2016-04-16

Deputetja Voltana Ademi bën kallëzimin. “I thuaj kryetarit të mos flasë shumë për mua, se do i ketë punët keq”






Partia Demokratike denoncon publikisht një kërcënim që Emiljano Shullazi i ka bërë pak ditë më parë kreut të PD-së, Lulzim Basha. Mesazhi kërcënues i Shullazit për kryetarin e PD-së nuk ka mbërritur përmes celularit, siç u njoftua fillimisht gjatë ditës së djeshme, por përmes një deputeteje të forcës së tij politike, saktësisht Voltana Ademit. Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme tha se Shullazi ka dalë nga një lokal dhe i ka prerë rrugën deputetes Voltana Ademit, të cilës i ka kërkuar t’i çojë mesazh kryetarit Lulzim Bashës që t’i japë fund sulmit ndaj tij. Nga ana tjetër, edhe prokuroria konfirmoi se kallëzimi i PD-së për Emiljano Shullazin, ishte bërë nga deputetja demokrate Voltana Ademi, e cila ishte dhe ajo që mori drejtpërdrejt mesazhin kërcënues të Emiljano Shullazit për Bashën. Kallëzimi në fjalë vjen pesë ditë pas dy atentateve që kanë ndodhur në Tiranë, në datën 5 janar, ku objektivi në një prej tyre ishte personazhi Emiljano Shullazi. Në atentatin tjetër sërish objektiv ishte shoku i tij, Pajtim Serjani, ndërsa çështjet po hetohen të ndara.

Deputetja
“Unë kam qenë në shoqërinë e një shoqeje, kur më është afruar një person që nuk e njihja më parë. Ai m’u prezantua me emër: ‘Jam Emiljano Shullazi dhe kam një mesazh’. Menjëherë i kam thënë se ‘unë nuk merrem me këto punë’. Ai ka insistuar se mesazhi ishte për kryetarin e Partisë Demokratike. ‘I thuaj kryetarit të mos flasë shumë për mua, se do i ketë punët keq. Të mos ma përmendë më emrin’, më tha, ndërsa më pas u largua”

Kallëzimi i deputetes
Mesditën e djeshme, në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, është paraqitur deputetja Voltana Ademi, ku ka kërkuar të bëjë një denoncim penal. Përfaqësuesja e Partisë Demokratike ka kërkuar që të takohet me kreun e kësaj akuze, prokurorin Eugen Beçi, ndërsa pak çaste më vonë, para një oficeri të policisë gjyqësore ka përpiluar edhe denoncimin. Ademi pretendonte se disa ditë më parë, në një lokal në Tiranë, i është afruar një person, duke iu prezantuar. “Unë kam qenë në shoqërinë e një shoqeje, kur më është afruar një person që nuk e njihja më parë. Ai m’u prezantua me emër: ‘Jam Emiljano Shullazi dhe kam një mesazh’. Menjëherë i kam thënë se ‘unë nuk merrem me këto punë’. Ai ka insistuar se mesazhi ishte për kryetarin e Partisë Demokratike. ‘I thuaj kryetarit të mos flasë shumë për mua, se do i ketë punët keq. Të mos ma përmendë më emrin’, më tha, ndërsa më pas u largua”, mësohet se ka deklaruar në prokurori deputetja Ademi, para hetuesit të çështjes.

Hetimet e prokurorisë

Menjëherë pas këtij kallëzimi, burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se kanë filluar verifikimin e kallëzimit të deputetes Ademi. Prokuroria ka kërkuar më shumë informacione për vendndodhjen e ligjvënëses, ndërsa ka marrë të dhëna se lokali ndodhet në zonën e Tiranës së Re. Prokuroria i ka kërkuar informacione Policisë së Tiranës për të shkuar në vendin në fjalë, ku do të merren deponimet e kamerierëve dhe personave që ndodheshin në atë çast. Gjithashtu, në pyetje do të merret edhe shoqëruesja e Ademit, e cila është identifikuar me emër dhe do të konfirmojë nëse deputetja ka marrë apo jo ndonjë “kërcënim”. Burimet nga Krimet e Rënda thanë se, në varësi të materialeve që do të sjellë policia, do të vendosin nëse do të fillojnë apo jo ndonjë procedim penal ndaj shtetasit Emiljano Shullazi. Madje, gjatë kësaj kohe, nuk përjashtohet mundësia që ai të merret në pyetje, për të vërtetuar nëse mes tij dhe Ademit ka pasur apo jo ndonjë bisedë.

Denoncimi i PD-së

Partia Demokratike, përmes sekretarit të saj të përgjithshëm Arben Ristani, deklaroi se Edi Rama i ofroi të gjitha lehtësitë Emiljano Shullazit në lidhje me ngjarjen e fundit kriminale. Nga selia blu, në një dalje publike për mediat, Ristani tha se kreu i bandës kriminale, Emiljano Shullazi, përfitoi nga favoret e krijuara prej Edi Ramës dhe pas përplasjes së përgjakshme me të vrarë e të plagosur, ai lëvizte i lirë nëpër baret e Tiranës. “Të gjitha këto shkojnë përtej mundësive të një banditi. Këto janë rrethana që Emiljano Shullazit ia krijoi Kryeministri i vendit sipas paktit kriminal. Cila është marrëveshja që ke ti z. Rama me Emiljano Shullazin? A e lirove ti atë nga burgu, për të shërbyer porositë e tua politike, kërcënimet ndaj opozitës? A e lirove ti Shullazin që të kërcënojë kryetarin e opozitës, siç edhe ai veproi pak orë pasi doli nga ambientet e policisë? Je sot z. Rama përballë këtyre pyetjeve, që janë padyshim jo vetëm akuzat, por edhe provat për lidhjen organike që ti ke me këtë bandë”, u shpreh Ristani. Ai shtoi më tej se Partia Demokratike, publikisht, në sytë e të gjithë qytetarëve të paralajmëron, se Edi Rama është dhe do të mbahet drejtpërdrejt përgjegjës për kërcënimet që ky bandit i bën opozitës dhe kryetarit të opozitës. Ristani deklaroi se nuk ka tjetër përgjegjës veç Kryeministrit dhe garantoi se kjo përgjegjësi do të mbahet prej tij deri në fund.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...