2016-11-02

Cikël poetik nga Halil Haxhosaj



Halil Haxhosaj u lind në Prekolluk (Preklukaj) të Vokshit, më 1946. Mësimet fillestare, shkollën Normale dhe SHLP – Dega Gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Gjakovë, ndërsa Fakultetin në Universitetin e Kosovës në Prishtinë

Një kohë punoi mësues dhe arsimtar në Cërmjan të Dushkajës, profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në QAMO, në Gjimnazin “Hajdar Dushi”, Shkollën e mesme të mjekësisë “Hysni Zajmi” në Gjakovë, etj.

Është edhe anëtar i Lidhjes të Shkrimtarëve të Kosovës, W.P.S (Shoqata e poetëve të botës) dhe Kryesisë së Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë.

Me shkrime letrare ka filluar të merret që kur ishte nxënës i shkollës fillore. Me shkrimet e veta është fitues i disa shpërblimeve letrare dhe poezia e tij është e përfshirë në disa antologji të poezisë kombëtare shqiptare, evropiane dhe botërore. Poezia e tij është e përkthyer në rumanisht, gjermanisht, anglisht, italisht, polonisht, serbisht si dhe në disa gjuhë të tjera.

 Në vitin 2006 ka fituar çmimin e tretë për kritikë letrare në konkursin e shpallur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe gazeta “Drita” në 75 vjetorin e lindjes së Dritëro Agollit.

Po ashtu në Mitingun e 50-të të Poezisë, mbajtur në Gjakovë më 2014 fitoi Çmimin e parë “Din Mehmeti” me veprën poetike “Ekspozitë në stinën e re” si vepra më e mirë e botuar në mes dy mitingjeve.

Halil Haxhosaj shkruan poezi për të rritur dhe për fëmijë, poezi haiku, prozë, kritikë letrare, shkrime për teatër, romane, drama, skenar për film e televizion dhe shkrime publicistike.

 Është i pari që deri tani ka shkruar triptik me haiku që përbëhet nga tri vëllime (libra) që janë: “Puhizë zemre”, Haiku shqip-anglisht, “Egnatia”, Elbasan, 2009; “Puhizë shpirti”, Haiku, NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2010; “Puhizë përjetësie”, haiku, “Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2015.

Deri tani ka botuar këto vepra:

“Damarë të ringjallur”, poezi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 1992,

“Në kafaz me pantera”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1993.

“Këngë të ngrira”, poezi, “Jeta e re”, Prishtinë, 1996.

“Zëra të grisur”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1998.

“Hija e orëligës”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 2000,

“Pastaj bëhu relikt”, poezi “Rozafa”, Prishtinë, 2003,

“Umbra viselor – Hija e ëndrrave”, Bukuresht, 2004

“Pakohësi”, tregime, “Buzuku”, Prishtinë, 2005.

“Përimtime letrare”, kritika letrare, KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2006

10.“Fjalë e plagë”, poezi, KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2007.

11.“Histori në natën e vranët”, roman, “Ombra GVG”, Tiranë, 2008.

12.“Puhizë zemre”, Haiku shqip-anglisht, “Egnatia”, Elbasan, 2009.

13.“Përkushtime”, poezi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2009.

“Puhizë shpirti”, Haiku, NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2010,

“Vështrime në prozën romanore të Petrit Palushit”, kritika, “Ombra GVG”, Tiranë, 2011.

“Kur u mësova me dritën”, poezi, botoi LULU, SHBA, 2011.

“Shi pa vranësira”, tregime, botoi NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2011,

“Pavdekësia e poetit”, poezi e shkrime për D. Mehmetin, botoi KL “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2011,

“Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Monografi”, botoi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2012,

“Lot e lakmi”, drama, NSH “Jeta e re“, Prishtinë, 2012.

“Lexime të poezisë”, kritika letrare, NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2013.

“Pasi ngrihet perdja”, shkrime për teatër, NSH “Jeta e re”, Prishtinë, 2013.

“Nyjëtime letrare”, vështrime kritike, botoi “Albanezul”, Bukuresht, 2014,

“Ekspozitë në stinën e re”, poezi, Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2014

“Puhizë përjetësie”, haiku, “Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2015.

“Hapësirave të letërsisë”, kritika dhe studime, botoi Klubi letrar “Gjon N. Kazazi”, Gjakovë, 2016.
Në dorëshkrim ka edhe disa libra të tjerë.

Shkrimet për poezinë, prozën, romanin e dramat mund t’i merrni nga parathëniet në libra, por edhe në Google duke shënuar emrin e tij, titullin e librit dhe autorit të shkrimit.

Për veprimtarinë e tij kanë shkruar: Din Mehmeti, Ali D. Jasiqi, Agim Vinca, Abdullah Konushevci, Petirt Palushi, Luan Topçiu, Besim Muhadri, Qemajl Juniku, Agim Byci, Muharrem kurti, Tahir Bezhani, Gjon Neçaj, Asllan Osmanaj e disa të tjerë.

TRIPTIK PËR NËNËN

1.
Sa herë më kaplonin sëmundjet
Nëna ofshante dhe mërmëriste

Pastaj një kokërr kripë
Ma sillte rreth kokës
Të mbërthyer në grusht

E hidhte në zjarr
Duke pëshpëritur
Plastë si kokrra e kripës

Si kokrra e kripës
Hedhur në zjarrin e vatrës
Paste syri i keq
Shërohej sëmundja ime

2.

U përbirove
Nëpër hallkat e një shekulli
Edhe në tjetrin
E nusërove një mot

As Lija e Madhe as Mortja
Nuk të lanë vërragë në fytyrë
Edhe pse të kaluan pragun e shtëpisë

Trokëllimat e shtrëngatave
T’i çakorduan
Fijet e endura shekujve

Nëna ime
Kurrë nuk njohe sulltanë as krajla
Edhe pse zërin ua dëgjove

3.
Mbrëmë derisa po flija
Më erdhi nëna në ëndërr
Me një këmishë të arnuar
Në dorë

Merre më tha
Mbështille lëkurën e prerë
Në sallën e operacionit
Sepse nuk lëngon më

I përmalluar dhe i gëzuar
Desha ta përqafoj e ta përkëdheli
Ajo iku e shndërruar në aromë

Në mëngjes
Një buçetë me lule të freskëta
E kisha të vendosur te koka

Kur u mora erë
Diçka lëvizi në dhomë

Pranvera ia çeli
Petalet natyrës




METAFORË KOHE U BËRE
(Tahir Deskut)

Nuk më kujtohet asnjë ofshamë e jotja
Në orët letrare në amfiteatër në Prishtinë,
Në sallën solemne të pallatit në Gjakovë
Në Orën e Madhe të Mitingut të poezisë

Vetëm metaforë fitoreje dëshiroje
Të bëheshe në të gjitha seancat

Afshin e Dheut të Drenicës Dukagjinit
Të Kosovës e të Arbërisë e thithe
Duke gulçuar për rreze lirie

Tituj veprash e bëre jetën
Rrokje të tyre rropatjet e saj
Dashurinë për të kurrë s’e trete

Në secilën metaforë ndriçoi ylli
I rrezeve të larta të flijimit
Më tri shkronja UÇK në ballë
Në kraharor në zemër

Dheu i kësaj toka ta fali amshimin
Prehu i qetë e me krenari në të
Sepse e ke Medaljonin e përjetësisë

Metaforë kohe u bëre …


ZBRITE NGA ËNDRRAT
(Ali Ibër Nezajt)

Zbrite nga ëndrrat madhërishëm
Erdhe në Gjakovën e dashurisë
Erdhe në Gjakovën e rinisë

Gjoksi plisi shoka xhamadani
Koburja ta shtojnë krenarinë
Në qendrën e Gjakovës
Në zemrën e saj trimëreshë

Sytë i kanë drejtuar kah Ti
Shkëlzeni Gjeravica Pashtriku
Zanat e Malësisë këngës ia thonë

Me ujë të Valbonës ta freskojnë
Fytyrën faqet ballin e sytë
Krenaria të shkëlqen e praruar

