Pas përleshjes me armë që ndodhi në Tiranë, Partia Demokratike ka postuar në rrjetin social “Facebook” një foto të Pajtim Serjanit, njërit prej të plagusurve pranë “Rrugës së Kavajës”, duke thënë miku i Shullazit është fotografuar pranë selisë së PS-së, aty ku sulmohet opozita shqiptare.
“Pajtim Serjani, miku i Shullazit i përfshirë mbrëmë në përplasjen e bandave, i fotografuar në hyrjen kryesore të Partisë Socialiste, aty ku mbrohet krimi e sulmohet opozita me deklarata si ato të deputetit Bushati sot.”,-shkruhet në komentin e shkurtër në faqen e PD-së në “Facebook”.
Ndërkaq, pas këtij publikimi, reagoi edhe zyra e shtypit e Partisë Socialiste.
Me anë të një njoftimi të shkurtër, PS thotë se “fotografia dhe komenti i PD-së që lidh të plagosurin e ngjarjes së mbrëmshme me Partinë Socialiste, është një ndër shprehjet më të dëshpëruara të një opozite pa vizion, pa program, pa lider”. Sa më shumë PD përshkallëzon këtë politike balte thotë PS, “aq më e qartë bëhet për ne se nuk ia vlen as t’i pergjigjesh kësaj opozite që nuk do dialog, nuk do debat, nuk do zhvillim po vetëm grindje dhe baltë”.
Më herët, pas përleshjes mes bandave rivale mbrëmjen e së hënës në Tiranë, ku mbeti i vrarë një shtetas dhe u plagosën tre të tjerë, mes tyre Emilajno Shullazi dhe një efektiv policie, policia e kryeqytetit shoqëroi rreth 50 persona në komisariat.
Pajtim Serjani, foto e postuar nga PD ne “Facebook”
Burime nga policia thonë se operacioni i kërkimit është përqendruar në periferi të Tiranës, si dhe në zonën ku ndodhi vrasjaë e mbrëmshme, kryesisht në zonat: Berxhullë, Kashar, “Rruga e Rinasit”, “Rruga e Kavajës” dhe “21 Dhjetori”.
Më herët, Emiljano Shullazi, i cili i shpëtoi atentatit të mbrëmshëm në dëshminë e tij për prokurorët ka bërë të paditurin për gjithë sa ndodhi.
Ai ka thënë se ka qenë duke u kthyer nga Fushë Kruja për në banesën e tij, kur në Kashar është gjendur përballë një breshërie armësh, që u zbraz mbi makinën me të cilën ai dhe miku i tij ishin duke lëvizur.
“Nuk kam konflikte me njeri, nuk kam asnjë dyshim se kush mund të ketë qëlluar”- ka thënë ai. Pyetur për armët që janë gjendur pranë makinës së tyre, e për të cilat edhe u shoqëruar në polici, me akuzën e ‘armëmbajtjes pa leje’ ai ka thënë se nuk ka asnjë dijeni rreth tyre. “Nuk kam asnjë dijeni, në makinën tonë nuk kishim armë, mund të jenë të atyre që qëlluan apo të personave të tjerë”- mësohet të ketë thënë ai.
Po ashtu, Shullazi ka mohuar të kishte dijeni edhe për ngjarjen tjetër te Rruga e Kavajës ku mbeti i vdekur atentatori, 42 vjecari Arjanit Sterjo.