2016-04-20

Bisede me Tenorin Saimir Pirgu




Bisedë me tenorin me famë botërore Saimir Pirgu



Intervistoi: Mimoza Dajçi




Prill 2016, New York



http://www.zeriamerikes.com/media/video/3274916.html

Tenori Saimir Pirgu dhe violinistja Merlin Tushe

Me Saimirin u takuam në hollin e hotelit ku ishte akomoduar, jo larg “Kaufman Music Center” ku do të mbante edhe koncertin e tij recital. Ishte i saktë, erdhi në kohë. U përshëndet me ne. Veshur me xhinse e kapele sportive, dhe me mënyrën e thjeshtë të komunikimit, bënte të harroje për pak çaste që përballë kishe këngëtarin operistik me famë botërore. Me vajzën time Merlinin kishin studjuar bashkë në Liceun Artistik – Tiranë. Së bashku folën rreth muzikës, miqve të përbashkët e më pas unë i drejtova disa pyetje për intervistë.

M.D - Përshëndetje Saimir, e mirë se u takuam në New York!


S.P - Eshtë kënaqësi edhe për mua.

M.D - Ju vini këtu pas disa koncerteve të suksesshëm nëpër Europë e botë, po pas New York-ut cila është ndalesa juaj operistike?


S.P - Ndalesa tjetër do të jetë në Chicago, ku do të interpretoj operan “Falstaff” të dirizhuar nga Maestro Riccardo Muti, shoqëruar nga “Chicago Symphony”. Sapo kam ardhur nga Moska ku interpretova në Teatrin “Bolshoi”. Sot jam në New York për mbylljen e turneut tim botëror “Il mio canto” që mban titullin albumit tim të cilin jam edhe duke promovuar në nivel internacional. Në këtë turne u përfshinë 9 performanca si në Tokyo, Tiranë, Firenze, Opera e Vienës, Opera e Berlinit, Teatri Châtelet i Parisit. Janë nga qytetet më kryesore, ku unë kam pasur sukses vitet e fundit dhe kam një publik që më ndjek rregullisht. 


ms2
M.D - Si ka qenë pjesëmarrja e shqiptarëve gjatë turneut tuaj?


S.P - Në Tokyo, përveç përfaqësisë diplomatike, mesa di unë nuk ka shumë shqiptarë. Prezent në koncertin tim ishte vetëm ambasada jonë. Kam takuar shqiptarë në Vienë, se ka më tepër popullsi shqiptare, shumë pak shqiptarë në Berlin, por kam përshtypjen se në New York është pjesa dërrmuese e diasporës tonë, të cilët përbëjnë një numër të madh si ndjekës të koncerteve të mia.
Kam një publik internacional që më ndjek prej 12 vitesh, ku unë kam kënduar në Operan “Metropolitan” në Manhattan e në Teatrin “La Scala” në Itali, por çfarë më bën përshtypje është se prezenca e shqiptarëve është e pranishme, pavarësisht faktit që repertori im nuk përmban vepra shqiptare në përgjithësi.

M.D - Sa e rëndësishme është për ju muzika lirike - operistike dhe kur filluat të merreshit me tingujt e saj të parë?


S. P - Muzika operistike është jeta ime. Sfida është tek ajo ç’ka ti do të sjellësh të re tek një vepër klasike e kompozuar 100 apo 200 vite më parë, dhe kjo është gjëja më e vështirë. Mënyra se si ti do ta interpretosh përpara publikut bën diferencën midis teje dhe qindra të tjerëve që e këndojnë. Të kënduarit për mua nuk është punë, është diçka hyjnore.

M.D – Në fëmijërinë tuaj keni studiuar për violinë. Kur i keni rënë për herë të
fundit instrumentit tuaj të dashur?


S.P – Hera e më e fundit kur unë kam luajtur në violinë ka qenë me nipin tim, me rastin e vitit të ri që lamë pas. Ai është gati 4 vjeç. Improvizuam një koncert dhome për familjen. Ai dirizhonte e i binte pianos. Unë këndoja dhe më pas i rashë violinës.

M.D - Në çfarë moshe morët leksionet e para në violinë?


S.P - Në klasën e parë të shkollës fillore.

M.D - Pse ndryshuat drejtim nga instrumentist violine në këngëtar i muzikë operistike. Kush e dëshiroi i pari këtë zhanër tek ju, ju vetë, prindërit apo ndonjë pedagog i
juaji?


S.P – Në retrospektivë, nuk e shikoja veten në një nivel të lartë si violinist. Endrra e bukur e të kënduarit filloi me koncertin e tri tenorëve Plácido Domingo, José Carreras dhe Luciano Pavarotti në televizor kur isha ende fëmijë, derisa mori përmasa që as në ëndërr nuk do t’i kisha menduar. Nganjëherë e lexoj curriculumin tim dhe habitem me arritjet e mia.

M.D - A është e vërtetë se Pavarotti është ai që zbuloi tek ju talentin e rallë me famë botërore?


S.P - Ajo ç’ka më dha pa masë Maestro Pavarotti ishin leksionet si dhe më mësoi të mos kënaqesha me pak e me arritjet e vogla në jetë. Në këtë aspekt kam qenë shumë me fat. Shikon një koncert në vitin 1995, ku tre tenorët këndojnë, dhe jeta e sjell që me njërin (Pavarottin) studjon e bëhet pjesë e jetës tënde deri sa u nda nga jeta, ndërsa me tjetrin (Domingon) këndon së bashku në Operan “Metropolitan”.

M. D - Nga kush e trashëgoni artin e bukur të muzikës, violinës e kantos?


S.P - Asnjë nga prindërit e mi nuk është muzikant, por janë dashamirës të artit. Gjithsesi nuk më kanë shtyrë me ngulm në këtë drejtim.

M.D – Për arritjet e sukseset tuaja jeni fitues i disa Çmimeve të mëdha nëpër botë, e tani së fundi Bashkia Tiranë ju dekoroi me Çmimin e Lartë "Çelësi i Qytetit". Ç’do të
thotë kjo për ju?


