2016-10-06

Dr. Nelson R. Çabej : FORMULA POETIKE INDOEUROPIANE DHE GJURMË TË SAJ NË TRADITËN POPULLORE


Rreth 5-6 mijë vjet më parë, kur nisi mërgimet drejt Europës e Azisë, populli indoeuropian nuk e kishte shkruar gjuhën e tij (gjuha e parë indoeuropiane që u shkrua ishte hititishtja nga shekulli XVII p.e.s.), kështu që proza popullore indoeuropiane u zhduk. Por ndryshe është puna me poezinë dhe poemat e gjata indoeuropiane, të cilat mund të mësoheshin përmendsh e të transmetoheshin në breza, edhe në mungesë të shkrimit.

Poetët dhe poezia indoeuropiane



Ishte një vrojtim i hershëm i gjuhëtarëve se poemat e gjata të eposeve të popujve indoeuropianë (indian, grek, gjermanik, etj.) përmbanin kombinime fjalësh që përsëriteshin në kontekste të caktuara në ato poema. Kombinime të tilla që njihen si formula poetike, studiuesi amerikan Millman Perry (1902-1935) i përkufizoi si “një grup fjalësh që përdoren regullisht nën të njëjtat kushte metrike për të shprehur një ide thelbësore të caktuar”

 Shumë herë formula përbëhet nga një varg i plotë. Kjo “shpikje” e hershme kujtesëndihmuese (mnemoteknike) ka bërë të mundur ruajtjen e formulave poetike indoeuropiane që dalin në poemat e lashta indiane, homerike, iraniane, gjermanike, etj. dhe kanë filluar të studiohen në këto dekadat e fundit. Studimet e Perry-t të poemave të gjata që aedët popullorë boshnjakë këndonin nga një për secilën natë të ramazanit, provuan empirikisht se poemat e gjata mund të ruheshin e të transmetoheshin nwpwr breza, edhe pa u shkruar.

Funksioni i poetëve indoeuropianë, si profesionistë të fjalës poetike, në shoqëri pa gjuhë të shkruara, ishte të ruanin e të kalonin nga brezi në brez këtë traditë poetike

 Estetika kësaj gjuhe poetike përcaktohej nga mekanizma fonetike, si rima dhe aliteracioni, përseritja e grupeve të fjalëve ose vargjeve të tëra, mekanizma leksikore si metafora dhe metonimia dhe, nga pikëpamja leksikore dhe sintaktike, shtimi ose heqja e fjalëve

 Një funksion tjetër i poetëve popullorë ishte parashikimi i ngjarjeve të së ardhmes4. Ata jo vetëm këndonin këngët e trashëguara ose të mësuara, por edhe krijonin vetë këngë për perënditë dhe prijsat e fisit dhe për këto shpërbleheshin nga këta të fundit.

Poetët ishin të ngjashëm me priftërinjtw, ose dhe zëvëndësues të tyre, madje edhe mund t’i kryenin njëkohësisht të dy këta funksione. Në ato kohë ai mund të mirrej edhe me magji, me bekime dhe nëmë. Është e kuptueshme se në një shoqëri luftarake heroike, roli dhe pozita shoqërore e poetëve ishte e lartë sepse ata ishin njerëzit e aftë për të përjetësuar lavdinë për të cilën jetonin e luftonin prijsat e fisit ose të klanit

 Profesioni i poetit ishte i trashëgueshëm dhe poetët e ardhshëm stërviteshin me vite duke mësuar përmëndsh poema të gjata.

Edhe pse nuk kemi tekste të poezisë ilire, prejardhja dhe përkatësia e provuar indoeuropiane e ilirëve na jep sigurinë se ajo ka ekzistuar dhe krijuesit e bartësit e saj kanë ekzistuar, ashtu siç është provuar për disa popuj të tjerë indoeuropianë indian, grek, iranian, gjermanik, irlandez, etj. Siç kemi treguar më parë, gjurmët e saj shihen në emrat e përbërë ilirë si Vescleves, Skerdilaidas, Hostidux, etj. Në eposin e Shqipërisë veriore del qartë edhe një shtresë e periudhës fisnore ku nuk ndihen, ose ndihen fare pak ndikimet e feve monoteiste. Ndonëse nuk kemi studime të plota për gjurmët indoeuropiane në këtë epos të lashtë, siç do të shohim, disa paralele të qarta bien në sy.

Në periudhën klasike duhet të ketë pasur ndikime anëkëmbyese midis folklorit ilir dhe folklorit të popujve fqinjë e mesdhetarë. Kështu mund të shpjegohet mbijetesa deri në kohët e vona të pushtimit turk e motivit të Didosë lidhur me themelimin e kolonisë fenikase të Kartagjenës. Sipas asaj legjende, Didoja kërkoi dhe mori aq tokë sa mund ta mbulonte lëkura e një bualli. Ai e preu lëkurën në copëza aq të vogla sa që me to mbuloi një sipërfaqe aq të madhe sa të mund të ngrinte mbi të një qytet. Në trojet shqiptare ky motiv është përshtatur në legjendat mbi ngritjen e manastireve si ai i Shën-Naumit në bregun juglindor të liqenit të Ohrit dhe në Sredacka Zupa afër Prizrenit. Po kështu në poezinë popullore, në prallat e në legjendat shqiptare haset motivi i “fillit të Ariadnës”

 Ashtu si tradita homerike mbështetet në, dhe buron nga poezia heroike indoevropiane, edhe tradita poetike e ilirëve, si degë e traditës gojore indoevropiane, duhet të ketë patur një zhvillim të pavarur, pa mohuar edhe ndikimet e mundshme anëkëmbyese me traditat e popujve fqinjw. Dhe nuk duhet të jetë një lojë e rastësisë fakti që pikërisht në zona të banuara në lashtësi nga ilirët (Shqipëri e veriut, Kosovë dhe Bosnjë) ruhet, deri në ditët tona, po ajo frymë poetike heroike, cikle epike të lashta dhe artistikisht sipërore, si dhe rapsodë që interpretojnë dhe krijojnë me mjeshtëri të lartë në bazë të teknikës së formulave

 Kërkimet në Universitetin Harvard e shpunë studiuesin e mirënjohur Agron Fico në zbulimin e papritur të një koleksioni të madh këngësh të regjistruara në Shqipërinë e veriut nga Albert Lord në vitin 1937. Botimi i tyre do të ishte me interes për studiuesit e folklorit dhe njohjen më të mirë të trashëgimisë së Eposit t shqiptar8.

Përshkrimin e parë të poetëve të këtij tipi e ka dhënë Poseidonius (135-51 p.e.s.) në shekullin I p.e.s. Ai tregon se keltët “kishin disa njerëz që i quanin bardë (bardoi), të cilët bënin muzikë. Ata ishin poetë që i shprehnin lëvdatat e tyre me këngë”dhe besohet përgjithësisht se ky ishte një trashëgim indoeuropian i keltëve. Fjala bard do të thote “thurës i lavdeve”

 Lavdia heroike duket se ishte pjesw qwndrore e jetës indoeuropiane, thelbi i pavdekshëm i njeriut të vdekshëm, dhe himnet për të ishin pjesë të pandashme të epikës heroike të tërë popujve indoeuropianë.



Rikonstruktimi i formulave poetike indoeuropiane



Gjuhëtarët kanë filluar t’i rikonstruktojnë formulat poetike të indoeuropianëve të 5-6 mijë vjetëve më parë, nëpërmjet zbulimit të homologjive në formulat poetike të teksteve të lashta të gjuhëve të veçanta indoeuropiane. Që nga mesi i shekullit XIX filologu dhe folkloristi gjerman Franz Felix Adalbert Kuhn (1812 –1881) zbuloi ngjashmërinë në formë e kuptim të formulës śrávah ákšiti, që gjëndet në një tekst të shënjtë indian (Veda), datuar midis 1500 dhe 900 p.e.s., me shprehjen kléos áphthiton (κλέος ἄφϑιτον) “lavdi e pavdekshme”, që del te Homeri, kur Akili thotë: “Nëqoftëse unë pranoj të luftoj këtu në qytetin e trojanëve, atëhere nuk do të kthehem në atdhe, por nami im do të jetë i pavdekshëm, por po të kthehem në atdhe, në vëndin e dashur të lindjes, atëhere do të humbas namin e lavdishëm”

 Kjo përputhje e shprehjes të dy popujve të lashtë, larg çdo kontakti me njeri tjetrin, nuk mund të ishte rezultat i një rastësije, por linte të kuptohej ekzistencën e një formule poetike indoeuropiane, që u trashëgua nga këta dy popuj. Nga këto forma, duke zbatuar ligjësitë e fonetikës historike të indishtes dhe greqishtes së vjetër, gjuhëtarët kanë rikonstruktuar formën origjinale 5 mijë-vjeçare të kësaj formule, që është *ḱlewos ndhgwhitom. Në Dgveda-n indiane del  herë shprehjamáhi śrávas “nam i madh” e cila del dhe te Iliada tri herë dhe te Odisea katër herë. Por formula “nam i madh” del edhe në ciklin e kreshnikëve në vargje si “Nam të madh dynjaja për ty ban”

 Një formulë tjetër indoeuropiane është shprehja “babai qiell”, që del si emër i kreut të perëndive Diaus pitar ndër indianët e vjetër, Zeus pater (Ζεῦ πάτερ) ndër grekët, dhe Iuppiter ndër latinët. Ndër ilirët kjo formulë me përbërësin baba (paturos), del në emrin e kreut të perëndive ilire, Deipaturos, qw na i bwn tw njohur Hesiku dhe që është ruajtur deri në ditët tona në mbiquajtjen e malit Tomor si Baba Tomor, që përfytyrohet nga shqiptarët edhe si vënd i shënjtë edhe si perëndi.

Në Rigvedan (një përmbledhje himnesh të Vedas së lashtë indiane) gjëndet shprehjavácāṃsi…takṣam “do ndërtoj këngë me zdrukthtarí” kurse Pindari thurri vargun epéōn… téktones (ἐπέων…τέκτονες) “fjalë melodike, që profesionistët e aftë i lidhin bashkë”Bazuar në këtë homologji të formulës poetike në indishten e vjetër dhe në greqishten e vjetër, gjuhëtarët kanë rikonstruktuar shprehjen ndajgjegjëse indoeuropiane *uekwōs tetk, që do të thotë të lidhësh fjalët për të ndërtuar një këngë

Një formulë e përbashkët poetike për diellin është gjetur në indishten e vjetër Suryasya cakrás “rrethi i diellit” dhe në veprën e Eskilit në formën helion kúklos (ἥλιον κύκλος). Në një dialekt të vjetër kelt kjo formulë del në formën sunnu hvél, dhe në anglishten e vjetër – sunnan hweogul, të gjitha në kuptimin rrethi i diellit. Ka të gjarë që në këtë formulë të trashëguar indo-europiane të bëjë pjesë edhe shprehja figurative shqip “syri i diellit”.

