2016/07/02

Rrëfime për letërsinë e emigracionit

Shqipëria, për herë të parë, merr pjesë zyrtarisht në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Ministria e Kulturës së Shqipërisë, me mbështetjen e Rajonit të Puglia-s, të Qendrës së Kulturës Shqiptare, të Fondacionit “Gramshi” të Puglia-s dhe të shtëpisë botuese “Besa”, merr pjesën zyrtarisht me stendë dhe program të pasur takimesh, në Sallonin e Librit në Torino.

“Kultura-pasaPORTË”, motoja e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, nënvizon idenë që kultura, përveçse është një pasaportë identiteti, na jep mundësinë të kapërcejmë kufijtë dhe të komunikojmë me kulturat e tjera. Në këtë kuptim, letërsia, si shprehja më e gjallë e më autentike e kulturës së një vendi, është mënyra më e mirë për të thelluar lidhjet e vërteta, të bazuara në “vlerat e ngrohta”, ato të dashurisë, miqësisë, poezisë apo historisë”, thotë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila do të jetë e pranishme gjatë këtyre ditëve, fillimisht me një takim që do të mbajë të premten më rajonin e Puglia-s me drejtuesen për Turizmin dhe Kulturën e Rajonit të Puglia-s, Loredana Capone, mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen e promovimit të kulturës shqiptare në Itali. Tema e migracionit dhe, në veçanti, dukuria e letërsisë shqipe në gjuhën italiane, do të jetë në qendër të diskutimeve të disa takimeve. Të shtunën, më 14 maj, në orën 14:00, në sallën Babel të librarisë ndërkombëtare, do të zhvillohet takimi “Përtej kufijve prej uji e fjalësh. Të rrëfesh kufijtë, të rrëfesh vendin tënd dhe atë përballë me fjalë dhe imazhe”, me praninë e shkrimtarëve Anilda Ibrahimi dhe Alessandro Leogrande, regjisorit Roland Sejko, gazetarit dhe drejtuesit të Qendrës së Kulturës Shqiptare, Benko Gjatës, në moderimin e përkthyeses letrare, Mimoza Hysa.
Të dielën, më 15 maj, nga ora 10:30 deri më 11:30, po në sallën Babel do të zhvillohet takimi “Nga një vend në tjetrin, nga një gjuhë në tjetrën: shkrimtaria si pasaportë”, me shkrimtarët Carmine Abate, Arben Dedja, si dhe Visar Zhiti, i ngarkuari me punë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.
Pasdite, në orën 16:30, në Stendën e Rajonit të Puglia-s, është parashikuar takimi me temën “Letërsia shqipe e migracionit në gjuhën italiane”, në të cilën do të marrin pjesë Natale Parisi i Fondacionit “Gramshi” të Puglia-s, Daniele Comeriati i Universitetit Montpellier dhe drejtori i revistës “Crocevia”, shkrimtari Arben Dedja dhe gazetarja e shkrimtarja Luisa Ruggio, në rolin e moderatores. Ky takim do të paraprijë kuvendin e letërsisë së migracionit, të parashikuar për në muajin qershor në Puglia, ku do të marrë pjesë gjithashtu dhe Rosella Santoro, drejtore artistike e festivalit “Il libro possibile” në Polignano a Mare, dhe studentët e Liceut Kartezian në Triggiano.

LETËR E HAPUR PËR MENDJET E MBYLLURA (Pas leximit të Fjalorit të Akademisë Malazeze)