S.P – Eshtë e vërtetë se jam fitues i disa çmimeve nëpër botë, por asgjë nuk arrihet pa sakrificë e përpjekje intensive. Ftesa nga Bashkia e Tiranës ishte e çiltër, e sinqertë. Pati shumë kërkesa për bileta nga publiku. Vura re se kishin dëshirë për të më ndjekur live, pasi kishin kaluar shumë vite që nga hera e fundit që kisha mbajtur koncert atje. Herës tjetër duhet të organizoj një koncert 2-3 netësh për të kënaqur bashkëkombasit e mi artdashës.

M.D – Në karakterin tuaj gjithashtu spikat edhe humanizmi. Së fundi fitimet e koncertit që mbajtët në Tiranë i dërguat për fëmijët e sëmurë.


S.P – Po ashtu ka ndodhur. Ishte dëshira ime që fondet e atij koncerti t’i adresoja për fëmijët e pediatrisë. Menduam që t’i jepeshin fëmijëve në nevojë, të cilët kanë sëmundje terminale dhe janë në fazat e fundit të jetës. Me kërkesën time, kjo iniciativë nuk u bë publike, për vetë faktin se i shërbente një kauze bamirësie që nuk ka nevojë për reklamë.

M.D – Një gjë që i bëri përshtypje artdashësve të muzikës klasike, ishte çmimi i arsyeshëm që vendoset për shitjen e biletave.


S.P - E kam bërë me dëshirë që t’i vendos çmimet e biletave me 30 dollarë, në mënyrë që t’i jap mundësi më shumë njerëzve të vijnë. Pasi jemi në kohëra të vështira e njerëzit vuajnë ekonomikisht. Kur jam në “Metropolitan” sigurisht që vendosja e çmimeve të biletave nuk varet nga unë, por ky është recitali im.

M.D – Faleminderit Saimir e suksese të mëtejshme!


S.P – Faleminderit edhe juve!

Kolonelit që kam përse i shkruaj...



Kujtimit të Ëngjëll Dervishit

Tregim







Nga Përparim Hysi

Ka qenë viti 1982, kur u njoha me kolonelin Ëngjëll Dervishi. Atë kohë ai ishte komandant në një regjiment kondra-ajror dhe, pikërisht atje, në atë repart im bir kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Nëse e mbaj mend vitin, nuk ndodh se kam një kujtesë për t'u patur zili, por ka ca data që nuk i harron dot. Kështu ndodhi dhe me mua. Kur të lexoni më poshtë, as mos u çudisni që veç vitit 1982, mbaj mend dhe ditën: ishte 1 janar 1982. Pra, festa e vitit të ri, dhe, ndërsa unë po e bëja grurë me mysafirin që kisha ftuar për drekë, dhe, ndërsa imeshoqe, jepte e merrte në kuzhinë, befas ndjej që më thërresin. Zëri vinte nga poshtë, në oborr, dhe unë, sado që banoja në katin e dytë të një pallati, e ndjeva mirë që më thërrisinin. Dola në ballkon dhe, kur njoha thirrësin, e ftova që të vinte lart. Ai ngulmoi që të zbrisja unë poshtë dhe, pasi i kërkova lejë mysafirit, zbrita në oborr.
- E di pse të thirra këtu,- më tha ai. Dhe, ndërsa pa shënjën mohuese me kokë, filloi të shpjegohej:
- Nuk doja të shqetësoja Sikën (ishte fjala për time shoqe), por duhet të nisesh urgjent për në Fier,se S... (ishte fjala për timbir), është rrahur me një ushtar që ishte në vendroje dhe ka thyer pushkën që kishte roja.
Sa më tha kështu, tak m'u prish gjithë ai gëzim që kisha duke pritur dhe mysafirin dhe të ftohtët më drodhi dhe zemrën.
- Ka thyer pushkën, në gjuhën e ligjit të asaj kohe, do të thoshte:- Burg, më prit me dyerhapur! Po ku kish kohë për t'u menduar më? Mikut i kërkova leje se nuk do vonohesha as edhe një orë, mora biçikletën dhe u bëra erë për në Fier. Nga shtëpia ime, Fieri nuk është as 4 km larg, por, tek pedaloja si një çiklist në një garë individuale shpejtësie, me mendje qeshë bërë tym dhe ku nuk më shkonte mendja.
Dhe kjo më duhej. Të shkoje në gjyq ushtarak për dy thyerje të rënda: ka sulmuar rojen dhe jo vetëm ia ka marrë pushkën, por dhe e ka thyer atë në dy copa. Por ja,çfarë bën armiku më shumë se sa kaq?!
Ashtu, tym nga koka, mbrrita në Fier, por tani nga do t'ia mbaj? Patjetër, që duhet të takoj o komandantin o komisarin e repartit. Të paktën të nxjerr merakun, se më shumë nuk kam se çfarë bëj. Si i vdekur, hyra tek "Turizimi" dhe recepsionisti që më njihte si pare e kuqe, ma pati:" Ore, por dhe sot për vit të ri, nuk t'u durua pa ardhur këtu për kafe ti?". Kur e pa që nuk isha në të, më pyeti:- Po si e ke hallin, se sikur je prishur në çehre?
-E di,- i thashë,- më bën një nder, Dua të flas në telefon me komandatin e repartit X... Ma zgjati telefonin dhe, pasi formova numrin, duke u dridhur prisja zërin matan.
- Jam babai i ushtar S...,- fola ashtu përmbytshëm. Të më falësh, se është dhe festë, po a ke mundësi që të vish deri tek "Turizmi" për një kafe?
-Po vij,- tha zëri tjetër.
Kur tha kështu, veten e ndjeva pakëz më lehtë dhe, për të qetësuar pak më shumë veten, e ndeza dhe e bëra tym. Isha ulur në një nga tavolinat dhe, kur pashë që erdhi, u ngrita në këmbë.
E ftova dhe, kur zuri vend ballas meje, nuk më la që të flisja.
- E di pse je shqetësuar. Ytbir ka bërë një faj të rëndë. Ka sulmuar rojen në vendroje dhe jo vetëm kaq: i ka marrë pushkën dhe, tek ka dashur ta godasë me kondakun e pushkës, duket pushka ka takuar në çimento dhe është thyer. Kur tha"thyer", mua tak dhe zemra m'u thye dysh. Por unë çuditem me një gjë,- vazhdoi komandanti,- si ai ushtari në vendroje nuk e ka vrarë tëtbir? Kjo do ishte më fatale se sa çdo gjë tjetër. Kur pa që kafja ime u ftoh dhe u bë buzëgjysheje, më tha:-Pije kafen, se t'u ftoh. Isha në repart dhe e mora vesh dhe shkakun e atij sherri aq banal. Tek gjerba gllënjkën e parë, komandanti filloi të më tregojë...