Formulës së lashtë indiane pṛthú śrávas ‘nam i madh’ në greqishten e vjetër i ndajgjegjetkleos eurú (κλέος εὑρύ). Në eposin gjermanik, po ashtu, thuhet se, pas vdekje Sigemund-i fitoi nam te madh (“Dom unlytel”) për vrasjen e kuçedrës. Formula e namit të madh del në mënyrë të përsëritur në poemën Muji vret Paji Harambashin në shprehje të tilla si “Nam të madh dynjaja për ty ban”, “Pauni trim me nam” dhe “ia la vetes, po, edhe nji nam”

Wackernagel vuri re se shpesh te Homeri teksti fillon me shprehjen e stërlashtë indoeuropiane esti, qw do tw thotw ishte “Ishte një qytet Efire”

 Kjo shprehje homerike gjen homologe e saj në shumë gjuhë indoeuropiane, duke përfshirë shqipen. Kështu në sanskritisht asid raja ‘ishte një mbret’, në irlandishten e vjetër boí rí, në lituanisht buvo karalius dhe në rusisht žil-byl korol, që të gjitha në kuptimin “(Na) ishte një mbret”

 Shumë tekste në poezinë, tregimet dhe prallat popullore të popujve indoeuropiane fillojnë me po atë shprehje standarde “Ishte/Na ishte”. “Na ishte njëhërë një mbret”, “Kishte pa kenë nji mbret”, etj.

Një temë e madhe e përbashkët e mitologjisë së popujve indoeuropianë është ajo e vrasjes së kuçedrës nga heroi. Ky motiv dëshmohet për herë të parë në mitologjinë hitite ku dy perëndi të këtij populli të lashtë indoeuropian ndeshen (në dy variante të ndryshme) me dragoin Illuyankas dhe e vrasin atë, po ashtu si do ta vrasë më vonë edhe Zeusi në mitologjinë greke. Në poemën gjermanike Sigemund-i vret kuçedrën që ruante një thesar. Në mitologjinë indiane është perëndia Indra që e vret kuçedrën Vritra. Ky motiv i lashtë indoeuropian ndeshet shumë dëndur në prallat shqiptare, ku trimi vret me shpatë ose me magji (ky rasti i fundit te një prrallë për të bukurën e dheut) kuçedrën që ka zënë burimin.

Në përshkrimin e hyrjes së indoeuropianëve në Punxhap (Indi), që duhet të ketë ndodhur rreth 4 mijë vjet më parë, në Rig Veda përshkruhet ngazëllimi i papërmbajtur indoeuropian për të gjetur lavdi në betejë e në fitore:

“Ata fituan për vete njerin lumë pas tjetrit,

Ata i fituan në kërkim të lavdisë”

Në traditën epike gjermanike gjithashtu lavdia ishte shpërblimi i fitores. Edhe Muji në ciklin e kreshnikëve luftonte për nder dhe nderi që del nga fitorja është lavdi, gjëja më e rëndësishme që pret luftëtari të arrijë në betejë:

“E n’sa lufta Muji si po bjen

Ai gjith herë me nderë si po del.”


Mund të vihet re se nga ana kuptimore në eposin e Shqipërisë së Veriut nderi njëjtësohet me lavdinë dhe e nënkupton atë, duke shprehur vlerësimin e lartë moral të heroit për nderin. Kështu nderi dhe lavdia në mentalitetin indoeuropian ‘blehen’ me fitore në betejë. Shpërblimi më i madh i luftëtarit për fitoren është lavdia që vjen pas saj.

Etja për lavdi del në forma tronditëse në fjalimet që Skënderbeu mban para ushtarëve të tij: “…kur t’i shikoj shpatat tuaja të avullojnë gjak armiku…atëhere do t’ju mbuloj me çdo farë lavdi” dhe “Sa më i madh në numër armiku, aq më e bukur lavdia juaj”; “zekthi i dashurisë për lavdinë e dëshiruar”,”armiku është i ri, e re edhe lavdia”; “vazhdoni me guxim në rrugën e lavdisë”.

Se sa e madhe ka qënë kjo etje për lavdi ndër shqiptarët duket, ndër të tjera, edhe nga fakti që fare vonë, nga fillimi i shekullit XIX, me nxitjen e Ali Pashë Tepelenës, një poet shqiptar nga Çamëria shkroi një poemë që nxjerr prejardhjen e tij të lashtë mbretërore e madje edhe hyjnore, si pasardhës i Piros.



Referimet

Parry, M. (1930). Studies in the Epic Technique of Oral Verse-Making: I: Homer and Homeric Style. Harvard Studies in Classical Philology 41, 80: “a group of words which is regularly employed under the same metrical conditions to express a given essential idea”.

Watkins C. (1995). How to Kill a Dragon: Aspects of Indo-European Poetics. f. 68: “The function of the Indo-European poet was to be the custodian and the transmitter of this tradition. The totality of themes as expressed in formulas was in these preliterate societies entrusted precisely to the professionals of the word, the poets”.

Hajnal, I. (2008). Indogermanische Dichtersprache und die Grenzen der Rekonstruktion. Chomolangma, Demawend und Kasbek. Festschrift f ür Roland Bielmeier, 457–481.

West, M.L. (2007). Indo-European Poetry and Myth. Oxford University Press, Oxford-New York, f. 29.

Watkins, C. (1995). Vep. përm., f. 70.

Filipović, M.S. (1965). Einige Motive der balkanischen Folklore. Zeitschrift für Balkanologie III, 64-67 dhe IV, f. 77.

Lord, A.B. (1960). The Singer of Tales. Harvard University Press, Cambridge, MA.

Fico, A. (2016). Zbulimi i Eposit Shqiptar në Harvard : Albert B. Lord. Edlora, Tiranë.

Athenaeus: The Deipnosophists VI, 49.

West, M.L. (2007). Vep. përm. f. 27-28.

Homer Iliad IX 413: “εἰ μέν κ᾽ αὖθι μένων Τρώων πόλιν ἀμφιμάχωμαι, ὤλετο μέν μοινόστος, ἀτὰρ κλέος ἄφθιτον ἔσται: εἰ δέ κεν οἴκαδ᾽ ἵκωμι φίλην ἐς πατρίδα γαῖαν, ὤλετόμοι κλέος ἐσθλόν”.

Muji vret Paun Harambashin. Në Visaret e Kombit, 1937.

Hesychii Alexandrini Lexicon, f. 380.

Pindar Pythian III, 113: “ἐξ ἐπέων κελαδεννῶν, τέκτονες οἷα σοφοὶ ἅρμοσαν,γιγνώσκομεν.”

Stephen, R. and Beekes, P. (2011). Comparative Indo-European Linguistics: An Introduction. John Benjamins Publishing, Amsterdam-Philadelphia, f. 43.

Muji vret Paun Harambashin. Në Visaret e Kombit, 1937.

Homer Iliad II. 6.152: “εστi πόλις Ἐφύρη”.

Watkins, C. (1995). Vep. përm., f. 25.

Fuqia e Mujit. Në Visaret e Kombit 1937.

Barleti, M. (2005). Historia e Skënderbeut. Infobotues, Tiranë, f. 62.

Barleti, M. (2005). Vep. përm. f. 63.

Barleti, M. (2005). Vep. përm. f. 106.

Barleti, M. (2005). Vep. përm. f. 127./gazetashqip


FLORESHA DADO, LEXUESI NË KURTH: ESEISTIKA E KADARESË


Studiuesja Floresha Dado i hyn një pune titanike, po të marrim parasysh gjerësinë dhe thellësinë e veprës që ajo ka zbërthyer e studiuar, përmasat e pamata të përsiatjeve mbi ekzistencën, justifikimin e kësaj ekzistence, letërsinë, figurat e veçanta, mbi identitetin e popullit shqiptar, natyrave të luftrave, trajektoren e historisë, politikën e hershme dhe të sotme, reflektimin mbi njeriun dhe rrethanat, ndikimet e ndërsjellta, vdekjen, pushtetin, tjetrin, jetën shoqërore…

Nga Diana Çuli

“Kisha lexuar, në intervale të ndryshme kohore, një pjesë të mirë të shkrimeve eseistike të këtij shkrimtari të shquar. Por, ndonëse kishin hyrë në perceptimin tim si krijime mjaft interesante, përsëri vëmendja rendte gjithnjë drejt prozës artistike të tij…Nuk e kisha kuptuar se kjo rendje e njëkahshme, pa u ndalur sa duhet tek eseistika, ishte gabim i madh, ishte sikur ta copëtoje individualitetin e këtij krijuesi në dy pjesë: njera e ndritshme, kurse tjetra kalimtare.”

Kështu shkruan Floresha Dado në hyrje të kësaj vepre, që nuk është vetëm një hap i mëtejshëm i përsosjes e përkryerjes së nivelit studimor të autores, – por edhe një shembull origjinal, i pashkelur e i paarritur më parë për nga metodologjia e nga pikëvështrimi.

Po të shfletojmë fjalorët e enciklopeditë, eseja përcaktohet si sprovë, përpjekje, shprehje e subjektivitetit – siç ngulmojnë francezët, përpunuesit e paepur të mendimit – që përpiqet të bindë lexuesin, të cilit i drejtohet, të nxisë diçka tek ai. Është një tekst që sjell në diskutim një çështje, një reflektim, një analizë, një tekst që luhatet, për nga përmbajtja, midis letërsisë dhe filozofisë. Këtë ka bërë shkrimtari ynë i madh, që prej fillimeve me Autobiografinë e popullit në vargje, e deri te veprat me ese, që janë botuar pareshtur në njëzetepesë vitet e fundit.

Studiuesja Floresha Dado i hyn një pune titanike, po të marrim parasysh gjerësinë dhe thellësinë e veprës që ajo ka zbërthyer e studiuar, përmasat e pamata të përsiatjeve mbi ekzistencën, justifikimin e kësaj ekzistence, letërsinë, figurat e veçanta, mbi identitetin e popullit shqiptar, natyrave të luftrave, trajektoren e historisë, politikën e hershme dhe të sotme, reflektimin mbi njeriun dhe rrethanat, ndikimet e ndërsjellta, vdekjen, pushtetin, tjetrin, jetën shoqërore – pra një univers të shumëfishtë, ku duket sikur sa më shumë të depërtosh, aq më i pafundmë ai është.

Libri ndahet në disa kapituj të veçantë, që ta orientojnë lexuesin apo studiuesin e veprës së Kadaresë dhe këtu po përmendim vetëm disa prej tyre: Sa është studiuar estetika e Kadaresë? ku autorja i jep përgjigje të sakta kësaj pyetjeje, kapituj me bazë estetike si: Shkon letërsia tek eseja apo vjen eseja tek letërsia, Estetikë apo kritikë letrare, Mënyra eseistike e kuptimit të arteve, Ese poetike, e llojit impresionist? Po edhe kapituj si Mbi problematikën politike, historike, sociale e filozofike – ku ka nën –kapituj si Ese-psiko-sociale, psiko – politike, etnopsikologjike, etnokulturë e të tjera. Ka edhe diskutime mbi keqkuptimet e esesë së Kadaresë, ka histori të esesë shqiptare, etj.
Ajo që një lexues, padyshim i stërvitur me veprat studimore dhe i etur të hyjë në mushkëritë e korpusit të veprës së shkrimtarëve, do të gjejë përgjigje të shumta në Eseistikën e Kadaresë të Floresha Dados. Po edhe hamendje, debat, diskutim, spjegime, analizë, psikanalizë, rolin e intuitës, vetëdijës e pavetëdijës, ndikimin e intelektualit apo të shkrimtarit apo të të gjithë kësaj marrëdhënieje të ndërlikuar në veprën e Kadaresë, si dhe hedhje drite mbi gjithçka që mund të ketë kaluar me shpejtësi, pa u vënë re, me nxitimin dhe lehtësinë që na karakterizon, që na pengon të ndalemi të mendohemi një çast, një grimë përsa po na ndodh, për çfarë na ka ngjarë e për çfarë mund të na ngjasë. Esetë e Kadaresë, më duket sikur më thotë Floresha Dado përmes rreshtave të saj, janë e tashmja e së tashmes, e kaluara brenda së tashmes, e ardhmja në filiz, brenda së tashmes. Eshtë kjo përmasë e veprës eseistike të Kadaresë që ka sjellë Floresha Dado në këtë vepër me mjeshtëri të rrallë analitike e filozofike, përveç metodologjisë shkencore.

