2016-04-16

Atentati, si u ndoq prej 1 muaji miku i Shullazit. Kushërinjtë i dhanë armë Artur Bazes dhe e lëvizën me makinë



Dy kushërinjtë e arrestuar si porositës të vrasjes së Pajtim Serjanit, një prej miqve të Emiljano Shullazit, dyshohet se e kanë ndjekur për më se një muaj në Tiranë objektivin e tyre. Aurel dhe Amarildo Hoxhallari, të arrestuar për ngjarjen, dyshohet se i kanë siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme të dyshuarit Arjanit Sterio për të kryer ekzekutimin e Serjanit. Sterio mbeti i vrarë një javë më parë gjatë shkëmbimit të zjarrit kur arriti të plagosë 32-vjeçarin Serjani, por u qëllua me armë nga një efektiv policie.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, gjatë një konference për shtyp mesditën e djeshme, tha se Amarildo e Aurel Hoxhallari janë bashkëpunëtorë të viktimës Arjanit Sterio, të cilin e kishin porositur për të kryer vrasjen e Pajtim Serjanit. “Të ndaluarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetasin Arjanit Sterio (Artur Baze) kanë planifikuar, organizuar dhe siguruar kushtet, mjetet materiale dhe kanë lokalizuar shtetasin objekt goditje nga autorët, shtetasin Pajtim Serjani, për ta ekzekutuar më datë 5 janar në rrugën ‘Islam Alla’”, u shpreh dje Ardian Çipa.

Sipas tij, nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se këta persona janë organizatorët e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj shtetasit Pajtim Serjani. Hetimet kanë treguar se Aurel e Amarildo Hoxhallari e kanë ndjekur Pajtim Serjanin për rreth një muaj në lëvizjet e tij, ndërsa kanë lëvizur me makinë Arjanit Sterion, person i porositur për kryerjen e vrasjes.

IDENTIFIKIMI
Policia ka thënë dje se identifikimi i dy të dyshuarve si porositës të atentatit ndaj Pajtim Serjanit është bërë nga kamerat e sigurisë dhe telefoni i viktimës Arjanit Sterio. Dy kushërinjtë e arrestuar, sipas Policisë, kanë qenë pranë vendit ku ndodhi ngjarja ku edhe janë filmuar nga një kamera në zonë. Një ndihmesë për identifikimin e tyre kanë dhënë kamerat e sigurisë së disa bizneseve private pranë vendit ku ndodhi ngjarja një javë më parë te Rruga e Kavajës. Policia tha se Aurel dhe Amarildo Hoxhallari janë filmuar nga kamerat e sigurisë pranë vendit ku ndodhi krimi, në orarin kur ka ndodhur përplasja me armë. Një element tjetër që çoi në identifikimin e tyre ishte këqyrja e telefonit të viktimës, shtetasit Arjanit Sterio, që sipas Policisë dy të arrestuarit e kishin paguar për të ekzekutuar Pajtim Serjanin. Të njëjtat burime thanë dje se nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe zbardhjes së tabulateve telefonike të thirrjeve hyrëse e dalëse të telefonit të Sterios, janë zbuluar dhe identifikuar dy kushërinjtë Hoxhallari që kishin komunikuar muajin e fundit me personin që do kryente vrasjen. 

Kushërinjtë i dhanë armë dhe e lëvizën me makinë “vrasësin”

Policia thotë se dy të arrestuarit në zonën e Yzberishtit janë të implikuar drejtpërdrejt në tentativën e vrasjes së Pajtim Serjanit. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur vetë Serjani dhe punonjësi i Policisë Roland Meta, i cili është arrestuar për vrasjen e personit që ata kishin paguar, Arjanit Sterio. Burimet thonë se kushërinjtë nga Pogradeci e banues në Yzberisht të Tiranës e kanë pajisur viktimën me një pistoletë që ai do të përdorte për vrasjen e Serjanit. Ata e kanë shoqëruar atë me makinë nga banesa e tij deri te vendi ku ai do të ekzekutonte personin për të cilin ishte porositur. Nga verifikimi i pamjeve të kamerave të sekuestruara, duket qartë shtetasi
Aurel Hoxhallari, i cili e shoqëron me makinë Arjanit Sterion, nga vendi i qëndrimit pranë rrugës “Islam Alla”. Në pamje
duken edhe lëvizjet që atentatori ka bërë më pas, duke hyrë në lokalin ku ndodhej Pajtim Serjani i shoqëruar nga 3 shokët
e tij dhe i afrohet tavolinës së tyre. Kamerat e një tjetër biznesi kanë filmuar momentin ku dukej që Sterion e priste nga
krahu tjetër i rrugës shtetasi Amarildo Hoxhallari. 


Tahiri: Krimi pa ngjyrë politike, Policia në detyrë në çdo qark
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u bëri apel qytetarëve që të denoncojnë çdo lëvizje që ata e shohin të dyshimtë. Në një deklaratë për mediat ditën e djeshme, Tahiri apeloi që politika të heqë dorë nga akuzat dhe sulmet ndaj Policisë, duke ftuar këdo të rreshtohej në frontin kundër së keqes që kërcënon të ardhmen e fëmijëve. “Ne nuk pranojmë asnjë kompromis me asnjë lloj dhune, asnjë shfaqje të kriminalitetit, asnjë formë pandëshkueshmërie. Por, besojmë shumë fort se aftësia jonë, nga njëra anë e koordinimit dhe bashkëpunimit fare të ngushtë ndërmjet Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave, së bashku me kontributin e të gjitha institucioneve të tjera ligjzbatuese. Nga ana tjetër e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe çdo qytetari të rregullt e të ndershëm në këtë vend, është elementi themelor për të ndërtuar një Shqipëri të sigurt, ku dhuna, paligjshmëria dhe krimi parandalohen e luftohen nga ne, të gjithë bashkë pa përjashtim”, tha zoti Tahiri. Tahiri nuk përmendi konkretisht ngjarjet e fundit të ndodhura në Tiranë, megjithatë ai u shpreh se krimi nuk ka ngjyra politike dhe se nuk mund të merret në mbrojtje nga askush. “Kush bën gabimin ta shohë krimin me preferencë apo ndasi, me të tyret apo tanët, të këtij apo atij, apo akoma më keq kush fut politikën në mes të betejës sonë të përbashkët, të institucioneve dhe qytetarëve me krimin, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm i ka dhënë mbrojtje, frymëmarrje e nxitje botës së dhunës e krimit, që ndër ne nuk mund e nuk duhet të gjejë asnjë çarje e as dallim”, u shpreh ministri i Brendshëm. Më tej, duke folur për operacionin e nisur prej së premtes, Tahiri tha se të gjitha repartet janë në gatishmëri të zgjatur dhe pa afat për të luftuar kriminalitetin. Policia e Shtetit bëri dje publike rezultatet e këtij operacioni që do të vazhdojë ende. Rezulton që deri tani të jenë arrestuar 27 persona në të gjithë vendin, për vepra të ndryshme penale. Janë kontrolluar 181 ambiente të ndryshme, kryesisht lokale nate e lojërash fati. Në këtë aksion janë angazhuar 31 grupe të ndryshme të FNSH dhe Delta Forcë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...