* * *


Ytbir kish shkuar për në banjo. Pak i kapërdisur ai, ytbir, se kushedi se ku kish molloisur një rryp marinari nga ato me tokëz pak si të"artë". Si qejfli që qenkësh, e bënte me solidol dhe nën dritën e diellit shkëlqente. Të gjithë ushtarët e tjerë e kishin ndryshe rrypin e mesit, me tokëz të thjeshtë, kurse ky, bandilli yt sikur bënte vezë të kuqe, me yll në ballë: me atë tokëzën e ndritshme që, kur nuk kishte solidol, e pastronte me pastë dhëmbësh. Dje, kur ndodhi dhe "proçka", paska shkuar në banjo dhe, pasi e ka hequr rrypin, e ka varur në murin e banjos. Kur ngrihet që të marrë rrypin, shikon se rrypi sikur paska bërë këmbë e ka avulluar. Del jashtë me vrap, shikon rreth e përqark dhe asnjë ushtar për be. Vetëm roja,atje në vend roje. Afrohet dhe jo vetëm harron që roja dhe mund të të vrasë nëvendroje, por e sulmon jo vetëm me fjalë, por përleshen turp me trup. Ia merr dhe pushkën dhe, si të thashë, tek maste ta godiste, e theu. Epo tani nuk mbante më ujë pilafi. Siç llogarisja, djali im, e kishte hak si burgun, por dhe më tej: dhe gjyqin ushtarak.
- Komandant,- fola dhimbshëm,- të falnderoj që erdhe, aq më tepër sot, që është ditëfeste. Faji i djalit tim është i lexueshëm dhe kot nuk thonë që atë që të bën fëmija, nuk ta bën as Perëndia.
Por komandanti jo vetëm ishte një oficer i zoti, por ishte njeri me zemër të madhe. Isha në repart, ia tërhoqa veshët tëtbiri dhe ia bëra një pashë, por e mbyllëm këtë ngjarje që desh u bë krejt tragjike. Tëtbiri le t'i bëhet mësim dhe, pasi më përqafoi, ika andej nga kish ardhur. Unë isha gati që ta merrja në krahë që aty nga turizmi dhe deri atje ku kishte shtëpinë.
Nga ana tjetër, mezi prisja që ta shihja timbir, dhe jo t'ia zgjasja veshët e t'ia bëja tërkuzë, por gati që t'ia prisja e ta lija me shënjë për tërë jetën. Se a kishte shaka kaq të"rënda" si kjo që për një tokëzrrypi, të shkoje si qeni në vresht?
Mbrrita në shtëpi, tash i qetë, dhe dreka kaloi vaj , sikur mos kish ndodhur gjë.
Dhe me komandantin u bëmë miq. Xhëku shkëmbenim ndonjë kafe, sado që ai ishte për mish të pjekur. Por...
* * *
Por qëlloi prapë një "thyerje" pushke. Por këtë radhë "thyerjen" nuk e bëri imbir, por unë. Sado që kjo ishte një"thyerje" e një lloji tjetër, prapë ka lidhje me komandantin.
Gruaja e komandantit, Ferzileti, ishte shefe kuadri në spitalin e Fierit. Imeshoqe punonte në maternitetin e Fierit dhe mua më shpuri puna atje , tek zyra e kuadrit. Nuk e mbaj mend se përse vajta, por, siç gjykoja, kisha të drejtë. Kisha të drejtë unë, por nuk gjykonte kështu ajo e kuadrit dhe unë, tip impulsiv dhe fare i padurueshëm, u përlesha me fjalë me të. Aq e humba pusullën, sa harrova që, në fund të fundit, kjo ishte gruaja e mikut tim. U largova tym nga zyra dhe u betova që, për cilëndo arsye më mos shkelja atje. Në fund të fundit, ç'punë kisha atje, kur fare mirë imeshoqe mund t'i zgjidhte vet punët e saj? Sidoqoftë, ndodhi dhe si ndodhi, i kisha rënë në qafë apo më kish hyrë në hak, as që kishte më rëndësi dhe mikut tim as që do t'ia zija në gojë.
Nuk ia zura unë, por ja që ia paska zënë në gojë vet e shoqja. Po unë as do ta kisha marrë vesh këtë gjë. Por ja se si ndodhi. Isha para maternitetit dhe po prisja timeshoqe, kur ndjeva zërin e Ferziletit që më thërriste. Fillimisht, bëra sikur nuk dëgjova, se unë jam iinatçi dhe nuk harroj kollaj, por Ferzileti ngulmoi dhe unë shkova drejt saj.
- Dëgjo,- më tha,- atë zënien bashkë ia rrëfeva Ëngjëllit dhe a e di seç më tha:- Nuk dua që të dëgjoj fare. Fajin e ke patur ti dhe kërkoj të falur Papit!!! Ndaj,- vazhdoi fisnikja Ferzilet,- më fal! Tani më qenë skuqur që të dy veshët dhe, natyrshëm, u bëmë miq.
* * *
Epilog...
Me kolonelin dhe të shoqen e tij, Ferziletin, jemi takuar tek "Taivani" në Tiranë dhe kemi bërë nga një qerre me muhabet. Ashtu si gjuha vete atje tek dhëmb dhëmbi, edhe ne fjalën e kemi çuar tek fëmijtë. Këta, dy çupa i kanë në Belgjikë dhe një në Kosovë. Edhe dy miqtë e mi, kohën më të gjatë e kalojnë pranë çupave. Mirëpo në Begjikë ndodhi hataja dhe, duke menduar se edhe dy miqtë e mi, me siguri janë atje, po provoj t'u bëj një telefon. Me këtë mendim po kthehesha në shtëpi, po mu tek rruga "Myslim SHyri" pashë një lajmërim vdekjeje. Afrohem dhe mbeta për një çast i ngrirë. Komandanti aq i mirë, Ëngjëll Dervishi, kish ndërruar jetë. Lamërimi thosh se do e nisnin në Vinçan nga dhe ishte. Më mbyti trishtimi dhe, si ngushëllim për këtë KOLONEL NJERI, ky shkrim modest imi.
Lamtumirë, or mik i mirë! Dheu të të jetë i lehtë si pupël,se ti veç që qe një ushtarak i zoti, ishe NJERI me zemër të madhe!

