2016-04-16
Laboratori Kriminalistik nuk ekzaminon gëzhojat dhe armët
Dy pistoletat dhe 31 gëzhojat e kalibrave të ndryshëm, që u sekuestruan në dy ngjarjet e 5 janarit, ku u shënuan dy atentatet te Rruga e Kavajës dhe te Qafa e Kasharit, ende nuk janë ekzaminuar nga Laboratori Qendror Kriminalistik në Ministrinë e Brendshme. Lajmi mësohet për gazetën “Shqip” nga burime të sigurta në Policinë e Shtetit, të cilat konfirmuan se dje, kur kishin kaluar gjashtë ditë nga ngjarjet e dhunshme që tronditën Tiranën, provat e sekuestruara në vendngjarje ishin ende të paprekura nga ekspertët.
Specialisti
Ende nuk dihet zyrtarisht se cili është shkaku se përse nuk ka filluar ekzaminimi i gëzhojave dhe armëve të mbledhura në vendngjarjen ku u vra 42-vjeçari Artur Baze dhe u plagos efektivi i policisë, Roland Meta, si dhe në vendin ku u plagos Emiljano Shullazi dhe miku i tij Gilmando Dani, porse burimet e mësipërme japin të dhëna plotësuese, të cilat mund të japin një ide se përse kjo nuk ka ndodhur. Referuar burimeve, prej disa ditësh në këtë laborator nuk po duket “njeriu kyç”, ose thënë ndryshe specialisti i caktuar për ekspertizën laboratorike dhe balistike të gëzhojave dhe armëve. Mendohet se ai ndodhet jashtë shtetit, për shkaqe që nuk dihen nëse kanë lidhje me punën, pra ndonjë trajnim ose vizitë pune apo është atje për motive personale, por ajo çka është e sigurt mbetet fakti që pistoletat dhe gëzhojat ende nuk janë prekur. Në rrugë zyrtare, Policia e Shtetit, këto ditë ka thënë vetëm se armët janë dërguar në laborator për ekspertizë, por nuk ka sqaruar nëse kjo ekspertizë ka nisur apo jo. Nga ana tjetër, edhe prokurorët që po merren me këtë çështje konfirmojnë për gazetën se ende nuk ka mbërritur ndonjë përgjigje nga Laboratori Kriminalistik, çfarë hedh dyshime të forta që puna për ekspertizën ende nuk ka nisur.
Laboratori
Referuar praktikave të mëhershme, për precedentë të ngjashëm, ky laborator ka arritur që në një kohë rekord të nxjerrë përgjigje të sakta rreth armëve apo gëzhojave të sekuestruara në vendngjarje të ndryshme. Në fakt, ky laborator, vetëm pak ditë më parë është transferuar nga zyrat pranë Ministrisë së Brendshme tek ambientet pranë Gardës së Republikës, ku janë instaluar edhe aparaturat përkatëse, për t’ua lënë vendin zyrave të reja të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Prej muajsh, në fakt është vënë re një mungesë e theksuar profesionalizmi në drejtimin e këtij laboratori, ku janë hedhur dyshime edhe mbi ekspertizat për ngjarjet në Lazarat apo ngjarje të tjera.
Armët
Si praktikë pune, 31 gëzhojat dhe dy armët duhet të ekzaminoheshin, për të nxjerrë nëse armët janë përdorur ndonjëherë më parë në ngjarje të tjera, si dhe nga çfarë armësh kanë dalë gëzhojat e gjetura në të dyja vendngjarjet, ndonëse paraprakisht me sy të lirë, sipas burimeve, dallohet që u përkasin pistoletave dhe kallashnikovëve. Nga ana e saj, Policia e Tiranës, në dy komunikimet zyrtare me median është shprehur se “në vendngjarje janë gjetur 24 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një krehër pistolete dhe një krehër automatiku model 56, të cilët janë dërguar për ekzaminim balistik në Drejtorinë e Policisë Shkencore”, ndërsa në komunikimin e parë, u tha se “në cilësinë e provës materiale u sekuestruan katër copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 9mm, 3 copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 7.62 mm, një armë zjarri pistoletë m-54, një armë zjarri “Bereta”, si dhe automjeti me targë AA417 KU”. Ky mjet rezulton në pronësi të një kompanie industriale në rrugën “Islam Alla”, ndërsa mjeti “Golf 4″, me të cilin udhëtonte Emiljano Shullazi, me targa AA 629 HR, i përkiste një shtetasi nga Rrushbulli i Durrësit. Ndërkaq, në komunikimet zyrtare, Policia e Tiranës nuk ka përmendur ndonjë detaj rreth ecurisë së hetimeve ndaj personave të dyshuar për atentatin që iu bë Emiljano Shullazit, e cila deri më tani mbetet ngjarje e pazbardhur, për të cilën janë dërguar në laborator 24 gëzhoja të llojeve të ndryshme. Deri tani dihet vetëm se gëzhojat mund t’u përkasin armëve të llojeve kallashnikov dhe pistoleta, por pritet një përgjigje zyrtare e analizave balistike, për të dhënë një konkluzion më të qartë.
Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)
Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës. Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...