Nga Ledi Shamku/
(Pas leximit të Fjalorit të Akademisë Malazeze)
Lexova reagimin e deputetit shqiptar në Parlamentin malazez, z. Nik Gjeloshaj, të cilin e falënderoj me zemër, në lidhje me fjalorin e sapobotuar nga Akademia e Shkencave Malazeze.
Profesionalizmi don që ta shihja me sy vetë atë faqe fjalori, e kështu i falem nderës gazetarit dhe mikut tim Simon Shkreli, për dokumentin dhe shqipërimin e kësaj flete fjalori. Përkthimin po e sjell këtu më poshtë:
  1. ALBANIZACIJA- (albanizimi)- imponim i gjuhës, kulturës dhe zakoneve shqiptare- duke pyetur ka dhënë disa përgjigje- në bazë të përvojës refugjatët ortodoksë sllavë nga territoret e Shqipërisë, të cilët kanë qenë para presionit sistematik të albanizimit, sidomos në periudhën pas Luftës II Botërore.
  2. Albaniziranje- ose- albanizirati
  3. Albanizirati- do thotë, se edhe pse malësoret (malisori) janë albanizuar, e folura e tyre dallohet shumë nga standardi i gjuhës shqipe.
Tani: të moçmit e mi më kanë porositë gjithnjë që, kur jam e nxehur apo e fyer, të numëroj deri në 10, për t’i çelë rrugë arsyes. Dhe unë i dëgjova e numërova. Mbetem e nxehur dhe thellësisht e fyer nga kjo faqe fjalori drejtuar etnisë sime shqiptare, por tash po më flet arsyeja. Dhe me plot arsye, si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, si anëtare e Komisionit parlamentar të Edukimit dhe Kulturës, si studiuese e shqipes dhe historisë së saj dhe si shqiptare, i kërkoj zyrtarisht Akademisë së Shkencave të Malit të Zi, që në respekt të së vërtetës shkencore dhe të Konventave Europiane të bashkëjetesës, ta tërheqë një orë e më parë këtë Fjalor nga qarkullimi, duke u kërkuar ndjesë shqiptarëve e duke ndrequr shtrembërimet e rënda në të.
Ç’do me thënë: “Malësorët (Malisori) janë albanizuar”?! Cilët qenkan këta refugjatë sllavë ortodoksë, banorë në trojet shqipfolëse të Malit të Zi, që paskëshin qenë sllavë të ikur nga Shqipëria sipas Akademisë e që më pas na qenkan albanizuar?!
Banorët e Ulqinit, Tivarit, Krajës, Plavës e Gucisë?! Shqiptarët e Ljajrjes, Briskut e Shestanit, një pjesë e të cilëve migruan mandej në Njëmijëeshtatëqindën në Zarë, morën gjuhën shqipe me vete dhe ende e flasin aty?! Shqiptarët që mbetën jashtë kufijve pas copëtimit të Shqipërisë e që do dekada më pas, pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të diktaturës së Enver Hoxhës dhe mbylljes së kufijve tanë, humbën edhe komunikimin me shtetin amë e u ndanë për së gjalli për plot 50 vjet, për këta malcorë shqiptarë e ka fjalën Akademia?!
Shqiptarët e Malit të Zi që ruajtën me thonj e me shpirt gjuhën dhe traditat edhe nën Jugosllavinë e Rankoviçëve e Millosheviçëve, kur të tretej boja birucave për një libër shqip, për këta shqiptarë e ka fjalën Akademia?!
Shqiptarët e Malit të Zi, të cilët para 10 vjetësh qenë faktori kryesor etnik, politik e social që Mali i Zi të fitonte pavarësinë, e që para do ditësh e kremtuan së bashku këtë pavarësi, për këta shqiptarë e ka fjalën Akademia?!
Shqiptarët që janë në trojet e veta qysh se ka diell e hënë, e për shkak të dhunës së dikurshme e harresës së tanishme (po po, harresës nga ne për marren tonë), janë rrudhur në gjuhën dhe kulturën e tyre por po shkrijnë kamje e skamje e gjithë sa kanë, si i nderi Shtjefën Ivezaj, për të mbajtur gjallë muzè e dëshmi shqiptare për brezat që vijnë?!
Sllavë të “albanizuar” në trojet dhe komunat shqiptare të Malit të Zi?! Në ato troje të quajtura historikisht Albania Veneta?! Aty ku edhe fshati ndarës quhet Kufin?!
Ky është turp akademik, dhe fyerje jo e vogël, e cila ka atë përmasë që nuk mund të quhet lajthitje, ngaqë vjen nga një Akademi dhe gjendet në një fjalor të sapobotuar.
Anakronizëm i shëmtuar shovinist, për të cilin besoja se një shtet fqinj me ne si Mali i Zi, që kërkon të integrohet në Europën e Të Drejtave dhe të Vërtetave, duhej ta kishte hedhur pas shpine si diçka të rrejshme e të dalë kohe.
Jemi një komb gjuhësor ne shqiptarët, dhe shtrembërimet mbi gjuhën janë shtrembërime mbi kombësinë. Jemi vullnetmirë e paqësorë, por jo leshko të paditur e as gjunjëthyer.
Ndaj, i kërkoj Akademisë së Shkencave, që bashkë me ndjesën e duhur, të ndreqë sa më parë këtë shëmti.
Po pres, uroj jo gjatë!
Dhe ndërkohë që pres reagimin e Akademisë Malazeze, kam mbetur pa fjalë nga mosreagimi i Akademisë Shqiptare, ndonëse e prita! Në fakt e kam pritur gjatë reagimin e Akademisë sonë të Shkencave, edhe për raste të tjera, por kësaj radhe rasti është siç thuhet, kokë për kokë, pra Akademi për Akademi. Çështja është albanologjike, për të cilën ekspertët nuk i mungojnë Akademisë. Madje çështja është kombëtare dhe shkencore njëherësh. Akademia e Shkencave të Shqipërisë mjerisht nuk ka asgjë për të thënë. Vallë të jetë e zënë me zgjidhjen e dilemës së vet ekzistenciale “të jesh a të mos jesh”? Heshtja e tashme përballë Akademisë Malazeze konfirmon sërish se, për të ekzistuar, duhet të jesh. A është vallë Akademia jonë e Shkencave? Ku është?
*Deputete dhe gjuhëtare