Tiranë, 24 mars 2016

2016-04-17

BEN BLUSHI NUK ESHTE OPOZITA SHQIPTARE


REXHEP SHAHU


Nese opozita shqiptare, grupe te caktuara te saj, eksponente deledash te saj qe jetojne si veshka mes dhjamit ne pozite e opozite, mendojne se opoziten ne kete vend po e ben Ben Blushi me mire se cdo kush tjeter, dhe nuk ka kush e ben me mire se ai, nuk di ta beje askush si ai; nese Blushi ju duket ekselenca e pozitarizmit dhe opozitarizmit, bashkohuni me te, ndihmojeni ate te ike nga PS dhe te krijoje partine e tij me nje cete me gjashte veta, se keshtu ndihmoni demokracine.
Vec mos harroni se jashte Partise Socialiste, jashte pjeses me komuniste te Partise Socialiste, Ben Blushi mbetet peshk ne toke.

Por nese e konsideroni opoziten shqiptare si filial apo seksion te Partise Socialiste qe udhehiqet e drejtohet ne menyre ekselente nga Ben Blushi, eksponent socialist cerek shekulli, pushtetar i larte socialist cerek shekulli, pushtetar edhe kur partia e tij ishte ne opozite sepse ai nuk ka rene ne opozite asnjehere, as ne kohen e diktatures komuniste ne Shqiperi, atehere ndihmojeni te krijoje partine e tij dhe te shkoje tek te shumtit, tek partite e regjistruara ne gjendjen civile te partive qe vegjetojne por qe nuk u japin kurre pushtet shqiptaret.

Nese opozita shqiptare nuk e kupton se Blushi po investohet fuqishem ne partine socialiste, po investohet fuqishem kunder opozites shqiptare se ndryshe do te kishte ike me kohe si koleget e tij nga Partia Socialiste, nese opozites shqiptare i duket djale i mire Blushi, kjo pjese e opozites le ta beje dhender Blushin, por te mos ua shese shqiptareve si modelin e opozitarit, si modelin e liderit te opozitarizmit te ketij vendi.

Blushi, si Rama e shume te tjere qe shiten te mencur e te dijshem ne kete vend, eshte nje konstatues perfekt i veseve, gafave dhe te keqiave te ketij vendi, te kqia qe na i kane vu ne dukje te huajt ne menyre te perseritur, e Blushi i ka mesuar tashme, por Blushi nuk ka hy asnjehere ne lufte kunder veseve, por ka synuar pushtet tek bartesit e ketyre veseve, te drejtoje bartesit e ketyre veseve, njelloj sic ben Edi Rama e sic kane bere te tjeret, pa u lodhe me luftue veset e te kqiat, por me i shfrytezue veset e te kqiat per me marre e me mbajte pushtetin politik.

Blushi po i sherben per mrekulli Edi Rames dhe Partise Socialiste. Me gjithe fushaten e tij te kujdesshme, me gjithe aksionin e tij, me gjithe pushtimin me leje te mediave te Edi Rames, ai ka vetem nje qellim - ta paraqese ne fund fgare lider demokrat Edi Ramen, pak arrogant por qe ne fund i bindet vullnetit te socialisteve, ta paraqese demokratike partine socialite dhe te thuhet se ne kete parti ka debate te medha dhe ndaj eshte demokratike kjo parti. Ben Blushi deri tani ka luajtur perfek rolin nen mbykqyrjen e Edi Rames ose te atyre qe keshillojne Edi Ramen, duke sherbyer si paterice e forte dhe e sigurte qe mban ne kembe Edi Ramen.

Ben Blushi don qe edhe te nena te jem edhe burrin ta kem. Don qe te jete dikushi ne PS dhe PS te mos bjere kurre ne opozite. Ben Blushi shte ajo gruaja militante socialiste qe qan vetem te shkoje mire Rama me Meten dhe eshte e gatshme te haje edhe bar dhe vetem PS te mos dale ne opozite, qe vetem maloket te mos marrin me pushtet.

Ben Blushi eshte suvatuesi, restauruesi, riparuesi, bojatisesi me i mire i mundshem per ta paraqitur te pranueshem, demokrat, te afte si lider, te afte si kryeminister Edi Ramen.
Te jete Blushi ne vend te Rames, atehere do e kuptoje e provoje tamam ne kurriz opozita ate thenien e Rames se nuk keni pare gje akoma.

Ate sherbim qe po i ben Blushi Rames duke e mbajte ne pjace, ne ekran cdo cast, ate sherbim po ia ben Rama opozites duke u perpjeke per ta sfumue e poshtrue.

Keshtuqe nese nje pjese te opozites i duket lider i mire Blushi, le ta marre ate e ta beje lider te saj, por te ike nga opozita bashke me Blushin sepse nuk sherbim me te keq qe i behet opozitarizmit e demokracise se sa ta konsiderosh opoziten shqiptare si organizaten e dikurshme te bashkimeve profesionale apo te frontit demokratik qe rritet e zhvillohet nen udheheqjen e partise.

