2019-01-20

‘Receta për të vdekurit’: Farmacitë e lidhura me ish-drejtues të Fondit nën akuzë për mashtrim


Një rrjet farmacish të lidhura me ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë vënë nën akuzë për mashtrim me rimbursimet përmes recetave të falsifikuara në emër të personave të vdekur ose atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Prokuroria e Tiranës njoftoi të premten se pjesë e skemës së dyshuar të mashtrimit janë farmacitë “Bioplus” dhe “Medigreen” në pronësinë e Gazmend Aliajt si dhe farmacia “Geni&Lori” në pronësinë e Loranda Skurës.

Prokuroria e Tiranës njoftoi gjithashtu se kishte lëshuar urdhër-arreste për Petrit Skurën dhe Gazmend Aliajn. Megjithatë, urdhër-arrestet nuk janë ekzekutuar ende pasi asnjëri prej tyre nuk është gjetur në vendbanesë nga policia.

Procedimi penal për skemën e mashtrimit me ilaçet e rimbursueshme u regjistrua në qershor 2018 me akuzën e “shpërndorimit të detyrës”. Prokurori Ervin Karanxha tha se policia e Tiranës kishte bërë një referim të dytë në Prokurori, pas publikimit të një investigimi të BIRN në nëntor 2018, që ekspozonte një rrjet farmacish në pronësi të familjarëve të drejtuesve të Fondit, të cilat kishin përfituar shuma marramendëse rimbursimi përgjatë 10 viteve të fundit. [Lexo investigimin e plotë]

“Nga hetimet e kryera na ka rezultuar se farmacitë e mësipërme kanë lëshuar receta dhe kanë përfituar rimbursime në emër të personave të vdekur apo të personave që jetojnë jashtë Shqipërisë,” tha Karanxha për BIRN. “Pjesë e këtij procedimi janë edhe persona të tjerë, të cilët po hetohen në gjendje të lirë,” shtoi prokurori.

BIRN mësoi se vetëm për një periudhë 5-mujore, farmacitë e mësipërme kanë rimbursuar receta për rreth 400 persona në kundërshtim me ligjin, ndërkohë që vlera e rimbursimit për çdo recetë varionte deri në 30 mijë lekë.

“…Janë pajisur me recetë në mënyrë te përsëritur nga 2 deri në 5 herë shtetas të cilët kanë qenë të vdekur. Konkretisht rezulton se ndodhen 79 receta të rimbursuara dhe 35 shtetas/ pacientë, të cilët janë pajisur me ilaçe disa herë, ndonëse këta persona rezultojnë të vdekur në regjistrin e gjendjes civile,” tha Prokuroria. Verifikime janë kryer edhe përmes sistemit TIMS, të cilat kanë zbuluar se receta fiktive janë lëshuar edhe në emër të personave që nuk jetojnë në Shqipëri.

Në një investigim të botuar në nëntor 2018, BIRN zbuloi se një rrjet farmacish të hetuara më parë për mashtrim me subvencionet dhe në pronësi të familjarëve të ish-drejtuesve të Fondit kryesonin listën e rimbursimeve të ilaçeve në dhjetë vitet e fundit, duke ngritur dyshime për favorizim dhe konflikt interesi. Farmacitë “Bioplus”,”Medigreen” dhe “Geni& Lori” janë pjesë e këtij rrjeti farmacish.



Petrit Skura është babai i ish-nëndrejtorit të FDSKSH, Sokol Skura, ndërsa Gazmend Aliaj është kunati i drejtorit të Politikave në Fond, Aleksandër Haxhi. Përpara se të bëheshin pronarë farmacish, Sokol Skura dhe Gazmend Aliaj kanë punuar si kontrollorë në drejtorinë e Fondit për Tiranën.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se nga viti 2010 deri në prill të vitit 2018, FSDKSH shpenzoi 48.8 miliardë lekë [390.8 milionë euro] për rimbursimin e ilaçeve, fond nga i cili përfituan rreth 850 subjekte farmaceutike. Nga kjo listë, një grup prej 24 subjektesh, që përbëjnë 2.8 % të farmacive me kontratë në vend kanë përfituar 9.4 % të fondit ose 36.6 milionë euro nga viti 2010 deri në prill 2018.

Lista e subjekteve përfituese udhëhiqej nga një grusht farmacish të lidhura me drejtorin e politikave në Fond, Aleksandër Haxhi dhe kunatin e tij Gazmend Aliaj, si dhe ish- nëndrejtorin e FSDKSH-së, Sokol Skura.

Gjatë dekadës së fundit, bashkëshortët Aliaj nëpërmjet farmacive Nikol 1, Nikol 2, Nikol 2 –IRA, Bio Plus dhe Medigreen kanë qenë farmacistët me rekordin më të lartë të rimbursimeve, duke arkëtuar 974 milionë lekë [7.75 milionë euro] nga FSDKSH.

Farmacitë e lidhura me ish- nëndrejtorin e fondit, Sokol Skura renditen në vend të dytë. Përveç farmacisë Geni&Lori, që është në pronësi të kunatës së tij, Loranda Skura, Sokol Skura ka në pronësi farmacitë Coli’s dhe Eurofam2. Në total gjatë 8 viteve të fundit, tre farmacitë në pronësi të familjes Skura – Geni&Lori, Eurofam2 dhe Coli’s kanë përfituar 765 milionë [6 milionë euro] lekë rimbursime nga FSDKSH.

Në një intervistë për BIRN në nëntor 2018, Sokol Skura ia dedikoi suksesin e farmacive të tij përkushtimit në punë, ndërsa Gazmend Aliaj nuk iu përgjigj një kërkese për intervistë.

“Të ardhurat relativisht te mira të dy farmacive të mia justifikohen nga furnizimi i mirë me barna, për të cilat unë tatohem dhe jap të gjitha të dhënat çdo muaj pranë institucioneve përkatëse,” tha Skura. “Jam hetuar nga ILDKPKI, nga hetimi tatimor, nga Fondi kam pasur një kontroll të plotë dhe kam dalë i pastër,” tha ai.

Akademik Prof.dr.Artan Fuga: Sistemi universitar po falimenton



Qenka mërzitur dikush që paska rënë numri i studentëve që dëshirojnë të regjistrohen ne universitete.

Sa ka rene mo 7 për qind?

Pak ka rënë o shoku pak!

Sigurisht, u ikin klientët qe disa universitete i rrjepin duke u dhënë nga një letër pa vlerë që e quajnë diplomë.

Pse tani u kujtuat?

Po ne kemi vite qe bërtasim që sistemi universitar po falimenton. E falimentoi mendja e disave si Ariani, Adhurimi, Aguridhi, Aleksandri, Ardiani, Arbeni, Alma, Andrea, Aliu, e ku di unë kush. Se një dite disa do të japin llogari për krimin kulturor për hir të interesave të xhepit të tyre. Ndërkohë në listën e zezë të kombit janë regjistruar.

Te ne në fakt sistemi punon vetëm për 10 për qind të studentëve, të tjerët i mashtron.

Sistem i mbështetur në mashtrimin.

Unë e vërtetoj përpara çdo gjykate ushtarake po të doni.

Pas disa vitesh, po qe se vazhdon kështu, nuk do të ketë më studentë fare.

Japin mësim dhe drejtojnë në mjaft vende profesorë pa diplomë e certifikim në dijet që transmetojnë.

Doktorë me lopatë.

Do të përfundojë formimi me abetaren dhe tabelën e shumëzimit.