Shekspiri im

Temës mbi Shekspirin dua t’i qasem nga vetja ime. Nga Shekspiri im. Më ka pëlqyer të hamendësoj se çdo njeri mund ta ketë Shekspirin e vet
Nga Sadik Bejko
Temës mbi Shekspirin dua t’i qasem nga vetja ime. Nga Shekspiri im. Më ka pëlqyer të hamendësoj se çdo njeri mund ta ketë Shekspirin e vet. Prej vitesh mendoj se e kam një të tillë. E kam takuar që në adoleshencën time. Me kohë ai u rrit brenda meje, është me mua dhe sot. Nuk dua të më ndahet. Në librin tim ‘Rrënjët’ (1972) gjen poezinë “Hamlet”, frymëzuar nga Shekspiri. Ismail Kadare ka shkruar se, kur vizitoi kështjellën mbretërore Elsinor në Danimarkë, iu kujtua kjo poezi. Më pas, me mbresat e kësaj vizite, (ndër të tjera, kishte fjetur në të njëjtin hotel me Hiro Hiton, perandorin japonez) ai shkroi një poezi për Hamletin, botuar te libri “Koha”. Më parë se t’iu citoj diçka nga poezia ime ‘Hamlet’, dua të them se me Shekspirin jam takuar vonë. Në vitin 1961. Isha në klasën e tretë në shkollën e mesme pedagogjike, ish-shkolla Normale, në Elbasan. Në atë vit na e bëri të njohur për herë të parë Shekspirin profesori ynë i letërsisë, Besim Qorri. Ai ishte shtatshkurtër, topolak, me faqet buçko, me zë prej fëmije dhe… shumë i dashuruar me letërsinë, me Shekspirin. Na kishin thënë ata të vitit të katërt: dale, dale, s’keni marrë vesh asgjë prej letërsisë, pa dëgjuar profesor Besimin t’iu flasë për Hamletin. Ai jepte katër leksione të plota për Shekspirin, d.m.th., nuk pyeste, nuk vinte nota, nuk jepte detyra shtëpie. Hynte në klasë dhe në heshtje, si në tempull ne prisnim të fillonte ligjëratën për HamletinOtellonMakbethin,Romeo dhe XhuljetënJul Qezarin.