Ndaj e dashur opozite, lere ne vendin e vet Ben Blushin, lere ne partine e vet, ne luften e vet, mos i shto barre me te madhe, mision me te madh qe te te udheheqe edhe ty sepse ai eshte pjese shpirterore e te majtes, eshte mish dhe gjak i te majtes dhe luften e tij per te majten te qashter ai e ben ne menyre ekselente dhe duket marre shembull.

BEKIM FEHMIU - ODISEU SHQIPTAR I KOSOVES

REXHEP SHAHU

(Ne Tirane, ne Akademine e filmit ne Kinostudio me pranine e disa personaliteteve te filmit e te artit, aktore, shkrimtare e gazetare libri voluminoz e shume dinjitoz i gazetarit te mirenjohur shqiptar Fahri Musliu).

Po te ishte promovue ndonje kengetar dasmash nuk do t'i kishte zene as oborri i Kinostudios pjesemarresit, por u promovua libri per aktorin me te madh shqiptar ne bote dhe natyrisht si duket nuk kishte aq shume njerez te medhej qe te vinin ne promovim.

U shfaq nje dokumentar i shkurte i Televizionit shteteror shqiptar per artistin me te madh te Europes lindore apo Europes Komuniste kur ai kishte vizituar Shqiperine ne vitin 1972.

Ne kete film flitej per Bekimin por nuk foli asnje fjale askund Bekimi. Kjo ishte shume absurde dhe e vune re me dhimbje te gjithe si Çashku organizator, Timo Floko etj..

U tha sot nga te pranishmit se eshte zhduke nje interviste ne TVSH e asaj kohe qe ka dhene Bekim Fehmiu ne Shqiperi.

Gjate gjithe kohes spikerja ne televizion ne dokumentar thoshte gjithkund "aktori kosovar" dhe nuk tha asnjehere aktori shqiptar.

Sepse ne ato kohe Tirana zyrtare politike, shkencore e letrare thoshte e shkruante: shkrimtare shqiptare te diaspores, shkrimtare shqiptare jashte kufijve te Shqiperise, shkrimtare kosovare, kengetare kosovare, dhe kulmi arrinte kur edhe Zeri i Popullit shkruante vellezerit kineze e miqte kosovare.

Gazetari i njohur Fahri Musliu, autor i monografise per Bekim Fehmiun, e konstatoi me dhimbje kete gje dhe pohoi pengun e dyzimin e tij qe ta cilesonte Bekimin jo Odiseu kosovar por Odiseu shqiptar. Por Shqiperia nuk tregonte dashuri per Bekimin, ndonese nuk shfaqet pothuaj asnjehere xhelozi ndaj tij nga aktoret shqiptare te cilet e kane pranuar si te jashtezakonshem dhe krenari e tyre.
As Kosova zyrtare nuk paska treguar dashuri e vemendje per Bekim Fehmiun, per kete kolos, gjigand me te cilin mburret cdo shqiptar. Politikanet ne Kosove ai i fut nen hije, nuk i honeps, nuk i duron, nuk i toleron per injorancen e fallsitetin e tyre.

Bekim Fehmiu eshte lobues i madh i ceshtjes kombetare shqiptare por barinjte nuk e dine se hutohen para blicit te kamerave.

Mesova sot se asnje rruge nuk ka emrin e Bekim Fehmiut ne Kosove dhe plot rruge jane pagezuar me emra cobanesh e hajvanesh e anonimesh qe te bejne me turp.

Mesova sot se as Gjakova me te cilen Bekimi krenohej, as Prizreni djep e vorr i tij nuk ia kane bere nderet zyrtare, nuk kane rruge me emrin e tij, nuk i bejne permendore, nje bust kur bustat mbijne perdite si kerpudha neper Kosove.

Por populli shqiptar e mban ne kupe te krese Bekim Fehmiun.

Mesova se kryetari aktual i qytetit te lashte te Prizrenit nuk begenis te beje asgje per Bekim Fehmiun. Natyrisht se e ka te veshtire nje liliput ti afrohet guliverit, por nuk rivalizon dot askush i gjalle ne Kosove me Bekim Fehmiun. Te mencmit do t'ia shihnin hajrin cdo cast Bekim Fehmiut sepse ai ka hy ne pavdeksi dhe nuk ben llogari me hajvana qe bejne llogari tenderash e perfitimesh financiare. E di per studiues kryetarin e Prizrenit!!

Qeveria e Kosoves per turpin e saj, Kuvendi i Kosoves per marren e faqen e vet te zeze, Akademia e Shkencave dhe arteve e Kosoves me gjysme shekulli indietra, nuk e begeniskan dhe nuk e nderokan Bekim Fehmiun.

Sepse nuk po u duket patriot e atdhetar Bekimi, po ju duket jugosllav.

Po kush i ka dhane ma shume emer shqiptareve se sa Bekim Fehmiu qe nuk ka lejuar t'i nderrohet asnje germe ne emer dhe ka pohuar krenar se eshte shqiptar mish e gjak i Kosoves.
Si reagim si proteste ai ka demonstruar ne Beograd rezistencen e tij, kundershtine e tij, refuzimin e tij te madh, braktisjen e zhurmshme qe i beri skenes se Beogradit ne shenje solidariteti me shqiptaret e martirizuar e viktimizuar.

Ate e kane degjuar gjithe veshet e botes dhe trimat e komandantat e katuneve qe kane luftue e trimerue ne dimia te grave nuk i kane dhane e as nuk i japin dot jehone e lavdi Kosoves sa i ka dhene Bekim Fehmiu sikur me vdeke 100 komandanta anonime e te vetshpallur komandanta te pasluftes se fundit.

Komandantat e politikanet aktuale qe nuk vleresojne Bekim Fehmiun kane luftue deri te gardhi i shpive e arave te veta, Bekim Fehmiu ka luftue ne Beograd. Haram kush nuk e di dhe njeh luften e tij. Ai e ka bere luften e vet dhe te gjithe ia kane zili famen, luften e lavdine. Ai mundet me i veshe e zbukurue ne lavdi gjithe komandantat e luftes dyte boterore dhe te luftes se fundit te Kosoves, se ai ka lavdi teper e s'ka ku e con, nuk i duhet ajo.