Në qendër të Gjakovës
Në zemrën e shpirtin e saj
Merr frymë lapidari i krenarisë

Të madhëruan e të përjetësuan
Trimëria Kosova e Shqipëria
Ali Ibër Nezaj të përtëriu historia


ZEMRA IME

Shtrëngoi dhëmbët
Mos u ligështo
Syri vër mos të të bëj
Ti je e mësuar
Të matesh me vdekje

Zbuti shikimet
Bëri të ëmbla
Sepse ta ka lakmi
I pari e i fundit

Zemra ime
Mos u ligështo
Vetëm krenohu
Për epitetin
Që more
Në Aortën e Perandorit

Mos qaj kokë për valvulin
As për aortën e mitralës

Ke nënshtetësi Kosove
Hapu e mos u tkurr

Zemra ime
Hapësirat na presin


FRYMË E RE

Në zemrën e legjendës
Kënga shpirtëzon gjakun
Jehona mbështjellë dheun
Për t’i ngritur në lapidar

Prekazi frymë e re
Prekazi erë e re
Prekazi epokë e re
Në shekullin e ri XXI
Për Kosovë
Për shqiptari

(Prekaz, më 27.09.2014)


EJANI MIQTË E MI

Ejani miqtë e mi
Do të gjeni vend në zemrën tim
Që është shndërruar në sy
Do t’ju përqafoj me shikimet e mia
Që janë shndërruar në mall
Do t’ju përkëdheli me duart e mia
Që janë shndërruar në kallinj

Ejani
Trokitni në portën e pritjes
Ajo do të jetë e hapur
Shtypeni sustën e ziles
Cingërimat do t’i gjeni në veshët e mi
E zërin në gjakun tim të përvëluar

Mos u frikësoni nga sëmundja ime
Ajo nuk është e pashërueshme
Mjekët ia kanë zbuluar ilaçin
Infermieret ia kanë ndërruar fashat
E këngët ia kanë mbytur gjëmat

Ejani miqtë e mi
Në vend të verës
Do t’ju gostit me djersët e mia
Që nuk duan lustra
Që s’janë të dehura me:
Erë benzine e nafte
Erë peshqish të prishur
Që nuk durojnë të freskohen
As me ujëra mineralë
As me lëngje pemësh të fabrikave

Ejani miqtë e mi
Me projekte kundër ndotjes
Kundër nxehjes globale
E më sillni pak qetësi
Sepse në barnatoret e qytetit
Është shpenzuar

Ejani miqtë e mi
Ejani
Mos ngurroni ...


PSALM

Më fal o Zot
Më fal
Kur qaj
Kur qeshi
Kur bërtas
Më fal

Më fal o Zot
Më fal
Kur kthehem
Kur fshihem
Më fal

Më fal o Zot
Më fal
Kur gënjej
Kur gënjehem
Më fal

Më fal o Zot
Më fal
Kur mashtroj
Kur mashtrohem
Më fal

Më fal o Zot
Më fal
Kur mallkoj
Kur mallkohem
Më fal

Më fal o Zot
Më fal
Kur e harroj
Të mirën Tënde
Kur e harroj
Mëshirën Tënde
Më fal


BALADË PËR FËMIJËT

E dashur
Mos u habit
Sepse fëmijët tanë nuk vdesin
Kur i vrasin barbarët
Veç shndërrohen në flutura

Kur frynë puhiza
Në tingëllima e polen shndërrohen
Emrat e tyre në lule i gjejmë
Në çdo behar pranvere

Kur barbarët i vrasin
Fëmijët e Kosovës
Ata shndërrohen në lule
Ata shndërrohen në polen
Ata shndërrohen në rreze
Dhe kurrë s’vdesin


MATEMATIKORE

Zbritën e zbritën
Mbledhën e mbledhën
Kurrë tamam

Të gjitha ekuacioneve
Ua dhanë nga një vlerë
Për puthitjen e koordinatave

Nuk hyri në veprim
As plusi as minusi
I kohërave të lëmuara

Zbritën e zbritën
Mbledhën e mbledhën
E kurrë i saktë përfundimi


KREMTA E RRUDHAVE

Dhe u vendos të ma kremtojnë ditëlindjen

U bën të gjitha përgatitjet
Torta, qirinj, pijet alkoolike
Pijet freskuese e ekzotike
Ftesat miqtë muzika këngëtarët
Vallëzueset palaçot aktorët

Dhe erdhi çasti i shumëpritur i kremtimit

Në tavolina ishin ulur të gjithë
Askush nuk mungonte

Vetëm në mua
Zmadhohej pritja
Zmadhohej dyshimi
Zmadhohej lakmia

Në ballë shtoheshin rrudhat
Që kremtonin ditëlindjen e tyre

Pushtimi i ri serb me të vdekur dhe varreza!

Image result for rexhep shahu
 Rexhep Shahu

Pushtimi i ri serb është pushtim me të vdekur, me 200 mijë varre ushtarësh të ushtrisë pushtuese qe në shqiperi ka bërë vrasje mizore dhe maskra ndaj popullatës vëndase.