Nuk dija, nuk kisha lexuar asgjë për Shekspirin. As të tjerët nuk dinin. Në kohën e librave me ballistë e me partizanë, të filmave ruso-sovjetikë me kooperativiste të lumtura, me komisarë të kuq e me bjellogardistë, Shekspiri na erdhi si shpëtim. Këta të tijtë ishin libra: me magjistrica, me helme në vesh, me fantazma, me arapë të zinj, të tmerrshëm që e therin dhe pastaj e puthin gruan e vdekur, me të dashur që në varreza pinë helmin për njëri-tjetrin …. Ku kishin qenë këta libra? Profesor Besim Qorri kishte qenë aktor në vitet ’30. Kur ishte kthyer nga studimet jashtë, kishte luajtur në dramat e Ethem Haxhiademit. Disa thoshin se kishte luajtur rolet e femrave. Të tjerë thoshin se rolet e femrave i kishte luajtur profesori i fizkulturës. Për mua, profesor Besim Qorri ka qenë aktori i parë tragjik dhe më i miri, aktor që i luante të gjitha rolet shekspiriane, burra dhe gra. Ai ma futi Shekspirin në gjak.
Ai shpjegonte ngjarjet, ndalte te monologët, te detajet. Fytyra e tij, shtati i tij shndërroheshin. Faqet ngjetheshin me mornica… zëri i tij jo burrëror, zë i hollë, prapë transmetonte tragjizëm. Ishte Shekspiri që e bënte tragjik figurën modeste të profesor Besimit, e bënte aq prekës, sa edhe pas më shumë se gjysmë shekulli nuk e harroj. Ai kur shpjegonte nuk qe dikushi i futur nën xhaketën e Shekspirit. Ishte një copëz njerëzore e gjallë, me mish e me gjak, një substancë tragjike lëvizëse. I dalë prej vetes, na recitonte: “Edhe ti, Brut, Brut biri im …” pastaj italisht: “Anche tu Brutus, Brutus, figlio meo”! Ah… u ngulën kamat… dhe gjaku doli për ta parë.
Ky profesor sikur kish zbritur nga qielli për ne që nuk dinim, nuk kishim lexuar asgjë për Shekspirin. Shumica ishim konviktorë, nga fshatrat. Ne vinim nga një Shqipëri 90 për qind analfabete. Atëherë nuk kishte TV. Përkthimet e Shekspirit nga Noli nuk ishin ribotuar ende. Në kinema jepeshin filma me propagandë…
Më pas e kam lexuar, e kam parë Shekspirin në skenë dhe në ekran. Më 1965 e pashë Hamletin nën interpretimin e aktorit Naim Frashëri. Shqipëria në ato vite kishte tre Hamletë: Kadri Roshin, Kujtim Spahivoglin, N. Frashërin. E pashë me të tre. Isha student. Në auditorë ecja me plastikën aktoreske të Naim Frashërit – Hamlet. Jashtë kontrollit pëshpërisja me zë copa monologësh, batuta, si : Hapuni. Jam Hamleti i Danimarkës. Isha i dehur me Shekspir. Te i ndjeri profesor Besim Qorri, kjo dehje qe shkruar përbrenda si një lëngatë që nuk shërohet kurrë. I sëmurë me Shekspir… që na e ngjiti edhe ne…Pastaj erdhi në kinema aktori britanik Lorenc Olivier. Dhe të tjerë aktorë… Te Bielinski, kritiku i shquar rus, kisha lexuar rreth tridhjetë faqe mbi Shekspirin. Nga Pasternaku lexova Hamletin që thoshte “më ndjekin si egërsirë”… Në njërën nga këto ditë shkrova poezinë ‘Princ Hamlet’. Nuk lejohej nga botuesi fjala “princ”… dhe e botova me titullin “Hamlet”:
Kur në histori fryjnë erërat
Dhe shemben muret e kalbura të botëve,
Kur kombet, shtet shkunden si fletët
Në vorbullën e madhe të shqotave,
Ti vret naivitetin e shkollarit,
Vështron shekujt nga kështjellat bosh,
Braktis skenat, del prej ekranit
Edhe s’pyet më: “Të rrosh a të mos rrosh?”
Shekspirin e kam lexuar gjithë jetën. Kam ndjekur kritikën… studimet mbi të. Kam dhënë leksione. E kam lexuar kur kam qenë mirë. Jo atëherë kur kam qenë i lumtur. Por kur kam qenë keq, e kam lexuar patjetër. Është shumë ngushëllues. Vepra e tij është të biesh dhe të dalësh nga një fatkeqësi. Hamleti të mëson që mos të vetizolohesh kur të bie e keqja mbi kokë. Po iu nënshtrove të keqes të thith në zinë e saj më të zezë.
Kam lexuar se tema qendrore e tragjedive të tij është pushteti, temë e mishëruar te treshja: mbreti, uzurpatori i fronit, trashëgimtari i fronit. Secili syresh është personazh dhe kryepersonazh. Hamleti është tragjedia e trashëgimtarit, Makbethi – tragjedia e uzurpatorit, Mbreti Lir – tragjedia e humbjes së kurorës. Asnjëri nuk e gëzon paqësisht e deri në fund të jetës fronin e mbretit. Historia luan me ta, ca figurina tragjike që kurorëzohen përkohësisht me pushtetin suprem. Pushteti i gjithëkohshëm është hyjnor. Hyji ua delegon atë ca tokësorëve, që ndonjëherë ngjan se ata janë bërësit e historisë. Por pas pak, historia i vret ata njësoj si aktorët skenikë, për ta gëzuar vetëm për vete privilegjin e pushtetit. Mbi njëzet perandorë romakë u vranë nga garda, miqtë, nga gratë a bijtë për t’u marrë pushtetin. Në Bizant i verbonin publikisht, u prisnin gjymtyrët perandorëve të rënë nga froni.