Ia paskan zane me te madhe Bekim Fehmiut pse eshte martue me grue serbe!!! E ka kroate por e quajne serbe. Po mijera shqiptare qe jane martue me serbe a kane bere krim. Po gati nje shekull kane jetue bashke shqiptare e serbe dhe ende po jetojne e do te jetojne bashke. Pse qenka krim. Apo per Belimin eshte krim e per mbi njemije personalitete tjera nuk eshte krim.

Po ju trima e kapedana qe keni jetue kojshi me serbe, qe keni hanger e pi bashke sepse nuk keni ba 80 vjet lufte cdo dite e cdo ore me serbe, pse nuk ia zini per te madhe vetes tuaj por ia zini per te madhe Bekim Fehmiut.

Bekim Fehmiu ne librin e vet qe ka shkruar per jeten e vet ka shkruar me mire se cdo shkrues tjeter monografie ne hapsiren shqiptare.
Bekim Fehmiu e pergezon Ibrahim Rugoven per guximin intelektual, trimerine e qendresen e tij dhe i thote burrat si ti i kane koqet deri ne fund te kembeve.

Politikanet qe nuk i bejne nderet Bekim Fehmiut sot ne Kosove jane te sherrur. Pike.



Vilhelme Haxhiraj : Jeta e z. Uran Kostreci dhe thuajse e të gjithë shqiptarëve ishte mashtrim dhe pabesi





Ese e pabotuar

Përshëndetje të gjithë pjesëmarrësve!




Zotërinj, falenderoj z. Uran Kostreci që zgjodhi Vlorën, menjëherë pas Tiranës, për të paraqitur librin e tij në prozë, novelën “Pabesia”.

Para se të flas për librin dua të hap një parantezë, që mendoj se vlen për këtë auditor. Pas viteve 90 në vendin tonë ka vërshuar një krijimtari e bollshme, ku më e shumta janë poezi, kujtime, përkushtime të të afërmëve apo njerëzve që kanë dhënë ndonjë vlerë gjatë luftës çlirimtare apo gjatë diktaturës së egër komuniste gjysmë shekullore. Asnjëherë nuk duhet ndaluar iniciativa, madje do ta quaja më shumë se gabim, faj apo më keq akoma, krim, që t’i ndalosh kujtdo të drejtën dhe lirinë për të shprehur lirisht mendimet e tij, gjë që na u mohua për gjysmë shekulli.

Por theksoj se, liria e mendimit dhe shprehjes nuk duhet shpërdoruar. Jo të gjitha botimet janë cilësore dhe përciellin atë mesazh për të cilin ka nevojë shoqëria shqiptare sot. Për këtë unë tërheq vëmendjen e çdo krijuesi, që vetshpallet, studiues apo historian, pa i njohur analet e historisë, pa u diplomuar në këtë fushë, pa u afirmuar si i tillë apo më keq akoma pa botuar një libër. Si mund të vetquhet profesor ai që nuk e ka një titull të tillë? Si mund të vetquhet poet një bejtexhi? Si mund të vetquhet romancier një që s’ka shkruar romane, por vetëm kujtime, apo kronike ngjarjesh, me një gjuhë dhe leksik shqip tejet të çalë? Krijuesve të mirfilltë u vjen turp t’i kenë libra të tillë nëpër bibliotekat e tyre, sepse nuk fitojnë gjë. Flas për ata njerëz që janë të shtresës së mohuar dhe shkruajnë. Të mos ia lejojnë vetes një gjë të tillë, sepse është paradoks, cinizëm, s’është aspak profesionale dhe aq më tepër letrare. Sepse autorë të tillë do të jenë ironia e vetvetes. Mbi të gjitha dëmtojnë letërsinë e cila ka nevojë për një seleksionim të këtyre prurjeve që i ngjasin xhunglës.
Më falni z. Kostreci që ndërhyra, por mendoj se është sugjerim i domosdoshëm, me njerëzit e duhur, në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Të riparojmë ndërgjegjen tonë ne si shtresë në kohë, sa nuk është vonë. Kujtoj se asnjëherë nuk është vonë për t’u riparuar si individ apo më gjerë si shoqëri dhe për të bërë gjënë e duhur.

Dy fjalë për librin:

Novela e z. Kostreci me titull “Pabesia”, si të parin botim në prozë, do t’i uroja sukesese autorit brilant të sonetit edhe në këtë gjini të vështirë, në prozë, e cila kërkon kohë dhe vullnet për t’u realizuar. Mund të them me plot gojën se Uran Kostreci ndoshta është i vetmi autor që lëvron sonetin 13 rroksh, tashmë i lënë në hije nga krijuesit, ashtu siç janë lenë në harresë edhe disa gjini të tjera si skica letrare dhe letërsia për fëmijë. Pra janë tri gjini, plus romanin, se shkruhen pak romane të mirëfillta, për të cilat mendoj se letërsia shqiptare është në krizë. Novela, që nga titulli flet vet. Në pamje të parë duket si autobiografik, por jetët shqiptare janë aq të ngjashme sa , kur lexon diçka shprehesh me habi: “Kjo qenka jeta ime!”