Shqipëria e Serbia u pajtuan, pa lejen e Kosovës, me 200 mijë varre ushtarësh serbë në Shqipëri.
Në vjeshtë 2015 u shpik një ushtri e re e vdekur serbe me 200 mijë ushtarë serbë të vdekur dhe ia msyu Shqipërisë. Qe 100 vjet është nisë kjo ushtri të vdekurish me pushtue Shqipërinë dhe pas 100 vjetësh mbërriti në Shqipëri, mu në Tiranë, mu në Galerinë Kombëtare të Arteve. Kush është gjenerali i kësaj ushtrie të vdekur serbe apo gjeneralët, pasi kjo ushtri ka gjeneral shqiptar e gjeneral serb.
S’janë thjeshtë gjeneralë, por janë strategë të mirëfilltë të luftës, të dashurisë e urrejtjes shqiptaro-serbe.
Me gjithë të gjallët e vet kjo ushtri serbe ka qenë mbi dy milionë ushtarë serbë sepse Serbia para 100 vitesh ka qenë më e madhe se Kina e sotme. 200 mijë ushtarë serbë kanë vdekë në Shqipëri, të tjerët nuk i deshi vdekja, nuk i mundi i ftohti i Shqipërisë, as uria e shqiptarëve as pushka e shqiptarëve.
Në mes të Tiranës, te Galeria Kombëtare e Arteve, në mes të shtatorit 2015, u çel një ekspozitë në kujtim të 100 vjetorit të “Tërheqjes së Madhe” serbe. Ekspozitë e mundësuar nga një eksponent i lartë i qeverisë së Tiranës, që merret me bregdetin e vendit dhe nga ambasadori serb në Tiranë, që nuk besoj se janë gjeneralët kryesorë të kësaj ushtrie të vdekur 200 mijëshe që duhet varrosë domosdoshmërisht në Shqipëri, për me e mbjellë Serbinë këtu.
Për të kujtuar 200 mijë serbët e vdekur para 100 vitesh në Shqipëri.
Për të mos fajësuar shqiptarët si vrasës të serbëve, u tha se vdekjet më të shumta të ushtarëve serbë i shkaktoi i ftohti, moti i keq. Ah sa i keq ky moti i keq i Shqipërisë!
Që nesër të thuhet lirshëm, ju na keni varë, ne u kemi vrarë, por ju shqiptarët na keni vrarë për pak ditë 200 mijë ushtarë serbë, ju bashkë me motin tuaj të keq, me urinë tuaj të keqe, me terrenin tuaj bastard, të thyer e të shëmtueshëm, më dëborën tuaj shumë të bardhë e shumë të ftohtë, me akullin tuaj shumë të rrëshqitshëm.
Pastaj u tha e shkrua se ushtarët serbë vdiqën prej urisë. Sa e keqe kjo uria e shqiptarëve! Sa të varfër këta shqiptarët që nuk patën bukë t’u jepnin dy milionë ushtarëve serbë në Shqipëri dhe nga këta dy milionë vdiqën edhe prej urie 200 mijë ushtarë serbë në Shqipëri
Pastaj u tha se vdiqën edhe nga mungesa e ndihmës së shqiptarëve apo nga dhuna e lufta e tyre.
Kjo rrenë, më e madhja dhe fantastikja, më e përbindshmja qe 100 vjet, po fut rrënjët në kujtesën e historinë tonë kombëtare, që të mbijë shpejt si e vërtetë pelini një ditë. A i dini lulet e pelinit çfarë janë, të vdesin me aromë, të shndrrojnë nga shqiptar në serb sapo t’i marrësh erë.
Unë jam 55 vjeç, do të jetoj edhe 45 vjet, e kam vendosë vetë, dhe e di se një ditë do të ngrihen ushtarët e vdekur serbë në Shqipëri dhe do të më pushkatojnë. Nëse do të deklarohem serb, do të më presin vetëm kokën, nëse do të them jam shqiptar do të më bluajnë në mulli, pastaj do të ma djegin miellin e kockave dhe do të bëhem tym. Në qiell nuk ka as shqiptarë as serbë. Ata janë të knaqur të mos jem në tokën time as si varr as si gjurmë as si shenjë, por të jenë veç ata.
Qeveria e Shqipërisë, atëhere kur serbët të më bluajnë mua në gurët e mullinit, nuk e di a do të flasë shqip apo serbisht, nuk e di. Veç do të kujtohem atëhere dhe do të mallkoj qeverinë time se kur u desht me folë shqip, foli një gjuhë serboshqiptare të përzierë.
Shkurt, duhen mbjellë 200 mijë varre ushtarësh serbë në Shqipëri. Që këto varre të çelin lule pajtimi. A e dini ç’janë lulet e pajtimit, çfarë arome kanë. Aromë urrejtje kanë.
Unë di historinë e mbjelljes e të lulëzimit të varreve greke në Shqipëri. U pagua një bandë xhambazësh që filluan të mbledhin eshtra gjithandej, eshtra kafshësh, eshtra gomerësh, filluan të vjedhin eshtra në varrezat e fshatrave të braktisura dhe i shitën shtrenjtë këto eshtra si eshtra ushtarësh grekë të vrarë në Shqipri. Mjafton të ishin eshtra, qoftë edhe eshtra majmunësh apo eshtra shpendësh. Duhet shkruar me eshtra historia e të vrarëve grekë në Shqipëri. Që pas qindra vjetësh ose dhjetra vjetësh sepse ne na bëhet shpejt natë historia, natë e errët, e zezë, të thuhet se kjo tokë ka qenë greke, ja ku janë varret greke dhe varret janë historia, varret janë gjeografia, varre janë atdheu. Serbët pretendojnë se ku është një serb është Serbi, grekët thonë ku ka një varr grek është Greqi, kryeministri aktual serb deklaronte para pak vitesh se për një serb të vrarë do të vrasim 100 jo serbë, çfarëdo qofshin jo serbët, boshnjakë myslimanë pra serbë myslimanë apo shqiptarë.
Dhe sot në Shqipërinë e Jugut po çelin lule e fruta varrezat greke që u mbollën nga kisha dhe shteti grek sepse financuan majmshëm për këtë biznes të së ardhmës së tyre. Nuk dua ta besoj se për mbjelljen e varreve greke në Shqipëri të kenë marrë para qeveritarët apo politikanët shqiptarë.
Ne reagojmë me mërmërima kur na vjedhin energjinë elektrike, reagojmë me dajak e me dënime me burg kur na vjedhin energjinë elektrike fukarejtë e vendit, reagojmë për një kupton 10 centësh të kafesë dhe të ndëshkojmë dhe mirë bëjmë, por nuk reagojmë kur na vjedhin historinë, kur na vjedhin tokën, kur tokën tonë e bëjnë varreze greke apo varrezë serbe.
Modeli është, ky model grek. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe Serbia e kisha serbe shpejt. Se qeveria e Tiranës don të pajtojë shqiptarët e serbët, pa pyetur qeverinë e Prishtinës, pa pyetur populin. Qeveria e Tiranës dhe e Beogradit nuk bëjnë mirë që u hedhin vajguri kandilave të vjetër të Serbisë në Shqipqri e Kosovë. Popujt pajtohen vetë, pa paguar me varre, me kaq shumë varre, pa e shitë tokën e Shqipërisë për varrezë serbe.
Unë reagova me një shkrim Ku janë 200 mijë varre serbe në Shqipëri.
Por është shumë pak ky reagim. Është një vrimë në ujë.
Sepse shtypi i Tiranës e përcolli festën e mbjelljes së varreve serbe në Shqipëri si festën e mbjelljes së ullijve nga Skënderbeu, veç gazetës 55. Shtypit të Tiranës i është shurdhuar veshi nga dëgjon gusllën serbe. Shtypi i Prishtinës, veç Bota Pres dhe Bota Sot, si dy përjashtime, nuk bëri batare. Them nuk bëri batare se ne në Shqipëri jemi mësuar e kemi pritur që luftën me serbët ta bëjë Kosova dhe Luma, pasi tjetër kush nuk ka luftuar e nuk lufton kundër serbëve. Ndaj mendoja se shtypi i Prishtinës do ta mbronte edhe kësaj here Shqipërinë, por nuk e bëri.
Shtypi i Prishtinës po pjek në fëltere vezët sklluqe të Albinit se Albini i bën vezët me dy e tre të kuqe, i bën vezët sa pata a qura dhe me ato vezë mbron çeshtjen kombëtare shqiptare, marrjen e pushtetit në tavolinën e Kuvendit të Kosovës me luftë vezësh.
Gazeta elektronike VOAL dha hapsirë për këtë masakër të re serbe, masakër me ushtarë të vdekur serbë para 100 vitesh, masakër me 200 mijë varre serbe, masakër ndaj historisë së shqiptarëve.
Ky është pushtim i ri serb, pushtim me të vdekur, me ushtarë të vdekur serbë, me 200 mijë ushtarë të vdekur, pushtim me 200 mijë varre serbe. Dy milionë ushtarët serbë që u dyndën në Shqipëri para 100 vitesh kishin pasë varret me vete dhe i mbanin varret e tyre në shpinë. Një milionë e 800 mijë ushtarë serbë i morën varret me vete, i çuan në Serbi, 200 mijë që vdiqën në Shqipëri hynë në varret e tyre në tokën tonë. Çudi!, do të thoshte poeti i madh Xhevahir Spahiu!
Qeveria e Tiranës heshti e lumtur pasi është vepër e saj, e zyrtarëve të lartë të saj. Është vepra e saj e pajtimit me serbët. E pajtimit të madh.
Opozita në Tiranë është e zënë me gjethet e vjeshtës së parë.
Presidenti i Shqipërisë është i zënë duke shpërndarë fletë lavdërimi.
Akademia e Shkenca e Tiranës heshti – është e zënë më punë të mëdha, me pellazgologji e ilirologji, është duke vajtuar a kënduar se si e lamë këtë vend pa albanologji që pas vdekjes së Çabejit të madh.
Akademia e Shkencave në Kosovë është e zënë duke u përulë para Shmidit që na shkruan historinë e Kosovës e historinë tonë kombëtare.
Historianët në hapsirën shqiptare po hanë me gjizë e me speca dhe po shohin a ka gabime përkthimi nga rusishtja i Historisë së Shqipërisë që mendoj se na e kanë shkruar rusët.
Vetëm profesor Eshref Ymeri reagoi, por është i vetëm.
Në këtë stinë të mbjelljes së 200 mijë varreve serbe në Shqipëri, me leje e deshirë të qeverisë së Tiranës e me kërkesë e deshirë të qeverisë së Beogradit, në emër të pajtimit të madh shqiptaro-serb, duke përjashtuar të dy palët Kosovën, në fakt të rishkrimit të historisë së luftrave, urrejtjeve e dashurive shqiptaro-serbe në favor të serbëve, Shtëpia Botuese Klubi i Poezisë në Tiranë po boton këtë vjeshtë shënimet e një ushtari serb, Kosta Novakoviç, ditarin e tij në Shqipëri në katër muajt e udhëtimit të ushtrisë serbe nëpër Shqipëri, pjestar i së cilës ishte edhe vetë dhe dëshmoi si ushtar serb, përveç udhëtimit të ushtrisë pushtuese e shkatërruese serbe nëpër Shqipëri, përveç masakrave, vrasjeve e mizorive serbe, ai si socialdemokrat dhe kundërshtar i politikës së Beogradit, si ushtar i “mirë” serb shkruan besnikërisht Shqipërinë e kohës dhe pushtimin serb të 1913.

