2016-09-06

Teodor Laço: Me vitin ’67 rrëfej persekutimin e elitës shqiptare

Shkrimtari Teodor Laço i është rikthyer vitit 1967 për të shkruar romanin e ri, titulluar “Gropas ‘67”, që sapo ka dalë në libraritë e kryeqytetit nga Shtëpia botuese “Tirana Times”
Teodor Laco Kanë kaluar 47 vjet nga koha kur Enver Hoxha i shpalli luftë Zotit. Ishte koha e kurbaneve dhe e xhelatëve të tyre. Shkrimtari Teodor Laço i është rikthyer vitit 1967 për të shkruar romanin e ri titulluar “Gropas ‘67”, që sapo ka dalë në libraritë e kryeqytetit nga Shtëpia botuese “Tirana Times”. Ngjarjet në roman zhvendosen në një fshat të humbur, që autori e quan thjesht Gropas. Aty është kampi i të internuarve. Në këtë vend, një ultësirë si bythë kazani, rrethuar me brinjë kodrinash dhe duna që e ndanin nga deti, rastësia apo fati, i gjeti nën të njëjtën strehë edhe tre njerëz të dëbuar nga kryeqyteti;  Zigur Trushin, agjentin e fshehtë të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Hija”, inxhinierin Vllas Vishnja dhe poetin Miron Konjari. Galeria e personazheve në romanin e Teodor Laços është e gjerë, por rreth këtyre tre njerëzve ndërthuren jetë dhe realitete shqiptare që gjallojnë si të vërtetë. A është poeti Miron Konjari vetë autori Laço? Po spiuni Zigur Trushi, kush është në të vërtetë?….Teodor Laço në intervistën e tij për Mapo-n zbulon të vërtetat në romanin e tij.
Sa ngjason Miron Konjari me Teodor Laçon? A ka romani “Gropas ‘67” elementë autobiografikë?Gropas 67
Në njëfarë mënyre, aty ka përjetime emocionale të ngjarjeve të cilat i ke dëgjuar, njohur ose ke qenë afër. Nuk mund të them se ato që përjeton personazhi i kam jetuar vetë, së pari sepse personalisht nuk kam qenë asnjëherë i internuar. Por personazhe të tillë kam njohur shumë, edhe intelektualë të letrave dhe arteve që ndëshkoheshin, dëboheshin dhe internoheshin. Ose shkonin vite të tëra në qarkullim, siç kam qenë dhe unë. Unë kam qenë në Fier për disa vite i qarkulluar.
Pse i vendosni ngjarjet në romanin tuaj në vitin 1967? Çfarë ngacmoi tek ju?
Lufta e klasave që ka qenë luftëtari themelor i Partisë së Punës, që përshkonte gjithë jetën e shoqërisë. Ajo ka patur uljet e ngritjet e saj. Kishte periudha që dukej sikur pushteti komunist dhe Enver Hoxha po bënin lëshime. Shembull i kësaj ishin vitet ‘70-’72. Pas një fjalimi që Enver Hoxha mbajti në Mat, ku tha se mund të ngrihen në poste të rëndësishme kuadro që nuk janë komunistë; u duk sikur do të kishte një hapje. Menjëherë pas kësaj ndodhi Festivali i 11-të, Pleniumi IV, që pasoi me goditjen e madhe në ’73 të njerëzve të artit dhe të letërsisë. Nganjëherë e mendoj se liberalizmi që u premtua ose që u duk se do të ndodhte në vitet ‘70-’72, ka qenë një kurth për të zbuluar liberalët dhe për t’i ndëshkuar ata. Me siguri kjo skemë është përdorur shpesh dhe në atë kurth kanë rënë ata që kishin dëshirë për ndryshim, por që nuk dinin sesi ta bënin atë ndryshim.
Por unë mendoj se viti ‘67 ka qenë nga vitet më të errëta të historisë komuniste. Në ’67-ën nisi lufta ndaj besimit fetar. Nisi si një iniciativë e rinisë se një shkolle të Durrësit, që më pas u përhap në gjithë Shqipërinë. Kjo “çmenduri” solli shkatërrimin e kishave dhe xhamive, e veprave të artit bizantin, dënimin e klerikëve… me një fjalë erdhi ajo që u quajt me mburrje nga Enver Hoxha si shteti i parë ateist. Për mua gjithçka ndodhi ishte reminishencë e revolucionit kulturor kinez. Nuk mund të thuhet se revolucioni kulturor kinez ishte një nga tablotë më të zeza dhe më absurde që u zbatua pikë për pikë në Shqipëria, por disa karakteristika të tij u infektuan edhe në shoqërinë shqiptare.
Nxjerrja në veprim e fletërrufesë. Ato ishin denoncime të cilat bëheshin në publik shpeshherë nisur nga motive personale, shpeshherë ishin qesharake, por shpeshherë ishin me pasoja aq të rënda sa nuk mund të parashikohej se çfarë mund të ndodhte pas tyre.
Në Tiranë, në vendin ku sot është lulishtja para Bankës së Shqipërisë, ishte e vendosur një stendë super e madhe ku publikoheshin fletërrufe. Aty mund të lexoje fletërrufe për të bërë humor sepse shkruheshin nga analfabetë, por lexoje dhe fletërrufe të cilat shkruheshin nga intelektualë kundër intelektualëve. Sot mund të duket komike, por në të vërtetë ishte me pasoja shumë dramatike. Ky vit pasoi me historinë e çifteve ruse, që në fakt kishte nisur më herët që në ’61, por që vazhdonte në format e saj. Ishte dhe një karakteristikë tjetër që ndodhte në ato vite; përfaqësues të klasës punëtore u morën dhe u emëruan në poste drejtuese në institucione të rëndësishme. Pra ishin disa karakteristika të atyre viteve që mund të jepnin lëndë, shtytje, ngacmim për të shkruar një roman.
Të kthehemi pak tek roli i shkrimtarit në ato vite…Çfarë ndikimi pati ky “represion” tek krijimtaria e tyre?
Ndryshe nga ç’ka disa opinione sot se të gjithë shkrimtarët e realizmit socialist janë pajtuar me atë periudhë në mënyrë të ndërgjegjshme, edhe pse shumë vepra i kanë shërbyer asaj kohe, mes shkrimtarëve ndryshe nga ç’mund të jenë shprehur në veprat e tyre ka pasur një pakënaqësi, një kundërshti, nuk po them disidencë kundër sistemit se dhuna dhe diktatura ishin të dukshme. Unë ndaj kam zgjedhur si kohë për romanin tim vitin1967, sepse mendoj se ka qenë kulmi i parë i qarkullimi të shkrimtarëve në bazë, edhe pse mendoj se ‘75 viti kur nisi fushata tjetër e qarkullimit të shkrimtarëve në bazë ka qenë dhe më i egër se ai ’67. Në ’75-ën shumë shkrimtarë dhe artistë nga Tirana u dërguan me motivacionin e qarkullimit, kundër dëshirës dhe vullnetit të tyre në terren, në bazë dhe qëndruan për vite me radhe atje.
Kur lexon romanin përfshihesh nga detajet që të çojnë aty në fshatin e humbur, Gropas. Ju e risillni pas kaq vitesh jetën e asaj kohe njësoj sikur të ishte sot. Kjo sepse ju keni kujtesë të fortë, apo keni mbajtur ditar-shënime në atë periudhë?
Unë kam shënime të hershme, të cilat i kam në formën e ditarit. Po të botoheshin gjithë ditarët, besoj do dilnin rreth 6 vëllime. Veç kësaj, këto janë fryt edhe i një lloj dokumentimi për ngjarje dramatike, që i ke jetuar vetë apo i ke dëgjuar nëpërmjet të tjerëve.
Unë vazhdoj t’i qëndroj mendimit se edhe pse ju thoni se romani është një fiction, shumë  personazhe duken realë…
Romani është fiction, por personazhet janë të qëmtuar nga realiteti i asaj kohe. Mund të quhet dramë dokumentare. Por shumë personazhe mund të gjejnë vetveten aty. Personazhet realë atje janë. Personazhi i Tomë Gjëvarfi është person real. Kur e kam “skalitur” atë si personazh kam patur parasysh një njeri real që e kam takuar në ‘Turizmin’ e Fierit, ku unë isha qarkulluar. Kam pirë një kafe me të. M’u afrua vetë se ishim nga fshatra fqinj. Ishte guximtar i madh. Zbriste në qytet në të rrallë kur i jepnin leje. Ishte natyrë rebele. Historia e Tomës është historia e atij njeriu. Ndërsa tek personazhi i poetit Miron Konjari është historia e shumë shkrimtarëve, çdonjëri mund ta gjejë nga pak veten tek ai, po ashtu dhe ajo e inxhinierit Vllas Vishnja.
Ngjarjet i keni vendosur në një fshat të humbur, që ju e quani Gropas. Ku është ky fshat?
Ngjarjet janë vendosur në fshatin Gropas dhe ashtu siç është përshkruar, fshati ngjason me shumë fshatra të Myzeqesë ku pasur të dëbuar dhe të internuar. Në këto fshatra kam pasur rastin të njoh dhe takoj këta njerëz. Njerëzit ndëshkoheshin sipas katër kategorive: kategoria e parë ishin të qarkulluarit, pas tyre vinin të dëbuarit, të internuarit dhe të burgosurit. Kjo ishte “hierarkia” e ndëshkimit.
Tek personazhet drama shkon deri në fund. Nuk i jepnin shpresë asnjërit prej tyre. As poetit, fundin e të cilit e keni zgjedhur me vetëvrasje?
Mendoj se i kam qëndruar besnik realitetit të asaj kohe, të atij viti të zymtë ku shpresa ishte vrarë. Një nga krimet më të mëdha të sistemit ka qenë vrasja e shpresës. Vrasja e shpresës ishte diçka që ndodhte përditë, ishte një proces i vazhdueshëm.
Keni zgjedhur periudhën më të zymtë të shoqërisë shqiptare, kur siç thoni ju, shpresa ishte vrarë, megjithatë dashuria, erotika nuk mungon në roman. A nuk është një dritë shprese?
Dhuna mund të vrasë çdo gjë, me përjashtim të dashurisë. Kështu që erotizmi është i kuptueshëm. Dashuria është e pamposhtur, në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë të fjalës. Dashuria është trajtuar në rrafshin e inxhinierit me gruan e tij ruse, të poetit me Anën, që braktiset nga kjo e fundit për interesa të tjera, ose më saktë për t’iu nënshtruar fatit të saj.
A ke njohur në jetën tënde një Zigur?
Nuk kam njohur, por e di që ka ekzistuar. Kam një episod që është shumë interesant, por që nuk lidhet me kohën e romanit. Në vitin 1992, në një fshat të Devollit, si përfaqësues i Partisë Socialdemokrate po mbaja një takim. Dhe disa aty më bëjnë një pyetje: Çfarë do bëhej me 1200-shat? 1200-at ishin ata që paguheshin nga Sigurimi, ishin agjentët e fshehtë.
Dhe unë u përgjigja: Mos kini merak, se do dënohen të gjithë, që nga Nexhmije Hoxha (që sapo ishte arrestuar) deri te 1200-shat. Atëherë, në mes të turmës u dëgjua një britmë. Një fshatar iu hakërrye bashkëfshatarit tjetër: ‘Më ke ndjekur o qen bir qeni 20 vjet me radhë dhe më përgjoje poshtë dritares se çfarë llafosnim në shtëpinë time’. Me pak fjalë filluan të hapeshin petët e lakrorit.
Ju si shkrimtar keni patur “Hijen” tuaj që ju ndiqte?
Nuk mund të them se kam njohur. Por mendoj se kjo është çështjeje e arkivave dhe kur të hapen arkivat mund të zbulohet ‘kush-kë’ dhe ‘si-kë’. Nuk kam njohur dhe nuk e kam ditur. Në vitet ‘96-‘97 kur u ngrit Komisioni për Pastrimin e Figurave, një anëtar i Partisë Socialdemokrate më kërkonte me ngulm ta përfshija në listë për të marrë certifikatën e pastërtisë. Nga 100 që kishte lista jonë 10 kandidatë nuk e morën, pra kishin qenë bashkëpunëtorë. Ky që e kërkonte me patjetër nuk kishte shanse që të bëhej deputet, por më lutej për atë certifikatë. Ne kishim të dhëna gojore se ai kishte patur shoqëri me një operativ Sigurimi dhe hezitonim. Të gjithë ia kishin ngjitur damkën se kishte bashkëpunuar me Sigurimin. Në fakt ky njeri e mori certifikatën e pastërtisë, pra përveç shoqërisë me operativin në fjalë nuk e lidhte asgjë tjetër. Ai e donte certifikatën vetëm për të verifikuar figurën e tij. Nuk e di pse ai ligj u la të funksiononte deri në 2001-shin dhe pastaj u hoq. Ndoshta menduan se brenda 3-4 vjetëve do vinte natyrshëm pastrimi i politikës nga bashkëpunëtorët e Sigurimit. Në fakt nuk ndodhi.
 Në sëndukun e shkrimtarit
Një sënduk i madh në shtëpinë e shkrimtarit është i mbushur me blloqe të tëra shënimesh. Laço aty ka hedhur skaletin e një tregimi, impresione nga takimet me njerëz, por dhe për ngjarje të ndryshme. “Aty është minerali i fshehur i shkrimtarit, i cili ndonjëherë zbulohet e ndonjëherë mbetet atje ku është. Është miniera që ti herë pas here hap galerinë dhe e nxjerr në sipërfaqe ndonjë copëz nga minerali yt”, – shprehet Laço. Aty gjen refleksione për njerëz të rastësishëm, por dhe të njohur të shkrimtarit. Në një tjetër bllok janë poezitë e tij të pabotuara. Kur janë shkruar? – e pyes.
“Janë shkruar në kohë të ndryshme, që nga viti 1976 e këtej. Janë rreth 100 poezi që nuk i kam botuar asnjëherë dhe nuk e di nëse do t’i botoj”. E pyes sesi e sheh sot Teodor Laço shkrimtarin e ri kur u kthehet shfletimit të atyre shënimeve, por dhe ditarit ku ai ka hedhur gjithë jetën e tij. “Sigurisht e shoh veten me kritikë. Por zakonisht nuk kam shumë për t’u penduar. Çdo njeri ka diçka për t’u penduar. Unë mund të them se jam i kënaqur nga jeta ime”.