Reshat Kripa: “Në gjurmët e një romani të pabotuar”


8 dhjetor 1990
Dhjetor 1990. Atë ditë çifti sapo kishte zbritur nga treni në kryeqytet. Blerina
kishte një seminar mbi problemet e shkollës. Natyrisht edhe Arbëri nuk mund ta linte vetëm. Po ecnin drejt qendrës ku ndodhej salla në të cilën do të zhvillohej seminari. Një lëvizje e pazakontë filloi në rrugë. Shiheshin të rinj dhe të reja, burra dhe gra që vraponin për diku. Arbëri dhe Blerina u shtangën. Për ku vraponin vallë? Ndaluan një djalosh që po ecte pranë tyre dhe e pyetën.
-Tek qyteti studenti, u përgjigj ai. – Filloi!
-Çfarë filloi?
Djaloshi nuk u përgjigj. Kishte fluturuar. Instiktivisht edhe ata u nisën drejt vendit të treguar nga djaloshi. E harruan fare seminarin. Sa më tepër i afroheshin aq më tepër shtohej turma që nxitonte për të mbërritur. Dëgjoheshin thirrjet entuziaste që gjëmonin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”
-A thua erdhi me të vërtetë dita jonë? – Pyeti veten Arbëri.
Blerina e dëgjoi dhe pyeti:
-Çfarë thatë?
-I dëgjon? Janë ditët e përmbysjes së madhe.
Më në fund arritën. Sheshi ishte mbushur plot e përplotë me njerëz që thërrisnin dhe brohorisnin. Së fundi në tribunën e ngritur me këtë rast hipi një nga studentët e universitetit të kryeqytetit. Ai filloi të fliste. Thelbi i fjalimit të tij ishte një ultimatum drejtuar qeverisë për pluralizëm politik, për ta bërë edhe Shqipërinë si gjithë Europa. Fjalët e tij mezi dëgjoheshin nga brohoritjet e shumta që nuk kishin të sosur. Në përfundim të fjalës së tij ai theksoi:
-Ne jemi për sistemin shumë partiak dhe do të qëndrojmë deri në fitoren tonë për këtë sistem. Liri, demokraci!
Dhe turma oshëtiu: “Liri, demokraci! Liri, demokraci!” Oratorët nuk kishin të sosur. Midis tyre kishte edhe disa që Arbëri i kishte parë duke dhënë kohët e fundit intervista në median televizive “Zëri i Amerikës”, të cilën ai e dëgjonte për çdo ditë. Një pjesë prej tyre kishin qenë funksionarë të lartë. Një pjesë tjetër, bij funksionarësh. Kjo gjë sikur i shkaktonte një ngërç. Këtë ia shprehu Blerinës. Ajo e vështroi drejt e në sy dhe i tha:
– Kushdo ka të drejtë të hedhë poshtë të keqen që ka patur përbrenda dhe të fillojë një
jetë të re.
-Më fal, – iu përgjigj ai, – ke të drejtë.
Në podium u ngjit një burrë me një mjekër të vogël dhe musteqe. Çuditërisht Arbërit iu duk si një fytyrë e njohur.
-A e njeh? – E pyeti Blerina.
-Më duket fytyrë e njohur por nuk arrij ta identifikoj.
-Është Ibrahimi.
-Ibrahimi? Paska lënë musteqe dhe mjekër?
-Po.
Ndërkaq ai kishte filluar të fliste: “Të nderuar studentë dhe qytetarë të kryeqytetit! Më lejoni t’ju përshëndes në emër të të gjithë të përndjekurve politikë të Shqipërisë, të atyre që sakrifikuan edhe jetën e tyre për këtë ditë të shenjtë. Ne jemi në krahun tuaj, ne jemi me ju!” Dhe vijoi të ligjëronte e të ligjëronte.
-O Zot! – pëshpëriti Arbëri – çfarë po më shohin sytë?
Blerina nuk foli. E la në botën e tij, në ëndrrat e tij. Oratorët vazhdonin të ndërroheshin. Një burrë e mori fjalën. Filloi të fliste me një gjuhë që e rrëmbeu të gjithë turmën. Sa më tepër ligjëronte, aq më tepër turma ekzaltohej.
-Kush është ky? – Pyeti Arbëri. Blerina heshti. Arbëri ktheu kryet nga ajo dhe po e vështronte.
-A e njeh? – pyeti.
-Është kushëriri im, djali i Resulit. Djali i Resulit? Ka mbaruar shkencat politike. Ka zëvendësuar të atin që ka dalë në pension.
Arbëri zuri kokën me të dy duart. Sytë iu errën. Nuk fliste dot. Papritmas u ndie një zë:
-Arbër!
Ktheu kryet. Para tij qëndronte doktor Istrefi. U përqafuan. Arbëri e prezantoi me Blerinën.
-Bashkëshortja ime,- dhe duke u kthye nga ai azhdoi: – Doktor Istrefi, një nga shpëtimtarët e shumë jetëve në burg.
-Arbëri nuk iu lëshonte nga goja, – tha Blerina duke i dhënë dorën.
-Mos harroni edhe qëndrimin tuaj dinjitoz, e nderuar! – Iu përgjigj ai.
-Ejani të ikim, – ndërhyri Arbëri.
U nisën. Kur mbërritën tek sheshi kryesor i kryeqytetit Arbëri i shtriu dorën doktorit dhe i tha:
-Mirë u takofshim i dashur! Sonte nuk keni ku shkoni, – u përgjigj doktori. – jeni të ftuar tek unë për darkë.
Ndërkaq po afronte mbrëmja. Arbëri u mundua të justifikohej gjoja me një punë që e priste në qytetin e tij dhe duhej të ikte patjetër, ndaj duhej të nxitonin të kapnin trenin e fundit. Por këmbëngulja e doktorit e detyroi të pranonte. Familja e doktorit përbëhej nga e shoqja dhe djali me bashkëshorten dhe një vajzë tre vjeçare. Kur e kishin arrestuar doktorin kishte dy vjet që ishte martuar dhe e shoqja sapo kishte lindur. Kështu që djali, sikurse dhe Arbëri, u rrit vetëm nën kujdesin e nënës dhe pa prezencën e të atit. Megjithatë edukata dhe morali nuk i munguan. Ato i ishin ngulitur në shpirt nga e ëma që sakrifikoi gjithshka për të. Mbaroi gjimnazin por rruga për më lart ishte e mbyllur. Pasi u lirua i ati, u martua me një vajzë që punonte në ndërrmarjen e tij, me të cilën u dashuruan. Si rezultat i martesës u lindi vajza që u bë gëzimi i shtëpisë,
-Grua, – foli doktori sapo hynë në shtëpi, – na përgatit një darkë të mirë por, më parë, sillna shishen e rakisë dhe gotat pasi ne meshkujt do e kthejmë nga një gotë.
Bisedat nuk kishin të mbaruar. Kujtonin kohën e tmerrshme që kishin kaluar në errësirën e burgjeve apo tmerret e kampeve. Kujtonin shumë nga miqtë e përbashkët që i kishin mbyllur sytë larg të afërmve të tyre dhe që nuk kishin një varr ku të derdheshin dy pika lot. Por biseduan edhe për ditët e sotme dhe për lëvizjen e madhe që kishte shpërthyer. Flisnin për lëvizjen por edhe për protagonistët e saj. Kishte midis tyre shumë personalitete të shquara të vendit që ia vlente t’i ndiqje, por kishte edhe sharlatanë të politikës që nuk kishin lënë të zezë pa bërë dhe tani dilnin si ithtarë të lirisë dhe demokracisë.
-A e dëgjove djalin e Resulit, – filloi Arbëri, – ka zëvendësuar të atin, drejtor në
drejtorinë e sigurimit në Ministrinë e Punëve të brendshme dhe sot ligjëron për liri dhe demokraci. Nga kush e kërkon? Mos vallë nga vetja e tij? A thua ka harruar se ati i tij ka torturuar qindra njerëz, një prej të cilëve kam qenë edhe unë?
-Qetësohu Arbër, – foli doktori. – Koha do t’i eliminojë ferrat që mbijnë rrugës.
-Po Ibrahimin e dëgjove, – vazhdoi Arbëri. – pa le, na fliste edhe në emër të të përndjekurve politikë. Kujt të përndjekur? Mos vallë të atyre që i spiunoi dhe i futi në burg?
-Dale të hapim televizorin se erdhi ora e revistës televizive, – tha doktori duke dashur të ndërrojë bisedën.
Spikerja e televizionit po fliste për një takim që udhëheqësi i partisë dhe i shtetit kishte organizuar me drejtuesit e protestës. Në atë çast fjalën e kishte studenti që hapi manifestimin. Ishte një djalë trim. Pa ia bërë syri tërr po ia përplaste në fytyrë udheheqësit. Ai mundohej me një dhelpëri të ulte tonet e bisedës, por ishte e kotë. Midis të pranishmëve dalluan edhe figurat e Ibrahimit dhe djalit të Resulit. Atë mbrëmje ndenjën duke biseduar deri në mesnatë.

