2016-04-16

Nëna e Bazes: Telefonata e fundit që e nxori nga shtëpia



Për nënën e Arjanit Sterios, djali i saj nuk është vrarë vetëm mbrëmjen e së hënës së kësaj jave kur u qëllua me armë zjarri te Rruga e Kavajës nga efektivi i policisë. Trendo Baze tregon momentin kur është përshëndetur për herë të fundit me të birin dhe nuk e ka parë më të gjallë, pasi dikush e mori në telefon.

Djali juaj mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit që ndodhi të hënën te Rruga e Kavajës. Policia tha se ai ishte i dyshuar si vrasës me pagesë. A kishte kryer krime më parë Arturi?


Djali im nuk vriste dot një mizë, jo më të vriste njerëz. Në jetën e tij nuk kishte bërë as ndonjë vjedhje ordinere, krime të tjera jo e jo.

Çfarë ju ka thënë policia, ka komunikuar me ju?
Po, çdo ditë. Djemtë, burri, por edhe vajzat janë pyetur disa herë. Kanë qenë këtu në shtëpi atë natë që ndodhi, por i kanë thirrur edhe në polici. Policia nuk na jep asnjë shpjegim. Madje kur i pyesim se pse u vra djali, kush e futi në këtë valle, na thonë pse duhet që ta dimë ne. Po si të mos e dimë ne, familja e tij? Si nuk qenka punë për ne, siç thonë ata? U vra djali im dhe unë nuk duhet të di asgjë se si ka ndodhur?! Njëri thoshte e kanë qëlluar nga para, tjetri thoshte nga pas. Pastaj si përfundim doli që i kishin qëlluar pas shpine.

Kush ju tha që është qëlluar nga para?
Një oficer policie që ne e pyetëm ditën e parë na tha që e ka marrë plumbin në gjoks dhe ka vdekur menjëherë. Ndërsa shefi i tij na tha që ishte qëlluar në shpatull dhe plumbi i ka prekur zemrën. Pra është goditur nga pas. Të njëjtën gjë na thanë edhe te morgu. Po unë nuk kuptoj një gjë: kur djali im e paska qëlluar policin me armë, si ka arritur ai ta ndjekë ashtu i plagosur siç ishte? Sepse kështu i bie ta ketë ndjekur dhe e ka qëlluar pas shpine. Ja këtë dua të më shpjegojnë ata që po hetojnë ngjarjen. Dua të di pse ma vranë djalin.

Sipas Policisë, Arturi kishte tentuar t’i vriste, pasi ai ka qëlluar i pari…
Po nëse donte t’i vriste, pse qëlloi nga këmbët në fillim? Pastaj, polici pse nuk e plagosi, por e vrau? Po ta kishte neutralizuar, ashtu siç të paktën ne e dimë si duhet të veprojë policia, do ta kishte më të lehtë të zbulonte se kush e paska porositur djalin tim për të bërë atë krim, meqë e quajtën vrasës me pagesë. I plagosur ai mund të fliste, të tregonte motivin. Policia kërkon që t’ua tregojmë ne motivin. Ne nuk dimë asgjë, as se ku rrinte, as se me kë shoqërohej Arturi. Nuk na fliste kurrë për gjëra të tilla.

Jetonte këtu me ju?
Jo. Këtu ka ardhur vetëm 7 ditët e fundit. Erdhi më 28 dhjetor se ishte shumë sëmurë, e kishte zënë gripi. I kishin prerë edhe dritat te shtëpia ku jetonte dhe ka qëndruar këtu. Po më shumë rrinte në dhomë i mbyllur vetëm. Nuk para fliste shumë. Ishte edhe sëmurë dhe nuk fliste.