Metush Krasniqi (1928 - 1986)

Image result for metush krasniqi

Metush Krasniqi lindi më 19 gusht 1928 në fshatin Dajkoc të Komunës së Kamenicës (Dardanës). Shkollën fillore respektivisht katër klasat e para i kreu në gjuhën serbe në fshatin Hodanoc, ndërsa katër klasët tjera gjatë viteve 1942-1946 i kreu në Gjilan në gjuhën shqipe.

Gjatë viteve 1947-1949 kreu një kurs pedagogjik në Pejë dhe Gjakovë, ndërsa në vitin 1950 diplomoi në Shkollën Normale të Gjakovës. Në vitin 1950 -1951 filloi punën si mësues në shkollën fillore në Shipashnicë të Epërme. I frymëzuar nga veprimtarët e LNDSH, në Shipashnicë së bashku me kolegët e vet themeloi organizatën ilegale "Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë". Autoritetet e arsimit vetëm një vit më vonë Metush Krasniqin e transferojnë në shkollën fillore të Strezovcit fshat ky në komunë të Dardanës. Aty punoi një vit dhe u transferua në Hogosht, ku e gjeti arsimtarin e gjuhës shqipe Ndue Nekajn dhe Hogoshti e mirëpriti ngrohtësisht ardhjen e tij. Pas një viti Metush Krasniqin e transferuan në shkollën fillore të Muçivërcit dhe në vitin shkollor 1955/1956 me vendimin e organeve arsimore të Rrethit të Dardanes (ish-Kamenicë), shkolla 8 klasëshe e Muçivërcit me gjithë arsimtarët dhe mjetet mësimore bartet në Roganë dhe për çudi po me atë vendim Metush Krasniqin e emëruan drejtor të shkollës në këtë fshat shkollë kjo e cila sot mban emrin e këtij atdhetari të denjë.

Në vitin 1957 pas ndjekjeve dhe burgosjeve detyrohet të shpërngulet në Shkup. Atje krahas punës në arsim me një përkushtim të veçantë vepron në organizatën "Partia Revolucionare..." Në nëntor të vitit 1958 Metush Krasniqin do ta burgosin dhe e dënuan me 18 vjet burg të rëndë prej të cilave i mbanë vetëm 8 vite. Pas daljes nga burgu Metush Krasniqi i kaloi disa vite në fshatin e lindjes në Dajkoc. I entuziazmuar nga hovi që kishte marrë shkollimi, Metush Krasniqi më pas do të regjistrohet në Fakultetin Juridik në Prishtinë, dhe në vitin 1970 u punësua në shkollën e mesme teknike "19 Nëntori" në Prishtinë. Mirëpo, xhaxha Metushin as këtu nuk e lanë të punoj qetë. Me një vendim të Dushan Ristiqit - Kryetar i KK të LKJ të Prishtinës dhe të kryeudbashit në Gjilan Aleksandar Cana Periq, Metush Krasniqin e larguan nga procesi edukativo-arsimor.

Meqë atdhetari ynë Metush Krasniqi gëzonte një autoritet të madh në mesin e rinisë shkollore dhe universitare në Kosovë e në Maqedoni, ai kishte formuar një rreth të gjerë shokësh besnik, ishin ata si : Hasan Dermaku, Rexhep Mala e Skënder Kastrati, Njazi Korça nga Gëmica, Kadri Zeka nga Poliçka, Ethem e Fehmi Bajrami nga Malisheva e Gjilanit ; Rexhep Elmazi e Rafet Bajrami nga Gjilani ; Jusuf Gërvalla, Zeqir Gërvallën e Sabri Novosellën në Prishtinë, Shefqet Jasharin e shumë të tjerë.

Në vitin 1976 Metush Krasniqi vihet në krye të Organizatës "Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi" LNÇKVSHJ. Gjatë atyre viteve bënë përpjekje për bashkimin e të gjitha grupeve ilegale në një organizatë të fuqishme. Metush Krasniqi gjatë viteve të 80-ta punoi në ilegalitet të thellë, por megjithatë UDB-a përmes informatoreve shqiptar, dinte për aktivitetin e Metushit dhe më 4 nëntor 1981 sërish burgoset, torturohet rëndë nga udbashi i Anamoravës Selim Brosha e shume të tjerë. Pas katër muaj lirohet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Më 4 nëntor 1985 Metush Krasniqi sërish burgoset dhe gjatë shtatë muaj e pesëmbëdhjetë ditëve sa e mbajtën në burgjet e Prishtinës e të Mitrovicës, rrahet e torturohet në mënyrat më mizore. Pasi ishte i dërmuar për vdekje UDB-a më 16 qershor 1986 e liron nga burgu dhe më 15 tetor 1986 ky atdhetar i devotshëm duke mos pasur shërim ndërroi jetë. Varrimi i tij u bë në fshatin e lindjes në Dajkoc.

Shkrimtari nga Prishtina Veliu Veliu sjell dy libra në vargje tradicionale dhe klasike



Autor që shkruan për fëmijë e për të rritur (poezi, prozë, ese dhe kritikë letrare), Veli Veliu (1958) që nga viti 1982, ndër të tjera, ka botuar këta tituj librash: “Zogj merrmëni me vete” (1982), “Nën strehën e yjeve”, “Ditari i Zana Frangut”, “Rrugët nuk ndalen”, “Rruga e rrezeve”, “Shqiponja”, “Shtatë përralla”, “Vite të stuhishme”, “Besa e Konstandinit”, “Zogu i yjeve”, “Orët e pagjumësisë”, “Fundi i perandorisë së vogël”, “Me Zotin e tokës”, “Zog i këngës shqipe”, “Shkolla e natës”, “Drita e shpirtit të shenjtë”, etj.

Vitin e kaluar ky autor botoi edhe dy tituj të rinj poezish: “Në jugun e mallit tonë” (poemë për të rinj) dhe atë të soneteve, “Nën qiellin e tokës së ndarë”. Poema për të rinj, “Në jugun e mallit tonë” (botues “Meshari”, Prishtin, 2013), që është njëfarë udhëpërshkrimi poetik, do të mund t’i shkonte si moto thënia e një shkrimtari tonë të njohur: Njihe, duaje dhe ndërto atdheun!

Libri hapet me katrenën “Parafillimi” dhe përmbyllet me katrenën tjetër “Pasmabarimi”. Ndërmjet fillimit e mbarimit strukturën e poemës, përkatësisht të librit e përbëjnë dyzet njësi poetike. Këngëtimet e Veliut në formën tradicionale të vargimit (të shumtën në katrena të rimuara) bëhen për rrugën e kombit, për Liqenin e Fierzës, mirditasit, Vjosën, për Kaninën, Onufrin, për Fushën e Myzeqesë, për detin e Vlorës, Borshin, Durrësin, etj. Këto poezi i karakterizon narracioni, por edhe përshkrimet poetike për vende, ngjarje, personalitete e mbresa të tjera të subjektit lirik përgjatë një ekskursioni poetik nëpër vise e qytete të ndryshme të Shqipërisë. Krahas muzikalitetit që e mundëson metrika dhe rimariumi, poezitë shquhen edhe për qartësinë e pasimit të mesazhit poetik me qëllim që t’ia lehtësojë lexuesve të rinj komunikimin poetik me vargjet e librit dhe me porositë që përçojnë ato.