Fragment nga romani “Ikje prej vetes” të autorit Kristaq Turtulli






– Zoti është zot dhe bisedon me ty në çdo kohë, – më tha Minai.

Se kuptova ç’donte të thoshte me ato fjalë. E vështrova me vëmendje, por ai bëri përpara dhe unë i pashë vetëm shpinën e kërrusur…

Filloi të binte shi, tërhoqa këmbët pas me rrëmbim për të mos mu lagur. Minai qëndronte i plogët, shpatull mbledhur nën rrebesh. Nuk guxoja t’i thosha, hyr nën strehë, ndoshta nuk lagej. Ai ngriti kryet qetësisht lart dhe vështroi qiellin e errët ku prej nga binin rrëmbyeshëm litarët e shiut. Pa e kuptuar mu krijua përshtypja sikur të dy ishim të lidhur pazgjidhshmërisht pas tyre, sepse qullja tërësore nuk po më ndahej përgjatë shtegtimit tim të çakërdisur nëpër rrugicat e ngushta të qytetit. Stërkalat e ujit ishin të mëdha dhe unë ngjesha shpinën pas murit. Rrëketë turreshin me nxitim drejt qendrës së qytetit, sikur atje ndodhte përmbytja e madhe.

Befas mu duk sikur binin me potere gurë prej qiellit dhe llamarina e strehës kërciste me lebeti, pastaj binin përdhe duke kërcyer dhe kërcënuar për ndonjë lëndim. Ishin kokrra breshëri të madhësive dhe formave të ndryshme. Minai u përkul, përtheu gjunjët, qëndroi galiç mes breshërisë së tërbuar të breshrit. Doja t’i thërrisja, të lëvizte prej vendit, të hynte nën strehë, por gjuha më ishte lidhur. Toka dhe qielli gjëmonin. Ai u ngrit me plogështi, hyri ngadalë nën strehë dhe vështroi i murrëtyer betejën e hapur të natyrës.

– Sa herë bie breshër, mua dhe tim ati na dridhen kockat, – foli ultas Minai.

E vështrova si t’i thosha, kush nuk është ai njeri që të mos ngjethet prej frikës, rrëmetit dhe ftohtësisë së breshrit, por shikimi i Minait ishte i ftohtë akull më keq se breshri.

– Rrapëllima e breshrit më kujton thyerjen e pllakave të gramafonit të babait, – foli i menduar dhe shtoi: – Të kam folur për babanë, ka qenë këngëtar i njohur.

– Më ke thënë.

– Si kjo kohë dhe kjo natë shtëpia jonë tundej, shkundej prej rrufeve, rrëmetit e breshrit. Prindërit më morën në mes, mos trembesha. Befas dëgjuam trokitjet e forta në derë. Prindërit nuk lëvizën prej shtratit, kujtuan se ishte rrëmeti i kohës së keqe dhe breshrit. Më pas dëgjuam derën që shtyhej me forcë dhe shkallmimin e saj. Oshtiu gjithë shtëpia. Prindërit vështruan njëri tjetrin të pataksuar, çfarë ka bërë vaki, lëviz njeriu në këtë batërdi! thanë me sy. U ngritën të llahtarisur me rrobat e natës. Atëherë isha i vogël. Babai më këshilloi të qëndroja në shtroje, të mos lëvizja. Dritë elektrike nuk kish, për shkak të motit. Ai ndezi llambadarin. Errësira pritej në mijëra pjesë e mua më hynë të dridhurat. I ankthuar ndoqa dritën e zbehtë të llambadarit dhe zbrita pas hapave të prindërve. Tre veta hynë brenda, ata ishin me pardesy të zeza, kapuça në kokë dhe përplasën këmbët me forcë në korridor, më shumë për të na futur frikën sesa për të shkundur lagështirën. Shkundën me zhurmë e pardesytë dhe hoqën kapuçat. Korridori u bë pellg. Ata kishin vështrime të rënda dhe në brez u vareshin koburet. Vonë e mora vesh që ata ishin punonjësit e sigurimit të shtetit.

Babai ngriti llampadarin mbi krye:

‘Çfarë ka bërë vaki o njerëz të mirë,’ mërmëriti i pataksuar:‘Familja jonë s’është marrë me politikë, por vetëm me muzikë.’

‘Prej këtu fillon gjithë e keqja, – ia priti njëri prej tyre. Ai kishte vetulla të trasha, pardesyja i qëndronte si thes mbi trupin e dobët dhe lëvizte nëpër dhomë si pilivesë. Zë ngjirur shtoi: ‘Ju urdhëroj të qëndroni pas murit dhe mos bëni as gëk, as mëk.’

Ne u ngjeshëm të nemitur pas murit të ftohtë të korridorit. Ata nisën me ngut kontrollin e shtëpisë. Ne vështronim të çakërdisur, zemërngrirë veprimet e tyre. Unë u kalamenda prej frikës, mamaja më tërhoqi pas vetes, dridhej e tëra si purtekë. Ata u shpërndanë në tre drejtime të ndryshme të shtëpisë dhe filluan kontrollin. U bë katrahurë e madhe, përmbys, shqyej, shkatërro. Pas një copë herë parakaluan përpara syve tanë të ngarkuar me pllaka gramafoni dhe i flakën në mes të korridorit.

‘Merreni të gjitha, vetëm pllakat e gramafonit, jo,’ u lut babai.

‘Ore gdhe, ne për këto erdhëm,’ hungëriti burri vetulltrashë që ecte si pilivesë.

‘Oh, ju lutem, janë pllakat e mia, këngët e mia, jeta ime,’ mërmëriti zë dredhur babai.

Pilivesa vetulltrashë qëndroi përpara babai, i tregoi një pllakë gramafoni dhe zë rëndë lexoi:

‘Enriko Karrozo! Ore hajvan, kujt i tregon ti kjo është pllaka jote! Ky është emër italian, armik! Fol?!’ ia priti vetulltrashi.

‘More të uruar, kthejeni anën tjetër, ja lexoni, është emri im, është kënga ime, është serenata ime. Kështu inçizoheshin pllakat e gramafonit në atë kohë,’ i tha babai. U kapërdi me vështirësi dhe vazhdoi: ‘Enriko Karruzo është me famë botërore. Ishte nder për këngën time të regjistrohej në një disk me të…’

‘Hesht maskara, armik!’ E ndërpreu ashpër pilivesa vetulltrashë. ‘Ç’janë këto bastarde me dy faqe. S’të arrestojmë, por kemi urdhër të asgjësojmë të gjitha pllakave të gramafonit. S’na duhen këngët e huaja, kur kemi këngët tona. Të paralajmëroj, po të kesh pllaka të tjera dorëzoi menjëherë në polici, ndryshe të prej burgu.’