Pas Shekspirit nuk ka më tragjedi të vërteta në teatër. Ka drama. Pushteti nuk është më hyjnor. Ka rënë konsensusi i publikut për pushtetin si e dhënë hyjnore, për monarkun absolut. Pushteti buron nga votat, konfliktet gjejnë shtegdalje nëpërmjet kompromiseve, tragjeditë përfundojnë në dramë. Por Shekspiri mbetet dhe pas shkarkimit të tragjikes nga froni hyjnor. Çfarë është Shekspiri? Poezia e lartë, universaliteti i temave, i mesazheve, i karaktereve; përzierja e tragjikes me komiken (kujtoj varrmihësin te Hamleti, varrmihës që porosit verë, ndërsa këndon, thellon varrin dhe hedh kafka me lopatë); njohja e pashoqe e njeriut, e pasioneve të errëta e të bukura të tij; skepticizmi shekspirian; të mos moralizosh; të jesh në distancë të akullt, sa i sheh të gjitha dhe ua thua të mbarat e të prapat gjithkujt. Harold Bloom e quan Shekspirin shpikës i njeriut, d.m.th. ka ndikuar aq shumë sa e ka rikrijuar Njeriun. Shekspiri është poezia, inteligjenca e lartë. Poezia forcon unin, ndërgjegjen. Poezia është përgjimi i zërit të brendshëm, zë që i flet secilit. Shekspiri të mëson që ta dëgjosh këtë zë të brendshëm. Të monologosh me zë a pa zë si Hamleti. Makbethi, në monologun para vrasjes së Dunkanit, shpalos zërin e tij të brendshëm, të cilit nuk ia dëgjoi këshillën, ndoqi ambicien dhe… dhe përfundoi ‘në ferr-hapsanë’. Harold Bloom-i me të drejtë pyet: kujt ua thotë Hamleti monologët, të tjerëve? Jo, (Të rrosh a të mos rrosh… ) ia thotë vetes. I bën mirë dëgjimi, përgjimi i zërit të brendshëm. Kjo është poezia. Poezia mbase nuk ka funksion shoqëror. Jo, ka funksion të pastrojë ferrin e ndërgjegjes nga makthet. Kadare ka një libër “Hamleti, princi i vështirë”, një sprovë që e rrok në vështrim transversal këtë tragjedi që edhe sot hap mundësi leximi të pashtershëm. Në librin “Mëngjese në kafe Rostand” flet për xanxën e Makbethit. Xanxa e fantazmave. Në fillim, fantazmat i shfaqen si magjistrica, që i thonë të vrasë mbretin. Më pas, Makbethit iu mbush jeta me fantazmat e atyre që vriste. Letërsia e madhe e kthjellon njeriun duke nxjerrë fantazmat nga hambari, nga ferri ynë i ndërgjegjes. Nuk do t’i përfundoja këto shënime pa thënë se shumë monologë shekspirianë i di përmendësh. Ia them vetes, me raste i them edhe sot në tavolina me miq. Di dhe shumë nga këngët tragjike a groteske që fut Shekspiri sipas gjendjes së personazheve: Ofelia e çoroditur këndon “Shën Valentinin sot po festoj”, Desdemona e dëshpëruar këndon “Qaj shelg, o shelg i zi”. Për disa nga këto mrekulli përkthimi ende duhet t’ia dimë për nder Fan Nolit.
Shekspiri jeton ende, edhe katërqind vjet pasi ka vdekur.
Brezi im e ka pasur idhull. Veç jo gjithmonë ia kemi dalë ta bëjmë të tillë dhe për studentët tanë. Sidomos me këta të sotmit, me këta… brezin e smartfonëve. Në një nga provimet e vitit të fundit, kolegu im më thotë se prindërit e studentes së radhës i kishte miq… domethënë atë studente duhet ta kalonim. Asaj i kishte rënë në pyetje Shekspiri. Kolegu im, që kish ndër mend mos ta dëgjonte, u zgjua: “Ou, Shekspiri, pa na fol”. Ky koleg është nga ata që ta presin fjalën në mes. Nuk dëgjon dot çdo lloj njeriu. Sidomos për Shekspirin veç vetes, s’duron t’i flasë tjetër njeri. Shtrëngoi dhembët atë ditë dhe i duroi mëk-mëket e vajzës së mikut. Edhe ajo mbaroi shpejt…
Por ai gaboi kur e pyeti nëse ajo kish lexuar ndonjë nga veprat e Shekspirit. “Po, kam lexuar, tha ajo. Tingëllon aq bukur italisht”. “Italisht…?”, pyeti kolegu. “Po, ia pat ajo, sa tragjikisht vjen dhe në gojën e aktorëve italianë. Është shkrimtar i madh italian”. “Ashtu?” “Po, profesor, jam e sigurt për këtë”. Kolegu im ulëriu: Përjashta, maskareshë, m’u zhduk sysh, përjashta!
Shekspiri që ka jetuar kaq gjatë, them se do të mbijetojë sa të jetë njeriu. Ma do mendja dhe zemra, se do t’u bëjë ballë dhe këtyre gocave e djemve me nga dy smartfonë.
* Ese e mbajtur në Fier, në tubimin me temë: Katërqind vjet pa Shekspirin e Servantesin