Po ku jetonte?
Këtë nuk e dimë. Nuk na e ka thënë asnjëherë. Dimë që kishte marrë një shtëpi me qira diku, por nuk na e thoshte se ku, edhe pse e kemi pyetur disa herë. Ishte vetëm fare, pasi edhe me të shoqen kishte disa kohë që nuk jetonte më. Kishin disa mosmarrëveshje. Nuk është se janë ndarë zyrtarisht, por më shumë ndarazi jetonin, pasi ai për shumë kohë kishte jetuar në Greqi dhe punonte atje.

Kur ishte kthyer nga Greqia?
Në qershor të këtij viti erdhi. Por siç ju thashë, nuk ka jetuar këtu te ne.

Punonte këtu?
Tani nuk e di nëse punonte apo jo. Por dikur ka punuar. Punonte si faturino në urbanët e Unazës. Ndërsa në Greqi po. Atje ka punuar gjithmonë. Asnjëherë nuk ka dashur që të fitojë shumë para dhe shpejt, siç mund të duan shumë të tjerë. Ishte mësuar që ta fitonte gjithçka me djersë.

Njihnit ndonjë shok të tij?
Asnjë. Ai nuk na fliste kurrë se me kë shoqërohej. Asnjëherë nuk ka sjellë ndonjë mik të tij në shtëpi, apo të na ketë prezantuar ndonjë. Nuk e dimë fare se me kë rrinte. Dilte në mëngjes dhe kthehej në darkë. Kur vinte ndonjëherë për të qëndruar te ne, por siç ju thashë ai jetonte vetëm.

Po ditën që ndodhi ngjarja, këtu te ju ishte?
Po, atë ditë ka qenë këtu. Ishte sëmurë siç ju thashë. U zgjua në mëngjes dhe kur po përgatisja bukën, dikush e mori në telefon. Ka qenë ora diku te 9 e mëngjesit. Foli me atë që e mori në telefon dhe i tha që po dilte ta takonte. Ju tha se ku po shkonte? E pyeta në fakt, por nuk më tha gjë. Thjesht më tha se nuk do vonohej shumë. Maksimumi 10 minuta. Hëngri bukë dhe doli. Që nga ai moment djali nuk është kthyer më në shtëpi. Nuk e kam parë më të gjallë. Tek ajo telefonatë qëndron e gjithë puna sipas meje. Policia e ka të thjeshtë ta gjejë se kush e nxori nga shtëpia atë ditë. Telefonin e tij e kanë, mund ta gjejnë vetë, jo ta kërkojnë nga ne, se ne nuk dimë gjë.

Kur e morët vesh që ai ishte vrarë?
Në darkë vonë e morëm vesh nga televizionet. Burri po shihte lajmet dhe në një moment doli një emër i ngjashëm me emrin tjetër që kishte djali, Arjanit Sterio. Që aty dyshuam. Pastaj na erdhi edhe policia këtu në shtëpi, disa policë civilë dhe ata na lajmëruan.

Pse e kishte ndryshuar emrin Arturi?
Ai kishte shkuar disa herë në Greqi. Kishte qenë më parë edhe në Angli, por u kthye dhe pastaj shkoi në Greqi, sepse aty kishte vëllain dhe motrat. Qëndronte tek ata dhe punonte atje. Por në Greqi e kapën dhe e dënuan me 24 muaj heqje lirie, ku për sjellje të mirë dhe për shkak se punonte rregullisht në burg, e liruan pas 11 muajsh. Kur mbërri në Shqipëri, djali tjetër vendosi të blinim një shtëpi në Tiranë, që të na mblidhte të gjithëve dhe të jetonim këtu, por Arturi duke parë kushtet dhe papunësinë, u zhvendos në një shtëpi me qira në Laprakë bashkë me familjen që kishte krijuar. Para 3-4 vitesh ai e ndërroi emrin në Arjanit Sterio për shkak të vulës që i kishin vendosur në pasaportë, në mënyrë që të mos shkelte më në Greqi. Por me emrin e ri ai shkoi prapë, donte patjetër të shkonte atje e të punonte, pasi këtu nuk gjente punë. Kjo ka qenë arsyeja që ndryshoi emrin.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...