2016-04-16
Dyshimi i hetuesve: Mbetje baruti në duart e Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit
Atentatet
Pritet ekspertiza. “Viktimat” shkuan në spital 60 minuta pas ngjarjes
artur baze_1Policia dhe prokuroria ia kalojnë njëra-tjetrës vendimin për lirimin nga burgu të Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, tha se vendimi për të mos proceduar penalisht “viktimat” e atentatit në zonën e quajtur Qafa e Kasharit në Tiranë ka qenë e prokurorit. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se policia ka pasur shumë dyshime për veprimet e Shullazit dhe Danit, madje nuk i arrestuan në flagrancë këta persona. Deri më tani, policia tha se ka sekuestruar një krehër pistolete dhe një kallashnikovi pranë vendit të ngjarjes, përpos gëzhojave të shumta. Por, te Qafa e Kasharit nuk është gjetur armë. Prokuroria ka dyshime se midis automjetit tip “Golf”, ku udhëtonin Shullazi e Dani dhe mjetit tjetër që i ndiqte, ka pasur shkëmbim zjarri. Madje, “viktimat” i janë kundërpërgjigjur breshërisë së armëve të dala nga mjeti “Porche”. Por, policia tha zyrtarisht se në vendngjarje nuk janë gjetur armë zjarri. Prokuroria ka kërkuar një sërë ekspertimesh, si për gëzhojat, por edhe për dyshimin se në duart e Shullazit dhe Danit ka pasur mbetje baruti.
Ekspertimet
Prokurori i çështjes, Kol Hysenaj, ka urdhëruar policinë shkencore të kryejë një sërë ekspertimesh për ngjarjen te Qafa e Kasharit, pasi ka shumë dyshime. Në laborator janë dërguar një sërë gëzhojash, pistoletash dhe kallashnikovi, si dhe një krehër pistolete e kallashi. “Janë dy lloje gëzhojash, të cilët po ekspertohen, për të parë se nga janë qëlluar. Gjithashtu janë dërguar edhe krehrat e kallashit dhe pistoletës. Po presim përgjigjet”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Ndërkohë, nga ana tjetër, hetuesit kanë marrë nga duart e Shullazit dhe Danit disa kampionë, duke i dërguar sërish në laborator. “Kemi dyshime se në duart e dy personave që ndodheshin në automjetin tip “Golf” janë gjetur faktorë plotësues të qitjeve me armë zjarri. Por, ende nuk kemi një përgjigje nga laboratori kriminalistik në Ministrinë e Brendshme. Nisur edhe nga dinamika e ngjarjes, dyshojmë se edhe këta persona kanë qëlluar me armë zjarri. Megjithatë, në automjet nuk janë gjetur armë të tilla”, pohojnë burimet nga akuza. Tashmë, çdo dyshim i ngritur, shkon në favor të Shullazit dhe Danit, ndaj të cilëve nuk mund të ngrihen akuza me aludime, por vetëm me prova. Akuza thotë zyrtarisht se po pret këto ekspertime, për të vendosur nëse do të ngrejë apo jo akuzë ndaj këtyre personave, por nga ana tjetër thekson se i kërkon policisë të rikrehë edhe njëherë vendin e ngjarjes, për ndonjë armë të mundshme. Akuza ka kërkuar edhe tabulatet telefonike të “viktimave”, për të parë edhe thirrjet telefonike para dhe pas atentatit.
Në spital pas 60 minutash
Policia thotë se Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani janë paraqitur në spital 60 minuta pas atentatit te Qafa e Kasharit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, tha se informacioni në sallën operative ka ardhur rreth orës 20:30, ku në vendin në fjalë ka pasur të shtëna me armë zjarri e për pasojë një mjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar jashtë rrugës. “Prokurori ka shkuar në vendngjarje. Policia është sinjalizuar se në Spitalin Ushtarak është paraqitur i plagosur me armë zjarri Emiljano Shullazi, 36 vjeç, i shoqëruar nga Gilmando Dani, 36 vjeç, i cili ishte i dëmtuar në kokë nga dalja jashtë rruge e mjetit. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, me automjetin tip ‘Volksvagen Golf’, me targa AA 629 HR, kanë qenë duke u kthyer nga Fushë-Kruja në drejtim të Tiranës dhe, sipas të dhënave paraprake, rreth orës 19:30 janë qëlluar me breshëri armësh zjarri nga një mjet tjetër dhe për pasojë kanë humbur kontrollin e mjetit e kanë dalë nga rruga. Në vendngjarje janë gjetur 24 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një krehër pistolete dhe një krehër automatiku model 56, të cilët janë dërguar për ekzaminim balistik në Drejtorinë e Policisë Shkencore. Deri tani, për zbardhjen e rrethanave të të dy ngjarjeve, motiveve dhe autorëve të tyre janë shoqëruar në polici 32 shtetas”, tha Çipa. Ai është pyetur edhe për lirimin e Shullazit, teksa pohoi se “grupi hetimor, i kryesuar nga prokurori, referuar tërësisht provave materiale të gjetura në vendngjarje, nuk e ka parë të arsyeshme të procedojë me arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë dhe në vijim prokuroria do të vendosë për ecurinë e mëtejshme të këtij hetimi”. Në lidhje me akuzat politike, Çipa theksoi se institucioni që drejton nuk merret me komente politike, ndërsa i bëri thirrje që ta lënë të bëjë detyrën. s. ç.
Deklaratat
Tahiri: Lëreni policinë rehat
Artan Didi: Nuk jam hetues
Përveç deklaratës së kryepolicit të Tiranës, Ardian Çipa, ngjarja e Rrugës së Kavajës u komentua edhe nga kreu i dikasterit blu, Saimir Tahiri, i cili kërkoi që policia të lihej e qetë, ndërsa kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, nuk pranoi të fliste rreth saj. Mes të tjerave Tahiri, në rrjetin social “Facebook”, shkruante dje, se “Policia e Shtetit është në krye të detyrës në luftë kundër paligjshmërisë dhe krimit. Koha e kriminelëve të paprekshëm që mbroheshin nga pushteti, ka mbaruar një herë e mirë”. Duke iu referuar akuzave të Partisë Demokratike, ai u përgjigjet: “E shkatërruan, politizuan dhe kriminalizuan Policinë e Shtetit, e tani mendojnë se vazhdon njëlloj siç bënin vetë. Janë mësuar të mbajnë anën e krimit, jo të shtetit e as të ligjit. Lëreni Policinë rehat të bëjë punën, lëreni të luftojë paligjshmërinë dhe kriminalitetin”. Ndërkaq, Didi u shpreh se “këto janë probleme që janë në hetim e sipër. Unë jam drejtori i përgjithshëm, nuk jam as drejtuesi i grupit hetimor dhe as prokuror”.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...