Mendoj se një vepër e tillë si Lexuesi në kurth : eseistika e Kadaresë na spjegon edhe përse në këto periudha të sotme, le t’i quajmë post-moderne, siç i qujanë shpesh kritikët perëndimorë, ku mungesa e pikave referuese ideologjike koherente i jep shumë rëndësi kërkimit përmes esesë të përgjigjeve të reja, mënyrave të reja të mendimit, jo aq përmes demonstrimit të plotë, por më tepër përmes intuitës reflektive, përmes kësaj fushe ideore të lirë dhe bredharake.

Floresha Dado me këtë vepër ka sjellë një kontribut të ri të sajin jo vetëm në studimin e veprës së Kadaresë, por në gjithë fushën studimore të letërsisë shqiptare, siç ka bërë për dyzet vjet me radhë, pa u ndalur, pa u tërhequr, po gjithnjë duke ecur përpara, gjithnjë në ngritje të gjithçkaje që ajo merr përsipër të studiojë.

Kur lexojmë të tilla vepra, mund të marrim frymë të lehtësuar e të mendojmë se nuk duhet të dëshpërohemi, siç bëjmë shpesh, pa u menduar shumë. Këta studiues të paepur e të palodhur kanë jetuar e jetojnë mes nesh dhe, pa zulmë e bujë, vendosin gurët në kështjellën e studimeve të letërsisë shqipe.

Brigela Demaj: A t’i vëmë faj vaginës?!


Fotografia e saj ka zë. Zë vajze, zë gruaje. Jo domosdoshmërisht ai i ëmbli, i buti që qetëson kryet e lodhur e mendimeshumë të burrave. Pikërisht për ta zbuar njëherë e mirë këtë mendësi që e mban gjysmën e shoqërisë shqiptare nën vargonjtë e paragjykimeve dhe shtypjes dhe vetë-nënçmimit si qenie më e ulët se gjinia tjetër , fotografja e re ka vendosur të luftojë. Zëri i saj është i fuqishëm përmes subjekteve që mbërthen fokusi i artit…Ajo çka për botën është provokim, për Brigelën është ana tjetër e së vërtetës që nuk duan të na e shfaqin


Fotot: Brigela Demaj

Përpara se t’ia shihja katalogun e fotografive përmes albumeve virtuale në një prej rrjeteve sociale, më kish tërhequr jo rrallë vëmendjen vajza e re shkodrane ( mikeshë virtuale të cilën nuk e kisha e ende nuk e kam takuar personalisht) me mesazhet e forta në mbrojtje të vajzave dhe grave që në një vend si ky i yni trajtohen si objekte( mbi të cilat edhe mund të shfryhet inati apo frustrimi fizikisht. Thjesht sepse burri ka grusht më të fortë ) apo në rastin më të mirë si qenie të brishta që duhen ruajtur e mbajtur në ‘kulla të fildishta’ për të mos u njollosur nga papastërtitë e këtyre kohëve ( lexo: nga uria seksuale e po të njëjtit lloj) .

U desh një fotografi e shkrepur prej saj, provokuese mjaftueshëm për të tërhequr vëmendjen, u cilësua nga ata që e panë dhe e komentuan më pas.Dy vajza që këmbejnë një puthje në buzë, në një prej rrugëve të Shkodrës- qyteti ku Brigela jeton dhe jo pak herë frymëzohet për artin e saj- e mbi kokat e tyre një afishe që uron besimtarët myslimanë “Gëzuar Bajramin!”.Kaq mjaftoi për të ndezur debatin e për t’i ndarë ata që përfshiheshin në të në “pro” dhe “kundër” dhe për ta vënë në qendër të vëmendjes edhe autoren e saj, fotografen Brigela Demaj.


Pyetjeve dhe akuzave tendencioze iu përgjigj të gjithave një e nga një. As nuk fshehu përkrahjen e saj nga komuniteti LGBT. “Mbështes çdo lloj komuniteti që përbëhet nga njerëz”- rrëfen ajo.Nuk ndalet të flasë gjatë për punën e saj, sepse mjaftojnë imazhet për këtë. Ajo që pohon është se në çdo fotografi duket se ka zbrazur diçka që klithte për të dalë prej saj.Shkodra, apo më saktë mjedisi i mbyllur i një qyteti shqiptar, thotë se e ka ndihmuar punën e saj (mbase njeriu në presion është i aftë të japë më të mirën), por kur vjen puna te mënyra sesi ky vend i trajton gratë edhe burrat, revoltohet dhe refuzojë të pranojë ç’i kanë thënë qysh së vogli … se ajo gjëja që gratë kanë në mes të këmbëve është “molla e ndaluar”, diçka e mbrapshtë, që nxit dëshira të pakontrollueshme te burrat, diçka që thjesht …Ka faj. Si mund të ketë vagina faj? Si mund të ketë faj gruaja sepse ka vaginë?” – vijon Brigela.“Jetoj në një vend ku vajzat e gratë konsiderohen nëna te mira e nëna të këqija, motra që të nderojnë e motra që të turpërojnë bashkëshortë që dinë të gatuajnë e bashkëshorte që nuk dinë të gatuajnë vajza të ndershme e vajza kurva, të lehta e të vështira, të bukura dhe të shëmtuara…dhe epitete pafund.


Duket sikur askujt nuk i shkon në mend rastësisht njëherë në jetë se këto vajza dhe gra, janë qenie njerëzore e se gjinia e tyre nuk përcakton rolin e tyre në familje, shoqëri a më gjerë. Unë flas si një vajzë që e jetoj çdo ditë mendësinë patriarkale shqiptare, por si një njeri që kam zgjedhur të kem një zë me anë të jetës qe kam zgjedhur si artiste, flas në emër të të gjitha vajzave dhe grave që jetojnë të njëjtin realitet me mua, apo realitete të ndryshme nga i imi, por që mbeten shtypës ndaj qenies grua. Flas në emër të të gjitha grave të botës!” –thotë me plot zërin.Për këtë do të vazhdojë të flasë me zërin dhe fotografinë e saj. Me këtë të fundit, e diplomuara për Artet e Bukura, dega Pikturë, zbulon se do të çelë edhe një ekspozitë. Të parën, e cila nuk do të mbyllet pa shkaktuar debate siç edhe fotoja e dy vajzave që puthen, kur vizitorët e ekspozitës (dhe sidomos ata komentojnë gjithçka ndodh në këtë vend ) do të shohin subjektin e artit të saj; një transgjinor…



Para pak kohësh u hap një debat në medie për një fotografi të shkrepur prej teje me dy vajza që putheshin përballë një banderole ku shkruhej “Gëzuar Bajramin”. A mundesh të na e rrëfesh për lexuesit e Madame si qëndron historia pas asaj fotografie? A ishte një shkrepje spontane apo ishte foto konceptuale? Ti e mbrojte punën tënde dhe kjo u kuptua edhe sikur ti ishe një prej përkrahësve të komunitetit LGBT. Cili është qëndrimi yt ndaj debatit? Për ta sqaruar njëherë e mirë për të gjithë ata që kanë paragjykuar apo kritikuar edhe pa e ditur mirë qëndrimit tënd..


Fotoja ka qenë një foto spontane, por sigurisht kam qenë e vetëdijshme ç’po bëj dhe pse po e bëj. Më janë drejtuar pyetje tendencioze, të cilat kanë marrë përgjigjet që meritojnë besoj. Sigurisht që e mbështes komunitetin LGBT dhe të gjitha komunitetet e tjera të përbëra nga njerëz. Jam shprehur që me anë të fotos nuk kam dashur të tregoj mbështetjen e thjeshtë timen ndaj komunitetit në fjale, por të trajtoj një kauzë më të gjerë e gjithëpërfshirëse, atë të të drejtave të njeriut dhe ndikimit të institucionit fetar mbi këto të drejta. Siç dihet, fetë monoteiste, duke përfshirë këtu dhe Islamin, janë ngritur mbi ideologji me ngjyrime të forta diskriminimi, racizmi, homofobie, mizogjinie dhe vendosja e dy vajzave që puthen përpara afishes “Gëzuar Bajramin” ishte një mënyrë për t’i thënë institucionit fetar se këta njerëz ekzistojnë (siç ata e dinë mirë, meqë përmenden edhe në librat e tyre “të shenjtë”),gëzojnë të drejta plotësisht të barabarta me pjesën tjetër dhe që askush nuk ka të drejtën t’i quajë ‘ndryshe’, t’i përçmojë, diskriminojë apo dhunojë në asnjë lloj forme. Këta njerëz do vazhdojnë të ekzistojnë të dashurojnë e të jetojnë plotësisht dhe lirisht, me apo pa konsensusin e disa librave mijëravjeçarë që nuk u dihet autori, që të mësojnë përçmimin, urrejtjen, deri edhe luftën. Së fundmi, unë, si ateiste në rrafsh personal, kam dashur t’u them teistëve se e gjej gjithashtu bezdisëse një afishe që më uron festa të lindura nga ideologji, të cilat mendoj se duhen zhdukur për të mirën e njerëzimit, ashtu siç ata e gjejnë bezdisëse panoramën e një çifti gay, sepse janë homofobë e mendjengushtë, por kjo nuk justifikon akte diskriminimi apo dhune nga ana ime. Në pak fjalë, kam dashur të them: “Ekzistoni ju, por ekzistojnë edhe realitete të tjera”. Meqë institucioni fetar ekziston, është i fuqishëm, pothuajse i pashkatërrueshëm, sepse di çdo të thotë demagogji e përfitim nga dobësitë njerëzore dhe nuk ka asgjë që mund të bëhet për ta ndryshuar këtë…Le të bashkëjetojmë! Nëse institucioni fetar ka një ide më të mirë se bashkëjetesa (përveç prerjes së kokave), le ta dëgjojmë!


Përtej këtij debati të kam parë shumë aktive në rrjetet sociale ku ti mban qëndrim të fortë feminist, kundërshton fort maskilizmin e shoqërisë shqiptare. Ti je në një moshë të re, a e ke ndjerë vetë presionin e shoqërisë apo ngre zërin edhe në emër të vajzave e grave që nuk munden, edhe pse nuk e ke vuajtur ndonjëherë personalisht maskilizmin e shoqërisë?


Mendësia patriarkale që mbizotëron në Shqipëri bie mbi çdo vajze e grua shqiptare, paçka sa e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshme është ajo mbi çka po i ndodh. Jeta ime nuk ka asgjë të veçantë nga pjesa tjetër e vajzave shqiptare, jam rritur në një qytet verior të Shqipërisë më kanë mësuar t’i bindem “zotit”, “babait’, “bashkëshortit”… të gjithë me identitet mashkullor e të gjithë dakord në një pike: bindjen time. Më kanë mësuar se gjinia ime është një lloj fatkeqësie, një lloj shakaje natyrore, e se çfarëdo të bëj, nuk do jem kurrë aq e mirë, aq e pushtetshme, aq e fortë sa burrat. Më kanë mësuar të mos ekspozoj trupin tim, sepse ajo gjëja që gratë kanë në mes të këmbëve është “molla e ndaluar”, diçka e mbrapshtë, që nxit dëshira të pakontrollueshme te burrat, diçka që thjesht …Ka faj.

