i dha fund jetës. Mendimet janë të ndryshme e herë-herë edhe kontradiktore. Por ajo u vra me armën që kishte zgjedhur vetë; me helmim. Vdiq nga helmi i një pomade apo i një gjarpri të mbajtur në një tufë lulesh, i fshehur në një kanë uji, apo në një shportë me fiq? Version i kafshimit nga një gjarpër ngjiti shumë shpejt, madje edhe në Romë kështu flitej. Ajo e kishte zgjedhur vetë këtë ikje nga kjo botë, sepse ikja nga një gjarpër, sipas gojëdhënave egjiptiane, të jep pavdekësinë. Dhe Kleopatra mendoi për përjetësimin e emrit të vet. Kjo është edhe një nga arsyet pse kjo grua u nderua aq gjatë në gjithë Lindjen deri te adhurimi si një perëndi, duke i dhënë asaj nderimet e një mbretëreshe, madje më të mirës që ka mbretëruar në gjithë Lindjen. Pas Aleksandrit të Madh, ajo ishte e para që u nderua e që u bë edhe objekt i legjendave. Mbi jetën e saj janë thurur mijëra vargje, dhjetëra libra nga poetë e shkrimtarë të të gjithë botës. Kanë lëvduar virtytet e saj, pasardhësit në Egjipt faleshin përpara monumenteve të saj. Kjo ka ndodhur në Lindje, ndërsa në Perëndim ajo kishte marrë me vete gjithë urrejtjen dhe zemërimin e tyre të pakufi, e quanin shtrigë, mashtruese klasike, tradhtare e që në këtë shërbim ajo kishte vënë të gjitha aftësitë e saj të cilat, për hir të së vërtetës, ia kishin njohur si mendjemprehtësinë, aftësinë për të folur shumë gjuhë, bukurinë që e kishte djallëzore, ishte magjistare e papërballueshme e që edhe Aligeri e çoi në ferr në “Komedinë hyjnore”. Gjithsesi ajo mbeti gruaja më moderne në antikitet, ajo krijoi një mit e që përballë saj u gjunjëzuan perandorët më të shquar të perandorisë më të madhe të kohës -Perandorisë Romake.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)