Krijimet më të mira, në komunizëm apo kapitalizëm?

0
fundit.
– Zoti Kadare, gjysma e prozës suaj është krijuar nën diktaturë dhe gjysma në demokraci. Në cilën periudhë mendoni se i keni shkruar veprat më të mira?
Pa dashur të tregohem trillan, me ndonjë përgjigje të tipit: “në të dyja”, sinqerisht mendoj se veprat më të mira, sikurse ato më pak të mira, i kam shkruar, për fat të mirë, në të dyja periudhat. Përdora shprehjen “për fat të mirë”, sepse një gjë e tillë është shenjë e mirë për letërsinë.
– Romani juaj i parë i botuar, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, shkaktoi një tronditje në letërsinë shqipe, e cila deri në vitin 1963 nuk pati fatin të kishte ndonjë roman të madh. Ai ju ktheu në lider të letërsisë shqipe dhe si i tillë u futët edhe në letërsinë botërore. Kur e shkruat në fillim si tregim, a e keni menduar se emri juaj përgjithmonë do të lidhej me atë titull?
Jo, nuk e kam menduar. Siç e kam përmendur diku, ka qenë miku im i ngushtë, Drago Siliqi, i cili bashkë me kënaqësinë që më shprehu për versionin prej 30­40 faqesh, siç u shkrua në fillim kjo vepër, më shfaqi pakënaqësinë që isha ngutur ta shpenzoja këtë subjekt me një novelë. Është e drejtë apo e padrejtë, dihet se në letërsi, romani si gjini, ka fituar një aureolë të veçantë.
– Edhe pse ‘Gjenerali’ trajton ngjarje të kohës pas konfliktit (luftës), ju brenda tij keni krijuar mjaft konflikte psikologjike. Kjo u ka pëlqyer lexuesve, por kritikët zyrtarë ju kanë kritikuar për moszbatim të doktrinës së realizmit socialist dhe për mungesë të
urrejtjes ndaj armikut. Sa kanë ndikuar dhe sa ndikojnë, përgjithësisht, kritikat në punën tuaj?
Letërsia, si çdo art, krijohet për t’u pëlqyer prej lexuesit, atij që quhet “publik”. Dihet se niveli i pëlqimit dhe ai i artit nuk përkojnë gjithmonë. Madje ka raste kur ndahen. Kjo ndodh edhe me kritikën. Është e natyrshme që shkrimtari ta dëshirojë gjithmonë një pakt pozitiv me publikun. Por, ka raste kur ndodh e kundërta. Kjo vjen ngaqë publiku gjithashtu krijohet. Në vendet totalitare, për shembull, një pjesë e publikut kur vëren se ndaj veprës së shkrimtarit ka ftohtësi, nga ato që quhen gjysmëzyrtare, ai mbetet gjithashtu i ftohtë. Ndërkaq, te një pjesë tjetër e publikut, pikërisht nga kjo ftohtësi shtohet kureshtja, madje simpatia për shkrimtarin. Besoj se në të famshmet “takime me lexuesit”, nga bashkëbisedimi (pyetje­përgjigje) me sallën, shumica e shkrimtarëve shqiptarë të kohës e kanë ndier këtë.
– Derisa ‘Gjenerali’ ka një lidhje me dramaturgjinë e Eskilit, ‘Kronikë në gur’ sjell fiksimin tuaj me veprën e Shekspirit. Si ndodhi që u lidhët kaq shumë me këta dy shkrimtarë, për të cilët keni shkruar edhe libra eseistikë?
Tërheqja nga të mëdhenjtë nuk është ndonjë meritë për askënd. Përkundrazi, është gjëja e duhur për të gjithë.
– Eskili dhe Shekspiri ndihen edhe në romanet tuaja me temë politike, si: ‘Dimri i vetmisë së madhe’, ‘Koncert në fund të dimrit’, ‘Vajza e Agamemnonit’, ‘Pasardhësi’ etj. A mendoni se ata autorë janë strehë e sigurt estetike për trajtimin e temave politike?
Siç e thashë më lart, kjo është e natyrshme. Letërsia, ashtu si artet e tjera, ka një fat të madh, ajo çmohet vetëm nga majat. Krijuesit e rëndomtë, madje edhe ata të mesmit, janë të pashmangshëm, të shumtë dhe të dobishëm, por ata mënjanohen vetvetiu në rrugëtimin e saj të gjatë. Shkurt, historia e letërsisë mbetet historia fatlume e majave të saj. Dhe kjo është një mrekulli për gjithë botën, sepse nuk e ngarkon kulturën e saj as me vlera të përkohshme, as me kaos dhe anarki…
– Ngjashëm me ‘Gjeneralin’ që është roman pa hero, edhe ‘Kështjella’ është roman që nuk e shfaq heroin. Pse kjo shmangie e heronjve në këto romane?
Më tepër se të jetë bërë enkas prej meje, ka gjasë që kjo hynte në përpjekjet e natyrshme të një pjese të shkrimtarëve për t’iu shmangur subjekteve aq shumë të bezdisshme prej realizmit socialist, si: jeta në kooperativë ose uzina, garat socialiste, e sidomos personazhet pozitivë. Këta të fundit, që nga njerëzit e thjeshtë gjer te sekretarët ­model të partisë dhe heroinat e punës, ishin bërë aq barrë e rëndë për letërsinë, saqë dukej se shpëtimi mund të vinte vetëm nga personazhet negativë. Kur ishte fjala për personazhe më të ndërlikuar, si komandantë kështjellash apo çetash partizane, gjithçka vështirësohej edhe më fort. Antikiteti grek ose Shekspiri jepnin zakonisht personazhe të rangut të lartë që të ngjethnin mishtë. Merrej me mend se nëpërmjet tyre kushtëzoheshin ligjet e artit të madh.

Thënie brilante për shqiptarët nga Faik Konica dhe Mit’at Frashëri


Kush më mirë se Faik Konica dhe Mit’hat Frashëri mund të perifrazojë shqiptarët? Dy aristokratët e mendimit shqiptar, jo vetëm që i kanë vlerësuar bashkëkombasit, por duke mos pasur komplekse, kanë vënë në dukje me një ironi të hollë, por mjaft therëse karakterin tonë.
Ka thënë Faik Konica…
1- Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.
2- Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar.
3- Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk (ujk e shkuar ujkut).
Faik-Konica-me-veshje-kombetare-pastel-2015
4- Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh.
5- Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. –Faik Konica
6- Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…
7- Kombi (iliro-shqiptar) i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat.
8- Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare.
Faik-Konica-me-veshje-kombetare-pastel-2015
9- E harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para. Me këtë mentalitet do mos mundim kurrë të bëjmë një shtet serioz. Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se fytyron gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike. 10- Se ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të këqija të tjera dhe duartroket qeverinë kur i thotë ajo që ka qetësi të plotë. Na thonë, se qetësia mbretëron në Shqipëri; e besojmë. Na thonë, se për tre javë do ndodhet eksperti i financave në Shqipëri, gëzohemi. Na thonë, se qeveria do blerë dhjetë aeroplanë dhe japim me duart plot. Na thonë, se për pak kohë Shqipëria do të bëhet oksidentale, duartrokitim. Na thonë, se qeveria e shpëtoj shtetin nga një rrezik i madh, thërrasim me tërë fuqinë: “rroftë qeveria kombëtare!” Na thonë se fluturoi gomari… ne e besojmë!
11-Shqiptari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se Kanali i Korinthit në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u rrëmih më shumë prej punëtorësh shqiptarë. Punonin, ata djelmt’ e shëndoshë të Shqipërisë, punonin…. Një komb përtimtar nga rrënja është një komb i ngordhur.
12-Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet.
13- Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje.
14- Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.
15- Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.
16- Një tipar karakteristik i shqiptarëve është dashuria për paratë; ata janë gjithnjë të gatshëm t’u hyjnë aventurave më të rrezikshme, po të jetë se e shohin që del fitim. Në kohët e Perandorisë Turke të vjetër, turqit tregonin një histori: “E pyetën shqiptarin: a do të shkosh në ferr?” Ai u përgjigj: “Sa të paguajnë atje?”.
17- Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.
mithatfrasheriKa thënë Mit’hat Frashëri
1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.
2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.
3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit
4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.
5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.
6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës ti themi të bardhë dhe të zezës- të zezë.
7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.
8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.
9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?
10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.
11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”
12- Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.
13- Shqiptari ikën jashtë Atdheut me lehtësi, jo se ai emigron, po ai shkon të kërkojë fatin gjetiu dhe është mbase ky eksod që pengon vendlindjen e tij që të kultivohet më mirë

