2016-04-16

Dëshmia e policit para kolegëve: E qëllova se na drejtoi armën



Vrasja me dashje?

Policia referoi materialet në prokurori për Metën me akuzën e vrasjes për vetëmbrojtje. Ndërkohë, mësohet se prokuroria diskutoi dje aktet dhe me shumë mundësi do të kërkojë sot masën e arrestit burg pa afat për oficerin për vrasje me dashje

Hetimet

Roland Meta: I thashë ‘ndal policia!’, por ai nxori pistoletën dhe më qëlloi. Pas plagosjes, reagova

Dy plumbat e gjetur në trupin e viktimës Artur Baze alias Arjanit Sterio kishin dalë nga pistoleta e Metës

Të dhëna
Seanca – Pamundësia e transportimit të Metës në gjykatë ka detyruar drejtësinë t’i komunikojë sot akuzën në shtratin e spitalit, ku 37-vjeçari ka probleme nga dy plumbat
Dëshmia – Atentatori ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar mbi Pajtim Serjanin. Në këtë moment i kam thënë ‘ndal policia!’. Ai më qëlloi dy herë, ndërsa unë reagova duke qëlluar mbi të
Rekrutimi – Roland Meta është pranuar në Policinë e Shtetit në vitin 2005, ndërsa në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale është emëruar në dhjetor 2007, detyrë që e mban edhe sot

Sokol Çobo

ngjarrja ne TiranePrania e një efektivi të Policisë së Shtetit në atentatin e së hënës në Rrugën e Kavajës ka ngjallur mjaft dyshime për drejtësinë, e cila ende nuk ka vendosur se çfarë akuze do të ngrejë për Roland Metën. Policia ka dërguar disa materiale në prokurori për këtë oficer, i cili mbeti i plagosur me dy plumba, duke e akuzuar për vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes. Nga ekspertimet ka dalë se dy plumbat në trupin e viktimës Artur Baze alias Arjanit Sterio kishin dalë nga pistoleta e Metës. Ndërkohë, gazeta “Shqip” mësoi se dje, grupi hetimor i kryesuar nga prokurori Fation Bunjaku, ka diskutuar këto akte, duke ndryshuar edhe akuzën ndaj këtij efektivi. Prokuroria do të kërkojë masën e arrestit me burg pa afat, duke e akuzuar për vrasje me dashje. Duket se policia dhe prokuroria kanë diskordanca për provat që rëndojnë ndaj efektivit të plagosur, ndërsa do të jetë gjykata e cila do të vendosë për fatin e 37-vjeçarit. Nga ana tjetër, sot, Gjykata e Tiranës do të zhvillojë masën e sigurisë, por ajo do të kryhet në Spitalin Ushtarak. Pamundësia e transportimit të Metës në gjykatë ka detyruar drejtësinë t’i komunikojë akuzën në shtratin e spitalit, ku 37-vjeçari ka probleme nga dy plumbat, ku njëri e ka prekur në shtyllën kurrizore. Megjithatë, gjendja e tij dje u stabilizua, aq sa hetuesit e çështjes i morën edhe një rrëfim për ngjarjen e 5 janarit.

Dëshmia e Metës

Para një grupi hetimor të Prokurorisë së Tiranës, Roland Meta, ka shpjeguar për disa minuta përfshirjen e tij në atentatin në Rrugën e Kavajës, ku ai u plagos. Ai ka pranuar se ka qëlluar me armë zjarri një person, i cili më vonë është identifikuar si Artur Baze alias Arjanit Sterio. “Unë kam qëlluar personin në fjalë. Më drejtoi armën dhe nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër”, mësohet se ka deklaruar Meta, ndërsa ka shpjeguar se në vendin e ngjarjes është ftuar nga një shoku i tij. “Unë nuk kam qenë në detyrë, por me vete kisha armën e punës. Isha në shoqërinë e disa personave, disa prej të cilëve nuk kisha njohje. Me njërin prej personave në tavolinë kam pasur shoqëri. Gjatë kohës që po qëndronim në ambientin në fjalë, na është afruar një person i dyshimtë. Ai lëvizte me hapa të shpejtë, teksa na u afrua drejt tavolinës sonë. Atentatori ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar mbi Pajtim Serjanin, duke e plagosur. Në këtë moment i kam thënë ‘ndal policia!’, dhe kam nxjerrë armën e punës. Ai më qëlloi me shpejtësi dy herë, ndërsa disa çaste më vonë e kam qëlluar. Autori u largua nga vendi ku qëndroja unë bashkë me personat e tjerë dhe e kam ndjekur për një moment. Ai ka qëlluar sërish në atë gjendje. Gjithçka e kam kryer për vetëmbrojtje. Nuk e kisha parë kurrë më parë personin që na u afrua”, – mësohet se ka deklaruar për prokurorët Roland Meta, nga Spitali Ushtarak.