Si mund të ketë vagina faj? Si mund të ketë faj gruaja sepse ka vaginë? Dhe…si ndodh që burrat janë gjithmonë të justifikuar, gjithmonë pa faj, gjithmonë gati për beteja të reja ku molla e sherrit është gjithmonë një Helenë?! Këto janë pyetje që vazhdoj t’i shtroj edhe sot. Jetoj në një vend ku vajzat e gratë konsiderohen nëna te mira e nëna të këqija, motra që të nderojnë e motra që të turpërojnë bashkëshortë që dinë të gatuajnë e bashkëshorte që nuk dinë të gatuajnë vajza të ndershme e vajza kurva, të lehta e të vështira, të bukura dhe të shëmtuara…dhe epitete pafund. Duket sikur askujt nuk i shkon në mend rastësisht njëherë në jetë se këto vajza dhe gra, janë qenie njerëzore e se gjinia e tyre nuk përcakton rolin e tyre në familje, shoqëri a më gjerë. Unë flas si një vajzë që e jetoj çdo ditë mendësinë patriarkale shqiptare, por si një njeri që kam zgjedhur të kem një zë me anë të jetës qe kam zgjedhur si artiste, flas në emër të të gjitha vajzave dhe grave që jetojnë të njëjtin realitet me mua, apo realitete të ndryshme nga i imi, por që mbeten shtypës ndaj qenies grua. Flas në emër të të gjitha grave të botës.


Ti jeton në Shkodër. Si është për një vajzë të re, fotografe që guxon me fotografitë e tua, që portretet e fiksuara në shkrepje janë një përzierje zymtësie, melankolie por edhe kapërcim i së rëndomtës dhe përditshmërisë, të jetojë në një vend që nuk është kryeqyteti?

Në vende si Shkodra, duhet të kesh guxim dhe integritet për të qenë vetvetja e për të bëre atë çka dëshiron, çfarëdolloj gjëje qoftë ajo. Më shumë se guxim, shikoj te vetja mungesë të theksuar interesi për të qenë e pëlqyer dhe e duartrokitur. Ja përshembull, ky mund të jetë ndër momentet e rralla kur ndalem e mendoj sesi mund të dukem në sytë e dikujt tjetër. Unë bëj atë çka di të bëj më mirë, nuk përfaqësoj asnjeri përveç vetes sime dhe e thënë në dialekt shkodran “Nuk m’del gjumi natës” sesi ndjehet Shkodra mbi këtë fakt.

A ke menduar ta zhvendosësh punën tënde në Tiranë?

Po, kam menduar të çel ekspozitën time të parë në Tiranë. Nuk dua ta prish surprizën dhe as nuk kam planifikuar gjë akoma, gjithsesi nëse çdo gjë shkon mirë, do të kemi një ekspozitë të tërë me fotografitë e një transgjinori.

A ndihesh sikur njerëzit që të rrethojnë në Shkodër shpesh nuk e kuptojnë artin tënd, konceptet dhe idetë që ti ke për jetën? Ndihesh si e mbytur?

Sikur të kisha qëllim t’i flisja vetëm publikut shkodran, do isha duke fotografuar pedonalen e Shkodrës e duke i thurur lavde qytetit. Sikur njerëzit në Shkodër të më e kuptonin të gjithë rrjedhimisht të më simpatizonin, do mendoja se ka diçka që nuk shkon me mua. Nuk besoj se kam nevoje për aprovimin e dikujt për të bërë çka më pëlqen dhe e ndjej ta bëj, gjithsesi, realiteti shkodran, ka rezultuar frytdhënës për punën time. Kjo “mbytje”, si duket, më bën produktive.

Kam parë disa prej punimeve të tua, për të cilat dua të të përgëzoj, ku dukesh për parapëlqen fotografitë bardhezi. Kush janë frymëzuesit e punës tënde? A ke fotografë të preferuar?

E kam gjetur veten aty që herët e para që kam tentuar të fotografoj. Deri vonë fotografoja pa ia pasur idenë se çfarë po bëj. Nuk e njihja fotografinë nuk njihja asnjë fotograf, e bëja thjesht sepse kisha dëshirën e madhe për ta bërë. Akoma e kam, nuk zbehet kurrë, çuditërisht. Tani, sigurisht që jam e informuar mbi ata që kane themeluar historinë e fotografisë e artit botëror e të tjerë, por nuk mund të them se jam frymëzuar diku.

Manekinë, kukulla të thyera, sy që të mbërthejnë si me magnezitëm dhe të fusin në një gjendje, edhe kur janë kukullash apo buratinësh, por edhe një eksplorim të trupit femëror në lakuriqësi. Çfarë kumtojnë fotografitë e tua? Cili është mesazhi i madh që ti kërkon të përçosh me anë të punëve të tua?

Sinqerisht, nuk besoj se mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Nuk do dija si. Çdo gjë që mund të them është se çdo fotografi ka një pjesëz timen brenda, diçka që kishte ngecur diku dhe donte dëshpërimisht të trupëzohej diku.



A ke çelur ndonjë ekspozitë me fotografitë e tua? Apo a ke ndërmend ta bësh një të tillë?

Jo, akoma nuk kam çelur një ekspozite timen dhe po, e kam menduar.

Pak ditë më parë ishte folësja e një prej edicioneve mujore të “Creative Mornings” mbi Dashurinë. Ç ‘është dashuria për ty, e parë në disa dimensione; si vajzë, si artiste, si një e re që jeton në Shqipëri, si një zë që përpiqet të bëjë një ndryshim në mentalitetin e shoqërisë sonë?

Dashuria lind dhe manifestohet në mënyrën e saj të natyrshme vetëm kur njerëzit fillojnë ta konsiderojnë njëri-tjetrin qenie njerëzore të lira e të afta për të dashur. E perceptoj dashurinë si një ndjenjë universale, gjithëpërfshirëse e që nuk njeh rrethanë apo kontekst. Nuk besoj se dikush mund të ketë background-in e duhur për te folur mbi dashurinë Gjithmonë është diçka që nuk e dije, që nuk e kishe provuar, një forme ndryshe dashurie, e re, e panjohur, e parrokshme për racionalen. Dashuria është komplekse, e çuditshme.

“Letërsia jonë mund të mos e mbërrijë kurrë Kadarenë”

Shkelqim Cela

Ka fituar çmimin “Kadare” në edicionin e dytë me tri novela të përmbledhura nën titullin “Embriologji”. Shkëlqim Çela jeton në Georgia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe profesioni prej të cilit nxjerr jetesën nuk ka asnjë lidhje me letërsinë. Punon si statisticien. Por gjen kohë për shkrimtarinë, siç ka gjetur edhe për këtë intervistë të gjatë të cilën, shpeshherë e ka interpretuar si shkrimtar, e herë të tjera si inxhinier

Nga Alfred Lela



Çdo të thotë të jesh shqiptar?

Merr linjën Frankfurt-Tiranë dhe në të hyrë të Shqipërisë, shikon nga dritarja e avionit atë vargmalin që përfundon në Krujë. Po të foli ai vargmal, je pa diskutim shqiptar. Po nuk të foli, ka një gjasë që edhe nuk je. Shqiptar do të thotë një vazhdimësi e tokës tek individi – po të ndjekim një përkufizim të kulturës nga Aleksandër Dugin. Ose më saktë, shqiptar është një ngarkesë ideore që vepron me tokën përkatëse duke prodhuar një vetëtimë prej tensionit. Është pra një çështje voltmetrash, dhe këtë e përfton vetëm përkatësia në një religjion. Pra, të jesh shqiptar është edhe një përpjekje për të sipëruar matricën e zakonshme fetare.

A ka shenja të huaja në fizionominë shqiptare, sociale apo fizike?

Ka aq shumë, saqë fizionomia shqiptare është bërë një farë ideali i paprekshëm fizikisht, por që nga kjo merr edhe një farë vlere të shtuar.

Kur themi “qytet” në kuptimin “polis”, ku ndaleni me mendje në hartën e Shqipërisë?

Në Korçë. Është i vetmi vend që më ka dhënë ndjesinë “polis” në Shqipëri. Tirana nuk e jepte dot, edhe pse ishte qyteti im, edhe pse ishte në një farë mënyre “misionar” si qytet, sepse mundej (siç edhe mundet) të bënte më shumë në funksionin e vet qytetërues për vendin. Kjo më ka bërë të mendoj gjatë për konceptin e provinciales si të tillë dhe të kuptoj se për disa gjëra nevojitet kohë, nga ato që prodhojnë traditë. Kur lexoja Julian Jaynes dhe trajtimet e tij për qytetin-qytetërimin, vegimi që shoqëronte leximin ishin pikërisht rrugicat e Korçës dhe ai eter i domosdoshëm për të ngjizur ndjesinë e domosdoshme për “qytetin”.

Prej cilës fjalë të shqipes magjepseni, e cilën nuk duroni dot?

Magjepsem nga fjala “brerimë”. Nuk duroj dot fjalën “mollaqe”. Por fjalët që më magjepsin kanë jetë të shkurtër, sepse i zënë vendin njëra-tjetrës.

Ka një traditë letrare në gegnisht, por ka edhe përpjekje të rimarra për të patur edhe një gegnishte të standardizuar. A i kuptoni ata që i bëjnë këto përpjekje?

Gegnishtja ndaj standardizimit të vet qëndron si një femër e bukur në “moshë problematike” ndaj martesës. Duhet pra, një këshill i mirë shkuesish me pak vullnet. “Beqaria” e padëshiruar nga askush e gegnishtes ka vazhduar shumë gjatë.

A e konsideroni të tejkaluar nocionin Shqipëri etnike?

Jo. Madje e quaj si një sprovë për të përcaktuar palcën intelektuale të shumëkujt.

A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?

Natyrisht. Është rreziku më i madh për kohët e sotme. Dhe unë për rrezikun flas profesionalisht, se me të “nxjerr bukën”. Rreziku është produkt i gjasës me shkallën e dëmit. Shkalla e dëmit për rastin është aq e madhe, aq e lemerishme, saqë mban çdo gjasë, sado të vogël. Imagjino, ka shqipfolës qe e quajnë Turqinë “vatanin tonë”. Kjo është katastrofale!

A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?

Jo. Rreziku ka qenë për regjimin në Shqipëri, dhe ky është diçka tjetër nga Shqipëria. Togfjalëshi anglo-amerikan duhet lidhur me prirjen historike të duhur tonën dhe assesi me fjalën rrezik. Ajo fjalë ka qenë një retorikë e menduar mirë nga një mendje prej profesionisti në lëmin e pushtetit, pasi ka zënë vend, siç shihet.

A ka një ndarje veri-jug në Shqipëri?

Ka, por është e tillë që përforcon të përbashkëtën. E tillë që kanalizohet drejt diversitetit, pra pasurisë.

Si do e përkufizonit një toskë e si një geg?

Nuk e përkufizoj dot, pasi më mungon aparati i duhur teorik dhe teknik për ta bërë atë përkufizim. Por mund të bëj një krahasim. Një tosk është si një ftua i bërë mirë dhe i ruajtur gjatë në sepet. Një geg është si një shegë, pavarësisht nga grada e pjekjes.

A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë?

Natyrisht që po shkruhet, por letërsia e shkruar nën diktaturë është sipërane. Unë nuk di nëse letërsia jonë do jetë e aftë të arrijë ndonjëherë nivelin e të paktën dhjetë titujve të Kadaresë që u shkruan nën diktaturë. Në këto punë krahasimet bëhen me majat, jo me masën mbushëse, ballastin. Dhe letërsia në liri ka qëlluar pak “fatkeqe”, sepse stekën që i duhet të kapërcejë e ka mizorisht të lartë. Meqë po flasim për këtë, titujt e Kadaresë që përshkruajnë realitetet osmane janë jo si prej kësaj bote; artistikisht janë asimptotike. Romani goxha i mirë “Nënshtrimi” i Uellbekut, artistikisht është vetëm një fraksion i vockël para veprave në fjalë të Kadaresë sonë.