Në galerinë e personazheve të romanit

Miron Konjari
Dora nga herët dhe ia rrëmbeva gazetën nga dora gazetashitësit të hutuar….Pse duhet të mëkohet rinia jonë me dëshpërimin e pesimizmin e individit?”. Isha si në një jerm prej të cilit s’më lejohej të harroja asgjë. Në çdo rresht kërkoja se mos binte ndonjë rreze drite dhe meqë nuk gjeja dot asgjë vetvetiu, nënvizoja si i çartur, i frikësuar, se mos më shpëtonte diçka nga ajo pretencë prokurori, prej së cilës kisha parandjenjës se do të varej fati im. Në kolonën e fundit, sikur të mos mjaftonin përcaktimet e përgjithshme vihej një “notë” nja njëzet poezive: e errët, nxirë realitetin, moralizim i zvetënimit, e pakuptueshme, hermetike, frojdizëm….Nuk d të përgjigjesha. E dija që kur të vinte ora e diskutimit për mua në mbledhjen e hapur të partisë, e hapur do të bëhej meqë unë nuk isha në parti, faja e parë që do të thuhej ishte “reflektim”. Dhe nuk u gabova. Mbledhja nuk u quajt e partisë por e organizatës profesionale, gjë që I jepte rast kujtdo të fliste si të donte…

Vllas Vishnja dhe Stillo Brati
Fillimi i viteve ’60 I gjeti të dy shokët në Tiranë, Stillon në një gazetë qendrore në Tiranë dhe Vllasin në Institutin e Kërkimeve Minerare. Të dy të martuar me vajza ruse, të dy ende shokë intimë. Pas “divorcit të shekullit”, siç e quante një koleg shkrimtar i Stillos, me një këmbëngulje të pandalshme, herë hapur e herë nën rrogoz u kërkua prishja e martesave me gra të huaja. Disa çifte që deri dje dukeshin si të pikuar me harmoni, u ndanë lehtësisht, siç dukej pa ndonjë dhimbje të dukshme. Për ata që bindeshin rruga e karrierës mbetej e hapur. Për të tjerët që nguronin e nuk bindeshin, duhej të shërbenin jo vetëm shembujt e shokëve të dikurshëm, pore dhe disa gjyqe të bujshme me akuza për agjitacion, kundërshtim të politikave të partisë ku viktima ishin sa burrat aq edhe gratë. Në fillim, për çiftin Vishnja, në rolin e këshilluesit u gjend ose u ofrua vetë shoku i tij i vjetër, Stillo Brati. Në 6-7 vjet pas studimeve (në Moskë) Stilloja ishte larguar nga gazetaria për të cilën nuk se kishte ndonjë prirje të dukshme, por ishte ngritur në rangun e një instruktori me peshë në sektorin ideologjik të Komitetit të Partisë…
Zigur Trushi
Kur e pranoi “detyrën e dytë” dhe firmosi dokumentin që i vuri përpara operativi i zonës, ai vendosi të mos i tregonte të atit. Pseudonimi i tij ishte “Hija”. Operativi ishte në një mendje. “Yt atë si më thonë ka marrë kot, – i tha ai…Ashtu me kujdes, ti duhet t’ia përcjellësh shqetësimin tonë dhe pastaj të marrësh vesh kush ia ushqen ato mendje kundër heqjes së gradave në ushtri. Atëherë ndryshon puna dhe ai kalon në anën tonë. “Do ta bëj”,- kishte thënë ai pa nguruar asnjë grimë. Zhbirimi i të atit kishte qenë misioni i tij i parë në “detyrën e dytë”…
Tomë Gjëvarfi
Djalë fshati, babai e vëllai i madh në kurbet, partizan, kapiten i artilerisë pas një kursi në Zagreb, pako dhe dollar nga vëllai, veshjet shik, me stof anglez, ngjyrë ulliri, ndryshe nga uniformat zyrtarë, taverna e Dajtit, heqja e veshit, mosbindja, se më dukej marrëzi që për këto gjëra të ndëshkohej hap pas hapi një si unë, me medalje e urdhër trimërie në gjoks. Në fillim më zhveshën uniformën, pastaj kujdestar në shkollën teknike. Ama nga kostumet dhe nga Dajti, aty ku mblidhej ajka e oficerëve që në ato vite ishin dashnorë e dhëndurët më të preferuar, nuk hoqa dorë. E dija që më shikonin vëngër, por mua kjo më pëlqente dhe ua bëja me sy. Pastaj demaskimi në lagje, kisha sjellje borgjeze demek, i bëja duva dollarit, por dhe nga ana morale nuk isha në rregull, se isha ndarë nga një dashnore me biografi të mirë. Ka ndonjë gjë që nuk e dije?
Hm…nënqeshi ai, je libër i hapur, nuk them…

Musine Kokalari Leterkembimi me Enverin



Ne nje ceremoni te thjeshte ne mjediset e Ministrise se Kultures, kjo medalje iu dorezua mbeses se Musinese, Karolina Alimit. Gjithcka ne emer te kthimit te borxhit te madh qe ky vend i ka Musine Kokalarit. Ndaj edhe ministri Ylli Pango u shpreh se, “shpejt mendojme qe vepra e saj te botohet, pasi ajo eshte nje personalitet qe e nderon kombin tone”. Kontribut te madh vleresohet nga studiuesit se i ka dhene jo vetem politikes shqiptare, me themelimin e Partise Socialdemokrate ne vitin 1943, por sidomos per kulturen shqiptare, duke qene nje femer shkrimtare shqiptare ne nje kohe teper te trazuar. Mund fare mire te cilesohet edhe si e para shkrimtare shqiptare, pasi Elena Gjika, qe njihet si e tille ka shkruar ne Rumani, pra pertej kufijve te Shqiperise, ndersa Musine Kokalari, pasi kreu studimet, iu dha Shqiperise me gjithe forcat e saj. Duke deshmuar ne cdo hap anti-komunizmin e saj!

