Një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën mbrëmjen e së hënës në Tiranë, në dy ngjarje që kanë si emërues të përbashkët Emiljano Shullazin. Në episodin e parë u plagos miku i Shullazit, Pajtim Serjani, ndërsa në të dytin vetë ai.
Edhe pse ka të dhëna se ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën, policia i ka trajtuar si dy ngjarje të veçuara. Prokuroria, nga ana tjetër, nuk ka bërë ende një vlerësim, ndonëse njoftimi nga policia dhe referimi i krimeve është bërë në dy dosje me prokurorë të ndryshëm. Në versionin zyrtar Policia e Tiranës deklaron se ngjarja te Rruga e Kavajës ka ndodhur 10 minuta pas asaj te Qafa e Kasharit, përkatësisht e para në orën 19:30 dhe e dyta në 19:40, në raportet e sallës operative rezulton e kundërta. Sulmi me armë ndaj Emiljano Shullazit rezulton se është raportuar 32 minuta pas plagosjes së mikut të tij në Tiranë.
Në shkresat e brendshme të Policisë së Tiranës thuhet se në orën 19:50 është vrarë shtetasi Arjanit Sterio te Rruga e Kavajës (ku u plagos një polic dhe Pajtim Serjani), ndërsa në orën 20:22 është qëlluar me breshëri makina e Emiljano Shullazit, pranë Qafës së Kasharit. Në versionin zyrtar të Policisë thuhet se Shullazi është qëlluar në makinën tip “Golf”, me targë AA 629 HR. Pra flitet për të njëjtën makinë, por orari kur ka ndodhur ngjarja jepet i ndryshëm nga policia. Burime nga grupi hetimor thonë se të dyja ngjarjet kanë lidhje me njëra– tjetrën, edhe pse Shullazi nuk ndodhej në Tiranë në momentin e vrasjes. Dyshohet se ai po kthehej nga Fushë–Kruja pasi ishte lajmëruar për atë që kishte ndodhur me miqtë e tij.
“LUFTA” TE RRUGA E KAVAJES
Sipas librit të raportit të shërbimeve të Policisë së Tiranës rezulton se të hënën, në orën 19:50, një qytetar ka telefonuar në sallën operative duke njoftuar se te rruga “Him Kolli”, afër Rrugës së Kavajës, është një person i shtrirë. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë dhe është konstatuar se një person, i identifikuar më pas me emrin Arjanit Sterio, emri i vërtetë i të cilit është Artur Baze, ishte vrarë me armë zjarri. Ndërsa një telefonatë tjetër po në sallën operative, 4 minuta më pas, lajmëronte se në një spital privat, pranë Kthesës së Kamzës, ka shkuar i plagosur me armë zjarri një person. Pas verifikimeve ka rezultuar se i plagosuri ishte oficeri i policisë Roland Meta, i cili ishte qëlluar me 2 plumba te Rrufa e Kavajës. Personi tjetër i plagosur në këtë ngjarje, Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit, ishte dërguar në Spitalin Ushtarak.
DINAMIKA E NGJARJES
Pas mbledhjes së dëshmive dhe rindërtimit të skenës së krimit te Rruga e Kavajës në Tiranë, ka rezultuar se viktima, Arjanit Sterio (Artur Baze), ka qenë i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë të armatosur. Ata janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk janë identifikuar ende. Pala tjetër në përplasjen me armë ka qenë miku i Shullazit, Pajtim Serjani dhe oficeri i Forcave Operacionale, Roland Meta, të cilët, sipas policisë, qenë të shoqëruar edhe me dy miq të tjerë të tyre, shtetasit Denis Ramani, 26 vjeç dhe Ditmir Reçi, 33 vjeç. Të katër këta persona ndodheshin në një lokal në rrugën “Islam Alla”, pranë Rrugës së Kavajës, dhe aty është futur viktima, që sipas policisë ka qenë person i dyshuar si vrasës me pagesë, i shoqëruar edhe nga dy persona të tjerë të paidentifikuar. Sipas policisë, sherri ka nisur në lokal, por është zhvendosur jashtë tij, në rrugicat e zonës ku ka pasur shkëmbi zjarri. Fillimisht është plagosur në kofshën e këmbës së djathtë shtetasi Pajtim Serjani. Gjatë sulmit me armë Roland Meta i ka bërë thirrje “Ndal policia” shtetasit Arjanit Sterio dhe pas këtij moment ka pasur një shkëmbim zjarri. Si pasojë ka mbetur i vdekur nga disa plagë me armë zjarri 42-vjeçari Sterio, si dhe është plagosur efektivi Meta, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital ku është arrestuar.