Zbulimet tronditëse, shqipja shkruhej para 2500 viteve, gjuhësia jonë e fsheh


Nga Altin Kocaçi
Azia e Vogël është një minierë shumë e pasur me mbishkrime të vjetra të gjuhës së Pellazgëve të cilat, për fatin e mirë, një pjesë shumë e madhe e tyre është shkruajtur në dygjuhesh edhe na jep mundësin të afrohemi të gjuhët e panjohura. Dygjuhëshit Caro-Egjyptian edhe Liko-Grekë kanë si të njohura gjuhët egjyptiane edhe greke ndaj edhe kjo ka dhënë një ndihmes të madhe në zbardhjen e mbishkrimeve Like edhe Carike.
Mbishkrimi që do sjellim sot është një mbishkrim dygjuhësh Liko-Grek. Mbishkrimet Liko-Greke janë punuar nga shumë dijetarë që kanë mbajtur qendrime të ndryeshme. Përsa i përket lidhjeve të anës Like me gjuhën shqipe Otto Blau ka qenë studiuesi i parë që i ka vrejtur këto lidhje por, sipas Thomopulos-Kurrillës-Xhovanit, pa sukses. Pas Blaut vjenë trinomi i dy albanologëve nga Korca e Elbasani, Kurilla dhe Xhovani, në bashkepunim me Iakovo Thomopulon të cilët hedhin drite mbi zbardhjen e këtyre mbishkrimeve. Pak më vjetër edhe filologu arbëresh më famë botërore, Demetrio Camarda, do sillte fraza nga qënësia shqipe e gjuhës Like, ndërsa kohë më vonë një tjetër albanologë me studime klasike, Robert De Angeli, do sillte edhe ai një version të ngjajshëm me atë të trinomit për gjuhën Like. Mbi trinomin Thomopulo-Kurrrilla-Xhovani, Camarden edhe De Angelin shkeli edhe punimi im i 2009 për këto mbishkrime.

Nga ana traditës mitike mendohet se Likët mund të jenë nga Kreta si djemtë e Europës edhe më saktë Sarpidoni, që dështoi të fitonte garën me Minoan, mori një pjesë të popullsis edhe e solli në Liki. Të këtij mendimi janë Herodoti I, 173 edhe VII, 92., po ashtu edhe Straboni 667. Këta autorë antik na thonë se Likët e quanin veten ‘’termalas’’ ndaj për këtë trinomi Thomopulo-Kurilla-Xhovani mendojne se kjo fjalë do të thotë ‘’tër male’’: në të vërtet mund të shihni sot në internet foto nga ‘’Ancient Lycia’’ ku ndërtesat edhe varret e tyre varen në shpate malesh të thepisura.
Nga ana e të dhënave historike popullsia e Lycias shfaqet që tek Homeri i cili u bënë jehonë fqinjëve të Trojanë: Iliada II 876-877., Likët Pellazgë erdhën nën drejtimin e Sarpidonit dhe Glakos. Iliada II 819-823., Dardanët nën drejtimin e djalit të Egjishit, Eneas (E njias). Homeri shpeshpërmënd thëniet “nga porta e Dardanit”, “mos u vrejt fara e Dardanit”, “Dardanë edhe Pellazgë”. Ilada II 840-843.,”Brezat e Pellazgëve shtizaluftues të mire që banonin Larisën…” ,erdhën në ndihmë të gjitonëve ,nën drejtimin e Ipothos edhe Pileos,djemëve të Pellazgut Teutamidi. Iliada II 867-875., Kërët ,barbarofonë sipas Homerit ,erdhën nën drejtimin e Nastit. Herodoti VI 95., na thotë se Eolët e Azis së Vogël edhe Jonët e Azis së Vogël ishin fillimishtë Pellazgë.
Nga ana shkencore do doja të jepja më shumë detaje por për një shkrim gazete kjo është e pamundur ndaj edhe po hyjë në temë me mbishkrimin Lyco-Grek nr 117, sipas Shkollës Austriake te Arkeologjisë (jo asaj që pretendon prof Xhufi). Mbishkrimi është botuar për herë të parë më 1820 nga anglezi Cockerrell, Walpole Travel faqe 524-530, edhe mendohet se i përket shekullit të 5 p e s, viteve 400.