E megjithese ishte nje nder femrat intelektuale te rralla ne Shqiperi, fati i saj qe i mjere! Sa ne qelite e burgjeve shqiptare ne persekutim! Rresheni qe stacioni i saj i gjate e i fundit, ne te cilin qendroi gjate. Atje mundi te lere shume gjurme, pas ajo kishte rrugen e saj, ate rruge qe banoret e qytetit e pagezuan me emrin “Rruga ku shkon ajo...”.

“Ishte nje ze ne shkretetire Musineja, keshtu e cileson Agim Musta, nje prej njerezve qe pati nismen e madhe, e se bashku me nje grup intelektualesh ju drejtuan Presidentit per ta pagezuar ate “Nderi i kombit”. Mund fare mire te cilesohet edhe si rast unik per perndjekjen e saj ne te gjithe hapesiren e Evropes Lindore. Por ajo ishte e tille deri ne fund, me bindje te patundura antikomuniste. Ajo qe nje disidente deri ne frymen e saj te fundit.

Korrespondenca me Enver Hoxhen

Korrespodenca qe ka pasur me Enver Hoxhen, pohohet nga ish-drejtori i Arkivit te Shtetit, studiuesi Shaban Sinani. Por ajo cka thuhet eshte nje tjeter fakt, ai i nje propozimi te mundshem nga Enver Hoxha. Theksohet se, Musineja dhe Enveri kane qene kusherinj fare te afert, te dyte! Nenat e tyre ishin kusherira te para, vajza tezesh, ndersa ishin edhe kusherinj te katert nga babai. Studiuesi Shehu shkruan: “Ne vitin 1940-1941, nena e Enverit, i propozon nenes se Musinese per ta marre per nuse Musinene per Enverin. Enver Hoxha ishte ne dijeni per kete. Ai ka pasur korrespodence me Musinene per vite te tera, e kjo shoqeri ka pasur ne baze afrine gjinore qe kane pasur dy te rinjte, dhe letrat thuhet se jane me permbajtje te ngrohte fisnore”, shkruan Shehu. Cdo gje e cdo situate mund te lexohet ndryshe nga kushdo. Per te vijuar deri ne fund idene e tij, Shehu shkruan nder radhe, ne pak fjale eshte se Musineja e ka refuzuar Enver Hoxhen, per shkak te lidhjeve gjakesore, dhe kete Enveri nuk ja harroi kurre! Por ka gjase te mos kete qene pikerisht ky fakt qe coi ne nderprerjen e korrespodences se tyre. Pasi Enveri dhe Musineja kishin nje motiv me te madh per te mos kembyer me mendime mes tyre, ate te bindjeve. Musineja deri ne frymen e fundit qe antikomuniste, me gjithe vuajtjet qe i solli, ndersa do te qe e teper te komentoheshin bindjet e Enver Hoxhes.

Propozim edhe nga Mithat Frasheri

Vajze e hijshme qe lakmohej jo pak prej intelektualeve te kohes. Nje nder ta ishte edhe Mithat Frasheri. Sic shkruan studiuesi Novruz Shehu ne librin e tij, “Vajza uragan”, kushtuar figures se saj: “Ne vitin 1943, asaj i propozoi edhe Mithat bej Frasheri. Ata kishin korrespodence, kur ajo ishte me studime ne Itali. Ai e ndihmoi edhe per mbrojtjen e diplomes. Ajo e nderonte, por nuk e dashuronte. Musineja shihte tek ai gjakun e Rilindjes dhe ndricimin e saj ne gjithe fuqine e shekullit. Mithati i propozoi, por ajo nuk u fye, por nuk e pranoi, pasi dashuronte dike tjeter”. Gjithcka i perngjan dashurise se Getes, i cili kur rroku te 70-at, u marros pas nje vajze fare te re, vetem 17-vjecare. Edhe Mithati, ndonese ne moshe, nuk u mendua gjate ta propozoje, e me gjithe faktin qe kjo dashuri e tij nuk pati kurrfare perfundimi pozitiv, ai thuhet se e deshi deri ne fund te jetes se tij.

Doreshkrimi “Mbi jeten time”

Ka lene ne doreshkrim shumecka! Ne disa faqe pagezuar “Mbi jeten time” shkruan: “Komunistet me varrosen per se gjalli, se nuk iu kerkova falje ne gjyq per aktivitetin tim. Dhe pse do te kerkoja falje?…. Une s´jam fajtore…”. Ne nje seance gjyqi, ndersa dikush thirri se ajo duhet te denohej me vdekje ne litar, dhe kryetari Frederik Nosi, e pyeti se a e degjonte ate qe kerkonte populli, Musineja me qetesi iu pergjigj: “Neser kete do te thone edhe per ju”. Musineja nuk pranoi avokat. Ajo beri nje apologji te shkelqyer qe jep qarte edhe ne qendrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konsekuente dhe e paperlyer. Gjyqi komunist e denoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e te gjitha te drejtave civile dhe konfiskim te pasurise”. E dermuar nga vuajtjet dhe e rraskapitur nga punet e renda, Musineja u semur nga kanceri. “C’fat tragjik, shkruan ajo. Me doli edhe semundja kunder. Te pakten te kisha pak qetesi ne vitet e fundit te jetes sime”. E shtruar ne spitalin onkologjik, ajo shkruan: “Ketu kuptova nje gje. Per mua jo vetem qe nuk interesohen, por kane qejf te me zvarritin. Dhe vete kontrollet e ketyre muajve s’kane gje tjeter vecse fjale te kota. Sipas rregullave, une duhet te isha operuar ketu e gjashte muaj me pare. C´do te ngjase?”. Duke iu referuar epilogut, dicka nga pervoja e saj: “Njoha kulturen demokratike, njoha tragjedine e permbysjeve te medha revolucionare. Njoha nje gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me perplasje andej-kendej. Njoha punen e punetorit me norme individuale, njoha punen e krahut me norme kolektive ne bujqesi e ndertim. Njoha vetmine e vetekerkuar, shoqerine e rastit ne burg dhe gjithe ndryshimet qe pasojne nga ky termet i panderprere per te konsoliduar diktaturen e proletariatit. Nganjehere them me vete se nuk fitova gje qe mbeta gjalle. Kam 38 vjet qe nuk e di c’domethene familje”.

Kush ishte Musine Kokalari

Musine Kokalari lindi me 10 shkurt te vitit 1917, ne Adale, te Turqise. Ne vitin 1921, familja e saj kthehet ne Shqiperi dhe vendoset ne Gjirokaster, ku Musineja kreu shkollen fillore. Nente vjet me vone, familja Kokalari vendoset ne Tirane. Ne vitin 1937, Musineja mbaroi shkollen e mesme “Nena Mbretereshe” dhe me pas shkoi per studime ne Universitetin e Romes, ne Itali, te cilin e mbaroi shkelqyeshem ne vitin 1941. Ajo botoi librin e saj te pare “Sec me thote nena plake” ne vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari se bashku dhe me disa shoke te tjere formuan Partine Socialdemokrate. Nje vit me vone, me perpjekjen e saj, doli numri i pare i gazetes “Zeri i Lirise”. Ne vitin 1944, botoi librin e saj te dyte “Rreth vatres”, ndersa me 12 nentor te po ketij viti u pushkatuan vellezerit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Kater dite me vone e arrestuan dhe Musinene, te cilen e mbajten 17 dite ne burg. Ne janar te vitit 1945, u botua libri i trete i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Me 23 janar te vitit 1946, ajo u arrestua per se dyti nga forcat e Mbrojtjes se Popullit e gjyqi e denoi me 20 vjet heqje lirie. Ne vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan ne Rreshen, ku dhe doli ne pension me gjysme page. Ne vitin 1981, semuret nga semundja e kancerit, qe dy vjet me pas do ta largonte pergjithmone nga jeta. Dhjete vjet me vone, pra ne vitin 1993, Presidenti i Republikes i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracise”.

