Pas përleshjeve me armë zjarri mes bandave kriminale të ndodhura në Tiranë, ku mbeti i vrarë një 42-vjeçar dhe katër persona të tjerë u plagosën, mes tyre edhe Emiljano Shullazi, ka reaguar zyrtarisht edhe policia e kryeqytetit.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, deklaroi në një konferencë për mediat se dy ngjarjet kriminale nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Sipas policisë, 42-vjeçari Arjanit Sterio u vra pranë “Rrugës së Kavajës”, aty ku mbeti i plagosur edhe efektivi i policisë Roland Meta. Ndërsa një tjetër ngjarje kriminale u raportua në polici tha ai, rreth orës 20.30 të ditës së hënë, ku mbeti i plagosur shtetasi Emiljano Shullazi dhe shoku i tij nga dalja e makinës jashtë rrugës.
“Nga hetimet rezulton se të dyja ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Deri tani janë dërguar në polici 32 shtetas. Po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes”,-deklaroi Cipa për mediat.
Atentati tek “Rruga e Kavajës”
Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa sqaroi se më datë 05.01.2015 rreth orës 19.45, është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë për të shtëna me armë zjarri në Rrugën e Kavajës në hyrje të rrugës “Islam Alla”.
Në vendin e ngjarjes tha ai, u konstatuan dhe fiksuar në cilësinë e provës materiale një sërë gëzhojash të kalibrave të ndryshëm. Po ashtu është sekuestruar edhe një pistoletë tip “Bereta”. Sipas Çipës, nga rrethimi i vendit të ngjarjes dhe zonës përreth, në rrugën “Him Kolli”, në një distancë rreth 1 km është gjetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio (Alias), 42 vjeç, banues në Tiranë.
Drejtori i Policisë së Tiranës shtoi se nga veprimet paraprake u mor informacion se në spitalin ushtarak ka shkuar i plagosur shtetasi Pajtim Xhevahir Serjani, 32 vjeç, ndërsa në një spital privat në Tiranë shkoi i plagosur me armë zjarri punonjësi i policisë Roland Meta.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është arritur të saktësohet se rreth orës 19.40, viktima, shtetasi Arjanit Alias ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasit Pajtim Serjani, Roland Meta dhe dy shtetas të tjerë. Pasi ka plagosur me armë shtetasin Serjani, punonjësi i policisë ka reaguar duke i bërë thirrje: Ndal Policia. Në këtë moment vrasësi ka reaguar duke plagosur punonjësin e policisë, i cili edhe në këto kushte i është përgjigjur me shkëmbim zjarri, duke e plagosur rëndë. Shtetasi Arjanit Alias është përpjekur të largohet dhe rreth 1 km më larg ka mbetur i vdekur”,-deklaroi drejtori i Policisë së Tiranës.
Gjithashtu Çipa sqaroi se grupi hetimor ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Roland Meta për veprën penale “Vrasje, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Sipas tij, punonjësi i policisë Roland Meta është pranuar në Policinë e Shtetit në vitin 2005, ndërsa në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale është emëruar në dhjetor të vitit 2007, detyrë që e mban edhe sot.
Plagosja e Emiljano Shullazit
Duke thënë se dy ngjarjet kriminale të ndodhura dy ditë më parë nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, drejtori i Policisë së Tiranës tha se po në datë 05.01.2015, rreth orës 20:30 është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Tiranë së në aksin rrugor Rinas – Kashar ka pasur të shtëna me armë zjarri, ku për pasojë një mjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar jashtë rrugës.
Sipas tij, pas njoftimit për shkëmbimin e zjarrit policia është sinjalizuar se në spitalin ushtarak është paraqitur i plagosur me armë zjarri shtetasi Emiljano Shullazi, 36 vjeç, i shoqëruar nga shtetasi Gilmando Dani, vjeç 36, i cili ishte i dëmtuar në kokë nga dalja jashtë rruge e mjetit.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas me automjetin tip “Ëosklsvagen Golf”, me targa “AA 629 HR” kanë qenë duke u kthyer nga Fushë Kruja në drejtim të Tiranës dhe sipas të dhënave paraprake rreth orës 19:30 janë qëlluar me breshëri armësh zjarri nga një mjet tjetër dhe për pasojë kanë humbur kontrollin e mjetit dhe kanë dalë nga rruga”,-deklaroi Çipa.
Sipas tij, në vendngjarje janë gjetur 24 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një kreher pistolete dhe një kreher automatiku model 56, të cilët janë dërguar për ekzaminim balistik në Drejtorinë e Policisë Shkencore. “Nga hetimet paraprake rezultion se të dyja ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën”,-tha Çipa.
Në deklaratën e tij, drejtori i Policisë së Tiranës tha se deri tani, për zbardhjen e rrethanave të të dy ngjarjeve, motiveve dhe autorëve të tyre janë shoqëruar në polici 32 shtetas dhe po vijohen hetimet për veprën penale të “Vrasje e kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim, e ngelur në tentativë”.