Një shqiptar/e që ju frymëzon…

Gjergj Kastrioti. Është i pabesueshëm. Nuk di me çfarë e kemi merituar.

Cfarë mund të thoni në pak rreshta për kontesha hungareze Geraldine Apponyi e cila u bë Mbretëresha Geraldinë e shqiptarëve?

Një petal i domosdoshëm në fushën e përbaltur tonën. Por ishte lule teke, që më kujton “Lulen e kaktusit” me Ingrid Bergman. Shqipëria kishte nevojë për aristokracinë e vet. Sot ka edhe më shumë, ç’është e drejta. Dhe këtë e them pa qenë fare monarkist. Kjo që them për Geraldinën nuk ka të bëjë as me Ahmet Zogun, sado paradoksale mund të duket kjo.

Partizani, Tirana apo Vllaznia?

Partizani.

Jezu Krishti, thotë Messorio, është i vetmi që e ka ndarë kohën më dysh, në para dhe pas Krishtit? Kush apo çfarë e ka ndarë më dysh kohën tuaj: para dhe pas…

Dyshja Samuel Huntington dhe Lawrence Harrison me qasjen kulturaliste të shpjegimit të botës.

A ekzisiton një Shqipëri europiane dhe një orientale?

Po, madje në shumë prej nesh ka një personë orientale dhe një europiane, njëkohësisht, në të njëjtin individ. Për kushtet e sotme, kjo jo rrallë vepron si një farë paradigme Jekyll & Hyde. Është mundësi për poliedrizëm, por më shumë për skizofreni.

Bestytnitë: i njihni, i sundoni apo ju kontrollojnë?

I njoh pak dhe e lejoj veten të ndikohem ndonjëherë sa për sport.

Haxhi Qamilin, ndër të tjera, e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. M’anë tjetër regjimi i Enver Hoxhës e paraqiti lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë…

Teksti i Enver Hoxhës për lëvizjen e Haxhi Qamilit është një atentat i rëndë që iu bë kulturës sonë, jo aq për nga cilësia e tij, se sa për komponenten e padiskutueshme direktive që pati. Është ndoshta ndër gjërat më të rënda që i ndodhën letrave tona, për mua më e rëndë se libri “Me Stalinin”.

Komunizmi është në kundërshtim me natyrën njerëzore, thotë Ernest Renan…

Është në kundërshtim me natyrën njerëzore në matricën shoqërore. Jo në grupime më të vogla. Kjo shpesh nuk kuptohet. Dështimi i komunave utopike nuk ka ardhur aq nga brenda tyre, se sa nga mospërshtatja e tyre në një shoqëri të shkallës. Kalimi nga individi në grupin e vogël e pastaj tek popullata më e madhe shoqërohet me shndërrim të vektorëve veprues, ndonjëherë në kahje të kundërt. Komunizmi nuk punon shoqërisht, pra në suaza të mëdha kolektive. Komunizmi është një dështim shoqëror (deri më sot!), gjithë duke mbetur një aspiratë shumë njerëzore për individin apo grupin e vogël.

“Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?

Kam një frikë se Noli këtë e ka thënë më shumë për hatër të rimës.

A mendoni për vdekjen?

Shumë pak dhe nuk kam asnjë problem me të.

Për këtë diell! apo, për Zotin!?

Për këtë diell qëndron ku e ku më lart. Për arsyen e thjeshtë se Zoti është krijim njerëzor, kurse Dielli jo vetëm nuk është, por mundëson edhe ekzistencën e shumicës së jetës siç e njohim ne. Pra, pa diell nuk do kishte as Zot. Por edhe ontologjikisht, feja e krishtere është një vazhdim i kultit të diellit.

Nëse do të zgjidhnit një epitaf për kryet e varrit tuaj…

Shkëlqim.

A është i paragjykuar Kanuni?

Në qoftë se fantazia e Jurasic Park nuk do të ishte e tillë, pra në qoftë se dinosaurët mund të rizgjoheshin vërtet për të qenë aktivë mes nesh, a do t’i quanim ata të paragjykuar?

Çfarë u ndodh kur bëheni konician e mendoni ‘ky vend nuk bëhet’?

Mblidhen helme në zonën e stomakut. Fizikisht dhe vërtet. Dhe Shqipëria nuk është dorështrënguar në thagmat që prodhon për të të shtyrë të mendosh ashtu. Përveçse zemër, Shqipëria është edhe tëmth.

Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar! si ndiheni?

Siç kur shikon fëmijën tënd që thyen një degë anësore peme në pyll. Nuk e vdes pemën, por edhe nuk po bën ndonjë gjë për t’u lakmuar – ndërkaq i forcohet krahu si një ndikim anësor. Në total, nuk e vlen ta qortosh për atë gjë. Dikur duhet kuptuar se “të jetë mirë se je shqiptar” s’ka pse të jetë karshillëk, as diçka fodulle, por rezultat i studimeve dhe njohjes së botës dhe vetes për të parë se ç’sjell të veçantë qenia shqiptar. Dhe ajo sjell shumë!

Kriza, ka bërë që në aula të ndryshme, kuptohet të majta, të formulohet ideja se kapitalizmi si rend ka dështuar, dhe nuk mund të kërkohet dalje nga kriza me mjetet e një sistemi që e solli krizën. Në c’lloj krize jemi në fakt: shpirtërore, morale, financiare apo sistemike?

Kriza është intelektuale. Nuk po kuptohen më as gjëra aksiomatike dhe kanceri i kohës sonë është korrektesa politike. Unë jam i shqetësuar nga kjo, flas për realitetin në Amerikë.

Një teolog e ka përkufizuar besimin e tij në Zot si zgjedhje të misterit në vend të absurdit, që do të ishte mosbesimi. Ju jeni në mister apo absurd?

Ky është një rast tipik i dikotomisë së gabuar. Mua më tërheq më shumë pozitivizmi.

Fan Noli dhe princi gjerman von Wied kanë qenë më jetëshkurtërit në pushtet ndër ata që kanë qeverisur Shqipërinë. Pse kështu?

Sepse niveli politik i shqiptarëve nuk përputhej me qasjen e tyre ndaj pushtetit. Them se ai nivel nuk ka ndryshuar shumë as sot. Pa ndërhyrjen perëndimore, niveli ynë do të prodhonte ende diçka si monarkia gjysmëkushtetuese. Historia jonë këtë provon në mënyrë të pakundërshtueshme. Ne kemi nevojë për një “cultural change”.

Ndër gjërat që ndalojnë fetë cila është më e pandalueshmja?

Ndoshta coitus interruptus?

Ka një debat rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?

Them se do të mbijetojë, pasi gjithnjë do të ketë një nevojë për një opinion/lajm që të mund të shërbejë si pikë nisëse në debat, dhe shtypi i shkruar e ka atë venë autoriteti që kërkohet për ngjizjen e asaj pike nisëse, dhe kjo për shkak të profesionalizmit të nënkuptuar në të (shtypin e shkruar).

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?

Kadaresë, nëse e mban mend çastin kur iu ngjiz ideja për “Pallatin e ëndrrave”.

Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?

Ç’është “njëshi”? Do mbaja një leksion për së mbari mbi këtë me studentë shqiptar.

Lista e Nobelit: Ngushtohet rivaliteti për Ismail Kadarenë

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është shpallur edhe këtë vit kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi. Deri më 10 tetor janë shpallur datat dhe një pjesë e çmimeve “Nobel” në fushat e tjera. Akademia suedeze, njofton shkurt se Çmimi Nobel për Letërsi do të jetë më vonë. Ndërkohë, faqet e specializuara britanike të basteve e kanë radhitur shkrimtarin shqiptar në mesin e 5 më të preferuarve për vitin 2016

Ismail Kadare

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është shpallur edhe këtë vit kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi.

Deri më 10 tetor janë shpallur datat dhe një pjesë e çmimeve “Nobel” në fushat e tjera. Akademia suedeze, njofton shkurt se Çmimi Nobel për Letërsi do të jetë më vonë.

Ndërkohë, faqet e specializuara britanike të basteve e kanë radhitur shkrimtarin shqiptar në mesin e 5 më të preferuarve për vitin 2016.

Janë po këto lista që një vit më parë kishin radhitur në vendin e katërt fituesen e Nobelit 2015, Svetlana Alexievich, deri në atë kohë një emër jo shumë i njohur, botërisht.

Në krye të listës, ashtu si dhe vitin e kaluar është shkrimtari japonez, Haruki Murakami. Ai ndiqet në këtë listë nga Adonis, poeti sirian, që jeton në Paris.

Në vendin e tretë vjen Ngugi Wa Thongo dhe i katërti është Philip Roth, edhe ky një kandidat që prej vitesh është në krye të listës së Ladbrokes.

I pesti renditet Ismail Kadare, i cili një vit më parë renditej i 7-ti.

Nuk dihet, se kur Akademia suedeze do ta shpallë datën e ndarjes së Çmimit Nobel në Letërsi, ndërkohë që shpresat për Kadarenë po shtohen, sepse nga viti në vit po vjen duke u ngushtuar edhe nga fusha e rivalitetit.

Ismail Kadare deri më sot është nderuar me disa nga çmimet më prestigjioze në botë, për letërsinë si “Man Booker Prize” e më gjerë.

Pavarësisht kësaj liste, në mediat botërore po komentohet se kush do ta fitojë Nobelin, sillen rreth tre kandidatëve: Haruki Murakami, Adonis dhe Ismail Kadare.

Kadare në një rrëfim ekskluziv ka treguar si e pret çdo vit nominimin prej Akademisë suedeze.

Prej kohësh është folur se në Akademinë suedeze të Nobelit nga Shqipëria janë dërguar shumë letra anonime, me qëllimin për t’i bllokuar dhënien e çmimit.

Natyrisht Kadare ka pasur një përgjigje për Nobelin, jo vetëm për të si shkrimtar.

A do të ishte mirë të kishim një Nobel? Kadare thotë: “Po do të ishte imazh shumë i mirë për vendin tonë përballë prapësive. Do t’i kishte dhënë imazh, si vend i vogël me gjuhë të lashtë…”

Pak kohë më parë shkrimtari ka treguar se ka dashur të shikojë Arkivin me letrat anonime të dërguar nga Shqipëri kundër tij, në Akademinë suedeze.

“Një ditë madje mua dhe Helenën na ftoi një prej tyre për drekë. Iu luta të hyja në Arkiv, doja të shikoja letrat anonime për mua, por refuzoi. Iu luta të më thoshte çfarë shkruanin, por ai më tha vetëm një rast që iu është dukur të gjithëve grotesk. Se ishte grotesk nuk do të thotë se nuk ishte marrë në konsideratë sado banal të ishte. Aq të çuditur me këto “anonime” shqiptare”, ka treguar Kadare.

Jo pak herë ka ndodhur që në prag të çmimit Nobel, kur është përmendur emri Kadaresë ka nisur “fushatë” kundër të tij, në mënyrë absurde që ky çmim të mos mbërrijë në Shqipëri.

Ndërsa ne, jemi njohur nga shkrimtari me një rast të përmbajtjes së një prej letrave anonime të shqiptarëve kundër shkrimtarit, që mbahet në arkivin e Akademisë suedeze.

Shkrimtari tha se i kanë treguar për një letër anonime ku mes të tjerash ishte shkruar se me veprën e tij, “sulmohet gjuha shqipe”, se Kadare nuk shkruan në gjuhën shqipe.