Babai e kyçi gojën dhe uli kryet i ligështuar. Menjëherë filloi kasaphana, thyerja e pllakave të gramafonit, me këmbë, me duar, me kopaçe. Shkatërrimi i vlerave më të mira muzikore. Qytat e pushkëve ishin shurdhuese, dërmuese. U bë batërdi, barbari e tmerrshme. Babai dhe nëna vështronin syshqyer. Çdo pllakë që thyhej prej dhunës, trupi i babait dridhej si gjeth, sikur shtypeshin e dërmoheshin kockat e tij. Jashtë gjëmonte dhe binte breshër me potere, brenda në korridorin e shtëpisë, shkatërroheshin, vriteshin, tinguj dhe zërat e jetës me rrapëllimë të tmerrshme.

Ata ikën kur pllakat e gramafonit u bënë copë e thërrime, por nuk harruan të përsëritnim, paralajmërimin, kërcënim e pritshëm burgun. Lanë katrahurën pas, derën e shkatërruar, të hapur kat më kat. Era dhe breshëri që vrundulloi brenda, na kallkanosi.

Babai u ul në gjunjë, ndehu krahët si t’i lutej zotit për mëshire ndaj masakrës së bërë, rënkoi, klithi me të madhe dhe lotët i binin rrëke. Zëri tij i mrekullueshëm, që këndoi në La Skala e gjetkë i humbi njëherë e përgjithmonë. Aty në atë katrahurë të llahtarshme ishte e gjithë ëndrra, puna, përkushtimi, sakrifica, talenti, tradita. Trupi iu var, ra pa ndjenja në dyshemenë e lagësht dhe, prej asaj dite nuk u ngrit nga shtrati. Ata me kurmin e tyre të qelbur shtinë helm në pusin e ujit të jetës sonë…

Minai heshti dhe vështroi gjatë nga unë. Ai ishte tmerrësisht i zbehtë aq sa më shkaktoi të dridhura në trup.

– S’të kam thënë, por pilivesa vetulltrashë që shkatërroi pllakat e gramafonit të babait, është i ati i Ardit Lakuriqit.’

– Ah!- ia bëra i hutuar pa ditur çfarë të thosha: – Ah!

– Arti, muzika, kultura përherë janë nëpërkëmbur nga injoranca, por asnjëherë mundur, – foli Minai dhe psherëtiu thellë.





Fragment nga romani: Kristaq Turtulli “Misteret e Parisit të vogël”

Apologjia e Nënës


Imazh i ngjashëm
Lëviz me nervozizëm rreth vetes. Karfica më pickon përsëri. Dreqja majë karfice, s’ do të qëndrojë në fole. ‘S’më bëjnë këmbët të shkoj, të kërkoj drejtësi te Marko Kalemi, nuse djali në këtë ditë të përçudnuar, me ëndrra të rënda. S’e kuptoj përse e drejta mbahet e lidhur në mijëra vargonj dhe e keqja livadhis azat?! Përse ndëshkohet, nëpërkëmbet dhe vdes herët i miri, ndërsa i ligu zhgërryhet për shtatë palë qejfe mbi dafina?! Na thënkan me qesëndi: I plotfuqishmi Zot i do shumë të mirët, i ka në zemër, prandaj i merr pranë. Punë e bukur qenka: T’i marrësh të mirit jetën e bekuar që nuk përsëritet kurrë më. Të braktisë dritën e diellit, ujin e kaltër, ajrin e freskët, këngën e bukur, fjalën e ëmbël të mëmës, të shkojë në terr, në errësirë. Atje, nën dhe, në terr, prej nga nuk kthehet më. Hë, a ka bythë vend ku të rrijë?! Domethënë, sipas budallenjve, moj krushkë shtrigë, drita e diellit, qielli, ajri, ylberi, uji, blerimi, pylli, shpendët, kafshët, e çdo tjetër e gjallë na qenkan për të ligjtë, vrastarët, kurvat e kurvarët, spiunët, maskarenjtë, hipokritët, kodoshët, mosmirënjohësit! Me pak fjalë, mirësia të shpërblehet gjithnjë me të keq?! Hëm! A mos je pak budallaqe, moj grua plakë?! Kartoni i dritares rrahu me potere si të më thoshte ‘O grua, akoma nuk e ke marrë vesh që s’ka mirënjohje? S’ka dreqi ta marrë, s’ka dhe, s’ka..! E nëmën, e pështynë e kafshuan dhe në fund e hëngri kuçedra me dy koka. -Plasja të preftë!- rënkoj. Koka më shungullon dhe them me maraz. Si të ngushëlloj veten, pëshpërit: Mbase gjendet një që e njeh, e vlerëson mirënjohjen dhe do Zoti ky të jetë Marko Kalemi. Si përgjigje, fytyra m’u spërkat nga shiu i ftohtë.

Mbi romanin “Misteret e Parisit të vogël” nga Kristaq Turtulli

Rezultate imazhesh për kristaq turtulli


Astrit Lulushi

“Parisi i vogël” është padyshim një qytet plot mistere. Por çka e tërheq lexuesin është ajo që shqiptarët e djeshëm e të sotëm nuk kanë mundur ta kuptojnë; është misteri i filantropisë e i bamirësisë, mister pa të cilin çdo flijim, vuajtje, çdo punë e pikë djerse shkon kot,dhe qyteti nuk bëhet si “Parisi”.

Na ishte një herë një i pasur…kjo është fabula që përcjell romani…Çdo gjë varet se ç’do të bëjë ai: a do ta përdorë pasurinë për t’u bërë edhe më i pasur duke përçmuar, shfrytëzuar, mashtruar, vjedhur, shtypur të tjerët? Apo do ta vërë pasurinë e tij në funksion të zhvillimit për të bërë veten dhe të tjerët më të pasur dhe mbarë qytetin shembull përparimi?

Dhe autori Kristaq Turtulli, zgjedh për të pasurin rrugën e dytë: udhëtimet jashtë vendit i ai i përdor jo thjesht për luks, mburrje e shpenzime për veten, por për të nënshkruar kontrata, marrëveshje biznesi me investitorë të huaj për tërheqjen e veprimtarisë së tyre në këtë qytet të vogël. Për të huajt, që nuk e njohin a nuk e paragjykojnë Shqipërinë, i pasuri bëhet një ambasador dhe jo i korruptuari, grykësi i pangopuri, siç njihen sot “parallinjtë” dhe fëmiljet e tyre kur dalin për pushime në ishuj a kur udhëtojnë me xhepa plot e fodullëk nëpër botë.

Romani zhvillohet në kohë të shkuar në qytetin e Korçës, sjell historinë e tij me heronj e “karnavale” dhe përhapet në mbarë Evropën, e përsëri në “Parisin e vogël”. Kristaq Turtulli, njohës i mirë i terrenit, tregon me stil të zhdërvjellë, me gjuhë plot metafora e personazhe të larmishëm, se filantropia është virtyt i njeriut që ndjen e që ka. Dhe Korça (Shqipëria) është e pasur me të dyja. Qyteti është me fat me pasanikë të tillë, me shpirt për të gjithë.

Por fatkeqësisht, ata duket se ekzistojnë vetëm në roman, dhe në zemrën e autorit që digjet nga malli për vendin e tij. Prej afro 20 vjetësh, Kristaq Turtulli jeton në mërgim, në Kanada.”Misteret e Parisit të vogël”, në amazon.com, është ftesë a thirrje për shqiptarët kudo të mos harrojnë e të kujdesen për vendlindjen e tyre, për ta bërë atë “Paris”, simbol të kamjes dhe qytetërimit. Tani për tani kjo duket Utopi, por mund të bëhet ëndërr e pastaj realitet; Dhe “Misteret e Parisit të vogël” i Kristaq Turtullit ofron një rrugë, që mban emrin “Bamirësia”.