Nasi Lera dhe mallkimi i Lidhjes së Shkrimtarëve

Ylli Polovina

Prej shumë kohësh më mbante vazhdimisht të ngrohtë një mbresë e mirë për Nasi Lerën, por gjeta vetëm një ditë të fundvjeshtës së shkuar për t’ia thënë këtë gjë. Qe një njohje e vjetër, por disi institucionale për kohën. Kur në vitin 1985, pas vdekjes së Enver Hoxhës, ai u zgjodh sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë për letërsinë, ndodhesha në kryesim të degës së saj për Beratin. Nasi Lera nuk ishte i vetmi që kur vinte në qytetin tonë linte përshtypje të këndshme. Kanë qenë paharruese takimet me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, me Zija Çelën po ashtu, edhe ai një yll letrar. Gjurmë të çlirëta linte pas edhe Feim Ibrahimi, të cilit për shkak se vuante nga zemra, i bënim kujdes të mos ecte në rrugë me ngjitje dhe një shëtitje e tij në kështjellë, për shkak të relievit të trazuar me ngritje dhe ulje, na vinte në merak. Linte pas mbresa të mira dhe të zgjuara edhe Kujtim Buza. Teodor Laço, kur dëshironte të shkruante ndonjë gjë të veçantë, zinte një dhomë në Hotel-Turizmin e famshëm të qytetit. Tani në Berat vijnë më shumë diplomatë dhe prej artistëve vetëm piktorë, por shkrimtarë jo.
Në dhjetor 1990 shpërtheu lëvizja demokratike dhe në 20 shkurt u rrëzua monumenti i njeriut, për të cilin tashmë pothuaj të gjithë qemë të bindur se ishte një diktator. Çdo ditë që erdhi më pas, zbuloi të vërteta të dhimbshme. Nuk kishin qenë dy apo tre shkrimtarët dhe artistët e persekutuar, por me qindra. Lidhja e mëparshme, me godinë dhe administratë, me çdo vit pesëmbëdhjetë milionë lekë fond për krijuesit dhe disa qindra muaj leje krijuese me superpagë për kohën, prej tetë mijë lekësh dhe me të drejtë për secilin deri edhe katër mijë për dieta, qenë vetëm njëra pamje. Zyrtarja. Tjetra, e mbajtura fshehurazi, në kthina harrimi, e ndaluara të ekzistonte, në të shumtën e herëve me “zyra” qelitë e burgjeve, pak nga pak nisi të ngrejë shtatin. Mbase që të zbulohet e tëra kërkon edhe shumë kohë tjetër, por që tani është monument.
Pranimi i sinqertë e kësaj Lidhjeje tjetër, të munguarës për një gjysmë shekulli. dhe përpjekja e përditshme që ajo të rikthehet në vendin e saj, si vlerë e madhe kombëtare, u bë guri i provës së vetëqortimit për gjithsecilin nga ne, ish-anëtarët e Lidhjes zyrtare, veprimtarët apo mbështetësit e dikurshëm të saj. Cili qe roli i strukturave të zgjedhura apo i administratës së godinës me zyra, salla mbledhjesh e një kafe të rehatshme, në mes të Tiranës, me atë që niste nga kthinat e qilarëve apo nëntoka, ku ruheshin dorëshkrime, e deri në kampet e punës apo burgjet speciale si i Burrelit, vijon të jetë një temë e domosdoshme për t’u debatuar dhe për të dalë gjithë e vërteta. Ca më shumë që në historinë e Lidhjes zyrtare nuk ishte vetëm pranimi i politikës së dëbimit të kolosëve si Gjergj Fishta dhe Faik Konica, por rëndon edhe pushkatimi i dy poetëve Blloshmi dhe Leka, rast egërsisht kriminal dhe shumë pak i ndodhur edhe historinë e tiranive më të pamëshira të botës.
Pak nga të gjitha kisha këto në kokë atë mbrëmje të fundvjeshtës së shkuar, tek bëra bisedën me Nasi Lerën. Njëzetë e një vitet e tij të pas rënies së diktaturës kishin qenë vijimi i krijimtarisë me po atë stil të mëparshëm rrëfyes, të dhembshur e të butë, të sinqertë dhe kurrë propagandistik. Para nëntëdhjetës qenë librat “Sytë e dashurisë”, “Treni ecte drejt dëborës”, “Nata premierë”, “Baladë për vetveten”, “Orët e qytetit të vogël”. Tani pas vëllimit me tregime “Ulërima e heshtur” sapo kishte nxjerrë romanin “Sytë e Sofisë“, botuar nga Dudaj. Për një rastësi, por mjaft të çuditshme, shkas i largët për lindjen e idesë së tij kishte qenë një banor i Beratit. Emërkeq: Altin Dardha. Shumë vite të shkuara Nasi Lera pati lexuar nëpër gazeta se vrasja e tij nga një rival apo marrës haku, kishte ngjarë në qytetin e Janinës dhe se Dardha ndodhej aty jo për t’u fshehur, por për të kryer një vrasje speciale. Si pasojë e zjarrshkëmbimeve me banda të tjera atij i qe dëmtuar njëri sy dhe për të transplantuar me një të shëndoshë po kërkonte njeriun që do t’ia merrte.
Nasi Lera prej mbase kësaj fantazie shtypi pati ngasjen e thurjes së një subjekti të ri, sipas të cilit janë një qen dhe një njeri që shkëmbejnë nga një sy dhe tashmë botën e shohin ndryshe. Njeriu syqen dhe qeni synjeri! Mahnitës si këndvështrim krijues, sidomos për të vizatuar një tirani politike apo sot dukurinë e përdhunësve të djeshëm që më shumë se të vetëkoregjohen në liri, mbajnë të bezdisshme pa pushim një fushatë të tërë hipokrizie se në diktaturë kanë qenë disidentë ose së paku mospajtues me të. Por Nasi Lera as në variantin si e kishte imagjinuar në bocetin e tij krijues nuk e kishte çuar deri në fund. Patën hyrë në mes dy ndërhyrje autorësh të rinj librash, të cilët i kërkonin nga një parathënie, dhe më në fund, kur kishte dashur ta riniste, ndjeu se qe ftohur. “Sytë e Sofisë“, libri që shkroi më pas, edhe pse i tëri lidhet me thellësitë e kaltra e të zymta të shpirtit të njeriut, nuk ka më asgjë të përbashkët me shtysën e fillimit. Tek e arsyeton braktisjen e subjektit të parë Nasi Lera shpjegon se për disa kohë e kishte simpatizuar realizmin magjik, madje në kohën e diktaturës, pati lexuar shumë për antiromanin ose romanin e ri si edhe prestigjin e tij për shumë vite mes mjaft shkrimtarëve të talentuar francezë, por më në fund në debat kishte fituar romani realist, ala Balzak. Kështu “Sytë e Sofisë“, spikat ai në kuvendim, nuk është një krijesë eksperimentale apo e zhytur në lojë fantazish. Ndërkohë tetë vitet e thurjes së tij “klasike” shkrimtari e pati alternuar me pasionin e përkthyesit. Nasi Lera jo vetëm ka shqipëruar Kamynë, por edhe shtatë romane të Joze Saramango. Pesë prej tyre janë botuar dhe dy të tjerët presin ditën e afërt të paraqitjes nëpër librari.
Në bisedë me shkrimtarin dhe dikur sekretarin e Lidhjes zyrtare të shkrimtarëve dhe artistëve nuk e them atë që hamendësoja në pasionin e tij të pasdiktaturës për novelistin portugez. Saramango, i cili në mes të viteve shtatëdhjetë kishte qenë eurokomunist, por edhe denoncues shumë kurajoz i diktaturës së Salazarit. Më pas shumë shpejt e pati braktisur pjesëmarrjen në politikë dhe qe marrë vetëm me krijimtari. Për një mesazh kuptimplotë se si njerëzit e mirë dhe shkrimtarët e talentuar nuk ka diktaturë që i nënshtron apo që i bën përfundimisht me vete, në Italinë e veriut, në qytetin Belaxho (Bellagio), buzë liqenit të Komos, mbahet konferenca ndërkombëtare e shkrimtarëve të burgosur nga regjimet totalitare dhe se atje deklamohen përherë edhe vargje të Joze Saramangos.
Nasi Lera është vllah, bir shoferi. Asnjë lidhje nepotike nuk kishte kur, ndërsa ndodhej në Rubik, në periudhën trevjeçare që kalonin si stazh të detyruar ata shkrimtarë dhe artistë të cilët dilnin në krijimtari të lirë, e thirri Foto Çami dhe i tha se qe emëruar në postin e lartë të Lidhjes. As e kishte shkuar ndër mend një zigzag të tillë në jetë. E vetmja ndërhyrje e mundshme nga një “i madh”, kishte qenë në vitin 1956, kur ishte në klasën e parë gjimnaz. Në presidiumin e një takimi me shoferë të dalluar të rrethit të Korçës në presidium bashkë me të deleguarën nga Tirana, Liri Belishova, ndodhej edhe i ati i tij, Vasili. Kur sekretarja e Komitetit Qendror për propagandën e pati pyetur për familjen si edhe ndonjë dëshirë, ky i kishte përmendur emrin e të birit dhe dëshirën e tij për të vazhduar shkollën për mjekësi. Belishova pati premtuar. Kur po mbaronte maturën, në 1960, dhe po afrohej çasti i ndërhyrjes, i ati një ditë u kthye në shtëpi me fjalët e trishta “Atë mikun që kishim po e fusin në burg”.
Nasi Lerës nuk i harrohet edhe një episod, por na lutet që emrin e bashkëkombësit protagonist të tij, sot një shqiptaro-amerikan e shkrimtar i nderuar në Nju Jork, të mos e citoj. Është shkruar për këtë rast dhe ai nuk dëshiron të duket shpërdorues i gjoja të mirave apo “trimërive” gjatë diktaturës. Një djalë i ri, stallier në Koplik të Shkodrës, fizikisht mjaft simpatik, por që shkruante edhe poezi të bukura, i trokiti në zyrë dhe iu lut t’i botonin një cikël prej tyre gazeta “Drita” ose revista “Nëntori”, organe të Lidhjes. Bashkë me Nasi Lerën qenë dakord për ta inkurajuar edhe Zija Çela e Ndoc Gjetja Që të nesërmen e publikimit erdhi reagimi i parë kundërshtues. Një zyrë e Shkodrës qe ankuar “lart” dhe e denonconte njërën nga vjershat, atë me titullin “Kuajt”, se ishte kundër partisë. Sipas tyre autori tek njeriu që i vinte në rresht kuajt e u binte me kamxhik e kishte fjalën për Enver Hoxhën. Lera nguli këmbë se ajo qe një vjershë e bukur dhe aspak me atë nëntekst. Nuk kaluan shumë ditë dhe një telefonatë tjetër nga eprori partiak i tha me ton alarmues “Ai vjershëtori u arratis”. Shkrimtari qe përgjigjur se nuk gjente dot lidhje mes botimit të poezive në Organin e shtypit të Lidhjes dhe gjestit të ikjes.
Por si e ka përjetuar ikjen e Ismail Kadaresë në tetor 1990, një nga ngjarjet më shungulluese edhe për vetë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë? Biseda një çast u përqendrua këtu, por për të në këtë shkrim nuk ka hapësirë të bollshme. Të mbeten në mend fjalët që ai thotë kur përshkruan atmosferën e ditëve të botimit të ndonjë romani të Kadaresë. Ngjarje artistikisht befasuese, por edhe shtysë për gjithë të tjerët që të t’i ktheheshin frymës së krijimit. Si edhe kur botonte Dritëroi, thekson.
Të papritura Nasi Lera ka edhe për Thanas Nanon, dikur drejtorin e Radio-Televizionit Shqiptar, të vizatuar vazhdimisht si ultrakonservator e politikisht dogmatik e të ashpër. Thotë se ndalimi i frymës së nisur me pranverën e vogël të fillimvitit shtatëdhjetë, nismëtar i të cilës qe kolektivi i RTVSh-së, ishte mjaft i gabuar, por nuk qe frut i hidhur i drejtorit të saj të emëruar menjëherë pas heqjes dhe më pas dënimit të Todi Lubonjës. Ishte Enver Hoxha që kishte piketuar purgën e madhe mes bashkëpunëtorëve të tij dhe shpiku serialin e armiqve të popullit. Thanas Nano ishte shumë punëtor, ngul këmbë Nasi Lera, vinte në institucion në orën tetë dhe ikte në mesnatë. Por kjo nuk ka aq shumë rëndësi, sqaron menjëherë, ky nuk është thelbi. Ai e vlerësonte shumë të aftin, i besonte mjaft specialistit të zot. Po Todi Lubonja? Biseda këtu, ishte liberal apo jo dhe pse u nëpërkëmb padrejtësisht, qe një temë tjetër.
Dhimitër Shuteriqi? Për kryetarin e Lidhjes për afro një çerek shekulli, ndërkohë edhe dijetar i rrallë i shkencave albanologjike, Nasi Lera ka opinionin e vet. E ruan në kujtesë gjer në detajet më të vogla kur një ditë e telefonuan dhe i thanë se të nesërmen bashkë me të parin e Lidhjes do të bënin një udhëtim në veri të vendit. Si ja kishin zgjedhur emrin u habit. Qe viti 1971 e ishte fare i ri, deri atëherë autor i vetëm katër tregimeve. Në makinë ndenji i pafjalë, ndërsa Shuteriqi shpjegonte emrat e vendeve ku kalonin dhe historinë e tyre, me një pasion prej shqiptari të madh.
Pas vitit 1990 Nasi Lera ka qenë shumë ngushtë ekonomikisht, pa punë. Tani ndihet “mirë“. Edhe ai dhe e shoqja, e cila herë pas here gjatë bisedës e merr në telefon me merakun e një operacioni të ndërlikuar që ai ka kaluar në zemër, marrin dy pensione modeste. Nuk mund ta lodhim më sekretarin e dikurshëm të Lidhjes zyrtare të Shkrimtarëve dhe Artistëve, prandaj edhe ndahemi. Tek ikën ngadalë nëpër mbrëmjen e potershme të Tiranës të vjen ndërmend ajo e vërtetë që ne, përjetuesit e dy kohëve, diktaturës dhe pluralizmit, tashmë e dimë përmendësh. Njeriun e mirë nuk ka sistem politik i keq që e shtrembëron gjer në thyerje dhe njeriun e keq sistem politik i mirë që e ndreq përfundimisht.