Ndërkaq, libri tjetër “Nën qiellin e tokës së ndarë” (botues “Meshari”, Prishtinë, 2013), është një përmbledhje sonetesh, një lloj tjetër i poezisë klasike, që shkruhet gjithnjë e më rrallë në letrat tona. Në fund të librit është dhënë edhe një kurorë sonetike me titull “Hija e Tomorrit”, ndërsa përmbyllja e saj me sonetin e fundit, në vend se Magjistrali nuk e di pse, gabimisht ka dalë Magjistari. Autori në krijimet poetike të këtij vëllimi këngëton për tema e motive të ndryshme, për situata e përjetime që vijnë si reflekse kohësh e moshash nga vendlindja (Veli Veliu është i lindur në fshatin Muhovc, të komunës së Bujanocit), për personalitete të ndryshme si ballkanologia Edvokia Kaslari, për malësoren, për gjyshin, Prizrenin etj. Më tej lexuesi do të gjejë vargje edhe për kujtimet nga Fakulteti Juridik, nga gjimnazi i Bujanocit, por edhe për një varg shqetësimesh të tjera që autori i shndërron në art poetik.



Në vëllimin poetik “Nën qiellin e tokës së ndarë”, poeti e jep mesazhin e tij në këtë mënyrë, si te vargjet: “Rruga e hapur, të vish, në çdo kohë, / Edhe vonë në mesnatë kur ka furtunë! / Jemi të një gjaku, më njeh e të njoh,/ Nesër mund të jesh ti, e ti të jesh unë” (soneti “Nën qiellin e tokës së ndarë”, fq. 44).
Meqë mund të konsiderohet se çdo autor i ka lexuesit e tij, Veli Veliu sikur do t’iu qëndrojë besnikë atyre, mbase duke e respektuar shijen dhe mundësinë e perceptimit të tij, shkruan kritiku Ragip Sylaj. Duke shkruar qëllimisht letërsi qëllimore, siç do të thoshte një studiues yni i letërsisë, ndoshta e ka edhe synimin tjetër ekstra letrar që nëpërmjet vargjeve mesazhi i tij të ketë ndikim sa më të madh ndër lexues.

Cikël poetik nga Veli Veliu

Image result for veli veliu

Veli Veliu u lind më 25 maj 1958 në fshatin Muhovc, komuna e Bujanocit. Shkollën fillore dhe të mesmen i ka kryer në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filozofik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Një vit punoi arsimtar i gjuhës shqipe në shkollën fillore „Migjeni” në vendlindje. Ndërmjet viteve 1985-2002, qe gazetar dhe redaktor në gazetën e përditshme “Rilindja”. Pastaj punoi në Bibliotekën Ndërkombëtare „Hivzi Sylejmani” dhe në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Nga viti 2009 është lektor në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ishte kryeredaktor i revistave për të rritur informative letrare “Mileniumi”, “Oaza”, “Margaritari” (për fëmijë), dhe tani kryeredaktor i revistës “Syri ynë”, në Prishtinë.
Shkruan për fëmijë e për të rritur: poezi, poema, tregime, romane, drama, ese dhe kritikë letrare. Për krijimtarinë e tij kanë shkruar kritikët: Prof. dr. Shyqri Galica, Ramadan Musliu, Abdullah Konushevci, Jakup Ceraja, Jonuz Fetahaj, prof. dr.Agim Deva, Ragip Sylaj, Selim Krasniqi, Baki Ymeri, Sylë Osmanaj, Riza Graiçevci dhe Naim Maqedonci, ndërsa, nga studiuesit e huaj: Monika Mureshan dhe Marias Qelaru, kritikë rumunë!
Veli Veliu jeton në Prishtinë dhe është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.


Veprat letrare:
“Zogj merrmëni me vete” poezi, për fëmijë,
“Nën strehën e yjeve”, poemë për të rinj,
“Ditari i Zana Frangut”, prozë në formë ditari,
“Rrugët nuk ndalen”, poezi për fëmijë, në botim të Shtëpisë Botuese “Rilindja”,
“Rruga e rrezeve”, poemë për të rinj,
“Shqiponja”, poezi për fëmijë,
“Shtatë përralla”, poezi për fëmijë,”
"Vite të stuhishme”, triptik - poetik,
“Besa e Konstandinit”, poezi për të rinj,
“Zogu i yjeve”, poemë për të rinj,
“Orët e pagjumësisë”, poezi për të rinj,
“Ama e Drinit të Bardhë”, poezi për të rinj,
”Fundi i perandorisë së vogël”, poezi satirike për të rritur,
“Me Zotin e tokës”, poezi për të rritur,
“Princi i këngës shqipe”, poemë për të rinj,
“1981” , (poemë për të rinj),
“Poema për Bujanocin”, për të rinj,
“Panteoni i Parnasit”, poezi për të rinj,
“Djepi i shqipes”, tregime për të rinj,
“Shpirti i dritës hyjnore”, përkthyer dhe botuar në gjuhën rumune,
“Sufletul Luminii Divine”.
“Vigan Epoke”, është poemë për të rinj kushtuar komandantit legjendar, Adem Jasharit,
“Në jugun e mallit tonë”, poemë për të rinj,
“Nën qiellin e tokës së ndarë”, sonete për të rritur,
“Katër kurora sonetike”, për fëmijë!
“Me buzëqeshjen e një Agimi”, tingëllima për të rritur.
“Shkolla e natës”, dramë për fëmijë
“Fatbardha”, dramë për fëmijë
“Dita e mësuesit”, dramë për fëmijë
“Bariu i vogël”, dramë për fëmijë
“Dryni i gojës”, dramë për fëmijë
“Lulja e lirisë”, dramë për fëmijë
“Maratoni”, dramë për fëmijë
“E bukura dhe shtatë mjeshtrit”, dramë për të rritur
“Xhaxhi Enver”, dramë për të rritur
“Frika nga ferri” dramë për të rritur
“Nata e tmerrit”, dramë për të rritur
“Në plazhin e madh të Ulqinit”, dramë për të rritur
”Koka e shtrenjtë e majorit”, roman për të rritur,
“Gruaja e drejtorit”, roman për të rritur dhe
“Miku i panjohur” roman për të rritur.


Poezi nga Veli veliu


MË E BUKURA

Të gjitha femrat
Janë të bukura!
Më e bukura e të bukurave
- E dashura ime!

Me pamjen e shëmtuar
Janë vetëm shtrigat,
Që i helmojnë gjithnjë
Shpirtrat e pafat!



DASHURIA

Përherë dëshirojmë të na befasojë me diçka,
Kur na qaset përmallshëm bota është e jona!
Fryma e saj e ngrohtë ndez zjarre të mëdha,
Thellë nëpër damarë, a mbyllet prore jehona!?

Nga udhët e gjata sa herë kthehemi të heshtur,
Diçka të panjohur në pritjen e re zbuluam!
Mes buzëve të etura trëndafili i posa çelur,
Dridhemi dhe vetëm qetësi të thellë du



HAKMARRJE E EGËR

Përtej tokës së heshtur
Deti i trazuar i fjalëve!
Palca e guri e ndezur
Nga goditjet e valëve!

Valët e hakmarrjes së egër
i hapin plagët më të thella!
Inati, që nga koha e vjetër,
Ta kujtojnë jetën në shpella!

Përtej vatrës së shuar
Mallkimi të ndjek pas!
Me dhëmbët e shtrënguar
Tepër i rreptë një vrasës!

Pushoi kënga vendçe,
Tingulli i fundit u shua!
Për zjarrin e një etje
Nuk mjafton një krua!



KATEDRALJA E PRISHTINËS

Fytyrat tona engjëllore të qeshura më në fund,
Ëndrra shekullore lëshon shtat për çdo ditë!
Në gjirin e tokës Nënë gërmohet gjithkund
mbi errësirën e mureve antike të hidhet dritë!

Me Nënën Terezë Kosova lulen e ballit lart,
Udhët e sheshet e lirisë mbushen me përmendore!
Gjergji i Gjon Kastriotit mbi kalë me shpatë,
Tokën e gjakut e lidhi me mbretërinë qiellore!

Me Katedralen Prishtina shumë më e bukur,
Shenjat e shenjta të gdhendura në lisa e në gurë,
Deri në kohën tonë janë ruajtur pa u zhdukur!
Nga dora e huaj s’ do të rrënohen më kurrë!



DRENUSHË E DRENICËS

Natë e ferrit, e lodhur i mbyll ngadalë sytë,
Unë u ula te koka jote -roje besnike drite!
Të ndiej si marrin frymë thellë mushkëritë,
Drenushë e Drenicës e përndjekur nëpër vite!