Libri i pare i një sage me vlerë të madhe: Kristaq Turtulli “Zëra në lavjerrës “




ILLO FOTO
Esse
Një roman , qe sfidon kohërat


(Libri i pare i një sage me vlerë të madhe: “Zëra në lavjerrës “ )


E lexova, në dorëshkrim, romanin e autorit, Kristaq Turtulli , që jeton në Kanada . Ndihem i privilegjuar, që e lexova këtë vepër. Ky roman është një sagë e familjes së zgjeruar “Madhi “, një nga familjet e rralla, që mund të themi pa frikë, se përfaqëson, ideologjikisht, ekonomikisht, kulturalisht, borgjezinë dhe Shqipërinë e viteve 30, e në vijim. Autori ka përfunduar librin e parë, që është një roman i plotë dhe rrok periudhën nga fillimet e Mbretërisë deri në pushtimin fashist të Shqipërisë. Hapësira mbetet ende e gjerë, për sagën , qe pretendon të na japi autori .
Në të kaluarën kam lexuar një libër: “Saga e Forsajtesve “ të Xhon Gollosourtht . Ai libër përshkruan tronditjen e familjeve të mëdha, kur përjetojnë kapitalizmin. Romani i autorit Turtulli, i kapërcen të tëra barrierat historike dhe na jep një roman të dimensioneve të mëdha të jetës borgjeze qytetare shqiptare, që megjithëse ishte e importuar nga Evropa, kishte një vulë nacionale shqiptare të dallueshme lehtë nga ç’do studiues me kulturë i kohës dhe i sotëm.
Nuk bën gabim, kur thua borgjezia qytetare, sepse Shqipëria ka pasur një traditë të fuqishme baritore. Fillimisht, lulëzoi borgjezia fshatare e celnikëve , që i kthenin paratë me lopatë, por borgjezia nuk është vetëm para dhe as vetëm forcë ligji , borgjezia është emancipim shoqëror, kulturë, jetë e lirë dhe e shfrenuar . Janë detaje të pa kapshme nga borgjezia e parakohshme fshatare . Në të dyja rastet , brenda saj fabule , zhvillohet idealizma , për të ruajtur kombin , që i rriti . E duan Kombin , deri ne vetëmohim . Këtë na sqaron, me shumë saktësi , libri i parë i kësaj sage .
Turtulli, përfaqësohet jo vetëm si romancier, por edhe si filozof, i një epoke, që ka dashur të bëhet sunduese , por nuk ja arriti , sepse u projektua dhe u udhëhoq gabimisht . Mendimi filozofik i autorit Turtulli , ngrihet mbi epokën, që përshkruan. Turtulli është artist I fabulës dhe i fjalës .
Për sa e njoh unë romanitikën shqiptare, Turtulli ka dhënë një kontribut cilësor, në këtë fushë të rëndësishme te kulturës letrare. Kjo nuk varet gjithnjë nga lista e romaneve te botuara , por nga cilësia artistike e tyre. Ky romancier është futur në botën shqiptare te romanit, pa asnjë ndrojtjeje . E ka hapur derën me finesën , qe meriton kuvendi letrar .
Romani, qe kemi në analize, përbën një kulm në krijimtarinë e autorit dhe te vete romanistikës kombëtare. Autori Turtulli , e njeh jetën dhe na i jep atë , aq dimensioale sa duhet te jete sot e ne te ardhmen . Ai është romancier filozof i kësaj kohe dhe, i asaj , qe është mbyllur, por është romancieri klasik i se ardhmes . Fatmirësisht shumica e romancierëve shqiptare, numerikisht, i përkasin periudhës transitive .
Turtulli është autor , qe optimizmin e gjen brenda kontradiktës . Nuk mund te këtë optimizëm artificial . Janë me dhjetëra , arenat , ku përshkruhen gjendjet psikologjike dhe veprimtaritë e personazheve , në këtë roman , qe rrok një periudhe nga me delikatet ne historinë e Kombit shqiptar . Autori i ka vizatuar personazhet me vërtetësi te një artisti , qe personazhet nuk i vendos ne kafaz, por i lejon te ecin lirshëm ne rrugët e jetës, qe ata projektojnë , ose në shtigjet, qe i detyrojnë kushtet historike te kalojnë. Personazhet janë dinamike dhe te besueshëm, për atë, qe aspirojnë. Personazhet kryesore jetën e tyre e konsiderojnë mision. Fjala vjen Leonardi, tregtinë dhe paranë i barazon me idealin e tij jetësor, ndryshe nga oponenti i tij dhe shok i jetës, qe jetën e konsideron mision te zhvillimit shoqëror në të tera dimensionet dhe për një ideal, e ve veten afër sakrifikimit fizik. Te dy gëzojnë një aspirate te zhvillimit shoqëror, ne vektorë të ndryshëm , por qe nuk jetojnë vetëm, për vete. Sado, qe me role me te vogla , ne roman nuk ka personazhe krejt episodikë. Secili kryen një rol te rëndësishëm ne jete, me mënyrën e tij te kuptuarit te botes.
Përshkrimet e autorit, për rolin e parasë, te heroizmit , te marrëdhënieve midis shtresave shoqërore , përveç anës perfekte artistike dhe psikologjike , marrin vlerën filozofike, te kuptueshme nga te gjithë nivelet e lexuesve. Turtulli, ne këtë roman, është shfaqur si artist , që e zhvillon intrigën e personazheve , në shumë plane dhe te befason , për zgjidhjet. Ka shume episode te këtyre pamjeve, duke e ven lexuesin në pozitë, qe t’i besoi, pa dialog zgjidhjeve, qe jep autori. Ne ketë kuptim , romani i “Lavjerrësit “ , mirëkuptohet si një epope, në një arenë të pa fund, ku episodet jetësore zëvendësojnë njeri tjetrin me shpejtësinë e natyrshme te zhvillimit te fenomeneve shoqërore .
Nuk e njoh fizikisht shkrimtarin Kristaq Turtulli , veç nga shkrimet e tij. Kam lexuar disa prej romaneve të tij. Për mendimin tim, ky romancier i ka kapërcyer te tera pengesat , që lidhen me mos lexueshmerine e literaturës se sotme te shkruar dhe pak te lexuar . Turtulli, është shkrimtar i shume i lexueshëm. Ky roman tregon se ne cilën mase ndihen dridhmat dhe dhimbjet, qe linden borgjezinë dhe të tjerat, qe përjetohen, me zhvillimin e kësaj borgjezie te brishte.
Korça, lulëzon borgjezinë e brishte , por krijon dhe kushte , për ta korrigjuar atë . Fjala vjen, a nuk është bamirësia ai veprim shoqëror, që zbut varfërinë. Është afër koha , kur bamirësia do te ndalohet me ligj . Jetën e tjetrit nuk mund ta marri ne dore kush, veç shtetit. Ne vendet nordike, ky fenomen po ndodh praktikisht .Po përjetohet një shtet i ri borgjez , me ndryshime nga shteti borgjez klasik por këto janë çështje , qe nuk lidhen me objektin tone aktual, prandaj te kalojmë në temën tonë.
Romani i Turtullit , shënon një nisme historike , qe i jep ngjyrat e humbura kombit . Historianet nuk e dine, që në Shqipëri ka pasur një borgjezi, qe lindi si fëmijë shtatanik dhe u rrit në pelenat e rreckosura te tregtarëve te kohës. Ketë, qe nuk duan ta dëgjojnë historianet , Turtulli , na i ka dhënë me rrënjë dhe dege ne librin e pare te sagës se tij te famshme, për familjen e Madhi , të Korçës . Si u zhvillua dhe u rrit kjo familje, kjo është Shqipëria e viteve 30 e shekullit te kaluar. Vitet 30, janë gur kufiri për Shqipërinë moderne. Pa këtë zhvillim dhe pa këta intelektuale te shquar, Shqipëria do te ishte ajo qe pretendonte Bismarku : “ Një shprehje gjeografike , ne hartën e Evropës “ . Shqipëria nuk u be siç thoshte Bismarku , por siç na i shtjellon artistikisht, Turtulli , në romanin e tij, që kemi në studim . Romani na jep në pëllëmbë te dorës emancipimin borgjez te Shqipërisë gjysmë feudale .
Gjetja e fabulës nga z. Turtulli, është një shërbim i madh shoqëror, sepse gjithë jetën shoqëria do te mbetet e përkushtuar ndaj historisë se zhvillimit te saj . Instinktivisht njeriu kërkon rrënjët . Nuk bëhet fjale, për subjekt te stisur, por për atë, real-historik . Ne ç’do personazh njeriu gjen veten, shoqërinë , të afërmit, mënyrat si duhet te çlirohet nga veset dhe metodologjia, për te falur solidaritet te dëlirtë. Ketë fabul, me vlere historike, e ka marre përsipër ta shtjelloi Z. Turtulli, qe e njeh problemin , brenda vetes dhe i ka aftësitë e duhura profesionale dhe artistike, për te na i përcjellë problemin emocionalisht .