Kush ishin të dënuarit anonimë që përkthenin për “8 Nëntorin”




Një ushtri e tërë njerëzish të zotë punonte në hije. Shpina të kërrusura mbi fletë të bardha e libra, që përkthenin nga rusishtja, anglishtja, italishtja, osmanishtja… Emri i tyre nuk përmendej kurrë. Një pjesë ishin ish-të dënuar, të persekutuar, të dënuar nga pushteti popullor, me njolla në biografi, por edhe ata që ishin thjesht të punësuar ishin krejt anonimë.

Tiranë, 8 gusht - Një ushtri e tërë njerëzish të zotë punonte në hije. Shpina të kërrusura mbi fletë të bardha e libra, që përkthenin nga rusishtja, anglishtja, italishtja, osmanishtja… Emri i tyre nuk përmendej kurrë. Një pjesë ishin ish-të dënuar, të persekutuar, të dënuar nga pushteti popullor, me njolla në biografi, por edhe ata që ishin thjesht të punësuar ishin krejt anonimë.

Të gjithë ishin përkthyes të “klasikëve” marksistë-leninistë, për llogari të shtëpisë botuese “8 Nëntori”, ku botoheshin edhe veprat e ish-diktatorit Enver Hoxha. Një redaksi e veçantë merrej me veprën e tij, shkruan Panorama. Në veprën e tij hulumtuese “Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri (1944-1990)”, autori Leka Ndoja na tregon se si funksiononte ky mekanizëm. Kush ishin përkthyesit dhe redaktorët në hije, si përgatiteshin librat e Enver Hoxhës, si tjetërsoheshin, grabiteshin veprat e intelektualëve shqiptarë nga pushtetarët e kohës. Rasti i radhës është “Fjalori filozofik” i bashkautorëve Servet Pëllumbi dhe Fiqret Spahiu, ku në vend të këtij të fundit, u vu emri i ish-drejtoreshës së Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Fiqirete Shehu. al.mi

Gjatë periudhës së komunizmit u investua në përkthimin e veprave marksiste apo në tjetërsimin e përkthimeve, të cilat iu nënshtruan anonimatit. Këtë detyrë të përkthimit të veprave të marksizëm-leninizmit e kryen fillimisht përkthyes anonimë që përkthenin materiale në gazetën “Bashkimi”, mandej nga Instituti i Studimeve që mori emrin Instituti i Shkencave në vitin 1946 dhe nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste. Në emrin e këtij instituti botoheshin të gjitha përkthimet e të burgosurve politikë që lëvronin përkthimet, kështu pohon edhe bashkëvuajtësi i Pjetër Arbnorit, në burgun e Ballshit, Ajet Rusi (njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze, të cilën e pati mësuar në burgun e Ballshit gjatë 11 viteve të vuajtjes atje, i dënuar për tentativë arratisjeje, pohon se Ministria e Brendshme dispononte një listë të përkthyesve të burgosur, ndër ta Lazër Radi, At Pjetër Mëshkalla, Pjetër Arbnori, Ajet Rusi.

Ai pohon se veprat e përkthyera prej tyre botoheshin nën siglën e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste). Por, në vitin 1974, me themelimin e shtëpisë botuese “8 Nëntori”, botimet marksiste, nga sporadike, u botuan si vepra të plota autoriale në një kolanë me libërlidhje e veshje speciale. Raporti i botimeve qëndronte diku tek 50 me 50% midis botimeve të klasikëve dhe të materialeve të PPSH, që nga ana e tyre ishin në raportin me mbi 50% në favor të botimeve të Enver Hoxhës kundrejt atyre të PPSH-së. Me veprën e Enver Hoxhës merrej një redaksi e veçantë përgatitore e drejtuar nga Ali Basha, njeri i besuar i familjes Hoxha.

Në vitet ’30 u bënë të njohur Zef Mala e njerëzit e grupit komunist të Shkodrës, me përkthimet e buletinit të tij “jeshil” (1938) edhe Tajar Zavalani me përkthimin e romanit “Nëna” të Gorkit, të botuar në fashikuj si literaturë e ndaluar gjatë viteve të monarkisë. Këto përkthime marksiste mbetën anonime, sipas një direktive të pandryshuar në vitet 1945-1990. Bëhet fjalë për qindra libra dhe mijëra faqe, të cilat janë përkthyer duke konsoliduar terminologjinë e filozofisë, pavarësisht se i përkisnin një dege të saj të vetme, si marksizmi. Në një listë të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës, për nevoja të shpërndarjes së librave të marksizëm-leninizmit, bëhet një përmbledhje e titujve të botuar në rreth 32 vjet në këtë drejtim.

Por, edhe për Ministrinë e Arsimit, emrat e përkthyesve nuk janë bërë të njohur, të cilët më së shumti kanë qenë ish-aderentë të lëvizjes së majtë në Shqipëri, apo njohës të kësaj filozofie apo të autorëve të tyre si Marksi e Engelsi. Këta përkthyes e shkrimtarë, të cilët kishin studiuar në shkollat perëndimore, në programet e të cilave, siç pati pohuar edhe Arshi Pipa në ligjëratën e tij të mbajtur në Tiranë në 1992- shin, zhvillohej brenda lëndës së Filozofisë edhe filozofia marksiste së shumti, duke e bërë më të lehtë punën e tyre në këtë fushë. Përkthyesit e teksteve të filozofisë marksiste dhe të materialeve të PPSH-së u ndanë në tri grupe: 1) nga grupi i shkrimtarëve të persekutuar të viteve të para të luftës: përkthyesi Jusuf Vrioni, Mihal Sherko, Mihal Zallari, Bujar Doko 2) të përkthyesve me vështrime të majta në shkrimet e tyre gjatë viteve ’30-’40 si Zef Mala, i njohur si perkursor i përkthimeve marksiste në revistën “Buletini Jeshil” (Shkodër 1938), për çka u dënua më 11 shkurt 1939, Sejfulla Malëshova, por edhe grupi i përkthyesve devijacionistë nga e majta, si Xhavit Qesja (përkthyes i një pjese të “Kapitalit” të Marksit, ish-komunist i dënuar me 30 vjet burgje e internime) 3) përkthyesit e punësuar si përkthyes dhe redaktorë, emrat e të cilëve sipas një standardi lindor nuk paraqiteshin fare me autorësinë e përkthimit, si Pirro Andoni që në themelimin e kësaj shtëpie botuese (1974-1979) e Rexhep Hida (1979-1989), (si shefa të sektorit më të rëndësishëm: redaksia politikeshoqërore, pas redaksisë së posaçme të veprave të Enver Hoxhës, sektorit të literaturës politike e shoqërore në vitet 1974-1989).

Rexhep Hida, specialist për gjuhët gjermanisht e rusisht, përkthyes i 6 veprave klasike të Marksit e Engelsit, që na ka dhënë edhe strukturën e shtëpisë botuese “8 Nëntori”, Bujar Doko, Pavllo Gjidede, Jusuf Vrioni, Kudret Kokoshi, Edmond Tupja etj.

Lista e veprave të klasikëve të M.L., të përkthyera nga të persekutuar dhe të burgosur apo nga përkthyes të shtëpive botuese të Institutit të Shkencave, Institutit Marksist-Leninist apo “Naim Frashëri”, vepra që do të dilnin nga tregu, për t’u hapur rrugën përkthimeve të reja të shtëpisë botuese të themeluar në 1974-n, “8 Nëntori”. I. Vepra të klasikëve të marksizëm-leninizmit 1)K. Marks, “Lufta e klasave në Francë nga viti 1848 deri në vitin 1850”, viti (i botimit) 1954 2)K. Marks, “Mëditja, çmimi dhe fitimi”, viti 1948 3)K. Marks, “Puna me mëditje dhe kapitali”, viti 1948 4)K. Marks, “Tetëmbëdhjetë Brymeri i Lui Bonapartit” 5)K. Marks dhe F. Enges, “Manifesti i Partisë Komuniste”, bot. i 13-të 6)F. Engels. “Ludëig Feuerbach dhe mbarimi i filozofisë klasike gjermane”, (nga ital.) 1949

Në këtë shkresë ngrihet pretendimi për përkthime nga origjinali ose jo, pretendim i cili nuk shoqërohet me emrat e përkthyesve, edhe në komunikimin shkresor mes Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës dhe institucioneve të specializuara, si shembulli i shtëpisë botuese “8 Nëntori”, ku mund të kishim gjurmë të qarta, përveç dorëshkrimeve origjinale. Këto të fundit s’janë depozituar pranë AQSH, pas ngjarjeve në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku u dogjën mjaft materiale gjatë ngjarjeve të shkurtit të vitit 1991, më vonë ky institucion iu nënshtrua shpërbërjes dhe privatizimit të pjesshëm, për rrjedhojë dokumentimi është dëmtuar. 82 vepra të përkthyera, të cilat sipas shkresës do të hiqeshin nga tregu për t’u zëvendësuar me të tjera, vepra të plota, kolona të klasikëve të M.L., u zëvendësua nga përkthime të tjera anonime të një breznie të re.