FAQEZIU

Grykës i pashpirt. I nxiste sherret,
Për së gjalli i hëngri të tjerët!
Prapa shpine gjithnjë foli,
Me ferra e mbyllte çdo shteg!
As vetvetja nuk i doli
Derisa e bëri dheun breg!

Në udhën e pikëllimit,
Skaj lagje së mjerimit
Një nga një u shpërndan natën
Të mërdhirë së ftohti!
Mbuloi balta baltën,
Asnjë pikë loti!



RINI E PLEQËRISË

Trotuarit duke ecur ngadalë,
M’ u shkurtuan këmbët, nisi vallëzimi!
Toka u dridh përnjëherë, vallë?
Rruga e madhe pa shenja shqetësimi!

Dridhja ndodhi brenda meje,
Në shpirt u shthur çerdhja e qetësisë!
Një shigjetë më goditi në heshtje
Në pragun rinor të pleqërisë!

Cikël poetik nga Farida Ramadani Zmijani

Image result for farida ramadani zmijani

Farida Ramadani (Zmijani) ka lindur dhe banon në Shkodër. Është diplomuar për mësuesi në degën Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Po ashtu është diplomuar edhe si “Ndërmjetëse dhe Parandaluese e Problemeve Sociale” nga Regione Emilia Romania. Ka punuar pranë Gjykatës së rrethit Shkodër, si ekspertë- psikologe për fëmijë ku ka marrë pjese në mbi 150 gjyqe.

Në moshe te re prej disa vitesh ka qenë basketbolliste ne ekipin e parë të Vllaznisë së Shkodrës. Ka shkruar një seri artikujsh me tematika të ndryshme në gazeta e revista lokale dhe ndërkombetare. Eshtë vleresuar me çmime të ndryshme për krijimtari në Shqipëri dhe jashtë vendit. Shkrimet e saja kanë qenë pjesë përbërëse në botimet e disa autorëve të tjerë jo vetëm në Shqipëri por dhe në diasporë. Ka marrë titullin “Ambasadore e Paqes”
Është anëtare e LNPSHA “PEGASI” ALBANIA dhe e Shoqates së Shkrimtarëve Shkodër
Jeton në Shkodër.


Botimet:

“Shumë mirënjohje, faleminderit Itali”- shqip & italisht
“Dhimbje nga prindërit e mi”
“Pikturoj në qiell”- me 100 poezi shqip & anglisht

Poetja nga Shkodra Farida Ramadani paraqet librin voluminoz "Shkodra në 12 yje"

Enciklopedi poetike në 5000 vargje. Një guide ku Bukuritë dhe Vlerat bëhen NJË me RELAKSIN
Perfshihen 12 njesite me te rendesishme dhe relaksuese te Shkodres ku tubimi i njerezve eshte shume i madh. Një libër shumë dimensional dhe i veçantë në llojin e vet, botimi i pare i ketij lloji.

Ka kulturë, histori, legjende, mjedise, traditë, çmime, kupa, kampionate, vleresime, trashëgimi, florë, faunë, aktivitete, manifestime, veprimtari, gola, trofe, brohoritje, entuziazëm, akomodim, turizem etj . Dokeni kënaqesinëtë ndiqni njera pas tjetrës vargjet shkurtimisht.

Dhe kush janë 12 yjet ?

1- Kalaja Rozafa,
2- Liqeni i Shkodrës,
3- Stadiumi Loro Boriçi Boriçi (vargje per 45 futbolliste ku trupi dhe mendja e tyre u shkri vetëm për Vllazninë),
4- Kompleksi Sportiv Zmijani,
 5- Pedonalja Kolë Idromeno,
6- Teatri Migjeni (vargje për 36 aktore, kengetare dhe humorist),
7- Muzeumi Oso Kuka,
 8- Grand Hotel Europa,
 9- Hotel Colosseo,
10- Bar Restorant Shqiponja,
11- Bar Restorant Iliria,
12- Kompleksi Dubai.

KALAJA ROZAFA

Kalaja Rozafa lavdi shekujsh mbretërorë,
Në majë të kodrës si një kurorë,
Emblema e qëndresës në këtë vend,
Madhështia e saj do t’ju lërë pa mend.

Në Shkodër në qytetin e madh verior,
Si një guackë ilirët fortesën krijojnë,
Zanafilla e hershme e qytetit të lashtë,
Histori, legjendë, luftra e fitore bashkë.

Bukuroshja e pafjetur shekullore,
Me Liqenin, Bunën e Drinin përdore,
Si miq lagin themelet e saj me ëmbëlsi,
Mbi shpatullat e tyre ngritur me hijeshi.

Harmonizim i shkëlqyer i natyrës,
Parajsën mjedisore e ke pranë fytyrës,
Sillesh ngado e kultivon panoramë,
Dhuratë e lindur nga natyra nanë.

Syri i çdo vizitori lëviz papushim,
Mbresa emocionesh me ajrin në ledhatim,
Përsillu po deshe në çdo anë,
Në çdo skaj e pranishme drita e saj.

Galeri e historisë 2 mijë e 400 vjeçare,
Përfshirë në sipërfaqen prej 9 hektare,
Pajisur me depo e kulla administrative,
Kisha e xhamia krahas shumë objekteve.

Kalaja me mure të fuqishme,
I bëri ballë disa rrethimeve,
Përrenj gjaku nga shumë luftëtarë,
Por gjithnjë shqiptarët dolën fitimtarë.

Si një gjigand kaleidoskop,
Ngjarjet përplas me njera-tjetrën,
Esat Pasha malazezëve ia dorëzon,
Hije e rëndë u bie mureve, lirinë e shtangon.

Kafshatë e armiqve mbetur në grykë,
Megjithëse të armatosur në Kala janë mbytë,
Nga forca dhe zgjuarsia e pasardhësve të ilirëve,
Që i thanë “këtu s’keni vend” armiqve.
Një konstruksion me hyrje e dalje sekrete,
Të mirëmenduara përveç hyrjes kryesore,
Përshkon një nga një kullat rrethore,
Përmendur dhe ato me formë katrore.

Dekoracion me harqe në majë lundre,
Formë e sperancave përshkuar në kulme,
Venecianët kanë dorë në veshjen e kullave,
I përkasin periudhës së luftës së Balshajve.

Muzeumi me plot njëqind mijë artefakte,
Nga qytetërimi i hershëm plot sende,
Piktura, gdhendje, kartolina e stema,
Secila prej tyre si vetë legjenda.

Pranë si shoqërues restoranti folkloristik,
Thërret syrin tënd kurioz e panoramik,
Me menynë e larmishme që të afron,
Shija e këndshme e ushqimeve të befason.

Histori e papërsëritshme në një legjendë,
Kureshtarët për këtë e kanë përmendë,
Kurioziteti në mendje do i ngulmojë,
Kërkon secili misterin ta zbulojë.

Historia në breza me vite u shtri,
S’ka fëmijë që legjendën nuk e di,
Trajtuar në shumë revista, reportazhe e libra,
Çdo shkodran thotë : - “Aty isha kur unë linda”.

Kështjella që nga tre vëllezër ditën lartohej,
Me shëmbje të pakuptueshme natën shoqërohej,
Ndërtuar me gurë ciklopikë e pa llaç,
Por që e pengonte ndërtimin një ngërç.

Muret kërkojnë një të shtenjtë fli,
Këshillon djemtë Orakulli Plak që kalon përbri,
I bindur në thënien e profecisë së tij,
Se muret e rrënuara lartësinë do arrijnë.

Do muroset nusja që nesër do të vijë,
E zeza, që sjell drekën t’ju servirë,
Besën mbajeni, asnjeri s’duhet të tregojë,
S’duhet të flisni për këtë sekret me gojë.
U muros Rozafa në murin e ftohtë,
Që muret e Kalasë të jenë të fortë,
Trupi i gruas në themele u ngurua,
Djali vitet kaloi, u rrit e u trimërua.

Kalaja gjeti forcën të mbahej në këmbë,
Qelizat e bukuroshes u shtrinë në çdo pëllëmbë,
Drini e Buna paqësisht vazhduan udhën,
Brez pas brezi legjendën transmetuan.