Romani i Turtullit, është një tufe e madhe me aforizma, proverba dhe përkufizime filozofike , qe vetëm një romancier si Turtulli mund t’i realizoi . Proza e romanit është një ligjëratë e plote me ngjyra poetike. Këtë ja jep gjuha e rrjedhshme dhe me origjinalitet popullor. Turtulli shkruan atë, qe mendon, pa u shtirur dhe pa perifraza, por me kuptim te drejtpërdrejtë. Sot për sot Turtulli mbetet lider në një pyll me romancierë , qe kurrë nuk e kemi pasur me përpara .
Për aq sa romane kam lexuar, ky i Turtullit është nga me të shquarit e këtij çerekshekulli të fundit, mbase më I shquari. A ka influencën nga shkolla Kadare te romanit shqiptar ? Unë mendoj , Po, me ” po “ te madhe !
Gjithsesi Turtulli ka individualitet te theksuar te romancierit. Jo vetëm shkruan pa sforco , por temperamenti i tij , i lejon të futet në të tera këndet e padukshme dhe labirintet e te gjitha klaneve. I qëndron mire kostumi i shkrimtarit popullor, por nuk i mungon inteligjenca dhe kultura, për te na futur ne korridoret e filozofisë dhe laboratorët e psikanalizës.
Lexuesin e komandon libri, qe ka përpara. Ne se ai ka mundur te depërtoi brenda qenies time, duke me familjarizuar me personazhet dhe ngjarjet, behet pjesa e ndërgjegjes . Më fut brenda ngjarjeve qe kane rrjedhur natyrshëm, jo vetëm objektivisht, po aty ku i ka çuar mjeshtëria e autorit. Një libër virtuoz , është një lloj qelize , qe ndan kromozomet me lexuesin.
Ja si e përkufizon lindjen e idealeve komuniste “Lavjerrësi “ i Turtullit: “Është dogme, që të djeg . Nuk të bind “ ( F154 ) . Me gjeni një përkufizim me lakonik, me gjithëpërfshirës dhe me te sakte se ky përcaktim , për monizmin lindor stalinist . Duhet te jesh Turtull, të arrish në të tilla deduksione filozofike, të ngritura ne art . Përkufizimi i Turtullit i thotë të tera , që na mëson historia , por vetëm me dy fjali te shkurtra sa s’ka .
Romani i Z. Turtulli , lexohet me një fryme, sepse është libër i shkruar artistikisht, pa kryefjala redaksionale, pa autoritet , diktim dhe zgjidhje te supozuara. Te vjen keq , që e ndërpret , për pushimin e drekës . Do që të jetosh me personazhet, që të bëjnë shoqëri te sinqerte, pa luster dhe prapamendime .
Nuk është fjala, për një libër të pikuar artistikisht , sepse do te behej shume delikat , ne forme pelteje , për te ushqyer bebet . Romani i Turtullit ka oshtimën e vet , për mire dhe për keq . E duam dhe kur vërtetojmë gabime dhe te meta , për gjykimin si lexues . Është roman qe ka aftësi te mbrohet vete , s’ka nevoje për bodigarde. Ne kuvendin e burrave , romani i Turtullit, na flet nga podiumi , me siguri dhe krenari te një korifeu të stërvitur mire.
Lexuesit i rrëshqet një pupël e lehte, ne vesh dhe ne fytyrë , qe i tërheq vëmendjen , për te pasur një sy dhe një vesh nga politika e kohës. Ka rëndësi fjala: “e kohës “ , sepse gjejmë politiken e ditës , edhe kur ngjarja zhvillohet një shekull përpara. Jemi te lirë të bëjmë zgjedhjen tone politike, pa buje, ndryshe nga libra te ashtuquajtur artistike, por te mbushur me fryme politike partiake. Nuk ka ofendim me te madh, për lexuesin, kur i serviren metoda te tilla librash . Ne fakt ato janë një forme e atentatit te heshtur .
Ne këtë rast nuk dua të bej Platonin, por e kam fjalën , qe arti duhet të jetë veçmas nga politika, për faktin e thjeshte se pushtetet ndërrohen periodikisht . Arti ka vlere te pa kufizuar ne kohe.
Është fakt se botimet, këto vite janë shtuar shume dhe kjo flet për rritjen e nivelit kulturor te popullit. Romancierë te këtij gjysmë shekulli , bashke me koleget e tyre para ardhës , krijuan një pyll me romancierë , qe i kishte munguar Shqipërisë përpara gjysmëshekullit të 20 e ne vijim . Dijetaret , i kane shpallur romanet, gur kufiri midis epokave historike . Midis morisë se romaneve , qe botohen , ç’do vit , natyrshëm do te gjenden edhe tek ne te tille gurë kilometrike te kufijve te epokave historike, sepse historia jone e romanit, në pak raste dhe firma autoresh, i ka kaluar kufijtë e vendlindjes . Ne këtë vështrim është me e lehte te shërbejnë si gurë kilometrike , brenda kufijve etnike dhe kjo nuk është pak , për një letërsi, që ka qenë e mbyllur ne kafazin e hekurt të socializmit .
Nuk mund te behësh romancier me sforco dhe as me ndihmë, duhet që të gjenerosh ide te realizueshme, brenda logjikes shkencore . Kjo kërkon jo vetëm talent , por dhe kulture te përgjithshme, qe autorit në fjale nuk i mungojnë te dyja. Në vlerësimin e librit artistik , merr rëndësi te dorës se pse shtjellimi i skenave intime . Ato janë korridoret jetësore, ku zhvillohet lindja dhe vdekja, puna dhe krijimtaria, politika dhe arti .
Disa autore, këto skena i përshkruajnë jashtë natyralitetit te tyre, ne mënyrë kaq kanunore, sa qe ç’do klerik, i çfarëdo besimi , mund t’i përdori si formule pagëzimi. Ka autore te tjerë, që kalojnë në banalizim , qe do t’i kishte zili dhe seksi i rrugës së madhe. Romani i Turtullit përshkruan skena te tilla, me qindra, por me natyralitet absolut . Pse e shtoj fjalën e fundit? Sepse nuk besoj qe do te gjendet mënyrë me optimale, për te depërtuar te lexuesi i te tera moshave dhe sekseve . Pasi ta lexoni romanin , do me jepni te drejte. Skenat seksuale, qe përshkruan autori ynë, do t’i miratonin , pa hezitim edhe Don Zhuanet patologjike edhe murgeshat, e dënuara nga fati .
Nuk ka në veprën e Turtullit arifice dhe neologjizma parazitare: Ai zotëron ne mënyrë krijuese vokapolarin popullor . Ja disa shprehje te shkëputura: Mos na fut ne ato thekra! Dy janë prangosur : Ti dhe ideali! Pleqëria e Albanit , zbret me ritmin , qe investohet ne tregti (F. 110 ) Sa te dridhen leqet tona , le te thyhen kockat e tyre. Unë mbjell, dru pikëllimi, ne kodrat e shpirtit. Lumenjtë vdesin rralle! ( F 73 Burrë e grua, janë shpirtra, jo burrë e grua . (f.83 ) Meri nga fotografia është gjykim, për dashurinë . Nuk ka rëndësi ç ‘dashuri është , mjafton te jetosh. Këto janë disa batuta , midis mijëra të tjerave te ngjashmeve .
Në këtë trajtese te shkurtër , nuk mund te paraqes, veç pak shembujt, qe përmenda me sipër.
Ky është autori Kristaq Turtulli, ne dimensionin emocional dhe artistik . Me një pune te thelluar intelektuale dhe artistike, autori, ka dale mbi kohen dhe na ka dhënë një roman, te nivelit, qe kumtova, në këtë ese modeste. Midis të tjerave romani, qe analizuam krijon garanci , për librat e tjerë , për plotësimin e sagës , qe ka ne plan të shkruaj z. Turtulli.
Cilësia dhe sasia e romaneve shqiptare, ka zhvillim të ndjeshëm pozitiv, por nuk jemi aty ku duhet. Romanet janë ngjarje të mëdha , për kombin , nuk janë simite, që përgatiten në furrë. Me këtë dua të them, qe autoret dhe botuesit , kur mbi kapak , shkruajnë fjalën “Roman “ , jo vetëm duhet te mendohen thellë, por të kenë krenarinë e ligjshme, që I kanë dhënë vendit një epoke te pasqyruar artistikisht.
Nuk jemi në kohen, kur Shqipëria , kërkonte dhe nuk gjente një romancier, qofte edhe të rëndomtë. Sot ka shume te tillë dhe është e natyrshme nuk mund te jenë të tërë te një niveli . Kjo ndodh se kultura dhe letërsia aktuale, kane prekur nivele te kënaqshme zhvillimi.
Nuk mund të pretendohet uniformitet, sepse ku ka uniformitet, nuk ka jetë . Sot për sot, gjithnjë sipas mendimit tim , kulmin, po e shënon saga: “Zëra ne Lavjerrës “ , fillimi I një sage, që nuk është parë, deri me sot, ne historinë e romanistikës tone kombëtare .


