Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pas shkëmbimit të zjarrit mes bandave rivale në kryeqytet, duke akuzuar drejtues të lartë të qeverisë për lirimin e autorëve. Sipas Bashës asgjë nuk është e qartë, edhe pse kanë kaluar dy ditë pas ngjarjeve.
Basha ka shkruar në “Facebook” se kriminelë dhe policë të reparteve speciale, në krah të njëri-tjetrit, terrorizuan lagjet e kryeqytetit dhe akset kombëtare. “U bëmë si në vendet e humbura të Amerikës Latine – atentate, vrasje dhe pushtetarë të pafytyre që luajnë në të dyja krahët”,-ka shkruar Basha.
Sipas kreut të PD-së, kapot e krimit që u zunë me arsenal armeësh në makina u lanë të lirë. “Jetojme ne nje shtet ligjor apo shtetin e krimit? Kjo eshte qeveria e standardeve te dyfishta. Burg, burg, burg…jane klithmat e perditshme te kryeministrit – por burgun e paska per popullin jo per bandat. Qyqarin e Lushnjes e lane te vetvritej ne burg se dyshohej te kishte lidhur dritat e shtepise me te dyqanit. Babai hallexhi qe punonte ne dyqanin e tij prekte sigurine publike. Bandat qe shetisin me antitank, kapen dhe lirohen. Ata nuk prekin rendin publik. Per ta duhen me shume fakte, me shume prova, me shume kohe, thote Vajmedeti”,-ka shkruar kreu i PD-së në profilin e tij në “Facebook”.
Në komentin e tij, Basha pyet nëse mund të lirohet dikush pa u bërë ekspertiza e armëve të gjetura, ndërsa akuzon qeverinë për organizatat kriminale që sipas tij “kontrollojne sot qeverine, ministrat dhe pjese te organeve te rendit”. Ai shkruan se krimi ka kapur shtetin dhe rejtues të lartë të administratës dhe shtetit, dhe deputete të PS janë faktuar të dënuar e të kartelizuar si kontigjent i krimit kombëtar dhe ndërkombetar.