“Kjo ishte vërtet groteske dhe e pakuptueshme”, thotë shkrimtari.

Nxitur nga kjo ngjarje, Kadare ka treguar se botuesi i tij ekskluziv, në Francë botoi gjithë kolanën në gjuhën shqipe si dhe frëngjishte, duke ua bërë dhuratë Akademisë suedeze.

Ndërsa bota letrare në Shqipëri këtë vit ka qenë e përfshirë në festimin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.

Është quajtur viti i Kadaresë.

Po ky vit e ka sjellë shkrimtarin edhe më shpesh në vendin e tij. Prej kohësh arkivat po zbulojnë e qartësojnë një situatë etike por edhe estetike mbi autorin dhe veprën, sidomos asaj që mbahet një nga veprat monument të krijimtarisë kadareane në diktaturë, “Dimri i vetmisë së madhe”.

Për herë të parë, këtë vit, ky roman pati një edicion kritik nga studiuesi Matteo Mandala. Vepra në dorëshkrim, kaloi një aventurë gjyqësore, pasi deri para pak vitesh mbahej me forcë nga e veja e ish-diktatori.

Kadare është shprehur se kishte frikë mos e digjte, pasi ishte e vetmja kopje që ekzistonte në dorëshkrim. I vetmi në origjinal.

Ndërsa ka vlerësuar punën e studiuesit arbëresh, Mandalasë, mbi dorëshkrimin në deshifrimin dhe zbulimin e tekstit.

“E kam shkruar dhe daktilografuar direkt dhe kam punuar mbi tekstet e daktilografuara. Ajo ishte kopje e vetme. S’ka tjetër. Mahnitem kur e shikoj, se sa kam punuar, shkruar prishur e ndrequr. Ishte një tekst mjaft delikat. Donte shumë kujdes sepse për një fjali mund të të ikte gjithë libri…”, ka rrëfyer shkrimtari për këtë anë të errët, të panjohur të procesit të veprës, si kulturë filologjike që kryhet për herë të parë për një autor bashkëkohor të cilit i ka “ardhur” vepra nga diktatura, nëpër shumë procese “censure”, duke i shpëtuar kartonit.

Ky densitet veprimtarie letrare në 80-vjetorin e lindjes, merr me vete edhe përkimin tjetër me afrimin e ndarjes së çmimit Nobel.

Edhe para ditësh mediat ndërkombëtare kanë lançuar një listë me nominuesit e këtij viti, ku Kadare renditet sërish, edhe këtë herë në një listë të ngushtë, i pesti në kandidaturë për marrjen e çmimit.

Është Akademia e Shkencave të Shqipërisë që ka bërë sërish propozimin për Kadarenë, në krye të këtij viti për të marrë çmimin Nobel në Letërsi.

Drejtuesja e departamentit të albanologjisë në Akademinë e Shkencave, akademikja Floresha Dado, ka thënë se ai është një titull i merituar për shkrimtarin Ismail Kadare.

Në këtë vështrim nominimi për Nobel i Kadaresë ka qenë motivuar gjithnjë, duke u përkrahur nga pjesa e shkrimtarëve dhe intelektualëve më me integritet.

Ndërsa në një bisedë me shkrimtarin duket se kjo histori ka tjetër perceptim. Pyetjes sonë për këtë marrëdhënie kaq të gjatë me Nobelin, Kadare e ka marrë me indiferentizëm, si një proces pothuaj i mbyllur për të, aq edhe zhgënjyes.

V.M



Veprat e Kadaresë me njohje ndërkombëtare

Ndër veprat kryesore të Ismail Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H, Piramida”, “Pallati i ëndrrave” etj. Anëtarët e Akademisë suedeze do të mblidhen gjatë ditëve në vijim, për të vendosur se cili shkrimtar do të jetë fitues, në tetor, i çmimit Nobel për Letërsi 2016.

Vetëm Nobel për Letërsi ende pa datë të caktuar

Ndërsa datat për Nobelin në fusha mjekësi, fizike, kimi dhe shkenca ekonomike janë caktuar, të cilat përfundojnë vlerësimin më datë 10 tetor, për çmimin Nobel në Letërsi ende nuk është caktuar një datë e saktë.

Pse bota letrare u zemërua nga emri Elena Ferrante?!

elena ferr


Një gazetar shkatërron një nga fantazitë më të mëdha të letërsisë bashkëkohore

Pse ekspozimi i emrit të vërtetë të Elena Ferrantes ka shkaktuar zemërim të tillë?

Çjerrja e maskës së identitetit të vërtetë të romancieres së famshme italiane Elena Ferrante ka shkaktuar një protestë masive në mesin e lexuesve të saj- shkruan BBC.

Pyetja është pse janë mërzitur aq shumë? Autorja me një njohje kaq të gjerë u “zbulua” të dielën në New York Review of Books, nga një gazetar investigativ që pretendon se emri i saj i vërtetë është Anita Raja.

Ndërsa një reagim i ashpër kundër “zbulimit” të Claudio Gatti-t ka bashkuar mijëra kritikë, fansa dhe shkrimtarë të cilët kanë mbrojtur përmes internetit të drejtën e autorit për anonimitet. “Ai mendon se na ka nxjerrë ne, jashtë mjerimit tonë, por në të vërtetë askush nuk ka kërkuar të dijë identitetin e Elena Ferrantes”, shkruan Frances Wilson në “Supplement Times Literary”. Anonimiteti i dha lexuesve të Ferrantes një kënaqësi, të vështirë për t’u përcaktuar, – ajo i la ata me një hapësirë të çmuar në të cilën të fantazonin për të. “Kjo ishte një puzzle argëtues, dhe tani Gatti ka prishur këtë lojë”, thotë Wilson.

“Ethet Ferrante” ka arritur kulmin e saj vitin e kaluar kur kuarteti Napolitan u bë bestseller. Libri i parë në seri “My brilliant friend”, tregon historinë e përjetshme të miqësisë midis dy grave nga një lagje e varfër e Napolit. Kjo ishte një fenomen letrar dhe librat e Ferrantes kanë shitur në më shumë se 40 shtete, me shitjen e një milion librave në Itali, dhe 2.6 milion vetëm në anglisht.

Ajo ishte mjaft private duke e ruajtur anonimitetin. Në të shkuarën, ajo ka shkruar se si filloi të ruajë fshehtësinë, duke evoluar në një pikë parimore, që më pas u bë e domosdoshme heshtja. “Anonimiteti më lejon të përqendrohem vetëm në formën e të shkruarit”, pat thënë Ferrante për “The Guardian” në fillim të këtij viti.

“Kam fituar një hapësirë timen, një hapësirë që është e lirë, ku unë ndihem aktive dhe e pranishme. Të heq dorë mund të jetë tepër e dhimbshme”, pat thënë ajo për Vanity Fair.

Suksesi i saj, në mënyrë të pashmangshme, solli spekulimet intensive për identitetin e saj të vërtetë.

Një histori – një ishte parashikuar se do të shkaktonte zemërim në mesin e fansave të zhurmshëm, të Ferrantes – ishte se autori duhet të jetë një burrë, me nëntekstin që asnjë grua mund të ketë shkruar libra të tillë.

Mbështetësit e Ferrantes kaluan në mbrojtje të saj. Vetëm një grua, mendonin ata, mund të shkruante për një miqësi femërore me një forcë të tillë, dhe për të sugjeruar ndryshe ishte seksizëm. Me mijëra, fansa dhe kritikë mbështetën të drejtën e Ferrantes për të mbetur anonim dhe vazhdon të japë veten për botën përmes librave të saj. Fjalët e saj ishin të mjaftueshme për lexuesit e saj.

Romanet e Ferrantes, vendosur në një lagje të klasës punëtore të Napolit, eksploron një marrëdhënie që përfshin shumë dekada. Gatti vë në dukje se ka ndaluar të gjitha spekulimet, por me një kosto. Duket se kjo ka lëvizur heshtjen e Ferrantes, që sipas raporteve të fundit, ajo ka lënë të kuptohet se ajo do të vazhdojë të shkruajë, por kurrë nuk do të botojë përsëri në qoftë se ajo nuk mund të ruajë anonimitetin e saj.

BBC ngre pyetjen pse Gatti, e bën këtë? Ai tha se Ferrante gënjeu në shkrimet e saj gazetareske në Frantumaglia – një libër me ese të publikuara për herë të parë në Itali në vitin 2003, e cila pritet të dalë edhe në gjuhën angleze muajin e ardhshëm, me materiale të reja. Ferrante e vendosi këtë së bashku me botuesen e saj italiane, Sandra Ozzola, e cila siguronte lexuesit e saj se do të sillte disa detaje autobiografike në formën e artikujve jo fiction. Gatti në lidhje me çështjen Ferrante shkruan se nëna e saj është një rrobaqepëse, se ajo ka tre motra, dhe u rrit në Napoli. Ai e akuzon atë për shpikjen e një “backstory” duke siguruar “informacione që i dizenjon për të kënaqur oreksin e lexuesve të saj për një histori personale që mund të lidhen me vendosjen napolitane të vetë romaneve”

Ai tha për BBC-në se “ajo ka gënjyer në lidhje me jetën e saj personale. Nuk më pëlqen gënjeshtra, prandaj vendos ta zbuloj atë”. Gatti-n e zëmëroi gjithashtu edhe qëndrimi që ka mbajtur Ferrante ndaj “gënjeshtrës” së saj.

BBC shkruan se ajo e ka cituar më parë Italo Calvino, shkrimtari më i përkthyer italian, para saj, i cili tha një herë për një intervistues: “Më kërko atë që ju doni të dini, por unë nuk do t’ju them të vërtetën, e që ju mund të jeni i sigurt”.

Gatti thotë se, pas disa muajsh të hetimit, ai është i sigurt se Elena Ferrante është një grua e quajtur Anita Raja, i cila jeton në Romë dhe ka punuar për botimet Europa si një përkthyese gjermane.

Raja është e martuar me një nga autorët më të njohur të Italisë, Domenico Starnone – kur njerëzit kishin spekuluar se Ferrante ishte me të vërtetë një burrë, Starnone ishte i dyshuari kryesor. Por kritikët e kanë vërejtur diçka jo normale në sjelljen e Gatti-t, duke u shprehur pak a shumë se “heqja e mantelit të padukshëm të Ferrantes” nga Gatti ku imagjinata e tij i ngjan diçkaje të afërt me aktin seksual.

Motivi që ka shtyrë Gatti-in drejt zbulimit të Ferrantes për shumë kritikë lidhet me marrëdhëniet e dhunshme, se si burrat poshtërojnë gratë, duke shkaktuar dhimbje të konsiderueshme. Protagonistët e “Kuarteti napolitan”, Elena dhe Lila, janë në një luftë për pushtet të vazhdueshëm – intelektuale, biznesit dhe seksuale – me burrat. Ferrante ka quajtur këtë “një rregull i rëndë dhe pothuajse, gjithmonë të pakënaqur me burrat”.

Në “The Guardian” Suzanne Moore shkruan: “Kjo letërsi nga ky arbitër i vetë-emëruar i “së vërtetës” është një shkelje e dhunshme.” Moore ishte nga të parat që ka folur për këtë dhunë, një përgjigje që ka qenë e përhapur në internet.