Sipas Thomopulos-Kurrillas-Xhovanit (Pelazgjika, Athinë 1912, f, 215-254) mbishkrimi Likë është me i vjetri- mbishkrimi grek përkthen anën like edhe si rrjedhoi likishtja është gjuha e parë: që do të thotë gjuha e vendasve.
Ajo që njohim me saktësi është ana Greke e cila na thotë: KETE PERKUJTIMORE E BENE: SIDARI DJALI I PERMENONDES, TE VETEVE, ME GRUAN DHE DJALIN PUVIALI.
Njohja e gërmave nga Shkolla Austriake e Arkeologjisë edhe shpjegimi në shqip i Thomopulos-Xhovanit- Kurillës është: E BEIJA ERAVAZIJA ME TE PRINA FATE, SIDHERIJA PARMENARIS TIDHEMI, HERPR ETLI E VET DHE LADHE E VET DHE TIDHEMI PUBILEJE

Nëse pjesa e parë është shumë e thjeshtë nuk mund të thuhet se kaq e thjeshtë është edhe pjesa e dytë. Flasim për një gjuhë afër 2500 vjetë nga sot. Shqipërimi që i bejnë Thomopulo- Kurrilla- Xhovani është ky:
E BENE VARRIN QE TE U PRIJ FATI: SIDHERIU DJALI I PARMENDARIT, PER ATIN E VETE, E SHOQJA EDHE DJALI PUBILEJE.
Detajet e analizës së fjalëve të vështira ‘’LADHE=GRUAJA’’ apo ‘’TIDHEMI=ÇILIMI’’ i gjeni tek referenca që solla mësipër.
Kjo është e vërteta për shqiptarët edhe gjuhën shqipe në Turqi ndaj edhe ‘ekstremistet turq’ me parë se tu thonë shqiptarëve ‘të pirdhen nga erdhën’ do bënin mirë të shihnin se ku kanë shkelur si të huaj në këto troje.
Numri i mbishkrimeve shqipe në Azinë e Vogël kalon disa qindramijra ndaj qëndroni me ne sepse vetëm këtu mund të mësoni më shumë të reja rreth historisë edhe mbishkrimeve

Je shumë i “butë” e nuk cënon kurrë dinjitetin e tjetrit.


Adem Avdia ,Kukës

Miku im Flori Bruqi !


Kam kënaqësinë shprtërore e morale, kam nderin e krenarinë t’ju drejtohem sot për këtë ditë kaq të veçantë, siq është dita e Juaj e lindjes. Është rregull në këtë ditë të drejtohem me urime, por këto më dukën pak. Së pari edhe 100 vite me shëndet e krijimtari, edhe 100 vite së bashku me familjen Tuaj të shtrenjtë, edhe 100 vite mes shokësh e miqsh, edhe 100 vite mes dëshirave e ëndrrave tuaja letrare, edhe 100 vite për të bërë dhe 100 vepra të tjera. Ju keni jetuar, por jo vetëm. Ju keni krijuar një fond të pasur letraro – artistik. Në fondin tënd gjen një larmi krijimesh. Ti ke studiuar, ke hulumtuar e ke zbuluar detajet e krijimeve letrare në vite. Ke marrë si bleta nektarin e pastaj ke prodhuar produktin, “mjaltin” tënd që ne aq shumë e shijojmë. Ke botuar 40 libra, 40 vepra letrare, ku ndofshta një njeri “modern” nuk i ka lexuar aq në numër. Ndofshta 40 të tjera ke në mendje e presin penën e dorën tuaj. Të gjitha veprat tuaja janë për tu ndaluar. Të gjitha të befasojnë e të japin material artistik e jetësor. Të gjitha kanë brenda historinë e krijimtarinë tonë kombëtare. Kampatur rastin t’u njoh nga afër edhe si njeri human, jo vetëm të letrave. Je shumë i “butë” e nuk cënon kurrë dinjitetin e tjetrit. Mundohesh të kalosh në harmoni e të sheshosh çdo “kapërcim” sado të vogël. Nuk ke qejf të dëgjosh e të shohësh njerëz në konflikt. E kjo tregon se ke shpirt të madh. Nuk je njeri materialist e kurrë nuk ke menduar të marrësh fitim nga veprat tuaja edhe pse është shumë normale dhe brenda moralit Vitet kalojnë e bashkë me vitet edhe ne si qënje biologjike plotësojmë “ditët e punës”. Uroj sinqerisht jo që vetëm të jesh mirë me shëndet e të kesh shumë krijimtari, por edhe të kem rastin tani e mëvonë të qëndrojmë sa më shumë bashkë, të mësoj nga ju e jo vetëm nga librat Tuaj që I mbaj shumë për zemër. Kjo ditë e lindjes kaloftë e gëzuar mes familjes, miqve e shokëve tuaj të zemrës. Qoftë e paharruar dhe u shoqëroftë me dhjetra ditë të tilla përkujtimore. Me respekt Adem AVDIA"

Ky është Muharrem Ibraj nga Osek Hila e Gjakovës që së bashku me të birin e tij kryenin krime ndaj shqiptarëve

Kush është Muharrem Ibraj, shqiptari që akuzohet për krime lufte në Kosovë? Muharrem Ibraj dhe Mushk Jakupi babë e bir nga fshati Osek Hilë ...