2015-11-29

A po rrezikon Kosova të shndërrohet në vend autokratik?

Fillimi i krizës politike në Kosovë, që kishte nisur me sulme retorike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, e më pas veprimet e opozitës përmes hedhjes së vezëve ndaj zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, e deri tek intervenimi i ashpër i Policisë së Kosovës ditën e shtunë në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje, tregon se të dyja palët kanë qasje destruktive ndaj bllokimit të punës në Kuvendin e Kosovës, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se pas ditës së shtunë, hendeku ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kosovë do të jetë edhe më i madh se deri më tash. Sipas tij, për këtë hendek kanë investuar edhe pushteti, por edhe opozita. Kosova tashmë, siç thotë ai, po përjeton krizën më të madhe politike që nga viti 1999.

“Kjo e paralajmëron edhe një krizë më të madhe që mund të ndodhë në të ardhmen”, thekson Muhaxhiri.

Dren Doli, analist nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngjarjet e fundit politike në vend, reflektojnë faktin se problemi aktual i Kosovës është se si të ruhet demokracia që është vendosur nga ndërkombëtarët dhe e cila tashmë u është lënë në dorë institucioneve të Kosovës.

“Këto të fundit po tentojnë që me mjetet e para të dhunës që i kanë në dorë, ta shkatërrojnë atë. Pra, çështja mbi krizën politike, pas veprimeve të së shtunës të Policisë, nuk ka të bëjë tashmë me gjetjen e një zgjidhjeje politike. Por, ka të bëjë me mënyrën se si pushteti në Kosovë duhet të reflektojë mbi atë se çfarë dëshiron të ndërtojë në Kosovë: nëse dëshiron ta ndërtojë Kosovën si një demokraci apo nëse dëshiron ta shndërrojë Kosovën në një vend autokratik të ngjashëm me Rusinë”, konsideron Doli.

Muhaxhiri vlerëson se kriza politike, e cila tash e sa muaj po zgjat në Kosovë, ka nxjerrë në pah faktin se politikanët e Kosovës nuk kanë kapacitete politike, e as morale që të vetëdijesohen për faktin se kur është mjaft. Sipas tij, dërgimi dhe përdorimi i forcave të shumta policore ndaj një subjekti opozitar, është shenjë shumë e keqe për shtetin e Kosovës dhe spektrin politik të saj.

“Duhet që në skenë të dalë një fuqi politike, e cila është më e madhe sesa pozita dhe opozita kosovare. Ata janë partnerët ndërkombëtarë - Washingtoni, Brukseli dhe Berlini - dhe të bëjnë presion ndaj lidershipit kosovar që ta kërkojnë një zgjidhje. Çdo vazhdim i kësaj bllokade, mund të shkaktojë pasoja edhe në njerëz, por edhe në ndonjë nivel tjetër të konfliktit të armatosur”, shprehet Muhaxhiri.

Analisti Doli vlerëson se secili pushtet e ka të lehtë që krizën politike të tentojë ta zgjidhë nëpërmjet dhunës. Por, sipas tij, edhe për partitë opozitare është e lehtë që duke njohur kapacitetin e dhunës të pushtetit, ta provokojnë atë.

“Problemi në Kosovë është nëse liderët politikë, të cilët kanë detyrimin kryesorë për të menaxhuar në baza ditore me institucionet e Kosovës, dhe që janë Thaçi, Mustafa dhe Veseli, janë në gjendje ta kuptojnë rëndësinë e partive politike opozitare dhe ta kuptojnë rëndësinë e demokracisë në Kosovë. Duke e kuptuar këtë rëndësi, t’i japin një shans dialogut politik duke u ulur me opozitën”, thotë Doli.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se arrestimi i deputetit Kurti ditën e shtunë, por edhe arrestimi i deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi, vetëm sa i kanë dhënë opozitës shkak që të barrikadohet edhe më fuqishëm në pozicionin e saj kundrejt pushtetit në vend

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...