“Kjo është e tmerrshme. Është tronditëse. Qëndrimi i tij është kaq agresive. Është sikur ai ndihet i justifikuar në turpin e saj”, ka thënë Olivia Santovetti, ligjërues në italisht në Universitetin e Leeds, i cila kryeson një diskutim mbi ethet e Ferrantes në një festival të letërsisë në Ilkley. “Anonimiteti Ferrante ishte e ngjashme me ekranin bosh të analistit”, thotë psikanalistja Fiona Sinclair, duke iu referuar besimit të Frojdit që duke e vendosur veten e tij prapa shtratit, jashtë pamjes, pacientët e tij ishin në gjendje të mendonin lirisht në një ekran apo tabula rasa. “Ne të gjithë kemi një tabula rasa, kur lexojmë një libër, një botë private që kemi krijuar, dhe Ferrante e ka dyfishuar këtë efekt me anonimitet e saj”, thotë ajo.

“Ferrante, ose Raja, na dha një botë me fantazi që ishte dy herë më e fuqishme si ajo që zakonisht ekziston midis faqes së librit dhe lexuesit. Anonimiteti i saj ishte bujar, duke i lejuar lexuesit të saj lirinë për të imagjinuar atë edhe si protagonist dhe si autori”.

BBC mbyll artikullin mbi këtë ngjarje sa letrare aq dhe historike duke thënë se pas emrin të Ferrantes, Anita Raja mund të ketë frikë se mund të zhgënjejë lexuesit e saj, ndërkohë që ajo kishte lënë çdo gjë në imagjinatën e tyre, duke i veshur me mantelin e saj të padukshëm. Gatti e ka grabitur këtë, dukë bërë kështu, të shkatërrohet një nga fantazitë më të mëdha të letërsisë bashkëkohore.

Hetimi

Një studim i shkruar këtë të diel në median italiane “IlSole 24 Ore” nga gazetari Claudio Gatti – në bashkëpunim me New York Review of Books, Frankfurter Allgemeine gjermane dhe Mediapost franceze – ka analizuar në detaje të ardhurat e regjistruara nga botuesi në emrin e Anita Raja, që zyrtarisht është një përkthyese nga gjuha gjermane që punon e pavarur. Pas këtij emri, Gatti ka zbuluar misterin e autores më të famshme bashkëkohore Elena Ferrantes.

Anita Raja apo Elena Ferrante?!

Më 4 tetor në rrjetin e saj social Anita Raja ka reaguar për zbulimin e bërë nga gazetari Claudio Gatti duke u shprehur për anonimitetin se: Këta libra janë dhe do të mbeten të Elena Ferrantes, jo të miat. Unë nuk do të them asgjë personale, apo të jap intervista dhe deklarata. Raja është shprehur se kërkon nga të gjithë, kur tani kureshtja e zgjatur me vite është zbuluar, që ta lënë të gjallë dhe në paqe.

Njohja mes dikotomisë shkencë – metafizikë

Nga Ardian Gola*

Ishte klasiku i shquar i filozofisë idealiste gjermane, Imanuel Kant, ai i cili u mundua t’i japë fund problemit të dikotomisë epistemologjike metafizikë – shkencë. Kanti përpiqej që t’i lehtësonte mendjes përcaktimin në mënyrë të plotë dhe të sigurt vëllimin dhe kufijtë e përdorimit të saj jashtëpërvojësor.

science

Ndonëse pararendëse shekullore e shkencës, metafizikës filloi t’i rrudhet humusi i saj filozofik. Refleksioni spekulativ metafizik filloi të zëvendësohet me mendimin empirikisht të verifikueshëm shkencor. Ezaurimi i këtij humusi vjen e bëhet një lloj objektivi i “nëndheshëm” i shkencës, duke tentuar shfronësimin e filozofisë nga mbretëria epistemologjike. Problemet kyçe në traditën e gjatë filozofike të mendimit spekulativ, si qenia, koha, hapësira etj. rimerren në trajtim nga ligjërimi shkencor, i cili përmes referimit në ekzaktësinë empirikisht dhe rigorozisht të verifikueshme, synonte përgënjeshtrimin e spekulacioneve filozofike të performuara në ligjërimet filozofike. Ky “superioritet” i pretenduar epistemologjik i qasjes empirike të shkencës ndaj refleksionit spekulativ të filozofisë, krijonte përshtypjen se gjithnjë e më shumë metafizika po humbiste atraktivitetin e saj gnoseologjik. Esencës së synuar përmes spekulacionit filozofik i kundërvihej aparenca e përqasur përmes empirizmit shkencor.

A priorizmi sintetik si tejkalim i vështirësive epistemologjike të Metafizikës

Ishte klasiku i shquar i filozofisë idealiste gjermane, Imanuel Kant, ai i cili u mundua t’i japë fund problemit të dikotomisë epistemologjike metafizikë – shkencë. Kanti përpiqej që t’i lehtësonte mendjes përcaktimin në mënyrë të plotë dhe të sigurt vëllimin dhe kufijtë e përdorimit të saj jashtëpërvojësor. Përgjatë tërë kursit të tij filozofik të Kritikës së Mendjes ai u përpoq të argumentonte mundësinë e ekzistimit të metafizikës si shkencë. Ai nuk mjaftohej me ekzistimin e metafizikës vetëm simetaphysica natyralis, ngase kjo nuk ofron kurrfarë sigurie epistemologjike për subjektin. Avancimi i statusit epistemologjik të metafizikës prej metaphysica natyralis në shkencë ka mbetur peng i mosdallimit të gjykimeve analitike dhe sintetike. “Se a do të mbetet apo do të falimentojë metafizika, varet nga zgjidhja e kësaj detyre” – shprehet kategorikisht Kanti. Duke iu referuar shkencave ekzakte si modele të sakta epistemologjike, refleksionin e tij filozofik Kanti e përqendroi në a priorizimin e njohjeve tona, gjegjësisht në gjetjen e këtyre gjykimeve sintetike a priori, si trajtë e vetme e arritjes së sigurisë epistemologjike. Sipas Kantit njohja shkencore është a posteriori; ajo lind nga përvoja konkrete dhe bazohet në të. Prandaj shkenca nuk merret me të vërtetat e domosdoshme, por me çështjet e faktit konkret. Megjithatë ajo mbështet në disa aksioma dhe parime universale, të cilat, për shkak se e vërteta e tyre mendohet se është në pikënisje të çdo hulumtimi empirik, nuk mund të provohen vetë në mënyrë empirike. Prandaj këto aksioma janë a priori, dhe ndërsa disa syresh janë analitike, disa të tjera janë sintetike, duke thënë diçka thelbësore për botën empirike.

Duke e interpretuar a priorizmin kantian në polemikë me Konrad Lorenz-in, Popper riformulon konceptualisht dhe e zhvillon përmbajtësisht teorinë a prioristike të Kantit. Për dallim nga Kanti, i cili njohjen a priori e konsideronte “të domosdoshme në kuptimin apodiktik”, Popper këtë njohje e vlerësonte si “të domosdoshme në kuptimin hipotetik”. Me gjithë karakterin hipotetik që Popper i mvesh a priorizmit të tij, ai vazhdon ta quajë veten a priorist radikal pikërisht për shkak të ndërfutjes së elementit gjenetik në teorinë e tij. “Ajo që mendoj unë”, thotë Popper, “është se, gjithçka që njohim, është gjenetikisht a priori. A posteriori është vetëm seleksionimi i asaj që kemi shpikur a priori”. Ai vazhdon tutje: “Në kundërshtim të plotë me të gjithë epistemologët që nga John Locke dhe në dallim edhe me Kantin dëshiroj të parashtroj tezën e mëposhtme: e gjithë njohja është në përmbajtjen e saj a priori, d.m.th. gjenetikisht a priori. E gjithë njohja është hipotetike, e hamendësuar: është hipoteza jona. A posteriroi janë vetëm eliminimet e hipotezave: ndeshja e hipotezave me realitetin. Pikërisht këtu dhe vetëm këtu qëndron elementi empirik në njohjen tonë”.

Duke i gjetur gjykimet sintetike a priori në matematikë, gjeometri dhe fizikë, Kanti ishte i mendimit se ato janë të pranishme në cilësinë e propozicioneve edhe në metafizikë. “… ajo [Metafizika] nuk është e interesuar që vetëm t’i zbërthejë konceptet, të cilat ne vetvetes ia formojmë a priori për gjësendet; ne duam që njohjet t’i zgjerojmë a priori, për ç’arsye duhet t’i përdorim edhe parimet e tilla, të cilat konceptit të dhënë i shtojmë diçka që nuk gjendet në të dhe, kështu, me anë të gjykimeve sintetike a priori të shkojmë aq larg jashtë tij sa që as vetë përvoja nuk mund të na shoqërojë deri atje”. Me këtë hipotezë ai mendonte se kishte identifikuar pikëtakimin dhe njëkohësisht pikëthyerjen e filozofisë (metafizikës) dhe shkencës. E para konsiderohej si refleksion që konfiguron trajtat a prioristike të njohjes, ndërsa e dyta si trajtësim që ndërfut relacionin sintetik përbrenda tyre, përkatësisht ndërmjet subjektit dhe predikatit. Ky trajtësim sintetik i gjykimeve a priori buron nga shkenca aq sa edhe nga filozofia.

Metafizika e Subjektivitetit si trajtë e re e sigurisë epistemologjike

Kanti e zhvilloi përpikërish nismën descartiane për rikonstruktimin e metafizikës tradicionale të raportit të subjektit me objektin, gjegjësisht konstruktimin e metafizikës së re të subjektivitetit. Me këtë metafizikë Kanti ndërton, siç shprehet Popper, “teorinë ‘aktiviste’ të dijes” si përmbysje të teorisë ‘pasiviste’ të dijes“. Ndërkohë që, sipas Heidegger, hedhjen e themelit të subjektivitetit […] e mundëson dhe e siguron reduktimi transcendental në subjektivitetin absolut. Përkundër mendimit tradicional kontemplativ, i cili drejtohet kah objektiviteti duke e reduktuar të vërtetën në përputhjen e njohjes me objektin, Kanti niset nga mendimi subjektiv – produktiv, përkatësisht nga uniteti transcendental i vetëdijes për veten, i cili vendoset në qendër të universit dhe i cili e ka forcën krijuese dhe ligjdhënëse në konstituimin e të vërtetës për botën. Kështu epistemologjikisht subjekti nuk modelohet më sipas objektivitetit, por përkundrazi objektiviteti modelohet sipas subjektivitetit. Po të shprehemi me gjuhën e spekulacionit të thellë metafizik të Hegelit, nga objektivizimi i subjektivitetit, kalohet në subjektivizimin e objektivitetit. Sigurisht se te Kanti nuk bëhet fjalë për subjektivizim ontologjik, por subjektivizim epistemologjik të objektivitetit. Prandaj edhe realiteti noumenal, si objektivitet jashtësubjektiv asnjëherë i arritshëm me siguri të plotë epistemologjike, konfigurohet dhe modelohet si realitet fenomenal në saje të strukturës a prioristike epistemologjikisht të etabluar të subjektivitetit. Pikërisht në këtë strukturë a prioristike, përmes të cilit mundësohet rindërtimi sintetik i materialit të dhënë objektivisht dhe të pranuar senzualisht nga subjekti njohës, përqendrohet e tërë fuqia krijuese, ligjvënëse, rregulluese, sintetizuese, transformuese etj. e subjektit. Ndërkohë që, pra, Kanti reflektonte rreth identifikimit të kushteve të domosdoshme dhe universale a priori të subjektit, kushte të cilat janë të rrënjosura në atë që, sipas Descartit, është e vetmja gjë që njerëzve i është shpërndarë në mënyrën më të barabartë – pra arsyen, ishte Fichte, ai i cili këtë fuqi subjektive, funksioni dhe roli i së cilës ishte thelbësisht gnoseologjik, e hipostazoi ontologjikisht duke i dhënë forcë krijuese subjektit tjetërfarë nga ajo që i dha Kanti. Funksioni krijues i mendjes, siç është rikonstruktimi subjektiv fenomenal i botës noumenale, te Kanti ishin nusprodukte të funksionit teorik – njohës të mendjes. Duke interpretuar riorientimin filozofik të mendimit post-kantian nga Fichte, Russell shpjegon: “[Fichte] e çoi subjektivizmin deri në një pikë që duket thuajse është i përfshirë në një lloj çmendurie. Ai thotë se Uni është i vetmi realitet i fundmë dhe se ai ekziston vetëm nga që e pozicionon veten; jo-Uni, që ka një realitet të nënshtruar, gjithashtu ekziston vetëm nga që Uni e pozicionon atë”. Pra, subjekti i Kantit ishte tjetër prej Unit Krijues të Fichtes, Idesë Objektive të Schelingut dhe Frymës Absolute të Hegelit. Me transformimin hipostazues së fuqisë njohëse të subjektit, hipostazohej edhe vetë subjekti. Prandaj, Fichte nuk fliste për një subjekt konkret njohës, siç ishte rasti me filozofinë kritike të Kantit, por për një subjekt transindividual, që tejkalonte subjektet konkrete. Të njëjtën dilemë, veçse në vija të tjera krahasimi, e parashtron edhe Roger Scruton: “Kur Kanti flet për aftësinë e subjektit njerëzor, flet gjithmonë për përvojën ‘tonë’, arsyetimin ‘tonë’, konceptet ‘tona’, vullnetin ‘tonë’ etj., duke e lënë të hapur çështjen kyçe nëse kjo “tonë” duhet marrë në kuptimin e përgjithshëm ose jo. A nënkuptohen me të të gjitha qeniet njerëzore të konceptuara objektivisht? Apo duhet interpretuar në kuptimin e veçantë të idealizmit që e ka fjalën për subjektin abstrakt, “Uni’-n që merret me ndërtimin subjektiv të një ‘bote’? Kjo dykuptimësi është me rëndësi vendimtare, sepse në varësi të interpretimeve të saj, duket se shkojmë ose drejt një metafizike objektive, ose drejt një epistemologjie tepër solipsistike”.