Të gjitha këto vepra janë përkthyer në anonimat, të cilat me kalimin e kohës, pasi kjo literaturë ka dalë relativisht nga programet kurikulare shkollore, përveç ndonjë vepre të Marksit e Engelsit, puna e përkthyesve është kthyer, siç thotë Vedat Kokona në veprën “Mbi përkthimin, me përkthyesin”, në “ca të rrahura tastash”: “Pavarësisht nga fakti se në hyrjen e ‘Fjalorit të gjuhës shqipe’ të Institutit të Gjuhësisë së Akademisë së Shkencave, nuk përmendet as edhe një emër punëtori të përkthimit ndër dhjetëra emra të tjera që ceken aty, për ndihmën e madhe që i kanë sjellë gjuhës shqipe si ajo miza e karrocës së La Fontaine-it…” Ndonëse Vedat Kokona nuk ndalet te përkthimet M.L. as te shtëpia botuese “8 Nëntori”, ai përmend përkthyesit e persekutuar si Halit Selfon, Ali Hashorvën, Hamit Kokalarin, Bujar Dokon, Vexhi Buharanë e Kudret Kokoshin. Ky i fundit kishte përkthyer disa autorë të realizimit socialist në gjuhën italisht, duke mbetur në anonimat, pasi vuajti 20 vjet burg. “Por, liria e tij tani është më e rëndë se lufta dhe më fyese se burgu. Tërësisht i mjerë gjen një dhomë në hanin “Rrogozi”.

Ngaqë njihej me Enver Hoxhën, i shkroi (më tepër si një rebelim) se anatema s’duhej të vazhdonte gjithë jetën. Diktatorët janë kapriçiozë. Në vend që ta ridënonte për letrën, erdhi urdhri që të punonte si përkthyes. 17 vjet përktheu nga shqipja në italisht letërsi të epokës socialiste: Kadarenë, Agollin, Arapin, Xoxen, etj., etj. (Visar Zhiti në “Drithmë jete”, poezi, Kudret Kokoshi, 1995, Tiranë) Për orientalistin e madh Vexhi Buharaja, përkthyesin e veprës së Hoxha Tahsinit dhe të “Shahnamesë” të poetit të madh pers Firdeusit, të cilin e shfrytëzuan si përkthyes dokumentesh në Institutin e Gjuhës dhe Historisë, por duke e shkarkuar në vitin 1975, për çka historiani Ahmet Kondo do të shprehej: “Ky intelektual me ndjenjë të pastër atdhetare u godit shpirtërisht edhe më tepër kur koha e punës së tij në Institutin e Historisë si përkthyes nga gjuha osmanishte u vu në shërbim të disave që bënë emër si punonjës shkencorë në mënyrë të padrejtë. Kjo gjendje e rëndë arriti pikën e saj kulmore në maj të vitit 1975, kur Vexhiu u flak me mospërfillje. Kujtoj atë çast kur ky njeri i ndershëm, me aftësi të rralla pune, gojëmbël dhe i respektuar, me lot në sy, po me atë qëndrim të papërmbajtur, doli nga zyra e drejtorit të këtij institucioni. “Të pushoi, o Vexhi”, i thashë, duke e vështruar thellë në sy. “Më pushoi, më tha, por pena ime nuk do të pushojë asnjë çast se i shërben kombit tonë”.

Vaji i shkrimtarëve për vdekjen e Enver Hoxhës



A kanë qenë artistët dhe shkrimtarët tanë shërbestarë të regjimit? Nëse po pse e kanë bërë? A kishin mundësi të tjera krijimi dhe a mund t'i gjykojmë sot në një kohë dhe kushte të tjera?

Në koleksionin e revistës Nëntori, që nga vitet ’60 e deri në fund të viteve ’80, mund të hasësh emra pafund shkrimtarësh, poetësh e artistësh, që ‘mbretëruan’ hapësirën e letërsisë dhe arteve si në atë epokë por edhe pasuesen. Shkrimtarë dhe artistë që në një mënyrë a në një tjetër i kanë shërbyer sistemit për të qëndruar në këmbë e për të ushqyer mendjet e shqiptarëve me atë ideologji.

Ata shkrimtarë dhe artistë çuditërisht i gjen mjaft aktivë edhe pas ndërrimit të sistemit.

Botojnë, krijojnë në fushën e muzikës, të arteve pamore, në skenë dhe në ekrane televizionesh.

Jo rrallë e rreshtojnë emrin e tyre në peticione për kauza të caktuara në shërbim të politikës. Sërish në shërbim të politikës, 20 a më shumë vjet pas përmbysjes së diktaturës….!!!!

Rikthehemi tek koleksioni i “Nëntorit”, të cilit gazeta jonë do t'i rreferohet shpesh këto kohë.

Tek e shfletojmë na dalin para sysh emra të njohur shkrimtarësh dhe artistësh.

Ja disa emra shkrimtarësh: Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Aleks Çaçi, Shefqet Musaraj, Sterio Spase, Dhimitër Xhuvani, Gjergj Zheji, Fatmir Gjata, Kolë Jakova, Nonda Bulka, Petro Marko, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Naum Prifti, Ndoc Papleka, Fatos Arapi, Frederik Rreshpja, Zija Çela, Besnik Mustafaj, Mimoza Ahmeti, Teodor Keko, Visar Zhiti, Moikom Zeqo, Mujë Buçpapaj…e lista do të vijonte gjatë nëse do të përmendeshin të gjithë.

Dikush shkruan për frymëzime rinore me atmosferë revolucionare, dikush për Partinë dhe arritjet e mëdha, për Enver Hoxhën, Stalinin, Leninin, dhe dikush, diku guxon të shfaqë edhe një frymë disi moderne, apo lirike…

Disa shkrimtarë thonë sot se të botoje për Partinë dhe Enverin, ishtë një pasaportë për botime të tjera të vlefshme. Në këtë këndshikim, kjo i ka vlejtur letërsisë dhe arteve, për të nxjerrë në dritë edhe vepra të bukura.

Dikush tjetër thotë se kjo dukuri (shërbestaria) ka lindur si nevojë për t'i shpëtuar burgut, internimit, njollave në biografi që ua linin të afërm të arratisur, apo klerikë….

Dikush e mohon katërcipërisht t'i ketë shërbyer sistemit, me apo pa dashje, dikush tjetër ndërsa rrëfen krijimtarinë e asaj kohe, le si padashur pa përmendur ndonjë mëkat (shkrimor)…

Por ndërsa lexon këtë koleksion reviste (dikujt që ja zura në gojë tha: aty kanë shkruajtur të përkëdhelurit e Partisë…), sidomos në disa numra kushtuar përvjetorëve të caktuar, nuk gjen asgjë tjetër veçse art shërbestar. Arsyeja e krijimit të kësaj letërsie dhe e këtij arti, mund të ketë qenë individuale për seicilin prej tyre.

Megjithatë një analizë e së tërës, duke kundruar edhe rrugën 20-vjeçare pas rënies së regjimit, na ngre pikpyetje të mëdha edhe për këto arsye. Nëse u përmendën pak më lart peticionet e artistëve të këtyre viteve tranzicion, nuk u përmendën më kot.
Shërbestaria është gjallë. Adhurimi dhe bindja ndaj më të fuqishmit, po ashtu. Politika mbretëron edhe sot pas kaq vitesh.

Kjo retrospektive përmes faqeve të revistës “Nëntori” thjeshtë do të rifreskojë kujtesën e lexuesve të thjeshtë, të atyre që i kanë hasur dikur këto krijime, por edhe të lexuesve të rinj që nuk e kanë jetuar atë regjim e shpesh rrëfimet për të ngjajnë tejet fantastike…. Javën e shkuar zgjodhëm një numër special të “Nëntorit”, kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Leninit, nga ku shkëputëm dy poezi të Ismail Kadaresë dhe Xhevahir Spahiut. Ndërsa këtë javë do të botojmë krijime kushtuar vdekjes së Enver Hoxhës, marrë nga numri 4. i prillit 1985. Sot kemi dy poema të Dritëro Agollit dhe Ndoc Paplekës, ndërsa në ditët në vijim vijnë emra të tjetër poetësh e shkrimtarësh ,shkruan Admirina Peci_

Dritëro Agolli

Elegji për Enver Hoxhën

1.
Ish i rëndë dimri i sivjetshëm
Dhe pranvera erdhi me mundim
Erdhi përmes shirash të rrebeshëm,
Erdhi me një det me hidhërim.

Falmë Enver, që vargu m’u rëndua,
Falmë, Enver, që fjalët s’i them dot;
Shqipërisë zemra iu lëndua,
Shqipëria jote po derdh lot.

Shqipëria Jote s’i kish parë
Mbyllur as në gjumë syt e Tu,
Qielli i ballit Tënd me yj të larë
Ndriti dhe nga retë nuk u zu…

Falmë, Enver, që po përmend në vjershë
Fjalën vdekje mbushur gjëmë e zi,
Fjalën vdekje Ti në varg s’e deshe,
Deshe jetën në çdo poezi.

2.
Malet heshtin, malet ulin kryet,
Roje rrinë në arkivolin Tënd,
Janë vrejtur pishat nëpër pyjet,
Po rënkon çdo plis e gur e shkëmb.

Eh, shiriti i zi, një ton me hekur
Më rëndon në krahun tim, Enver,
Shqipëria s’të sheh dot të vdekur,
Ndaj lumejtë e pikëllimit derdh…

Falmë, Enver, nga dhimbja s’jam i qetë,
Falmë Enver që kaq i dobët jam!
Paska çaste kur njeriu I shkretë
Veten se pushton e dot s’e mban!