Ngjarjet zhvillohen në dy etapa kohore: në luftë dhe në diktaturë. Etapa e luftës është në sfond si shkaktarja e gjithë të këqijave,vëllavrasjes, pabesisë ndaj vëllait të një gjaku si dhe kosovarit të cilin ia dorëzon bishave serbe. Ishte komunizmi sllavo -serbo-rus, ajo ideologji që solli përçarjen mes shqiptarëve duke i futur në një hasmëri shekullore. Janë pikërisht ato litarë dhe pabesia ndaj vëllait, mikut, të afërmit dhe shokut, që na i kanë lënë si trashëgimi edhe sot. Shumë bukur e paraqet autori mes antagonizmash, diverse mendimesh, me metafora të goditura qëndrimin e Radomit, personazhit kryesor dhe djalit të hallës, Agronit. Ky i fundit del në mal me dëshirën e atdhetarit, mori pjesël në luftë për çlirimin e vendit. Por shumë shpejt zhgënjehet krahas idealit që i injektuan dhe njohjes të së vërtetës së hidhur. Njohja e së vërtetës e çoi atë drejt vdekjes. Edhe pse në plan të dytë, Agroni me qëndrimet e tij si luftëtar lirie dhe si njohës i ideve komuniste, qëndron shumë lart. Libri nis me një peizazh disa vite pas mbarimit të luftës. Agroni kthehet nga Ferri ku kaloi vitet e rinisë, me mendimin se gjithçka do të kishte ndryshuar, por përsëri pësoi zhgënjim. Radomi, zbret aty ku kaloi fëmijërinë, rininë, ku njohu vajzën e ëndrrave dhe ku u bë baba. U kthye me dëshirën, me mallin për atë kohë të pakthyeshme, jetonte me ëndrrën se do t’i gjente të gjithë në shtëpinë e tij. Por për fat të keq ajo tashmë s’ekzistonte më. Buzë lumit vurin re se ende qëndron gorrica e përzhitur nga flakët e luftës, mure të rrëzuar si pa zot, varfëri e tejskajshme. Me dyshim në gjithçka që i përfshin syri dhe për kalimtarin kurioz gëlon mendimi i trishtë, që e rrëqeth trup e shpirt “Mos vallë kjo ishte bota e re për të cilën luftuam?”!”. Hedh sytë nga vetja dhe ligështohet ; ka ngelur një invalid me një sy e dhe me një dorë. Kjo tablo plotëson gjithë domethënien e novelës. Kujt i hyn në punë vallë një qorr-sakat? E megjithatë jeta qenka e dhembshur. Ai do që të jetojë ashtu, gjysmak për të birin, ndoshta për ta nisur jetën pikërisht aty ku e kishte lënë. Zotërinj a nuk është jeta jonë e gjymtuar? Kjo ishte teoria e idealit socialisto-komunist për ta shkatërruar njeriun dhe fisnikërinë. Tek ky njeri i gjymtuar ,diku në shpirtin e tij të zbrazët, jetonte dashuria e tij e parë dhe mendimi i të qenit “baba”.
Ishin pikërisht këto dy ndjenja sublime, të pa zëvendësueshme që e mbajtën Radomin gjallë për vite të tëra. Kjo novelë përciell tek lexuesi se tre breza vuajtën dhe ende vuajnë materialisht, shpirtërisht dhe mendërisht, madje edhe fëmijët e tyre kanë fatin e paraardhësve të tyre. Oh, ç’mëkat që na la trashëgim një sistem pa themele. Cilido në vend të tij do të mendonte : « Kur ke një shpirt të zbrazur, ke vdekur…Trupi pa shpirtin është inekezistent. » Dhe novela e lë lexuesin me një pikëpytje enigmatike . Në fund ti, unë e të gjithë pyesim: “Si u vajti filli vallë? »

Z.Uran ju uroj suksese, ashtu si në sonete, edhe në prozë, sepse e meritoni!

Paraqitja e novelës “ Pabesia”- në Vlorë më 3-7-2010

2016-04-16

Kush ishte atentatori i bandës së Shullazit


Kush është Emiljano Shullazi?



Të gjithë po flasin për bandën e Emiliano Shullazit, që u sulmua të hënën në mbrëmje, por shumë pak dihet për personin që kreu sulmin tek Rruga e Kavajës.

Artur Baze, i njohur ndryshe edhe si Arjanit Sterio, 42 vjeç, sipas policisë, tentoi që të vriste katër persona, duke pasur si shënjestër Pajtim Serjanin, mik i Shullazit.

Por ai mbeti i vrarë nga plumbat e policit Roland Mete.

Po kush është Baze?

Policia thotë se ka precedentë penalë, por nuk nuk figuron si i arrestuar apo i proceduar.

Mësohet se është hetuar për të në lidhje me dy vrasje të ndodhura në Tiranë.

Para disa muajsh, ai ishte deportuar nga Greqia.

Jetonte në zonën e Don Boskos dhe ishte babai i një djali 10 vjeç.

Fqinjët thonë se nuk e njohin shumë, por nuk e dinin se ishte vrasës me pagesë, pasi u rezultonte një tip i qetë.

Atë e kanë përcjellë në banesën e fundit babai, e shoqja dhe djali.

Nëna e Bazes: Telefonata e fundit që e nxori nga shtëpia



Për nënën e Arjanit Sterios, djali i saj nuk është vrarë vetëm mbrëmjen e së hënës së kësaj jave kur u qëllua me armë zjarri te Rruga e Kavajës nga efektivi i policisë. Trendo Baze tregon momentin kur është përshëndetur për herë të fundit me të birin dhe nuk e ka parë më të gjallë, pasi dikush e mori në telefon.

Djali juaj mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit që ndodhi të hënën te Rruga e Kavajës. Policia tha se ai ishte i dyshuar si vrasës me pagesë. A kishte kryer krime më parë Arturi?


Djali im nuk vriste dot një mizë, jo më të vriste njerëz. Në jetën e tij nuk kishte bërë as ndonjë vjedhje ordinere, krime të tjera jo e jo.

Çfarë ju ka thënë policia, ka komunikuar me ju?
Po, çdo ditë. Djemtë, burri, por edhe vajzat janë pyetur disa herë. Kanë qenë këtu në shtëpi atë natë që ndodhi, por i kanë thirrur edhe në polici. Policia nuk na jep asnjë shpjegim. Madje kur i pyesim se pse u vra djali, kush e futi në këtë valle, na thonë pse duhet që ta dimë ne. Po si të mos e dimë ne, familja e tij? Si nuk qenka punë për ne, siç thonë ata? U vra djali im dhe unë nuk duhet të di asgjë se si ka ndodhur?! Njëri thoshte e kanë qëlluar nga para, tjetri thoshte nga pas. Pastaj si përfundim doli që i kishin qëlluar pas shpine.