Versioni i policisë

Dëshmia e Metës përputhet edhe me versionin e policisë për ngjarjen te Rruga e Kavajës, ndërsa tashmë do të mësohen edhe provat e mbledhura nga prokuroria, e cila ka ngritur paraprakisht akuzë tjetër ndaj 37-vjeçarit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, në një konferencë për shtyp, tha dje se policia është njoftuar në orën 19:45 për ngjarjen te Rruga e Kavajës. Në këtë vendngjarje u sekuestruan një sërë gëzhojash të kalibrave të ndryshëm si dhe një pistoletë “Beretta”. “Nga rrethimi i vendit të ngjarjes dhe zonës përreth, në rrugën ‘Him Kolli’, në një distancë rreth 1 kilometra është gjetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio (Artur Baze), 42 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet paraprake është marrë informacion se në Spitalin Ushtarak ka shkuar i plagosur Pajtim Serjani, 32 vjeç, ndërsa në një spital privat në Tiranë ka shkuar i plagosur me armë zjarri punonjësi i policisë, Roland Meta. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera është arritur të saktësohet se rreth orës 19.40, viktima, Arjanit Sterio ka tentuar të vrasë me armë zjarri Pajtim Serjanin, Roland Metën dhe dy persona të tjerë. Pasi ka plagosur me armë Serjanin, punonjësi i policisë ka reaguar duke i bërë thirrje ‘ndal policia!’. Në këtë moment, vrasësi ka reaguar duke plagosur punonjësin e policisë, i cili edhe në këto kushte i është përgjigjur me shkëmbim zjarri, duke e plagosur rëndë. Arjanit Sterio është përpjekur të largohet dhe rreth 1 km më larg ka mbetur i vdekur”, tha Çipa. Ai theksoi se grupi hetimor, i kryesuar nga një prokuror i Tiranës, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Roland Meta për veprën penale ‘Vrasje, në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme’. “Punonjësi i policisë, Roland Meta, është pranuar në Policinë e Shtetit në vitin 2005, ndërsa në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale është emëruar në dhjetor të vitit 2007, detyrë që e mban edhe sot”, – theksoi Çipa. Mësohet se një verifikim për këtë punonjës po e bën edhe SHKB-ja, për të parë lidhjet e Metës me personat që ishin në shoqërinë e tij, disa prej të cilëve me precedentë të mëparshëm kriminalë dhe shokë të Emiljano Shullazit.

CV-ja

Cili ishte Arjanit Sterio, ose Artur Baze, 42-vjeçari me banim në Laprakë dhe i deportuar nga Greqia

Atentatori, dyshohet për dy ngjarje të tjera

Arjanit Sterio, 42-vjeçari i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e 5 janarit, në Rrugën e Kavajës, duket se ka të kaluar të pasur kriminale, pasi CV-ja e tij, ndonëse e pakonfirmuar zyrtarisht, mbetet e mbushur me të dhëna që i përkasin botës së krimit. Nga burimet policore, deri më tani është sqaruar vetëm momenti kur Sterio, i cili tashmë njihet si Artur Baze, ishte paguar për të vrarë personat ndaj të cilëve u bë atentati, ku shënjestër duket se ishte Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit, por u qëllua për vdekje nga efektivi i policisë, Roland Meta, i cili, sipas burimeve zyrtare nga uniformat blu e kishte paralajmëruar për ndalim me shprehjen “ndal policia!”. Familjarët e tij e tërhoqën pardje trupin e pajetë nga morgu i Tiranës, teksa burime pranë Mjekësisë Ligjore thanë për gazetën “Shqip” se ai kishte një plumb në kokë dhe të tjerë në trup. Nga ana tjetër, për sa kohë ka qëndruar në territorin e Republikës së Shqipërisë, Arjanit Sterio, nuk ishte skeduar asnjëherë zyrtarisht nga Policia e Shtetit, pasi emri i tij, si dhe ai i ndryshuar në Artur Baze, nuk rezulton në asnjë dosje policore. Por, referuar burimeve, mësohet se ai dyshohet të jetë implikuar si përgjegjës direkt në dy ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në Shqipëri, pa specifikuar për çfarë bëhet fjalë. Për shkak se nuk ka pasur prova që e lidhnin me këto ngjarje, ai nuk është proceduar kurrë. Nga ana tjetër, mësohet se 42-vjeçari, i lindur dhe rritur në Çorovodë, rreth viteve 2004-2005 ishte deportuar nga Greqia, pasi kishte kaluar kufirin ilegalisht, ndërsa ende mbetet i paqartë i gjithë aktiviteti i tij në shtetin grek. Autoritetet e policisë dhe drejtësisë së palës greke nuk u kanë përcjellë homologëve shqiptarë ndonjë dosje rreth tij, por ende nuk dihet nëse është ndaluar apo dënuar ndonjëherë në shtetin fqinj. Megjithatë, mes të dhënave të pakta që disponohen rreth këtij personazhi që doli në skenë vetëm kur u gjet i vrarë, dihen vetëm dy gjeneralitetet e tij, fakti që është i martuar dhe ka një djalë 10 vjeç dhe që banon në rrugën “Pandi Dardha”, në Laprakë të Tiranës. Të gjithë personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë thanë se nuk e njihnin 42-vjeçarin dhe nuk e kishin takuar ndonjëherë më parë, ndërsa mbeten gjithashtu misterioze të dhënat rreth lidhjeve të tij, me porositësit e atentatit. Grupi hetimor ka administruar edhe dëshmitë e familjarëve të tij, prej të cilave nuk është grumbulluar ndonjë e dhënë e rëndësishme, pasi ata pretendojnë se njeriu i tyre i afërt nuk ka pasur ndonjë konflikt. Të paqarta mbeten edhe lidhjet mes tij dhe personave të cilëve do t’u bënte atentat, pasi askush prej tyre nuk pranoi ndonjë njohje të mëparshme me të. Me t’u tërhequr nga morgu i Tiranës, trupi i pajetë i 42-vjeçarit është përcjellë për në banesën e fundit, nga familjarët e tij. Tashmë, grupi hetimor, duket se do ta arkivojë dosjen rreth këtij personazhi, pasi të dhënat rreth tij janë sa të vakëta, aq edhe të padobishme tashmë. G.Mullai


Viktima

Policia po gjurmon të kaluarën e atentatorit, ndërsa aktualisht dihen vetëm dy gjeneralitetet e tij, fakti që është i martuar dhe ka një djalë 10 vjeç dhe që banon në rrugën “Pandi Dardha”, në Laprakë të Tiranës

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...