Kalaja pika më e preferuar e turistëve,
Shtohet numri i tyre periodikisht ndër vite,
Infrastrukturë e veçantë në stilin e vet,
Njerëzorja që me vizitorin qartë flet.

Preferenca e Kalasë Rozafa s´ndalon,
Merr ajrin e pastër që të ledhaton,
Pranë saj koha duket sikur ndalon,
Ka një dhunti efektesh që të befason.

Vizitorët ndjehen shumë nostalgjikë,
Vëzhgojnë kudo s´lënë asgjë t’ju ikë,
Si pikë turistike shumë e preferuar,
Për kuriozët e pasionantët e vlerësuar.

Pranverë e verë muret gumëzhijnë,
Thërrasim me t´madhe: “Turistë po vijnë!”
Me ty Shkodra shumë krenohet,
Vlerat tuaja gjithnjë lartohen.

Zërat fëminore si cicërima zogjsh,
Arrijnë deri në mes të qytetit të Shkodrës,
Ndjehet në çdo moshë lumturia e tyre,
Zbavitjen realizojnë me çdo lloj mënyre.

Pozojnë në të gjitha ambientet,
Renditur qëndrimin ku t’i teket,
Për disa të veçuara foto si kujtim,
Dëshmi e bukur konkrete për atë ditë.

Pëllumbat si krenarët e këtij vendi,
Kudo të silleni nëpër Kala i gjeni,
Shoqërojnë çdo ditë muzgun e varur,
Mëngjesi dhe perëndimi aty ndalur.
Nuset bukuroshe fotografohen,
Njera pas tjetrës ditëve rreshtohen,
Vellot e tyre të bardha dritërohen,
Pranë Kalasë Rozafa ato vlerësohen.

Çiftet sikur humbin dhe gjenden përsëri,
Mbartur me miken e tyre Lumturinë,
Kërkojnë intimitet në labirinthe,
I japin njeri-tjetrit të ëmblat puthje.

Vend i përshtatshëm për evenimente,
Videoklipe, koncerte apo manifeste,
Kostumet kombëtare plot kolor,
Ngjyrat e tyre buqeta lulesh krijojnë.

Pranë mureve që luftëra kanë përballuar,
Tashmë sytë e tyre janë të gëzuar,
Melodia e këngëve në vena u përcjell,
Hare, gëzim, zbavitje në çdo moshë sjell.

Spektakle fjalëshumë bukurie ndër vite,
Si mike me hijeshinë e brishtësinë e miseve,
Ardhur nga e gjithë bota pranë Rozafës,
Mishëruar me ide të favorshme fotografësh.

Miss-et nga gjithë bota në një Kala,
Rendin oborreve të Kalasë pa u ndalë,
Emocioni i tyre sikur s’ka frena
Futur në labirinthe nën bedena.

Vrapojnë, vrapojnë papushim,
Kënaqësia e tyre nuk ka ndalim,
Si lulebora mbushin Kalanë,
Dekorim të paparë mjediseve i krijojnë.

Shfaqje, koncerte të panumërta,
Organizuar në edicione të shumta,
Flakërojnë kostumet plot ngjyra,
Këngëtarëve e valltarëve u qesh fytyra.

Tërhequr nga shumë spektatorë,
Brohorasin suksesin e tyre në kor,
Prania ndërvepruese kalon kufijtë e kalasë,
Bëhen njësh me qiellin bashkë.
Muzika në sfond që përshkon muret,
Liqeni i Shkodrës i shoqëron me valët,
Vallëzojnë sëbashku, ndjekin këngën,
Dritërojnë yjet e panumërta me hënën.

Shkrimtarë, poetë dhe artistë,
Si aktorë krijues të fantazisë,
Emocioni i hënës që ndrin mbi liqen,
Syrit të saj mbresa të fuqishme i ka lënë.

Kalaja Rozafa shumë mikpritëse,
Mijëra vizitorëve i rezervoi ndër vite,
Ka pritur dhe do të presë në ato mure,
Si thesar i pamposhtur, monument kulture.

E papërsëritëshme në llojin e saj,
Hijerëndë por krenare qëndron,
E pranishme qëkur Shkodra u krijua,
Simbol i lashtësisë mbretëruar.

Zotat Kalasë Rozafa i kanë falur përjetësi,
Gjejnë vend pushimi në çdo stinë,
Bukuroshja jonë e shekujve të folura,
E njohur, e vlerësuar tashmë nga gjithë bota.



EMRI YT

Sa herë dëshiroj të shkruaj një emër,
Shkronja yte vjen e para,
Dua ta largoj, por nuk di se si…?!
Sepse çdo fjalë fillon nga Ti.

Mundohem e mundohem...
Ndiej sytë, më tërbohen,
Sapo filloj sërish të shkruaj,
Shkronjat me emrin tënd luajnë.

Largoj fletën, marr një tjetër,
Përsëri ngjason e njëjta letër…
Kaq fort emri yt qenka ngulitur,
S’largohet prej letrës, dhe duke i bërtitur!

E detyruar fort i thërras,
Si e llastuar shprehet në gaz,
Nga e zhubrosur, letra drejtohet,
Të njëjtat shkronja, papritur, sistemohen!

Buzëgaz unë i mbledh,
Emrin tënd përsëri përcjell.
Hyj në kuptim, kërkojnë me zemër:
Këmbëngulës sytë të njëjtin emër!



SHKRUAJME ME NDJENJA

Sa më shumë të lexosh,
aq më shumë do të ndjesh.
Impulsi i ngrohtë,
prej thellësisë çel.
Por librin,
s’do të lë ta mbarosh,
se do të “mbërthej keqas”,
këtë vetë do e kuptosh.

Eh, të lexuar me ndjenja!
Librin me këtë stil
e çojmë në fund,
ashtu të dy në tundim,
prologojmë te bukurën lojë,
tërë gazmim...



PËRSËRI KTHEHEM

Përse, kur më prek,
zemra “thumbon” fort?
Ashtu rënë në naivitet,
s’normalizohet dot ?

Lëshuar, si një vegim,
në robim për një çast,
Ndjek emocionin tim,
në të gjithë trupin “plas”.

Si një ndjenjë e ngrirë,
si një lojë e vështirë,
Asqë e përfill ndryshimin,
refuzon kalkulimin...

Merre shpirtin tim,
vishe...
E ndiej thellë në deje...
Por, e di, s’të bën dot...
Do të hidhet në sulm
zhgënjimi,
S’qenka numri yt!...

Lodhesh në kotësi...
Ah, sa keq ndihet,
kjo fjalëzë “Lumturi”,
Përmblidhet në pak fjalë
dhe kur s’ndihet mirë,
Për pak, fare pak rri...



MË KE LAKMI

Kur flas,
Ti je aty.
Kur lexoj,
përbri të kam.
Kur nis këngën ,
këndojmë të dy.
Kur bëlbëzoj,
duke bëlbëzuar
dhe Ti “rri”...
Po kur bërtas,
përse bërtet dhe Ti?!
E kuptoj,
më ke lakmi.
Të padit,
ndriçimi në sy.



ZËRI YT

Si nga një orkestër fantastike,
tingujt tuaj vijnë,
shtyjnë njëri – tjetrin...
arrijnë shpejtësinë ...,
Vërshojnë me ton të lartë
tek unë, në çdo qelizë,
sa maja e maleve të shpirtit,
ngelen në çudirë...

Herë i ndjej lehtë,
nën lëkurë më prekin totalisht.
Tashmë e mësuar
në këtë rrekëtim ...

Eh, kështu më ke formuar!
Simfoni plot melankoli...
Ndjenjë e dashuruar....
Spirancë e ankoruar
në shpirtin tim.

Vargje melodish derdhur...
Lloj, lloj ndjenjash përdredhur,
Vallëzojnë me violinë,
ashtu të freskëta rrinë ....



LEGJENDA E REVE

Vështrova qiellin,
veçova retë,
Si ngjasonin:
ngjeshur fletë – fletë...
Përqëndrova sytë
atje lart, lart,
Aty ku ndjenjëhapur
më latë...