Kush ju tha që është qëlluar nga para?
Një oficer policie që ne e pyetëm ditën e parë na tha që e ka marrë plumbin në gjoks dhe ka vdekur menjëherë. Ndërsa shefi i tij na tha që ishte qëlluar në shpatull dhe plumbi i ka prekur zemrën. Pra është goditur nga pas. Të njëjtën gjë na thanë edhe te morgu. Po unë nuk kuptoj një gjë: kur djali im e paska qëlluar policin me armë, si ka arritur ai ta ndjekë ashtu i plagosur siç ishte? Sepse kështu i bie ta ketë ndjekur dhe e ka qëlluar pas shpine. Ja këtë dua të më shpjegojnë ata që po hetojnë ngjarjen. Dua të di pse ma vranë djalin.

Sipas Policisë, Arturi kishte tentuar t’i vriste, pasi ai ka qëlluar i pari…
Po nëse donte t’i vriste, pse qëlloi nga këmbët në fillim? Pastaj, polici pse nuk e plagosi, por e vrau? Po ta kishte neutralizuar, ashtu siç të paktën ne e dimë si duhet të veprojë policia, do ta kishte më të lehtë të zbulonte se kush e paska porositur djalin tim për të bërë atë krim, meqë e quajtën vrasës me pagesë. I plagosur ai mund të fliste, të tregonte motivin. Policia kërkon që t’ua tregojmë ne motivin. Ne nuk dimë asgjë, as se ku rrinte, as se me kë shoqërohej Arturi. Nuk na fliste kurrë për gjëra të tilla.

Jetonte këtu me ju?
Jo. Këtu ka ardhur vetëm 7 ditët e fundit. Erdhi më 28 dhjetor se ishte shumë sëmurë, e kishte zënë gripi. I kishin prerë edhe dritat te shtëpia ku jetonte dhe ka qëndruar këtu. Po më shumë rrinte në dhomë i mbyllur vetëm. Nuk para fliste shumë. Ishte edhe sëmurë dhe nuk fliste.

Po ku jetonte?
Këtë nuk e dimë. Nuk na e ka thënë asnjëherë. Dimë që kishte marrë një shtëpi me qira diku, por nuk na e thoshte se ku, edhe pse e kemi pyetur disa herë. Ishte vetëm fare, pasi edhe me të shoqen kishte disa kohë që nuk jetonte më. Kishin disa mosmarrëveshje. Nuk është se janë ndarë zyrtarisht, por më shumë ndarazi jetonin, pasi ai për shumë kohë kishte jetuar në Greqi dhe punonte atje.

Kur ishte kthyer nga Greqia?
Në qershor të këtij viti erdhi. Por siç ju thashë, nuk ka jetuar këtu te ne.

Punonte këtu?
Tani nuk e di nëse punonte apo jo. Por dikur ka punuar. Punonte si faturino në urbanët e Unazës. Ndërsa në Greqi po. Atje ka punuar gjithmonë. Asnjëherë nuk ka dashur që të fitojë shumë para dhe shpejt, siç mund të duan shumë të tjerë. Ishte mësuar që ta fitonte gjithçka me djersë.

Njihnit ndonjë shok të tij?
Asnjë. Ai nuk na fliste kurrë se me kë shoqërohej. Asnjëherë nuk ka sjellë ndonjë mik të tij në shtëpi, apo të na ketë prezantuar ndonjë. Nuk e dimë fare se me kë rrinte. Dilte në mëngjes dhe kthehej në darkë. Kur vinte ndonjëherë për të qëndruar te ne, por siç ju thashë ai jetonte vetëm.

Po ditën që ndodhi ngjarja, këtu te ju ishte?
Po, atë ditë ka qenë këtu. Ishte sëmurë siç ju thashë. U zgjua në mëngjes dhe kur po përgatisja bukën, dikush e mori në telefon. Ka qenë ora diku te 9 e mëngjesit. Foli me atë që e mori në telefon dhe i tha që po dilte ta takonte. Ju tha se ku po shkonte? E pyeta në fakt, por nuk më tha gjë. Thjesht më tha se nuk do vonohej shumë. Maksimumi 10 minuta. Hëngri bukë dhe doli. Që nga ai moment djali nuk është kthyer më në shtëpi. Nuk e kam parë më të gjallë. Tek ajo telefonatë qëndron e gjithë puna sipas meje. Policia e ka të thjeshtë ta gjejë se kush e nxori nga shtëpia atë ditë. Telefonin e tij e kanë, mund ta gjejnë vetë, jo ta kërkojnë nga ne, se ne nuk dimë gjë.

Kur e morët vesh që ai ishte vrarë?
Në darkë vonë e morëm vesh nga televizionet. Burri po shihte lajmet dhe në një moment doli një emër i ngjashëm me emrin tjetër që kishte djali, Arjanit Sterio. Që aty dyshuam. Pastaj na erdhi edhe policia këtu në shtëpi, disa policë civilë dhe ata na lajmëruan.

Pse e kishte ndryshuar emrin Arturi?
Ai kishte shkuar disa herë në Greqi. Kishte qenë më parë edhe në Angli, por u kthye dhe pastaj shkoi në Greqi, sepse aty kishte vëllain dhe motrat. Qëndronte tek ata dhe punonte atje. Por në Greqi e kapën dhe e dënuan me 24 muaj heqje lirie, ku për sjellje të mirë dhe për shkak se punonte rregullisht në burg, e liruan pas 11 muajsh. Kur mbërri në Shqipëri, djali tjetër vendosi të blinim një shtëpi në Tiranë, që të na mblidhte të gjithëve dhe të jetonim këtu, por Arturi duke parë kushtet dhe papunësinë, u zhvendos në një shtëpi me qira në Laprakë bashkë me familjen që kishte krijuar. Para 3-4 vitesh ai e ndërroi emrin në Arjanit Sterio për shkak të vulës që i kishin vendosur në pasaportë, në mënyrë që të mos shkelte më në Greqi. Por me emrin e ri ai shkoi prapë, donte patjetër të shkonte atje e të punonte, pasi këtu nuk gjente punë. Kjo ka qenë arsyeja që ndryshoi emrin.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...