3.
Falmë, Enver, kam bërë dhe gabime,
Nëpër fluturime si nëj zog,
Ndofta të kam sjellë dhe shqetësime
Ndofta të kam thinjur ndonjë flok!...

Ti na rrite dhe na bëre burra,
Rrite çdo të ri dhe çdo plak,
Ecëm nëpër male, shkrepa, gurra,
Ndezëm komunizmin prag më prag.

Ne me ty, me dorë i kapëm yjet
Dhe i vumë përmbi Shqipëri;
Ne me ty s’I ulëm kurrë kryet
Nëpër gjysmëshekullin e ri.

Falmë, Enver, që kryet i kam ulur
Dhe ec rrugës dhe nuk vij në mënd;
Neve, që furtunash jemi turrur,
Çdo qelizë e trupit sot na dhëmb!

4.
Vallë a do mësohemi njëherë
Pa të patur pranë dhe mes nesh,
Bora nëpër male kur të bjerë,
Dielli kur të dalë midis nesh,

Plisat kur të ngrihen në luginat,
Fushat kur të vishen me flori,
Kur të nisë Komani turbinate,
Kur të mbushet plot liqeni i ri,

Kur të zgjohet herët Gjirokastra
Dhe të hapen portat në sokak,
Kur shamitë e nuseve buzarta
Flokëve të çelin si zëmbak,

Kur të mblidhen shesheve fëmijët
Tok si luleshqerrat në livadh,
Kur si zjarr të ndizen karafilët
Dhe në gjoks të derdhet malli i madh,

Kur Një majet duart të trokasin
Mbushur plot me lule dhe me gaz,
Kur pëllumbat kopshtit të gugasin
Dhe të rrahin krahët në pullaz,

Kur Tirana mes përmes të dritave
Të lundrojë natën si në det,
Kur shtëpitë e ëndrrës së petritave
Të na duket sikur dikë pret,

Kur të vijnë Kongreset e Partisë
Me hap komunizmi ngadhnjimtar
Dhe të ndritë balli i Shqipërisë
Me flamurin Tënd të ngritur lart…

5.
Falmë, Enver, që frymë dot s’të dhashë
Nga kjo frymë e gjallë e gjoksit tim!
Zemrën time do ta nxirrja jashtë
Të ta jepja Ty me ngazëllim!

Ç’them dhe unë e ç’vargje hedh ën letër!
Fjalët më përzihen, sigurisht!
Vallë a mos jam bërë njeri tjetër
Dhe harroj që jam një komunist?

Jo, Enveri s’vdiq e s’është i vdekur,
Është i gjallë e ndër të gjallë rron,
Ngrihet sipër malesh kreshtëhekurt
Dhe armatën komuniste çon.

Si profet ngre kokën madhështore
Dhe rrudh ballin mbushur me mendim,
Dhe na thotë njihni veç fitore,
Pastë nder e dritë vendi im!

Dhe na thotë: ruajeni Partinë,
Që e lidhëm më dyzetenjë,
Jam mes jush, mes brezave që vijnë,
Jam me mendje, frymë dhe me zë!

6.
Falmë, Enver, që jam trishtuar shumë,
Ndofta kam përlotur ndonjë varg,
Jam njeri me mish e gjak dhe unë,
Ndonëse shoh si komunistët larg.

Unë e di se zemra Jote e madhe
Di të falë, e mua ti më fal
Si poet u preka kësaj radhe
Dhe në gjoks një lëmsh me lot m’u ndal.

Jam krenar që rrojta me Ty bashkë
Dhe jam bashkëkohas tok me TY,
Nëpër popull shpirtin tënd e pashë,
Pashë pranë të pavdekshmit sy!

Jam krenar që gjendem në armatën,
Që e ke ngritur Ti si arkitekt,
Kjo armatë mprehur e mban shpatën,
Se ia mprehe Ti mbi dyzet vjet…

Ndoc Papleka

Cingërimë në prill

Cingërimë e tmerrshme këtë mëngjes me diell
në të hyrë të prillit
Një lajm i befasishëm, i pabesueshëm
që zemra s’don ta pranojë.
“Shoku Enver ka vdekur”. Jeta për një çast sikur u mpi

I zuri ngërçi zemrat, duart, buzët, fjalët…
Në çdo pemë të lulëzuar u ul një korb. Në çdo lule
u lidh një fjongo e zezë.
Dhe qielli ishte me re si një bebëz
e trubulluar nga lotët.
“Shoku Enver ka vdekur”. Lot. Ngashërima. Ngulçe. Kuje
që gufojnë nga thellësia e qenies.
Por as mendja as zemra nuk duan ta besojnë. Nuk
mund ta besojnë. Nuk i zënë besë.
Mendja dhe zemra e dinë se ky kob
që sillet si një korb jashtë vetëdijes sonë
Pa gjetur një dru të thatë ku të ulet, nuk është i vërtetë…
Shokun Enver e ka zënë një gjumë i rëndë:
vetëm kaq.

***

U drithëruan gurët e kalldrëmeve të Gjirokastrës:
nuk e besuan.
U drithëruan pishat në malet e Çermenikës
nuk e besuan.

U drithëruan shtatoret e të rënëve:
nuk e besuan.
U drithëruan ullinjtë dhe portokallet e Lukovës:
nuk e besuan.
U drithëruan digat e Drinit, themelet e furrnaltave:
nuk e besuan.
U drithëruan llambat e ndezura në Bjeshkët e Nemuna:
nuk e besuan.
U drithërua flamuri në gjysmë shtize: nuk e besoi.
U drithëruan zemrat tona që e deshën: nuk e besuan.
U mbushën sytë tanë me lot: nuk e besuan...
Enveri është pjesë e qenies sonë. Si mund të vdesë Enveri?!

***

E pashë. Ishte shtrirë. Me sy të mbyllur.
I rrethuar me trëndafila.
Ishte hera e parë që kalonim pranë tij
Dhe ai s’na buzëqeshte,
s’na tundte dorën.
Ishte hera e parë që kalonim pranë tij
me ballë të rënduar,
me gojë të kyçur,
duke kafshuar dënesat midis dhëmbëve,
Sepse ai na deshi burrërorë e të fortë si lisat në stuhi...
Ishte e madhe dhimbja ato ditë: s’e nxinte zemra.
S’e nxinin shtëpitë. S’e nxinin fushat e malet.
Ishte e madhe sa bota dhimbja për Enverin.
Dhe ishte e natyrshme ajo zi popullore nëpër rrugë.
Ishte e natyrshme ajo borë e papritur
që zhuriti gjethet e reja e rrëzoi lulet.
Ishte i natyrshëm ai shi që binte mbi supet e kërrusura të maleve e të njerëzve,
Që përcillnin për në varr Enver Hoxhën.
Ishin të natyrshëm e fisnikë ata lot...

***

Po shkon Enveri të çlodhet në tokën e dashur
Si biri i kapitur nga udha që mbështet kokën
në prehër të nënës.
Po shkon Enveri të flejë pranë shokëve:
Të zgjohet çdo ditë në sytë tanë
që shohin me besim të nesërmen.
Të zgjohet çdo pranverë fytyra e tij te blerimi.
Të zgjohet e qeshura e tij te lulet. Të na vështrojë
përmes pemëve të çelura
Si nga ajo fotografia ku ka dal midis oleandrave.

****

Po të sjell lule, shoku Enver!
Krahu më mpihet prej tyre si të ishin prej plumbi.
Do të doja që gjaku im të rridhte nga krahu në to,
Që të mbeteshin përherë të freskëta.

***
Një varr. Mbi pllakën e mermertë: Enver Hoxha.
Nuk është e vërtetë: nuk ka asnjë varr
që ta mbajë Enver Hoxhën.
Nuk ka varr për mendimet dhe idealet e tij:
Enver Hoxha ecën nëpër rrugët e rruzullit
si udhërrëfyes i viteve.
Enver Hoxha thërret: Rroftë komunizmi! Me zërin
e një komunisti që pushkatohet në Kili.
Enver Hoxha flet për kundërrevolucionin me punëtorët
e kantiereve të Gdanskut.
Enver Hoxha shtrëngon dorën me rritësit e ullinjve
në luginat e Greqisë.
Enver Hoxha prin në demonstratë me komunistët danezë.
Enver Hoxha bën planin e një revolucioni të ri
me proletarët e botës…


***

“Shoku Enver u nda nga ne…” këto fjalë
sillen si zogj të hutuar diku jashtë vetëdijes.
Enveri është me ne përgjithmonë, më pranë nesh se kurrë.
Në një kujtim të paharrueshëm. Në një mendim të bukur
e të guximshëm. Në një qëndrim burrëror.
Në vegimin e së ardhmes.

Ai është pranë punëtorëve, bujqve, studentëve,
grave dhe vajzave, ballëhapura.
Ai është në ara duke përkëdhelur bisqet e grurit të ri.
Ai është në uzina ku rrjedh metali i shkrirë.
Ai është në këngë…
Ai hyn në vatrat tona me atë buzagaz të ëmbël,
Me atë shikim plot rreze.
Ai hyn në zemrat tona, siç hyn dielli
Në hapësirat e ditëve.
- Ai nuk ka vdekur! – thonë gjethet e prillit,
që s’mund ti thajë asnjë cingërimë.
- Ai nuk ka vdekur! – thonë zogjtë
që ligjërojnë lis më lis.
- Ai nuk ka vdekur! – thonë hapat e rrugëve,
tymrat që ngjiten përpjetë.
- Ai është gjallë! – thonë shokët që u betuan
para trupit të tij.
- Ai është gjallë! – thonë këta fëmijë
që shkruajnë me zaje: “Pionerët e Enverit”.
- Ai është gjallë! – thotë dielli në qiell,
gjaku në damarë…
- Ai është gjallë – po aq i gjallë sa e nesërmja. 