Shikoja Universin
e pafund,
sy mekur...,
sikundër në “gjumë”.
Eh, reja më dukej
aq origjinale,
Panoramë e “trishtë”
në detaje!...

Vështroj,
një karrocë me dre.
Një vashë,
po e nget nxitimas.
Asqë mendon
t’i vëjë fre.
Figuracioni i reve
prin buçimas...

Mendja e saj
vazhdoi të soditë,
por asgjë,
s’po kishte kuptim,
s´donte ,
aspak të priste:
Përqafimin
me lumturinë!

S’e ndieu
Dëshpërimin.
Papritur,
karrocën ndali,
zbriti, si shtojzovalle,
zbriti,
me tonin e zbritjes:
hopa, hopa...
Rimblodhi retë
ngadalë, e lehtë - lehtë...

Magjepsur
prej bukurisë,
retë u aktivizuan
vezulluese,
nisën të gjitha
menjëherë,
në rol të damës,
në pistën vallëzuese ...

Ashtu të lehta
çliruar nga emocioni
s’lanë asnjë re,
jashtë pistës,
Shoqëruan
vashën e bukur
të pikëtakonte,
djalin e dritës ...

Duartrokitën retë,
tërë dashuri.
Me kënaqësi
shijuan skenën.
Para syve,
u shfaq një çudi .
Për një moment
heshtën....
në bëlbëzim ...

Ylberët lëshuan
tërësisht ngjyrat,
t’ju ndriçonin
“princeshave”
gjithë fytyrat ,
U shndërruan
në të bukura...

Rifilluan
me figura të reja...
Thurja e tyre
më me ëndërr,
më me finesë,
Dashuria
shpaloste sekuencat ,
si legjendë,
mbetur,
si një film i pambaruar
në të shfaqur,
plot fantazi në qiell...



ME QIELLIN KATËR

Nga larg
dëgjova zërin tënd,
kur një pupël
po vështroja ...
Fillova të fryj,
për ta mbajtur lart.
Sa më shikove,
erdhe me vrap...

Frymëruam së bashku të dy,
buzëqeshëm,
deri në marrëzi.
Ajo valëvitej,
lodronte me ne...
Përcillnim frymën, pa fre,
Kështu u bëmë tre!...

Qielli u mahnit,
me marrëzinë tonë,
Të katërt në melankoli,
qëndruam deri vonë.



KTHEJ MOMENTIN E HUMBUR

Buzët e lodhura lëndojnë,
Duan të fshijnë me gomë,
në gjumë dhe në meditim,
fjalën: “Shpirti im”...

Ndjenjat e bukura,
me të shëmtuarat,
përsëri rrinë bashkë,
herë futen brenda,
herë rrinë jashtë...

Ashtu..., e shpirti të fal.
A thua s´kupton?
Siç duket ke diçka,
që te ti ”rrezaton”.

Shijon buzëqeshjen,
Ëndrrat mbetën “pa u lyer”,
Të pashkruara në qiell,
si një tekst i pakryer.

Retë s’zunë vend,
me ritëm shkriftohen,
grinden,
përsëri ribashkohen...
Tashmë me gjithë mend,
të më lësh përsëri,
mua fare pa mend...

Nxitimthi marr guxim,
të jem përsëri e lumtur,
Ta kthej në magjik,
momentin e humbur.



TË KËRKOJ

Nuk dua lumturia,
të jetë ai çast,
i zgjatur aq pak...
Kërkoj, edhe nëse humbas,
në frymën tënde të trokas,
të më shohësh drejt sytë,
të më thuash i çlirët:
“Jam miku yt!”

Hasan Hasani: „Ulërima“, roman, „Rilindja“ - Prishtinë.

Nga  Haxhi Muhaxheri

VEPRIMI KOLEKTIV I PERSONAZHEVE




Në romanin „Ulërima“ të autorit Hasan Hasani, dëshmohet përvoja krijuese, shija artistike, dhe ligjërimore, shkathtësia e zotrimit në konceptin e shprehjes së thellë filozofike në përdorimin e formave të reja më të zhdervjellta në ndërtimin thelbësor të veprës, përmbajtjen e saj ideoartistike, skalitjen e karaktereve të personazheve, pjekurine e mjeteve shprehëse e artistike dhe përsosshmërinë e mëtejme të gjuhës së tij artistike. Njëkohësisht, na shfaqet edhe një formë e re në shtjellimin e ngjarjeve në nivelin e kënaqshëm e artistik të temave të trajtuara më parë, ç’gjë i kontribuon dukshëm edhe romanit tonë në përgjithësi, i cili po pasurohet me qasje të reja formësore të akrtit krijues dhe me reflekse të rëndësishme përmbajtësore e stilistike.

Tematika e këtij romani është pathyeshmjëria shpirtërore e materiale e popullit tonë gjatë sundimit 500-vjeçar otoman. Ngjarjen e këtij romani autori e ndërton pëmes ndodhive, fakteve dhe fytyrave dhe toponimeve imagjiare mjaft të qëlluara. Ulërima është fshati i Malësisë së Veriut në të cilin është vendosur dhe zhvillohet ngjarja apo kryengjarja e romanit.

Ajo që vlen për t’u veçuar në këtë roman është fakti se nuk kemi kryepërsonazh si ndodh në shumicën e rasteve, por personazhet ndërrohen kohë pas kohe me njëri-tjetrin, varësisht nga situatat konfliktet dhe tabllot impresive që na janë dhënë. Për këtë arsye krijohet bindja se kryepersonazh i këtij romani është kolektiviteti veprues.

Kësisoj, ndërrimi i shpeshtë i personazheve kontribon që romani të lexohet me një frymë dhe përkushtim, sepse me ndërrimin e tyre, ndërrohet edhe forma e veprimit dhe e ndërtimit kompozicional të tabllove sipas natyrës së vetshprehjës së heronjve. Edhe në traditën tonë letrare është dëshmuar se zhvillimi i ngjarjeve sipas veprimit kolektiv, (pa kryepersonazh që shfaqet në gjithë veprën duke krijuar monotoni) është më i avancuar për nga arritshmëria realizuese e konceprit ideoartistik. Kjo duket të jetë edhe arsyeja që në këtë roman autori Hasan Hasani i shmanget paraqitjës së personazheve të mëdha, duke na dhënë një pasqyrë më reale në pëtëritjen e tyre dhe, në këtë mënyrë, çdo personazh i ri që na shfaqet i kontribuon ngjarjës së romanit dhe e dëshmon dukëm përsonafikimin e vet para lexuesit.

Personazhet më te spikatura janë padyshim Dile Përkolaj, e cila na paraqitet në tre-katër kapituj të romanit dhe me shpirtin e madh të saj, qëndresën dhe mosthyerjen morale e shpirtërore edhe në çastet më të vështira dhe tragjike kur fshati mbetet pa meshkuj, vetëm me fëmijë dhe gra. Ajo përkundër kësaj asnjëherë nuk e humb vetdijen pëballë së keqës, por këshillon dhe udhëzon gratë e Ulërimës dhe me ndihmën e banorëve të fshatrave të tjera të Malësisë së Gjakovës, ia arrinë qëllimit për t’i përballuar rrezikut më të madh, përhapjes së ndonjë epidemie nga shkaku i vikrimave të pavarrosura. Njëherit, edhe Mirushe Mulaj si personazhe e ketij romani e dëshmon mjaft mirë përsonafikimin e vet, e cila për të mbrojtur nderin lufton si luaneshë fyta-fyt me ushtaret e çartur otoman.

Sëkendejmi, në funksion të realizimit të romanit „Ulërima“ të autorit Hasan Hasani janë edhe gjuha e pasur shprehëse, stili i qartë organik, percemtimi metaforik, përdorimi i frazeologjizmave, urtive popullore etj. Kjo kontribuon jo vetëm në forcimin e saktësisë shprehëse, por ndikon drejtperdrejt edhe në karakterizimin e personazheve. Andaj, më të drejt mund të themi se autori i këtij romani ia ka arritur qëllimit për ta realizuar dhe paraqitur me sukses idenë dhe porosinë qendrore të veprës. Edhe pse është romani i parë, „Ulërima“ është njëra ndër veprat më të mira të tij.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...