Më herët, në atentatin e ndodhur pranë Qafës së Kasharit nuk është plagosur vetëm Emiljano Shullazi, por edhe shoku i tij, Gilmando Dani, i cili ndodhej bashkë me të në makinë. Grupi hetimor ka arritur të zbardhë dinamikën e ngjarjes pa autor, duke rindërtuar skemën e krimit, që e ka klasifikuar si vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë. Edhe pse ende nuk dihet saktësisht nëse ka pasur shkëmbim zjarri apo është qëlluar vetëm nga një drejtim, burimet thanë se në vendngjarje, në një zonë me hapësirë të madhe, janë gjetur gëzhoja të kalibrave të ndryshëm. Në raportin e brendshëm të Policisë së Tiranës shkruhet se rreth orës 20:22, në sallën operative ka telefonuar një qytetar, i cili deklaronte se te mbikalimi i Rinasit, sa kalon lokalin e H. H., ka të shtëna me automatik. “U dërgua specialisti i zonës dhe nga verifikimi rezultoi të ishte qëlluar në drejtim të mjetit tip ‘Golf’, me targa AA 629 HR, por nuk ka të dëmtuar”, thuhet në njoftimin paraprak që efektivët në vendin e ngjarjes i kanë përcjellë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Por më pas, në një komunikim të dytë, u njoftua se drejt Spitalit Ushtarak po transportoheshin të plagosur me armë zjarri, shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, që ndodheshin në makinën që kishte dalë jashtë rruge. “Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur shtetasi Emiljano Shullazi, 36 vjeç, dhe Gilmando Dani, 36 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Në vendin e ngjarjes u formua grupi hetimor që po kryen veprimet e para, duke mbledhur dhe administruar provat në vendngjarje dhe sekuestruar disa gëzhoja”, thuhej zyrtarisht nga Policia e kryeqytetit.
ATENTATI
Burime nga grupi hetimor thanë se ka filluar procedim penal dhe po punohet për kapjen e autorëve, sepse në fshatin Bërxullë, në rrugën “Nënë Tereza”, në afërsi të mbikalimit të Rinasit, është tentuar të vriten me armë zjarri shtetasi Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani. Të dy këta persona po ktheheshin nga Fushë–Kruja, duke udhëtuar në drejtim të Tiranës me automjetin e tyre tip
“Golf 4”, me targë AA 629 HR, ngjyrë gri, kur u ishte zënë pritë pak metra para se të mbërrinin te Qafa e Kasharit. Nga të shtënat me breshëri ka mbetur i plagosur Shullazi dhe miku i tij Dani. Burimet thanë se makina me të cilën ata udhëtonin është sulmuar me armë automatike nga disa persona ende të paidentifikuar, të cilët ndodheshin në një tjetër makinë, që ka arritur të largohet nga
vendi i ngjarjes. Për pasojë, automjeti ku ndodhej Shullazi ka humbur drejtimin, duke përfunduar jashtë rrugës kryesore dhe ka rënë në një arë në anë të saj, nga krahu i fshatit Domje. Duke përfituar nga ky moment, autorët kanë arritur të largohen me shpejtësi dhe ende nuk janë identifikuar. Dy të plagosurit janë transportuar në Spitalin Ushtarak nga forcat e policisë me nga një plagë arme zjarri secili dhe mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Nga verifikimi i automjetit me të cilin udhëtonin dy të dëmtuarit, ka rezultuar se makina është në pronësi të shtetasit T. Berisha, nga fshati Shkallnur, i cili pasi është pyetur, ka deklaruar se ia kishte lënë në përdorim kushëririt të tij, Sh. Berisha, po nga i njëjti fshat. Edhe ky i fundit,në deklarimet e tij, është shprehur se makinën ia kishte lënë për disa ditë Emiljano Shullazit, të cilin e ka mik.
DESHMIA E SHULLAZIT
Oficerët e grupit hetimor kanë marrë në pyetje në Spitalin Ushtarak Emiljano Shullazin, për të mësuar rrethanat e ngjarjes, por edhe dyshimet e tij për autorët e mundshëm të atentatit. Megjithatë, përballja me 36-vjeçarin nuk ka dhënë asnjë ndihmëse për hetimet, pasi si Shullazi, ashtu edhe miku i tij, Dani, kanë deklaruar se nuk kanë parë asgjë. “Po ktheheshim nga Fushë-Kruja kur na qëlluan me armë. Gilmando ishte në timon, kurse unë në vendin e pasagjerit. Unë shkoj shpesh andej, pasi kam njerëz të afërm. Në atë kohë po vija në Tiranë dhe u gjenda në befasi. Nuk kam parë asgjë. As makinën nga ku na kanë qëlluar dhe as personat që mund të kenë qenë brenda. Nuk kam probleme me asnjë njeri dhe nuk kam dyshime se kush mund të ketë qenë. As unë vetë dhe as miku im nuk kemi qëlluar sepse nuk kemi pasur asnjë lloj arme me vete”, ka deklaruar Emiljano Shullazi gjatë deklarimeve që ka dhënë për hetuesit.