Erion Veliaj duhet të ngrejë bustin e komunistit serb Miladin Popoviçit në Pezë

Siç del nga kujtimet e Dushan Mugoshës, ideator i mbledhjes pa rezultat të Pezës më 16 shtator 1942 ka qenë Miladin Popoviçi. Qëllimi i mbledhjes ka qenë që nacionalistët të tërhiqeshin për hunde e të shfrytëzoheshin si fasadë nga komunistët. Në Pezë u pi kafe e raki e nuk u realizua asgjë tjetër, gjithçka “bashkuese” mbaroi brenda një dite

veliaj11

16 shtatori 1942 ka hyrë në historinë komuniste si një ditë ku komunistë dhe nacionalistë u mblodhën së bashku për fatin e mëmëdheut. Kjo mbledhje u thirr nga Miladin Popoviçi, bashkëkryetari i Partisë Komuniste të Shqipëri (tjetri ishte Dushan Mugosha). Ajo kishte si synon që t’i paraqiste komunistët si bashkëpunues në luftën kundër pushtuesit. U zgjodh Peza pasi vëllai i Myslim Pezës, Shyqyriu ishte në relata të mira me pushtetin e kohës e kësisoj mund të bëhej çdo mbledhje me qetësi e siguri. Në thelb mbledhja e Pezës nuk ka qenë as konferencë e asgjë tjetër e këtij lloji. Përgjithësisht elementi nacionalist, u tërhoq qysh atë ditë e nuk mori pjesë në asnjë aktivitet. Kryetari i këshillit nacionalçlirimtar, Kamber Qafmolla, jo vetëm që nuk mori pjesë, por vazhdonte punën me forcat e karabinierisë. Nuk u ngrit asnjë njësi e armatosur për të luftuar okupatorin e asnjë tjetër. Peza as arriti bashkim e as solli ndonjë dobi. Simotra e Pezës, ishte mbledhja e Mukjes. Edhe këtu, u pi kafe e raki, u fol për patriotizmin e asgjë më shumë.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Komunistët e kishin ndarë mendjen për të mos ndarë pushtet me asnjë forcë tjetër. Eh mor Erion Veliaj! Çdo gjë që vjen nga komunizmi është verem. Nuk ka asnjë të bardhë ajo kohë. Ti si përfaqësues i brezit të tyre, sado të përmendshim që ke lindur në vitin 1979, politikisht ke lindur në vitin 1941 se atë formim politik ke marrë qysh kur ke lindur.

Në kujtimet e tij për mbledhjen e Pezës Dushan Mugosha ka shkruar:

“Kushtet e ndryshme dhe aftësitë e ndryshme dhe këshillave i jepnin edhe karakteristika të veçanta veprimtarisë së tyre. E gjithë kjo do të thoshte se duhej koordinuar puna për të gjitha këshillat nacionalçlirimtare në Shqipëri. Këtë gjë e sugjeroi Miladin Popoviçi duke propozuar krijimin e Këshillit Kombëtar Nacionalçlirimtar. Shpejt ai organizoi në kushte shumë të vështira konferencën e parë për krijimin e Këshillit Kombëtar Nacionalçlirimtar, në shtator 1942 në Pezë. Ky i fundit, menjëherë pas krijimit të tij, filloi të veprojë si udhëheqje e përgjithshme politike e popullit shqiptar, duke kërkuar përkrahjen e plotë të gjithë këshillave nacionalçlirimtare. Menjëherë pas konferencës kombëtare, një poet anonim thuri një vjershë për këshillat dhe një muzikant, emrin e të cilit nuk e di, mbi këto vargje kompozoi muzikën. Kjo këngë, së shpejti u përvetësua nga njësitë partizane dhe qytetarët e Shqipërisë. ajo këndohej me çdo rast solemn si himn”.

Si logjikë e këtyre rreshtave, shokut Miladin i shkon një bust krahas shokut Myslim në Pezë.

Ilir Nikolla: Letra e Ambasadorit Lu, këmbanë për ata që kanë veshë


Donald-Lu

S’kemi parë fitues më të dëshpëruar sesa dyshen e koalicionit qeverisës dhe triumfues më të sëmurë nga rakitizmi i protagonizmit, sesa Erion Velinë. Edi Rama dhe Ilir Meta po harxhojnë energji për të na bindur se duhet t’i harrojmë zgjedhjet e 21 qershorit e duhet të shohim më përpara, pasi “ditët e mira paskëtaj vijnë…”, ndërkohë që Erion Veliaj po përjeton pas 21 qershorit ditët e vetmisë së tij më të madhe, ditët kur atij s’ia mban as të dalë në media e të thotë se “fitova se e meritova” apo se “do kem mbështetjen e të gjithëve për një administratë të të gjithëve”. Edi Rama dhe Ilir Meta s’guxojnë as ta përmendin karikaturën që po prodhohet me numrin e votave për këshilltarë bashkiakë, aq turp u vjen e aq baltë është procesi, sa po errëson edhe çka mund të jetë bërë disi mirë me 21 qershor dhe gjatë numërimit të votave për krerët e bashkive. Erion Veliaj jo veç s’mundet të bëjë disi transparencë për shpenzimet marramendëse në fushatë (veç spotet elektorale e fundosin si strategji financiare), por s’po merr urim prej askujt, as brenda Shqipërisë, as në Kosovë e as nga “miqtë” e tij ndërkombëtarë. Me sa duket “miqtë” e Veliajt s’janë aq publikë sa të mund të postojnë telegrame publike për “fitoren” e 21 qershorit.
Megjithatë, kjo traditë e turpshme e heshtjes pas rrënimit të procesit, u thye nga një letër publike e ambasadorit të SHBA-së Donald Lu, drejtuar Dr.Halim Kosovës, kandidatit të PD dhe opozitës shqiptare për bashkinë e Tiranës. Për Zotin Kosova, ambasadori Lu ka veç përgëzime për fushatën e tij. Bile ai që në fjalinë e dytë, kujton se “Ambasada jonë ka folur shpesh në muajt e fundit rreth politikanëve të korruptuar dhe kriminelë që janë përfshirë në blerje vote, shantazhim dhe manipulim të institucioneve demokratike”. Përkundër kësaj klime e këtyre faktorëve, që duket se kanë rrënuar perspektivën për një garë të drejtë e rrjedhimisht edhe kanë komprometuar rezultatin e 21 qershorit, ambasadori Lu, thekson në letrën e tij se “ne pamë që ju ishit personalisht i angazhuar në një proces të ndershëm dhe të hapur. Ju folët për çështje që shqetësojnë votuesit e Tiranës. Ne mendojmë se fushata juaj ishte një shenjë për qytetarët shqiptarë se sistemi i tyre politik po maturohet. Ne të falenderojmë për përpjekjet tuaja për të përmirësuar vendin. Në veçanti, ne vlerësojmë punë tuaj të jashtëzakonshme si Ministër i Shëndetësisë…”.
Përshëndetja për Dr.Halim Kosovën dhe fushatën e tij qytetare është një mesazh që spikat për këndvështrimin, por së pari për jehonën që përcjell. Në letër përmendet klima e terrorit parazgjedhor dhe vendimi i kandidatit kryesor të opozitës për t’u përballur me këtë front përmes qytetarisë dhe alternativës. Letra injoron “berihajin” dhe vlerëson risinë elektorale.
Përkundër këtij mesazhi këto ditë po vërejmë izolimin e Erion Velisë si një shenja publike të pushtetit të ri. Shenja të tjera kemi anonimatin e këshilltarëve bashkiakë në të gjithë vendin dhe fitoren “en block” të të gjithë kandidatëve që vetë faktori ndërkombëtar i kishte denoncuar si të inkriminuar.
Letra është një mesazh ‘a posteriori” ndaj shurdhërisë së politikës shqiptare, për shkak se problematika e ritheksuar është e njëjta, në mos edhe më e rëndë e më spikatase pas 21 qershorit. Ambasadori Donald Lu këmbëngul edhe pas 21 qershorit për modelin e Halim Kosovës, si qytetarin e angazhuar për komunitetin, si njeriun e pakompromis e të panjollë në historikun 35 vjeçar profesional. Në këtë letër shfaqet edhe opinioni anonim i emisioneve televizive, analistëve, telefonuesve radiofonikë e shkruesve nëpër portale e faqe blogjesh. Të gjithë thonë se Halim Kosova është modeli i tyre dhe atë do të donin të kishin zgjedhur…
Fakt është se në noterinë e KQZ-së ai s’figuron fitues, por kjo s’e pengoi ambasadorin e SHBA-së të dërgojë një letër falënderimi për modelin “Kosova” në fushatën zgjedhore. Është një model evropian që i përmbush të gjitha standardet dhe që u mbështetka edhe nga shqiptarët. Atëhere, letra zbulon mospërputhjen, kërcitjen mes rezultatit elektoral dhe produktit që do duhej nxjerrë nga një fushatë zgjedhore e lirë, e drejtë dhe e barabartë.
Letra është një këmbanë për ata që kanë veshë, prandaj edhe shqetësimi i oborrit edvinist dje ishte i kudogjindshëm. U prodhuan lajme të tilla që paralajmëronin se “miqtë e Internacionales Socialiste do të dalin nesër me një deklaratë ku do mbështesin standardet e zgjedhjeve të 21 qershorit”. Bile lajmet kishin edhe ngjyrën e gjyqeve popullore, teksa u informua se Internacionalja do të shprehej edhe “për deklaratat e kreut të Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Elmar Brok”.
Beteja për të mbyllur diskutimin për zgjedhjet e 21 qershorit është një betejë e oligarkisë e cila kërkon hipotekën dhe projekton sinore të tjera zaptimi, por letra e ambasadorit të SHBA-së s’u vjen hiç për shtat. Ajo duket se po regjistron veç fillimin e vet dhe oligarkët s’do kenë të bëjnë veç me korrierët që blejnë votat me miell a me kërcënime që shqiptarët të mos paraqiten në kutitë e votimit, por duhet ta dinë se me modelin e Halim Kosovës do të përballen edhe në të ardhmen dhe metodat e deritanishme s’kanë për t’u mjaftuar si strategji shpëtimi. Gjyqi për 21 qershorin sapo ka nisur, por qysh tani e dimë se modeli i Halim Kosovës ka për të qenë një makth që oligarkët do ta kenë shumëfish dhe kudo në zgjedhjet e 2017-s. Paralajmërimi paradhënie u dha dje nga ambasadori i SHBA në Tiranë dhe kambanat bien për ata që kanë veshë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...