Illo Foto - Studiues , NY – Nëntor 2018

*****





Kristaq Turtulli, shkrimtar, poet, gazetar, piktor, romancier i njohur korçar me banim në Kanada. Fitues i disa çmimeve kombëtare në prozë. është përkthyer në anglisht. Rrjedh nga një familje e shquar patriotike e cila gjithmonë i është gjendur pranë kombit. Anëtar i Unionit të Shkrimtarëve të Kanadasë.


Veprat e  botuara nga Kristaq Turtullit

Ëngjëlli i koresë, roman, ribotim, 2018


"Ëngjëlli i Korese" ngërthen një teatër shumë të gjerë veprimesh, nga Shqipëria e deri në Kore, pra në Euroazi, nga pikpamja gjeografike, në komunizëm nga pikpamja e sistemit politik, në varfëri nga pikpamja e nivelit ekonomik, në diktaturë nga pikpamja e qeverisjes, në persekutim, nga pikpamja e lirive dhe të drejtave të njeriut. Autori ka modeluar një skemë të kombinuar linjash, mjedisesh, personazhesh, pikpamjesh filosofike për të zbuluar plagët e agravuara të shoqërisë e popujve të këtyre dy vendeve, fatin tragjikisht të paracaktuar të personave vepronjës në roman, i cili nuk ishte aspak më i mirë nga populli punonjës, pa ekonomi e pa liri e të drejta. Libri:”Ëngjëlli i Koresë” pjesa e dytë e trilogjise: ”Hidhësia e Puthjes", sjell modele pershkrimesh, monologësh, vargje sinonimesh dhe epitetesh për të përshkruar, vizatuar apo tipizuar skena, rrethana, dukuri, vecori, personazhe dhe mjedise. Libri vazhdon me vëllimin e tretë, i cili do na japë tablonë e plotë dhe fatin e personazheve… Oh, sa bukur, sa dhimbshem, sa shumë bukur! Një himn magjik për dashurinë përmes vojtjeve apokaliptike!

Misteret E Parisit Te Vogel
Misteret e parisit të vogël, roman 2017


Në librin: ‘Misteret e Parisit te Vogël’ të shkrimtarit Kristaq Turtulli shtjellohen disa fabula, që janë probleme shoqërore dhe historike të kombit, të cilat së bashku krijojnë një të vetme, që ka emrin mbijetesë kombëtare dhe fisnikëri e familjeve të mëdha. Shumë kapituj të librit i japin veprës dimension të merituar didaktik për sot dhe të ardhmen, me terma të përmbajtura historike, për të cilën edhe specialistët e fushës nuk i njohin baraspeshat. Mesazhi që jep vepra është universal. Ai lokalizohet në aftësinë e familjeve të mëdha për të rigjeneruar kombin nëpërmjet rigjenerimit të vetes. Përballë agresionit të një pushteti të dalë nga gryka e pushkës, familjet e mëdha ruajtën genin e humanizmit dhe të përgjegjësisë për zhvillimin e pandërprerë të shoqërisë kombëtare.

Ati Dhe Fati
Ati dhe fati, roman 2016


Ne nje rrafsh filozofik, udhetimi i Fredo Samarxhiut eshte vete jeta. Vjen nje moment kur duhet te braktisesh vatren familjare per t'u perballur me sfiden qe ta ka rezervuar fati. Eshte nje udhetim qe ruan fund e krye tre elemente te rendesishme: zhvendosjen fizike te njeriut mbi glob, motivimin qe te ben per te pranuar sakrifican mbinjerezore dhe fati qe artistikisht jepet nga hija e gjyshit Riko.

Ikje Prej Vetes (Albanian Edition)
Ikje prej vetes, roman 2016

Në qoftë se princi Hamlet kishte të drejtë, - është shkruar në librin e diellit: - E vetmja përgjigje e Horatit, mikut të ngushtë, ishte; ‘të vazhdonte të zgjeronte limitin e mendimeve të tij.’ Me pak fjalë, të vazhdonte të ëndërronte... Romani "Ikje Prej Vetes" është një prozë e fuqishme, meditative, artistike, filozofike e ditëve të sotme. Tema është marë nga realiteti i sotëm shqiptar, ku jepet me forcë dhe vërtetësi pasqyra reale dhe gjendja në Shqipëri. Trajtohet kriza e familjes së sotme, shoqërisë, fati i artistit dhe njeriut të ndershëm në krizën e sotme sociale.
Zhgenjimi
Zhgënjimi, roman: shkurt 2015

Më besoni as vetë nuk di se çfarë kërkoj. Nuk e di kujt ti drejtohem, kujt ti hapem; vetes, miqësisë, njerëzisë në qoftë se do mundnin të më përgjigjeshin. Ti kthehem fanatizmit gërdallë, idealizmit të zhvlerësuar, bërë prostitutë rrugësh, marrëzisë, çmendurisë? Kujt?! Kudo është shurdhëri, shkretëtirë... Më vjen keq për veten por dhe njëherësh dua të qesh me të madhe, të shkulem së qeshuri, aq sa të thyhen xhamat e vitrinave, të buçasin sirenat e makinave, të prishen hijet, të shqyhen rrjetat e merimangave dhe të shkundet i gjithë qyteti..
Kujdes, vajze (Albanian Edition)
Kujdes vajzë, novelë 2015