Duke tërhequr vërejtjen se tranzicioni ndërmjet metafizikës dhe shkencës nuk është i prerë qartë dhe se ajo që ka qenë një ide metafizike dje, mund të bëhet një teori shkencore e testueshme nesër, në veprën e tij “Logjika e zbulimeve shkencore” Popperi ofron një mori shembujsh, si: atomizmi, ideja e “parimit” të vetëm fizik ose elementi i fundmë (prej të cilit derivohen të tjerët), teoria korpuskulare e dritës, teori fluide e elektricitetit. Sipas Popperit, të gjitha këto ide dhe koncepte metafizike kanë ndihmuar, madje edhe në trajtën e tyre të hershme, në ndërtimin e një rendi në pamjen e njeriut për botën dhe në disa raste madje edhe kanë mundësuar parashikime të suksesshme. Sigurisht se mendimi popperian paraqet një pasqyrë më të ndërlikuar dhe më të pasur të evoluimit mendor dhe, si e tillë, sfidon thellë kategorizimin skematik tri-etapësh të pozitivizmit të August Comte, për zhvillimin e historisë njerëzore. A mund të themi se, ndërkohë që filozofia rreket ta kap esencën unike dhe të pandryshueshme të shpërfaqjeve të panumërta të saj, shkenca tenton t’i studiojë pikërisht këto të fundit? Pra, a mundet esenca t’i përkasë filozofisë ndërsa aparenca shkencës, për shkak se e para është shumë e lartë t’i nënshtrohet verifikimeve empirike ndërsa e dyta tepër e ulët për refleksionet spekulative. A paraqet kjo ndonjë superioritet të sofistikuar epistemologjik të filozofisë përkundruall shkencës?

Një kategorizim i tillë teoriko-hipotetik vështirë se do t’i bënte ballë sfidës nihiliste niçeane të shpërbërjes epistemologjike të njëmendësisë. “‘Bota e vërtetë’ – tashmë atë e kemi hequr qafe”, thotë Nietzsche duke ironizuar dikotominë gnoseologjike të realitetit, për të vazhduar me pyetjen provokative “por cila botë ka mbetur?”. Ai vazhdon me sarkazëm duke u përgjigjur me pyetje tjetër “ndoshta bota e dukjes?” për t’i dhënë goditjen përfundimtare me përgjigje mjaft nihiliste: “Sigurisht që jo! Bashkë me botën e vërtetë ne kemi hedhur tutje edhe botën e dukjes!” Kjo ngase, nëse shprehemi me gjuhën e Schelingut, “e padukshmja e mban të dukshmen (p.sh.: graviteti, tërheqja-dëbimi, magnetizmi etj.)” Në të njëjtën kohë, ai mëtonte se shkencat natyrore vazhdimisht shkojnë drejt abstraktes – drejt spiritualitetit. Përmes gjuhës së ndryshimit permanent dhe logosit, Herakliti mëtonte se natyra e vërtetë e sendeve, pëlqen ta fshehë veten. Harmonia e padukshme është më e fortë se harmonia e dukshme. Në dukje sendet janë të kundërta, por në të vërtetë ato janë të njëjta. Aristoteli, për të cilin dija ndahej në dijen e vërtetuar dhe dijen intuitive, e kuptonte këtë të fundit si kapje të formës së padukshme të thelbit, ose të natyrës esenciale të një sendi. Me të njëjtën gjuhë edhe Karl Poperi theksonte se “në fakt ne nuk njohim asgjë nëpërmjet shikimit, sepse e vërteta është e fshehur thellë”.

Shpërfillja konstruktiviste e referimit nihilist nietzschean pashmangshëm do të na çonte drejt pyetjes: A thua vallë identifikimi ose njëjtësimi i esencës me aparencën dhe aparencës me esencën çon drejt pajtimit komplementarizues të dy perspektivave diametralisht të kundërta epistemologjike? A do t’i ndihmonte dhe a do ta komplementarizonte në këtë drejtim qasjen parciale të shkencës qasja integraliste e filozofisë ndaj qenies si të tillë? Mbetet të shihet se deri në çfarë përmasa shkenca mund të ruajë unitetin e saj integral përballë kompleksitetit të pareduktueshëm të realitetit dhe të mos humbasë në turbullirat e njohjeve të pakuptimta (ndonëse logjikisht dhe shkencërisht të “sakta” dhe utilitarist funksionale) si rezultat i parcializimit dhe fragmentarizmit të pashmangshëm dhe, mbase, të pafundmë (nga perspektiva empiriciste) gnoseologjik të tërësisë së njëmendësisë.

Koha dhe hapësira: ilustrim i përqasjeve të kundërta epistemologjike

Trajtimet për hapësirën, shkenca dhe filozofia i qasen nga perspektiva dhe pozicione të ndryshme. Duke folur për unitetin e instancës ontologjike hapësirë – kohë, konceptin e saj për hapësirën shkenca e redukton jo rastësisht në atë që do të mund të quhej hapësirë – “brenda” – kozmosit. Në këtë rast, hapësira del si identike me universin, sepse “universi përmban të gjithë hapësirën”. Si e tillë, ajo (hapësira) limitohet semantikisht vetëm në “atë-që-mund-ta-njohim”. Rrjedhimisht, ajo që i karakterizon pikëpamjet shkencore në të folurit për hapësirën është “partikularizmi” i kësaj të fundit – një fakt i rëndësishëm që flet për njëfarë mendësie pozitiviste / utilitariste të shkencës, karakteristikë e cila e shoqëroi atë që prej zanafillës së saj. Rrezikun e mundësisë që, kur flitet për hapësirën, të flitet për të si tërësi nga pozicioni i trajtimit të saj të pjesshëm, e kishte “nuhatur” që herët Kanti në veprën e tij kryesore – “Kritika e mendjes së kulluar”: “(…) së pari, mund të supozohet vetëm një hapësirë e thjeshtë dhe prandaj, kur bëhet fjalë për shumë hapësira, atëherë me këtë kuptohen vetëm pjesët e një dhe po të asaj hapësire të thjeshtë”, që për Kantin ishte e pakufishme. Edhe sot e kësaj dite ky debat nuk është mbyllur. Shumë kohë pas fizikanit të njohur austriak Ludvig Boltzman, ithtarët e termodinamikës së proceseve të pakthyeshme, sidomos nobelisti ruso-belg Ilia Prigozhin, u përpoqën të vërtetonin se udha antihistorike e fizikës është një udhë pa krye.

“Hapësira si formë dhe kusht i shqisës së jashtme dhe koha si formë e ndjenjës dhe vrojtimeve të gjendjes së brendshme” nga rrafshi filozofik i të konceptuarit kaloi në rrafshin shkencor. Koha si parametër fizik shihet si një rifillim i përjetshëm, i ndryshëm nga hapësira. E kaluara ndryshon rrënjësisht nga e ardhmja. Për të kaluarën na dëshmon kujtesa, për të ardhmen na flet pasiguria. Kjo në filozofi tek ekzistencialistët lind ankthin njerëzor, kurse në shkencë shton kureshtjen mbi njohjen. Kur Arthur Edinburg – astronom britanik i Shoqatës Mbretërore, përdori për herë të parë në Ediburg më 1927 shprehjen “shigjeta e kohës”, ai vuri në dukje tashmë përmasat e mëdha të debatit mbi natyrën e kohës, debat ky që filloi me zbulimin e teorisë së relativitetit nga Einstein.

Nga ana tjetër, hapësira para Einstein-it koncipohej si e ndarë në mënyrë mjaft të prerë nga materia, ndryshimi i vazhdueshëm i së cilës, manifestuar në formën e një “zhvillimi”, “prodhonte” kohën. Argumenti i Einstein-in që në konceptimin e pandashëm të kategorisë hapësirë-kohë, për bazë kishte natyrën grimcore të dritës, e si rrjedhim, përhapjen e saj të lakuar në hapësirë, hasi në pëlqimin e pothuajse shumicës së kozmologëve, të cilët pranuan këtë pandashmëri. Rrjedhimisht, kjo e fundit çonte në konceptin e kufishmërisë së hapësirës, për aq sa ajo është e pandashme nga materia (kjo e fundit po ashtu e kufishme). Por, edhe nëse s’është kështu, formula mund të jetë pikënisja dhe fundi i një teorie të tillë (natyrisht, e shoqëruar me disa eksperimente të pakontestueshme). Në këtë rast, formula i sugjeron mendjes t’i bindet diçkaje që paraqitet si rrjedhojë e saj.

Koha dhe hapësira janë inherente, pra unitet i pandashëm ontologjik. Pasi që materia para biliona vjetësh ishte e tkurrur gati pafundësisht, teoria shkencore kozmologjike e Bing Bengut, pretendon të shpjegojë edhe “fillimin” e kohës. “Përpara Bing Bengut nuk ka pasur hapësirë”; atë e ka krijuar Bing Bengu, pra ajo njëherë e një “kohë”, s’ishte. Ky “shpërthim i madh” i materies i dha kuptim kohës si një zhvillim ngjarjesh me karakteristikë esenciale – lëvizjen. Që këtu vijnë në shprehje periudhat kohore: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja si siguri empirike e mendjes, e cila qenësoi vetëdijshmërisht para asaj që është tashmë e tashme, e që në të kaluarën paraqiste njëfarë të ardhmeje.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...