Ana e dashur, në kokën time me qoshe lëvrojnë dhe ngrenë krye dyshime të mëdha. Siç duken bathët, nga e gjithë kjo ëndërr e sfungjertë dhe zallahi do dalim si ruajtur qethur. Demokracia që e duam aq fort, ngjan si një foshnjë e mrekullueshme e njomë, me diellin përshkënditësh në sy dhe në buzë, - më tha Sterjo Dushku: - Kjo demokraci e magjishme, qëndron ndehur mbi tehun e thikës me dy presa. Lindi, u mëkua, u ushqye nga njerëz idealistë, demokratë, me imagjinatë të pasur, të ndërgjegjshëm, të pa kompromentuar dhe nga ne, studentët ëndërrimtarë të brezit të ri. Por kësaj foshnje të padjallëzuar e delikate, i zunë pritë zabërhanët. E rrëmbyen me duart idhnake. E hodhën në kazanin e shtrigave dhe po e mbytin me litarët leshterikë të burokracisë...
Pianisti (Albanian Edition)
Pianisti, roman 2013

Libri me novela "Pianisti" përmban pesë novela. 1. Pianisti 2. I qeshuri 3. Vajza me qen 4. Një ditë korriku në Muskoka 5. Pushkë e keqe qe ajo që ra Autori, në të pesë novelat, trajton me mjeshtëri tema te rëndësishme të jetës shqiptare dhe të jetës në mergim, ku jeton, atë kanadeze.

Tulipani i koresë, roman 2012

Syri i Rirës, roman 2011

Rrezearta mundohet me të gjitha mjetet të shkëputet prej thonjve të fatit të parashikuar, përballon vështirësitë e mendësitë mediokre dhe dashakeqe të ambjentit provoncial ndaj një vajze jetime...

Në trenin e linjës 16, roman 2010

Zamira, personazhi krysor i romanit është ikona e femrës shqiptare, e vuajtur por kurajoze, duron me stoicizën të gjizh vështirësitë e jetës
Puthje E Pamundur: Kronikë E Pranverës 97
Puthje e pamundur, roman 2010

Në jetë luajnë të qetë vetëm ata që nuk kanë asnjë rol. Ndërsa tek ne gjithçka qëndron ndryshe. Jemi aktorë dhe regjizorë njëherësh, veçse në miniaturë. Dëshirojmë të luajmë, por ngatërrojmë batutat, skenat, lëvizjet risillen përmbys. Atëherë gërhasim, fajësojmë, kërleshemi. Kjo kërleshje ka vite dhe vite. Dekada dhe dekada, që zhvillohet brenda vetes. Kërleshjen fillimisht e pranuam si lodër fëmijësh, si një dhuratë të vogël simbolike, por tunduese. E përtypëm me ngut, gjithë dëshirë, e cila zbriti rrëmbyeshëm, ashtu e patretur mirë në stomak. Lënda e qulltë, u përzje me acidërat e stomakut dhe, në mënyrë të rrufeshme u përhap në gjithë qenien. Trupi e pranoi dhe s'e nxori jashtë...
Degjo, Floriri Im
Dëgjo, floriri im, roman 2009

Ç’hyn prakticizmi në predikimet bajate të tjerëve. Fjala elastik ka vlerë më shumë se fjala praktik. Trupi i njeriut nuk mund të përthyet më dysh. Elasticiteti është më i përshtatshëm për gjarprin, ngjalën, ose shushunjën, shtylla kurrizore e të cilëve është e mrekullueshme. Gjarpri krahas elasticitetit, ka kafshimin dhe helmimin. Shushunja është pak a shumë më ndryshe, parapëlqen thëthitjen e gjakut, paqësisht qëndron në ujërat e ndenjura kënetore. Ajo është e vogël dhe duket e padëmshme, disi e mjerë. Ndërsa ngjala është shumë më ndryshe nga dy të parët, ajo është vërtet elastike, por një torollake uji e brishtë e pa vlerë, që nuk mund të bëhet kurrë gjarpër... Po njeriu..?!



Vetmia e zërave, roman 2006

... Mistrecët gjithmonë argëtohen me rekrutët e rinj. Mbijetesa e tyre, servilizmi. Eh, është një nga elementet bazë të rekrutërisë. Servilizmi s'të lë kurrë në baltë. Servilizmi. Oh po servilizmi, mbulon me mjeshtëri tymtajën ogurzezë të mendimeve dhe qëllimeve. Servilizmi është i lashtë sa vetë jeta. Servilizmi është fillesa e fillesave. Servilizmi u përket të gjithëve dhe gjithçkaje. Bota pa servilizmin do të ishte e mjerë. Servilizmi është petku i artë, i purpurt i përbaltë, i kameleonët. Më dëgjove? Më mirë mos dëgjo. Fola për servilizmin. Mos beso. S'ka servilizëm, s'ka asgjë. Eh, kush e njeh servilizmin, kush e di. Të gjitha janë pallavra. Disa flasin për hipokrizinë. Të gjitha njeriu i ka krijuar dhe për njeriun janë. Mendjet e ditura?! S'dihet, mbase mendjet tmerrësisht të djallëzuara, të çartura ose të rrokullisura. Ndoshta është fasadë. Mbase diçka e parathënë, e parabërë, e paraparë..

Ç’është jeta e një njeriu, roman 2003

Në jetë luajnë të qetë ata që nuk kanë asnjë rol. Ndërsa tek ne gjithçka qëndron ndryshe. Mundohemi të jemi aktorë dhe regjisorë njëorësh, veçse në miniaturë. Dëshirojmë të luajmë, por ngatërrojmë batutat, lëvizim, skenat risillen përmbys. Atëherë fajësojmë, gërhasim, kërleshemi. Kjo kërleshje ke vite dhe vide. Dekada dhe dekada, që zhvillohet brenda vetes. Kërleshjen fillimisht e pranuam si lodër fëmijësh, se një dhuratë e vogël simbolike, por tunduese. E përtypëm me ngut, gjithë dëshirë, e cila zbriti rrëmbyeshëm, ashtu e patretur mirë në stomak. Lënda a qulltë u përzje me acidet e stomakut, u përhap në mënyrë të rrufeshme në të gjithë qenien. Trupi e pranoi dhe s’e nxori jashtë...

Hani me dy Porta, roman, 1997

“… Në pështjellimin e zërave dhe të klithmave të qytetit, kërkohet zëri i lemerisur. Ngrihej rrufeshëm nga fundi i dheut. Ai zë fillimisht niste ulët, i ngadalë, si një qarje a lehtë, më pas merrte hov dhe oshëtinte me lebeti. Me kujë të fortë, aq sa trondiste muret si tërmet...

Hija e Ariut, roman 1996

…Të kërkosh nga vetja, me të gjitha mënyrat, s’është mëkat. Dikur, babai i kishte folur për hijen a ariut. Ka hije të rëndë ariu, të madhe, lemeritëse, shtypëse. Gjithsesi, kur ndodhesh përpara ariut, duhet të jesh i përgatitur mirë qysh më parë. Dy qenie për jetë a vdekje janë përballë njëra-tjetrës. Ulërima a ariut është e frikshme. Përpiqet të të shqyejë , të të bëjë copa-copa. Ndërsa ti, kur të hapësh pikën maksimale të klithmës, duhet të fillosh të ulurish më shumë se ariu. Atëherë ndodh habia: ariu tkurret, mblidhet, shtrihet para këmbëve të tua dhe i pushon zemra. Kjo e fundit ndodh një në njëmijë, por ndodh.

The Inn with Two Doors


Përgatiti :Floripress(Flori Bruqi)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...